Prishtinë, më 18 maj 2023
Nr. Ref.: RK 2179/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI201/22
Parashtrues
Nazmi Uka
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Shtetit KMLC. nr. 73/2022, të 10 gushtit 2022, si dhe Aktgjykimit Ac. nr. 3624/21, të 20 prillit 2022, të Gjykatës së Apelit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Nazmi Uka, nga komuna e Obiliqit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), të cilin para Gjykatës e përfaqëson Jeton Osmani, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Njoftimit [KMLC. nr. 73/2022] të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, të 10 gushtit 2022, si dhe Aktgjykimin [Ac. nr. 3624/21], të 20 prillit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).
Parashtruesi i kërkesës Njoftimin [KMLC. nr. 73/2022] të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, të 10 gushtit 2022, e ka pranuar më 15 gusht 2022, ndërsa Aktgjykimin [Ac. nr. 3624/21] të 20 prillit 2022 të Gjykatës së Apelit e kishte pranuar më 14 qershor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimeve të kontestuara, përmes të cilave pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e Drejtave], si dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe të rregullit 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 16 dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës të cilën e kishte dorëzuar në postë më 14 dhjetor 2022.
Më 30 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr. GJR. KSH201/22], caktoi gjyqtarin Enver Peci gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 24 janar 2023, Gjykata e njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe bazuar në nenin 21 (Përfaqësimi) dhe nenin 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit, si dhe rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës kërkoi nga ai që të dorëzojë në Gjykatë autorizimin për përfaqësim në procedurën para Gjykatës.
Më 16 shkurt 2023, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi në Gjykatë autorizimin e kërkuar.
Më 27 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e rastit rezulton se parashtruesi i kërkesës ishte në marrëdhënie pune për më tepër se 42 vite me Korporatën Energjetike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KEK) në pozitën “Vozitës”.
Më 17 mars 2015, me Vendimin [nr. 253], KEK njoftoi parashtruesin e kërkesës se më 10 prill 2015, për shkak të arritjes së moshës së pensionimit i ndërpritet marrëdhënia e punës.
Më 6 shtator 2019, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë pranë KEK-ut për pagesën e tri pagave jubilare, duke u bazuar në nenin 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës.
Nga shkresat e lëndës rezulton se KEK, nuk është përgjigjur në kërkesën e parashtruesit të kërkesës.
Më 8 tetor 2019, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamentin e Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) për pagesën e tri pagave jubilare nga ana e punëdhënësit, KEK-ut në rastin konkret.
Më 10 nëntor 2020, KEK parashtroi përgjigje në padinë e ushtruar nga parashtruesi i kërkesës, duke e kontestuar në tërësi padinë, me arsyetimin se e njëjta është parashkruar, duke arsyetuar se parashtruesi i kërkesës kushtin prej 30 vite përvojë pune e kishte arritur në vitin 2003 në të cilin vit nuk ka qenë në fuqi Marrëveshja Kolektive, dhe rrjedhimisht parashtruesit nuk i takon kjo e drejtë. Për më tepër, KEK në përgjigjen e saj në padi ka shtuar se pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes Kolektive nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2017, me asnjë dispozitë nuk ka qenë e rregulluar që “t’u njihet e drejta punëmarrësve mbi 10-20-30 vite të përvojës së punës”.
Më 19 janar 2021, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [C. nr. 3403/19], refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se bazuar në paragrafin 5 të nenit 90 të Ligjit 03/L-212 të Punës, ku parashihet se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive vlen vetëm për ata punëdhënës e punëmarrës të cilët marrin përsipër detyrimet kolektive, dhe nuk i obligon ata që nuk i marrin përsipër detyrimet që rrjedhin nga kjo e fundit, siç është rasti në rastin konkret. Për më tepër, Gjykata Themelore në arsyetim konstatoi se në rastin konkret kërkesa e parashtruesit është parashkruar.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.
Më 20 prill 2022, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 3624/21], refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke e konsideruar vendimin e shkallës së parë si të drejtë dhe të ligjshëm si dhe konkludoi se gjendja faktike është paraqitur në mënyrë të drejtë. Gjykata e Apelit, më tej, duke u thirrur në nenin 87 të Ligjit nr. 03/L-212 të Punës, konstatoi se kërkesa e parashtruesit është parashkruar “kjo pasi që paditësi ka fituar bazën juridike për të kërkuar kompensimin e tri pagave jubilare me daljen në pension me datën 10.04.2015 ku konsiderohet se nga kjo kohë kërkesa e paditësit është bërë e arritshme ndërsa gjykatës i është drejtuar me padi për kompensimin e pagave jubilare me 08.10.2019, që do të thotë se deri tek paraqitja e padisë kanë kaluar më shumë se tre vjet”.
Më 4 gusht 2022, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, në Zyrën e Prokurorit të Shtetit kundër dy aktgjykimeve të instancave më të ulëta. Parashtruesi kishte pretenduar se vendimet e instancave më të ulëta janë marrë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Në thelb, parashtruesi i kërkesës pretendoi se i) KEK-u në rastin konkret çështjen e pagave jubilare e ka të rregulluar edhe me akte të brendshme; ii) KEK- u është një ndërmarrje e fuqishme; dhe se iii) parashtruesi i kërkesës në rastin konkret gëzon të drejtën e dëmshpërblimit edhe pse kërkesa e tij është parashkruar sepse duhet që të zbatohen rregullat e pasurimit të pabazë, sepse sipas tij, KEK-u, duke mos i njohur këtë të drejtë parashtruesit të njëjtin e ka dëmtuar.
Më 10 gusht 2022, Zyra e Prokurorit të Shtetit përmes Njoftimit [KMLC. nr. 73/2022] njoftoi parashtruesin e kërkesës se “nuk ka gjetur bazë të mjaftueshme ligjore për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë sipas nenit 247.1 pika a) dhe b) të Ligjit për Procedurën Kontestimore.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar, parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e Drejtave], si dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon se me vendimet e gjykatave të rregullta, duke përfshirë shprehimisht edhe Njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Shtetit, gjendja faktike nuk është vërtetuar drejtë dhe për rrjedhojë, këto të fundit nuk kanë zbatuar drejt të drejtën materiale, respektivisht “(Ligjin e Punës) dhe Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës”.
Parashtruesi i kërkesës më tej pretendon se kërkesën e tij për kompensimin e pagave jubilare e ka parashtruar duke u bazuar në legjislacionin në fuqi si dhe në “vendimin 2244 të dt.10.04.2019 dhe plotësimi i tij me nr.8261 dt. 23.08.2019”, të cilat janë akte të brendshme të KEK-ut.
Parashtruesi i kërkesës shton se kërkesën e tij për kompensimin e pagave e kishte paraqitur në kuadër të afateve ligjore të parapara me Ligjin e punës, por edhe në kuptim të “nenit 193 të LMD-së paditësi gëzon të drejtën për dëmshpërblim edhe pas skadimit të afatit të parashkrimit pasi që në kuptim të këtij neni duhet të zbatohen rregullat e pasurimit të pabazë meqenëse e paditura duke mos i njohur të drejtën e tij legjitime paditësit, të njëjtin e ka dëmtuar duke i ndalur pabazë shumën e precizuar në kërkesëpadi”.
Përkitazi me Njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Shtetit, parashtruesi i kërkesës thekson se “nuk kemi të bëjmë me kontest për të cilin nuk mund të ngritët kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë në kuptim të dispozitave të LPK”. Në ndërlidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës shton se të gjitha këto shkelje ligjore në zbatimin e dispozitave ligjore dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale është dashur që t’i ketë parasysh edhe vet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe “mbi bazën e asaj konsiderojmë se edhe e ka zbatuar gabimisht të drejtën procedurale dhe materiale duke vendosur që atë të mos e paraqes pranë Gjykatës Supreme kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në kuptim të dispozitës së nenit 246 dhe 247 të LPK”. Parashtruesi i kërkesës më tej, në ndërlidhje me pretendimin e tij se përmes Njoftimit të Zyrës së Prokurorit i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së, pretendon se Njoftimi nuk është i arsyetuar.
Parashtruesi i kërkesës më tej shton se si rezultat i gjithë asaj që u tha më lart është shkelur neni 13 i KEDNJ-së, duke cenuar parimin e administrimit të drejtësisë dhe barazisë së armëve që konsiston në “moszbatimin e drejt të së drejtës materiale gjatë vendosjes lidhur me mjetin juridik në mënyrë efektive që është si pasojë e Refuzimit të Revizionit si në vendimin e theksuar”.
Në mbështetje të pretendimit të tij parashtruesi i kërkesës përmend edhe disa raste në të cilat sipas tij Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit kanë vendosur ndryshe, duke pretenduar në këtë mënyrë se është shkelur neni 24 i Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës ka përmendur disa numra të vendimeve të gjykatave të rregullta, që pretendon se kanë qenë në të njëjtën situatë, por të njëjtat nuk i ka dorëzuar në Gjykatë.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 21
[Parimet e Përgjithshme]
1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës.
2. Republika e Kosovës mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të parashikuara në këtë Kushtetutë.
3. Çdokush e ka për detyrë t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve.
4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike. - 10 –
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj
[...]
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë”.
Dispozitat ligjore
Ligji nr. 03/L-212 i Punës
Neni 87
Afati i parashkrimit
Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3)
vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës.
Ligji nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve
Neni 357
Kërkesa e shpërblimit të dëmit
1. Kërkesa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar parashkruhet për tri (3) vite nga data kur i dëmtuari ka marrë dijeni për dëmin dhe për personin, i cili e ka shkaktuar dëmin. 2. Në çdo rast kjo kërkesë parashkruhet për pesë (5) vite nga shkaktimi i dëmit.
Ligji nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore
247.1 Prokurori publik mund ta ngrejë kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë:
a) për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, në qoftë se shkelja ka të bëjë me kompetencën territoriale, po që se gjykata e shkallës së parë e ka nxjerrë aktgjykimin pa seancë kryesore, kurse e ka pasur detyrë ta mbajë seancën kryesore, po që se është vendosur për kërkesën, rreth së cilës kontestimi është në vazhdim, apo në qoftë se në kundërshtim me ligjin, është përjashtuar publiku në seancën kryesore;
b) për shkak të aplikimit të gabueshëm të së drejtës materiale.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Vlerësimi i pranueshmërisë përkitazi me Njoftimin [KMLC. nr. 73/2022] të Zyrës së Prokurorit të Shtetit
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit se përmes Njoftimit [KMLC. nr. 73/2022] të Zyrës së Prokurorit të Shtetit i janë shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetutë, Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret për pranueshmëri, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të specifikuara më tej në Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ...”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar dhe konteston një akt të autoritetit publik, përkatësisht Njoftimin [KMLC. nr. 73/2022] të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që ai pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit, dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Gjykata së pari rikujton se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës në mënyrë shprehimore konteston Njoftimin [KMLC. nr. 73/2022] të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, përmes së cilit parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm].
Gjykata rikujton edhe një herë pretendimin e parashtruesit të kërkesës përkitazi me Njoftimin [KMLC. nr. 73/2022] e Zyrës së Prokurorit të Shtetit, i cili para Gjykatës thekson: “nuk kemi të bëjmë me kontest për të cilin nuk mund të ngritët kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë në kuptim të dispozitave të LPK”. Në ndërlidhje me këtë, parashtruesi shton se të gjitha këto shkelje ligjore në zbatimin e dispozitave ligjore dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale është dashur që t’i ketë parasysh edhe vet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe “mbi bazën e asaj konsiderojmë se edhe e ka zbatuar gabimisht të drejtën procedurale dhe materiale duke vendosur që atë të mos e paraqes pranë Gjykatës Supreme kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në kuptim të dispozitës së nenit 246 dhe 247 të LPK-së”.
Para se të trajtojë pretendimin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata rikujton që praktika e saj gjyqësore njeh raste të tjera në të cilat është vlerësuar kushtetutshmëria e Njoftimeve të Prokurorit të Shtetit (shih, në këtë aspekt, rastet e Gjykatës ku, inter alia, është vlerësuar kushtetutshmëria e Njoftimit të Prokurorit të Shtetit përmes së cilit nuk është pranuar kërkesa e palëve për ngritje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë në favor të tyre, KI139/13, parashtruese Zorica Ðokić, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 marsit 2014; KI107/14, parashtruese Xufe Rracaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 nëntorit 2014; KI54/14, parashtrues Baton Morina, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 gushtit 2015; KI111/16, parashtrues Asllan Zenuni, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 majit 2017; dhe KI51/18, parashtrues Sahit Musa, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 qershorit 2018, KI42/18, parashtruese Asija Muslija, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020).
Gjykata rikujton se në rrethanat e rastit konkret kontestohet, përkatësisht pretendohet zbatim i gabuar i ligjit nga ana e Prokurorit të Shtetit, përmes të cilës është refuzuar propozimi i parashtruesit të kërkesës për ngritjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit. Në këtë kontest, dhe (i) për të konstatuar nëse garancitë procedurale të mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së janë të aplikueshme edhe në rastet e Njoftimit të Prokurorit; dhe nëse po, (ii) për të vlerësuar nëse ky Njoftim është në përputhje me këto garanci, Gjykata i referohet praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe GJEDNJ-së, përkatësisht rastit KI42/18, parashtruese Asija Muslija, cituar më lart, si dhe rastit të GJEDNJ-së Gorou kundër Greqisë (Nr. 2), Aktgjykim i 20 marsit 2009, praktikë gjyqësore kjo në harmoni me të cilën, Gjykata bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës është e detyruar të bëjë interpretimin e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë.
Më specifikisht, në vlerësimin e aplikueshmërisë së garancive procedurale të nenit 6 të KEDNJ-së përkitazi me Njoftimet e Prokurorit në lidhje me kërkesat për ngritjen e ankesave në emër të palëve, GJEDNJ theksoi se në parim, për të konstatuar një aplikueshmëri të tillë, duhet të ekzistojë një “kontest” në lidhje me një të “drejtë civile” të njohur përmes legjislacionit përkatës vendor. GJEDNJ vlerësoi se në rrethanat e rastit Gorou kundër Greqisë, cituar më lart këto kushte ishin plotësuar dhe rrjedhimisht pretendimet përkitazi me mungesën e arsyetimit të Njoftimit të prokurorit publik, hynin në fushëveprimin e nenit 6 të KEDNJ-së. Për më tepër, GJEDNJ në këtë rast, njohu si të drejtë civile, të drejtën e një pale për të kërkuar nga një prokuror publik ngritjen e një ankese në emër të saj, përkundër faktit që një e drejtë e tillë nuk ishte e përcaktuar specifikisht në legjislacionin grek, por megjithatë ishte e bazuar në një praktikë të konsoliduar gjyqësore. (shih arsyetimin përkitazi me aplikueshmërinë e nenit 6 të KEDNJ-së në paragrafët 27–36 të rastit Gorou kundër Greqisë (Nr. 2)).
Për më tepër, dhe përtej theksimit të kompetencës diskrecionale të prokurorit në miratimin ose jo të kërkesave për ngritjen e ankesave të tilla, GJEDNJ gjithashtu vuri theks në praktikën e saj gjyqësore përmes të cilës ajo kishte konstatuar se nuk kërkohet arsyetim i detajuar në rastet kur aplikohet një dispozitë specifike ligjore për të refuzuar një ankesë bazuar në çështje ligjshmërie dhe e cila nuk ka mundësi suksesi. (shih paragrafin 41 të rastit Gorou kundër Greqisë (Nr. 2). Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit përkatës, GJEDNJ kishte konstatuar se arsyetimi i dhënë palës përkatëse përmes Njoftimit të prokurorit publik se “Nuk ka bazë ligjore për ankesë në Gjykatën e Kasacionit”, ishte i mjaftueshëm dhe rrjedhimisht, në përputhshmëri me nenin 6 të KEDNJ-së.
Marrë parasysh praktikën e shtjelluar gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata thekson se garancitë procedurale të mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së janë të aplikueshme në rrethanat e rastit konkret përkitazi me Njoftimin e Prokurorit të Shtetit. Siç është shtjelluar më lart, rrethanat e rastit konkret ngërthejnë një “kontest” si dhe Gjykata konsideron se e drejta për pagën jubilare sipas Kushtetutës dhe KEDNJ-së përbën një të “drejtë civile”, përkatësisht të drejtën në pronë të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të GJEDNJ-së. Kompetenca dhe kriteret mbi bazën e të cilave mund të ngritët kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë nga Prokurori Publik është e përcaktuar në nenin 247 të LPK-së. Për më tepër, përkundër faktit që e drejta e një pale për t’iu drejtuar Prokurorit të Shtetit, duke kërkuar ngritjen e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër një vendimi gjyqësor nuk është specifikisht e përcaktuar përmes dispozitave të LPK-së, ekziston një praktikë e konsoliduar gjyqësore edhe në kontekst të propozimeve/kërkesave të palëve por edhe përgjigjeve të Prokurorit Publik, dhe të cilën, GJEDNJ dhe Gjykata e ka pranuar si të mjaftueshme për të konstatuar aplikueshmërinë e nenit 6 të KEDNJ-së. (shih rastin e Gjykatës KI42/18, parashtruese Asija Muslija, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafët 79-105, si dhe rastin e GJEDNJ-së paragrafët 30 deri më 36 të rastit Gorou kundër Greqisë (Nr. 2)).
Rrjedhimisht dhe në vijim, Gjykata do të vlerësojë nëse Njoftimi [KMLC. nr. 73/2022] i Zyrës së Prokurorit të Shtetit është në përputhshmëri me praktikën relevante gjyqësore të GJEDNJ-së përkitazi me zbatimin të gabuar të ligjit.
Gjykata në këtë drejtim gjithashtu merr parasysh rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, i cili përcakton si në vijim:
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”
[…]”.
Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajtja e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih, rastin e Gjykatës: KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih, gjithashtu, rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi e pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë, por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20 me parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, me parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; dhe KI21/21, me parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 prillit 2021.
Në këtë kontekst, dhe në vazhdim, për të vlerësuar pranueshmërinë e kërkesës, përkatësisht, për të vlerësuar nëse në rrethanat e këtij rasti kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht, do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës.
Gjykata rikujton se esenca e rastit ndërlidhet në kërkesën e parashtruesit për pagesën e tri pagave jubilare me rastin e daljes së tij në pension, ndaj KEK-ut, në rastin konkret si punëdhënës. Pas kërkesës që parashtruesi i drejtoi KEK-ut për pagesën e tri pagave jubilare me rastin e daljes në pension, nga shkresat e lëndës rezulton se kjo e fundit nuk u përgjigj. Parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë për pagesën e tri pagave jubilare nga ana e punëdhënësit, KEK-ut. Gjykata Themelore në Prishtinë refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se bazuar në paragrafin 5 të nenit 90 të Ligjit nr. 03/L-212 të Punës, ku parashihet se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive vlen vetëm për ata punëdhënës e punëmarrës të cilët marrin përsipër detyrimet kolektive, dhe nuk i obligon ata që nuk i marrin përsipër detyrimet që rrjedhin nga kjo e fundit, siç është rasti në rastin konkret. Për më tepër, Gjykata Themelore në arsyetim konstatoi se në rastin konkret kërkesa e parashtruesit është parashkruar. Pas ankesës së parashtruesit në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit refuzoi ankesën si të pabazuar, duke e mbështetur Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës më pas parashtroi propozim për inicimin e kërkesës për Mbrojtje të Ligjshmërisë, në Zyrën e Prokurorit të Shtetit kundër dy aktgjykimeve të instancave më të ulëta. Zyra e Prokurorit të Shtetit njoftoi parashtruesin e kërkesës se nuk kishte bazë të mjaftueshme për ngritjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë.
Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e mësipërme të gjykatave të rregullta në Gjykatë, duke pretenduar se përmes tyre i janë shkelur të drejtat e mbrojtura me Kushtetutë, respektivisht, nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e Drejtave], si dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
Siç është theksuar edhe lart, nga pretendimet e paraqitura, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në thelb, pretendon interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit dhe mungesë të arsyetimit të njoftimit.
Prandaj, bazuar në shtjellimet e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata së pari do të vlerësojë nëse pretendimet për zbatim të gabuar të ligjit hyjnë në sferën e ligjshmërisë apo kushtetutshmërisë.
Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se si rregull i përgjithshëm, pretendimet për interpretimin e gabuar të ligjit që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si të tilla, nuk janë në juridiksionin e Gjykatës, dhe për këtë arsye, në parim, Gjykata nuk mund t’i shqyrtojë ato (shih rastet e Gjykatës: nr. KI87/20, parashtrues Suva Rechtsabteilung, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 prillit 2021, paragrafi 57; KI06/17, parashtrues L. G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 tetorit 2016, paragrafi 36; KI75/17, parashtrues X, Aktvendim për papranueshmëri, i 6 dhjetorit 2017, paragrafi 55 dhe KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 56).
Gjykata ka përsëritur vazhdimisht se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta (ligjshmëria), përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Kështu, Gjykata vetë nuk mund të vlerësojë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, gjë që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Në të vërtetë, është roli i gjykatave të rregullta t’i interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale (shih rastin Ballıktaş Bingöllü kundër Turqisë, GJEDNJ, nr. 76730/12 i 22 qershorit 2021, paragrafi 75; García Ruiz kundër Spanjës, GJEDNJ, nr. 30544/96, i 21 janarit 1999, paragrafi 28; dhe shih, gjithashtu, rastet e Gjykatës: KI70/11, parashtrues të kërkesës Faik Hima, Magbule Hima dhe Besart Hima, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 dhjetorit 2011; si dhe rastet e cekura më lart KI06/17, parashtrues L. G. dhe pesë të tjerët, paragrafi 37; dhe KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, paragrafi 57).
Ky qëndrim është mbajtur vazhdimisht nga Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, që në mënyrë të qartë thekson se nuk është roli i saj të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale (shih, rastin e GJEDNJ-së Pronina kundër Rusisë, kërkesa nr. 65167/01, Vendimi për pranueshmëri, i 30 qershorit 2005; dhe rastet e Gjykatës të cituara më lart KI06/17, parashtrues L. G. dhe pesë të tjerët, paragrafi 38; dhe KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, paragrafi 57).
Në këtë kuptim, Gjykata në pajtim me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, ka theksuar se edhe pse roli i Gjykatës është i kufizuar në aspektin e vlerësimit të interpretimit të ligjit, ajo duhet të sigurohet dhe të ndërmarrë masa kur vëren se një gjykatë ka aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar në një rast specifik e që mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin (shih rastet e GJEDNJ-së, Anheuser-Busch Inc.kundër Portugalisë, kërkesa nr.73049/01, Aktgjykim, paragrafi 83; Kuznetsov dhe të tjerët kundër Rusisë, nr. 184/02, paragrafët 70-74 dhe 84; Păduraru kundër Rumanisë, nr. 63252/00, paragrafi 98; Sovtransavto Holding kundër Ukrainës, kërkesa nr. 48553/99, paragrafët 79, 97 dhe 98; Beyeler kundër Italisë [GC], kërkesa nr. 33202/96, paragrafi 108; Koshoglu kundër Bullgarisë, Aktgjykim i 10 majit 2007, paragrafi 50; shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës cituar më lart KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, paragrafi 57; dhe KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar "BARBAS", paragrafët 60 deri në 65 dhe referencat e përdorura aty).
Në rastin konkret, Gjykata ka parasysh se Zyra e Prokurorit të Shtetit kishte konstatuar se në rastin konkret nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë sipas nenit 247.1 pika a) dhe b) të Ligjit për Procedurën Kontestimore.
Gjykata rikujton edhe përmbajtjen e nenit 247.1 pika a) dhe b) të Ligjit për Procedurën Kontestimore, i cili thekson se Prokurori Publik mund të ngre Kërkesë për Mbrojtje të Ligjshmërisë për arsyet si në vijim: “a) për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, në qoftë se shkelja ka të bëjë me kompetencën territoriale, po që se gjykata e shkallës së parë e ka nxjerrë aktgjykimin pa seancë kryesore, kurse e ka pasur detyrë ta mbajë seancën kryesore, po që se është vendosur për kërkesën, rreth së cilës kontestimi është në vazhdim, apo në qoftë se në kundërshtim me ligjin, është përjashtuar publiku në seancën kryesore; b) për shkak të aplikimit të gabueshëm të së drejtës materiale”.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton edhe arsyetimin që Zyra e Prokurorit paraqiti në Njoftimin e lartpërmendur, i cili thekson si në vijim: “Siç mund të jeni në dijeni, sipas dispozitës së nenit 247.1 pika, a) të Ligjit për Procedurën Kontestimore, kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë mund të paraqitet vetëm nëse shkelja ka të bëjë me kompetencën territoriale, po që se gjykata e shkallës së parë e ka 'nxjerrë aktgjykimin pa seancë kryesore, kurse e ka pasur detyrë ta mbajë seancën kryesore, po që se është vendosur për kërkesën, rreth së cilës kontestimi është në vazhdim, apo në qoftë se në kundërshtim me ligjin, është përjashtuar publiku në seancën kryesore ". Në rastin konkret nuk është plotësuar asnjëra nga këto kushte. Sa i përket aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, nga neni 247.1 pika b), të Ligjit për Procedurën Kontestimore, ne nuk kemi gjetur ndonjë arsye bindëse dhe konkrete për aplikim të gabuar të ndonjë dispozite ligjore materiale, që do të dëshmonte aplikimin e gabuar të këtyre dispozitave dhe do të mund të ndikonte në paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, si mjet i jashtëzakonshëm juridik. Ngase, duke u bazuar në shkresat e lëndës kërkesa e paditësit për kompensimin e tri pagave jubilare është parashkruar, kjo për faktin se kërkesa për pagat jubilare është bërë me datë 06.09.2019, kurse padia është paraqitur me datë 08.10.2019, që do të thotë se, vitet jubilare paditësi i ka fituar pas vitit 2013 kur edhe ka mbushur 40 vjet pune, dhe me arritjen e vitit jubilar, lind edhe e drejta që edhe me procedurë gjyqësore të realizohet kjo e drejtë, mirëpo paditësi kërkesën për kompensimin e tri pagave jubilare e ka bërë pas afatit prej 3 vite, nga momenti i kalimit të një muaji nga lindja e kërkesës, për kompensim të pagave jubilare. Në këtë kuptim për rastet të njëjta ka vendosur edhe Gjykata Supreme e Kosovës, përkatësisht shih Aktgjykimin Rev.nr.119/2021, prandaj ne vlerësojmë se nuk aprovohet propozimi i Juaj për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë”.
Gjykata nga si më sipër, ripërsërit se Gjykata Kushtetuese mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve ligjore të gjykatave të rregullta përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime janë arbitrare ose qartazi të paarsyeshme (shih rastin e Gjykatës të cituar më lart, KI75/17, parashtrues X, paragrafi 59).
Megjithatë, bazuar në shtjellimet e mësipërme, si dhe arsyetimin e dhënë nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, në rastin konkret, nuk është dëshmuar që ka arbitraritet në interpretimin me rastin e refuzimit të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë.
Prandaj, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, si rezultat i aplikimit në mënyrë të gabuar të ligjit, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim i “ligjshmërisë” nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, mund të ketë qenë jo i drejtë.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit se Njoftimi i kontestuar nuk është mjaftueshëm i arsyetuar, Gjykata konsideron se arsyetimi i dhënë nga Prokurori i Shtetit është i mjaftueshëm. Në mbështetje të këtij konstatimi, Gjykata vë theks në (i) natyrën diskrecionale të Prokurorit të Shtetit për të ngritur ose jo një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë; dhe (ii) faktin se neni 247 i LPK-së, përkitazi me kriteret mbi bazën e të cilave mund të ngrihet një kërkesë e tillë, janë të qarta dhe specifike dhe të njëjtat janë elaboruar më lart.
Si përfundim, Gjykata konstaton se parashtruesi në kërkesën e tij nuk ka arritur të dëshmojë dhe të mbështesë pretendimin e tij se si Zyra e Prokurorit të Shtetit gjatë interpretimit dhe zbatimit të së drejtës materiale ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, dhe rrjedhimisht, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Përkitazi me Aktgjykimin [Ac. nr. 3624/21] të Gjykatës së Apelit të 20 prillit 2022
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit se Aktgjykimi [Ac. nr. 3624/21] i 20 prillit 2022 i Gjykatës së Apelit, shkel të drejtat e garantuara me Kushtetutë, Gjykata së pari vlerëson nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Gjykata më tej i referohet edhe rregullit 30 [Llogaritja e periudhës kohore] dhe rregullit 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës:
Rregulli 30
[Llogaritja e periudhës kohore]
Periudha kohore, e përcaktuar në Kushtetutë, në Ligj dhe në këtë rregullore të punës, llogaritet si më poshtë:
[...]
(3) Kur periudha shprehet me muaj, ajo përfundon me kalimin e ditës së njëjtë kalendarike të muajit me ditën gjatë të cilës ka ndodhur ngjarja ose veprimi për të cilin duhet të llogaritet periudha kohore.
(6) Ndryshe, nëse periudha përfundon të shtunën, të dielën ose në ndonjë festë zyrtare, ajo do të vazhdojë deri në fund të ditës së parë të punës që vjen pas saj.
Rregulli 39
[Kriteret e pranueshmërisë]
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Ac. nr. 3624/21] të 20 prillit 2022 të Gjykatës së Apelit.
Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Ac. nr. 3624/21] të Gjykatës së Apelit të 20 prillit 2022. Nga shkresat e lëndës vërehet që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 14 qershor 2022. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 16 dhjetor 2022, më shumë se gjashtë muaj pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI128/21, me parashtrues Shkelzen Mustafa, Aktvendimi për papranueshmëri, i 22 shtatorit 2021, paragrafi 40; dhe KI64/21, me parashtrues Ali Gjonbalaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2021, paragrafi 38; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se: Kevin O’Loughlin dhe të tjerët, kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr. 23274/04, Vendim i 25 gushtit 2005).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se përkitazi me pretendimin e parashtruesit që ndërlidhet me Aktgjykimin [Ac. nr. 3624/21] të Gjykatës së Apelit të 20 prillit 2022 kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
Përfundime
Përkitazi me pretendimet e parashtruesit se Njoftimi i Prokurorit të Shtetit është nxjerrë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata konstatoi se: (i) parashtruesi i kërkesës nuk ka mbështetur mjaftueshëm dhe as nuk ka argumentuar para Gjykatës pretendimin se Njoftimi i Prokurorit të Shtetit ka rezultuar në aplikim të gabuar të ligjit; dhe (ii) Njoftimi i Prokurorit të Shtetit ka përmbushur detyrimin kushtetues për të ofruar një vendim të mjaftueshëm të arsyetuar në përputhje me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së.
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit se Aktgjykimi [Ac. nr. 3624/21] i 20 prillit 2022 i Gjykatës së Apelit shkel të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutë, Gjykata konstatoi se në këtë pikë kërkesa është parashtruar jashtë afatit të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit dhe me rregullat 39 (2), dhe 39 (3) (b) e 59 (2) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 27 prill 2023, njëzëri
vendos
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20 (4) të Ligjit;
TË DEKLAROJË se ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Nazmi Uka
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit , Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile