Prishtinë, më 18 shtator 2023
Nr. ref.:RK 2257/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI34/23
Parashtrues
Veton Syla
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktvendimit PN.nr.745/2022, të 26 tetorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Veton Syla me vendbanim në fshatin Grabanicë, Komuna e Klinës, (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës) i përfaqësuar nga “K.A.M” & Partners LLC, përkatësisht, z. Feim Alaj dhe z. Durim Osmani, avokatë në Komunën e Prishtinës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston vendimet e gjykatave të rregullta në rastin e tij, respektivisht, Aktvendimin [PN.nr.745/2022], e 26 tetorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), në ndërlidhje me Aktvendimin [PK.nr.265/20] e 11 janarit 2021 të Gjykatës Themelore në Pejë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Themelore) si dhe Aktgjykimin [Pml. Nr. 327/2017] të 29 mars 2018 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [PAKR.nr. 183/2017] të 18 majit 2017 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [PKR.P. nr.76/15], e 14 shkurtit 2017 të Gjykatës Themelore.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë janë vendimet e kontestuara, përmes së cilave pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të Rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ-së) dhe nenin 10 të Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, si dhe nenet 32 [E drejta për Mjete Juridike] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr.01/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 9 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 16 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr.GJR.KI.34/23] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha Gjyqtar raportues, ndërsa përmes Vendimit [Nr.KSH.KI.34/22] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 24 shkurt 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës së Apelit.
Më 7 mars 2023, Gjykata kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që në afatin prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e pranimit të shkresës, të dorëzojë Aktgjykimin e plotë të Gjykatës Themelore [PRK. P. Nr. 76/15] të 14 shkurtit 2017.
Më 13 mars 2023, parashtruesi i kërkesës njoftoi Gjykatës se nuk e posedon kopjen e plotë të Aktgjykimit të lartcekur për shkak se i mungojnë disa faqe.
Më 14 mars 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore në Pejë për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e pranimit të shkresës, të bashkëngjisë kopjen e Aktgjykimin [PRK. P. Nr. 76/15] të 14 shkurtit 2017, të Gjykatës Themelore.
Më 21 mars 2023, Gjykata Themelore, përmes postës, dorëzoi kopjen e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore [PRK. P. Nr. 76/15] të 14 shkurtit 2017, të cilin Gjykata e pranoi më 27 mars 2023.
Më 29 gusht 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 31 mars 2015, Departamenti për Krime të Rënda në kuadër të Prokurorisë Themelore në Pejë (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore) kundër parashtruesit të kërkesës ngriti Aktakuzën [PP.nr.160/14], me dyshimin e bazuar se kishte kryer veprën penale të “vrasjes” nga pikat 2 dhe 3, të paragrafit 2 të nenit 30 të Ligjit Penal të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës i vitit 1977 (në tekstin e mëtejmë: LPK) dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga paragrafi 2 i nenit 328 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPK). Parashtruesi i kërkesës në esencë akuzohej se më 19 maj 2003, në fshatin Grabanicë të Komunës së Klinës, me përdorim të armës [AK-47] privoi nga jeta viktimën B.S. si dhe vuri në rrezik për jetë të dëmtuarin B.Sh. Veprës penale i kishte paraprirë një letër kërcënuese nga ana parashtruesit të kërkesës drejtuar R.S., babait të së ndjerit B.S., nga i cili kishte kërkuar që ky i fundit t’i dorëzojë shumën e të hollave në vlerë prej 31.000 DM (tridhjetenjë mijë marka) ose përndryshe do të ishte në rrezik jeta e djalit dhe nipit të tij. Pasi që R.S. nuk e realizoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, kjo rezultoi në vrasjen e djalit të tij tashmë të ndjerit B.S. ashtu siç edhe ishte paralajmëruar.
Më 14 shkurt 2017, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [PKR.P. nr.76/15] shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për veprën penale të “vrasjes” nga pikat 2 dhe 3, të paragrafit 2 të nenit 30 të LPK-së, për të cilën i shqiptoi dënim me burgim me kohëzgjatje prej 20 (njëzet) vite, si dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga paragrafi 2 i nenit 328 të KPPK-së, për të cilën i shqiptoi dënim me burgim me kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muaj. Gjykata Themelore në mënyrë unike, i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 20 (njëzet) vite e 6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 14 maji 2014 e tutje.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së Ligjit Penal, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të anulohet.
Më 11 prill 2017, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës [PPA/I. nr. 186/17] propozoi që të refuzohen si të pabazuara ankesa e parashtruesit të kërkesës dhe ankesa e mbrojtësit të tij, ndërsa Aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.
Më 18 maj 2017, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PAKR.nr. 183/2017] aprovoi pjesërisht ankesën e mbrojtësit të parashtruesit të kërkesës dhe ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore [PKR.P. nr.76/15] lidhur me vendimin mbi dënimin ashtu që dënimet e shqiptuara parashtruesit të kërkesës për veprat penale të lartcekura, i mori si të vërtetuara, dhe për këto vepra penale, ndryshoi llogaritjen unike të dënimit, duke i caktuar parashtruesit të kërkesës dënim me burgim në kohëzgjatje prej 20 (njëzet) vjet, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 14 maji 2014 e tutje.
Në një datë të pasaktësuar, mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kundër Aktgjykimit [PKR.P. nr.76/15] të 14 shkurtit 2017, të Gjykatës Themelore dhe Aktgjykimit [PAKR.nr. 183/2017] të 18 majit 2017 të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljes së ligjit penal dhe shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, me propozim që aktgjykimet e kundërshtuar të anulohen dhe lënda të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Më 23 nëntor 2017, Prokurori i Shtetit, përmes shkresës [KMLP. II. Nr.224/2017], propozoi që kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e mbrojtësit të parashtruesit të kërkesës, të refuzohet si e pabazuar.
Më 29 mars 2018, Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit [Pml. Nr. 327/2017], refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të parashtruesit të kërkesës. Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, pretendimet e mbrojtësit të së dënuarit ishin të pabazuara, meqë aktgjykimet kundër të cilave ishte parashtruar kërkesa nuk përmbanin shkelje të ligjit penal dhe as shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Më 24 nëntor 2020, mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës parashtroi kërkesë për rishikimin e procedurës penale në Gjykatën Themelore, me pretendimin se është provuar se dokumenti dhe dëshmia në të cilën është mbështetur Aktgjykimi dënues i formës së prerë është dhënë në mënyrë të rreme dhe përmes falsifikimit duke shtuar se lidhur me këtë çështje janë zbuluar edhe fakte të reja e të cilat do të arsyetonin pafajësinë e personit të dënuar.
Më 4 dhjetor 2020, Prokuroria Themelore përmes parashtresës [PP/I Nr.160/2014] propozoi që kërkesa e mbrojtësit të parashtruesit të kërkesës të refuzohet ngase nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes dhe se e njëjta nuk i përmbush kushtet e parapara për rishikim nga pikat 1.1 dhe 1.3, paragrafi 1 të nenit 423 të Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPRK).
Më 11 janar 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PK.nr.265/20] refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruar nga mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës për rishikim të procedurës penale. Refuzimin e kërkesës, Gjykata Themelore e arsyetoi si në vijim: “[...] për faktin se pretendimet e mbrojtjes, se aktgjykimi [PKR.P.nr.75/15] i datës 14 shkurt 2017 është i bazuar në prova të falsifikuara dhe dëshmi të rreme duke mohuar faktin se letrat kërcënuese të drejtuara të dëmtuarit i ka shkruar vet parashtruesi i kërkesës nuk qëndrojnë ngase, nga aktgjykimi rezulton se është siguruar edhe ekspertizë e re e grafologjisë në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, ashtu që janë eliminuar në tërësi dilemat dhe është vërtetuar se letrat kërcënuese janë shkruar nga parashtruesi i kërkesës [V.S.] dhe në rastin konkret gjykata ka siguruar dy mendime nga ekspertizat të cilat nuk e përjashtojnë faktin se letrat kërcënuese janë shkruar nga parashtruesi i kërkesës”.
Tutje, Gjykata Themelore në aktvendimin e saj, lidhur me pretendimet e mbrojtjes dhe parashtruesit të kërkesës theksoi se: “[...] aktgjykimet e formës së prerë janë bazuar në deklaratat e dëshmitarëve [N.S.], [E.S.], [R.S.], [I.K.] dhe [H.P], të cilat janë dhënë në mënyrë të rreme dhe janë deklarata të dhëna nën presion nuk qëndrojnë ngase për tu lejuar rishikimi i procedurës penale është e nevojshme të plotësohen dy kushte, përkatësisht të ekzistojnë dy aktgjykime të formës së prerë dhe atë i pari në të cilin është konstatuar dëshmia e rreme dhe aktgjykimi i dytë të bazohet në këtë dëshmi të rreme. Andaj, në këtë rast meqenëse ka përfunduar procedura penale ndaj parashtruesit të kërkesës me aktgjykimet e formës së prerë dhe nuk është provuar fakti se aktgjykimet e formës së prerë janë bazuar në dëshmi të rreme të dëshmi të rreme të dëshmitarëve ngase me asnjë provë-deklaratë nuk është provuar pavërtetësia e këtyre dëshmive me aktgjykim të formës së prerë me të cilin dëshmitarët janë deklaruar fajtor për shkak të se kanë deklaruar rrejshëm.”
Gjykata Themelore po ashtu në fund të arsyetimit të aktvendimit të saj konstatoi si në vijim: “[...] rrethanat të cilat i ka paraqitur parashtruesi i kërkesës, në kërkesën për rishikim të procedurës nuk paraqesin rrethana të cilat do të ndikonin në rishikimin e procedurës penale në kuptim të nenit 423 të KPPK-së”.
Më datë 21 janar 2021, kundër këtij aktvendimi paraqitën ankesë mbrojtësit e parashtruesit të kërkesës, për shkak të konstatimit të gabuar të gjendjes faktike dhe shkeljes së dispozitave të procedurës penale, me propozim që Gjykata e Apelit, ta aprovojë ankesën dhe të prishet aktvendimi i ankimuar.
Më 18 korrik 2022, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës [PPN/I. nr. 268/2022] propozoi që të refuzohet si e pabazuar ankesa e përbashkët të mbrojtësve të parashtruesit të kërkesës, ndërsa aktvendimi i ankimuar të vërtetohet dhe i njëjti të mbetet në fuqi.
Më 26 tetor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN.nr.745/2022] refuzoi si të pabazuara ankesat e përbashkëta të mbrojtësve të parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin [PK.nr.265/20] e 11 janarit 2021, të Gjykatës Themelore.
Gjykata e Apelit në aktvendimin e saj theksoi se: “[...] kërkesa e të gjykuarit për rishikimin e procedurës penale të parapara me nenin 423 par.1 të KPPRK-së, e po ashtu kolegji i Gjykatës së Apelit vlerëson se, gjykata e shkallës së parë drejtë ka vepruar kur ka refuzuar kërkesën për rishikim të procedurës ndaj parashtruesit të kërkesës me aktgjykimi të formës së prerë, pasi që provat e prezantuara nga mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës nuk konsiderohen si arsye për lejimin e rishikimit të procedurës”.
Tutje, Gjykata e Apelit arsyetoi se: “[...] për sa i përket deklarimeve të dëshmitarëve [N.S], [E.S] dhe [R.S], [I.K] dhe [H.P] se këto deklarime janë të rreme dhe janë dhënë nën presion nuk qëndrojnë ngase për të bërë lejueshmërinë e rishikimit është e nevojshme të ekziston aktgjykimi i formës së prerë për dëshmim të rreme dhe aktgjykim i formës së prerë dhe se aktgjykimi të bazohet në këtë dëshmi të rreme, andaj nuk janë të përshtatshme që të lejojnë rishikimin e procedurës në krahasim me provat në të cilat është bazuar aktgjykimi. Kolegji vlerëson se provat kanë pasur mundësi të kundërshtohen në të gjitha fazat e procedurës penale dhe si të tilla këto nuk paraqesin prova të reja për këtë çështje e cila do të ndikonte në pafajësinë e parashtruesit të kërkesës dhe nuk mund të paraqiten si arsye në procedurës lidhur me kërkesën për rishikimin e procedurës sipas nenin 423 par.1 nënpar. 1.3 të KPP-së”.
Në fund të arsyetimit të aktvendimit të saj, Gjykata e Apelit konstatoi se: “[...] parashtruesi i kërkesës dhe mbrojtësi i tij janë thirrur saktë në bazën ligjore por se i njëjti nuk ka ofruar asnjë provë e cila do të ishte shkak për fillimin apo elaborimin dhe vlerësimit të atyre fakteve dhe provave për të vendosur lidhur me këtë kërkesë sepse të njëjta janë trajtuar për gjatë gjithë procedurës së zhvilluar, andaj, ankesa u refuzua si e pabazuar”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimet e kontestuara janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese, konkretisht të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të Rregullt) të KEDNJ-së dhe me nenin 10 të Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, si dhe nenet: 32 [E drejta për Mjete Juridike] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës ngrit pretendimin për shkeljen e të drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm për arsyen se: “[...] Gjykata e Apelit nuk ka përmbushur standardin minimal për arsyetim të vendimit të saj, në atë formë që do të bindte këdo se kërkesa është trajtuar me të vërtetë”.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu thekson se: “Gjykata nuk ka jep përgjigje sa i përket dy shkaqeve të kërkesës për rishikimin e procedurës penale, fillimisht, nuk ka japë përgjigje se pse 14 provat e reja nuk ndikojnë në ndryshimin e rezultatit përfundimtar të gjykimit pas lejimit të rishikimit (mbi këtë fazë fare nuk ka jap përgjigje) dhe nuk ka arsyetuar drejtë madje në kundërshtim me dispozitat ligjore se kërkesa për rishikim nuk lejohet në rastet kur dëshmitar ka gënjyer pa pasur aktgjykim të formës së prerë, e që në të vërtetë për këtë shkak lejohet rishikimi dhe pa aktgjykim të formës së prerë ku vërtetohet se dëshmitari ka gënjyer nëse ka pengesa të ndjekjes penale dhe fakti se ka gënjyer dëshmitari vërtetohet me prova të tjera, e që në rastin konkret, ka pengesa të ndjekjes penale ndaj dëshmitarëve që kanë gënjyer dhe fakti se kanë gënjyer vërtetohet me shkrimin dhe nënshkrimin e dëshmitarëve të lartë cekur”. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij radhit të gjitha ekspertizat që janë kryer në rastin e tij dhe që i ka paraqitur si prova të reja në kërkesën e tij për rishikim të procedurës penale.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës shton se: “Gjykata e Apelit nuk ka trajtuar të gjitha pretendimet ankimore të mbrojtjes, nuk i ka dhënë përgjigje të artikuluar dhe bazuar në dispozita të KPPK-së, sa i përket pretendimit serioz se në raste të parashkrimit të veprës penale që ka ndikuar në nxjerrjen e aktgjykimit penal, gjykata sa i përket kësaj rrethane mund të lejoj rishikimin edhe me prova të tjera, në rastin konkret ka dëshmi të shkruara të dëshmitarëve të rijnë dhe prova materiale që kanë kontribuar në nxjerrjen e ekspertizës së grafologjisë që nuk kanë qenë pjesë e dosjes penale në shqyrtim kryesor të çështjes dhe që pa dyshim ndikojnë në vendim të ri në rishikim të procedurës penale.”. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës cilëson se “[...] arsyetimi i gjykatës është i pa drejt, nuk ka mbështetje në ligj dhe pamundëson rishikimin e një gjykimi të paligjshëm dhe të padrejtë”. Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendon se: “[...] arsyetimi i gjykatave është kontradiktor, arbitrar dhe ligjshmëria e të njëjtit nuk mund të kuptohet dhe si e tillë nuk mund të qëndroj”.
Në lidhje me pretendimin e lartcekur, parashtruesi i kërkesës i referohet praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) lidhur me të drejtën në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si në aspektin mosarsyetimit të vendimit gjyqësor dhe parimit të sigurisë juridike, gjegjësisht rasteve të GJEDNJ-së si vijim: Sokourenko et Strygoun kundër Ukrainës, nr. 29458/04 dhe 29465/04, Aktgjykim i 20 korrikut 2006, paragrafi 24, Beian kundër Rumanisë (nr. 1), nr. 30658/05, Aktgjykim i 6 dhjetorit 2007, paragrafi 39, Sunday Times kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 6538/74, Aktgjykim i 26 prillit 1979, Husayn (Abu Zubaydah) kundër Polonisë, nr. 7511/13, Aktgjykim i 24 korrikut 2014, paragrafi 521; Hassan kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 29750/09, Aktgjykim i 16 shtatorit 2014, paragrafi 106, Georgia kundër Rusisë (nr. 1), nr. 132255/07, Aktgjykim i 3 korrikut 2014, paragrafi 182ff, Ivinović kundër Kroacisë, nr. 13006/13, Aktgjykim i 18 shtatorit 2014, paragrafi 40, H. kundër Belgjikës, nr. 8950/80, Aktgjykim i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53, Suominen kundër Finlandës, nr. 37801/97, Aktgjykim i 1 korrikut 2003, paragrafi 36, Ruiz Torija kundër Spanjës, nr. 18390/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 30, Hiro Balan kundër Spanjës, nr. 18064/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 28, Barać et autres kundër Malit të Zi, nr. 47974/06, Aktgjykim i 13 dhjetorit 2011, paragrafët 32-34.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga kjo Gjykatë që të konstatojë shkelje të neneve 31 dhe 32 të Kushtetutës.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.”
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.”
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
“1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata
kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E Drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
DEKLARATA E PËRGJITHSHME MBI TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 10
“Gjithkush gëzon njëlloj të drejtën për një proces gjyqësor objektiv e publik para një gjykate të pavarur e të paanshme, në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të veta dhe për vendimin mbi çfarëdo lloj akuze penale.”
KODI Nr. 04/L-123 I PROCEDURËS PENALE
Neni 419
Dispozita e përgjithshme
“Procedura penale e përfunduar me aktvendim të formës së prerë ose me aktgjykim të formës së prerë mund të rishikohet me kërkesën e personave të autorizuar vetëm në rastet dhe sipas kushteve të parapara me këtë Kod”.
Neni 423
Rishikimi i procedurës penale të përfunduar me aktgjykim të formës së prerë
“1. Procedura penale e përfunduar me aktgjykim të formës së prerë mund të rishikohet vetëm nëse:
1.1. provohet se aktgjykimi është mbështetur në dokument të falsifikuar ose në deklarim të rremë të dëshmitarit, ekspertit ose përkthyesit;
1.2. provohet se aktgjykimi është pasojë e veprës penale të kryer nga gjyqtari ose personi që ka ndërmarrë veprimet hetimore;
1.3. zbulohen fakte të reja ose paraqiten prova të reja, të cilat vetë ose së bashku me provat e mëparshme ka të ngjarë të arsyetojë pafajësinë e personit të dënuar ose dënimin e tij sipas një dispozite më të butë penale;
1.4. personi për të njëjtën vepër është gjykuar disa herë ose kur disa persona janë dënuar për vepër të njëjtë të cilën ka mund ta kryejë vetëm një person ose disa prej tyre; ose
1.5. në rastin e dënimit për vepër penale në vazhdim ose vepra tjera penale të cilat sipas ligjit përfshijnë disa veprime të njëjta ose të ndryshme, zbulohen fakte të reja ose paraqiten prova të reja që tregojnë se i dënuari nuk ka kryer veprimin që është përfshirë në veprën penale për të cilën ai është dënuar dhe ekzistimi i fakteve të tilla do të ishte me ndikim vendimtar në caktimin e dënimit.
2. Procedura penale e përfunduar me aktgjykim të formës së prerë mund të rishikohet vetëm në favor të të pandehurit, përveç nëse vërtetohet që rrethanat nga paragrafi 1. nën-paragrafët 1.1. dhe 1.2. të këtij neni janë pasojë e veprës penale të kryer nga i pandehuri ose personi që vepron në emër të tij kundër një dëshmitari, eksperti, përkthyesi, prokurori të shtetit ose gjyqtari apo të 172 afërmve të tyre, me ç’rast procedura penale e përfunduar me aktgjykim të formës së prerë mund të rishikohet kundër të pandehurit. Rishikimi i procedurës penale kundër të pandehurit lejohet vetëm brenda pesë (5) vjetëve nga koha e shpalljes së aktgjykimit të formës së prerë.
3. Në rastet nga paragrafi 1. nën-paragrafi 1.1. dhe 1.2. ose paragrafi 2. i këtij neni, me aktgjykim të formës së prerë duhet vërtetuar se personat e tillë a janë shpallur fajtor për veprat penale përkatëse. Kur procedura kundër këtyre personave nuk mund të zbatohet për shkak se kanë vdekur ose ekzistojnë rrethana që përjashtojnë ndjekjen penale, faktet nga paragrafi 1. nën-paragrafi 1.1. dhe 1.2. ose paragrafi 2. i këtij neni mund të vërtetohen edhe me prova të tjera.”
Neni 425
Përmbajtja e kërkesës për rishikim të procedurës penale dhe gjykata që vendos për të
“1. Kërkesa për rishikimin e procedurës penale vendoset nga kolegji shqyrtues i gjykatës themelore e cila ka gjykuar në procedurën e mëparshme.
2. Në kërkesë duhet shënuar bazën ligjore sipas së cilës kërkohet rishikimi, si dhe provat me të cilat argumentohen faktet në të cilat mbështetet kërkesa. Nëse kërkesa nuk i përmban këto të dhëna, gjykata e thërret parashtruesin që brenda afatit të caktuar të plotësojë kërkesën.
3. Me rastin e vendosjes së kërkesës për rishikim, në kolegj nuk merr pjesë gjyqtari i cili ka marrë pjesë në marrjen e aktgjykimit në procedurën e mëparshme.”
Neni 426
Baza dhe procedura për hedhjen e kërkesës për rishikim të procedurës penale
“1. Gjykata me aktvendim hudh kërkesën kur në bazë të saj dhe shkresave të procedurës së mëparshme vërteton se:
1.1. kërkesën e ka parashtruar personi i paautorizuar;
1.2. nuk ka bazë ligjore për rishikim të procedurës;
1.3. faktet dhe provat në të cilat mbështetet kërkesa janë paraqitur në kërkesën e mëparshme për rishikim të procedurës e cila është refuzuar me aktvendim të formës së prerë;
1.4. faktet dhe provat nuk ofrojnë aryse për lejim të rishikimit të procedurës; ose
1.5. parashtruesi i kërkesës për rishikim të procedurës nuk ka vepruar sipas nenit 425, paragrafit 2. të këtij Kodi.
[...]”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata, fillimisht, i referohet nenit 113.1 dhe 113.7 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
Neni 113
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata, më tej, i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës: (i) është palë e autorizuar; (ii) i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [PN.nr.745/2022], të 26 tetorit 2022 në ndërlidhje me Aktvendimin [PK.nr.265/20] e 11 janarit 2021 të Gjykatës Themelore, si dhe Aktgjykimin [Pml. Nr. 327/2017] të 29 mars 2018 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktgjykimin [PAKR.nr. 183/2017] të 18 majit 2017 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [PKR.P. nr.76/15], e 14 shkurtit 2017 të Gjykatës Themelore; (iii) ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; (iv) ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, si dhe (v) e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Duke qenë se parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimet gjyqësore të lartcekura janë nxjerrë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe nenet 32 dhe 46 të Kushtetutës, Gjykata në vijim, do të trajtojë pretendimet e të njëjtit (i) përkitazi me Aktvendimin e fundit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, si dhe më pas (ii) përkitazi me shkeljen e neneve 32 dhe 46 të Kushtetutës.
Pretendimet përkitazi me vendimin e kontestuar, përkatësisht Aktvendimin [PN.nr.745/2022], të 26 tetorit 2022, të Gjykatës së Apelit
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata duhet të vlerësojë plotësimin e kritereve të përcaktuara përmes pikës (b) të paragrafit 3 të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, sipas të cilës, Gjykata mund të konsiderojë një kërkesë të papranueshme nëse e njëjta nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën.
Në këtë kontekst, Gjykata fillimisht rikujton përmbajtjen e këtij rregulli si në vijim:
(3) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të papranueshme nëse plotësohet ndonjë nga kushtet e mëposhtme:
[...]
(b) Kërkesa nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën;
Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, me të cilin Gjykata e Apelit vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore, me ç’rast refuzoi kërkesën e parashtruesit për rishikim të procedurës penale. Në vitin 2018, me Aktgjykim të plotfuqishëm të Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës ishte dënuar me burgim me kohëzgjatje prej 20 (njëzet) vite e 6 (gjashtë) muaj për kryerjen e veprës penale “vrasje” nga pikat 2 dhe 3, të paragrafit 2 të nenit 30 të LPK-së dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga paragrafi 2 i nenit 328 të KPPK-së.
Sa i përket thelbit të ankesës së parashtruesit të kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se atij i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm sepse sipas tij, Gjykata e Apelit në aktvendimin e saj lidhur me refuzimin e kërkesës së tij për rishikim të procedurës penale: “[...] nuk ka jep përgjigje sa i përket dy shkaqeve të kërkesës për rishikimin e procedurës penale, fillimisht, nuk ka japë përgjigje se pse 14 provat e reja nuk ndikojnë në ndryshimin e rezultatit përfundimtar të gjykimit pas lejimit të rishikimit (mbi këtë fazë fare nuk ka jap përgjigje) dhe nuk ka arsyetuar drejtë madje në kundërshtim me dispozitat ligjore se kërkesa për rishikim nuk lejohet në rastet kur dëshmitar ka gënjyer pa pasur aktgjykim të formës së prerë, e që në të vërtetë për këtë shkak lejohet rishikimi dhe pa aktgjykim të formës së prerë ku vërtetohet se dëshmitari ka gënjyer nëse ka pengesa të ndjekjes penale dhe fakti se ka gënjyer dëshmitari vërtetohet me prova të tjera, e që në rastin konkret, ka pengesa të ndjekjes penale ndaj dëshmitarëve që kanë gënjyer dhe fakti se kanë gënjyer vërtetohet me shkrimin dhe nënshkrimin e dëshmitarëve të lartë cekur”. Për më tepër, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës cilësoi Aktvendimin e Gjykatës së Apelit si “tërësisht arbitrar”.
Gjykata vë në pah se gjykatat e rregullta në procedurën sipas kërkesës për rishikim të procedurës penale vendosin vetëm lidhur me çështjen nëse kërkesa për rishikim të procedurës penale plotëson kushtet procedurale për miratimin e saj, dhe jo për “ndonjë aktakuzë” të parashtruesit të kërkesës brenda kuptimit të së drejtës për gjykim të drejtë të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së (shih në mënyrë analoge rastin e Gjykatës: KI63/21, me parashtrues Hysen Metahysa, Aktvendim për Papranueshmëri i 11 nëntorit 2021, paragrafi 72; dhe rastet e GJEDNJ-së: Bochan kundër Ukrainës, (nr. 2), nr. 22251/08, Aktgjykim i 5 shkurtit 2015, paragrafi 44 dhe Moreira Ferreira kundër Portugalisë (nr. 2), nr. 19867/12, Aktgjykim i 11 korrikut 2017, paragrafët 60-61)
Përveç kësaj, Gjykata rikujton praktikën gjyqësore të GJEDNJ-se, e cila përcakton se neni 6 i KEDNJ-se nuk është i zbatueshëm në procedurat për përsëritjen e ndonjë rasti, sepse nëse një person dënimi i të cilit është bërë i plotfuqishëm dhe i cili bën kërkesë për rishikimin e rastit të tij dhe ai ose ajo gjatë kësaj procedure nuk është "i akuzuar për ndonjë vepër penale" në kuptim te nenit 6 të Konventës (shih rastin e GJEDNj-së, Fischer kundër Austrisë, nr. 27569/02, Vendim mbi pranueshmërinë e rastit, i 6 majit 2003).
Më tej, Gjykata vëren se lidhur me kërkesën për rishikim të procedurës penale, të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, gjykatat e rregullta kishin vendosur refuzimin e saj.
Gjykata, pikërisht duke pasur parasysh këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës në kontekstin e garancive procedurale të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, konstaton se procedura gjyqësore e përmendur në të cilën parashtruesi i kërkesës i bazon pretendimet e tij ankimore kishte të bënte vetëm me vlerësimin e përmbushjes së kërkesave procedurale të cilat duhet t’i përmbushë një kërkesë për rishikim të procedurës penale, në mënyrë që të jetë e pranueshme, dhe kështu rasti do të rihapej për shqyrtim dhe vlerësim në procedurën e përsëritur.
Prandaj, Gjykata duke pasur parasysh përmbajtjen e procedurës gjyqësore në të cilat parashtruesi i ka mbështetur pretendimet e tij ankimore për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, rikujton praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe praktikën e vet gjyqësore, sipas së cilës neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së nuk zbatohen në kërkesat për rishikimin ose përsëritjen e procedurës (shih, në mënyrë analoge, rastet e Gjykatës: KI07/17, Pashk Mirashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 qershorit 2017, paragrafi 64; KI80/15, KI81/15 dhe KI82/15, Rrahim Hoxha, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 dhjetorit 2016, paragrafi 31; KI167/22, parashtrues Fatos Kakeli, , Aktvendim për papranueshmëri, i 23 marsit 2023, paragrafi 63, shih, gjithashtu rastet e GJEDNJ-së, inter alia, Oberschlick kundër Austrisë, nr. 23727/94, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 marsit 1994, Dowsett kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8559/08, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 janarit 2011).
Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me procedurën gjyqësore të zhvilluar nga gjykatat sipas kërkesës së tij për rishikimin e procedurës shpallet e papranueshme, për shkak se është e papajtueshme ratione materiae me Kushtetutën, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe rregullin 34 (3) (b) të Rregullores së punës.
Pretendimet përkitazi me shkeljen e neneve 32 dhe 46 të Kushtetutës
Gjykata po ashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores se punës. Paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, pika d e paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcaktojnë që:
"(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) Kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
[...]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon në kërkesën e tij edhe shkeljen e neneve 32 dhe 46 të Kushtetutës. Në lidhje me këto pretendime, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nuk ka specifikuar se si këto të drejta janë shkelur në rastin e tij dhe as nuk ofron ndonjë arsyetim përkatës lidhur me shkeljen e tyre, por vetëm i ka përmendur ato dispozita kushtetuese.
Gjykata, në këtë kontekst thekson se, duke u bazuar në nenin 48 të Ligjit dhe paragrafin (1) (d) dhe (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës dhe praktikën e saj gjyqësore, ajo vazhdimisht ka theksuar se: (i) palët kanë detyrim që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet; dhe gjithashtu (ii) të dëshmojnë dhe në mënyrë të mjaftueshme të mbështesin pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese (shih rastet e Gjykatës KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, i cituar më lart, paragrafi 85, dhe KI124/20 parashtrues MuhamedAli Ceysűlmedine, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021, paragrafi 42; dhe KI183/22, parashtrues Rexhep Kastrati, Aktvendim për Papranueshmëri, i 27 prillit 2023, paragrafi 30).
Gjykata gjithashtu rikujton se ajo po ashtu vazhdimisht ka theksuar se vetëm përmendja e një neni të Kushtetutës, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë, nuk mjafton si argument për të aktivizuar makinerinë e mbrojtjes që ofron Kushtetuta dhe Gjykata, si institucion që përkujdeset për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut (shih, në këtë kontest, rastet e Gjykatës, KI02/18, parashtrues Qeveria e Republikës së Kosovës [Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor], Aktvendim për papranueshmëri, i 20 qershorit 2019, paragrafin 36; dhe KI95/19, parashtrues Ruzhdi Bejta, Aktvendim për papranueshmëri i 8 tetorit 2019, paragrafët 30-31, KI183/22, parashtrues Rexhep Kastrati, cituar më lart, paragrafi 31).
Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të neneve 32 dhe 46 të Kushtetutës, pa arsyetuar dhe mbështetur shkeljen e të njëjtave përmes vendimeve të kontestuara.
Prandaj, pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 32 dhe 46 të Kushtetutës janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.
Përfundim
Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për:
shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për sa i përket vendimit të kontestuar, përkatësisht Aktvendimit [PN.nr.745/2022], të 26 tetorit 2022, të Gjykatës së Apelit, shpallen të papranueshme, për shkak se janë të papajtueshme ratione materiae me Kushtetutën, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 48 të Ligjit dhe rregullit 34 (3) (b) të Rregullores së punës; si dhe
shkeljen e neneve 32 dhe 46 të Kushtetutës janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, shpallen të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (d), (2) dhe (3) (b) si dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 29 gusht 2023, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; dhe
TË KONSTATOJË që ky vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Veton Syla
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës
Penale