Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit të Gjykatës Themelore në Pejë-dega në Istog, GJ.A. nr. 29/21, të 3 shkurtit 2021, në lidhje me përmbarimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Pml. nr. 112/2015 të 22 qershorit 2015

Nr. të lëndës KI 63/21

Parashtruesit: Hysen Metahysa

Shkarko:

KI63/21, Parashtruesi i kërkesës: Hysen Metahysa, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit të Gjykatës Themelore në Pejë-dega në Istog, GJ.A. nr. 29/21, të 3 shkurtit 2021, në lidhje me përmbarimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Pml. nr. 112/2015 të 22 qershorit 2015

KI63/21, Aktvendim për papranueshmëri i 7 tetorit 2021, publikuar më 12 nëntor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, ratione materiae, qartazi i pabazuar 

Nga shkresat e lëndës rezulton që thelbi i kontestit pranë gjykatave të rregullta kishte të bënte me një procedurë penale të zhvilluar për veprën penale “marrjes së ryshfetit sipas nenit 343 (2) në lidhje me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPK)” e cila pretendohet të jetë kryer nga parashtruesi i kërkesës dhe personi I.G, si pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës. Në lidhje me këtë, u zhvilluan tri procedura gjyqësore, nga të cilat: procedura e parë gjyqësore kishte të bënte me procedurën penale në të cilën ishte përcaktuar përgjegjësia penale e parashtruesit të kërkesës dhe personit I.G., procedura e dytë gjyqësore kishte të bënte me procedurën penale kundër personit M.M., pronarit të kamionit i cili pretendohet se i kishte dhënë ryshfet personit I.G., bashkëpunëtorit të pretenduar të parashtruesit të kërkesës në kryerjen e veprës penale, ndërsa procedura e tretë gjyqësore kishte të bënte me kërkesën e parashtruesit për rishikimin e procedurës penale në të cilën ai dhe personi I.G. ishin dënuar. Në lidhje me procedurën e dytë gjyqësore, Gjykata duhet të theksojë një fakt tjetër të rëndësishëm, përkatësisht se parashtruesi në kërkesë dorëzoi në Gjykatë edhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore nr. 497/13 në lidhje me procedurën penale në të cilën ai nuk paraqitet si palë e drejtpërdrejtë në procedurë, por vetë rezultati i asaj procedure penale kishte implikime të drejtpërdrejta në procedurën e tretë gjyqësore të iniciuar nga parashtruesi me kërkesën për rishikim të procedurës penale. Kjo është procedura penale kundër personit M.M., pronarit të kamionit që pretendohet se i kishte dhënë ryshfet personit I.G., bashkëpunëtorit të pretenduar të parashtruesit të kërkesës në kryerjen e veprës penale, e cila gjithashtu do të paraqitet veçmas në kuadër të përmbledhjes së fakteve.

Pikërisht duke pasur parasysh këtë fakt, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore inicioi procedurë për rishikimin e procedurës penale, duke konsideruar se vetë fakti që personi M.M. ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “deklarim i rremë nga neni 307 paragrafi 1 i KPK-së”, është provë e mjaftueshme të cilën gjykata duhet ta marrë parasysh me rastin e vlerësimit të përmbushjes së kushteve për rihapjen e procedurës penale.  

Këtë kërkesë e refuzuan Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit, si dhe Gjykata Supreme duke konsideruar se nuk janë plotësuar kushtet për rihapjen e procedurës për faktin se personi M.M. Është dënuar në një procedurë tjetër penale për shkak të veprës penale “deklarim i rremë nga neni 307 paragrafi 1 të KPK-së”, e cila nuk ka pika të përbashkëta me vetë rastin e parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës ka pretenduar para Gjykatës se me vendime të tilla të gjykatave të rregullta i janë cenuar të drejtat kushtetuese të garantuar me nenin 31 si dhe me nenin 32 të Kushtetutës.

Gjykata duke vlerësuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kontekstin e shkeljeve të cekura të neneve të Kushtetutës, është dashur të përcaktojë nëse procedura gjyqësore përkitazi me rihapjen e procedurës penale është e mbrojtur me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të KEDNj-së. Gjykata me rastin e analizimit të pretendimeve të parashtruesit  u është referuar parimeve të nenit 6 të KEDNj-së, si dhe praktikës së vet, dhe rrjedhimisht ka konkluduar që gjykatat e rregullta në procedurën sipas kërkesës për përsëritje të procedurës vendosin vetëm lidhur me çështjen nëse kërkesa për përsëritje të procedurës plotëson kushtet procedurale për miratimin e saj, dhe jo për “të drejtat dhe detyrimet civile” të parashtruesit të kërkesës në kuptim të së drejtës për gjykim të drejtë nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNj-së. Përveç kësaj, Gjykata iu referua praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, e cila përcakton se neni 6 i KEDNj-së nuk është i zbatueshëm në procedurat për përsëritjen e ndonjë rasti, sepse një person, dënimi i të cilit është bërë i plotfuqishëm dhe i cili bën kërkesë për rishikimin e rastit të tij, nuk është “i akuzuar për ndonjë vepër penale” në kuptim të nenit 6 (shih:  rastin e GjEDNj-së, Franz Fischer kundër Austrisë, nr.  27569/02, vendimi, i 6 majit 2003).

Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me procedurën gjyqësore të zhvilluar nga gjykatat, sipas kërkesës së tij për rishikimin e procedurës, nuk janë ratione materiae në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së.

Ndërsa, sa i përket pretendimit të dytë të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës, Gjykata pas analizës konkludoi se pretendimet e tij ishin të pabazuara pasi që ai kishte në dispozicion mjete juridike por ai nuk i shfrytëzoi si të tilla për të realizuar të drejtat e tij, dhe kësisoj, Gjykata ato pretendime i shpalli  (ii) si pretendime me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Hysen Metahysa

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike

Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale