Prishtinë, më 6 korrik 2023
Nr. ref.: RK 2234/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI29/22
Parashtrues
“Kosovska Banka” DD Beograd
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-21-0174, të 13 janarit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga “Kosovska Banka” DD Beograd, me seli në Beograd, Republika e Serbisë, me përfaqësues të autorizuar Agjencia për Sigurimin e Depozitave nga Beogradi - Administruesi i besuar Sonja Popara e përfaqësuar nga Dobrica Lazić, avokat nga Graçanica (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [AC-I-21-0174] e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit i DHPGJS-së) të 13 janarit 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, me të cilat parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e Pronës) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu kërkon vendosjen e masës së përkohshme “e cila i ndalon Agjencisë Kosovare të Privatizimit çdo shitje dhe çdo disponim tjetër me pronën e Kosovska Banka d.d. në falimentim, Beograd deri në përfundimin e procedurës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 2 mars 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 3 mars 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi Peci, gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka- Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 30 mars 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi DHPGJS-në për regjistrimin e kërkesës dhe i dërgoi një kopje të saj.
Më 7 prill 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi në Gjykatë një dokument shtesë.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 23 maj 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se Agjencia Kosovare e Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP) kishte publikuar në faqen e saj valën e 56-të të privatizimit të pronës së New Co Bankkos DD, duke filluar me lokalet e saj në Prishtinë, Pejë dhe Kaçanik.
Më 26 dhjetor 2012, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në DHPGJS, ku ka kërkuar anulimin e vendimit për shitjen në raundin e 56 të privatizimit të pronës së Banka Themelore “Bankos” nga ana e AKP-së dhe vërtetimin e pronësisë, përkatësisht kompensimin material në shumën prej 8,004,777 euro (tetë milionë, e katër mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë). Parashtruesi i kërkesës kërkoi gjithashtu edhe lëshimin e urdhrit paraprak gjyqësor.
Më 28 shkurt 2013, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së përmes Aktvendimit [C-III-12-2033] refuzoi kërkesën e parashtruesit për lëshimin e urdhrit paraprak me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet nga neni 55.1 i Shtojcës së Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, pasi që parashtruesi “nuk ka paraqitur prova të vlefshme se do të pësojë dëm të menjëhershëm dhe të pariparueshëm nëse kërkesa e tij nuk miratohet”.
Më 22 mars 2013, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktvendimit [C-III-12-2033] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së me te cilin ishte refuzuar kërkesën për lëshimin e urdhrit paraprak gjyqësore.
Më 20 shtator 2013, AKP-ja në cilësinë e të paditurës kishte parashtruar mbrojtje ndaj padisë me arsyetimin se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë ligjërisht të pabazuara duke theksuar se “Bordi i Drejtorëve, me dokumentin SDR 0760, ka konstatuar se “Bankos” me seli në Prishtinë është ndërmarrje shoqërore dhe se është nën përgjegjësinë ligjore të administrimit nga ana e AKP-së sipas Ligjit për AKP-në sipas Ligjit për AKP-në. AKP pretendonte se deklaratat e paditësit se kemi të bëjmë me shoqëri aksionare nuk janë te bazuara dhe janë në kundërshtim me dokumentin SDR të miratuar nga ana e AKP-së në vitin 2005, në të cilin thuhet se kemi të bëjmë me person juridik të bazuar në kapitalin shoqëror, sipas Ligjit për kushtet dhe sistemin bankar financiar të vitit 1977 (Gazeta Zyrtare e RSFJ-së nr.77/2) dhe nenit 13 të Ligjit për Punën e Bashkuar. Ndër të tjera, AKP theksoi se “prona e kësaj banke është e evidentuar në regjistrin kadastral si pronësi shoqërore”.
Më 7 maj 2014, Bordi i AKP-së nxori vendimin për likuidimin e Ndërmarrjes Shoqërore- Banka Themelore “Bankos”.
Më 23 qershor 2014, AKP publikoi një shpallje në shtypin ditor për të gjithë kreditorët dhe pronarët e ndërmarrjes në likuidim PRN 125 Ndërmarrja Shoqërore - Banka Themelore “Bankos” duke filluar nga 16 qershori 2014 në bazë të vendimit të AKP-së të 7 majit 2014. Afati për dorëzimin e kërkesave kreditore është caktuar prej 23 qershorit 2014 deri më 6 gusht 2014.
Më 1 gusht 2014, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes Aktvendimit [AC-I-13-0034] e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar dhe konfirmon Aktvendimin [C-III-12-2033] e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së me arsyetimin se pronat e përmendura nga parashtruesi janë të regjistruar në librat kadastrale si pronë shoqërore dhe se nuk ka pasur asnjë dëshmi se ka përfunduar transformimi i pronësisë tek paditësi (parashtruesi i kërkesës).
Më 21 nëntor 2014, parashtruesi i kërkesës në DHPGJS paraqiti kërkesë për caktimin e urdhrit paraprak gjyqësor përmes së cilës, AKP-së do t’ i pamundësohej të vazhdoj procedurën e likuidimit të Bankës Themelore “Bankos” dhe shkaktimin e dëmit të pariparueshëm.
Më 20 shkurt 2015, Kolegji i specializuar i DHPGJS-së përmes Aktvendimit [C-IV-14-7054], duke u bazuar në nenin 55.1 të Shtojcës së Ligjit për DHPGJS-në, refuzoi kërkesën për caktimin e urdhrit paraprak gjyqësor me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës “nuk ka paraqitur argumente dhe prova të reja në mbështetje të kërkesës së tillë. Kërkesa për caktimin e urdhrit të përkohshëm gjyqësorë është identike me atë në shkresat e lëndës C-III-12-2033 dhe në ankesë, AC-I-13-0034-A0001, në kuptim të palëve në procedurë, gjendjes faktike dhe kërkesës”.
Më 20 mars 2015, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktvendimit [C-IV-14-7054] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale.
Parashtruesi i kërkesës përmes ankesës pretendonte se “Aktvendimi i ankimuar është i parregullt, i paligjshëm dhe i miratuar për të arsyetuar veprimin e AKP-së, e cila sipas saj e shet pronësinë e pronarit ligjor në mënyrë të paautorizuar pa pëlqimin e të njëjtit. Në ankesë, paditësja pretendon se refuzimi i urdhrit paraprak, i cili ka ndodhur më herët, nuk përbën çështje tashmë të gjykuar. Sipas paditëses, Aktvendimi për refuzimin e urdhrit paraprak C-III-12-2033, i datës 28.02.2013, nuk përbën pengesë procedurale për Gjykatën që të miratojë urdhrin paraprak gjyqësor të kërkuar në çështjen C-IV-14-7054. Gjykata mund ta refuzojë sërish kërkesën e paditëses ose ta miratojë atë, por nuk mund ta hedh poshtë kërkesën me arsyetimin se bëhet fjalë për një çështje të gjykuar. Vendimi i shkallës së parë për refuzimin e urdhrit paraprak të kërkuar nuk e pengon të drejtën e paditësve për të kërkuar sërish lëshimin e urdhrit paraprak, në rast se paraqiten rrethanat të cilat tregojnë nevojën e lëshimit të urdhrit paraprak gjyqësor për të parandaluar humbjen e së drejtës së kërkuar. Paditësja në ankesë pretendon se vendimet e kontestuara të AKP-së nuk kanë qenë identike. Vendimi i parë kishte të bënte me shitjen e një pjese të pronës së paditëses, ndërsa vendimi i dytë me shitjen e paditëses si person juridik. Këto vendime janë marrë në periudha të ndryshme. Andaj, paditësja kërkon që të anulohet Aktvendimi i ankimuar i Kolegjit të Specializuar, të lëshohet urdhri paraprak gjyqësor i kërkuar dhe të pengohet e paditura që të shes pronën kontestuese derisa padia të zgjidhet në bazë të meritave”.
Më 8 prill 2015, AKP paraqiti përgjigje në ankesë duke kërkuar që të refuzohet ankesa e parashtruesit dhe të konfirmohet Aktvendimi [C-IV-14-7054] i Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së. AKP përmes përgjigjes në ankesë pretendonte se “faktet e paraqitura deri më tani, nga ana e të paditurës, nuk janë vërtetuar pretendimet pronësore të cilat i ka paditësja kundër NSH-së Banka Themelore “Bankos”. Ankesa e ushtruar kundër Aktvendimit të Kolegjit të Specializuar, nuk përmban asnjë provë të re që do të kushtëzonte ndryshimin e rrjedhës së procedurës apo gjendjen faktike të kësaj çështjeje. AKP pohon se në bazë të mandatit të saj ligjor të cilin e ka sipas Ligjit për AKP-në nr. 04/L-034, ajo e ka analizuar në mënyrë gjithëpërfshirëse statusin e kësaj NSH-je, historikun e saj, ndryshimin e kapitalit, mënyrën e organizimit të administrimit të këtij subjekti dhe ka konstatuar se bëhet fjalë për një subjekt juridik i cili administrohet në bazë të kapitalit në pronësi shoqërore.” AKP-ja e mbështeti këtë pohim me provat e paraqitura tashmë me dosjen e lëndës C-III-12-2033 dhe AC-I-13-0034 , SDR 0760, të NSH “Bankos” me seli në Prishtinë. Në përgjigjen e saj ndaj ankesës, AKP-ja konfirmon se kjo SDR është dorëzuar edhe më herët sepse ankesa e njëjtë është përsëritur disa herë. Sipas AKP-së, paditësja në aspektin e statusit të saj pronësor rezulton të jetë në pronësi shoqërore dhe si e tillë është nën juridiksion e AKP-së sipas nenit 5 të Ligjit për AKP-në. Ndër të tjera, AKP shtoi se prona e kësaj ndërmarrjeje shoqërore është e regjistruar si pronë shoqërore sipas listës poseduese nr: 10978 në Prishtinë.
Më 12 qershor 2015, Kolegji i Apelit përmes Aktvendimit [AC-I-15-0058] anuloi Aktvendimin [C-IV-14-7054] e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së të 20 shkurtit 2015 duke vendosur si në vijim:
Ankesa e paditëses është e bazuar.
Anulohet Aktvendimi i Kolegjit të Specializuar C-IV-14-7054, i datës 20 shkurt 2015.
Miratohet urdhri paraprak gjyqësor me të cilin palës së paditur i ndalohet të shes pronën e Kosovska Banka DD, Beograd, e cila gjendet në procedurën e likuidimit, deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar mbi meritat e padisë.
Paditësja është e obliguar të paguajë në DHPGJS shumën prej 10.000 eurove si garanci për kompensimin e shpenzimeve dhe dëmeve që mund të krijohen për të paditurën si rezultat i urdhrit paraprak gjyqësor, në rast se padia e saj sipas meritave nuk ka sukses. Në rast se paditësja nuk e paguan shumën e sipërpërmendur në afat prej 15 ditëve nga dita e konfirmimit të pranimit të këtij aktvendimi, urdhri paraprak gjyqësor nuk do të ketë efekt juridik”.
Kolegji i Apelit përmes Aktvendimit [AC-I-15-0058] sqaron se “Kolegji i Specializuar në mënyrë të pasaktë dhe të parregullt e ka refuzuar kërkesën për urdhër paraprak gjyqësor, me arsyetimin se nuk janë përmbushur kushtet ligjore nga neni 55.1 i Shtojcës së Ligjit për DHP-së për miratimin e një mase të tillë. Për këto arsye, aktvendimi i ankimuar i Kolegjit të Specializuar është i pasaktë dhe i padrejtë në arsyetimin ligjor, andaj duhet shfuqizuar. Ankesa e paditëses miratohet si e bazuar”
Më 29 dhjetor 2020, parashtruesi i kërkesës paraqiti në DHPGJS padinë dhe parashtresën në mbështetje të pretendimeve të tij.
Më 30 dhjetor 2020, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi në DHPGJS deklaratën përfundimtare me shkrim lidhur me padinë, duke kërkuar që t’ ia miratoj padinë si të bazuar, të anuloj aktvendimin e Bordit të AKP-së te 7 majit 2014 për likuidimin e Ndërmarrjes Shoqërore- Banka Themelore “Bankos”, si dhe të vendos që të pezulloj likuidimin e kësaj ndërmarrje të nisur më 16 qershor 2014.
Më 18 shkurt 2021, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së përmes Aktvendimit [C-IV-14-7054] vendosi si në vijim:
Kërkesa e paditësit refuzohet si e pabazuar, ndërsa vendimi i Organit të Likuidimit i datës 7 maj 2014 për likuidimin e NSH-së Banka Themelore “BANKOS” vërtetohet si i drejtë dhe i bazuar në ligj.
Nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi, vendimi i datës 12 qershor 2015 me të cilin është caktuar masa e sigurisë për pezullimin e likuidimit të Bankës Themelore NSh “BANKOS” dhe i cili i ndalonte AKP-së çfarëdo administrimi, ruajtje dhe shitje të pronës së mëtejshme të Banka Kosova DD në falimentim, Beograd, nuk prodhon efekt juridik.
Paditësi është i obliguar të paguaj taksën gjyqësore prej 100 eurove.
Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së përmes Aktvendimit [C-IV-14-7054] ka sqaruar se “Statuti bazë dhe i gjithë dokumentacioni i subjektit të Bankës së Kosovës paraqesin bazën ligjore për konkludimin se ky subjekt është në pronësi shoqërore dhe duhet të trajtohet si ndërmarrje shoqërore”.
Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së përmes Aktvendimit [C-IV-14-7054] ndër të tjera, arsyetoi se:
“Gjykata gjithashtu vlerëson se pretendimi i paditësit se transformimi ligjor i shoqërisë nuk u shoqërua me diskriminim në baza nacionale dhe se masat e përkohshme dhe procedurat e mëvonshme të falimentimit u vendosën pas ndryshimit të statusit, pra pas transformimit të ndërmarrjes dhe themelimit të saj si shoqëri aksionare. Në kohën kur pretendohet se ka ndryshuar statusi i ndërmarrjes, pra në vitin 1990, në institucione dhe ndërmarrjet shoqërore u futën masat e dhunshme dhe shumicës së punëtorëve shqiptarë iu ndërpre marrëdhënia e punës me dhunë, përkatësisht pa pëlqimin e tyre. Prandaj nuk mund të kishte asnjë transferim të ligjshëm dhe jo-diskriminues të ndërmarrjes në atë kohë, për sa kohë që punëtorët shqiptarë nuk merrnin pjesë në transferim dhe nuk respektohej vullneti i tyre. Sipas rregullave të përgjithshme për barrën e provës, pala duhet të dëshmojë faktet në mbështetje të pretendimit të saj (nenet 35.2.4 dhe 42.3 të Ligjit për Dhomën e Posaçme). Sipas këtyre rregullave, paditësi do të duhej të dëshmonte me prova përkatëse të gjitha fazat e procesit të transformimit, si dhe bazën juridike të këtij transformimi, e të cilën në këtë rast ai nuk arriti të dëshmojë një gjë të tillë. Andaj, në bazë të asaj që u theksua më lart dhe në përputhje me nenin 54.1 të Ligjit për Dhomën e Posaçme, është vendosur si në dispozitiv të aktgjykimit”.
Më 18 mars 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në DHPGJS kundër Aktvendimit [C-IV-14-7054] të Kolegjit të Specializuar të 18 shkurtit 2021, me pretendimin për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që aktgjykimi i kontestuar të ndryshohet dhe rasti të kthehet në rigjykim.
Më 14 maj 2021, AKP-ja në DHPGJS parashtroi përgjigje në ankesë duke propozuar që ta refuzoj si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe aktgjykimi i kontestuar të vërtetohet si i drejtë dhe i bazuar në ligj.
Më 13 janar 2022, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0174] vendosi si në vijim:
Ankesa e paditësit refuzohet si e pabazuar.
Vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë të DHPGJS-së C-IV-14-7054, i datës 18 shkurt 2021.
Paditësit i kthehet depozita në shumën prej 10.000 eurove, e cila është caktuar për deponim në DHPGJS-së, bazuar në Vendimin e Kolegjit të Apelit AC-I-15-0058, të datës 12 qershor 2015. Depozita kthehet në afat prej 15 ditëve nga dorëzimi i këtij aktgjykimi.
Për procedurën ankimore nuk janë përcaktuar taksa gjyqësore.
Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0174] arsyetoi se “[...] Në padinë e tij të fundit të parashtruar më 21 nëntor 2014, paditësi ka kërkuar anulimin e vendimit të Bordit të AKP-së me të cilin NSH Banka Themelore “Bankos” është vënë nën likuidim dhe ka kërkuar që prona e përmendur e këtij subjekti bankar të mbrohet nga shitja që do të bëhej përmes procedurës së likuidimit. Çështja kryesore në këtë rast është verifikimi i faktit nëse transformimi i pronës ka qenë i ligjshëm dhe jo-diskriminues. Siç është konstatuar me të drejtë nga kolegji i shkallës së parë të DHPGJS-së në aktgjykimin e ankimuar, paditësi nuk ka arritur të ofroj dëshmi se transformimi i Bankës Themelore NSH “Bankos” në shoqëri aksionare ka qenë i suksesshëm. Paditësi ka arritur të paraqes disa dëshmi me rastin e fillimit të procesit të transformimit në procesin e nisur të transformimit të këtij subjekti bankar, por ato dëshmi nuk janë të mjaftueshme dhe nuk dëshmojnë se i tërë procesi i privatizimit është kryer me sukses. Kolegji i Apelit nënvizon se është i bazuar pohimi i AKP-së, i paraqitur në mbrojtjen ndaj padisë, se në procedurën e mëtutjeshme paditësi nuk ka paraqitur dëshmi mbi pagesat e brendshme, më pas mungojnë vërtetimet mbi pagesat ku shihet emri i investuesit, nuk ka evidenca për kontabilitetin, bilancin e gjendjes. Më tej, Kolegji i Apelit thekson se prona e kësaj banke është e evidentuar në librat kadastral si pronë shoqërore”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin [AC-I-21-0174] e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 13 janarit 2022, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e Pronës) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës e ndërton rastin mbi pretendimin për shkeljen e të drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm pasi që Aktgjykimi [AC-I-21-0174] i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 13 janarit 2022, nuk i ka plotësuar kriteret për një "gjykim të drejtë" sipas nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të: (i) mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor; dhe (ii) cenimit të së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm; (iii) zbatim të gabuar/arbitrar të së drejtës/ligjit material;
Parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e përcaktuara me nenin 46 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se “Me dispozitën e nenit 12 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ë Ligjit për Qarkullimin dhe Disponimin me Kapital Shoqëror, i cili është botuar në Gazetën Zyrtare të RSFJ-së nr. 46, të datës 10 gusht 1990, është paraparë: “Dispozitat e këtij ligji zbatohen në përputhje me rrethanat për kapitalin shoqëror në kooperativat dhe organizatat e sigurimit.” Parashtruesi i iniciativës është Banka e cila është themeluar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Bankat dhe Organizatat e tjera Financiare (“Gazeta Zyrtare e RSFJ-së” nr. 10, e datës 17.02.1989). Pra, kur konstaton nëse transformimi është kryer në përputhje me Ligjin, Kolegji i Apelit zbaton të drejtën materiale e cila nuk mund të zbatohet në lidhje me parashtruesin e kërkesës. Me të drejtën për gjykim të drejtë, të përcaktuar me nenin 31 , paragrafi 1 dhe 2 të Kushtetutës, secilit qytetar i garantohet mbrojtja e njëjtë e të drejtave para gjykatës, dhe garancitë procedurale se procedura në të cilën vendoset për të drejtat dhe detyrimet e tij do të zhvillohet në mënyrën ku përmes pavarësisë dhe paanësisë së gjykatës, dëgjimit publik, pjesëmarrjes në procedurë, vendosjes brenda afatit të arsyeshëm, me zbatimin dhe respektimin e rregullave të përcaktuara të procedurës, atyre do t’iu mundësohet gjykimi i drejtë.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon “Zbatimi i gabuar i të drejtës materiale në dëm të parashtruesit të kërkesës ka sjellë deri tek shkelja e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, sepse të gjitha faktet dhe dëshmitë e parashtruara nga parashtruesi, Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës i ka vërtetuar gabimisht.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se “Me dispozitën e nenit 15 të Ligjit për Bankat dhe Organizatat e tjera Financiare (“Gazeta Zyrtare e RSFJ-së”, nr. 1 0/89, 40/89, 87/89 dhe 18/90) është rregulluar që banka fiton statusin e një person juridik me regjistrimin në regjistrin gjyqësor, me ç ‘rast krahas kërkesës për regjistrim parashtrohet edhe dokumentacioni tjetër i përcaktuar me ligjin në fjalë. Regjistrimi i Kosovska Banka d.d. në regjistrin gjyqësor është bërë në bazë të aktvendimit Fi-597/90 të datës 20 korrik 1990. Në aktvendimin Fi-597/90, në faqen e parë, ndër të tjera thuhet se Banka ka dorëzuar në Gjykatën Ekonomike të Qarkut në Prishtinë, edhe dëshminë se mjetet e paguara ishin fond themelues, ndërsa dhe listën e regjistrimit nr. 5 të vendimit thuhet: “Banka përgjigjet për detyrimet e themeluesve të investuara në fondin themelues dhe në fondet e tjera”. Bazuar në atë që tha më sipër, është më se e qartë se parashtruesi i kërkesës e ka dëshmuar bazën juridike dhe ligjore të transformimit, për të cilin gjykatat e rregullta pretendojnë në mënyrë të pabazuar dhe paushalle se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur ta dëshmojë!”
Parashtruesi i kërkesës tutje thekson “Parashtruesi i kërkesës është transformuar si Bankë në shoqëri aksionare dhe jo si ndërmarrje në shoqëri aksionare! Dispozitat e Ligjit për Qarkullimin dhe Disponimin me Kapital Shoqëror, i cili është publikuar në "Gazetën Zyrtare të RSFJ-së ", nr. 84, të datës 22 dhjetor 1989, dhe "Gazetën Zyrtare të RSFJ-së", nr. 46 të datës 10 gusht 1990 , të cilat aplikohen nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me transformimin e ndërmarrjeve, kooperativave dhe organizatave të sigurimit. Dispozitat e Ligjit për Qarkullimin dhe Disponimin me Kapital Shoqëror nuk kishin të bëjnë me Bankat. Në këtë kuptim, zbatimi i gabuar i së drejtës materiale në dëm të parashtruesit të iniciativës ka sjellë deri tek shkelja e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke pasur parasysh se zbatimi i të drejtës materiale në këtë rast ka qenë arbitrar apo, për ta thënë me shprehje më të butë, diskriminues.”
Parashtruesi i kërkesës ne vazhdim shton “Kolegji i Apelit nuk iu përgjigj fare pyetjeve dhe pretendimeve në ankesën e tij kundër aktgjykimit të Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, përkatësisht: përse në lidhje me parashtruesin e iniciativës në kuptim të përmbushjes së kushteve për transformimin e ligjshëm nuk zbatohen dispozitat e Ligjit për Bankat dhe Organizatat e tjera Financiare (“Gazeta Zyrtare e RSFJ-së”, nr. 10/89, 40/89, 87/89 dhe 18/90)?”
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës thekson “Theksojmë se një nga elementët e së drejtës për gjykim të drejtë është e drejta për një vendim të arsyetuar gjyqësor dhe se ajo obligon gjykatën qё të jep arsye të qarta, të mjaftueshme dhe të kuptueshme mbi të cilat do të mbështetet vendimi i saj, me të cilën gjë njëkohësisht i jepen garanci palës se gjykata i ka shqyrtuar pretendimet dhe dëshmitë e saj të cilat ajo i ka theksuar në procedurë dhe se një vendim i tillë mund të shqyrtohet sipas ankesës.”
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu thekson se “Natyrisht se gjykata në vendim nuk është e obliguar që të jep përgjigje të detajuara në të gjitha pyetjet e bëra dhe argumentet e paraqitura dhe se masa në të cilën ekziston obligimi për ofrimin e arsyetimit varet nga natyra e vendimit. Mirëpo, shtrohet pyetja: përse në lidhje me parashtruesin e iniciativës në kuptim të përmbushjes së kushteve për transformimin e ligjshëm nuk zbatohen dispozitat e Ligjit për Bankat dhe Organizatat e tjera Financiare (“Gazeta Zyrtare e RSFJ-së”, nr. 10/89, 40/89, 87/89 dhe 18/90)? dhe këto janë pyetje vendimtare që janë parashtruar para Kolegjit të Apelit, të cilave ky Kolegj nuk u ka dhënë asnjë përgjigje! Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në një situatë të tillë juridike (me rastin e vlerësimit nëse arsyetimi i një akti gjyqësor përmbush standardet e një gjykimi të drejtë) është e nevojshme të merret parasysh nëse gjykata e ankesës ka shqyrtuar çështjet vendimtare përpara saj apo u mjaftua me konfirmimin e thjeshtë të vendimit të gjykatës së shkallës së parë (shih aktgjykimin në lëndën Helle kundër Finlandës, kërkesa nr. 15711996/7761977, e datës 19 dhjetor 1997, paragrafi 60).”
Parashtruesi i kërkesës nënvizon se “E drejta për një vendim të arsyetuar gjyqësor është e rrënjosur në një parim të përgjithshëm të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, e ai është parimi i cili e mbron individin nga arbitrariteti. Vendimi i gjykatave të rregullta duhet të përmbajë arsyet që janë të mjaftueshme për t'iu përgjigjur aspekteve thelbësore faktike dhe juridike – substanciale apo procedurale – argumentimit të palëve në kontest (Ruiz Torija kundër Spanjës, fq. 29-30).Gjykatat e rregullta i kanë tejkaluar kompetencat e tyre marrë parasysh se e kanë analizuar procedurat e transformimit të Kosovska Banka dd në falimentim në përputhje me Ligjin i cili nuk mund të zbatohet në lidhje me Bankën pa i vlerësuar faktet dhe dëshmitë dhe pa marrë parasysh rregullat e UNMIK-ut, me çfarë e kanë shkelur nenin 46 të Kushtetuta e Kosovës (Mbrojtja e Pronës)”
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës thekson se “Edhe para procedurës së transformimit, përkatësisht para datës 22 mars 1989, parashtruesi i kërkesës ka qenë i regjistruar si bankë apo organizatë financiare. Kjo bankë asnjëherë nuk ka bërë biznes si ndërmarrje, por si banke apo një organizate financiare, andaj sa i përket përcaktimit të kërkesave nga neni 5 paragrafi 4 i Rregullores së UNMIK-ut 2002/12 mbi Themelimin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, gjykatat e rregullta zbatuan një ligjin i cili nuk vlente për parashtruesin e kërkesës.”
Parashtruesi i kërkesës krejt në fund thekson se “Kolegji i Apelit në vendimin e tij në nëntitullin “Gjetjet e Kolegjit të Apelit” thekson se “prona e kësaj banke aktualisht është e evidentuar në librat kadastral si pronë shoqërore” Në këtë mënyrë, Kolegji i Apelit me aktin apo aktgjykimin e saj ka shkelur drejtpërdrejt të drejtën e parashtruesit të iniciativës të paraparë me Kushtetutën e Kosovës, e cila në nenin 46 paragrafi 1, të saj parasheh: “E drejta e pronës është e garantuar”, ndërsa në paragrafi 2 të të njëjtit nen të Kushtetutës përcaktohet: “Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky eksproprijim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet”.
Parashtruesi i kërkesës thekson se “Dispozitat e Kushtetutës zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët në pajtim me parimet e shtetit të së drejtës, të cilat janë paraparë me dispozitat e neneve 3 dhe 24 të Kushtetutës, andaj lind pyetja se si është e mundur që dikush të bëj evidencën përkatësisht të regjistrimin e pronës së Bankës në kadastër dhe që pa pëlqimin e saj, apo dijeninë e saj , dhe ta shndërroj në pronë shoqërore pa kompensim?! Prona e Bankës, e këtu parashtruesit të iniciativës, përbëhen nga të ndërtesat e biznesit që Banka ka ndërtuar për nevojat e veta, dhe në momentin e themelimit të saj si shoqëri aksionare dhe hapjes së mëvonshme të falimentimit, këto objekte nuk kanë qenë të regjistruara në kadastrën e pronave të paluajtshme, edhe pse ishin parashtruar kërkesa për regjistrim.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se “Regjistrimi i mëvonshëm i tyre si pronë shoqërore në librat kadastral të sapoformuar është bërë në mënyrë të paautorizuar dhe të kundërligjshme nga ana e institucioneve të Kosovës, pas së cilës ka pasuar shitja e një pjese të caktuar të pasurisë së paluajtshme të Bankës nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Për këtë shkak, para Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës është në zhvillim kontestit C-III-12-2033 i datës 26.12.2012 sipas padisë së Bankës për pagesën e shumës së kërkuar në vlerë prej 8,004,777.00 eurove.”
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu kërkon nga Gjykata që të “Miratohet masa e përkohshme, e cila i ndalon Agjencisë Kosovare të Privatizimit çdo shitje dhe çdo disponim tjetër me pronën e Kosovska Banka d.d. në falimentim, Beograd deri në përfundimin e procedurës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila është nisur me iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit nr. AC-I-21-0174 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit , të datës 13 janar 2022.”
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata: (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se ka pasur shkelje të neneve 31 dhe 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin [AC-I-21-0174] e Kolegjit të Apelit të DHPGJS, të 13 janarit 2022, dhe të njëjtin ta kthejë për rigjykim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate; (iv) si dhe të miratoj masën e përkohshme.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj eksproprijimin e pronës nëse ky eksproprijim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E Drejta për një proces të rregullt)
1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
Protokolli nr. 1 Neni 1 [Mbrojtja e Pronës]
1. Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
SHTOJCA E LIGJIT Nr. 04/L-034 PËR AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 23
[Dëshmitë e kërkesës apo interesit]
“1. Formulari i Dëshmisë së kërkesës duhet t’i përfshijë informatat si në vijim:
1.1.emrin, adresën dhe informatat tjera të kontaktit të kreditorit të supozuar;
1.2.shumën total monetare të kërkesës së pretenduar (së bashku me kamatën e mundshme te pretenduar të akumuluar të cekur ndaras) dhe përshkrimin e natyrës së Kërkesës duke identifikuar si dhe kur ka lindur kërkesa e pretenduar dhe duke saktësuar nëse Kërkesa është e drejtuar ndaj një aseti të veçantë të ndërmarrjes dhe nëse është e mundur nëse kërkesa synon nga ndërmarrja kryerjen e një obligimi të veçantë të ndryshëm nga pagesa në para;
1.3.përshkrimin e hollësishëm të veprimeve të mëparshme ligjore të ndërmarra nga kreditori i supozuar për konfirmim apo mbrojtje të Kërkesës;
1.4.hollësitë lidhur me normën e konvertimit të valutës, nëse ka nevojë;
1.5.kopje të kontratave me shkrim dhe dokumenteve të tjera që kanë për qëllim vërtetimin e Kërkesës;
1.6.tiparet e kolateralit të mundshëm, vlerën e kolateralit, datën kur është dhënë dhe hollësitë e regjistrimit apo veprimet tjera të nevojshme për të paraqitur si të vlefshëm interesin e kreditorit në kolateral kundrejt palëve të treta; dhe
1.7.informatat tjera relevante në lidhje me Kërkesën që kreditori i supozuar dëshiron t’i dorëzojë.”
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të përcaktuara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
"1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e përgjithshme] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.”
Gjykata gjithashtu vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç specifikohet më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47 i Ligjit
[Kërkesa individuale]
"1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48 i Ligjit
[Saktësimi i kërkesës]
"Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj".
Neni 49 i Ligjit
[Afatet]
"Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të
ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ... ".
Gjykata i referohet jurisprudencës së saj të konsoliduar përkitazi me të drejtën e personave juridik për të dorëzuar kërkesë individuale kushtetuese: “Gjykata konsideron se sipas nenit 21.4 të Kushtetutës, i cili siguron se të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të paraqesë ankesë kushtetuese, duke kërkuar të drejtat themelore të cilat vlejnë për individë por edhe për personat juridik, siç është edhe parashtruesi i kërkesës. Kjo do të thotë se parashtruesi i kërkesës është barazi i detyruar të shtjerë të gjitha, mjetet juridike të përcaktuara me Ligj, siç përcakton nenin 113.7 i Kushtetutës. (shih rastin e Gjykatës KI41/09, parashtrues Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendim për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14).
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e personit juridik ka të drejtë të paraqes ankesë kushtetuese, duke u thirrur në shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih rastete Gjykatës KI41/09, parashtrues Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendim për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, cituar më lart, paragrafi 14; KI118/18 parashtrues Eco Construction shpk, Aktvendim për papranueshmëri i 10 shtatorit 2019, paragrafi 29; dhe KI202/21 parashtrues “Kelkos Energy” SH.P.K., Aktgjykim i 29 shtatorit 2022, paragrafi 89).
Për sa i përket përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë dhe Ligj e të shtjelluara më lart, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [AC-I-21-0174] e Kolegjit të Apelit të DHPGJS, të 13 janarit 2022, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kriteret e nenit 48 të Ligjit dhe i kanë dorëzuar kërkesat në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 39 (2) specifikisht përcakton që:
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
"(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij".
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës. (shih rastet e Gjykatës KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26, dhe KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Në këtë kontekst, dhe në vijim, me qëllim të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në rrethanat e këtij rasti, vlerësimit nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28 si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 39).
Gjykata vëren se çështja e parashtruesit të kërkesës ishte shqyrtuar përmes gjashtë (6) vendimeve gjyqësore, duke u vendosur fillimisht lidhur me kërkesën për urdhër paraprak gjyqësore nga Kolegji i Specializuar i DHPGJS përmes Aktvendimit [C-III-12-2033] të 28 shkurt 2013, përmes të cilit refuzoj kërkesën e parashtruesit për lëshimin e urdhrit paraprak me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet nga nenin 55.1 i Shtojcës se Ligjit për Dhomën e Posaçme. Ky aktvendim ishte konfirmuar nga Kolegji i Apelit i DHPGJS përmes Aktvendimit [AC-I-13-0034] me arsyetimin se pronat e përmendura nga parashtruesi janë te regjistruar ne librat kadastrale si pronë shoqërore dhe se nuk ka pasur asnjë dëshmi se ka përfunduar transformimi i pronësisë tek parashtruesi. Në ndërkohe, pasi Bordi i AKP-së nxori vendimin për likuidimin e Ndërmarrjes Shoqërore- Banka Themelore “Bankos”, parashtruesi i kërkesës me 21 nëntor 2014 paraqiti në DHPGJS kërkesën për caktimin e urdhrit paraprak gjyqësore përmes se cilës AKP-se do të i pamundësohej të vazhdoj procedurën e likuidimit te Ndërmarrjes Shoqërore- Banka Themelore “Bankos” dhe shkaktimin e dëmit të pariparueshëm. Kolegji i specializuar i DHPGJS përmes Aktvendimit [C-IV-14-7054] të 20 shkurtit 2015 duke u bazuar në nenin 55.1 të Shtojcës se Ligjit për DHPGJS refuzoj kërkesën për caktimin e urdhrit paraprak gjyqësore me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur argumente dhe prova të reja në mbështetje të kërkesës se tij. Pas ankimimit nga parashtruesi, Aktvendimi [C-IV-14-7054] i Kolegjit të Specializuar të DHPGJS të 20 shkurtit 2015, ishte anuluar përmes Aktvendimit [AC-I-15-0058] të Kolegjit të Apelit të 12 qershorit 2015, duke miratuar kërkesën për lëshimin e urdhrit paraprak gjyqësor, përmes te cilit AKP-së i ndalohej të shes pronën “Bankos” e cila gjendet në procedurën e likuidimit, deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar mbi meritat e padisë.
Në ndërkohe, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur në DHPGJS padinë duke kërkuar te anuloj aktvendimin e Bordit të AKP-së te 7 majit 2014 për likuidimin e ndërmarrjes shoqërore “Bankos”. Kolegji i Specializuar i DHPGJS përmes Aktvendimit [C-IV-14-7054] të 18 shkurtit 2021 vendosi që të refuzoj ankesën e parashtruesit si të pabazuar dhe shfuqizoj masën e sigurisë të aprovuar përmes Aktvendimit [AC-I-15-0058] të Kolegjit të Apelit, të 12 qershorit 2015 - për pezullimin e likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore-Banka Themelore “Bankos” dhe i cili i ndalonte AKP-së çfarëdo administrimi, ruajtje dhe shitje të pronës me arsyetimin se subjekti “Bankos” është në pronësi shoqërore dhe duhet të trajtohet si ndërmarrje shoqërore. Pas ankimimit nga parashtruesi i kërkesës, ky Aktvendim ishte konfirmuar nga Kolegji i Apelit i DHPGJS përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0174] të 13 janarit 2022 me arsyetimin “prona e kësaj banke është e evidentuar në librat kadastral si pronë shoqërore” dhe se parashtruesi i kërkesës “nuk ka arritur që të ofroj dëshmi se transformimi i Bankës Themelore NSH “Bankos” në shoqëri aksionare ka qenë i suksesshëm”.
Konstatimet e DHPGJS, parashtruesi i konteston para Gjykatës duke pretenduar se Aktgjykimi [AC-I-21-0174] i Kolegjit të Apelit të DHPGJS, të 13 janarit 2022 është nxjerr në shkelje të nenit 31 dhe 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Gjykata vëren se pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës në thelb kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave pronësore dhe të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm duke pretenduar ne esencë pronësinë mbi subjektin “Bankos” dhe duke kontestuar statusin e subjektit “Bankos” me pretendimin se është shoqëri aksionare dhe jo ndërmarrje shoqërore me kapital shoqëror ashtu siç kishte vlerësuar Kolegji i Specializuar dhe Kolegji i Apelit i DHPGJS.
Gjykata vëren se përgjatë gjithë procesit gjyqësor kontestuese mes palëve në procedurë ishte statusi i subjektit “Bankos”. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës pretendon se është themeluar si shoqëri aksionare dhe se transformimi është bërë në përputhje me Ligjin për Bankat dhe Organizatat e tjera Financiare (Gazeta Zyrtare e RSFJ-së, nr.10/89, e datës 17 shkurtit 1989). Gjersa, AKP pretendonte se kjo ndërmarrje e ka statusin e ndërmarrjes shoqërore me kapital shoqëror dhe se transformimi i bërë nuk mund të konsiderohet i vlefshëm, për shkak të paligjshmërisë së transferimit dhe diskriminimit gjatë procesit të transformimit.
Përkitazi me këto pretendime, Gjykata thekson se të njëjtat, janë trajtuar nga gjykatat e rregullta, respektivisht nga Kolegji i Specializuar dhe ai i Apelit të DHPGJS.
Në këtë kontekst, dhe specifikisht lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës Gjykata fillimisht rikujton se Kolegji i Specializuar i DHPGJS përmes Aktvendimit [C-IV-14-7054] të 18 shkurtit 2021, duke trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ndër të tjera, kishte theksuar si në vijim:
“[...]
Gjykata, duke marrë parasysh argumentet e dy çështjeve kryesore në këtë rast, si ligjshmëria e transformimit dhe mos-diskriminimi gjatë procesit të transferimit të statusit të kësaj ndërmarrje, konkludon se një transformim i tillë nuk është kryer në përputhje me dispozitat ligjore dhe si i tillë transformimi, as atëherë e as tani, nuk mund të prodhojë efekte juridike.
Në këtë rast, gjykata vlerëson se ligjshmëria e transformimit të shoqërisë ishte vendimtare për plotësimin e kushteve të tjera të transformimit, siç është vlerësimi i kapitalit shoqëror të ndërmarrjes, vendimi për emetimin dhe shpërndarjen e aksioneve të brendshme, dëshmitë e pagesave të aksioneve nga aksionarët, cilat kushte nuk janë plotësuar, ose paditësi nuk ka arritur t’i dëshmojë vërtetuar gjatë procedurës me shkrim dhe në seancën dëgjimore. Statuti bazë dhe i gjithë dokumentacioni i subjektit të Bankës së Kosovës paraqesin bazën ligjore për konkludimin se ky subjekt është në pronësi shoqërore dhe duhet të trajtohet si ndërmarrje shoqërore.
Gjykata konsideron se shumica e transformimeve të mëdha, veçanërisht pas datës 22 mars 1989, ishin të pabazuara në ligjet pozitive dhe në kundërshtim me rendin juridik, kushtetues, sepse në atë kohë në institucionet publike dhe ndërmarrjet shoqërore në Kosovë ishin vendosur vetëm masat e dhunshme. Procedurat e ndërmarra për transformimin e subjektit në fjalë nga ndërmarrje shoqërore në shoqëri aksionare janë zhvilluar pas heqjes së autonomisë së ish-KSAK-ut dhe gjatë vendosjes së ligjeve diskriminuese nga ana e Republikës së Serbisë.
Gjykata gjithashtu vlerëson se pretendimi i paditësit se transformimi ligjor i shoqërisë nuk u shoqërua me diskriminim në baza nacionale dhe se masat e përkohshme dhe procedurat e mëvonshme të falimentimit u vendosën pas ndryshimit të statusit, pra pas transformimit të ndërmarrjes dhe themelimit të saj si shoqëri aksionare.
Në kohën kur pretendohet se ka ndryshuar statusi i ndërmarrjes, pra në vitin 1990, në institucione dhe ndërmarrjet shoqërore u futën masat e dhunshme dhe shumicës së punëtorëve shqiptarë iu ndërpre marrëdhënia e punës me dhunë, përkatësisht pa pëlqimin e tyre. Prandaj nuk mund të kishte asnjë transferim të ligjshëm dhe jo-diskriminues të ndërmarrjes në atë kohë, për sa kohë që punëtorët shqiptarë nuk merrnin pjesë në transferim dhe nuk respektohej vullneti i tyre. Sipas rregullave të përgjithshme për barrën e provës, pala duhet të dëshmojë faktet në mbështetje të pretendimit të saj (nenet 35.2.4 dhe 42.3 të Ligjit për Dhomën e Posaçme). Sipas këtyre rregullave, paditësi do të duhej të dëshmonte me prova përkatëse të gjitha fazat e procesit të transformimit, si dhe bazën juridike të këtij transformimi, e të cilën në këtë rast ai nuk arriti të dëshmojë një gjë të tillë.”
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson: (i) Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së ka konstatuar se parashtruesi i kërkesës nuk ka kaluar fazat ligjore të transformimit nga ndërmarrje shoqërore në shoqëri aksionare; (ii) Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së ka shpjeguar se në kohën kur parashtruesi i kërkesës pretendon se është transformuar në shoqëri aksionare është i paqëndrueshëm sepse atëbotë nuk ka ndodhur transformim i ligjshëm dhe jo-diskriminues i parashtruesit të kërkesës; (iii) Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së ka konstatuar se parashtruesi i kërkesës me asnjë provë përkatëse nuk ka provuar transformimin nga ndërmarrja shoqërore në shoqëri aksionare; (iv) Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së-në substancë-vlerësoi se parashtruesit të kërkesës i mungonte legjitimiteti procedural përkatësisht se nuk është transformuar në shoqëri aksionare.
Gjithashtu, Gjykata rikujton se Kolegji i Apelit i DHPGJS përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0174] të 13 janarit 2022, në kontekst të këtij pretendimi specifik të parashtruesit të kërkesës, kishte theksuar si në vijim:
“Siç është konstatuar me të drejtë nga kolegji i shkallës së parë të DHPGJS-së në aktgjykimin e ankimuar, paditësi nuk ka arritur të ofroj dëshmi se transformimi i Bankës Themelore NSH ‘Bankos” në shoqëri aksionare ka qenë i suksesshëm. Paditësi ka arritur të paraqes disa dëshmi me rastin e fillimit të procesit të transformimit në procesin e nisur të transformimit të këtij subjekti bankar, por ato dëshmi nuk janë të mjaftueshme dhe nuk dëshmojnë se i tërë procesi i privatizimit është kryer me sukses.
Kolegji i Apelit nënvizon se është i bazuar pohimi i AKP-së, i paraqitur në mbrojtjen ndaj padisë, se në procedurën e mëtutjeshme paditësi nuk ka paraqitur dëshmi mbi pagesat e brendshme, më pas mungojnë vërtetimet mbi pagesat ku shihet emri i investuesit, nuk ka evidenca për kontabilitetin, bilancin e gjendjes. Më tej, Kolegji i Apelit thekson se prona e kësaj banke është e evidentuar në librat kadastral si pronë shoqërore.”
Gjykata gjithashtu vëren se Kolegji i Apelit i DHPGJS përmes Aktvendimit [AC-I-13-0034] të 1 gushtit 2014, kishte konfirmuar Aktvendimin [C-III-12-2033] e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS me arsyetimin se pronat e përmendura nga parashtruesi janë të regjistruar në librat kadastrale si pronë shoqërore dhe se nuk ka pasur asnjë dëshmi se ka përfunduar transformimi i pronësisë tek parashtruesi i kërkesës.
Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se Kolegji i Specializuar dhe Kolegji i Apelit DHPGJS në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës.
Të njëjtat, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe kishin sqaruar se (i) Banka e Kosovës “Bankos” ka qenë ndërmarrje shoqërore para vitit 1990; (ii) transformimi i pretenduar i ndërmarrjes nga ana e parashtruesit të kërkesës nga ndërmarrja shoqërore në shoqëri aksionar nuk është kryer në përputhje me dispozitat ligjore dhe si i tillë transformimi, as atëherë e as tani, nuk mund të prodhojë efekte juridike; (iii) Statuti bazë dhe i gjithë dokumentacioni i subjektit të Bankës së Kosovës paraqesin bazën ligjore për konkludimin se ky subjekt është në pronësi shoqërore (iv) parashtruesi i kërkesës kishte dështuar që me prova përkatëse të dëshmoj të gjitha fazat e procesit të transformimit te pronësisë dhe bazën juridike të privatizimit; si dhe në fund (v) prona e kësaj banke është e evidentuar në librat kadastral si pronë shoqërore.
Gjykata vëren se DHPGJS në rastin e parashtruesit të kërkesës kishte analizuar gjerësisht provat e paraqitura dhe pretendimet e ngritura nga palët në procedurë, dhe në fund kishin refuzuar ankesën duke u bazuar në dispozitat përkatëse të Ligjit nr. 06/l-086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, që ajo i kishte konsideruar si relevante përkitazi me rrethanat e rastit konkret dhe me pretendimet thelbësore të ngritura nga parashtruesi i kërkesës.
Gjykata gjithashtu vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se DHPGJS gabimisht ka zbatuar ligjin material gjatë shqyrtimit dhe vendosjes në rastin e tij.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson “Pra, kur konstaton nëse transformimi është kryer në përputhje me Ligjin, Kolegji i Apelit zbaton të drejtën materiale e cila nuk mund të zbatohet në lidhje me parashtruesin e kërkesës. [...]
Ne këtë aspekt, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se “Zbatimi i gabuar i të drejtës materiale në dëm të parashtruesit të kërkesës ka sjellë deri tek shkelja e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, sepse të gjitha faktet dhe dëshmitë e parashtruara nga parashtruesi, Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës i ka vërtetuar gabimisht.”
Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet pjesës relevante të arsyetimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0174] të 13 janarit 2022, i cili në kontekst të këtij pretendimi specifik të parashtruesit të kërkesës, kishte theksuar si në vijim:
“Në këtë çështje statutore zbatohen ligjet të cilat i kanë miratuar tre ligjvënës të ndryshëm:
-Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit-AKP (Ligji Nr.94/L-034). Ky ligj përcakton rregullat dhe kushtet që transformimi të pranohet si i ligjshëm dhe i drejtë.
Rregullorja e UNMIK-ut 1999/24 për Ligjin në fuqi në Kosovë. Kjo rregullore do të plotësojë dispozitat e nenit 1.27 dhe nenit 5.4.1 të Ligjit për Agjencinë e Privatizimit dhe do të ndihmojë në identifikimin e një ligji të veçantë për transformimin, të cilin paditësi duhej ta respektonte. Në të vërtetë, neni 1.27 i Ligjit për DHPGJS-në ofron një përkufizim dhe kornizën kohore për njohjen e transformimit dhe neni 5.4.1. kërkon “ respektimin e plotë të ligjit sipas të cilit kryhet transformimi”. Por asnjë nga këto dy dispozita nuk e identifikon në mënyrë eksplicite ligjin(et) në fuqi për periudhën kohore nga 22 marsi 1989 deri më 12 dhjetor 1999. Prandaj duhet të përdoret teksti nga neni 1 i Rregullores 1999/24.
-Ligji për transformimin dhe shitjen e kapitalit shoqëror i botuar në “Gazetën Zyrtare të RSFJ-së” 46/1990. Në këtë ligj duhet të zbatohet teksti i përmendur. Ligjin origjinal me titullin e njëjtë e ka miratuar Kuvendi Federal i RSFJ-së dhe u publikua në Gazetën Zyrtare Federale 84/89. Ky ligj ishte pjesë e grupit të parë të ligjeve për privatizimin në Jugosllavi dhe synonte transformimin e pronës përmes mjeteve të prodhimit nga pronësia shoqërore në atë private. Ky ligj - i njohur si Ligji për Kapitalin Shoqëror - u ndryshua në vitin 1990 dhe versioni i ndryshuar u publikua në "Gazetën Zyrtare" Federale 46/1990. Të dyja versionet, origjinali dhe versioni i ndryshuar, u aplikuan pas afatit të cekur në nenin 1.1 të Rregullores së UNMIK-ut 1999/24, do të thotë pas 22 marsit 1989. Megjithatë, ligji përfshinte një çështje thelbësore - privatizimin - e cila nuk mbulohej nga asnjë ligj tjetër i miratuar para 22 marsit 1989. Përmbajtja e tij nuk është në asnjë drejtim diskriminuese dhe nuk bie ndesh me asnjë nga instrumentet juridike ndërkombëtare të përmendura në pikën 1.3 e të njëjtit nen. Për këtë arsye dhe në përputhje me pikën 1.2 e të njëjtit nen, do të zbatohet ky ligj.
Mirëpo, ky ligj – që kur është miratuar për herë të parë – është ndryshuar disa herë dhe kjo shtron pyetjen se cili version është në fuqi për këtë kontest. Në përgjithësi - transformimi i rregulluar me Ligjin për transformimin dhe shitjen e kapitalit shoqëror ishte një proces prej shumëshkallësh i cili realizohet me veprimet/hapat ligjor në vijim. Pra - në çdo veprim/hap, duhet të zbatohen dispozitat e versionit të ligjit në fuqi në kohën kur ka ndodhur veprimi/hapi dhe derisa këto dispozita të mos shkojnë përtej tekstit të Rregullores së UNMIK-ut 1999/24, nenet 1.2 dhe 1.3.
Ligji për Bankat dhe Organizatat e tjera Financiare (Gazeta Zyrtare e RSFJ-së nr.10/89, 40/89, 87/89 dhe 18/90)
Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (Ligji Nr.04/L-033). Me këtë ligj janë përcaktuar kompetencat e Dhomës së veçantë për zgjidhjen e kontesteve në lidhje me transformimin e ndërmarrjeve shoqërore.-
Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (Ligji Nr.06/L-086). Me këtë ligj janë përcaktuar kompetencat e Dhomës së veçantë për zgjidhjen e kontesteve në lidhje me transformimin e ndërmarrjeve shoqërore.”
Nga sa më sipër, Gjykata konsideron se Kolegji i Apelit me Aktgjykimin e kontestuar, ka dhënë arsye bindëse dhe të mjaftueshme duke shtjelluar në detaje bazën ligjore të aplikueshme mbi të cilën e ka mbështetur vendimin e saj, duke arsyetuar në mënyrë logjike se përse në rrethana të këtilla të parashtruesit të kërkesës aplikohen dispozitat ligjore të lartpërmendura.
Në këtë drejtim, Kolegji i Apelit i DHPGJS duke ju referuar rrethanave të rastit konkret arsyetoi se pse ligjet e lartpërmendura janë të aplikueshëm në rrethanat e rastit të parashtruesit, në kuptim të vlerësimit të ligjshmërisë së procesit të transformimit të pronësisë dhe statusit të pronës kontestuese. Në aktgjykimin e kontestuar të Kolegjit të Apelit të DHPGJS ekziston lidhja logjike ndërmjet bazës juridike, arsyetimit dhe konkluzave të nxjerra çka nënkupton se aktgjykimi i kontestuar i përmban të gjithë komponentët e një vendimi të arsyetuar.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës edhe më tutje mund të mos jetë i kënaqur me arsyetimin dhe bazën ligjore të zbatuar nga Kolegji i Apelit të DHPGJS. Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe theksoi se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjit, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih rastet e Gjykatës KI128/18, parashtrues: Limak Kosovo International Airport J.S.C., “Adem Jashari”, Aktvendim për papranueshmëri i 28 qershorit 2019, paragrafi 55; KI62/19, parashtrues: Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 19 dhjetorit 2019, paragrafët 56-57; KI110/19, parashtrues: Fisnik Baftijari, Aktvendim për papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, paragrafi 40).
Gjykata gjithashtu vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se “Me dispozitën e nenit 15 të Ligjit për Bankat dhe Organizatat e tjera Financiare (“Gazeta Zyrtare e RSFJ-së”, nr. 1 0/89, 40/89, 87/89 dhe 18/90) është rregulluar që banka fiton statusin e një person juridik me regjistrimin në regjistrin gjyqësor, me ç ‘rast krahas kërkesës për regjistrim parashtrohet edhe dokumentacioni tjetër i përcaktuar me ligjin në fjalë. Regjistrimi i Kosovska Banka d.d. në regjistrin gjyqësor është bërë në bazë të aktvendimit Fi-597/90 të datës 20 korrik 1990. Në aktvendimin Fi-597/90, në faqen e parë, ndër të tjera thuhet se Banka ka dorëzuar në Gjykatën Ekonomike të Qarkut në Prishtinë, edhe dëshminë se mjetet e paguara ishin fond themelues, ndërsa dhe listën e regjistrimit nr. 5 të vendimit thuhet: “Banka përgjigjet për detyrimet e themeluesve të investuara në fondin themelues dhe në fondet e tjera”. Bazuar në atë që tha më sipër, është më se e qartë se parashtruesi i kërkesës e ka dëshmuar bazën juridike dhe ligjore të transformimit, për të cilin gjykatat e rregullta pretendojnë në mënyrë të pabazuar dhe paushalle se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur ta dëshmojë!”
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se “Parashtruesi i kërkesës është transformuar si Bankë në shoqëri aksionare dhe jo si ndërmarrje në shoqëri aksionare! Dispozitat e Ligjit për Qarkullimin dhe Disponimin me Kapital Shoqëror, i cili është publikuar në "Gazetën Zyrtare të RSFJ-së ", nr. 84, të datës 22 dhjetor 1989, dhe "Gazetën Zyrtare të RSFJ-së", nr. 46 të datës 10 gusht 1990 , të cilat aplikohen nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me transformimin e ndërmarrjeve, kooperativave dhe organizatave të sigurimit. Dispozitat e Ligjit për Qarkullimin dhe Disponimin me Kapital Shoqëror nuk kishin të bëjnë me Bankat. Në këtë kuptim, zbatimi i gabuar i së drejtës materiale në dëm të parashtruesit të kërkesës ka sjellë deri tek shkelja e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke pasur parasysh se zbatimi i të drejtës materiale në këtë rast ka qenë arbitrar apo, për ta thënë me shprehje më të butë, diskriminues.”
Gjykata gjithashtu vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se “[...] të gjitha faktet dhe dëshmitë e parashtruara nga parashtruesi, Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës i ka vërtetuar gabimisht.”
Në lidhje me këtë, Gjykata vë në spikamë arsyetimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0174] të 13 janarit 2022, i cili në kontekst të këtij pretendimi specifik të parashtruesit të kërkesës, kishte theksuar si në vijim:
“Transformimi i paraparë me Ligjin e vitit 1990 për Transformimin dhe shitjen e kapitalit shoqëror ishte një proces i veçantë i privatizimit. Qëllimi kryesor ishte transformimi i ekonomisë nga ajo socialiste në atë të tregut. Për të vazhduar me qasjen shoqërore, ligjvënësi i atëhershëm iu mundësoi punëtorëve që të blinin aksione me çmim të privilegjuar/të volitshëm dhe në këste të gjata.
Këshilli i punëtorëve, i cili ka qenë organ drejtues i ndërmarrjes, e ka pasur kompetencën ekskluzive që të vendos nëse procesi i privatizimit do të niste përmes transformimit. Megjithatë, si palë në privatizim, Këshilli i punëtorëve nuk kishte autorizime të vendos për vlerën e kapitalit të cilin ata donin ta blinin duke i ndarë aksionet. Prandaj, ligjvënësi Federal i ish-RSFJ-së miratoi nenin 4 të Ligjit për transformimin dhe shitjen e kapitalit shoqëror (Gazeta Zyrtare) RSFJ 46/1990. Sipas kësaj dispozite, Këshilli i punëtorëve me rastin e vendosjes për transformimin do të fillojë nga vlera e përllogaritur e kapitalit shoqëror. Kjo vlerë do të krijohej nga organizata e autorizuar me ligj. Kjo organizatë-agjenci përmendet në nenin 2 të të njëjtit ligj. Agjencia kishte autoritetin të caktonte një trup për të kryer një vlerësim aktual të kapitalit të ndërmarrjes dhe më pas ta miratonte atë. Nga të gjitha aktvendimet dhe aktet e tjera të cilat paditësi i ka paraqitur si dëshmi, si dhe nga Aktvendimi i Gjykatës Ekonomike të Qarkut në Prishtinë për regjistrimin Fi.597, është e qartë se një vlerësim i tillë i kapitalit shoqëror nuk është paraqitur.
Prandaj, mund të konkludohet se vendimet gjyqësore për regjistrimin e këtij subjekti financiar në regjistrat gjyqësor, nuk kanë efekt obligativ dhe mund të kontestohen siç e ka bërë në rastin konkret AKP-ja. Me aktvendimin për regjistrim nuk konstatohen parregullsitë të cilat janë krijuar në procesin e transformimit, pa marrë parasysh nëse gjykata e ka ditur për to apo jo. Çështjen e mungesës së vlerësimit të kapitalit shoqëror e ka marrë parasysh edhe gjykata e shkallës së parë, ndërsa këtë çështje e ka iniciuar edhe e paditura. Është e qartë se në këtë rast nuk janë zbatuar nenet 2-8 të Ligjit për transformimin dhe shitjen e kapitalit shoqëror, me të cilin agjencia e specializuar është themeluar si organi i vetëm kompetent për vlerësimin e kapitalit. Për shkak të mungesës së vlerësimit të kapitalit shoqëror të paraparë me ligj, të gjitha veprimet të cilat kanë ndodhur në procesin e filluar të transformimit, përfshirë edhe vendimin e mëvonshëm të Gjykatës Ekonomike të Qarkut në Prishtinë, Vendimi nr.Fi597/90 i datës 20.07.1990, për regjistrimin e transformimit, do të konsiderohen pa efekt juridik. Kolegji i Apelit gjen se ky lëshim juridik përcakton vlefshmërinë e tërë procesit të transformimit të NSH-së Banka Themelore “Bankos”, në shoqëri aksionare. Transformimi është proces shumë shkallësh me ç ‘rast vlefshmëria e secilit hap përcaktohet gjithashtu edhe me vlefshmërinë e hapave të mëparshëm. Mos-suksesi në një fazë e bën të gjithë procesin të pavlefshëm madje edhe nëse nuk ka pasur mos-suksese të tjera.”
Gjykata vëren se DHPGJS në rastin e parashtruesit të kërkesës kishte analizuar gjerësisht provat e paraqitura dhe pretendimet e ngritura nga palët në procedurë, dhe në fund parashtruesi i kërkesës kishte dështuar që të provoj para DHPGJS se i tërë procesi i privatizimit ishte kryer me sukses dhe në fund sipas konstatimeve të DHPGJS rezulton se prona e kësaj banke është e evidentuar në librat kadastral si pronë shoqërore.
Në dritën e trajtimeve të mësipërme, Gjykata ve theksin në qëndrimin e saj të përgjithshëm se vërtetimi i plotë i gjendjes faktike dhe aplikimi i drejtë i ligjit është detyrë parësore dhe brenda juridiksionit të gjykatave të rregullta (çështje e ligjshmërisë). Prandaj, Gjykata Kushtetuese nuk mund te veproje si "gjykatë e shkallës se katërt" (shih, mutatis mutandis, rastin e Gjykatës Kushtetuese KI86/21, parashtrues Mirsad Bilbani, Aktvendim për papranueshmëri i 30 marsit 2022; si dhe rastin KI86/11, parashtrues i kërkesës Milaim Berisha, Aktvendim për papranueshmëri i 5 prillit 2012).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e së drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, rastin e GJEDNJ-së: García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura atje; dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës: KI128/18, të cituar më lart, paragrafi 56; dhe KI62/19, të cituar më lart, paragrafi 58).
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon pronësinë mbi Banka Themelore “Bankos” me arsyetimin se është themeluar si shoqëri aksionare dhe se transformimi është kryer në përputhje me dispozitat ligjore, ku, sipas DHPGJS pronat e përmendura nga parashtruesi janë të regjistruar në librat kadastrale si pronë shoqërore dhe se nuk ka pasur asnjë dëshmi se ka përfunduar transformimi i pronësisë tek parashtruesi i kërkesës në mënyrë të suksesshëm dhe të ligjshme.
Gjykata vëren se të gjitha vendimet DHPGJS ofruan arsyetime përkatëse lidhur me refuzimin e ankesës së parashtruesit të kërkesës, duke konstatuar se parashtruesi i kërkesës kishte dështuar të ofroj dëshmi se transformimi i Bankës Themelore ‘Bankos” në shoqëri aksionare ka qenë i suksesshëm.
Gjykata rikujton se neni 46 i Kushtetutës nuk garanton të drejtën për fitimin e pronës. Një qëndrim i tillë mbështetet katërcipërisht në praktikën e GJEDNJ-së (shih, rastin e GJEDNJ-së, Van der Mussele kundër Belgjikës, nr. 8919/80, paragrafi 48, Aktgjykim i GJEDNJ-së, i 23 nëntorit 1983, dhe Slivenko dhe të tjerët kundër Letonisë, nr. 48321/99, paragrafi 121, Aktgjykim i GJEDNJ-së, i 9 tetorit 2003). Në fakt, neni 46 i Kushtetutës garanton të drejtën e pronës, por kjo e fundit nuk është e drejtë absolute dhe iu nënshtrohet kufizimeve. Në rastin konkret, gjykatat e rregullta kanë shpjeguar kufizimet e pronës dhe pronësinë e pronës kontestuese në raport me kërkesën e parashtruesve të kërkesës.
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës që ankohet për një ndërhyrje në një nga të drejtat e tij/saj pronësore duhet të tregojë fillimisht se një e drejtë e tillë ekzistonte (shih, rastin e GJEDNJ-së, Pištorová kundër Republikës Çeke, nr. 73578/01, Aktgjykim i 24 tetorit 2004, paragrafi 38).
Prandaj, parashtruesi i kërkesës mund të pretendojë shkelje të nenit 46 të Kushtetutës vetëm për aq sa vendimet e kontestuara kanë të bëjnë me “pronën” e tij. Brenda kuptimit të kësaj dispozite, “pronë” mund të jetë “pasuria ekzistuese”, duke përfshirë edhe pretendimet në bazë të të cilave parashtruesit e kërkesës mund të pretendojnë “pritshmëri legjitime” që do të fitojnë gëzimin efektiv të ndonjë të drejte pronësore (shih, rastet e Gjykatës KI26/18, parashtruesi i kërkesës “Jugokoka” Aktvendim për papranueshmëri, i 6 nëntorit 2018, paragrafi 49, dhe rastin KI156/18, parashtrues i kërkesës Verica (Aleksić) Vasić dhe Vojislav Čađenović, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 korrikut 2019, paragrafi 52).
Në dritën e fakteve të mësipërme, Gjykata e konsideron të nevojshme të vë në pah se parashtruesit të kërkesës i është mundësuar zhvillimi i procedurës bazuar në parimin e kontradiktoritetit; se ai ka mundur që gjatë fazave të ndryshme të procedurës të paraqet argumente dhe dëshmi që ai i ka konsideruar të rëndësishme për rastin e tij; dhe se të gjitha argumentet, shikuar objektivisht, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit të tij janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat; se arsyet faktike e ligjore ndaj vendimeve të goditura ishin shtruar hollësisht; dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit, procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta. Si rrjedhojë, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës ka gëzuar garancitë procedurale të ngërthyera në konceptin e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm (shih, mutatis mutandis, ndër të tjera, rastin e Gjykatës KI118/17, parashtrues Sani Kervan dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 shkurtit 2018, paragrafi 35; po ashtu shih rastin e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 29).
Gjykata, në fund, gjithashtu thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GJEDNJ-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Si përfundim, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur me prova pretendimet e tij për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë, sepse argumentet e paraqitura nga ai në asnjë mënyrë nuk tregojnë që gjykatat e rregullta i kanë mohuar atij të drejtat e garantuara me nenin 31 dhe 46 të Kushtetutës, siç pretendohet nga parashtruesi i kërkesës.
Bazuar në sa më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Kërkesa për masë të përkohshme
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës, gjithashtu kërkon nga Gjykata që të nxjerrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme përkitazi me pezullimin e Aktgjykimit [AC-I-21-0174] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS, të 13 janarit 2022.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës thekson/kërkon të “Miratohet masa e përkohshme, e cila i ndalon Agjencisë Kosovare të Privatizimit çdo shitje dhe çdo disponim tjetër me pronën e Kosovska Banka d.d. në falimentim, Beograd deri në përfundimin e procedurës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila është nisur me iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit nr. AC-I-21-0174 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit , të datës 13 janar 2022.”
Megjithatë, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale të pranueshmërisë.
Prandaj, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit dhe pikën (a) të paragrafit (4) të rregullit 57 (Vendimi për masë të përkohshme) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit të kërkesës për masë të përkohshme duhet të refuzohet, sepse e njëjta nuk mund të jetë objekt shqyrtimi, pasi kërkesa të deklarohet e papranueshme. (Shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës: KI107/19, me parashtrues Gafurr Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri i 21 prillit 2020, paragrafët 88-90; KI159/18, me parashtrues Azem Duraku, Aktvendim për papranueshmëri i 6 majit 2019, paragrafët 89-91; KI19/19 e KI20/19, parashtrues Muhamed Thaqi dhe Egzon Keka, Aktvendim për papranueshmëri i 26 gushtit 2019, paragrafët 53-55; dhe KI211/19, cituar më lart, paragrafi 83).
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 20, 27 të Ligjit dhe rregullat 39 (2), 57 dhe 59 (b) të Rregullores së punës, më 23 maj 2023, me shumicë
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me
nenin 20.4 të Ligjit;
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka - Nimani
“Kosovska Banka” DD Beograd
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile, Administrative