Prishtinë, më 26 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2369/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI30/22
Parashtrues
Ali Aliu
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 71/2021, të 28 korrikut 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Ali Aliu (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), me vendbanim në Prishtinë, i cili përfaqësohet nga Isamedin Dedinca, avokat në Komunën e Prishtinës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [ARJ-UZVP. nr. 71/2021], të 28 korrikut 2021, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në lidhje me Aktgjykimin [AA. UZH. nr. 85/2021] të 19 prillit 2021, të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [AU. nr. 1578/2017 ] të 4 dhjetorit 2020, të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 2 dhjetor 2021.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj), dhe nenin 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: DUDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 4 mars 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij përmes postës, të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi më 7 mars 2022.
Më 11 mars 2022, Gjykata e njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 11 mars 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi informata lidhur me datën e pranimit të Aktgjykimit të kontestuar nga parashtruesi i kërkesës.
Më 11 mars 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme dhe Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për regjistrimin e kërkesës dhe iu dërgoi një kopje të saj në pajtim me Ligjin.
Më 15 mars 2022, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë dosjen e plotë të lëndës duke përfshirë edhe fletëkthesën e kërkuar.
Më 16 mars 2022, Kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani, caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi - gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 22 janar 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në Universitetin e Prishtinës – Fakultetit i Mjekësisë si Asistent për lëndën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, mbi bazë të kontratës së punës nga 1 tetori 2006 deri më 30 shtator 2007.
Parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratën e punës me punëdhënësin [Nr. 587] në bazë të nenit 3.1/ (c) të Rregullores mbi Shërbimin Civil të Kosovës nr. 2001/36, Udhëzimin Administrativ mbi procedurat e kontratave nr. 2003/2, nenin 26.4 të Ligjit mbi Arsimin e Lartë të Kosovës si dhe nenet 176, 180 dhe 186 (3) të Statutit të Universitetit të Prishtinës. Kjo kontratë përcaktonte kohëzgjatjen e marrëdhënies së punës prej 1 tetorit 2006 deri më 30 shtator 2007, si dhe përcaktonte se “kontrata mund të mos përtërihet me rastin e skadimit të afatit të kësaj kontrate”.
Më 11 tetor 2007, Universiteti i Prishtinës, duke u bazuar në nenin 35.1 të Rregullores nr. 2001/36 mbi Shërbimin Civil të Kosovës, nxori Vendimin [nr. 2/355] përmes të cilit nuk ua vazhdoi marrëdhënien e punës një numri të caktuar të asistentëve, duke përfshirë edhe parashtruesin e kërkesës, si rezultat i “moszgjidhjes nga ana e Senatit, përkatësisht skadimit të kontratës së punës personelit akademik të Universitetit të Prishtinës”.
Më 1 shkurt 2008, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Universitetin e Prishtinës me kërkesën që edhe më tutje të mbetet në thirrjen asistent për lëndën Gjinekologji me Obstetrikë në Fakultetin e Mjekësisë.
Më 6 tetor 2008, Senati i Universitetit të Prishtinës, duke u bazuar në nenin 180, pika (1) të Statutit të Universitetit të Prishtinës refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se “[...] ankesa nuk është e bazuar pasi kandidati është i moshës mbi 60 vjeçare, nuk e ka titullin e doktorit të shkencës, prandaj nuk ka të drejtë që të zgjidhet në thirrjen e asistentit konform dispozitave të Statutit të Universitetit që kanë të bëjnë me zgjedhjen e personelit akademik”.
Procedura e parë zhvilluar pranë KPMSHCK-së
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPMSHCK).
Më 18 mars 2008, KPMSHCK nxori vendimin [Nr. 1074/08] përmes të cilit refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si ligjërisht të pabazuar.
Më 4 korrik 2008, parashtruesi i kërkesës ngriti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të cilën e precizoi më 10 nëntor 2016, ku kërkoi anulimin e Vendimit [Nr. 1074/08] të KPMSHCK-së–së të 18 marsit 2008, duke pretenduar se (i) provat janë vlerësuar në mënyrë të gabuar në kundërshtim me “lirinë e çmuarjes së provave”, (ii) vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe (iii) aplikim të gabuar të të drejtës materiale, me propozimin që të anulojë vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës si dhe të obligoj organin punëdhënës që t’ ia paguaj kompensimin në vlerë prej 18,985.00 euro (tëmbëdhjetëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e pesë euro) për periudhën 1 tetor 2007 deri në kohën kur është pensionuar, me kamatë ligjore prej tetë përqind (8%).
Më 5 dhjetor 2016, KPMSHCK para Gjykatës Themelore kontestoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës duke theksuar se vendimi i saj ishte i bazuar në pajtim me nenin 35.1 pika b) të Urdhëresës Administrative 2003/2, si dhe Udhëzimit Administrativ të PMP-MSHP/DASHC 2003/02 të Procedurave të Kontratave.
Më 7 dhjetor 2016, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 793/15] vendosi si në vijim:
APROVOHET si e bazuar kërkesëpadia e paditësit Ali Aliu nga Prishtina.
ANULOHET vendimi i të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil të Kosovës (KPMSHCK), Nr. 1074/08 i datës 18.03.2008 dhe çështja i kthehet të paditurës në rishqyrtim dhe rivendosje.
Secila palë i bart shpenzimet e veta procedurale”.
Gjykata Themelore, duke aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, anuloi Vendimin [Nr. 1074/08] e KPMSHCK-së, të 18 marsit 2008, dhe e ktheu rastin në rivendosje me arsyetimin se vendimi i kontestuar [Nr. 1074/08] ishte nxjerr në kundërshtim me nenin 85, dhe paragrafin 4 të nenit 84 të Ligjit për Procedurën Administrative, për shkak se nuk ishin reflektuar konstatimet faktike, provat, baza ligjore dhe arsyetimi ligjor mbi të cilin ishte nxjerr vendimi për refuzimin e ankesës së parashtruesit të kërkesës.
Gjykata Themelore, ndër të tjera, kishte theksuar se “e paditura nuk ka sqaruar fare, nëse e ka shqyrtuar dhe vlerësuar kontratën e punës së paditësit, në të cilën përveç tjerash në pikën 11 të saj, përcaktohet se: "para përfundimit të kësaj kontrate, udhëheqësi e bën vlerësimin e punës së punëtorit lidhur me vazhdimin e kontratës duke pasur parasysh punët dhe detyrat e punës të parapara me Rregulloren mbi Sistematizimin dhe Përshkrimin e Vendeve të Punës”.
Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit të saj përfundimisht vlerësoi se (i) punëdhënësi nuk e ka vlerësuar performancën e punës së parashtruesit të kërkesës, por në mënyrë arbitrare i ka ndërprerë marrëdhënien e punës, pavarësisht që parashtruesi i ka plotësuar kushtet për vazhdimin e kontratës; dhe (ii) punëdhënësi ka qenë i obliguar t’ ia vazhdoj kontratën parashtruesit të kërkesës në kuptim të pikës 2 të nenit 78 të Statutit të Universitetit të Prishtinës [nr. 03-255] të 23 tetorit 2000.
Më 23 janar 2017, KPMSHCK paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [A. nr. 793/15] të Gjykatës Themelore të 7 dhjetorit 2016, duke pretenduar aplikim të gabuar të të drejtës materiale sepse “Gjykata Themelore/Departamenti për çështje Administrative në rastin konkret nuk ka marr për bazë nenin 35, paragrafi 35.1 pika b) të Urdhëresës Administrative NR. 2003/2 Zbatim i Rregullores së Unmik-ut nr. 2001/36 Mbi Shërbimin Civil të Kosovës ku thuhet se: 35 Punësimi në Shërbimin civil përfundon automatikisht: (b) pas skadimit të kontratës së punësimit nëpunësit civil; si dhe të Udhëzimit Administrativ 2003/2, për procedurat e kontratave hapi 6 dhe 6 a ku thuhet se: Kontrata do të përfundoj në fund të periudhës së kontratës, nëse nuk përtërihet. Andaj në bazë të kontratës së punës së datës 16.2.2007, ankuesit i ka përfunduar marrëdhënia e punës me datën 30.09.2007, dhe në bazë të dispozitave ligjore në fuqi marrëdhënia e punës ka përfunduar me skadimin e kontratës së punës sipas dispozitave ligjore në fuqi”.
Më 14 qershor 2017, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [A. A. nr. 77/2017] refuzoi ankesën e KPMSHCK-së dhe konfirmoi Aktgjykimin [A. nr. 793/15] e 7 dhjetorit 2016, me arsyetimin se “Vendimi i KPMSHCK, nuk është i plotë në drejtim të vërtetimit të gjendjes faktike sipas pretendimeve ankimore të ankuesit në KPMSHC-së, nuk janë konkretizuar dhe vërtetuar në baza ligjore faktet vendimtare sipas objektit të shqyrtimit të çështjes dhe pretendimeve në ankesë, që ishte anulimi i vendimeve të organit të punësimit të UP dhe dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, në bazë të cilit ankuesit nuk i kishte vazhduar kontrata e punës e që organi i punësimit kishte vepruar në kundërshtim të nenit 78 al.2 të Statutit të UP”.
Më 31 gusht 2017, parashtruesi i kërkesës përmes një parashtrese, duke iu referuar Aktgjykimit [A. nr. 793/15] të 7 dhjetorit 2016 të Gjykatës Themelore, i propozoi KPMSHCK-së që “të veproj konform Aktgjykimit të formës së prerë dhe në lidhje me vendimin meritor të njoftohet përfaqësuesi i autorizuar Isamedin Dedinca, avokat nga Prishtina sipas adresës së lartcekur”.
Procedura e dytë e zhvilluar në KPMSHCK
Më 11 tetor 2017, KPMSHCK në procedurën e rivendosjes nxori Vendimin [A/02/17/2017] përmes së cilit refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar me arsyetimin se (i) kontrata e punës së parashtruesit të kërkesës kishte përfunduar më 30 shtator 2007; si dhe (ii) parashtruesi nuk mund t’ iu referohet dispozitave të Statutit të Universitit të Prishtinës së 23 tetorit 2000 për ripërtëritje të kontratës së punës meqë nuk është i aplikueshëm sepse tashmë në fuqi është Statuti i 15 korrikut 2004.
KPMSHCK përmes vendimit [A/02/17/2017] duke iu referuar gjendjes faktike kishte theksuar se “Kolegji për shqyrtimin e ankesave, ka konstatuar se themelimi i marrëdhënies së punës, përfundimi dhe ndërprerja e marrëdhënies së punës në kohën kur ankuesi Ali Aliu, ka qenë i punësuar në Universitetin e Prishtinës është bërë mbi bazë të Udhëzimit Administrativ, 2003/02, Urdhëresës Administrative nr. 2003/2 zbatim i Rregullores së UNMIK-UT nr. 2001/36 mbi Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe të Udhëzimit Administrativ 2003/2 të MSHP/DASHC, për Procedurat e kontratave, andaj kolegji për shqyrtimin e ankesave ka konstatuar se ankuesit i ka përfunduar marrëdhënia e punës në bazë të kontratës së punës sipas dispozitave ligjore në fuqi”.
Më 18 tetor 2017, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore duke kërkuar anulim të vendimit [A/02/17/2017] të KPMSHCK-së të 11 tetorit 2017.
Më 26 tetor 2018, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 1758/17] vendosi si në vijim:
“I. APROVOHET kërkesëpadia e paditësit, Ali Aliu nga Prishtina, ndërsa ANULOHEN vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me numër AJ/02/17/2017 i dt. 12.10.2017 si dhe vendimi i Universitetit të Prishtinës nr.2/592 dt.06.10.2008, si e bazuar.
II. DETYROHET Universiteti i Prishtinës, që paditësit Ali Aliu në kompensimin e pagave periudhën nga dt.01.10.2007 deri më dt.20.12.2012, në bruto paga prej 15,967.86, në neto për paditësin në shumën 14.763.07 euro, 798.39 euro, kontribute pensionale për trustin pensional që duhet të paguar për punëtorin dhe tatimin në paga që duhet të paguaj në dobi të buxhetit të Kosovës shumën 406.40 euro si dhe interesin për punëtorin në vlerën 1.448.86 euro, krejt kjo në afatin prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, nën pasojat e përmbarimit me detyrim.
III. Ky Aktgjykim i zëvendëson aktet e anuluara”.
Gjykata Themelore përmes vendimit të saj vlerësoi se (i) KPMSHCK në procedurën e rivendosjes nuk kishte vepruar sipas Aktgjykimit [A. nr. 793/15] të Gjykatës Themelore të 7 dhjetorit 2016; (ii) KPMSHCK kishte dështuar të vlerësojë në mënyrë të drejtë se punëdhënësi në rastin e parashtruesit të kërkesës kishte vepruar në kundërshtim me paragrafin 4, pika a) dhe pikat 5 a) 1 dhe 5 a) 2 dhe 5 a) 3 të Udhëzimit Administrativ nr. 2003/2 dhe nenin 2 të Udhëzimit Administrativ; si dhe (iii) punëdhënësi nuk ka zbatuar në mënyrë të drejtë procedurën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës, meqë nuk kishte vepruar sipas pikës 11 të Rregullores mbi Sistematizimin dhe Përshkrimin e Vendeve të Punës.
Më 18 dhjetor 2018, Universiteti i Prishtinës ushtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [A. nr. 1758] të 26 tetorit 2018, për shkak të konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimi të gabuar të të drejtës materiale. Në ankesën drejtuar Gjykatës së Apelit, Universiteti i Prishtinës theksoi se “Senati i Universitetit të Prishtinës, në lidhje paditësin në fjalë, i cili ka qenë në marrëdhënie të punës me të paditurën si Asistent në Fakultetin e Mjekësisë sipas kontratës nr. 587 dt: 2.3.2007, e cila kontratë është lidhur për afat të caktuar nga data 01 tetor 2006 deri më 30 shtator 2007, ku Senati i UP-së, në atë periudhë ju kishte dhënë mundësi të gjithë asistenteve që të jenë në zbatim të Statutit të paktën të regjistrojnë studimet e doktoratës, si e parasheh pika 2 e nenit 185 të Statutit të UP-së, të vitit 2004 i cili ka qenë në fuqi në atë periudhë. Meqenëse disa nga asistentët e po ashtu edhe paditësi nuk ka pasur gradën e doktorit të shkencës në atë periudhë, Senati i UP-së të gjithë kësaj kategorie, të cilëve ju kishte përfunduar kontrata e punës dhe nuk kishin arritur që të kenë gradën e doktorit të shkencës, kishte marrë vendim që mos t’ ju vazhdoj më kontrata dhe të ‘njëjtit nuk mund të rizgjidhen përsëri në atë thirrje”. Duke ditur faktin së statuti i UP-së i vitit 2004 ka hyrë në fuqi nga dita e ratifikimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. ref. 3118 datë 05.7.18 dhe me hyrjen në fuqi të këtij Statuti, kanë pushuar të gjitha dispozitat e statutit të përkohshëm të datës 23 tetor 2000”.
Më 21 shtator 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA. nr. 26/2019] aprovoi ankesën e Universitetit të Prishtinës dhe prishi Aktgjykimin [A. nr. 1758/2017] e Gjykatës Themelore të 26 tetorit 2018, duke kthyer rastin në rivendosje në shkallë të parë, me arsyetimin se vendimi i kontestuar (i) ishte nxjerr në shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore; si dhe (ii) kishte mungesë arsyetimi ligjore.
Gjykata e Apelit sqaroi se parashtruesi i kërkesës kishte kontratë me afat të caktuar, respektivisht prej 1 tetorit 2006 deri më 30 shtator 2007; dhe sipas nenit 35.1 b) të Udhëzimit Administrativ 2003/2, parashtruesit të kërkesës i kishte përfunduar kontrata dhe rrjedhimisht nuk kishte përmbushur kriterin për thirrjen asistent.
Më 25 nëntor 2020, parashtruesi i kërkesës përmes padisë iu drejtua Gjykatës Themelore, duke pretenduar se “çështja e ligjshmërisë respektivisht të drejtës së tij është çështje e gjykuar dhe përbën RES JUDICATA, pasi që lidhur me këtë çështje Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë A nr.793/15 të datës 07.12.2016 është i formës së prerë në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës A nr.77/2017 të datës 14.06.2017”.
Parashtruesi i kërkesës në fund i propozoi Gjykatës Themelore që kërkesëpadinë “ta miratoj si të bazuar si në precizimin e kërkesëpadisë, ashtu që arsyetimin e aktgjykimit ta bazoj në Aktgjykimin e formës së prerë, pasi që çështja e ligjshmërisë respektivisht të drejtës së paditësit është vendosur një herë dhe përgjithmonë me Aktgjykimin Gjykatës Themelore në Prishtinë e A.nr.793/15 të datës 07.12.2016 i cili është bërë i formës së prerë në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës A nr.77/2017 të datës 14.06.2017”.
KPMSHCK paraqiti në Gjykatën Themelore përgjigjen kundër padisë së parashtruesit të kërkesës. Ndërsa, Universiteti i Prishtinës para Gjykatës Themelore deklaroi se “kërkesëpadia e paditësit nuk ka bazë ligjore për këtë aprovim duke pasur parasysh faktin që jo vetëm paditësi por edhe 120 persona tjerë janë të atakuar me të njëjtin vendim të Senatit të UP-së, përkatësisht me vendim 2355 dt.11.10.2007 ku të gjithë atyre që ju ka përfunduar kontrata nuk e kanë përmbush kriterin e doktoratës e paditura nuk ka vazhduar kontratën e re, prandaj kërkoj që mbi këtë bazë gjykata të refuzoj kërkesëpadinë e paditësit si të pabazuar”.
Më 4 dhjetor 2020, Gjykata Themelore në rivendosje përmes Aktgjykimit [A. nr. 1758/2017] refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar me arsyetimin se parashtruesit të kërkesës i kishte përfunduar kontrata më 30 shtator 2007 dhe sipas saj “nuk e kishte plotësuar kriterin e doktoratës mbi këtë bazë punëdhënësi me asnjë dispozitë ligjore nuk ka mundur të obligohet që të vazhdohet kontrata e punës. Kjo për arsye që të drejtat dhe obligimet nga lëmia e punës zgjasin aq sa zgjat afati i kontratës”.
Gjykata Themelore përmes të njëjtit Aktgjykim gjithashtu sqaroi se “[...] me skadimin e kontratës së paditësit punëdhënësi nuk ka pasur ndonjë obligim ligjor për vazhdimin e saj. Prandaj, pretendimet e paditësit nga të gjitha arsyet e lartcekura nuk kanë më ndikim në një vendosje tjetër”.
Më 29 dhjetor 2020, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesën në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [A. nr. 1758/2017] të Gjykatës Themelore të 4 dhjetorit 2020, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, duke kërkuar që aktgjykimi i kontestuar të ndryshohet në favor të parashtruesit të kërkesës.
Më 19 prill 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA. nr. 85/2021] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin [A. nr. 1758/2017] e Gjykatës Themelore, të 4 dhjetorit 2020, me arsyetimin se në mënyrë të drejtë ishin aplikuar dispozitat ligjore dhe se gjendja faktike është vërtetuar drejt, meqë kontrata e parashtruesit të kërkesës kishte përfunduar më 30 shtator 2007.
Më 2 qershor 2021, parashtruesi i kërkesës kundër aktgjykimit të lartcekur paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore dhe shkelje të së drejtës materiale me propozimin që të prishet aktgjykimi i kontestuar dhe rasti të kthehet në rigjykim.
Më 28 korrik 2021, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ-UZVP. nr. 71/2021] refuzoi kërkesën e parashtruesit si të pabazuar, duke konfirmuar konstatimet e gjykatave të rregullta se parashtruesit të kërkesës i kishte përfunduar kontrata më 30 shtator 2007 dhe sipas saj “i njëjti nuk ka plotësuar kushtin për doktoraturë, punëdhënësi nuk ka pasur për obligim për zgjatje të kontratës, meqë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë nga marrëdhënia e punës zgjasin deri në skadimin e kontratës”.
Gjykata Supreme ndër të tjera sqaroi se “me nenin 35.1(b) të Udhëzimit Administrativ nr. 2003/2, është parashikuar që puna në shërbimin civil ndërpritet automatikisht me skadimin e kontratës së punës. Në rastin konkret paditësit i ka skaduar kontrata e punës me datën 30.09.2007” .
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi [ARJ-UZVP. nr. 71/2021] i 28 korrikut 2021 i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara përmes nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës, specifikisht pretendon (i) shkelje të së drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor për shkak të aplikimit të gabuar të ligjit dhe (ii) shkelje të parimit të sigurisë juridike.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon se kontrata e punës, me Universitetin e Prishtinës, e cila i kishte përfunduar më 30 shtator 2007, do duhej të vazhdohej në bazë të nenit 78 të Statutit të Universitetit të Prishtinës të 23 tetorit 2000.
Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës pretendon se punëdhënësi në kundërshtim me nenin 78 të Statutit të Universitetit të Prishtinës ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta “nuk kanë dhënë arsyetim se mbi cilën bazë paditësi është dashur që ta plotësoj kriterin e doktoratës, ndërsa në bazë të provave është vërtetuar fakti se paditësi ka lidhur kontratën e punës me të paditurin UP-në në bazë të statutit të UP-së të vitit 2000 dhe mbështetur në dispozitën e nenit 78 al.2 të statutit ku parashihet se “secilit profesor të cilit i është përsëritur emërimi dhe secilit anëtar të stafit që arrin moshën 55 vjeçare do të mbaj emërimin e vet deri në moshën 66 vjeçare”.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se e “ka fituar të drejtën që të mbaj emërimin deri në moshën 65 vjeçare pasi që ky statut ka qenë në fuqi deri në vitin 2004 dhe se parashtruesi në atë kohë i kishte 57 vjeç, pra sipas tij parashtruesi e ka arritur moshën 55 gjatë kohës sa ishte në fuqi Statuti që d.m.th. se mbi këtë bazë automatikisht e ka arritur moshën 55 vjeçare gjatë kohës sa ishte në fuqi Statuti që d.m.th. mbi këtë bazë automatikisht e ka fituar të drejtën që t’ i vazhdohet kontrata deri në moshën 65 vjeçare”.
Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit nuk i ka trajtuar fare pretendimet e parashtruesit të kërkesës, se çështja e parashtruesit dhe e drejta e tij që t’i vazhdohet kontrata deri në moshën 65 vjeçare është konstatuar njëherë në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore [A. nr. 793/2015] të 7 dhjetorit 2016 i cili është bërë i formës se prerë në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [A. A. nr. 77/2017] i 14 qershorit 2017.
Parashtruesi i kërkesës tutje pretendon se Gjykata e Apelit nuk ka dhënë asnjë arsyetim se përse Gjykata e shkallës së parë e po ashtu edhe Gjykata e Apelit tani e kishin ndryshuar qëndrimin e tyre juridik në krahasim me vlerësimin e bërë njëherë në Aktgjykimin e 7 dhjetorit 2016 dhe Aktgjykimin e 14 qershorit 2017 – meqë nuk kishte asnjë provë tjetër që të vendosin në kundërshtim me qëndrimin dhe vlerësimin e tyre të mëparshëm.
Parashtruesi i kërkesës thekson se, Gjykata Supreme me rastin refuzimit të kërkesës së parashtruesit në mënyrë arbitrare ishte bazuar në nenin 35.1 UA 2003/2 duke mos i trajtuar fare pretendimet e parashtruesit të cilat i kishte paraqitur dhe në këtë mënyrë ka shkaktuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës.
Në vazhdim, parashtruesi i kërkesës thekson se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme ka dështuar që t’ i trajtojë pretendimet e tij të ngritura në kërkesën e tij “se mbi cilën bazë parashtruesit të kërkesës i është dashur të plotësoj kriterin e doktoratës si dhe pretendimit se në bazë të nenit 87. al. 2 të Statutit ku parashihet se “secilit profesor të cilit i është përsëritur emërimi dhe secilit anëtar të stafit që arrin moshën 55 vjeçare do të mbaj emërimin e vet deri në moshën 65 vjeçare” paditësi e ka fituar të drejtën që të mbaj emërimin deri në moshën 65 vjeçare pasi që ky statut ka qenë në fuqi deri në vitin 2004 dhe se paditësi në këtë kohë i kishte 57 vite, pra paditësi e ka arritur moshën 55 vjeçare gjatë kohës sa ishte në fuqi Statuti, që d.m.th. se mbi këtë bazë automatikisht e ka fituar të drejtën që të vazhdohet kontrata deri me moshën 65 vjeçare”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se “Gjykata Supreme nuk ka dhënë sqarime në pretendimet e paditësit se gabimisht janë zbatuar dispozitat e nenit 35.1 të Udhëzimit Administrativ 2003/2 pasi që paditësi bënë pjesë në stafin akademik të Universitetit të Prishtinës dhe për këtë kategori kontrata e punës, të drejtat, detyrimet, vazhdimi i kontratave i stafit akademik të UP-së vlejnë rregulltat specifike dhe atë të Statutit të Universitetit të Prishtinës (në rastin konkret, Statuti i vitit 2000)”.
Parashtruesi i kërkesës tutje pretendon se “Gjykata Supreme, në vendimin e saj nuk ka dhënë asnjë arsyetim në pretendimet e paditësit se çështja e ligjshmërisë respektivisht e të drejtës së paditësit është çështje e gjykuar dhe përbën RES JUDICATA pasi që lidhur me këtë çështje Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, A.nr.793/15 të datës 07.12.2016 është i formës së prerë në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës A.nr.77/2017 të datës 14.06.2017, ndërsa vendimi i gjykatës së shkallës së parë për refuzimin e kërkesës padisë së paditësit si dhe vendimi i shkallës së dytë për refuzimin e ankesës së paditësit është në kundërthënie me vendimet e lartcekura të gjykatave të njëjta të marra për të njëjtën çështje juridike”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të parimit të sigurisë juridike si rezultat i mungesës së konsistencës së Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore lidhur me vendimmarrjen në rastin e parashtruesit me arsyetimin se qëndrimet e gjykatave të rregullta, përkatësisht ai i Gjykatës Themelore përmes Aktgjykimit [A.U.nr.1578/2017] të 4 dhjetorit 2020 dhe Gjykatës se Apelit përmes [AA.UZH.nr.85/2021] të 19 prillit 2021 janë në kundërshtim me qëndrimet e nxjerra të vet Gjykatës Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 793/15] të 7 dhjetorit 2016 dhe Gjykatës së Apelit përmes Aktgjykimit [A. A. nr. 77/2017] në shqyrtimin e rastit të njëjtë të parashtruesit të kërkesës.
Përgjatë pretendimeve të tij, parashtruesi i kërkesës është referuar në parimet themelore të së drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor siç është e garantuar përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe në mbështetje të këtyre argumenteve, parashtruesi i kërkesës i është referuar edhe praktikës gjyqësore të (i) Gjykatës në rastet KI120/10, parashtrues Zyma Berisha, Aktgjykim i 29 dhjetorit 2013; KI72/12, parashtrues Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, Aktgjykimi i 5 dhjetorit 2012; KI18/16, parashtrues Bedri Salihu, Aktgjykim i 20 majit 2016; KI31/17, parashtrues Shefqet Berisha, Aktgjykim i 30 majit 2017; KI97/16, parashtrues IKK Classic, Aktgjykim i 4 dhjetorit 2017; KI135/14, parashtrues IKK Classic, Aktgjykim i 10 nëntorit 2015; si dhe (ii) Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), respektivisht rastit Pronina kundër Ukrainës, kërkesa nr. 63566/00, Aktgjykim i 18 korrikut 2006.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që (i) kërkesën e tij të shpallë të pranueshme; dhe (ii) të konstatojë që Aktgjykimi i kontestuar, përkatësisht Aktgjykimi [ARJ-UZVP.nr. 71/2021] i 28 korrikut 2021 i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duke e shpallur të njëjtin të pavlefshëm dhe duke e kthyer çështjen në rivendosje.
Dispozitat relevante kushtetuese
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E Drejta për një proces të rregullt)
1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata, fillimisht u referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Më tutje, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohet me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni48
(Saktësimi i kërkesës)
"Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj".
Neni 49
(Afatet)
"Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ...".
Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ-UZVP. nr. 71/2021], të 28 korrikut 2021, të Gjykatës Supreme dhe i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit, si dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikisht përcakton që:
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
"(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih, rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t'iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih: më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27 si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, gjatë vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtoj thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata fillimisht vëren se çështja e parashtruesit të kërkesës ishte shqyrtuar përmes 7 (shtatë) vendimeve gjyqësore të nxjerra përgjatë procedurave të zhvilluara në gjykatat e rregullta. Gjykata rikujton se kontesti ka filluar si pasojë e ndërprerjes së marrëdhënies së punës të parashtruesit të kërkesës nga punëdhënësi - Universiteti i Prishtinës, me arsyetimin se i kishte përfunduar kontrata e punës. Parashtruesi i kërkesës kundër vendimit për ndërprerje të marrëdhënies së punës kishte paraqitur ankesë në KPMSHCK, e cila përmes vendimit [Nr. 1074/08] ia refuzoi parashtruesit të kërkesës ankesën si të pabazuar. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore, duke kërkuar anulim të Vendimit [Nr. 1074/08] të KPMSHCK-së të 18 marsit 2008, dhe kompensimin në vlerë prej 18,985.00 euro për periudhën 1 tetor 2007 deri në kohën kur është pensionuar, me kamatë ligjore prej tetë përqind (8%). Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 793/15] të 7 dhjetorit 2016 anuloi Vendimin [Nr. 1074/08] e KPMSHCK-së, të 18 marsit 2008, dhe ktheu rastin në rivendosje me arsyetimin se vendimi i kontestuar [Nr. 1074/08] ishte nxjerr në kundërshtim me nenin 85, dhe paragrafin 4 të nenit 84 të Ligjit për Procedurën Administrative për shkak se nuk ishin reflektuar konstatimet faktike, provat, baza dhe arsyetimi ligjor mbi të cilin ishte nxjerr vendimi për refuzimin e ankesës së parashtruesit të kërkesës. Ndërkohë, KPMSHCK paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [A. nr. 793/15] të Gjykatës Themelore të 7 dhjetorit 2016, duke pretenduar aplikim të gabuar të të drejtës materiale. Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [A. A. nr. 77/2017] të 14 qershorit 2017, refuzoi ankesën e KPMSHCK-së dhe konfirmoi Aktgjykimin [A. nr. 793/15] e 7 dhjetorit 2016.
Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës përmes parashtresës së 31 gushtit 2017, duke iu referuar Aktgjykimit [A. nr. 793/15] të 7 dhjetorit 2016 të Gjykatës Themelore të konfirmuar tashmë edhe nga Gjykata e Apelit i propozoi KPMSHCK-së që “të veprojë konform Aktgjykimit të formës së prerë dhe në lidhje me vendimin meritor...”.
Në procedurën e rivendosjes, KPMSHCK nxori Vendimin [A/02/17/2017] e 11 tetorit 2017 përmes së cilit refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar me arsyetimin se kontrata e punës së parashtruesit të kërkesës kishte përfunduar më 30 shtator 2007. Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës ngriti padi në Gjykatën Themelore duke kërkuar anulim të këtij vendimi. Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 1758/17] të 26 tetorit 2018 vendosi në favor të parashtruesit të kërkesës, duke aprovuar kërkesëpadinë e tij dhe duke i akorduar kompensimin e pagave. Pas ankimimit nga punëdhënësi, respektivisht nga Universiteti i Prishtinës, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA. nr. 26/2019] të 21 shtatorit 2020 aprovoi ankesën e punëdhënësit dhe prishi Aktgjykimin [A. nr. 1758/2017] e Gjykatës Themelore të 26 tetorit 2018, duke kthyer rastin në rivendosje në shkallë të parë me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës kishte kontratë me afat të caktuar.
Gjykata Themelore në rivendosje përmes Aktgjykimit [A. nr. 1758/2017] të 4 dhjetorit 2020 refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar me arsyetimin se parashtruesit të kërkesës i kishte përfunduar kontrata më 30 shtator 2007 dhe rrjedhimisht me “skadimin e kontratës së paditësit, punëdhënësi nuk ka pasur ndonjë obligim ligjor për vazhdimin e saj”. Ky Aktgjykim ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA. nr. 85/2021] të 19 prillit 2021, me arsyetimin se drejtë ishin aplikuar dispozitat ligjore dhe drejtë ishte vërtetuar gjendja faktike, meqë kontrata e parashtruesit të kërkesës ishte me afat të caktuar, përkatësisht parashtruesit i kishte përfunduar kontrata më 30 shtator 2007 dhe sipas nenit 35.1 (b) të Udhëzimit Administrativ 2003/2 nuk kishte përmbushur kriterin për thirrjen asistent dhe për pasojë i kishte përfunduar marrëdhënia e punës. Pas paraqitjes së kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm nga ana e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ-UZVP. nr. 71/2021] të 28 korrikut 2021 konfirmoi konstatimet e gjykatave të rregullat se parashtruesit të kërkesës i kishte përfunduar kontrata më 30 shtator 2007 dhe sipas saj “i njëjti nuk ka plotësuar kushtin për doktoraturë, punëdhënësi nuk ka pasur për obligim për zgjatje të kontratës, meqë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë nga marrëdhënia e punës zgjasin deri në skadimin e kontratës”.
Këto konstatime të gjykatave të rregullta, parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës duke pretenduar se Aktgjykimi [ARJ-UZVP. nr. 71/2021] i 28 korrikut 2021, të Gjykatës Supreme si instancë e fundit në këtë çështje është nxjerrë në shkelje të garancive kushtetuese të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Gjykata vëren se pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës në thelb kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës për një "gjykim të drejtë" sipas nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i (i) mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor për shkak të aplikimi/interpretimit të gabuar të ligjit nga ana e gjykatave të rregullta gjatë shqyrtimit të rastit të tij dhe (ii) cenim të parimit të sigurisë juridike si rezultat i mungesës së konsistencës së Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore lidhur me vendimmarrjen në rastin e tij.
Gjykata, duke iu referuar pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, do t’i referohet praktikës gjyqësore të GEDNJ-së, e cila obligon Gjykatën që në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, të interpretojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë në harmoni me vendimet gjyqësore të GJEDNJ-së.
A. Pretendimet rreth zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe vendimit të paarsyetuar
(i) Parimet e përgjithshme përkitazi me aplikimin në mënyrë qartazi të gabuar apo arbitrar të ligjit
Gjykata fillimisht thekson se bazuar në praktiken gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe duke marrë parasysh veçoritë e saj, siç janë të përcaktuara përmes KEDNJ-së, parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, ajo vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të "kushtetutshmërisë' dhe "ligjshmërisë' dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose me KEDNJ (shih, në këtë kontekst, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SHA., "Adem Jashari", Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar "Barbas", Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60).
Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me Kushtetutën dhe KEDNJ-në (shih, rastin e GJEDNJ-se, Miragall Escolano dhe te tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 majit 2000, paragrafët 3339; dhe shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63).
Në këtë kuptim, Gjykata në pajtim me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së ka theksuar se edhe pse roli i Gjykatës është i kufizuar në aspektin e vlerësimit të interpretimit të ligjit, ajo duhet të sigurohet dhe të ndërmarrë masa kur vëren se një gjykatë ka aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar në një rast specifik e që mund të ketë rezultuar në "konkluzione arbitrare" apo "qartazi të paarsyeshme" për parashtruesin përkatës (shih, rastet e GJEDNJ-së, Anheuser-Busch Inc., kundër Portugalisë, kërkesa nr. 73049/01, Aktgjykim i 11 janarit 2007, paragrafi 83, Kuznetsov dhe të tjerët kundër Rusisë, kërkesa nr. 184/02, Aktgjykim 29 prillit 2003, paragrafët 70-74 dhe 84; Păduraru kundër Rumanisë, kërkesa nr. 63252/00, paragrafi 98; Aktgjykim i 1 dhjetorit 2005; Sovtransavto Holding kundër Ukrainës, kërkesa nr. 48553/99, Aktgjykim i 6 nëntorit 2002 paragrafët 79, 97 dhe 98; Beyeler kundër Italisë [GC], kërkesa nr. 33202/96, Aktgjykim i 5 janarit 2000, paragrafi 108; Koshoglu kundër Bullgarisë, kërkesa nr. 48191/99, Aktgjykim i 10 majit 2007, paragrafi 50; shih gjithashtu, rastin e cituar më lart KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, paragrafi 57; rastet KI154/17 dhe KI105/18, parashtrues Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar "BARBAS", paragrafët 60 deri në 65; si dhe rastin KI121/19, parashtrues Ipko Telecomunications, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2020, paragrafi 58; dhe KI195/20 parashtrues Aigars Kesengfelds, pronar i institucionit financiar jo-bankar "Monego" Aktgjykim i 29 marsit 2021, paragrafi 97).
(ii) Aplikimi i parimeve të lartcekura në rastin konkret
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se kontrata e punës e cila sipas gjykatave të rregullta i kishte përfunduar më 30 shtator 2007, do duhej të vazhdohej në bazë të nenit 78 të Statutit të Universitetit të Prishtinës të 23 tetorit 2000. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se gjykatat e rregullta me rastin e refuzimit të ankesës së tij gabimisht kanë aplikuar ligjin, përkatësisht dispozitat e nenit 35.1 të Udhëzimit Administrativ 2003/2. Sipas parashtruesit të kërkesës, gjykatat e rregullta nuk kanë arsyetuar/adresuar pretendimet e tij për të drejtën e vazhdimit të marrëdhënies së punës në bazë të nenit 87 al. 2 të Statutit të Universitetit të Prishtinës të vitit 2000. Në lidhje me shqyrtimin e rastit të tij nga gjykatat e rregullta, parashtruesi i kërkesës pretendon se (ii) vendimi i Gjykatës Supreme nuk ka ofruar arsyetim të mjaftueshme lidhur me pretendimet e ngritura para saj, respektivisht ndaj pretendimit lidhur me të drejtën e tij për vazhdimin e kontratës së punës sipas Statutit të Universitetit të Prishtinës të vitit 2000, si dhe mungesë arsyetimi së cilës bazë ligjore Gjykata Supreme iu ka referuar kur ka konstatuar se “parashtruesi i kërkesës nuk ka plotësuar kushtin për doktoraturë” për vazhdim të marrëdhënies së punës. Lidhur me këto, parashtruesi i kërkesës rrjedhimisht pohon se gjykatat e rregullta, respektivisht Gjykata Supreme ka aplikuar gabimisht të drejtën materiale si dhe dështuar të jap arsyetim të saktë dhe të mjaftueshëm për rastin që është objekt i kësaj kërkese, dhe njëkohësisht ka shprehur arbitraritet në vendimmarrje.
Përkitazi me këto pretendime, Gjykata thekson se duke iu referuar shkresave të rastit, rezulton që të njëjtat, janë trajtuar edhe nga gjykatat e rregullta.
Në këtë kontekst, Gjykata fillimisht rikujton se Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 1758/2017] të 4 dhjetorit 2020, ndër të tjera, kishte theksuar si në vijim:
“Bazuar në UA 2003/2 respektivisht, nenin 35.1 b) ku në mënyrë shprehimore është përcaktuar se "Punësimi në Shërbimin Civil përfundon automatikisht pas skandiumit të kontratës së nëpunësit civil” meqë ne rastin e paditësit kontrata i kishte përfunduar me dt.30.09.2007 dhe nuk kishte plotësuar kriterin e doktoratës mbi këtë bazë punëdhënësi me asnjë dispozitë ligjore nuk ka mundur të obligohet që t’ i vazhdohet kontrata e punës. Kjo për arsye se të drejtat dhe obligimit nga lëmia e punës zgjasin aq sa zgjat afati i kontratës [...]”.
Gjykata vëren se Gjykata Themelore në kontekst të vërtetimit të gjendjes faktike kishte administruar provat si në vijim:
“Gjykata në seancën e shqyrtimit kryesor me dt.04.12.2020, ka bërë administrimin e provave dhe atë: vendimi i të paditurit të parë A.nr.02117/17 i dt.12.10.2017, aktgjykim Anr.793/15 i dt.07.12.20 16, parashtresa A.nr.793/15, AAnr.77/17, parashtresa e paditësit mbi zgjerimin e padisë e dt.2 1. 1 1.2017, përgjigje në padi e dt.02.02.20t8, ankesa e ankuesit e dt.23.0t.2017, vendim i KPMSHCK me nr.l074/08, ankesa 05/262, kontrata e punës për paditësin nr.587 e dt.02.03.2007, parashtresa me nr.983 e dt.10.04.2008, precizimi i padisë e dt.10.11.2016, pasqyra bankare e dt.30.11.2007, dt.31.0 1.2008, ankesa e dt. t 0.0 1.2008, mendim juridik nr.02/47/08, konkursi i UP i dt.17.04.2007, kontratë e punës e 02.5.2006 me nr.892, ekspertiza e dt.08.06.2018, precizimi i padisë e dt.16.08.2018, aktvendimi AA.26/19, dt.21.09.2020, ankesa dt.04/95, parashtresës e dt.25.11.2020. ”.
Gjithashtu, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA. nr. 85/2021] të 19 prillit 2021, në kontekst të këtij pretendimi specifik të parashtruesit të kërkesës, kishte theksuar si në vijim:
“Prandaj, meqë në rastin e paditësit kontrata i kishte përfunduar me datën 30.09.2007, dhe i njëjti nuk kishte plotësuar kriterin e doktoratës, mbi këtë bazë punëdhënësi me asnjë dispozitë ligjore nuk ka mundur të obligohet që t’i vazhdohet kontrata e punës, për faktin se të drejtat dhe obligimet nga lëmia e punës zgjasin aq sa zgjat afati i kontratës. Prandaj, nga tërë kjo që u cek më lart dhe mbi këtë gjendje faktike kjo gjykatë vlerëson se përfundimi dhe qëndrimi i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë ...”.
Në fund, Gjykata po ashtu vëren se edhe Gjykata Supreme, në trajtim të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës kishte theksuar si në vijim:
“Në rastin konkret paditësit i ka skaduar kontrata e punës me datën 30.09.2007, dhe pasi që i njëjti nuk e ka plotësuar kushtin për doktoraturë, punëdhënësi nuk ka pasur obligimin për zgjatje të kontratës, meqë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë nga marrëdhënia e punës zgjasin deri në skadimin e kontratës”.
[...] Në arsyetimin e aktgjykimit të kontestuar janë dhënë mjaft arsye lidhur me faktet vendimtare dhe të cilat i pranon edhe kjo gjykatë. Gjykata vlerëson se e drejta materiale është aplikuar drejtë dhe nuk është shkelur ligji në dëm të paditësit”.
Gjykata Supreme, duke iu referuar gjendjes faktike kishte konstatuar si në vijim:
“Sipas mendimit të kësaj gjykate, gjykatat e instancës më të ulët në mënyrë të drejtë kanë vërtetuar se vendimi i kontestuar i të paditurit është i drejtë dhe ligjërisht i bazuar, dhe se organi i paditur administrativ ka aplikuar drejt dispozitat e ligjit për procedurën administrative, si dhe ka vërtetuar drejtë gjendjen faktike dhe në mënyrë të drejtë ka aplikuar të drejtën materiale kur ka refuzuar ankesën e ankuesit - këtu paditësit”.
Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se të gjitha gjykatat e rregullta në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe kishin sqaruar se (i) parashtruesi i kërkesës kishte kontratë me afat të caktuar, respektivisht prej 1 tetorit 2006 deri më 30 shtator 2007; (ii) marrëdhënia e punës së parashtruesit të kërkesës rrjedhimisht kishte përfunduar më 30 shtator 2007; (iii) si dhe parashtruesi nuk mund t’ ju referohet dispozitave të Statutit të Universitetit të Prishtinës të 23 tetorit 2000 për ripërtëritje/vazhdim të kontratës së punës, meqë tashmë nuk është i aplikueshëm në rastin konkret.
Gjykata vëren se kontrata e punës [nr. 587] e parashtruesit të kërkesës kishte përcaktuar kushtet përkitazi me mos vazhdimin e marrëdhënies së punës, si në vijim:
Mospërtritja e Kontratës
[....]
6. Me rastin skadimit të afatit të kësaj kontrate,
7. Sipas fuqisë ligjore.
Gjykata vëren se gjykatat e rregullta në rastin e parashtruesit të kërkesës kishin analizuar gjerësisht provat e paraqitura dhe pretendimet e ngritura nga palët në procedurë, dhe në fund kishin refuzuar ankesën. Arsyet për refuzim të ankesës së parashtruesit të kërkesës, gjykatat e rregullta dhe në veçanti Gjykata Supreme, i kishte bazuar në dispozitat përkatëse të Ligjit për Konfliktet Administrative si dhe në nenin 35. 1 (b) të Udhëzimit Administrativ nr. 2003/2, që ajo i kishte konsideruar si relevante përkitazi me rrethanat e rastit konkret dhe me pretendimet thelbësore të ngritura nga parashtruesi i kërkesës.
Nga sa më sipër, Gjykata konsideron se Gjykata Supreme me Aktgjykimin e kontestuar, ka dhënë arsye të mjaftueshme duke shtjelluar në detaje bazën ligjore mbi të cilën e ka mbështetur vendimmarrjen e saj.
Rrjedhimisht, bazuar në të lartcekurat, Gjykata vlerëson se arsyetimi i Gjykatës Supreme nuk ka rezultuar në konkluzione arbitrare.
Prandaj, në këto rrethana, Gjykata duke u mbështetur në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, konstaton se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e tretë (iii), pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
B. Pretendimet rreth konsistencës së vendimeve gjyqësore
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në këtë pikë pretendon shkelje të parimit të sigurisë juridike si rezultat i mungesës së konsistencës së Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit lidhur me vendimmarrjen në rastin e tij, me arsyetimin se qëndrimet e gjykatave të rregullta të nxjerra në procedurën e rivendosjes, përkatësisht ai i Gjykatës Themelore përmes Aktgjykimit [A. U. nr. 1578/2017] të 4 dhjetorit 2020 dhe Gjykatës së Apelit përmes [AA. UZH. nr. 85/2021] të 19 prillit 2021 janë në kundërshtim me qëndrimet fillestare të nxjerra të vet Gjykatës Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 793/15] të 7 dhjetorit 2016 dhe Gjykatës së Apelit përmes Aktgjykimit [A. A. nr. 77/2017] të 14 qershorit 2017, në shqyrtimin e rastit të njëjtë të parashtruesit të kërkesës.
Në këtë aspekt, Gjykata thekson se Gjykata Themelore fillimisht përmes Aktgjykimit [A. nr. 793/15] të 7 dhjetorit 2016, kishte vendosur në favor të parashtruesit të kërkesës, duke e kthyer rastin në rivendosje në KPMSHCK. Pas ankesës, ky Aktgjykim ishte konfirmuar përmes Aktgjykimit [A. A. nr. 77/2017] të Gjykatës së Apelit, të 14 qershorit 2017.
Gjykata vëren se KPMSHCK në procedurën e rivendosjes kishte nxjerrë Vendimin [A/02/17/2017] të 11 tetorit 2017 përmes së cilit refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar me arsyetimin se (i) kontrata e punës së parashtruesit të kërkesës kishte përfunduar më 30 shtator 2007.
Më pastaj, Gjykata Themelore në procedurën e rivendosjes përmes Aktgjykimit [A. U. nr. 1578/2017] të 4 dhjetorit 2020 kishte refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit me arsyetimin se parashtruesit të kërkesës i kishte përfunduar kontrata më 30 shtator 2007. Ky Aktgjykim ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA. nr. 85/2021] të 19 prillit 2021.
Në kontekstin e këtij pretendimi, Gjykata vëren se vendimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit janë nxjerrë në faza të ndryshme të procedurës së zhvilluar në gjykatat e rregullta. Gjykata vëren se Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit kanë shqyrtuar të dhënat e paraqitura në procedurën e rivendosjes dhe kanë gjetur se kontrata e punës së parashtruesit të kërkesës kishte përfunduar më 30 shtator 2007, rrjedhimisht kontrata e parashtruesit ishte me afat të caktuar. Bazuar në këto fakte dhe në vlerësimin e ligjit të aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret, Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit kanë konfirmuar vendimet e tyre, në faza të ndryshme të procedurës duke i bërë ato të zbatueshme në rastin konkret.
Gjykata gjithashtu vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të parimit të sigurisë juridike, përkatësisht shkelje të parimit res judiciata, me arsyetimin se “Aktgjykimi i Gjykatës Themelore Prishtinë A.nr.793/15 të datës 07.12.2016 është i formës së prerë në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, A.nr.77/2017 të datës 14.06.2017”.
Në këtë aspekt, Gjykata thekson se Aktgjykimi [A. nr. 793/15] i Gjykatës Themelore, të 7 dhjetorit 2016, kishte vendosur proceduralisht në favor të parashtruesit të kërkesës, duke e kthyer rastin për vendosje në merita në KPMSHCK-së. Gjykata vëren se ky Aktgjykim ishte konfirmuar përmes Aktgjykimit [A. A. nr. 77/2017] të Gjykatës së Apelit, të 14 qershorit 2017. Gjykata vëren se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit përmes këtyre dy vendimeve nuk kanë vendosur në merita lidhur me ankesën e parashtruesit të kërkesës.
Më saktësisht, Gjykata thekson se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit vendimet e sipër cekura i ka nxjerrë në procedurën e parë të gjykimit të rastit të parashtruesit të kërkesës, duke kthyer rastin për rivendosje në merita në KPMSHCK. Pra, pretendimi se ka pasur një vendim në merita në favor të tij gjatë kësaj faze të procedurës nuk është i mbështetur në faktet e procedurës gjyqësore, pasi këto vendime veçanërisht kanë adresuar fazën procedurale dhe kanë rikthyer rastin për shqyrtim në instancën kompetente për çështjet e meritave.
Rrjedhimisht, Gjykata pretendimin rreth jokonsistencës së vendimeve gjyqësore i konsideron si pretendime qartazi të pabazuara në baza kushtetuese siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Përfundim
Gjykata konsideron që pretendimet e parashtruesit për shkeljen e të drejtës së tij kushtetuese për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të (i) aplikimit qartazi të gabuar të ligjit dhe vendimet të paarsyetuara si dhe (ii) jokonsistencës së vendimeve gjyqësore janë të pabazuara në baza kushtetuese.
Si përmbledhje, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur dëshmi, fakte dhe argumente që tregojnë se procedurat në gjykatat e rregullta kanë paraqitur në ndonjë mënyrë shkelje kushtetuese të të drejtave të garantuara me Kushtetutë, me të cilat pretendohet se shkelin të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Rrjedhimisht, Gjykata vjen në përfundim se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me nenin 113, paragrafin 7 të Kushtetutës dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, më 22 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Ali Aliu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile