Prishtinë, më 1 mars 2024
Nr. Ref.:RK 2376/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI145/22
Parashtrues
Sanija Doliqanin
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.552/2020]
të Gjykatës Supreme të 21 marsit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Sanija Doliqanin (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës), me vendbanim Champigny-sur-Marne, Francë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev.nr.552/2020] të 21 marsit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në ndërlidhje me Aktgjykimin [CA.nr.1594/2017] të 10 janarit 2020 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [P.nr.561/13] të 24 shkurtit 2017 të Gjykatës Themelore në Pejë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesja e kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 30 maj 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.552/2020] të 21 marsit 2022 të Gjykatës Supreme përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtrueses së kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 22 shtator 2022, parashtruesja e kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 26 shtator 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI145/22] caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesues), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 5 tetor 2022, Gjykata njoftoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Themelore dhe kësaj të fundit iu kërkua që të dorëzojë dëshminë (fletë-kthesën) që tregon datën kur parashtruesi i kërkesës ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 14 tetor 2022, Gjykata Themelore dorëzoi dëshminë që tregon se parashtruesja e kërkesës ka pranuar vendimin e kontestuar më 30 maj 2022.
Më 13 shkurt 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesja e kërkesës më dt. 10.06.2013, parashtruesja e kërkesës kishte paraqitur padi kundër të paditurës Komuna e Pejës, me të cilën ka kërkuar që të konfirmohet se parashtruesja e kërkesës e ka të drejtën e shfrytëzimit të përhershëm mbi parcelat kadastrale 245/22, 23 dhe 24, lokacioni nr.5, në sipërfaqe prej 28m2, gjithashtu edhe që e paditura Komuna e Pejës të obligohet që t'i dorëzoje asaj në shfrytëzim të papenguar dhe të përhershëm sipërfaqen e lartpërmendur, si dhe që e njëjta të obligohet për kompensimin e dëmit material dhe jo-material. Me precizimin e kërkesëpadisë të dt. 09.02.2017, parashtruesja e kërkesës kërkoi që e paditura Komuna e Pejës t’i paguajë asaj në emër të shpronësimit faktik të një pjese të parcelës kadastrale nr.245/24, ZK e Pejës, në sipërfaqe 28m2, tek lokacioni i “Soliterit”, shumën prej 16.800€, ndërsa në emër të shpenzimeve për rregullimin e tokës ndërtimore komunale, ndërtimit të objektit, shumën në vlerë prej 1798€.
Më 24 shkurt 2017, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [P.nr.561/13] vendosi: REFUZOHET si e pabazuar kërkesëpadia e parashtrueses së kërkesës me te cilën ajo kërkoi që Komuna e Pejës të obligohet t’i paguajë në emër të shpronësimit faktik të një pjese të parcelës kadastrale nr.245/24, ZK e Pejës, në sipërfaqe 28m2, tek lokacioni i Soliterit, shumën prej 16.800€, ndërsa në emër të shpenzimeve për rregullimin e tokës ndërtimore komunale, ndërtimit të objektit, shumën në vlerë prej 1,798€, së bashku me kamatën të cilën e aplikojnë bankat në Kosovë për mjetet pa destinacion të caktuar nga data e nxjerrjes së ekspertizës më 18.12.2016 e deri në pagesën përfundimtare, si dhe shpenzimet e procedurës në shumën prej 1581,60€. OBLIGOHET parashtruesja e kërkesës që në afat prej 15 ditëve nga dita e dorëzimit të aktgjykimit t'ia paguajë të paditurës, Komuna e Pejës shpenzimet e procedurës në shumën prej 1865 €, nën kërcënimin e ekzekutimit me dhunë.
Parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje së dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale me propozimin që aktgjykimi i kundërshtuar të ndryshohet dhe kërkesëpadia të miratohet si e bazuar, apo që aktgjykimit të anulohet dhe lënda t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë për procedurë të sërishme dhe rivendosje.
Më 10 janar 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [CA.nr.1594/2017] vendosi REFUZOHET si e pabazuar ankesa e parashtrueses së kërkesës, ndërsa Aktgjykimi i Gjykatës Themelore [C.nr.561/2013] i datës 24.02.2017, VËRTETOHET.
Parashtruesja e kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar aplikim të gabuar të së drejtës materiale, propozim që aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të ndryshohet apo shfuqizohet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.
Më 21 mars 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.552/2020] e refuzoi të pabazuar revizionin e parashtrueses së kërkesës të paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [CA.nr.1594/2017] të 10 janarit 2020. Gjykata Supreme miratoi konstatimet e gjykatave të instancës më të ulët dhe se theksoi nuk ka shkelje të së drejtës procedurale dhe materiale.
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje të neneve nenet 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.
Parashtruesja e kërkesës pretendon: “Me vendim të Komunës së Pejës të datës 22.06.1998, mua më ishte ndarë në shfrytëzim të përkohshëm një parcelë ndërtimore e qytetit në sipërfaqe prej 28 m2 në parcelën kadastrale nr.245/22, 23 dhe 24, KK Pejë, lokacioni nr.5, tek Soliteri. Me ndarjen e tokës së përmendur parashihej që të zgjidhej çështja e hapësirës sime të biznesit, por edhe çështja e banimit, pasi që jetoja si qiramarrëse. Pas nxjerrjes së aktvendimit të lartpërmendur, unë i pagova taksat e nevojshme në shumë prej 1400 dinarëve dhe nënshkrova kontratat përkatëse me Komunën, me çfarë çështjes së shfrytëzimit të përkohshëm iu dha statusi i përdorimit të përhershëm të tokës. Pas kryerjes së formaliteteve me Komunën e Pejës, pasoi nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e objektit me kompaninë ndërtimore DUGA nga Peja, dhe pagesa e paradhënies përkatëse prej 2400 Markave Gjermane. Puna për ndërtimin e objektit filloi kah fundi i vitit 1998 dhe përparoi shumë shpejt. Për shkak të luftës që filloi zyrtarisht më 24 mars 1999, ndërtimet e objektit u ndërprenë.”
Parashtruesja e kërkesës pretendon: “Pas përfundimit të luftës, dhe nënshkrimit të marrëveshjes së paqes dhe pas plotësimit të kushteve për kthimin tim në Kosovë, unë në disa raste iu drejtova organeve kompetente të Komunës së Pejës me kërkesën që të më lejojnë vazhdimin e ndërtimit të objektit të filluar, megjithatë, aty për aty konstatova se objekti i filluar ishte rrënuar deri në themel dhe ishte rrafshuar me tokë. Autoritetet kompetente të Komunës gjatë gjithë kohës më premtuan personalisht dhe përmes përfaqësueses sime të autorizuar në atë kohë, avokates H. M., që do të më ndanin një truall tjetër përkatës.”
Parashtruesja e kërkesës pretendon: “Unë edhe më tej dëshiroja që të më kthehet toka e marrë kundërligjshëm dhe që të kthehesha të jetoja dhe të punoja në Kosovë, nga ku u dëbova në vitin 1999. Kështu që nga data 10/06/2013 unë zyrtarisht kam paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Pejë përmes avokatit tim O.C., avokat në Pejë, me kërkesën për kthim të tokës në fjalë dhe kompensim të dëmit që të cilën e pësoj për shkak të veprimeve të kundërligjshme të organeve kompetente të Komunës së Pejës. Padia ime është refuzuar përmes Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë të datës 24.02.2017, kundër të cilit unë kam ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës, e cila me aktgjykimin e saj të datës 10.01.2020 e ka refuzuar ankesën time. Kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit unë kam parashtruar revizion në Gjykatën Supreme të Kosovës, i cili gjithashtu është refuzuar me aktgjykimin e gjykatës së përmendur të datës 21.03.2022.”
Parashtruesja e kërkesës thekson se autoritetet komunale dhe gjykatat e rregullta kanë shkelur nenin 46 të Kushtetutë në dëm të saj dhe në këtë drejtim pretendon: “Konsideroj se përmes veprimeve të kundërligjshme si të autoriteteve komunale ashtu edhe të atyre gjyqësore të Kosovës është shkelur e drejta në pronë, e drejta për t’u kthyer, jetuar dhe punuar në Kosovë e garantuar me Kushtetutë.”
Parashtruesja e kërkesës thekson se autoritetet komunale kanë shkelur nenin 49 të Kushtetutës në dëm të saj dhe në këtë drejtim pretendon: “Me veprimin e lartpërmendur të Komunës së Pejës është shkelur edhe e drejta për të punuar dhe për të ushtruar profesionin tim të avokatit. Për hir të informim të plotë, edhe pas 23 vitesh qëndrimi në Francë, unë ende nuk kam mundur të punoj më në profesionin tim dhe kjo për arsye të mosnjohjes së gjuhës dhe diplomës time Kosovare të avokatit, e cila nuk pranohet në Francë. E drejta e lartpërmendur për të punuar dhe për të zgjedhur profesionin është e garantuar me nenin 49 të Kushtetutës.”
Në fund, parashtruesja e kërkesës thekson: “Para së gjithash, me këtë kërkesë po i drejtohem Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke kërkuar që të anulojë vendimet e lartpërmendura të kundërligjshme të autoriteteve komunale dhe gjyqësore të Kosovës dhe të ma kthejë tokën e përmendur në shfrytëzim për të përfunduar ndërtimin e objektit afarist. Në rast se kjo është e pamundur, ta obligojë Komunën e Pejës që të më paguajë kompensimin monetar përkatës për dëmin e pësuar për shkak të veprimeve të kundërligjshme dhe të marrjes së paligjshme të tokës të cilën tani e vlerësoj në shumën prej 90.000 eurove.”
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
“1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.”
Neni 49
[E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]
“1. E drejta e punës garantohet.
2. Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.”
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 1 i Protokollit nr. 1
(Mbrojtja e pronës)
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin
e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.”
Ligji mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve, aprovuar nga Kuvendi RSFJ, në seancën e Dhomës Federative datën 30 mars 1978.
Neni 360
Rregulla e përgjithshme
“Me parashkrimin pushon e drejta e kërkimit të përmbushjes se detyrimit.
Parashkrimi lind kur të ketë kaluar afati i caktuar me ligj brenda të cilit kreditori ka mundur të kërkojë përmbushjen e detyrimit.
Gjykata nuk mund të përfillë parashkrimin në qoftë se debitori nuk e ka invokuar atë.”
Neni 361
Kur fillon të rrjedhë parashkrimi
“Parashkrimi fillon të rrjedhë ditën e parë pas ditës kur kreditori të ketë pasur të drejtë të kërkojë përmbushjen e detyrimit në qoftë se me ligj për raste të veçanta nuk është parashikuar diçka tjetër.
Në qoftë se detyrimi përbëhet nga ajo se diçka të mos bëhet, të lihet pa u bërë ose të durohet, parashkrimi fillon të rrjedhë ditën e parë pas ditës kur debitori të ketë vepruar në kundërshtim me detyrimin.”
Neni 362
Lindja e parashkrimit
“Parashkrimi lind kur të ketë skaduar dita e fundit e kohës së caktuar me ligj.”
Neni 363
Llogaritja e kohës së paraardhësve
“Në kohën e parashkrimit llogaritet edhe koha që ka kaluar në dobi të paraardhësve të debitorit.”
Neni 364
Ndalimi i ndryshimit të afatit të parashkrimit
“Me veprimin juridik nuk mund të caktohet një kohë më e gjatë ose më e shkurtër e parashkrimit nga sa është koha e caktuar me ligj.
Me veprimin juridik nuk mund të caktohet që parashkrimi të mos rrjedhë për një kohë.”
Neni 365
Heqja dorë nga parashkrimi
“Debitori nuk mund të heqë dorë nga parashkrimi para se të ketë kaluar koha e caktuar për parashkrimin.”
Neni 366
Njohja me shkrim dhe sigurimi i detyrimit
të parashkruar
“Njohja me shkrim e sigurimit të parashkruar konsiderohet si heqje dorë nga parashkrimi.
Të njëjtin efekt ka dhënia e pengut ose te sigurimit tjetër për kërkesën e parashkruar.”
Neni 367
Efekti i përmbushjes së detyrimit të parashkruar
“Në qoftë se debitori e plotëson detyrimin e parashkruar, ai nuk ka të drejtë të kërkojë që t'i kthehet ajo që ka dhënë as atëherë kur nuk e ka ditur se detyrimi është parashkruar.”
Neni 368
Kreditori kërkesa e të cilit është siguruar
“Kur të ketë kaluar afati i parashkrimit, kreditori kërkesa e të cilit është siguruar me peng ose me ipotekë mund të paguhet vetëm nga sendi i ngrakuar, në qoftë se e mban në dorë apo në qoftë se e drejta e tij është shkruar në regjistrin publik.
Mirëpo, kërkesat e parashkruara të kamatës dhe të dhënieve të tjera periodike nuk mund të plotësohen as edhe nga sendi i ngarkuar.”
Neni 369
Kërkesat akcesore
“Kur parashkruhet kërkesa atëherë parashkruhen edhe kërkesat akcesore, sikundër janë kërkesat e kamatës, uzufrukteve, shpenzimeve, penaliteteve kontraktuese.”
Neni 370
Kur nuk vihen në zbatim rregullat mbi parashkrimin
“Rregullat mbi parashkrimin nuk vihen në zbatim në rastet kur në ligj janë caktuar afatet brenda të cilave duhet të ngritet padia ose të kryhet një veprim i caktuar kundrejt kanosjes humbjes së të drejtave.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale) 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës ka specifikuar se kontestojnë një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimit [Rev.nr.552/2020] të 21 marsit 2022, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesja e kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ata pretendojnë se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe kanë dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.”
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. (Shih: më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, Udhëzuesin Praktik të GJEDNJ-së për Kriteret e Pranueshmërisë të 31 gushtit 2019; Pjesa III. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat qartazi të pabazuara, paragrafët 255 deri më 284, shih gjithashtu rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me padinë e paraqitur nga parashtruesja e kërkesës kundër të paditurës Komuna e Pejës, me të cilën ka kërkuar që të konfirmohet se parashtruesja e kërkesës e ka të drejtën e shfrytëzimit të përhershëm mbi parcelat kadastrale 245/22, 23 dhe 24, lokacioni nr.5, në sipërfaqe prej 28m2, gjithashtu edhe që e paditura Komuna e Pejës të obligohet që t'i dorëzoje asaj në shfrytëzim të papenguar dhe të përhershëm sipërfaqen e lartpërmendur, si dhe që e njëjta të obligohet për kompensimin e dëmit material dhe jo-material. Gjykata Themelore e refuzoi të pabazuar kërkesëpadia e parashtrueses së kërkesës. Gjykata Themelore kishte theksuar se e paditura Komuna e Pejës nuk e ka ekzekutuar shpronësimin e sipërfaqes prej 28m2 në parcelën e kontestuar, sepse e njëjta nuk ka qenë asnjëherë në pronësi private të parashtrueses së kërkesës, por vetëm i është dhënë parashtrueses së kërkesës në shfrytëzim për ndërtimin e objektit, dhe në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me shpronësimin e pronës private. Parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje së dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale. Gjykata e Apelit e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe e vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesja e kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar aplikim të gabuar të së drejtës materiale, propozim që aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të ndryshohet apo shfuqizohet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar revizionin e parashtrueses së kërkesës të paraqitur kundër vendimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme miratoi konstatimet e gjykatave të instancës më të ulët dhe se theksoi nuk ka shkelje të së drejtës procedurale dhe materiale.
Gjykata rikujton që parashtruesja e kërkesës pretendon se me vendimet e kontestuara të komunës së Pejës dhe të gjykatave të rregullta, nenet 46 dhe 49 të Kushtetutës janë cenuar në dëm të saj mirëpo pa argumentuar në substancë se si janë cenuar nenet në fjalë të Kushtetutës.
Në këtë kontekst Gjykata vë në pah konstatimet e Gjykatës Themelore: “Nga provat e paraqitura gjykata ka gjetur se kërkesëpadia e paditëses është e pabazuar për arsyet që vijojnë: Këtu, e paditura nuk e ka bërë/ekzekutuar shpronësimin e sipërfaqes prej 28m2 në parcelën e kontestuar, sepse e njëjta nuk ka qenë asnjëherë në pronësi private të paditëses, por vetëm i është dhënë paditëses në shfrytëzim për ndërtimin e objektit, dhe në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me shpronësimin e pronës private. Në rastin konkret, e paditura nuk ka mundur t’i merr paditëses një të drejtë të cilën ajo nuk e ka poseduar asnjëherë, përkatësisht të drejtën e pronës. Nuk qëndron deklarata e palës paditëse se e paditura i ka marrë/shpronësuar paditëses në mënyrë arbitrare të drejtën e shfrytëzimit të kësaj prone, pasi që nga koha e daljes së gjykatës në vendngjarje nuk ekziston asnjë provë se paditësja ka ndërtuar ndonjë objekt në parcelën kontestuese. Në rastin konkret, nuk kemi të bëjmë me të drejtën e shpronësimit, pasi që kjo parcelë nuk është evidentuar asnjëherë në emër të paditëses, se në fakt e njëjta ka qenë e evidentuar atëherë gjithashtu dhe tani në emër të Ndërmarrjes Shoqërore “17 Nëntori” në Pejë. Sipas nenit 11 të Ligjit për Tokën Ndërtimore, Gazeta Zyrtare e KSAK, e datës 17.04.1980, e drejta e shfrytëzimit të tokës ndërtimore të qytetit nënkupton të drejtën e shfrytëzimit të parcelës ndërtimore, e cila përfshin tokën nën ndërtesë dhe truallin, i cili shfrytëzohet për përdorim të rregullt të ndërtesës për të cilën ekziston e drejta e shfrytëzimit, pra e drejta e pronësisë brenda kufijve të përcaktuar me ligj përderisa ndërtesa ekziston.”
Gjykata po ashtu vëren se Gjykata Themelore kishte arsyetuar: “Në rastin konkret kërkesa e paditëses për pagesën e shumës prej 16.800 € në emër të shpronësimit të pronës së caktuar është e pabazuar sepse sipas dispozitave të ligjit për marrëdhëniet pronësore-juridike, ligj i cili ka qenë në fuqi kur paditëses i është dhënë në shfrytëzim toka ndërtimore, nuk lejohej fitimi i pronësisë mbi pronën shoqëror, por vetëm e drejta e shfrytëzimit në bazë të ndërtimit, nëse objekti ose ndërtesa e ndërtuar mbi të cilën ekziston e drejta e pronësisë është ndërtuar në përputhje me ligjin për tokën në pronësi shoqërore, pronari i objektit ka të drejtë të shfrytëzojë truallin në të cilin është ngritur objekti dhe tokën që shërben për shfrytëzimin e rregullt të kësaj ndërtese, përderisa ajo ekziston, ndërsa në situatën konkrete të paditëses, nuk ekziston asnjë objekt i ndërtuar në parcelën kontestuese, ndërkaq sipas nenit 29 të ligjit të njëjtë, mbi sendet në pronësi shoqërore, e drejta e pronësisë nuk mund të fitohet me parashkrim, ndërsa sipas dispozitave të nenit 33 të ligjit të njëjtë, e drejta e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme fitohet në bazë të procedurës ligjore me regjistrimin në librin publik apo, në ndonjë mënyrë tjetër përkatëse të përcaktuar me ligj. Gjykata konsideron se në këtë çështje kontestuese, paditësja nuk ka të drejtë kompensimi për pronën prej 28m2, e cila është e evidentuar si pronë shoqërore e Ndërmarrjes Shoqërore “17 Nëntori” në Pejë, sepse në këtë rast nuk mund të kërkohet kompensim. për tokën e të tjerëve, e në këtë situatë nga ana e personit që nuk është pronar. Sa i përket kërkesës së paditëses për kompensimin e dëmit në vlerë prej 1798 €, në emër të shpenzimeve të bëra në ndërtimin e objektit dhe pagesës së shërbimeve komunale, gjykata vlerëson se nuk është vërtetuar me asnjë provë se e paditura i ka shkaktuar dëm paditëses, pasi që gjykata me rastin e daljes në vendngjarje ka vërejtur se aty nuk kishte asnjë objekt të ndërtuar dhe as nuk kishte gjurmë se aty kishte pasur ndonjë objekt të ndërtuar. Sipas nenit 154 të LMD të vitit 1978, parashihet që kushdo që i shkakton dëm personit tjetrit ka detyrimin për kompensim, nëse nuk e dëshmon se dëmi është shkaktuar me fajin e tij/saj, ndërsa paditësja me asnjë provë nuk e ka vërtetuar se ajo ka pësuar ndonjë dëm ose se ka pasur ndonjë objekt të ndërtuar. Sipas nenit 7, paragrafi 1 i LPK- së palët kanë për detyrë të paraqesin të gjitha faktet mbi të cilat i mbështesin kërkesat e veta dhe të propozojnë prova me të cilat konstatohen faktet e tilla, ndërsa sipas nenit 319, paragrafi 1 i LPK-së, secila nga palët ndërgjyqëse ka për detyrë të provojë faktet mbi të cilat i bazon kërkimet dhe pretendimet e veta. Në bazë të arsyeve të lartcekura, gjykata ka vendosur që kërkesëpadinë e paditëses ta refuzojë si të pabazuar.”
Gjykata po ashtu i referohet arsyetimit përkatës të Gjykatës Supreme: “Duke vendosur sipas revizionit Gjykata Supreme konstaton se nuk ka shkelje qenësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 i ligjit për procedurën kontestimore, për të cilat Gjykata Supreme kujdeset sipas detyrës zyrtare ndërsa në revizion nuk theksohen shkelje të tilla. Duke u nisur nga gjendja e paraqitur faktike, rezulton në fakt se paditësja ka qenë në procedurë për të fituar të drejtën për shfrytëzimin e lokalit dhe truallit nën lokal, mirëpo nuk ka prova se ajo këtë të dejtë e ka fituar, e as që kjo e drejtë është regjistruar në librat përkatës publik. Paluajtshmëria lëndore për momentin është regjistruar si pronë shoqërore dhe atë jo e komunës por e ndërmarrjes shoqërore “17 Nëntori” nga Peja. Eksproprijimi, pa marrë parasysh nëse këtë e përcakton ligji në fuqi apo ligji i cili ka qenë në fuqi më herët, paraqet marrjen e paluajtshmërisë, para se gjithash së tokës që është në pronësi private dhe përkthimin e së njëjtës pronë shoqërore, me kompensim përkatës ndaj pronarit të mëparshëm. Në rast se përkthimi i tokës nga prona private në regjim të tokës shoqërore ndodh pa vendim të organit kompetent, një bartje e tillë konsiderohet si shpronësim faktik. Në rastin konkret, fjala është për tokën e cila edhe para vitit 1999 ka qenë dhe edhe tash është në regjim të pronës shoqërore, andaj nuk mund të thuhet se e njëjta ka ndërruar titullarin qoftë me eksproprijim apo me eksproprijim faktik.
Gjykata po ashtu vëren se Gjykata Supreme kishte arsyetuar: “Nga ana tjetër, po ashtu edhe nga provat e paraqitura rezulton se paditësja ka qenë në procedurë për fitimin e së drejtës për shfrytëzim të përhershëm të lokalit për ndërtim, dhe të drejtës për shfrytëzimin e tokës nën lokal, mirëpo nuk ka prova se ajo këtë të drejtë e ka fituar, apo se në cilën fazë të ndërtimit ka qenë lokali, dhe nëse i njëjti është përfunduar apo rrënuar më pas apo nëse ka filluar ndërtimi. E pakontestueshme se e paditura është pasardhëse e komunës së Pejës, dhe se vendimet e organeve të mëhershme dhe të drejtat e fituara përmes këtyre vendimeve, e obligojnë edhe të paditurën. Rrjedhimisht, në mënyrë të pa kontestueshme rezulton edhe e drejta e të paditurës për kompensim dëmi në rast se këto vendime janë prishur jashtëligjshëm, janë shfuqizuar apo nëse efekti i tyre ka pushuar në ndonjë mënyrë tjetër. Mirëpo, në atë rast është dashur që edhe kërkesëpadia të përpilohet asisoji, që të kompensohet për dëmin që paditësja ka pësuar për shkak të veprimeve të mëhershme të organit të paditurës, në qoftë se do të vërtetohej se veprat kanë qenë të jashtëligjshme. Nuk mund të pranohet si pretendim i drejtë nga revizioni se gjykata gjatë procedurës nuk është lidhur me bazën juridike të kërkesëpadisë, ashtu siç ajo është paraqitur në padi, dhe se gjykata ka pasur mundësinë që procedurën ta zhvillojë si kërkesë për kompensimin e dëmit, pa marrë parasysh se në padi si bazë juridike është paraqitur eksproprijimi faktik. Kjo për arsye se këto dy baza juridike, përveç dallimit teorik kërkojnë edhe veprim të ndryshëm nga gjykata gjatë zhvillimit të procedurës, dhe krijojnë mundësi të ndryshme për parashtrim të prapësimeve si procedurale ashtu edhe të atyre materialo-juridike. Tek kompensimi i dëmit për shkak se eksproprijimi faktik nuk ekziston mundësia e arritjes së vjetërsisë dhe e njëjta është rregulluar me dispozitat e 360-370 LMD, ndërsa afatet e parashkrimit janë përcaktuar në nenet 371-380 të LMD-së, dhe rrethanat që ndikojnë në ndalimin dhe ndërprerjen e parashkrimit janë përcaktuar në nenet 381-393 të LMD-së. Pra, për arsyet e lartcekura, gjykatat e instancës më të ulët kanë pasur obligim që të veprojnë sipas kërkesëpadisë, respektivisht sipas bazës juridike në të cilën themelohet kërkesëpadia, pikërisht ashtu siç e ka paraqitur paditësja në padi, pa mundësi të zbatimit të nenit 2 të paragrafit 2 të LPK-së. Gjykata Supreme në pjesën e mbetur në tërësi e pranon qëndrimin juridik të gjykatave të instancës më të ulët të shprehura në vendimet e kontestuara, dhe konstaton se nuk ka nevojë për përsëritje të të njëjtave dhe konsideron se pretendimet tjera nga revizioni janë të pabazuara.”
Gjykata vëren se gjykata e rregullta shpjeguan të gjitha çështjet qendrore të rastit konkret: (i) prona e kontestuar nuk është private por është regjistruar si pronë nën regjimin shoqëror; (ii) parashtruesja e kërkesës ka fituar të drejtën e shfrytëzimit të pronë së kontestuar por jo edhe pronësinë ndaj saj; (iii) parashtruesja e kërkesës ka mundur ta parashtrojë padinë lidhur me dëmin e pësuar gjatë shfrytëzimit të pronës së kontestuar mirëpo jo në kontekst të pretendimit të pronësisë; (iv) Gjykata Supreme ka vlerësuar se gjykatat e instancës më të ulët kanë vepruar drejtë kur kanë shqyrtuar padinë mbi bazat që e kishte parashtruar vetë parashtruesja e kërkesës.
Gjykata rithekson se në rastin konkret, vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta janë të arsyetuara dhe përmbajnë fakte të vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre. (shih rastet e Gjykatës, nr. KI24/22, parashtrues Turkiye Is Bankasi A.S.-Dega Kosovë, cituar më lart paragrafi 45; KI174/21 parashtrues Bashkim Makiqi, cituar më lart, paragrafi 58 dhe KI72/12, parashtrues Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, aktgjykim i 17 dhjetorit 2012, paragrafi 61, dhe KI135/14, IKK Classic, aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 58).
Gjykata ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës KI128/18 parashtrues Limak Kosovo International Airport Sh.A. “Adem Jashari”, Aktvendim për Papranueshmëri i 27 majit 2019, paragrafi 56; dhe KI62/19 parashtrues Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 13 nëntorit 2019, paragrafi 58).
Duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi në gjykatat e rregullta, Gjykata konstaton se parashtruesit e kërkesës përfituan nga procedura kontradiktore dhe se ata ishin në gjendje të paraqesin në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ata i konsideruan të rëndësishme për rastin e tyre; ata kanë pasur mundësinë të hedhin poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tyre, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafët 29 dhe 30, shih gjithashtu rastin e Gjykatës nr. KI22/19, parashtrues i kërkesës Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Lidhur me pretendimin për mos njohje të diplomës së juristit nga autoritetet franceze, Gjykata vlerëson se ky pretendim nuk ndërlidhet me veprimet e autoriteteve publike në Kosovë, siç përcaktohet me nenin 113 (7) të Kushtetutës, nenin 47 (1) të Ligjit dhe rregullit 34 (3) (b) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën (shih rastin e Gjykatës KI63/09 parashtrues i kërkesës Bajram Santuri, Aktvendim për papranueshmëri i 6 korrikut 2011, paragrafët 48-50).
Gjykata konkludon se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje neneve 46 dhe 49 të Kushtetutës, janë qartazi të pabazuar në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullat 34 (2) dhe 34 (3) (b) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 13 shkurt 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Sanija Doliqanin
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile