Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml.nr.462/21 të 18 janarit 2022 të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI60/22

Parashtruesit: Luljeta Sokoli

Shkarko:

 

 

Prishtinë, më 29​​ shtator 2023

Nr.ref.: RK 2273/23

 

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

 

rastin nr.​​ KI60/22

 

Parashtrues

 

Luljeta Sokoli

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë​​ 

​​ Aktgjykimit​​ Pml.nr.462/21 të 18 janarit 2022​​ të Gjykatës Supreme​​ 

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës​​ 

 

  • Kërkesa​​ është dorëzuar nga​​ Luljeta Sokoli nga Prishtina, e​​ cila​​ përfaqësohet nga​​ Naser Peci avokat nga Prishtina​​ (në tekstin e mëtejmë:​​ parashtruesja e​​ kërkesës).

 

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesja e​​ kërkesës​​ e​​ konteston​​ Aktgjykimin​​ [Pml.nr.462/21]​​ e​​ 18 janarit 2022​​ të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë:​​ Gjykata Supreme)​​ ​​ lidhje me​​ Aktgjykimin [PA1.nr.1280/21]​​ e​​ 10 nëntorit 2021​​ të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [P.nr.1331/17]​​ e​​ 28 majit 2021​​ të Gjykatës Themelore​​ në Prishtinë ( në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).

 

  • Parashtruesja e​​ kërkesës Aktgjykimin​​ e kontestuar​​ [Pml.nr.462/21] të​​ 18 janarit 2022​​ e ka pranuar më​​ 9 shkurt 2022.

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit​​ të​​ kontestuar​​ të​​ Gjykatës Supreme,​​ përmes​​ së cilit​​ pretendohet​​ se​​ parashtruesit​​ të​​ kërkesës​​ i​​ janë​​ shkelur të drejtat​​ dhe liritë​​ themelore​​ të garantuara me nenet​​ 24 [Barazia para Ligjit]​​ dhe​​ 31​​ [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ të Kushtetutës së Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).​​ 

 

  • Parashtruesja e kërkesës gjithashtu ka kërkuar moszbulimin e identitetit të saj, pasi që siç thekson “​​ Kërkesa e paraqitur ne Gjykatën Kushtetuese është vetëm një segment i rezultuar nga çështjet interne familjare që janë në proces të shqyrtimit civil (nr.C1745/1 5 dhe nr. C 1637/15) ne Gjykatën Themelore në Prishtinë, andaj me synim te shmangies së dëmtimit eventual te procesit kërkojë mundësin e respektimit të konfidencialitet konformë Rregullores se punës të Gjykatës Kushtetuese, kapitulli III Fillimi i procedurës, Rregulli 32 Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve pika 6” .

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet​​ ​​ paragrafët 1 dhe​​ 7​​ të nenit 113​​ [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës,​​ në​​ nenet 22(Procedimi i kërkesës)​​ dhe 47​​ (Kërkesa individuale)​​ të Ligjit​​ nr. 03/L-121​​ për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin​​ 25​​ (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve)​​ të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese​​ të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

  • Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur.​​ Lidhur me këtë,​​ konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.

 

Procedura​​ para​​ Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

  • ​​ 5 maj​​ 2022,​​ parashtruesja e​​ kërkesës​​ përmes postës​​ e dorëzoi​​ kërkesën në Gjykatën​​ Kushtetuese​​ ​​ Republikës së​​ Kosovës (në​​ tekstin e mëtejmë: Gjykata).​​ 

 

  • Më​​ 16 mars 2022, Kryetarja e Gjykatës​​ përmes vendimit [Nr.GJR.KSH60/22]​​ caktoi gjyqtarin​​ Nexhmi Rexhepi​​ gjyqtar​​ raportues​​ dhe​​ përmes vendimit [Nr.KSH.KI60/22]​​ Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Gresa Caka Nimani​​ (kryesuese),​​ Safet Hoxha​​ dhe​​ Radomir Laban, anëtarë.

 

  • ​​ 23 maj​​ 2022, Gjykata njoftoi përfaqësuesin e parashtrueses​​ për regjistrimin e kërkesës. Po ashtu​​ një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.

 

  • Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • ​​ 31 gusht​​ 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve

 

  • Bazuar në shkresat e lëndës,​​ më 12 prill 2017, Prokuroria Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore) kishte ngritur Aktakuzë [PP/IINr.4003/15] kundër parashtrueses së kërkesës, me pretendimin se ka kryer veprën penale Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë nga neni 403 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK), për shkak se ka vënë në lajthim organin kompetent, përkatësisht​​ Ofiqarin e Komunës së Prishtinës, ashtu që​​ duke​​ paraqitur kërkesë për lëshimin e aktvdekjes të bashkëshortit të saj të ndjerë,​​ dhe​​ duke​​ deklaruar​​ veten në​​ cilësinë​​ e trashëgimtares së vetme​​ të bashkëshortit të ndjerë,​​ ka​​ përjashtuar​​ nga trashëgimia,​​ në mënyrë të kundërligjshme,​​ vajzën e trashëgimlënësit. Për pasojë,​​ organi komunal kishte​​ lëshuar dëshminë mbi vdekjen​​ e trashëgimlënësit, në të​​ cilën parashtruesja e kërkesës ishte shënuar si trashëgimtare e vetme e të ndjerit, duke e vërtetuar​​ kështu​​ një çështje të pavërtetë.

 

  • Më 28 maj 2021, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [P.nr.1331/17]​​ shpalli fajtore parashtruesen e kërkesës lidhur me veprën penale Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë nga neni 403 paragrafi 1 i KPRK-së, dhe në bazë të nenit të lartcekur dhe neneve 4,7, 17, 20, 21, 41, 49, 50, 51, 52, 73, 74, 75 dhe 76 të KPRK-së, dhe neneve 359, 365 dhe 366 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPRK) parashtrueses ia shqiptoi dënimin me burg me kusht në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse e akuzuara në afatin e verifikimit prej një (1) viti, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale.

 

  • Më 27 shtator 2021, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi sanksionin penal, me propozimin që të aprovohet ankesa e saj dhe të anulohet aktgjykimi i atakuar dhe çështja të kthehet në rigjykim.​​ Edhe Prokuroria Themelore përmes parashtresës PPA/II​​ nr.1295/2021 të 15 tetorit 2021 kërkoi të refuzohet ankesa e parashtrueses së kërkesës dhe të vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore.

 

  • Më 10 nëntor 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PA1.nr.1280/21] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore [P.nr.1331/17] të 28 majit 2021 e vërtetoi.

 

  • Më 22 nëntor 2021, parashtruesja e kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatës Supreme, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljes esenciale të kodit të procedurës penale nga neni 384 par.1 nenpar.1.12 i KPPK-së dhe shkeljeve të tjera të dispozitave të procedurës penale përkatësisht nenit 432 par.1 nënpar. 1.3 të KPPK-së.

 

  • Më 18 janar 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml.nr.462/2021] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtrueses së kërkesës, të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

 

Pretendimet e parashtrueses së​​ kërkesës

 

  • Parashtruesja e​​ kërkesës e​​ konteston​​ Aktgjykimin​​ [Pml.nr.462/2021]​​ e​​ 18 janarit 2022​​ të Gjykatës Supreme,​​ me pretendimin se​​ i njëjti​​ është​​ nxjerrë​​ ​​ shkelje të​​ ​​ drejtave dhe lirive​​ të saj​​ themelore të​​ garantuara​​ me nenet​​ 24 [Barazia para Ligjit] dhe​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

 

  • Parashtruesja e​​ kërkesës​​ pretendon​​ shkelje të nenit​​ 31 të Kushtetutës duke theksuar se Gjykatat e rregullta me theks të veçantë Gjykata Themelore kishte refuzuar pranimin e provave të paraqitura nga ajo, ku lidhur me këtë ajo pohon se​​ [...] ​​​​ në pajtim me nenin 329 te KPP ne shqyrtim gjyqësor​​ , gjate deklarimit te saj​​ kishte prezantuar prova për te dëshmuar mungesën e elementit subjektiv (dashjes) për te përjashtuar "palën e dëmtuar" nga trashëgimia. Njëkohësisht provat kishin për qellim te provonin motivin me te cilin ishte udhëhequr parashtruesi i kërkesës për përpilimin e aktvdekjes ku figuron vetëm ajo si trashëgimtare. Për këtë qellim kishte ofruar aktvendimin e trashëgimisë T nr.140/82 (baze marrëveshjes familjare për ndarje te pasurisë) dhe fotot e vendndodhjes se pronës se patundshme ne Batllave e cila ishte shitur dhe çmimi i shitjes për pjesën e trashëgimlënësit i ishte dhënë ne tërësi këtu "palës se dëmtuar" A.G. Gjykatësi kishte refuzuar pranimin e atyre provave, por pastaj i kishte lënë ne shkresat e lendes. Edhe pse me rëndësi për te provuar arsyen e përpilimit te aktvdekjes ne formën e cekur gjykata aprovon kundërshtimin e prokurorit dhe refuzon atë prova dhe vendos te veçohen​​ nga shkresat e lëndës. Në​​ momentin e vendosjes gjykata na udhëzoi citat :"keni te drejte ankese pastaj ne Apel"!? Duke marre për baze faktin se gjykata ka detyrim ligjor qe te vërtetoj elementet qenësore te veprës përfshirë edhe elementin subjektiv apo dashjen me refuzimin e administrimit si prova te dokumenteve te dorëzuara, konsiderojmë se ka shkelur detyrimin e trajtimit te barabarte te palëve para ligjit. Kjo mbase me veprimet e këtilla (refuzim te provave dhe mos faljes se besimit dëshmisë se parashtruesit te kërkesës me arsyetim se tenton shmangie nga përgjegjësia) ka krijuar mundësin qe te ndërtohet një gjendje e re faktike e cila ka deformuar faktet apo motivin pse aktvdekja kishte përmbajtjen e tille, apo ka deformuar elementin subjektiv te veprës -dashjen dhe nga përmbushja e një obligimi familjar pa baze u përfundua​​ se parashtruesja e​​ kërkesës 'Ika përpiluar aktvdekjen me qellim qe e dëmtuara te përjashtohet nga e drejta ne trashëgimi". Realiteti nuk ishte ky si është përfunduar nga gjykatat. Është fakt i provuar qe aktvdekja e përpiluar nuk është përdorë ne ndonjë procedure nga parashtruesi i kërkesës dhe është fakt qe ne procedurën kontestimore te iniciuar nga parashtruesi i kërkesës "pala e dëmtuar" është pale ne kontest”.​​ 

 

  • Tutje parashtruesja e kërkesës thekson se Gjykatat e rregullta me rastin e vlerësimit të provave lidhur me ekzistimin e veprës penale për të cilën ajo është dënuar, kishin interpretuar gabimisht dhe në mënyrë diskriminuese​​ nenin 403 par.1 të KPRK-së, pasi që sipas parashtruese së kërkesës​​ “ ... është provuar se parashtruesi i kërkesës aktvdekjen nuk e kishte përpiluar me atë përmbajtje me qellim qe ta përdorë ne procedure trashëgimore për tu shpallë trashëgimtare vetëm ajo në 1/3 pjesë të patundshmërisë e evidentuar në emër të ndjerit B.S. Aktvdekja ishte dorëzuar si provë në kontestin e iniciuar nga parashtruesi i kërkesës, ku palë ishte edhe pala e dëmtuar, andaj nuk përbën interpretim të drejtë​​ në kuptimin dhe qëllimin e normës vlerësimi vetëm i vënies në lajthitje të organit kompetent.

 

  • Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës parashtruesja e kërkesës thekson se​​ ...​​ e drejta për barazi para Ligjit dhe trajtim të barabartë nga ligji, apo parimi i mos diskriminimit e kushtëzon interpretimin dhe zbatimin jo vetëm të së drejtës për të drejtat e njeriut por gjithashtu​​ edhe të drejtën ndërkombëtare humanitare.​​ Parimi i barazisë në radhë të parë nënkupton që çdo person që paraqitet​​ para një gjykate ka të drejtë mos të diskriminohet as në mënyrën se si zbatohet ligji ndaj tij. Në rastin e parashtrueses së kërkesës gjykata e ka diskriminuar si në trajtim ashtu edhe në interpretim të ligjit”.

 

  • Në fund parashtruesja e​​ kërkesës​​ kërkon​​ nga Gjykata që​​ të aprovojë kërkesën si të pranueshme dhe të vlerësojë​​ të njëjtën​​ në kuptim të shkeljeve të pretenduara.

 

Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

 

 

Neni 24

[Barazia para Ligjit]​​ 

 

1.​​ Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.​​ 

 

2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.​​ 

 

3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.

 

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”

[...]

 

Kodi nr.04/L-082 Penal i Republikës së Kosovës

 

Neni 403

Legalizimi i përmbajtjes së rreme

 

1. Kushdo që vë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik, regjistër apo libër të vërtetojë një çështje të pavërtetë, të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.​​ 

2. Kushdo që përdorë dokumentin, regjistrin apo librin e tillë edhe pse e di së është i rremë, dënohet me dënimin nga paragrafi 1. i këtij neni.

Vlerësimi i pranueshmërisë së​​ kërkesës

 

  • Gjykata së​​ pari vlerëson nëse parashtruesja e​​ kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët​​ e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:​​ 

 

Neni 113

[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]

 

“1.​​ Gjykata​​ Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[...]

7.​​ Individët​​ janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

[...]

 

  • Gjykata në vazhdim shqyrton​​ nëse parashtruesja e​​ kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:​​ 

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

 

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

2. Individi​​ mund​​ ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht​​ se​​ cilat të drejta dhe liri​​ pretendon​​ se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.

 

Neni 49

[Afatet]

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur​​ parashtruesit​​ i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.

 

  • Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura,​​ Gjykata vlerëson se parashtruesja e​​ kërkesës: është ​​ palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ajo​​ e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin​​ [Pml.nr.462/2021]​​ e​​ 18 janarit 2022​​ të Gjykatës Supreme;​​ se​​ i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit;​​ se​​ i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe ​​ kërkesën e ka ​​ parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç parashihet me​​ nenin​​ 49​​ ​​ Ligjit.​​ 

 

  • Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesja e​​ kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin​​ 34​​ [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht​​ nën rregullin​​ (2) të rregullit​​ 34​​ të Rregullores së punës, që përcakton:

 

(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e​​ pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.

 

  • Gjykata​​ rikujton​​ se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë​​ një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit​​ 34​​ të Rregullores së punës​​ (shih rastet e Gjykatës​​ KI04/21, parashtruese​​ Nexhmije Makolli,​​ Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26;​​ dhe​​ KI175/20, parashtrues​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit,​​ Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).​​ 

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së​​ Trofimchuk kundër Ukrainës,​​ nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu​​ Baillard kundër Francës,​​ nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës​​ KI166/20,​​ parashtrues,​​ Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe​​ në fund, (iv) pretendime​​ “konfuze dhe të paqarta”​​ (shih, rastet e GjEDNj-së,​​ Kemmache kundër Francës,​​ nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i),​​ Juta Mentzen kundër Lituanisë,​​ nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe​​ Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).

 

  • Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin​​ KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).

 

  • Rrethanat e rastit konkret,​​ ndërlidhen me aktakuzën e ngritur ndaj parashtrueses së kërkesës nga ana e Prokurorisë Themelore për shkak të pretendimit për kryerjen e veprës penale Legalizim i përmbajtjes së pa vërtetë nga neni 403 par.1 i KPRK-së.​​ Gjykata Themelore e kishte e kishte shpallur fajtore parashtruesen e kërkesës​​ për​​ kryerjen e​​ veprës​​ penale Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë nga neni 403 par.1 i KPRK-së, dhe i kishte shqiptuar dënim me burgim me kusht prej 6 (gjashtë) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohej​​ nëse e​​ dënuara​​ në afatin e verifikimit prej një (1) viti, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk​​ do të​​ kryente​​ vepër tjetër penale. Kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e kishte refuzuar ankesën dhe e kishte vërtetuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë. Po ashtu edhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e parashtruar nga ana e parashtrueses së kërkesës kundër aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ishte refuzuar nga ana e Gjykatës Supreme.

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesja e​​ kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të​​ Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e​​ saj​​ të garantuara me nenet:​​ 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

 

i) Lidhur me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6 të KEDNJ-së.

 

  • Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtrueses së​​ kërkesës qëndron në pretendimin se Gjykata Supreme ka shkelur nenin 31 të Kushtetutës, duke arsyetuar “...​​ duke marrë për baze faktin se gjykata ka detyrim ligjor qe te vërtetoj elementet qenësore te veprës përfshirë edhe elementin subjektiv apo dashjen me refuzimin e administrimit si prova te dokumenteve te dorëzuara, konsiderojmë se ka shkelur detyrimin e trajtimit te barabarte te palëve para ligjit. Kjo mbase me veprimet e këtilla (refuzim te provave dhe mos faljes se besimit dëshmisë se parashtruesit te kërkesës me arsyetim se tenton shmangie nga përgjegjësia) ka krijuar mundësin qe te ndërtohet një gjendje e re faktike e cila ka deformuar faktet apo motivin pse aktvdekja kishte përmbajtjen e tille, apo ka deformuar elementin subjektiv te veprës -dashjen dhe nga përmbushja e një obligimi familjar pa baze u përfundua se parashtruesja e kërkesës ka përpiluar aktvdekjen me qellim që e dëmtuara të përjashtohet nga e drejta ne trashëgimi". Realiteti nuk ishte ky si është përfunduar nga gjykatat. Është fakt i provuar që aktvdekja e përpiluar nuk është përdorë ne ndonjë procedure nga parashtruesi i kërkesës dhe është fakt qe ne procedurën kontestimore te iniciuar nga parashtruesi i kërkesës "pala e dëmtuar" është palë ne kontest”.”.

 

  • Gjykata vëren se thelbi​​ i ​​ pretendimeve të parashtrueses së​​ kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga Gjykatat e rregullta, përkatësisht nenit 403 paragrafi 1 të KPRK-së.

 

  • Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës​​ KI179/18, parashtrues​​ Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68;​​ KI49/19, parashtrues​​ Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”,​​ Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47;​​ KI56/17,​​ me parashtruese​​ Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe​​ KI154/17 dhe KI05/18,​​ me parashtrues,​​ Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti​​ KI76/21, parashtrues​​ Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).​​ 

 

  • Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së​​ García Ruiz kundër Spanjës,​​ nr. 30544/96,​​ Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës,​​ KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe​​ KI154/17 dhe KI05/18,​​ cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti​​ KI76/21, parashtrues​​ Qemajl Babuni,​​ Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).​​ 

 

  • Gjykata vëren se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtrueses së​​ kërkesës lidhur me​​ vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe​​ zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.

 

  • Së pari,​​ Gjykata Themelore, përmes​​ Aktgjykimit​​ [P.nr.1331/17],​​ shpalli​​ fajtore​​ parashtruesen e kërkesës lidhur me veprën penale Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë nga neni 403 paragrafi 1 i KPRK-së dhe e dënoi me dënim me burgim me kusht prej 6 (gjashtë) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse e akuzuara në afatin e verifikimit prej një (1) viti, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale​​ , me arsyetimin se “[...]​​ Pretendimet e te akuzuarës se: Dëshmia e vdekjes, pavarësisht rëndësisë që ka në procedure trashëgimore, vetvetiu nuk e përjashton dike nga trashëgimia dhe nuk e shpalle tjetrin trashëgimtar​​ të​​ vetëm.", nuk​​ qëndrojnë,​​ për faktin se në​​ këtë çështje​​ akuza nuk​​ është​​ rreth​​ përjashtimit të të​​ dëmtuarës​​ nga​​ trashëgimia​​ nga ana e te​​ akuzuarës, por​​ vënia​​ ne lajthim e organit kompetent​​ përkitazi​​ me​​ saktësimin​​ e​​ përmbajtjes​​ se​​ dëshmi​​ vdekjes nga e akuzuara, ku e njëjta​​ ne momentin e​​ përpilimit​​ te​​ kërkesës​​ për​​ dëshmi​​ vdekje, ne​​ rubrikën​​ ku duhej te​​ shënoheshin​​ trashëgimtaret​​ e​​ pronës se paluajtshme​​ te​​ trashëgimlënësit, edhe pse e ka ditur se​​ trashëgimlënësi, burri i saj i ndjere, ka pasur​​ një vajzë​​ nga martesa e pare,​​ siç. e pohoi edhe vete ajo gjate shqyrtimit​​ gjyqësor, të​​ njëjtën​​ nuk e ka vene ne liste te,​​ për çka organi kompetent ka nxjerre​​ dëshmi​​ vdekje​​ për të​​ ndjerin Burhanidin Sokoli, me te​​ vetëm​​ trashëgimtare Luljeta Sokoli.​​ Pra organi kompetent ne baze të të​​ dhënave​​ te paraqitura nga ushtruesja e​​ kërkesës, ka​​ vërtetuar të​​ dhëna​​ te pasakta duke u vene ne lajthim nga e akuzuara​​ përmes​​ fshehjes se te​​ dhënave,​​ për​​ te cilat ka pasur dijeni se​​ ekzistojnë. Pra e​​ njëjta​​ duke ditur se ekziston edhe​​ një​​ trashëgimtare​​ e te​​ trashëgimlënësit, ne piken 4 te aktvdekjes, shkronja b), ku​​ kërkohet​​ te evidentohen​​ nëse​​ trashëgimlënësi​​ ka​​ fëmije​​ ,martesor, jo martesor dhe te adoptuar, nuk ka evidentuar Ana Gutiq, si vajze te​​ trashëgimlënësit. Se kjo​​ vepër​​ penale​​ është​​ kryer me dashje​​ direket​​ vërtetohet​​ edhe nga vet deklarata e te​​ akuzuarës​​ e cila pohoi te jete evidentuar​​ vetëm​​ ajo si​​ trashëgimtare​​ ne​​ kërkesë​​ për​​ dëshmi​​ vdekje, sepse "ka qene​​ kërkesë​​ e​​ bashkëshortit tim që të​​ respektohet​​ marrëveshja​​ interne​​ familjare';, e që një​​ deklarate e tille​​ është​​ ne​​ kundërshtim​​ me​​ dëshmi​​ vdekjen, ku ne piken 7 te​​ dëshmi vdekjes, nder te tjera​​ është​​ kërkuar që të​​ shënohet​​ nëse​​ i vdekuri ka​​ lënë testament gojor, dhe të​​ ceken emrat e​​ dëshmitarëve​​ para te​​ cilëve​​ është​​ bere testamenti, nuk​​ është​​ evidentuar​​ asnjë​​ testament gojor apo​​ dëshmitar,​​ siç​​ pohon e akuzuara​​ për​​ marrëveshjen​​ interne familjare dhe testamentin gojor (gjate​​ seancës​​ gjyqësore)​​ ".

 

  • Po ashtu edhe Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PA1.nr.1280/21] refuzoi si të​​ pa bazuar ankesën e parashtrueses së​​ kërkesës, ku ndër të tjera theksoi “​​ [...]​​ Me te drejte gjykata e shkalles se pare ka theksuar se pretendimet e mbrojtjes se dëshmia e vdekjes si dokument i cili vetvetiu nuk përbën dokument me te cilën shpallet automatikisht trashëgimtari është pretendim i pa bazuar. E po ashtu edhe pretendimi se nuk e ka përdor te njëjtën ne asnjë procedure tjetër ligjore që do të përfundonte me vendim me te cilën e akuzuara do te shpallej trashëgimtare e vetme e të ndjerit. Kjo për faktin se​​ dispozita e nenit 403 par. I te KPRK.-se nuk e thekson se medoemos duhet qe përmes dokumentit me përmbajtje te rreme te përfundon edhe veprimi tjetër procedural ne këtë rast shpallja e te akuzuarës si trashëgimtare e te ndjerit Burhanedin Sokoli.​​ ​​ Kjo dispozite qarte thekson se "kushdo qe ven ne lajthim organin kompetent qe ne një dokument publik; regjistër apo libër te ‘vërtetoj një çështje te pa vërtetë, te parapare për te shërbyer si prove ne një çështje ligjore dënohet me ..... ". Pra me rendësi është vënia ne lajthitje e organit kompetent me mashtrim apo me ndonjë veprim tjetër, për ta legalizuar një Përmbajtje te pa vërtetë .e ku kryesi i veprës penale me qëllim dhe vetëdije tek organi kompetent krijon përfytyrim të gabuar për ekzistimin apo mos ekzistimin e fakteve juridike relevante. Për te ekzistuar kjo vepër penale nuk është e nevojshme te ekzistoj qëllimi i kryesit që atë dokument, regjistër apo libër edhe ta përdor. Pra për me ekzistua kjo vepër penale është e domosdoshme që organin kompetent ta sjell në lajthitje për ta shtyrë të legalizoj një përmbajtje te pa vërtetë që nënkupton vetëm veprimet e legalizimit publik zyrtar i cili parashihet qe te​​ shërbej​​ si prove ne​​ një çështje ligjore. Ky legalizim i​​ rremë në​​ dokumentin publik​​ kryhet në rastin konkret nga kryesi i kësaj vepre penale. Vepra penale konsiderohet e kryer nga vetë legalizimi i përmbajtjes së rreme në dokumentin publik në rastin konkret në akt vdekje me të dhënat si në dispozitiv të aktgjykimit”.

 

  • Në fund, në lidhje me pretendimet​​ e​​ parashtruesit të kërkesës vendosi ​​ edhe Gjykata Supreme, e cila e refuzoi​​ si të pabazuar​​ kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës​​ dhe vërtetoi​​ aktgjykimin e​​ Gjykatës së Apelit në tërësi.​​ Në lidhje me këtë, Gjykata​​ Supreme përmes aktgjykimit​​ Pml.nr.462/2021, ndër të tjera arsyetoi​​ ​​ “[...]​​ Në aktgjykimet e kundërshtuara është vlerësuar edhe mbrojta e te dënuarës se aktvdekjen nuk e ka përdorur dhe nuk e ka përpiluar me qellim qe te përdori, por se arsyeja për se një dokument me këtë përmbajtje e ka kërkuar nga ofiqaria, ka qenë një marrëveshje gojore me bashkëshortin e saj tani te ndjere. Duke e vlerësuar këtë mbrojtje, gjykata e shkalles se pare ka gjetur se vënja në lajthitje e organit kompetent ka ekzistuar, sepse e dënuara ka pranuar se e ka ditur se nuk është trashëgimtare e vetme e pasurisë. Me tutje ka arsyetuar se aktvdekja është një dokument publik i cili shërben si prove ne një çështje ligjore, ne rastin konkret si prove për atë se kush është trashëgimtar i Burhanidin Sokolit. Me pastaj është dhënë edhe arsyetim për atë se nuk është element i veprës penale legalizimi i përmbajtjes se rreme; përdorimi i dokumentit, sepse konform dispozitës se nenit 403 par.1 te KPRK këtë vepër penale e kryen "kushdo qe ve ne lajthim organin kompetent qe ne një dokument publik, regjistër apo libër të vërtetojë një çështje të pavërtetë, të parapare për te shërbyer si prove ne një çështje ligjore". Gjykata Supreme konstatoje se gjetjet e gjykatës se shkalës së parë të vërtetuar me atë te shkallës se dyte janë ligjore dhe te arsyetuara ne mënyrë te sakte dhe ligjore​​ [...]”.

 

  • Gjykata vëren se​​ Gjykatat​​ e rregullta arsyetuan​​ në mënyrë të detajuar pretendimet​​ e​​ parashtrueses së kërkesës, përfshirë edhe pretendimin se nuk ishte bërë interpretim i duhur i nenit 403 par.1 të KPRK-së.​​ Lidhur me këtë Gjykata​​ vëren​​ se​​ Gjykata Supreme kishte qartësuar përmbajtjen e nenit 403 të KPRK-së, i cili qartëson në mënyrë precize se kur kemi të bëjmë me vepër penale “Legalizim i përmbajtjes së pa vërtetë”, ku ndër të tjera paragrafi 1 i nenit 403 thekson​​ "kushdo që vë në lajthim organin kompetent qe ne një dokument publik, regjistër apo libër të vërtetojë një çështje të pavërtetë, të parapare për te shërbyer si prove ne një çështje ligjore". Gjykata Supreme konstatoje se gjetjet e gjykatës se shkalës së parë të vërtetuar me atë te shkallës se dyte janë ligjore dhe te arsyetuara ne mënyrë te sakte dhe ligjore [...]”.​​ 

 

  • Prandaj, Gjykata konstaton që parashtruesja e​​ kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë ​​ nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e​​ saj; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar në mënyrë​​ efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tyre, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës, dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë (shih​​ mutatis mutandis, Aktgjykimi i GJEDNJ-së i 21 janarit 1999,​​ García Ruiz kundër Spanjës,​​ nr. 30544/96, paragrafët 29 dhe 30; shih gjithashtu rastin e Gjykatës​​ KI22/19, parashtrues​​ Sabit Ilazi, Aktvendim për Papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).

 

  • Gjykata thekson që në rrethanat e rastit konkret, parashtruesja e​​ kërkesës​​ lidhur me​​ pretendimet​​ për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit,​​ thekson se,​​ gjykata​​ e​​ ka interpretuar gabimisht dispozitën ​​ e nenit 403 të KPRK-së”, megjithatë ajo​​ nuk​​ e​​ mbështet​​ në asnjë mënyrë​​ dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesen​​ e kërkesës apo se si procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtrueses së​​ kërkesës dhe kanë arsyetuar qartazi të njëjtat (Shih rastet e Gjykatës​​ KI64/20, parashtrues​​ Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe​​ KI22/19, cituar më lart, paragrafi 43).

 

  • Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtrueses së​​ kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla,​​ këto pretendime të parashtrueses së​​ kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit​​ 34​​ të Rregullores së punës.

 

Në lidhje me pretendimin për shkelje të​​ nenit​​ 24 të Kushtetutës

 

  • Sa i përket shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me​​ nenin​​ 24 të Kushtetutës, Gjykata rikujton se sipas praktikës së themeluar gjyqësore të GjEDNJ-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar kur pretendimet janë “të pambështetura apo të paarsyetuara” ose kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht;

 

  • kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih: në këtë drejtim, rasti i GJEDNJ-së​​ Trofimchuk kundër Ukrainës​​ (vendim)​​ i 31 majit 2005, kërkesa nr. 4241/03; shih gjithashtu,​​ Baillard kundër Francës​​ (vendim​​ i 25 shtatorit 2008, kërkesa nr. 6032/04);

 

  • kur​​ parashtruesi i kërkesës​​ nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin KI166/20, parashtrues,​​ Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri i 5 janarit 2021, paragrafi 42).

 

  • Në rastin konkret, parashtruesja e​​ kërkesës pretendon që aktgjykimi i Gjykatës Supreme, ka shkelur të drejtat e​​ saj​​ individuale dhe ka ardhur deri te shkelja e​​ nenit​​ 24​​ të Kushtetutës, duke theksuar “​​ ...​​ e drejta për barazi para Ligjit dhe trajtim të barabartë nga ligji, apo parimi i mos diskriminimit e kushtëzon interpretimin dhe zbatimin jo vetëm të së drejtës për të drejtat e njeriut por gjithashtu edhe të drejtën ndërkombëtare humanitare. Parimi i barazisë në radhë të parë nënkupton që çdo person që paraqitet para një gjykate ka të drejtë mos të diskriminohet as në mënyrën se si zbatohet ligji ndaj tij. Në rastin e parashtrueses së kërkesës gjykata e ka diskriminuar si në trajtim ashtu edhe në interpretim të ligjit,​​ por​​ nuk shpjegon specifikisht se si ka ardhur deri te shkelja e​​ këtij neni​​ të Kushtetutës dhe KEDNJ-së. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës Kushtetuese​​ KI187/18 dhe KI 11/19, parashtrues: Muhamet Idrizi, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2019, paragrafi 73;​​ KI125/19​​ parashtrues: Ismajl Bajgora, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63; dhe së fundmi rastin​​ KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi për papranueshmëri, i 26 marsit 2021, paragrafët 79-82).​​ 

 

  • Andaj, Gjykata konstaton se sa i përket pretendimeve të parashtrueses​​ të kërkesës për shkelje​​ nenit​​ 24​​ të Kushtetutës, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse ky pretendim cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi parashtruesja e​​ kërkesës thjesht ka cituar një dispozitë të Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur ajo. Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit​​ 34​​ të Rregullores së punës.

 

Kërkesa e parashtrueses​​ për moszbulim të identitetit

 

  • Gjykata vëren se parashtruesja në kërkesën e saj kishte kërkuar gjithashtu që identiteti i saj të mos zbulohet.

 

  • Parashtruesja e kërkesës lidhur me kërkesën për moszbulim të identitetit arsyeton si në vijim: “Kërkesa e paraqitur ne Gjykatën Kushtetuese është vetëm një segment i rezultuar nga çështjet interne familjare që janë në proces të shqyrtimit civil (nr.C1745/1 5 dhe nr. C 1637/15) në​​ Gjykatën Themelore në Prishtinë, andaj me synim te shmangies së dëmtimit eventual te procesit kërkojë mundësin e respektimit të konfidencialitet konformë Rregullores se punës të Gjykatës Kushtetuese, kapitulli III Fillimi i procedurës, Rregulli 32 Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve pika 6”.

  • Lidhur me këtë, Gjykata i referohet rregullit​​ 24​​ (1)​​ të Rregullores së punës, i cili parasheh:

 

“(1)​​ Kurdo përgjatë procedurës se shqyrtimit të një kërkese​​ individuale sipas paragrafit 7 te nenit 113 te Kushtetutës dhe deri ne publikimin e vendimit përfundimtar, palët mund te kërkojnë qe identiteti i tyre te mos zbulohet publikisht. Kërkesa duhet të jetë e arsyetuar”.​​ 

 

  • Duke u bazuar në arsyetimin e paraqitur nga parashtruesja e​​ kërkesës, Gjykata konsideron se kjo nuk është bazë për miratimin e kësaj kërkese (Shih rastin e Gjykatës Kushtetuese,​​ KI74/17, parashtrues Lorenc Kolgjeraj, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 dhjetorit 2017).

 

  • Rrjedhimisht, kërkesa​​ e parashtrueses së kërkesës​​ për moszbulim të identitetit duhet të refuzohet.

 

Përfundim

 

  • Në fund, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtrueses së​​ kërkesës është e papranueshme, sepse:​​ (i) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, janë pretendime​​ që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt“ dhe si të tilla​​ këto pretendime të parashtrueses së​​ kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese;​​ dhe​​ (ii) pretendimet e parashtrueses së​​ kërkesës për shkelje të​​ nenit​​ 24​​ të Kushtetutës, duhet të deklarohen si qartazi të pabazuara, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa në tërësi duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit​​ 34​​ të Rregullores së punës.​​ Gjithashtu kërkesa për moszbulim të identitetit refuzohet.

 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat​​ 24​​ (1),​​ 34​​ (2) dhe​​ 48 (1)​​ (b) të Rregullores së punës, më​​ 31 gusht 2023,​​ njëzëri:

 

VENDOS

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;​​ 

 

  • TË REFUZOJË kërkesën për moszbulim të identitetit;

 

  • T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  • Ky​​ aktvendim hyn në fuqi ​​ në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit. ​​​​ 

 

 

 

 

Gjyqtari raportues     Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Nexhmi Rexhepi​​ Gresa Caka-Nimani

1

Parashtruesit:

Luljeta Sokoli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale