Prishtinë, 18 maj 2023
Nr. ref.:RK 2181/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI163/22
Parashtrues
N.N.T. “Art Konstruktion”
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit E. Rev. 2/2022
të Gjykatës Supreme të 5 majit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga N.N.T. “Art Konstruktion” me pronar Agim Dedaj (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), përfaqësuar nga Bardh Maksuti, avokat nga Gjakova.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [E. Rev. 2/2022] të 5 majit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 22 qershor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [E. rev. /2022] të 5 majit 2022 të Gjykatës Supreme përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] dhe paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 18 tetor 2022, parashtruesi i kërkesës përmes postës elektronike dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 26 tetor 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI163/22] caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 31 tetor 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Komerciale dhe kësaj të fundit iu kërkua që të dorëzojë dëshminë (fletë-kthesën) që tregon datën kur parashtruesi i kërkesës ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 3 nëntor 2022, Gjykata Themelore dorëzoi dëshminë që tregon se parashtruesi i kërkesës ka pranuar vendimin e kontestuar më 22 qershor 2022.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dhe betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 12 prill 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte kryer punime ndërtimore në urën mbi lumin Erenik në Moglicë, Gjakovë dhe kishte kryer përgatitjet e trasesë së rrugës “Lugbunar” në Gjakovë. Bazuar në punimet e kryera, parashtruesi i kërkesës kishte dërguar faturat për pagesë në adresë të komunës së Gjakovës. Komuna e Gjakovës kishte vlerësuar se punimet e parashtruesit të kërkesës janë të njëanshme dhe të kundërligjshme sepse ato nuk janë kryer në pajtim me procedurën që është dashur të zhvillohet pranë Zyrës së Prokurimit Publik nga do të rrjedhtë kontrata me detyrime të ndërsjella të palëve kontraktuese.
Për shkak të mosmarrëveshjes ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe komunës së Gjakovës, parashtruesi i kërkesës e paditi këtë të fundit duke pretenduar kompensim për punimet ndërtimore të kryera dhe të pasurimit pa bazë juridike.
Më 23 nëntor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Ekonomike (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) përmes Aktgjykimit [V.EK.nr.247/19] vendosi: REFUZOHET e pabazuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës e ushtruar kundër të paditurës komuna e Gjakovës, me të cilën ka kërkuar që e paditura që në emër të pasurimit të pabazë t’ia paguajë shumën e mjeteve në lartësi prej 296,005.44 euro, me normë të kamatës prej 8% në vit e cila fillon të rrjedhë nga data 05.10.2015, e deri në pagesën definitive, që të gjitha këto brenda afatit prej 7 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi e deri në pagesën definitive.
Gjykata Themelore arsyetoi: (i) neni 194 të LMD-së përcakton se secili person që pasurohet pa bazë ligjore në dëm të tjetrit, është i detyruar që ta kthej atë që ka marrë nga tjetri; (ii) mirëpo në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës dhe pala e paditur nuk kanë arritur marrëveshje apo kontratë për kryerjen e punëve ndërtimore të cilat janë objekt i kontestit; (iii) duke iu referuar ekspertizës së ndërtimtarisë po ashtu mungojnë dokumente tjera siç janë projekti i pranuar, situacionet e pranuara dhe të vërtetuara nga investitori, procesi i pranim-dorëzimit të punëve ndërtimore dhe llogaria e punimeve të kryera të nënshkruara nga të dy palët; (iv) punimet e pretenduara nga parashtruesi i kërkesës nuk janë kryer në pajtim me procedurat e parapara nga Zyra e Prokurimit Publik; (v) pra, nuk kishte shpallje të tenderit e as procedurë të negociuar me të njëjtin operator ekonomik siç përcakton ligji për prokurimin publik; (vi) prandaj, bazuar në gjendjen faktike dhe dispozitat e nenit 2.1 dh 2.2 të ligjit për prokurimin publik, kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës lidhur me borxhin e pretenduar është e pabazuar.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që ankesa të aprovohet e bazuar dhe të prishet aktgjykimi ankimor apo çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje në gjykatën e shkallës së parë.
Më 16 shtator 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ae.nr.54/21] vendosi: (i) REFUZOHET e pa themeltë ankesa e parashtruesit të kërkesës dhe (ii) VËRTETOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore [V.EK.nr.247/19] i datës 23.11.2020.
Gjykata e Apelit i pranoi konstatimet e Gjykatës Themelore duke përsëritur (i) palët ndërgjyqëse bazuar në nenin 630 të LMD-së është dashur të lidhin kontratë me shkrim; (ii) kurse bazuar në nenin 70 të LMD-së nëse kontrata nuk është lidhur në formë të shkruar, ajo nuk ka efekt juridik; (iii) në rastin konkret nuk është lidhur as kontratë mbi veprën në kuptim të nenit 600 të LMD-së; (iv) parashtruesi i kërkesës nuk është dashur të ndërmerr veprime pa urdhëresë nga pala e paditur komuna e Gjakovës; (v) prandaj, kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës nuk gëzon mbrojtje gjyqësore.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, zbatim të gabuar të së drejtës materiale me propozim që Gjykata Supreme ta aprovojë revizionin të themeltë dhe dy aktgjykimet e gjykatave të instancës më të ulët t’i prishë dhe çështjen ta kthejë për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë, ose që t’i ndryshojë ashtu që kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës ta aprovojë të bazuar.
Më 5 maj 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [E. Rev. 2/2022] e refuzoi të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës i paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [Ae.nr.54/21] të datës 16.9.2021.
Gjykata Supreme duke u pajtuar me konstatimet e gjykatave të instancës më të ulët, arsyetoi: (i) pranohet i bazuar qëndrimi juridik i gjykatave të instancës më të ulët sepse aktgjykimet e tyre nuk janë përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe as me zbatim të gabuar të së drejtës materiale, për çka gjykata e revizionit kujdeset sipas detyrës zyrtare nga neni 215 i LPK-së; (ii) pretendimet e revizionit nuk qëndrojnë si të bazuara, ngase të dy gjykatat e instancës më të ulët me të drejtë gjejnë se në njërën anë, për punimet e pretenduara nga parashtruesi i kërkesës, nuk janë kryer procedurat e parapara në Zyrën e Prokurimit Publik, pra, nuk kishte shpallje të tenderit e as procedurë të negociuar me të njëjtin operator ekonomik, siç përcakton Ligji i Prokurimit Publik; (iii) ndërsa në anën tjetër, kontrata mbi ndërtimin në kuptim të nenit 630 të LMD-së ka qenë dashur të lidhet me shkrim, ndërsa ne kuptim të nenit 70 të LMD-së nëse kjo kontratë nuk është lidhur në forme të shkruar, ajo nuk prodhon efekt juridik; (iv) në rastin konkret nuk është lidhur as kontratë mbi veprën në kuptim të nenit 600 të LMD-së, andaj parashtruesi i kërkesës nuk është dashur ndërmarr veprime pa urdhëresë me shkrim nga e paditura, për çka edhe kërkesa e tij nuk gëzon mbrojtje juridike gjyqësore; (v) porosia dhe pëlqimi i të paditurës për kryerjen e punëve të pretenduara nga parashtruesi i kërkesës janë irelevante, pasi që, në mes palëve kontestuese as nuk ka pasur të lidhur me shkrim kontratë ndërtimi, e as nuk janë respektuar procedurat e prokurimit, siç parashihet me dispozitat ligjore të ligjit përkatës; (vi) kërkesa e parashtruesit të kërkesës për pagesën e këtyre punëve të kryera nga ajo, nuk gëzon mbrojtje gjyqësore, prandaj, gjykatat e instancës më të ulët me të drejtë kane vepruar kur kanë refuzuar kërkesëpadinë e tillë të parashtruesit të kërkesës.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Aktgjykimet e kontestuara (për të cilat kërkohet vlerësimi i ligjshmërisë ), kanë dështuar të arsyetojnë vendimmarrjen e tyre dhe të cilësojnë e arsyetojnë pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, në kundërshtim me garancitë kushtetuese të mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ. Gjykatat e Rregullta janë të detyruara që të arsyetojnë pretendimet thelbësore të palëve përkatëse dhe të tregojnë me qartësi të mjaftueshme arsyet mbi të cilat e kanë bazuar vendimmarrjen e tyre, ndërsa do të veprojnë në kundërshtim me garancitë kushtetuese për një vendim të arsyetuar gjyqësorë, nëse nuk ofrojnë asnjë përgjigje përkitazi me pretendimet thelbësore të palëve, siç është vepruar në rastin e parashtruesit të kërkesës.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon po ashtu se: “Parashtruesi i kërkesës, konsideron se refuzimi kërkesëpadisë dhe lëshimi nga secili nivel gjyqësorë, për të vlerësuar se në rastin konkret bëhet fjalë për pasurim të pa bazë dhe të drejtën në kompensimin e kundërvlerës për punimet e kryera, dhe ne këtë mënyrë parashtruesit të kërkesës i kanë pamundësuar realizmin e një të drejte të garantuar me nenin 54 të Kushtetutës duke anashkaluar detyrimin e gjykatave që të vlerësojnë ligjshmërinë.”
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata: (i) kërkesa të shpallet e pranueshme; (ii) janë shkelur nenet 31 dhe 54 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së; (iii) shpallet i pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [E. Rev. 2/2022] të 5 majit 2022; (iv) të kthejë Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [E. Rev. 2/2022] të 5 majit 2022, për rivendosje në pajtim me konstatimet e Gjykatës Kushtetuese.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
[...]
Ligji mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve i ish-RSFJ-së i datës 30 mars 1978.
Neni 70
[Sanksioni i mungesës të formës së nevojshme]
“Kontrata që nuk është lidhur në formën e parashikuar nuk ka efekt juridik, në qoftë se nga qëllimi i dispozitës me të cilën është caktuar forma nuk rezulton diçka tjetër.
Kontrata që nuk është lidhur në formën e kontraktuar nuk ka efekt juridik në qoftë se palët e kanë kushtëzuar plotfuqishmërinë e kontratës me formë të veçantë.”
Neni 600
[Nocioni]
“Me kontratën e sipërmarrjes sipërmarrësi (sipërmarrësi, zbatuesi i punimeve) merr përsipër të kryejë një punë të caktuar siç është prodhimi apo ndreqja e ndonjë sendi ose zbatimi i ndonjë pune fizike ose intelektuale etj, ndërsa porositësi obligohet që për këtë t'i paguajë shpërblim.”
Neni 630
[Nocioni]
“Kontrata e ndërtimeve është kontratë e sipërmarrjes me të cilën zbatuesi i punimeve obligohet se sipas projektit të caktuar të ndërtojë në afatin e caktuar ngrehinë të caktuar në tokën e caktuar, apo që në një tokë të tillë respektivisht në objektin ekzistues të kryejë punime të tjera ndërtimi, ndërsa porositësi obligohet që për këtë ti paguajë shpërblimin e caktuar.
Kontrata a ndërtimeve duhet të lidhet në formë shkresore.”
LIGJI Nr. 04/L-042 PËR PROKURIMIN PUBLIK NË REPUBLIKËN E KOSOVËS
Neni 2
[Fushëveprimi]
“1. Ky ligj vlen për të gjitha aktivitetet e prokurimit të autoriteteve kontraktuese dhe koncesionerëve të punëve, ashtu siç janë përkufizuar këto terme në këtë ligj. Gjatë ushtrimit të aktiviteteve të tyre të prokurimit, autoritetet kontraktuese dhe koncesionerët janë të obliguara që të zbatojnë dhe respektojnë kërkesat procedurale dhe përmbajtjesore të këtij ligji.
2. Ky ligj vlen për të gjithë personat, operatorët ekonomik, dhe ndërmarrjet, ashtu si përcaktohen këto terme në këtë ligj, që janë të përfshirë, marrin pjesë ose interesohen, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, në aktivitete prokurimi të rregulluara me këtë ligj; nga personat e tillë, operatorët, dhe ndërmarrjet gjithashtu kërkohet që t’i respektojnë dhe të veprojnë në përputhje me kërkesat procedurale dhe materiale të këtij ligji.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4, të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, i cili përcakton: “Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.”
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale] 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës kanë specifikuar se kontestojnë një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin E. Rev. 2/2022 [] të Gjykatës Supreme të 5 majit 2022, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesit e kërkesës gjithashtu kanë qartësuar të drejtat dhe liritë që ata pretendojnë se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe kanë dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e personit juridik ka të drejtë të paraqes ankesë kushtetuese, duke u thirrur në shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih rastin e Gjykatës KI41/09, parashtrues Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendim për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14).
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 39 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. (Shih: më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, Udhëzuesin Praktik të GJEDNJ-së për Kriteret e Pranueshmërisë të 31 gushtit 2019; Pjesa III. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat qartazi të pabazuara, paragrafët 255 deri më 284, shih gjithashtu rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me padinë që parashtruesi i kërkesës e kishte paraqitur padi për pasurim të pabazë kundër komunës së Gjakovës lidhur me disa punime ndërtimore të kryera në territorin e komunës së Gjakovës. Gjykata Themelore e refuzoi të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me të cilën ka kërkuar që e paditura që në emër të pasurimit të pabazë t’ia paguajë shumën e caktuar të mjeteve monetare. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Gjykata e Apelit e refuzoi të pa themeltë ankesa e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi aktgjykimin i Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, zbatim të gabuar të së drejtës materiale me propozim që Gjykata Supreme ta aprovojë revizionin të themeltë dhe dy aktgjykimet e gjykatave të instancës më të ulët t’i prishë dhe çështjen ta kthejë për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës i paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme sikurse edhe gjykatat e instancës më të ulët konstatuan se punimet e kryera nga parashtruesi i kërkesës nuk gëzojnë mbrojtje juridike për shkak se ishte lidhur kontratë me shkrim sipas dispozitave përkatëse të LMD-së dhe nuk ishin zhvilluar procedurat e prokurimit sipas ligjit për prokurimin publik.
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës në thelb ka pretendime të karakterit të përgjithshëm të shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar. Parashtruesi i kërkesës pohon që gjykatat e rregullta të të tri instancave nuk kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm dhe të logjikshëm kur kanë gjykuar rastin e tij. Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon shkelje të nenit 54 të Kushtetutës sepse gjykatat e rregullta “i kanë pamundësuar realizmin e një të drejtë të garantuar me nenin 54 të Kushtetutës duke anashkaluar detyrimin e gjykatave që të vlerësojnë ligjshmërinë.”
Gjykata vë në pah konstatimet e Gjykatës Supreme: (i) pranohet i bazuar qëndrimi juridik i gjykatave të instancës më të ulët sepse aktgjykimet e tyre nuk janë përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe as me zbatim të gabuar të së drejtës materiale, për çka gjykata e revizionit kujdeset sipas detyrës zyrtare nga neni 215 i LPK-së; (ii) pretendimet e revizionit nuk qëndrojnë si të bazuara, ngase të dy gjykatat e instancës më të ulët me të drejtë gjejnë se në njërën anë, për punimet e pretenduara nga parashtruesi i kërkesës, nuk janë kryer procedurat e parapara në Zyrën e Prokurimit Publik, pra, nuk kishte shpallje të tenderit e as procedurë të negociuar me të njëjtin operator ekonomik, siç përcakton Ligji i Prokurimit Publik; (iii) ndërsa në anën tjetër, kontrata mbi ndërtimin në kuptim të nenit 630 të LMD-së ka qenë dashur të lidhet me shkrim, ndërsa ne kuptim të nenit 70 të LMD-së nëse kjo kontratë nuk është lidhur në forme të shkruar, ajo nuk prodhon efekt juridik; (iv) në rastin konkret nuk është lidhur as kontratë mbi veprën në kuptim të nenit 600 të LMD-së, andaj parashtruesi i kërkesës nuk është dashur ndërmarr veprime pa urdhëresë me shkrim nga e paditura, për çka edhe kërkesa e tij nuk gëzon mbrojtje juridike gjyqësore; (v) porosia dhe pëlqimi i të paditurës për kryerjen e punëve të pretenduara nga parashtruesi i kërkesës janë irelevante, pasi që, në mes palëve kontestuese as nuk ka pasur të lidhur me shkrim kontratë ndërtimi, e as nuk janë respektuar procedurat e prokurimit, siç parashihet me dispozitat ligjore të ligjit përkatës; (vi) kërkesa e parashtruesit të kërkesës për pagesën e këtyre punëve të kryera nga ajo, nuk gëzon mbrojtje gjyqësore, prandaj, gjykatat e instancës më të ulët me të drejtë kane vepruar kur kanë refuzuar kërkesëpadinë e tillë të parashtruesit të kërkesës.
Nga sa më sipër, Gjykata vëren se Gjykata Supreme por edhe gjykatat e instancës më të ulët: (i) kanë dhënë një arsyetim të gjithëpërfshirës të të gjitha çështjeve qendrore të çështjes së parashtruesit të kërkesës çka lë të kuptohet se parashtruesit i është mundësuar paraqitja e argumenteve kundrejt palës së paditur; (ii) Gjykata Supreme dhe gjykatat instancës më të ulët kanë përcaktuar bazën ligjore përkatësisht dispozitat përkatëse të LMD-së dhe të Ligjit për Prokurimin Publik, duke dhënë shpjegime të mjaftueshme dhe logjike përse kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës nuk gëzon mbrojtje juridike.
Gjykata dhe GJEDNJ-ja në jurisprudencën e tyre kanë theksuar se neni 31 i Kushtetutës përkatësisht neni 6, paragrafi 1 i KEDNJ-së, obligon gjykatat të japin arsyet për vendimet e tyre, ato gjithashtu kanë konstatuar se kjo nuk mund të kuptohet si kërkesë për një përgjigje të hollësishme në çdo argument. (Shih rastet e Gjykatës nr. KI24/22, parashtrues Turkiye Is Bankasi A.S.-Dega Kosovë, aktvendim për papranueshmëri i 27 tetorit 2022, paragrafi 44; KI174/21 parashtrues Bashkim Makiqi, aktvendim për papranueshmëri i 16 shkurtit 2022, paragrafi 57 dhe nr. KI97/16 parashtrues IKK Classic, aktgjykim i 4 dhjetorit 2017, paragrafi 49 dhe po ashtu shih rastet e GJEDNJ-së Van de Hurk kundër Holandës, nr. 16034/90, Aktgjykim i 19 prillit 1994, paragrafi 61; Higgins dhe të tjerët kundër Francës, nr. 20124/92, Aktgjykimi i 19 shkurtit 1998, paragrafi 42).
Gjykata rithekson se vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta janë të arsyetuara dhe përmbajnë fakte të vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre. (shih rastet e Gjykatës, nr. KI24/22, parashtrues Turkiye Is Bankasi A.S.-Dega Kosovë, cituar më lart paragrafi 45; KI174/21 parashtrues Bashkim Makiqi, cituar më lart, paragrafi 58 dhe KI72/12, parashtrues Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, aktgjykim i 17 dhjetorit 2012, paragrafi 61, dhe KI135/14, IKK Classic, aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 58).
Gjykata ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës KI128/18 parashtrues Limak Kosovo International Airport Sh.A. “Adem Jashari”, Aktvendim për Papranueshmëri i 27 majit 2019, paragrafi 56; dhe KI62/19 parashtrues Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 13 nëntorit 2019, paragrafi 58).
Duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi në gjykatat e rregullta, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqes në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ai i konsideroi të rëndësishme për rastin e tij; ai ka pasur mundësinë të hedhë poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafët 29 dhe 30, shih gjithashtu rastin e Gjykatës nr. KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata po ashtu konsideron se pretendimi për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës nuk mund të jetë objekt i vlerësimit kushtetues, për shkak se i njëjti nuk ngre ndonjë çështje të re që nuk është shqyrtuar në kuadër të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së (shih rastin e Gjykatës nr. KI215/21, parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 15 shkurtit 2022, paragrafi 93 dhe referencat e përmendura aty).
Gjykata konkludon se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së, është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, më 12 prill 2023, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
N.N.T. Art Konstruktion
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile