Prishtinë, më 11 mars 2024
Nr. Ref.:RK 2399/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI87/23
Parashtrues
Shpejtim Bokshi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme ARJ.nr.113/22, të 27 dhjetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Shpejtim Bokshi nga Gjakova, i përfaqësuar nga Ylli Bokshi, avokat në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [ARJ.nr.113/22] e Gjykatës Supreme, të 27 dhjetorit 2022.
Objekti i çështjes
Objekti i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, me të cilin pretendohet të jenë shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [ E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 20 prill 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), e cila arriti dhe u regjistrua në Gjykatë më 25 prill 2023.
Më 3 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin [Nr.GJR.KI87/23], caktoi gjyqtaren Remzie Istrefi – Peci gjyqtare raportuese dhe me Vendimin [Nr.KSH.KI87/23], Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu – Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 5 maj 2023, Gjykata njoftoi përfaqësuesin ligjor të parashtruesit për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që të paraqesë autorizimin për përfaqësim në Gjykatën Kushtetuese.
Më 16 maj 2023, përfaqësuesi ligjor i parashtruesit të kërkesës dorëzoi autorizimin e kërkuar në Gjykatë.
Më 20 korrik 2023, një kopje e kërkesës i është dërguar Gjykatës Supreme.
Më 30 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesi i kërkesës parashtron për herën e dytë kërkesë para Gjykatës, ku për herën e parë kishte parashtruar kërkesën KI85/20. Gjykata do të reflektojë faktet e rastit KI85/20, për aq sa ndërlidhen me kërkesën e tanishme KI87/23.
Në lidhje me kërkesën KI85/20 ishin zhvilluar tri procedura të ndryshme para autoriteteve publike të Republikës së Kosovës, dhe atë: i) procedura përmbarimore, ii) procedura penale dhe iii) procedura sipas padisë për anulimin e Aktvendimit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (në tekstin e mëtejmë KPMM), nr. 3777, të 31 gushtit 2017. Në kërkesën KI85/20 parashtruesi i kërkesës kontestoi Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac. nr. 4273/19, të 5 shkurtit 2020, duke kontestuar kushtetutshmërinë e procedurës përmbarimore si dhe kishte paraqitur kërkesë për masë të përkohshme. Kërkesën e parë KI85/20, Gjykata e shpalli të papranueshme si dhe e refuzoi kërkesën për masë të përkohshme.
Gjykata rikujton se procedura për anulimin e Aktvendimit nr.3777, të KPMM-së, të datës 31 gusht 2017, u nis fillimisht nga parashtruesi i kërkesës me padi në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Gjakovë. Megjithatë, Gjykata Themelore, duke marrë parasysh kërkesën e parashtruesit, ndërpreu këtë procedurë pasi ishte duke u zhvilluar një procedurë penale në të njëjtën gjykatë. Pra, për shkak të lidhjes midis procedurës penale dhe kësaj çështjeje civile, parashtruesi i kërkesës propozoi ndërprerjen e procesit deri në përfundimin e procedurës penale në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Në kërkesën e tanishme KI87/23, parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [ARJ.nr.113/2022], të 27 dhjetorit 2023, i cili ndërlidhet me procedurën sipas padisë për anulimin e Aktvendimit të KPMM-së, nr. 3777, të 31 gushtit 2017.
i) Përmbledhja e fakteve lidhur me rastin e tanishëm KI87/23, përmbledhja e fakteve lidhur me procedurën sipas padisë për anulimin e Aktvendimit nr. 3777, të KPMM-së, të 31 gushtit 2017
Më 31 gusht 2017, KPMM përmes Aktvendimit [nr. 3777], i shqiptoi parashtruesit të kërkesës gjobën administrative në shumë prej 9,693.86 EUR, për shfrytëzimin e jashtëligjshëm të resurseve minerare dhe zhvillimin e aktivitetit të jashtëligjshëm minerar pa posedimin e licencës së shfrytëzimit.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në shkallën e dytë të KPMM-së.
Më 26 tetor 2017, shkalla e dytë e KPMM-së përmes Vendimit [KA.nr.086/2017], refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe la në fuqi Vendimin [Nr.3777], të 31 gushtit 2017, të KPMM-së.
Në një datë të pasaktësuar parashtruesi i kërkesë parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) kundër KPMM-së, ku kërkoi që vendimi i KPMM-së të shpallet jo i ligjshëm.
Më 25 tetor 2021, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A.nr.1991/17] refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljeve të rënda të dispozitave të procedurës, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që Gjykata e Apelit të aprovojë si të bazuar ankesën e tij, ashtu që aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë duke aprovuar padinë e tij apo që atë Aktgjykim ta prishë duke e kthyer çështjen në rigjykim dhe rivendosje.
Më 20 shtator 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [A.A.nr.28/2022], refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa Aktgjykimin e Gjykatës Themelore e vërtetoi.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, ku kontestoi ligjshmërinë e të njëjtit për shkak të shkeljes thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që kërkesa e tij të aprovohet duke e ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe atë të Apelit dhe që kërkesëpadia e paditësit të aprovohet në tërësi si e bazuar apo që aktgjykimet e kontestuara të prishen dhe çështja të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje në gjykatën e shkallës së parë.
Më 27 dhjetor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ.nr.113/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [AA.nr.28/2022], të 20 shtatorit 2022.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Në kërkesën e tij, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [ E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës dhe nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, duke aluduar në mos arsyetimin e vendimeve gjyqësore nga ana e Gjykatave të rregullta, ku siç pohon parashtruesi i kërkesës, Gjykatat e të tria niveleve fare nuk janë lëshuar në vlerësimin e pretendimeve ankimore të tij “... duke pasur parasysh provat e administruara në atë çështje, e cila ka qenë e ndërlidhur me procedurën administrative, vërtetojnë një gjendje tjetër faktike, gjykatat e rregullta nuk kanë dhënë arsye fare në ato pretendime apo ne provat e prezantuara nga parashtruesi i kërkesës, vetëm se kanë deklaruar se procedua penale është procedure e ndare nga ajo administrative, ndërsa aktgjykimet e tyre janë te bazuara tërësisht ne gjendje faktike. Askund nuk janë konstatuar gjetjet e provave te propozuara nga parashtruesi i kërkesës, ne asnjërin nga vendimet e gjykatave. Gjykata Themelore Prishtine, Departamenti për çështje Administrative, Gjykata e Apelit te Kosovës dhe Gjykata Supreme e Kosovës, kane sjelle vendime me terme te gjeneralizuar, pa arsyetuar fare pretendimet ankimore apo provat e administruara te prezantuara nga parashtruesi i kërkesës dhe gjetjet nga to”.
Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës thekson se vendimet e gjykatave të rregullta kanë qenë arbitrare pasi që nuk i kanë shqyrtuar pretendimet e tij, duke pohuar se “... konstatimi i gjykatave se procedura administrative është e ndare nga procedura penale, vlen vetëm ne aspekt procedural, ne këtë çështje vendimet e gjykatave janë bazuar ne gjendje faktike. Ne arsyetimin e ankesave administrative dhe padisë nuk është atakuar aspekti procedural, i akteve administrative, por qe nga organi administrativ është vërtetuar një gjendje e gabuar faktike, prandaj nuk mund te këtë dy gjendje faktike një tjetër ne administrative e një tjetër ne penale”. Parashtruesi i kërkesës përmend disa vendime të Gjykatës, duke theksuar se Gjykata ka një praktikë lidhur me vendimet e arsyetuara dhe duke cituar disa paragrafë të këtyre vendimeve.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon shkelje të nenit 32 të Kushtetutës, pasi që siç thekson atij i është mohuar e drejta për mjete juridike nga ana e Gjykatës Themelore, pasi që Aktgjykimi i Gjykatës Themelore nuk e ka përmbajtur këshillën juridike.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.
3. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
a. të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe për shkakun e akuzës që ngrihet ndaj tij;
b. t’i jepet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes;
c. të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, ose në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;
d. të pyesë ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës;
e. të ndihmohet falas nga një përkthyes në qoftë se nuk kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq.
LIGJI NR. 03/L-163 PËR MINIERAT DHE MINERALET
Neni 79
Shqiptimi i Gjobave Administrative dhe Mjetet tjera Juridike
[...]
3. Nëse një Person shfrytëzon ose eksploaton minerale në mënyrë të paligjshme, KPMM do ti shqiptojë këtij personi një gjobë që është e barabartë me trefishin e shumës së rentave minerare të cilat duhet të paguhen për mineralet e shfrytëzuara ose eksploatuara. KPMM do të krijojë një metodologji të arsyeshme për përllogaritjen e sasisë së mineraleve të shfrytëzuara ose eksploatuara në mënyrë të paligjshme dhe do ta caktojë gjobën e lartpërmendur në përputhje me këtë metodologji.
4. Nëse një person zhvillon aktivitete të hulumtimit, shfrytëzimit ose aktivitete të veçanta pa poseduar Licencën ose Lejen e nevojshme, KPMM do të nxjerrë urdhër përmes të cilit i shqipton këtij Personi një gjobë në shumën prej pesëmijë (5000) Euro për secilin aktivitet të këtillë.
5. Gjobat monetare dhe mjetet juridike të përcaktuara në këtë nen janë kumulative (grumbulluese) dhe KPMM do të nxjerrë të gjitha urdhrat e nevojshme për shqiptimin ndaj Personit(ave) përkatës të të gjitha gjobave dhe mjeteve juridike të zbatueshme.
Neni 80
Dënimet Penale për Aktivitet e Jashtëligjshme Minerare
1. Çdo personi i cili angazhohet ose i cili inkurajon ose punëson persona tjerë për t’u angazhuar në aktivitete të shfrytëzimit ose hulumtimit të mineraleve pa posedimin e një Licence ose Leje nga KPMM, i shqiptohet gjoba administrative e përcaktuar në paragrafin 2. nën-paragrafi 2.1. të nenit 79 të këtij ligji dhe një masë burgimi deri në gjashtë (6) muaj.
2. Çdo ndërmarrje e cila punëson ose inkurajon persona fizik që të angazhohen në aktivitete të shfrytëzimit ose hulumtimit të mineraleve - dhe kjo ndërmarrje nuk zotëron një Licencë ose Leje të marrë nga KPMM - i shqiptohet gjoba administrative e përcaktuar paragrafin 2. nën-paragrafi 2.2. të nenit 79 te këtij ligji. Përveç kësaj, çdo udhëheqës i lartë i ndërmarrjes i cili ka pasur njohuri mbi këto aktivitete të shfrytëzimit ose hulumtimit – ose nëse do të kishte ushtruar kujdes të arsyeshëm menaxherial do të kishte qenë në njohuri mbi këto aktivitete të shqyrtimit ose hulumtimit – i shqiptohen masat administrative dhe penale të përcaktuara në paragrafin 1 te këtij neni.
LIGJI NR. 04/L-158 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT NR. 03/L-163 PËR MINIERAT DHE MINERALET
Neni 49
Neni 80 i ligjit bazik, paragrafi 1. pas fjalës “mineraleve“ shtohet togfjalëshi “ dhe lejet për aktivitetet e veçanta“.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ.nr. 113/2022] e 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme; se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; se i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç parashihet me nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nën rregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcakton:
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.
Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpall një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nën kriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, Vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë në atë se parashtruesi i kërkesës ishte dënuar me gjobë në vlerë prej 9,693.86 EUR nga ana e KPMM-së për shkak të shfrytëzimit të jashtëligjshëm të resurseve minerare dhe zhvillimin e aktivitetit të jashtëligjshëm minerar pa posedimin e licencës së shfrytëzimit. Parashtruesi i kërkesës ishte ankuar në shkallën e dytë të KPMM-së lidhur me gjobën e shqiptuar, ku ankesa e tij ishte refuzuar dhe vendimi i shkallës së parë i KPMM-së ishte lënë në fuqi. I pakënaqur me vendimin e shkallës së dytë të KPMM-së parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore, ku kjo e fundit e kishte refuzuar padinë si të pabazuar. Kundër vendimit të Gjykatës Themelore parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila ankesë ishte refuzuar dhe vendimi i gjykatës së shkallës së parë ishte vërtetuar. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për rishqyrtim të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila kërkesë ishte refuzuar nga ana e Gjykatës Supreme.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Gjykata verën se esenca e pretendimeve për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, ndërlidhet me mos arsyetimin e vendimit gjyqësor nga ana e Gjykatës Supreme. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrenë çështje nga neni 31.1 i Kushtetutës dhe neni 6.1 i KEDNJ-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
Pretendimet lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
(i) Sa i përket pretendimit për vendim të pa arsyetuar gjyqësor
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pranë Gjykatës, në esencë, pretendon shkelje të nenit 31 të Kushtetutës për shkak të mos arsyetimit të Aktgjykimit nga ana e gjykatave të rregullta. Pra, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme nuk ka arsyetuar se cilat kanë qenë faktet dhe provat të cilat kanë ndikuar në marrjen e vendimit, pasi që “... duke pasur parasysh provat e administruara në atë çështje, e cila ka qenë e ndërlidhur me procedurën administrative, vërtetojnë një gjendje tjetër faktike, gjykatat e rregullta nuk kanë dhënë arsye fare në ato pretendime apo ne provat e prezantuara nga parashtruesi i kërkesës, vetëm se kanë deklaruar se procedua penale është procedure e ndare nga ajo administrative, ndërsa aktgjykimet e tyre janë te bazuara tërësisht ne gjendje faktike. Askund nuk janë konstatuar gjetjet e provave te propozuara nga parashtruesi i kërkesës, ne asnjërin nga vendimet e gjykatave. Gjykata Themelore Prishtine, Departamenti për çështje Administrative, Gjykata e Apelit te Kosovës dhe Gjykata Supreme e Kosovës, kanë sjelle vendime me terme te gjeneralizuar, pa arsyetuar fare pretendimet ankimore apo provat e administruara te prezantuara nga parashtruesi i kërkesës dhe gjetjet nga to”.
Përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë të konsoliduar gjyqësore. Kjo praktikë është ndërtuar duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së (përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet Hadjianastassiou kundër Greqisë nr.12945/87, Aktgjykim, i 16 dhjetorit 1992; Van de Hurk kundër Holandës, Aktgjykim, i 19 prillit 1994; Hiro Balani kundër Spanjës nr.18064/91, Aktgjykim, i 9 dhjetorit 1994; Higgins dhe të tjerët kundër Francës nr.134/1996/753/952, Aktgjykimi, i 19 shkurtit 1998; Garcia Ruiz kundër Spanjës nr.30544/96, Aktgjykim, i 21 janarit 1999; Hirvisaari kundër Finlandës nr.49684/99, Aktgjykim, i 27 shtatorit 2001; Suominen kundër Finlandës nr.37801/97 , Aktgjykim i 1 korrikut 2003; dhe Tatishvili kundër Rusisë nr.1509/02, Aktgjykim, i 22 shkurtit 2007.) Për më tepër, parimet themelore sa i përket të drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor janë elaboruar po ashtu në rastet e kësaj Gjykate (duke përfshirë por duke mos u kufizuar në KI22/16, parashtrues Naser Husaj, Aktgjykim, i 9 qershorit 2017; KI97/16, parashtrues IKK Classic, Aktgjykim, i 9 janarit 2018; KI143/16, parashtrues Muharrem Blaku dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 13 qershorit 2018; KI87/18, parashtrues i kërkesës IF Skadiforsikring, Aktgjykim, i 27 shkurtit 2019; si dhe rastin KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 135).
Në parim, Gjykata thekson se garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së përfshijnë detyrimin që gjykatat të japin arsye të mjaftueshme për vendimet e tyre (shih rastin e GJEDNJ-së, H. kundër Belgjikës, Aktgjykimi i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53; si dhe shih rastin e Gjykatës KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, të cituar më lart, paragrafi 139 dhe rastin KI87/18, parashtrues IF Skadiforsikring, paragrafi 44).
Gjykata po ashtu thekson se bazuar në praktikën e saj gjyqësore gjatë vlerësimit të parimit i cili i referohet administrimit të duhur të drejtësisë, vendimet e gjykatave duhet të përmbajnë arsyetimet në të cilat ato bazohen. Shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret. Janë argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës që duhet të adresohen dhe arsyet e dhëna duhet të jenë të bazuara në ligjin e aplikueshëm (shih në mënyrë të ngjashme rastet e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, kërkesa nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 29; Hiro Balani kundër Spanjës, Aktgjykim, i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 27; dhe Higgins dhe të tjerët kundër Francës, paragrafi 42; shih, po ashtu, rastin e Gjykatës KI97/16, parashtrues IKK Classic, të cituar më lart, paragrafi 48; dhe rastin KI87/18 IF Skadeforsikring, të cituar më lart, paragrafi 48). Duke mos kërkuar një përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar (shih rastin Moreira Ferreira kundër Portugalisë nr.19867/12, Aktgjykim, i 5 korrikut 2011 paragrafi 84 dhe të gjitha referencat e përdorura aty; si dhe rastin e Gjykatës KI195/20, parashtrues Aigars Kesengfelds, pronar i institucionit financiar jo-bankar “Monego”, Aktgjykim, i 29 marsit 2021, paragrafi 122).
Gjykata me këtë rast rikujton se KPMM fillimisht, kishte gjobitur parashtruesin e kërkesës për shkak të shfrytëzimit të jashtëligjshëm të resurseve minerare dhe zhvillimin e aktivitetit të jashtëligjshëm minerar pa posedimin e licencës së shfrytëzimit. Vendimi i KPMM-së ishte vërtetuar edhe nga shkalla e dytë e KPMM-së e cila kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe e kishte vërtetuar vendimin e KPMM-së.
Gjykata Themelore, duke shpallur si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, përmes të cilës ishte kërkuar anulimi i Aktvendimit [KA.nr.086/2017], të 26 tetorit 2017, të KPMM-së, ndër të tjera kishte theksuar si në vijim:
“Gjykata vlerësoi ligjshmërinë e vendimit te goditur me padi, ne përputhje me nenin 44 te LKA-së dhe provave te administruara ne seancën e shqyrtimit kryesor, ku ka gjetur se kërkesëpadia e paditësit është e pa bazuar. Me aktvendimin e shkalles se dyte te Komisionit te Pavarur për Miniera dhe Minerale KA.nr. 086/2017 i dt. 26.10.2017 te goditur me padi, është refuzuar ankesa dhe ka mbetur ne fuqi vendimi Nr.3777 i datës 31.08.2017 ne shumen prej (9,693.86) euro. Paditësi i pakënaqur me këtë aktvendim ka parashtruar padi ne këtë gjykate me te cilin e ka kundërshtuar ligjshmërinë e te njëjtit. Gjykata duke vlerësuar ligjshmërinë e aktvendimit te goditur me padi, iu referua Ligjit Nr. 03/L-163 për Minierat dhe Minierat dhe Mineralet (LMM), konkretisht nenit 79 paragrafit 3 dhe 4 i cili përcakton se: " Nëse një Person shfrytëzon ose eksploaton minerale ne mënyrë te paligjshme, KPMM do ti shqiptoje këtij personi një gjobe qe është e barabarte me trefishin e shumes se rentave minerare te cilat duhet te paguhen për mineralet e shfrytëzuara ose eksploatuara. KPMM do te krijoje një metodologji te arsyeshme për përllogaritjen e sasisë se mineraleve te shfrytëzuara ose eksploatuara ne mënyrë te paligjshme dhe do ta caktoje gjobën e lartpërmendur ne përputhje me këtë metodologji. Nëse një person zhvillon aktivitete te hulumtimit, shfrytëzimit ose aktivitete te veçanta pa poseduar Licencën ose Lejen e nevojshme, KPMM do te nxjerre urdhër përmes te cilit i shqipton këtij Personi një gjobe ne shumen prej pesëmijë (5000) Euro për secilin aktivitet te këtillë". Ndërsa ne pjesën e VI te këtij ligji, janë parapare procedurat e kërkesës, kohëzgjatjes dhe fushëveprimit te lejes për aktivitete te veçanta, ku në paragrafin 1 te nenit 37, përcaktohet se: "Kohëzgjatja dhe fushëveprimi i çdo leje përcaktohet nga KPMM-ja ne mënyre te arsyeshme dhe te drejtpërdrejte dhe racionale ne lidhje me ushtrimin e aktiviteteve te veçanta te autorizuara me Lejen ne fjale" Ne baze te raporteve te operimit ilegal te datës 20.04.2018,dhe fotot ne vendin e ngjarjes është konstatuar se ankuesi tani paditësi është operues ilegal i shfrytëzimit resurseve minerale pa posedim te Licencës se shfrytëzimit nga KPMM dhe ne kundërshtim me nenin 79. par.3, 4 dhe 5 te Ligjit Nr.03/L-163 për Miniera dhe Minerale. Lidhur me këtë dhe dispozitat e ligjit te lartcekur, gjykata vlerëson se dispozita ligjore janë aplikuar drejte nga ana e te paditurës ne procedurën administrative dhe se arsyetimi i vendimit është i bazuar ne vërtetimin e plote dhe te drejte1:e gjendjes faktike”.
Po ashtu edhe Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA.nr.28/2022] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa Aktgjykimin e Gjykatës Themelore e vërtetoi. Në arsyetimin e Aktgjykimit ndër të tjera theksoi:
“ Qëndrimin juridik te gjykatës se shkalles se pare, si të rregullt dhe te bazuar ne ligj ne tërësi e pranon edhe kjo gjykate, për arsye se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkelje qenësore te dispozitave te Ligjit për Konfliktet Administrative, te cilat shkelje gjykata e shkalles se dyte i heton sipas detyrës zyrtare ne baze te nenit 194 te Ligjit për Procedurën Kontestimore, te aplikueshëm sipas nenit 63 te Ligjit për Konfliktet Administrative.
Andaj, ne baze te raportit te Inspektimit te Aktivitetit te Jashtëligjshëm te datës 11.08.2017, Urdhëresës për Ndërprerjen e Aktivitetit te Jashtëligjshëm Minerar te datës 11.08.2017, Raportit për operim ilegal date 24.08.2017, vërehet se inspektoret e te paditurës kane konstatuar se Shpëtim Bokshi ka bere shfrytëzimin ilegal te rërës dhe zhavorrit ne vend shfrytëzimin ne Doblibare pa Licence na KPMM-ja, dhe me qellim te ndërprerjes se këtij aktiviteti ishte lëshuar Urdhëresa me dt.11.08.2017, sipas te cilës paditësi urdhërohet qe menjëherë te ndërpre operimin ilegal, dhe me pas ishte nxjerr raporti i kalkulimit te vëllimit sipas te cilit vërehet se ishte llogarit sasia e mineraleve te shfrytëzuara nga paditësi e qe ishe 1251.695 m3, ne fushën e shfrytëzimit 791.367 m2.
Ne raport me pretendimin e paditësit ne ankese lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore ne Gjakove P.nr.922/2017, se paditësi është liruar nga akuza për veprën penale për të cilën është akuzuar, këtë pretendim Kolegji i Apelit e refuzoj si te pa bazuar për faktin se, procedura penale është procedure e ndare dhe e veçantë nga procedura ne konfliktin administrativ andaj këto dy çështje janë te ndara dhe zhvillohen pavarësisht njëra tjetrës, ne konflikt vlerësohet ligjshmëria e aktit përfundimtar ne procedure administrative.
Sa i përket pretendimeve ankimore se gjykata e shkalles se pare ka bere shkelje te dispozitave procedurale. Këto pretendime ankimore kolegji i kësaj gjykate i vlerëson si te pa bazuara, nga se gjykata e shkalles se pare e ka shqyrtuar padinë, fillimisht e ka dërguar padinë përfaqësuesit te se paditurës ne përgjigje ne padi, pastaj ka caktuar seancën e shqyrtimit kryesor, ka nxjerrë prova të mjaftueshme, që do të thotë se gjatë vlerësimit gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë shkelje të dispozitave të LKA-së. Po ashtu gjykata ka vlerësuar drejtë se paditësi nuk ka pasur leje të aktivitetit të veçantë, dhe është vërtetuar se paditësi, është hasur duke kryer operimin ilegal në lokacionin dhe koordinatat si në raport të inspektimit të paditurës”.
Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ.nr.113/2022] po ashtu kishte refuzuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, ku ndër të tjera kishte theksuar:
“Gjykata Supreme duke u nisur nga gjendja e tille e çështjes pas ekzaminimit te aktgjykimit te kontestuar dhe shkresave tjera te lendes gjen se, gjykata e shkalles se dyte ka vepruar drejte dhe në baza ligjore me refuzimin si të pabazuar të ankesës se paditësit dhe vërtetimin e aktgjykimit të shkallës së pare. Qëndrimin juridik te Gjykatës se Apelit por edhe te Gjykatës Themelore, ne tërësi e aprovon edhe kjo gjykate, meqë aktgjykimet e kontestuar nuk janë te përfshire me shkelje të dispozitave te procedurës apo te drejtës materiale ashtu si pretendon paditësi në kërkesën e tij. Aktgjykimet e kontestuara përmbajnë arsye te mjaftueshme dl1e bindëse për te gjitha faktet vendimtare te vlefshme për gjykimin e drejte te kësaj çështje te cilat i aprovon edhe kjo gjykate.
Pretendimet e paditësit në kërkesë te cekura si me larte dhe theksimet nder te tjera ne arsyetim se është aplikuar gabimisht e drejta materiale sepse nuk janë administruar shkresat penale ne këtë çështje ku paditësi është liruar nga akuza, se nga gjykata e shkalles se pare nuk janë shqyrtuar pretendimet e paditësit sepse nuk është vërtetuar se kush e ka bere shfrytëzimin e mineral eve andaj paditësit i janë cenuar te drejtat nga nenin 31 i Kushtetutës ,se gjykata e shkalles se pare nuk i ka dhënë udhëzimi për ankim-këshilla juridike, etj., kolegji i Gjykatës Supreme i shqyrtoi ne tërësi ne baza ligjore dhe i vlerëson se, nuk janë te bazuara dhe te qëndrueshme sepse aktgjykimi i shkalles se pare dhe ai i shkalles se dyte janë te qarte ne dispozitiv, nuk janë ne kundërshtim me vetveten dhe te arsyetuar mjaftueshëm për te gjitha faktet vendimtare relevante te ngritura nga pala paditëse për gjykimin e drejte te kësaj çështje, te cilat arsye si te drejta dhe te plota i pranon edhe jo gjykate, andaj nuk rezulton se te njëjtit janë te përfshirë me shkelje qenësore nga nenin 182 par. 1 dhe 2 te LPK ,si pretendon paditësi. Pretendimet si në kërkesë janë paraqitur në shkallen e pare dhe me ankese te cilat janë shqyrtuar gjykata e shkalles se dyte e cila jep arsye te mjaftueshme, bindëse dhe duke ju referuar edhe bazave ligjore për te gjitha pretendimet ankimore te paraqitura me refuzimin e ankesës se paditësit te cilat arsye i pranon edhe Gjykata Supreme. Në arsyetim te aktgjykimit provohet se në tërësi janë pranuar arsyet lidhur me faktet vendimtare te gjykatës se shkalle se pare, si te drejta dhe te ligjshme për te gjitha faktet vendimtare, përndryshe përsëritja e arsyeve te drejta dhe te njëjta te gjykatës se shkalle se pare do te ishte e pa nevojshme”.
Gjykata vëren se të tria Gjykatat e rregullta, vërtetuan se Vendimi i KPMM-së ishte i ligjshëm pasi që ishte marrë në pajtim me dispozitat ligjore përkatësisht duke u bazuar në nenin 79 paragrafi 4 dhe 5 i Ligjit për Miniera dhe Minerale. Në këtë aspekt, Gjykata Supreme po ashtu i dha përgjigje edhe pretendimit të parashtruesit të kërkesës lidhur me atë se ai është liruar për veprën e njëjtë në procedurë penale, duke sqaruar se aktakuza e ngritur ndaj tij ishte hedhë poshtë nga ana e gjykatës për shkak të parashkrimit absolut dhe se në procedurën e konfliktit administrativ objekt i shqyrtimit dhe vendosjes është vlerësimi i ligjshmërisë së vendimit përfundimtar në procedurë administrative si në rastin konkret andaj kjo çështje është ndarë nga përgjegjësia penale, sipas objektit të shqyrtimit sepse në konflikt administrativ vlerësohet ligjshmëria e aktit përfundimtar.
Gjykata me këtë rast, rikujton se nisur nga praktika e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës, e njëjta nuk kërkon përgjigje të detajuar për secilën pretendim të ngritur nga parashtruesi i kërkesës. Megjithatë, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar.
Në rastin konkret, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor drejtuar Gjykatës Supreme, kishte theksuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka shqyrtuar pretendimet e tij sepse nuk është vërtetuar se kush e ka bërë shfrytëzimin e mineraleve andaj atij i janë cenuar të drejtat nga neni 31 i Kushtetutës, se gjykata e shkallës së parë nuk i ka dhënë udhëzim për ankim – këshillë juridike. Të njëjtit pretendim të parashtruesit, Gjykata Supreme i ishte përgjigjur në Aktgjykimin e saj, ku kishte theksuar se nuk janë të bazuara dhe të qëndrueshme pretendimet e parashtruesit sepse aktgjykimi i shkallës së parë dhe ai i shkallës së dytë janë të qartë në dispozitiv dhe se janë arsyetuar mjaftueshëm për të gjitha faktet relevante të ngritura nga parashtruesi i kërkesës për gjykim të drejtë të kësaj çështje.
Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet si më sipër, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Për pasojë, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Pretendimet për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës
Gjykata gjithashtu vëren se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të drejtës së tij për mjete juridike, për shkak të mosdhënies së këshillës juridike nga ana e Gjykatës Themelore, ishte trajtuar nga ana e Gjykatës Supreme. Lidhur me këtë Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës kishte shfrytëzuar të drejtën e tij për ankesë, gjë që vërtetohet edhe përmes Vendimeve të Gjykatës së Apelit dhe Supreme të cilat kishin shqyrtuar ankesën përkatësisht kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruara nga parashtruesi i kërkesës, dhe se me këtë vërtetohet se nuk i është mohuar e drejta e tij për mjete juridike.
Thënë këtë, Gjykata konsideron se pretendimin për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës, në të vërtetë, e ka elaboruar mbi bazën e nenit 31 të Kushtetutës, duke e ndërlidhur shkeljen e këtyre të drejtave themelore, me mos arsyetimin e vendimeve gjyqësore, për çfarë Gjykata sa më sipër konstatoi se në ketë pjesë kërkesa duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në baza kushtetueses dhe rrjedhimisht e papranueshme, për arsyet e lartcekura.
Prandaj, Gjykata konstaton se përkitazi me këto pretendime të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 32 të Kushtetutës, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi nenet e Kushtetutës, pa shpjeguar se si janë shkelur ato. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me mos arsyetimin e vendimit gjyqësor, që bien në fushëveprimin e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6.1 të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë së dytë (ii) të pretendimeve “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes ”, andaj të njëjtat duhet të deklarohen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës, duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të deklarohet e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur më 30 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzie Istrefi Peci Gresa Caka-Nimani
Shpejtim Bokshi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri