Prishtinë, më 25 korrik 2024
Nr. Ref.:RK 2478/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI254/23
Parashtrues
“MATKOS GROUP” SH.P.K.
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit ARJ. nr. 44/2023
të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 31 majit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga “Matkos Group” SH.P.K. (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), përfaqësuar nga Betim Shala, avokat në Komunën e Prishtinës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [ARJ. nr. 44/2023] të 31 majit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme], paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 18 janar 2023, Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin në rastin KI36/22, parashtrues “Matkos Group“ SH.P.K., vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ. nr. 116/2021] të 28 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: Aktgjykimi i Gjykatës në rastin nr. KI36/22). Gjykata e shpalli të pavlefshëm Aktgjykimin [ARJ. nr. 116/2021] e Gjykatës Supreme të 28 tetorit 2021, pasi konstatoi se ky aktgjykim është marrë në kundërshtim me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Më 15 nëntor 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë një kërkesë të re, të regjistruar si kërkesa nr. KI254/23, duke pretenduar se aktvendimi i ri, përkatësisht Aktvendimi [ARJ. nr. 44/2023] i 31 majit 2023 i Gjykatës Supreme, i nxjerrë në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës në rastin nr. KI 36/22, vazhdon të cenojë të drejtën e tij për vendim të arsyetuar si dhe shoqërohet me zbatim të gabuar të ligjit.
Më 22 nëntor 2023, Kryetarja e Gjykatës, me vendimin [Nr. GJR. KI254/23] caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci gjyqtare raportuese, ndërkaq përmes vendimit [Nr. KSH. KI.254/23] caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 29 nëntor 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtit i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë autorizimin për përfaqësim.
Më 7 dhjetor 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës duke i dërguar një kopje të saj. Në të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) për regjistrimin e kërkesës si dhe i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë fletëkthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar.
Në të njëjtën ditë, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë autorizimin për përfaqësim.
Më 11 dhjetor 2023, Gjykata njoftoi Zyrën e Rregullatorit për Energji (në tekstin e mëtejmë: ZRRE) për regjistrimin e kërkesës duke i dërguar një kopje të saj.
Në të njëjtën ditë, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar.
Më 29 dhjetor 2023, Gjykata i kërkoi parashtruesit të kërkesës që të dorëzojë në Gjykatë dëshmi se kur dhe nga kush ishte pranuar aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme.
Më 16 janar 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi përgjigje në shkresën e Gjykatës, pa bashkëngjitur dëshmi lidhur me pranimin e vendimit të kontestuar.
Më 26 janar 2024, Gjykata, me qëllim të sqarimit të mospërputhjes që ekzistonte ndërmjet datës dhe emrit të personit që specifikohej në fletëkthesë që kishte pranuar vendimin e kontestuar me datën dhe emrin e cekur nga parashtruesi i kërkesës, sërish i kërkoi këtij të fundit që të dorëzojë në Gjykatë dëshmi dhe sqarime lidhur me çështjen.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 28 maj 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe vendosi që rasti të shtyhet për shqyrtim në një nga seancat e radhës, me kërkesë që i njëjti të plotësohet.
Më 26 qershor 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e propozuar nga gjyqtarja raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës është shoqëri tregtare që merret me prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, veprimtari të cilën e ushtron përmes prodhimit të energjisë elektrike në hidrocentralin HC-Brezovica.
Më 18 shtator 2020, Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit (në tekstin e mëtejmë: MEA) nxori vendim për aprovimin e kërkesës së parashtruesit të kërkesës me nr. 5784/18 për leje ujore për HC-Brezovica.
Më 3 mars 2021, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (në tekstin e mëtejmë: GLPS) dhe Organizata GAIA dorëzuan padi në Gjykatën Themelore kundër MEA-së, për anulimin dhe shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të lartcekur të MEA-së.
Më 22 mars 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [A. nr. 472/2021] e aprovoi si të bazuar propozimin e paditësve dhe shtyu ekzekutimin e vendimit të MEA-së, përkatësisht vendimin për aprovimin e lejes ujore me nr. 5784/18, derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësve.
Më 26 mars 2022, Ministria e Drejtësisë, në cilësinë e përfaqësueses së MEA-së, paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit [A. nr. 472/2021] të Gjykatës Themelore për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave procedurale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 31 mars 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatën e Apelit parashtresë që në cilësi të palës së interesuar të hyjë në konfliktin administrativ. Ndërkaq, më 13 prill 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit [A. nr. 472/2021] të Gjykatës Themelore për shkak të shkeljes së dispozitave të Ligjit Nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative (GZ. numër 82, 21 tetor 2010) (në tekstin e mëtejmë: LKA) dhe vërtetimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike.
Më 17 maj 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [AA. nr. 412/2021] miratoi si të bazuara ankesat e MEA-së dhe parashtruesit të kërkesës, ndërsa anuloi Aktvendimin [A. nr. 472/2021] e Gjykatës Themelore, duke i kthyer lëndën kësaj të fundit në rigjykim dhe rivendosje. Gjykata e Apelit, ndër të tjera, vlerësoi se Gjykata Themelore nuk kishte vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike si dhe nuk kishte zbatuar të drejtën materiale në mënyrë të drejtë.
Më 29 maj 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [A. 472/21] e aprovoi si të bazuar propozimin e parashtruesit të kërkesës për njohjen e cilësisë së palës së interesit.
Më 17 qershor 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [A. nr. 472/2021], në rivendosje, e aprovoi si të bazuar propozimin e paditësve dhe shtyu ekzekutimin e vendimit të MEA-së derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësve. Në arsyetimin e aktvendimit të Gjykatës Themelore u theksua se ishin përmbushur kushtet nga paragrafi 6 lidhur me paragrafin 2 të nenit 22 të LKA-së për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të atakuar deri në vendosjen përfundimtare të çështjes.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të lartpërmendur për shkak të shkeljes së dispozitave të LKA-së dhe konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike.
Më 30 korrik 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [AA. nr. 665/21] (i) aprovoi si të bazuara ankesat e MEA-së dhe të parashtruesit të kërkesës ashtu që (ii) ndryshoi Aktvendimin [A. nr. 472/21] e Gjykatës Themelore si dhe (iii) refuzoi propozimin e paditësve GLPS dhe GAIA për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të të paditurës, deri në një vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësve. Gjykata e Apelit në arsyetimin e aktvendimit të saj vlerësoi se Gjykata Themelore gabimisht kishte zbatuar të drejtën materiale kur kishte vendosur që të aprovojë propozimin e paditësve për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit kontestues. Për më tepër, Gjykata e Apelit konstatoi se paditësit nuk e kishin bërë të besueshëm faktin se shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk ishte në kundërshtim me interesin publik dhe se nuk i shkaktohej dëm palës kundërshtare.
Në një datë të paspecifikuar, GLPS dhe GAIA dorëzuan në Gjykatën Supreme kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor kundër Aktvendimit [AA. nr. 665/21] të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljes së dispozitave procedurale dhe të drejtës materiale.
Më 28 tetor 2021, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ nr. 116/2021] e aprovoi si të bazuar kërkesën e paditësve për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, anuloi Aktvendimin [AA. nr. 665/21] e Gjykatës së Apelit dhe la në fuqi Aktvendimin [A. nr. 472/2021] e Gjykatës Themelore. Gjykata Supreme vlerësoi se Gjykata e Apelit nuk kishte peshuar në mënyrë kumulative të gjitha rrethanat siç përcaktohet me nenin 22 të LKA-së dhe se arsyetimi i aktvendimit të Gjykatës së Apelit ishte i mangët dhe jo bindës mbi faktet vendimtare si dhe nuk përmbante arsye të justifikueshme sipas provave të lëndës.
Më 17 mars 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë në Gjykatë, duke kontestuar aktgjykimin e lartpërmendur të Gjykatës Supreme. Kjo kërkesë është regjistruar si rasti nr. KI36/22 (shih, rastin e Gjykatës KI36/22, parashtrues “Matkos Group” Sh.P.K., vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ. nr. 116/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 28 tetorit 2021). Parashtruesi i kërkesës pretendoi se ky aktgjykim i Gjykatës Supreme ishte marrë në kundërshtim me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës pretendoi, ndër të tjera, se aktgjykimi i Gjykatës Supreme karakterizohej me zbatim të gabuar të së drejtës procedurale, mungesë të arsyetimit në lidhje me pretendimet e tij thelbësore, si dhe shkelje të së drejtës pronësore.
Më 18 janar 2023, Gjykata me aktgjykim në rastin nr. KI36/22 konstatoi se aktgjykimi [ARJ. nr. 116/2021] i Gjykatës Supreme i 28 tetorit 2021, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, nuk plotësonte kriteret e një gjykimi të drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së. Përmes Aktgjykimit të Gjykatës në rastin nr. KI36/22 është konstatuar se Gjykata Supreme në arsyetimin e aktgjykimit të saj nuk ka shtjelluar se: (i) cili është dëmi që i shkaktohet paditësit nga ekzekutimi i aktit të kontestuar dhe pse ai dëm është i pariparueshëm; (ii) cilat prova janë vlerësuar për të konstatuar se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të MEA-së nuk është në kundërshtim me interesin publik; (iii) pse parashtruesit të kërkesës nuk i shkaktohet ndonjë dëm i madh apo i pariparueshëm.
Më 31 maj 2023, pas aktgjykimit të Gjykatës në rastin nr. KI36/22, Gjykata Supreme nxori aktvendimin e saj të ri [ARJ. nr. 44/2023], përmes të cilit vlerësoi si të bazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të paditësve dhe anuloi Aktvendimin [AA. nr. 665/2021] e Gjykatës së Apelit, duke lënë në fuqi Aktvendimin [A. nr. 472/2021] e Gjykatës Themelore. Gjykata Supreme, përmes aktvendimit të lartpërmendur, vlerësoi se ishin plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të MEA-së sipas nenit 22 të LKA-së dhe se, gjykatat e rregullta, përderisa duhet të japin arsyetim të mjaftueshëm lidhur me vendimin, duhet gjithashtu të tregohen të kujdesshme në komentimin e vendimit të atakuar që të mos paragjykohet çështja.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës paraqet pretendime lidhur me (i) zbatueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së në rrethanat e rastit konkret; (ii) pretendime për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i (a) mungesës së arsyetimit të aktvendimit të kontestuar dhe (b) zbatimit të gabuar të ligjit nga ana e Gjykatës Supreme.
Parashtruesi i kërkesës thekson se Gjykata tashmë është marrë me faktet dhe shkeljet kushtetuese që kishte ngritur në aktgjykimin e kontestuar në kërkesën KI36/22, ku parashtruesi i kërkesës kontestoi aktgjykimin [ARJ. nr. 116/2021] të Gjykatës Supreme të 28 tetorit 2021. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon se Aktvendimi [ARJ. nr. 44/2023] i Gjykatës Supreme i 31 majit 2023, të cilin parashtruesi i kërkesës e konteston në këtë rast, është nxjerrë me arsyetim identik, duke shkelur parimin Res Judicata dhe parimin e sigurisë juridike. Më tej, parashtruesi i kërkesës shton se “... me këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme në mënyrë të hapur injorohet dhe kontestohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese”.
Arsyetim lidhur me zbatueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Parashtruesi i kërkesës fillimisht pretendon se kërkesa e tij përmbushë të gjitha kriteret e pranueshmërisë dhe se Gjykata duhet ta pranojë këtë rast për shqyrtim të meritave në bazë të kritereve të përcaktuara në aktgjykimin e GJEDNJ-së në rastin Micallef kundër Maltës (shih, rastin e GJEDNJ-së Micallef kundër Maltës, nr. 17056/06, Aktgjykim i 15 tetorit 2009), por edhe në rastet e Gjykatës KI122/17 dhe KI195/20 (shih, rastet e Gjykatës KI122/17, parashtrues, Ceska Exportni Banka A.S., Aktgjykim i 18 prillit 2018; dhe KI195/20, parashtrues Aigars Kesengfelds, Aktgjykim i 29 marsit 2021).
Parashtruesi i kërkesës shton se është i vetëdijshëm se neni 6 i KEDNJ-së, në pjesën civile, zbatohet në procedurat që përcaktojnë të drejtat ose detyrimet civile dhe po ashtu, kupton se vendimi i kontestuar për të cilin pretendon se është i përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut nuk ka të bëjë me meritat e rastit, por ka të bëjë me një procedurë paraprake, respektivisht me caktimin e masës së përkohshme. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës shton se edhe Gjykata Kushtetuese në rastin nr. KI122/17 ka konstatuar se mund të ketë raste ku procedurat paraprake mund të jenë vendimtare për të drejtat dhe detyrimet civile të parashtruesit të kërkesës.
Duke iu referuar rastit të Gjykatës nr. KI122/17, parashtruesi i kërkesës shton: “Gjykata në këtë Aktgjykim i përcakton dy (2) kritere të cilat duhet të vlerësohen lidhur me atë se “a mund të mbulohen masat e përkohshme me nenin 6 të KEDNJ-së”. Gjithnjë sipas këtij gjykimi, kushti i parë është (i) kualifikimi i të drejtës në fjale si “civile”, dhe kushti i dytë (ii) duhet të vlerësohet natyra e masës së përkohshme, se a konsiderohet një masë e tillë e asaj rëndësie që përcakton në mënyrë efektive të drejtën civile ose detyrimin në fjalë.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se në rrethanat e rastit të tij plotësohen që të dy kushtet e lartcekura. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës shton: “Sa i përket kushtit të parë: (i) parashtrojmë se licencat përkatëse për prodhimin e energjisë elektrike, të dhëna nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë bazuar në lejet ujore dhe lejet mjedisore të dhëna nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, me të cilat parashtruesi ka disponuar përbëjnë të “drejta civile” në formën e autorizimit për të prodhuar energji elektrike në kuadër të hidrocentralit ekzistues në komunën e Shterpces dhe për të shitur atë energji tek ndërmarrja shtetërore KOSST. GJEDNJ ka një praktikë të gjatë të cilësimit të “licencës” si e drejtë civile, ngase licenca ngërthen në vete interesa ekonomike. (Shih Aktgjykimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut të 24 shkurtit 2006, Capital Bank AD kundër Bullgarisë, nr. 49429/99, i cili qartazi e ka trajtuar licencën sitë drejtë civile”).
Më tej, parashtruesi i kërkesës shton se aprovimi apo mosaprovimi i kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, ka ndikim thelbësor në të drejtën civile të parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se si rezultat i ngarkesës me lëndë, Gjykata Themelore nuk pritet që të nxjerrë vendim lidhur me çështjen kryesore brenda një periudhe prej së paku tre (3) viteve.
Pretendimi për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Parashtruesi i kërkesës thekson se përmes aktvendimit të kontestuar, Gjykata Supreme ka dhënë interpretim restriktiv dhe arbitrar, me një arsyetim të pamjaftueshëm, duke i cenuar parashtruesit të kërkesës të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, pasi që, sipas tij, Gjykata Supreme, me aplikimin e gabuar të së drejtës procedurale, i ka pamundësuar mbrojtjen efektive gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte, siç përcaktohet me nenin 54 të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se ka pasur shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të (a) zbatimit të gabuar të ligjit nga Gjykata Supreme dhe (b) mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor të kontestuar.
Pretendimi për zbatim të gabuar të ligjit nga Gjykata Supreme
Lidhur me zbatimin e gabuar të ligjit, parashtruesi i kërkesës ka dy grupe pretendimesh, përkatësisht zbatimin e gabuar të së drejtës procedurale përmes aprovimit të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor dhe mosplotësimin e kushteve nga paragrafi 1 i nenit 22 të LKA-së për caktimin e masës së përkohshme.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme, përmes aktvendimit të kontestuar, gabimisht ka zbatuar të drejtën procedurale kur ka aprovuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor. Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Aktvendimit [ARJ. nr. 44/2023], Gjykata Supreme ka zbatuar gabimisht nenin 24 të LKA-së si dhe nenin 228 të LPK-së, në lidhje me nenin 63 të LKA-së pasi që Gjykata Supreme nuk ka pasur të drejtë që të shqyrtojë kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të paditësve, për faktin se me Aktvendimin [AA. nr. 665/2021] e Gjykatës së Apelit të 30 korrikut 2021 nuk ishte vendosur në mënyrë meritore për kërkesëpadinë e paditësve.
Në lidhje me pretendimin e lartcekur, parashtruesi i kërkesës shton se marrë parasysh faktin se zbatimi i gabuar i të drejtës procedurale dhe/ose materiale, ka rezultuar në shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të mbrojtura me Kushtetutë, Gjykata ka për detyrë të lëshohet në gabimet e Gjykatës Supreme lidhur me zbatimin e gabuar të së drejtës procedurale dhe /ose materiale. Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës i referohet rastit të GJEDNJ-së, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës, duke iu referuar rastit të Gjykatës, KI195/20, cituar më lart, dhe praktikës së GJEDNJ-së, gjithashtu thekson se Gjykata e ka adoptuar këtë qëndrim dhe duhet të sigurohet dhe të ndërmarrë masa kur vëren se një gjykatë ka aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar, në një rast specifik, e që mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës.
Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendon se nuk janë plotësuar kushtet nga paragrafi 1 i nenit 22 të LKA-së për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të MEA-së dhe se Gjykata Supreme plotësimin e tri (3) kushteve e mbulon vetëm me një paragraf.
Lidhur me kushtin e parë, parashtruesi i kërkesës thekson se vendimet e Gjykatës Supreme dhe të Gjykatës Themelore nuk i janë referuar ndonjë prove materiale me të cilën do të dëshmohej dëmi i pariparueshëm që do t’u shkaktohej paditësve dhe pse vendimi i atakuar është në kundërshtim me interesin publik. Rreth kushtit të dytë, parashtruesi i kërkesës pretendon se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të MEA-së është në kundërshtim me interesin e përgjithshëm ngase parashtruesi i kërkesës i posedon të gjitha vendimet, lejet dhe licencat me të cilat ka marrë për obligim që me rastin e prodhimit të energjisë elektrike t’iu përmbahet kushteve për mbrojtjen e ambientit, ujit dhe kushteve të tjera të përcaktuara sipas kornizës ligjore të Kosovës. Në fund, përkitazi me kushtin e tretë, parashtruesi i kërkesës shton se interesi publik vetëm se dëmtohet me moslejimin e funksionimit të kësaj kompanie dhe se në rast se vendimi i Gjykatës Supreme mbetet në fuqi, parashtruesit të kërkesës do t’i shkaktohet dëm i madh dhe i pariparueshëm material.
(b) Pretendimi për mungesë të vendimit të arsyetuar
Parashtruesi i kërkesës pretendon se meqenëse Gjykata Supreme ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit, e njëjta ka qenë e detyruar që të arsyetojë në detaje vendimin e saj për caktimin e masës së përkohshme, duke i saktësuar qartë arsyet për faktet vendimtare dhe provat materiale në të cilat ka mbështetur konstatimet e saj.
Parashtruesi i kërkesës më tutje shton se Gjykata Supreme në arsyetimin e vendimit të kontestuar nuk ka ofruar asnjë referencë se cilat janë faktet e vërtetuara, cilat janë provat me të cilat vërtetohen ato fakte, si vërtetohet dëmi që do t’u shkaktohet qytetarëve si dhe cilët qytetarë dëmtohen.
Në lidhje me pretendimin e tij, parashtruesi i kërkesës shton se aktvendimi i Gjykatës Supreme nuk i përmbush kriteret minimale të arsyetimit të një vendimi pasi që nuk ka respektuar standardin e arsyetimit të vendimeve gjyqësore, gjë që bie ndesh me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që: (i) të shpallë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës lidhur me nenin 6 (E drejta për një Proces të Rregullt) të KEDNJ-së; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [ARJ. nr. 44/2023] e Gjykatës Supreme të 31 majit 2023; dhe (iv) të kthejë Aktvendimin [A. nr. 742/2021] e Gjykatës Themelore të 17 qershorit 2021 në rishqyrtim, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
Neni 21
“[…]
Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme”.
Neni 113
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale), nenit 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Gjykata më tej i referohet edhe rregullit 29 (Llogaritja e periudhës kohore) dhe rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës:
Rregulli 29
(Llogaritja e periudhës kohore)
Periudha kohore, e përcaktuar në Kushtetutë, në Ligj dhe në këtë Rregullore, llogaritet si më poshtë:
[...]
(d) Kur periudha shprehet me muaj, ajo përfundon me kalimin e ditës së njëjtë kalendarike të muajit me ditën gjatë të cilës ka ndodhur ngjarja ose veprimi për të cilin duhet të llogaritet periudha kohore.
[...]
(g) përjashtimisht, nëse periudha përfundon të shtunën, të dielën ose në ndonjë festë zyrtare, ajo do të vazhdojë deri në fund të ditës së parë të punës që vjen pas saj.
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit ;dhe
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të dorëzojë ankesë kushtetuese, duke iu referuar shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih, rastet e Gjykatës KI41/09, parashtrues Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendim për papranueshmëri, i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14; dhe KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, Aktgjykim i 11 dhjetorit 2019, paragrafi 40). Po ashtu, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [ARJ. nr. 44/2023] e Gjykatës Supreme të 31 majit 2023, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, bazuar në nenin 49 (Afatet) të Ligjit, Gjykata në vijim duhet të vlerësojë nëse kërkesa e tanishme është dorëzuar brenda afatit ligjor katër (4) mujor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se rregulli i afatit katër-mujor është autonom dhe duhet kuptuar dhe aplikuar bazuar në faktet e secilit rast veç e veç për të siguruar ushtrimin efektiv të së drejtës për të paraqitur kërkesën para Gjykatës. Gjykata thekson se qëllimi i afatit ligjor prej katër (4) muajve, të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, i shërben sigurisë juridike dhe siguron që çështjet që ngrenë çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme si dhe parandalon autoritetet dhe personat e tjerë të afektuar që të mos mbahen në një gjendje pasigurie për një periudhë të gjatë (shih, rastet e Gjykatës KI61/23, parashtrues, Hedie Bylykbashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 25 majit 2023, paragrafi 33; KI24/23, parashtrues, Sami Nuredini, Aktvendim për Papranueshmëri, i 27 prillit 2023, paragrafi 21; dhe rastin e GJEDNJ-së, Lekić kundër Sllovenisë, nr. 10865/09, 45886/07 dhe 32431/08, Aktgjykim i 11 dhjetorit 2018, paragrafi 64). Ky rregull gjithashtu i jep kohë parashtruesit potencial nëse do të paraqes një kërkesë në Gjykatë, dhe, nëse po, të vendosë për argumentet specifike që do i paraqes si dhe rrjedhën e fakteve, pasi që me kalimin e kohës bëhet i vështirë shqyrtimi i çështjeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës (shih, rastin e Gjykatës KI115/20, parashtrues Muharrem Rama, Aktvendim për papranueshmëri, 3 nëntorit 2021, paragrafët 55 dhe 56; dhe rastin e GJEDNJ-së, Sabri Güneş kundër Turqisë, nr. 27396/06, Aktgjykim i 29 qershorit 2012, paragrafët 52 dhe 55).
Afati katër (4) mujor fillon të rrjedhë nga dita e vendimit të fundit në kuadër të procesit të shterimit të mjeteve juridike (shih, rastin e Gjykatës KI59/18, parashtrues Strahinja Spasić, Aktvendim për Papranueshmëri, i 27 marsit 2019, paragrafi 51; dhe rastin e GJEDNJ-së, Chapman kundër Belgjikës, nr.39619/06, Vendim, i 5 marsit 2013, paragrafi 34).
Në këtë kuptim, Gjykata thekson se kur parashtruesit i njihet e drejta për të pranuar kopjen e vendimit përfundimtar të gjykatave të rregullta, bazuar në objektin dhe qëllimin e nenit 49 (Afati) të Ligjit, afati prej 4 (katër) muajsh fillon të rrjedhë në datën e marrjes së kopjes së vendimit (shih, rastin e Gjykatës, KI144/22, parashtruese Sebahate Dervishi, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 nëntorit 2022, paragrafi 52; dhe shih, rastin e GJEDNJ-së, Worm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, Aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin [ARJ. nr. 44/2023] e Gjykatës Supreme të 31 majit 2023. Gjykata thekson se me qëllim që të përcaktohej nëse kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte dorëzuar brenda afatit ligjor prej katër (4) muajsh, Gjykata përmes shkresës së 29 dhjetorit 2023, kishte kërkuar nga parashtruesi i kërkesës që të dorëzojë në Gjykatë dëshmi se kur dhe nga kush ishte pranuar Aktvendimi [ARJ. nr. 44/2023] i 31 majit 2023 i Gjykatës Supreme.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës dorëzoi përgjigje në shkresën e Gjykatës, duke specifikuar se vendimi i kontestuar është pranuar më 16 korrik 2023 nga M.F., mirëpo nuk bashkëngjiti dëshmi lidhur me pranimin e vendimit të kontestuar.
Gjykata thekson se në fletëkthesën që kjo e fundit kishte pranuar nga Gjykata Themelore specifikohej se vendimi i kontestuar ishte pranuar më 11 korrik 2023 nga A.S., që nënkupton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës para Gjykatës është dorëzuar jashtë afatit të paraparë prej katër (4) muajsh, si dhe janë të dhëna ndryshe nga ato që kishte ofruar parashtruesi i kërkesës në përgjigjen e tij.
Për më tepër, Gjykata rikujton se, më 26 janar 2024, me qëllim të sqarimit të mospërputhjes që ekzistonte ndërmjet datës dhe emrit të personit që specifikohej në fletëkthesë në raport me datën dhe emrin e cekur nga parashtruesi i kërkesës, sërish i kërkoi parashtruesit të kërkesës që të dorëzojë në Gjykatë dëshminë mbi pranimin e vendimit të kontestuar dhe sqarime lidhur me çështjen. Në këtë drejtim, Gjykata thekson se nga fletëkthesa vërtetohet se parashtruesi i kërkesës shkresën e Gjykatës së 26 janarit 2024 e ka pranuar më 1 shkurt 2024, mirëpo nuk ka dorëzuar ndonjë përgjigje lidhur me të.
Gjykata rikujton se ajo dy herë i është drejtuar me shkresë parashtruesit të kërkesës duke i kërkuar që ai të dorëzojë në Gjykatë dëshmi se kur dhe kush e kishte pranuar vendimin e kontestuar të Gjykatës Supreme. Në mbështetje të kësaj, Gjykata vlerëson se ishte mjaft e qartë në shkresat me të cilat iu drejtua parashtruesit të kërkesës, përmes të cilave i dha mundësinë që brenda afatit të caktuar të dorëzojë në Gjykatë informatën dhe dëshminë e kërkuar. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës nuk dorëzoi dëshmi dhe nuk ofroi sqarime lidhur me çështjen. Në lidhje me këtë, Gjykata rithekson se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesës, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata (shih, rastin e Gjykatës, KI01/23, parashtrues Amir Hamza, Vendim për refuzim të kërkesës i 14 nëntorit 2023, paragrafi 42).
Prandaj, bazuar në të dhënat e lartcekura, Gjykata konstaton se nga fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar më 11 korrik 2023. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 15 nëntor 2023, më shumë se 4 (katër) muaj pas pranimit të aktvendimit të kontestuar.
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktvendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 21.4, 113. 1 dhe 7 të Kushtetutës, me nenin 22. 4 dhe nenin 49 të Ligjit si dhe në pajtim me rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 26 qershor 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme ;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
“MATKOS GROUP” SH.P.K.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile