Prishtinë, më 11 nëntor 2024
Nr. ref.: RK 2575/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI 180/24
Parashtrues
Domenik Prenkaj
Kërkesë për kthim në gjendje të mëparshme;
dhe
Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml.nr.304/2023] të 18 korrikut 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës.
GJYKATA KUSHTETUESE E KOSOVËS
në përbërje:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Domenik Prenkaj nga Fshati Nec, Komuna e Gjakovës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), të cilin e përfaqëson Visar Perlaska, avokat nga Gjakova.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Pml.nr.304/2023] të 18 korrikut 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [PAKR.nr.29/2023] të 3 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [PKR.nr. 64/21] të 15 dhjetorit 2022 të Gjykatës Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës ka pranuar Aktgjykimin e kontestuar më 24 gusht 2023.
Objekti i çështjes
Objekti i çështjes së kësaj kërkese janë:
(i) kërkesa për kthim në gjendje të mëparshme, respektivisht, afatin për dorëzimin e kërkesës;
(ii) kërkesa për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml.nr.304/2023] të 18 korrikut 2023 të Gjykatës Supreme për të cilin Aktgjykim parashtruesi i kërkesës pretendon se shkel të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 47 (Kërkesa individuale) dhe 50 (Kthimi në gjendje të mëparshme) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 20 gusht 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën përmes postës në Gjykatë.
Më 23 gusht 2024 Gjykata pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës të dorëzuar me post.
Më 2 shtator 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit [nr. GJR. KI.180/24] caktoi për rastin KI 180/24, gjyqtarin Radomir Laban si Gjyqtar raportues ndërsa përmes Vendimit [nr. KSH. KI180/24] dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Jeton Bytyqi (anëtarë).
Më 5 shtator 2024, për regjistrimin e kërkesës KI180/24, Gjykata njoftoi: (i) parashtruesin e kërkesës; (ii) Gjykatën Themelore; (iii) Gjykatën Supreme, si dhe kërkoi që në afat prej (15) pesëmbëdhjetë ditësh nga data e pranimit të shkresës të dërgojnë komentet eventuale me shkrim.
Po të njëjtën datë, në mënyrë që Gjykata të mund të konstatojë a është parashtruar kërkesa brenda afatit prej 4 (katër) muajsh, në përputhje me nenin 49 të Ligjit për Gjykatën, kërkoi nga Gjykata Themelore, që të bashkëngjitë fletë-kthesën, me të cilën dëshmohet kur e ka pranuar parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin [Pml.nr. 304/2023], të 18 korrikut 2023 të Gjykatës Supreme.
Më 18 shtator 2024, Gjykata pranoi dëshminë nga Gjykata Themelore, më të cilin vërtetohet se Vendimi i kontestuar është pranuar nga parashtruesi i kërkesës më 24 gusht 2023.
Më 01 tetor 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Më 24 prill 2020, bazuar në shkresat e lëndës, rreth orës 19:00, në shtëpinë e parashtruesit të kërkesës, ndodhi një përplasje verbale mes këtij të fundit dhe të ndjerit D.Gj. Ky konflikt ishte rezultat i një mosmarrëveshjeje lidhur me kthimin e automjetit të parashtruesit të kërkesës. Sipas shkresave të lëndës, fillimisht kishte pasur një shkëmbim fjalësh, i cili përshkallëzoi deri në momentin kur parashtruesi i kërkesës e kishte sulmuar të ndjerin D.Gj. me thikë, ndërsa ky i fundit kishte reaguar duke nxjerrë një armë. Pas disa minutash, në të njëjtën ditë, parashtruesi i kërkesës kishte marrë një pushkë gjuetie nga ormani, e kishte mbushur me fishek dhe përmes dritares së oborrit kishte dalë nga shtëpia, duke ndjekur të ndjerin D.Gj. Nga një distancë prej dy- tre (2-3) metrash, ai kishte shtënë një herë në drejtim të tij. Si pasojë e plagëve të marra, i ndjeri D.Gj. kishte rënë në tokë dhe ishte dërguar pa shenja jete në spital, ku ishte konstatuar vdekja e tij.
Më 15 prill 2021, Prokuroria Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore), kishte ngritur Aktakuzë [PP/I.nr.38/2020] ndaj parashtruesit të kërkesës, me ç’rast i njëjti akuzohej se: (i) ka kryer veprën penale “Vrasja e Rëndë” të paraparë me nenin 173 paragrafi (1) nënparagrafi (1.3) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK); si dhe (ii) veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi (1) të KRPK-së.
Më 15 dhjetor 2022, Gjykata Themelore kishte nxjerrë Aktgjykimin [PKR.nr. 64/21], përmes së cilit: (i) kishte shpallur parashtruesin e kërkesës fajtor për kryerjen e veprës penale “Vrasja e Rëndë” të paraparë me nenin 173 paragrafi (1) nënparagrafi (1.3) të KPRK-së, dhe këtë me dënim me burgim në kohëzgjatje prej njëzet (20) vite e gjashtë (6) muaj; si dhe (ii) fajtor për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi (1) të KRPK-së, dhe këtë me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti.
Në arsyetimin e të gjeturave të saja në Aktgjykimit [PKR.nr. 64/21] të 15 dhjetorit 2022, Gjykata Themelore, arsyetoi më tej:
“[...]. Me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimit e të akuzuarve gjykata vlerësoi të gjitha rrethanat në kuptim të nenit 69 dhe 70 të KPRK-së të cilat ndikojnë në zgjedhjen e llojit dhe lartësisë së dënimit. [...]. Si rrethana rënduese për të akuzuarin D.P, i ka marrë për bazë këto rrethana: Shkallës e lartë të dashjes pasi i akuzuari ka privuar nga jeta djalin e tezë të cilin edhe e ka pasur shok. Po ashtu faktin se i njëjti ka qenë i dënuar edhe më parë nga kjo Gjykatë dhe atë sipas aktgjykimit të kësaj Gjykatë me numër P.nr.468/16, i formës së prerë 16.10.2017, për shkak të veprës penale nga neni 188 të KPRK-së, me dënim me gjobë në shumën prej 200.00euro [...]. Ndërsa, si rrethana lehtësuese gjykata i ka marrë për bazë këto sjellja e tij gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësorë ka qenë e mirë, ka pasur qëndrim tejet korrekt, moshën e tij të re, pendimin e tij dhe kërkim falje familjes së të ndjerit. Prandaj duke marrë parasysh të gjitha këto gjykata ka ardhur në përfundim se me dënimet e shqiptuara si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit nga neni 38 i KPRK-së dhe se këto dënime si të tilla të shqiptuara sipas bindjes së gjykatës janë në proporcion me veprat penale të kryera. [...].”
Në arsyetimin për konfiskimin e armës me të cilën është privuar nga jeta i ndjeri D.Gj, Gjykata Themelore kishte theksuar se trupi gjykues ka vendosur që ndaj parashtruesit të kërkesës të konfiskohen: (i) një (1) pushkë gjuetie me numër serik [947961]; (ii) një (1) revole me numër serik [001274-0319] me një (1) karikator dhe pesë (5) fishekë të kalibrit 7.65mm; (iii) një (1) pushkë ajrore me numër serik [H-72605]; (iv) një (1) pushkë ajrore me numër serik [110101010]; (v) dy (2) thika dhe sëpata; (vi) një (1) fishek i revoles kalibër 7.65; si dhe (vii) objekte të veprave penale.
Më 30 dhjetor 2022, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë ndaj aktgjykimit me të cilin ishte shpallur fajtor për veprat e sipërcekura penale, konkretisht Aktgjykimit [PKR.nr. 64/21] të 15 dhjetorit 2022 të Gjykatës Themelore, për shkak të: (i) shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale; (ii) vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; (iii) shkeljes së ligjit penal; (iv) vendimit mbi sanksionin penal.
Rezulton se ndaj të njëjtit Aktgjykim të Gjykatës Themelore, kishin paraqitur ankesë: (i) Prokuroria e Apelit të Kosovës; si dhe (ii) Përfaqësuesi i autorizuar i të të dëmtuarve.
Më 3 mars 2023, Gjykata e Apelit, kishte nxjerrë Aktgjykimin [PAKR.nr.29/2023], përmes së cilit: (i) refuzoi si të pabazuara ankesat e: a) Prokurorisë e Apelit të Kosovës; b) Përfaqësuesit të autorizuar të të dëmtuarve; si dhe c) parashtruesit të kërkesës; ku me ç’rast, dhe vërtetoi Aktgjykimin [PKR.nr. 64/21] e 15 dhjetorit 2022 të Gjykatës Themelore.
Gjykata e Apelit në arsyetimin e Aktgjykimit [PAKR.nr.29/2023] të 3 marsit 2023, kishte theksuar:
“[...], qasja ndaj fakteve vendimtare ka qenë e drejtë dhe e ligjshme as një fakt nuk ka ngelur i pavërtetuar dhe përveç që janë vërtetuar drejtë ato edhe janë arsyetuar në mënyrë të plotë dhe të saktë. Kështu, në rastin konkret gjykata e shkallës së parë, ka dhënë arsye të qarta për vendin, kohën, mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe po ashtu edhe përkitazi me pretendimin e të akuzuarit se ka qenë i frikësuar, se tani i ndjeri po e sulmonte nënën apo vëllain e të akuzuarit apo edhe ndokënd tjerët nga anëtaret e familjes dhe se ka qenë i kërcënuar edhe vetë drejtë për drejtë [...]. Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë, drejtë dhe në mënyrë të plotë i ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit siç e parasheh dispozita e nenit 69 dhe 70 të KPRK-së. [...].” Prandaj, duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat e konstatuara në aktgjykimin e ankimuar, rrethanat e rastit konkret, mënyrën se si është zhvilluar ngjarja kritike, sidomos, kur, i akuzuari më parë e provokoi tani të ndjerin me thikë, pastaj, se i njëjti ka qenë i dënuar edhe më parë, dhe atë pikërisht për veprat penale të parapara në kapitullim kundër trupit dhe jetës, ku edhe përfshihet vepra penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, pastaj duke marr parasysh edhe numrin e armëve të gjetura të i akuzuari, kuptohet, përveç armës me të cilën është kryer vepra penale atëherë, rezulton se dënimi të cilin i ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë, të akuzuarit është i drejtë dhe i ligjshëm [...].”
Më 9 qershor 2023, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur Kërkesë për Mbrojtjen e Ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e këtë ndaj Aktgjykimit [PAKR.nr.29/2023] të 3 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit, si dhe Aktgjykimit [PKR.nr.64/2021] të 15 dhjetorit 2022 të Gjykatës Themelore, për shkak të: (i) shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale; si dhe (ii) shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale ku shkeljet e tilla kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor.
Më 18 korrik 2023, Gjykata Supreme kishte nxjerrë Aktgjykimin [Pml.Nr.304/2023], përmes së cilit: (i) refuzoi si të pabazuar Kërkesën për Mbrojtjen e Ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër Aktgjykimit [PAKR.nr.29/2023] të 3 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit si dhe Aktgjykimit [PKR.nr.64/2021] të 15 dhjetorit 2022 të Gjykatës Themelore.
Në arsyetimin e Aktgjykimit [Pml.Nr.304/2023] të 18 korrikut 2023, Gjykata Supreme potencoi:
“[...]. Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se pretendimet e mbrojtësit të dënuarit se aktgjykimet janë përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkelje të ligjit penal janë të pabazuara. [...]. Prandaj, qasja ndaj fakteve vendimtare ka qenë e drejtë dhe e ligjshme as një fakt nuk ka ngelur i pavërtetuar dhe përveç që janë vërtetuar drejtë ato edhe janë arsyetuar në mënyrë të plotë dhe të saktë. [...]. Po ashtu përkitazi me pretendimin se nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme përkitazi me prova materiale, duke përfshirë këtu edhe ekspertizën e psikiatrisë, kjo gjykatë vlerëson se kjo nuk qëndron, për faktin se në arsyetimin e aktgjykimit të shkallës së parë janë dhënë arsye të mjaftueshme ku me të drejtë konstatohet se në bazë të fakteve dhe rrethanave të vërtetuara nga palët nuk mund të vërtetohet se ka qenë mënyra e sjelljes së tani të ndjerit ajo që ka sjellë të dënuarin në tronditje të fortë mendore, e që ka mundur të ndikojë në kryerjen e veprës penale. [...]. Kjo gjykatë vlerëson se në rastin konkret nuk mund të bëhet fjalë fare për ekzistimin e vrasjes në gjendje të tronditjes së fortë mendore. [...]. Kjo për arsye se në zhvillimin e kësaj ngjarje nuk janë plotësuar kushtet për tu konsideruar se në veprimet e të dënuarit qëndrojnë elementet e veprës penale, vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore, siç pretendohet nga ana e mbrojtësve të dënuarit. [...].”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Kërkesa e parashtruesit të kërkesës për kthim në gjendje të mëparshme
Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata lejimin e kthimit në gjendje të mëparshme, respektivisht, afatin për dorëzimin e kërkesës. I njëjti, pohon se: “me qenë se ende nuk ka kaluar një vit kur ka përfunduar afati ligjor për të kërkuar kthim në gjendje të mëparshme Kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që këtë rast ta trajton sikur kërkesa të ishte paraqitur në afatin e paraparë.”
Në lidhje me kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme të kërkesës së tij nga Gjykata, parashtruesi i kërkesës pohon se i njëjti, pa fajin e tij, nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën në Gjykatë brenda afatit të përcaktuar.
Parashtruesi i kërkesës nuk paraqet fakte dhe arsye të tjera për lejimin e kthimit në gjendje të mëparshme ndaj kërkesës së tij.
Pretendimet tjera të parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Pml.nr.304/2023] të 18 korrikut 2023 të Gjykatës Supreme, për të cilin Aktgjykim parashtruesi i kërkesës pretendon se shkel të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 24, 30, 31, 32, 33 dhe 54 të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës, për aktgjykimin e kontestuar, pretendon që Gjykata Supreme në rrethanat e rastit të tij konkret ka kaluar në mënyrë sipërfaqësore konstatimet e saja, dhe se e njëjta nuk e ka kuptuar as rrjedhën e ngjarjes që ka shtyrë deri tek vrasja, duke pretenduar më tej: “gjykata duket se nuk e di faktik që dëshmitarja K.B , është nëna e të dënuarit, i ndjeri kishte 2 revole me vete, i ndjeri kishte kërcënuar gjatë gjithë kohës se do të ju vras të gjithëve, i ndjeri ishte nën ndikim të substancave dhe alkoolit.”
Parashtruesi i kërkesës më tej pretendon se Gjykata Supreme nuk ka bërë kualifikim të saktë të veprës penale sipas KPRK-së, duke pretenduar tutje që vrasja në rrethanat e rastit konkret, konsiderohet se është kryer “në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, e këtë e bazon në shkresat e lëndës, të cilat tregojnë detajisht mënyrën se si ka ndodhur rasti, ditën e 24 prillit 2020.
Përfundimisht, duke u ndërlidhur me të gjeturat dhe kualifikimin e veprës penale të kryer nga parashtruesi i kërkesës, ky i fundit, pretendon që gjykatat e rregullta i kanë kaluar në mënyrë sipërfaqësore faktet, si dhe të njëjtat nuk kanë hyrë në bazën ligjore dhe kualifikimin e duhur ligjor.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. “Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”
Neni 30
[Të Drejtat e të Akuzuarit]
“Çdokush që akuzohet për vepër penale, gëzon të drejtat minimale në vijim:
(1) të njoftohet menjëherë në gjuhën që kupton, për natyrën dhe shkakun e akuzës kundër saj/tij;
(2) të njoftohet për të drejtat e tij/saj sipas ligjit;
(3) të ketë kohë, mundësi dhe mjete të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
(4) të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën në të cilën zhvillohet gjykimi;
(5) të ketë ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedh, të komunikojë lirisht me të dhe, nëse nuk ka mjete të mjaftueshme, t’i sigurohet mbrojtja falas;
(6) të mos shtrëngohet për të dëshmuar kundër vetvetes ose për të pranuar fajësinë e vet.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. “Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.”
Neni 33
[Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale]
“1. Askush nuk mund të akuzohet ose të dënohet për asnjë vepër e cila, në momentin e kryerjes, nuk ka qenë e përcaktuar me ligj si vepër penale, me përjashtim të veprave të cilat, në kohën e kryerjes së tyre, sipas së drejtës ndërkombëtare, përbënin gjenocid, krime lufte ose krime kundër njerëzimit.
2. Dënimi i shqiptuar për një vepër penale nuk mund të jetë më i ashpër sesa ka qenë i përcaktuar me ligj në kohën e kryerjes së veprës.
3. Ashpërsia e dënimit nuk mund të jetë në disproporcion me veprën penale.
4. Dënimet përcaktohen në bazë të ligjit që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, me përjashtim të veprave për të cilat ligji i mëvonshëm i aplikueshëm është më i favorshëm për kryesin e veprës.”
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”
LIGJI Nr. 03/L-121 PËR GJYKATËN KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 50
Kthimi në gjendjen e mëparshme
“Nëse parashtruesi pa fajin e tij nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar, Gjykata Kushtetuese ka për detyrë që në bazë të kërkesës së parashtruesit ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme. Parashtruesi ka për detyrë të paraqesë kërkesën për kthimin në gjendjen e 14 mëparshme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve që nga mënjanimi i pengesës dhe të arsyetojë kërkesën në fjalë. Kthimi në gjendjen e mëparshme nuk lejohet nëse ka kaluar një vit ose më shumë nga dita kur ka përfunduar afati i përcaktuar me këtë ligj.”
KODI NR. 06/L-074 KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 173
Vrasja e rëndë
“1. Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili:
1.1. privon nga jeta fëmijën;
1.2. privon nga jeta femrën shtatzënë;
1.3. privon nga jeta anëtarin e familjes;
1.4. privon nga jeta personin tjetër në mënyrë mizore apo dinake;
1.5. privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e një ose më shumë personave tjerë;
1.6. privon nga jeta personin tjetër me qëllim të fitimit të dobisë pasurore;
1.7. privon nga jeta personin tjetër me qëllim të kryerjes apo të fshehjes së ndonjë vepre tjetër penale, ose për të ndaluar personin nga dhënia e dëshmisë ose sigurimi në ndonjë mënyrë tjetër të informatave për policinë apo në procedurë penale;
1.8. privon nga jeta personin tjetër nga hakmarrja e paskrupullt apo nga motive të tjera të ulëta, përfshirë hakmarrjen për dhënien e dëshmisë ose sigurimin në ndonjë mënyrë tjetër të informatave për policinë apo në procedurë penale;
1.9. privon nga jeta personin tjetër zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose në lidhje me detyrën zyrtare;
1.10.privon nga jeta personin tjetër motivuar në bazë të kombësisë, gjuhës, besimit fetar ose mungesës së besimit fetar, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, ose për shkak të afërsisë me persona me njërën nga këto karakteristika të mbrojtura;
1.11. me dashje kryen dy apo më shumë vrasje, përveç veprave të cilat janë paraparë në nenin 174 dhe 176 të këtij Kodi;
1.12. privon nga jeta personin tjetër dhe më parë ka qenë i dënuar për vrasje, përveç veprave të cilat janë të parapara në nenin 174 dhe 176 të këtij Kodi; ose
1.13. Veprimet përgatitore për cilindo nën-paragraf të paragrafit 1 të këtij neni do të dënohen.”
Neni 174
Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore
“Kushdo që personin tjetër e privon nga jeta në gjendje të tronditjes së fortë mendore, të shkaktuar pa fajin e tij nga sulmi, keqtrajtimi apo fyerja e rëndë nga ana e personit të vrarë, dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.”
Neni 366
Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve
“1. Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.
2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni përfshin më shumë se katër (4) armë ose më shumë se katërqind (400) fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet.
3. Arma në pronësi, kontroll apo posedim në kundërshtim të këtij neni konfiskohet.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata, fillimisht, i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata, gjithashtu, shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të kërkuara me nenet: 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afati)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...].”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se: (i) parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar në kuptim të paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës; (ii) ai konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Pml.nr.304/2023] të 18 korrikut 2023 të Gjykatës Supreme, përmes së cilit parashtruesi i kërkesës pretendon se i cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 24, 30, 31, 32, 33 dhe 54 të Kushtetutës.
Në këtë aspekt, Gjykata thekson se përtej kriterit 4 (katër) mujor të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit për parashtrimin e kërkesave para Gjykatës sipas procedurës të përcaktuar përmes paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, përkatësisht kërkesave individuale, është gjithashtu pika (c) e paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, i cili përcakton si në vijim:
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…]”.
Fillimisht, Gjykata përsërit se objekt i kësaj çështje është:
(i) kërkesa për kthim në gjendje të mëparshme respektivisht, afatin për dorëzimin e kërkesës;
(ii) kërkesa për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml.nr.304/2023] të 18 korrikut 2023 të Gjykatës Supreme për të cilin Aktgjykim parashtruesi i kërkesës pretendon se shkel të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 24, 30, 31, 32, 33 dhe 54 të Kushtetutës.
Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës kërkon që Gjykata, në pajtim me nenin 50 të Ligjit, t'ia kthejë afatin për paraqitjen e kërkesës, pasi që ai vetë ka dijeni për faktin se ka pranuar aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme më 24 gusht 2023, siç ka deklaruar vetë në kërkesën e dorëzuar, dhe që kërkesën e ka dorëzuar në Gjykatë më 20 gusht 2024, që do të thotë pas tetë (8) muajsh e njëzetegjashtë (26) ditësh pas skadimit të afatit katër (4) të paraparë nenin 49 të Ligjit.
Rrjedhimisht, ajo që Gjykata duhet të përcaktojë fillimisht në kërkesën konkrete është nëse kërkesa për kthimin në gjendjen e mëparshme të afateve për paraqitjen e kërkesës në Gjykatë, sipas nenit 50 të Ligjit, është e bazuar, pra, nëse kërkesa e parashtruesit të kërkesës, i plotëson të gjitha kushtet e përcaktuara me nenin 50 të ligjit të cilat i mundësojnë Gjykatës pranimin e kërkesës dhe kthimin e afatit për paraqitjen e kërkesës në këtë gjykatë.
Është përcaktimi nëse kërkesa e parashtruesit të kërkesës i plotëson kërkesat e përcaktuara të nenit 50 të Ligjit, ajo që, në kuptimin formal, do të përcaktojë rezultatin e pretendimit të dytë të parashtruesit të kërkesës të paraqitur në kërkesë, e që është përcaktimi i vlefshmërisë së shkeljeve të pretenduara, konkretisht të neneve 24, 30, 31, 32, 33 dhe 54 të Kushtetutës, për të cilat i njëjti pretendon se janë shkelur nga Aktgjykimi i kontestuar, konkretisht Aktgjykimi [Pml.nr.304/2023] i 18 korrikut 2023 të Gjykatës Supreme.
Në kontekst të kërkesës së parashtruesit të kërkesës për kthim të afatit në gjendje të mëparshme, Gjykata fillimisht rikujton përmbajtjen e nenit 50 (Kthimi në gjendjen e mëparshme) të Ligjit, i cili përcakton si në vijim:
“Nëse parashtruesi pa fajin e tij nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar, Gjykata Kushtetuese ka për detyrë që në bazë të kërkesës së parashtruesit ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme. Parashtruesi ka për detyrë të paraqesë kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve që nga mënjanimi i pengesës dhe të arsyetojë kërkesën në fjalë. Kthimi në gjendjen e mëparshme nuk lejohet nëse ka kaluar një vit ose më shumë nga dita kur ka përfunduar afati i përcaktuar me këtë ligj”.
Bazuar në përmbajtjen e nenit 50 të Ligjit, në mënyrë që të aprovohet kërkesa për kthim në gjendje të mëparshme, duhet të plotësohen kushtet në vijim: (i) parashtruesi i kërkesës duhet të dëshmojë se pa fajin e tij/saj nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar, përkatësisht afatit 4 (katër) mujor të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit; (ii) parashtruesi i kërkesës duhet të paraqesë kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve që nga mënjanimi i pengesës; (iii) parashtruesi i kërkesës duhet të arsyetojë kërkesën në fjalë; dhe (iv) nuk ka kaluar një vit ose më shumë nga dita kur ka përfunduar afati i përcaktuar me Ligj për paraqitjen e kërkesës në Gjykatë. Këto kushte janë kumulative (shih rastet e Gjykatës, KI163/20, parashtrues “Inter-Eminex”, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 shkurtit 2021 2021, paragrafi 48; shih gjithashtu rastin e Gjykatës KI185/20, parashtrues “ENA Sh.A”, Aktvendim për papranueshmëri i 29 prillit 2021, paragrafi 47).
Gjykata, rithekson se ka detyrë të miratojë ose jo kthimin në gjendje të mëparshme të afatit, bazuar në vlerësimin e saj, në secilin rast veç e veç, nëse janë plotësuar kushtet e përcaktuara në nenin 50 të Ligjit dhe të cilat janë kumulative. Në këtë kontekst, Gjykata thekson se neni 50 i Ligjit i referohet kërkesave të parashtruesve të kërkesës me rastin e dorëzimit të një kërkese në Gjykatë, përmes të cilës kërkohet edhe kthimi i afatit në gjendje të mëparshme në rast se këta të fundit mund të mbështesin kërkesën e tyre duke plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara përmes nenit 50 të Ligjit.
Gjykata, ka njohuri për rrethanat e rastit dhe këtë pas analizës së të gjitha shkresave të lëndës. Po ashtu, në lidhje me këtë Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pohon se i njëjti, pa fajin e tij, nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën në Gjykatë brenda afatit të përcaktuar, por për këtë fakt, i njëjti nuk paraqet fakte konkrete në mënyrë që të bind Gjykatën se me të vërtetë parashtruesi i kërkesës është gjendur në ato rrethana të cilat i kanë pamundësuar dërgimin e kërkesës në Gjykatë, brenda afatit ligjor. Gjykata rikujton se arsyetimi i vetëm të cilin parashtruesi kërkesës mbështetë këtë kërkesë është: “me qenë se ende nuk ka kaluar një vit kur ka përfunduar afati ligjor për të kërkuar kthim në gjendje të mëparshme Kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që këtë rast ta trajton sikur kërkesa të ishte paraqitur në afatin e paraparë.”
Gjykata, duke iu referuar elaborimit si më sipër, në veçanti shkresave të lëndës të dorëzuara në kërkesën e tij dhe arsyetimit të tij të dhënë në kërkesën e tij të dorëzuar në Gjykatë, përmes të cilës kërkon në mënyrë specifike kthimin në gjendje të mëparshme të kërkesës, vlerëson se kjo kërkesë nuk plotëson kushtet e sipërcekura të përcaktuara përmes nenit 50 të Ligjit. Në këtë kontekst, Gjykata bazuar në shkresat e lëndës dhe sqarimit të tij të dhënë në kërkesën e parashtruesit të kërkesës vlerëson se parashtruesi i kërkesës (i) nuk ka dëshmuar se pa fajin e tij nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar përmes nenit 49 të Ligjit; dhe (ii) rrjedhimisht nuk ka arritur që të arsyetojë kërkesën e tij për kthim në gjendje të mëparshme; si dhe së fundmi (iii) nuk ka dëshmuar se ka paraqitur kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga mënjanimi i pengesës.
Andaj, në këtë drejtim, pas konstatimit të më sipërm të Gjykatës, për mos plotësimin e kushteve të parapara ligjore nga parashtruesi i kërkesës për kthimin në gjendjen e mëparshme, Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI48/21, me parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021,paragrafi 44; dhe KI45/21, me parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GjEDNj-së Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Ky afat gjithashtu i mundëson parashtruesit potencial të kërkesës që të shqyrtojë nëse dëshiron të paraqesë kërkesë dhe nëse dëshiron, të vendosë për ankesat dhe argumentet konkrete që duhet ngritur dhe në të njëjtën kohë lehtëson vërtetimin e fakteve në ketë rast, meqë me kalimin e kohës, çdo shqyrtim i drejtë i çështjeve të ngritura bëhet problematik (shih rastin e GjEDNj-së Sabri Gunes kundër Turqisë, nr. 27396/06, Aktgjykimi i 29 qershorit 2012, paragrafi 39; po ashtu rastin e Gjykatës KI12/20, parashtruese Hamijete Dinarama-Daija, Aktvendim i 6 nëntorit 2020, paragrafi 42). 50.
Ky rregull specifikon afatin kohor për kontrollin e ushtruar nga Gjykata dhe paralajmëron individët dhe autoritetet shtetërore për afatin pas të cilit kontroll i tillë nuk është më i mundur (shih Vendimin e GjEDNj-së Walker kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 34979/97, e 25 janarit 2000; shih gjithashtu rastin e GjEDNj-së, së Sabri Gunes kundër Turqisë,, cituar më lart, paragrafi 40; shih po ashtu rastet e Gjykatës KI 53/18 , parashtrues Hajri Ramadani, Aktvendimi i 6 dhjetorit 2018, paragrafi 45; KI115/20, parashtrues Muharrem Rama, Aktvendim për papranueshmëri i 2 dhjetorit 2021, paragrafi 56).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se (i) kërkesa nuk plotëson kushtet e përcaktuara përmes nenit 50 të Ligjit për kthim në gjendje të mëparshme; dhe për pasojë (ii) kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, pasi konstatimit të mësipërm, Gjykata konsideron se kërkesa është dorëzuar pas tetë (8) muajsh e njëzetegjashtë (26) ditësh pas skadimit të afatit katër (4) muajsh të paraparë me nenin 49 të Ligjit për Gjykatën, andaj, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur nenet 24, 30, 31, 32, 33 dhe 54 të Kushtetutës.
Prandaj, mbi bazën e arsyetimeve të mësipërme, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar jashtë afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe si e tillë e njëjta është e papranueshme si e pasafatshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 47 dhe 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së Punës, më 01 tetor 2024, njëzëri
VENDOS
TA HEDH POSHTË kërkesën për kthim në gjendje të mëparshme
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Domenik Prenkaj
KI – Individualni zahtev
Rešenje o neprohvatljivosti
Zahtev je očigledno neosnovan
Krivični