Prishtinë, më 18 nëntor 2022
Nr. Ref.:RK 2082/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI47/21
Parashtrues
Arton Shala dhe të tjerët
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, C.nr.4023/2020, të 18 shkurtit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Arton Shala, Labinot Shala, Fetie Shala, Valentina Shala, Luljeta Shala dhe Saranda Shala me vendbanim në komunën e Prishtinës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e Aktvendimit C.nr.4023/2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë të 18 shkurtit 2021 (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesit e kërkesës po ashtu kërkojnë caktim të masës së përkohshme me qëllim të shmangies së dëmit të pariparueshëm.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit C.nr.4023/2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë të 18 shkurtit 2021, përmes të cilit parashtruesit pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6.1 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], 116 (2) [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 27 (Masat e përkohshme) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullat 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve) dhe 56 (Kërkesa për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 2 mars 2021, parashtruesit e kërkesës përmes postës e dorëzuan kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 5 mars 2021, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Arta Rama-Hajrizi (kryesuese), Bekim Sejdiu dhe Selvete Gërxhaliu-Krasniqi.
Më 10 mars 2021, parashtruesit e kërkesës u njoftuan për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje e saj iu dërgua Gjykatës Themelore.
Më 17 maj 2021, bazuar në paragrafin 5 të nenit 114 [Përbërja dhe Mandati i Gjykatës Kushtetuese] të Kushtetutës dhe rregullit 12 (Zgjedhja e Kryetarit dhe e Zëvendëskryetarit) të Rregullores së punës, gjyqtarja Gresa Caka-Nimani u zgjodh Kryetare e Gjykatës Kushtetuese. Bazuar në paragrafin (4) të rregullit 12 të Rregullores së punës dhe Vendimit të Gjykatës KK-SP 71-2/21, u përcaktua që gjyqtarja Gresa Caka-Nimani, detyrën e Kryetares së Gjykatës e merr pas përfundimit të mandatit të Kryetares aktuale të Gjykatës Arta Rama-Hajrizi, më 26 qershor 2021.
Më 25 maj 2021, bazuar në pikën 1.1 të paragrafit 1 të nenit 9 (Përfundimi i mandatit para kohës) të Ligjit dhe rregullit 7 (Dorëheqja e gjyqtarëve) të Rregullores së punës, gjyqtari Bekim Sejdiu paraqiti dorëheqjen e tij nga pozita e gjyqtarit pranë Gjykatës Kushtetuese.
Më 27 maj 2021, Kryetarja e Gjykatës Arta Rama-Hajrizi, përmes Vendimit Nr.K.SH.47/21, emëroi gjyqtarin Radomir Laban si anëtar të Kolegjit shqyrtues në vend të gjyqtarit Bekim Sejdiu.
Më 26 qershor 2021, bazuar në paragrafin (4) të rregullit 12 të Rregullores së punës dhe Vendimit të Gjykatës KK-SP 71-2/21, gjyqtarja Gresa Caka-Nimani mori detyrën e Kryetares së Gjykatës, ndërsa bazuar në pikën 1.1 të paragrafit 1 të nenit 8 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit, Kryetarja Arta Rama-Hajrizi përfundoi mandatin e Kryetares dhe të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese.
Më 28 qershor 2021, Kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani, nxori Vendimin K.SH.KI47/21, duke e zëvendësuar Kryetaren paraprake Arta Rama-Hajrizi në rolin e saj si kryesuese në këtë Kolegj shqyrtues.
Më 11 nëntor 2021, Gjykata në pajtim me nenin 22.4 të Ligjit dhe rregullin 33 (2) të Rregullores së punës kërkoi nga parashtruesit e kërkesës që të dorëzojnë dokumentet si në vijim: (1) Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, C.nr.4023/2020 të 18 shkurtit 2021; (2) Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, Ac.nr.982/17 të 6 shtatorit 2017; (3) Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPP.nr.343/2016 të 16 janarit 2017 dhe (4) Urdhrin Përmbarimor P.nr.74/16 të 23 shkurtit 2016.
Më 26 nëntor 2021, parashtruesit e kërkesës i dorëzuan dokumentet e lartpërmendura në Gjykatë.
Më 27 tetor 2022, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga dokumentet e dorëzuara rezulton se më 22 nëntor 2009, Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a., në cilësi të kredidhënësit, dhe N.P.T. “Beken Com” me seli në Prishtinë, përfaqësuar nga parashtruesi i kërkesës Arton Shala në cilësi të kredimarrësit, kishin lidhur Marrëveshje Garantuese nr. 11/10S, me të cilin N.P.T. “Beken Com” i ishte lejuar kredia në shumën prej 200,000.00 euro me afat të kthimit prej 12 muajve.
Më 22 mars 2010, Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a., në cilësi të kredidhënësit, dhe N.P.T. “Beken Com” me seli në Prishtinë, përfaqësuar nga parashtruesi i kërkesës Arton Shala në cilësi të kredimarrësit, kishin lidhur Kontratë për Linjë Kreditorit nr. 11/10S, me të cilin N.P.T. “Beken Com” i ishte lejuar kredia në shumën prej 200,000.00 euro me afat të kthimit prej 12 muajve.
Më 31 tetor 2013, Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a., në cilësi të kredidhënësit, dhe N.P.T. “Beken Com” me seli në Prishtinë, përfaqësuar nga parashtruesi i kërkesës Arton Shala në cilësi të kredimarrësit, kishin lidhur Kontratë për Kredi Biznesi nr. 192/13 BS, me të cilin N.P.T. “Beken Com” i ishte lejuar kredia në shumën prej 180,000.00 euro me afat të kthimit prej 48 muajve.
Më 1 nëntor 2013, Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a., dhe parashtruesit e kërkesës, kishin lidhur Kontratë për Hipotekë nr.2058/2013, e legalizuar nga N.A., noter nga Prishtina. Me Kontratën e Hipotekës me qëllim të sigurimit të së drejtës për pagesën e borxhit është ngarkuar me hipotekë paluajtshmëria/banesa e evidentuar në certifikatën e pronës nr.19-7603 të dt. 02.08.2013, me numër të parcelës 0-71914059-02795-1-518-8-4-0, me sipërfaqe prej 75.612 m5 e regjistruar në emër të parashtruesit të kërkesës Arton Shala. Ndërsa, paluajtshmëria e evidentuar në njësinë kadastrale P-71914059-02039-0, Zona Kadastrale Prishtinë, me sipërfaqe prej 228 m2, është e regjistruar në emër të të gjithë parashtruesve të kërkesës, secili në pjesë ideale prej 1/6. Në atë paluajtshmëri janë të ndërtuara dy shtëpi.
Në një datë të paspecifikuar, Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a., bazuar në Kontratën për Hipotekë kishte kërkuar leje për Urdhër Përmbarimor kundër paluajtshmërisë së parashtruesve të kërkesës.
Më 23 shkurt 2016, Përmbaruesi Privat A.T., me Urdhër Përmbarimor P.nr.74/16 kishte lejuar përmbarimin ndaj paluajtshmërisë së parashtruesve të kërkesës. Ky Urdhër përmbante këshillë juridike se kundër tij pala e pakënaqur ka të drejtë prapësimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë në afat prej shtatë (7) ditësh, nga dita e pranimit të të njëjtit.
Më 7 mars 2016, parashtruesit e kërkesës kishin parashtruar prapësim në Gjykatën Themelore kundër Urdhrit Përmbarimor P.nr.74/16 të 23 shkurtit 2016.
Më 16 janar 2017, Gjykata Themelore me Aktvendim PPP.nr.343/2016 kishte hedhur poshtë të paafatshëm prapësimin e parashtruesve të kërkesës. Gjykata Themelore kishte arsyetuar: “Urdhri Përmbarimor P.nr.74/16 datë 23.02.2016, në bazë të fletë-kthesës me të cilën vërtetohet dorëzimi personal i urdhrit, debitori urdhrin e ka pranuar me datë 26.02.2016, ndaj të cilit ka mundur të ushtroj prapësim në afat prej shatë (7) ditësh nga dita e pranimit, duke u bazuar në nenin 70 të LPP-së, ndërsa debitori prapësimin e ka ushtruar me datë 07.03.2016.Nga kjo gjendje faktike është vërtetuar se prapësimi nuk është ushtruar brenda afatit të paraparë ligjor, siç shihet edhe nga fletë-kthesa e dorëzimit personal, nga ku shihet data kur debitori ka pranuar urdhrin, e që vërtetohet se prapësimi është paraqitur saktësisht 3 (tre) ditë pas afatit të rregullt ligjor”.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesit e kërkesës kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.
Më 26 shtator 2017, Gjykata e Apelit me Aktvendim Ac.nr.982/17 e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesve të kërkesës ndërsa e vërtetoi aktvendimin e goditur. Gjykata e Apelit vërejti se parashtruesit e kërkesës është dashur ta paraqesin prapësimin më së largu shtatë (7) ditë nga dita e pranimit të urdhrit përmbarimor, ndërsa prapësimi është paraqitur më 7 mars 2016, përkatësisht tri (3) ditë pas afatit të përcaktuar me ligj. Gjykata e Apelit po ashtu shpjegoi se afatet e përcaktuara me ligj janë të natyrës prekluzive, janë të pandryshueshme dhe nuk mund të zgjaten apo shkurtohen as me vendim të të gjykatës e as me marrëveshje të palëve.
Më 20 dhjetor 2017, Përmbaruesi Privat A.T., nxori Urdhër Përmbarimor P.nr.74/16: I. CAKTOHET BLERËS - Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a, me adresë rr. "Rexhep Luci" m. 2 Prishtinë, i cili ka ofruar shumën prej 40,000€ (katërdhjetë mijë euro), për blerjen e patundshmërisë sipas Aktvendimit mbi regjistrimin e hipotekës Nr.011-954-6-926 të dt. 20.11.2013 nga ZKK në Prishtinë patundshmëria e cila është e evidentuar me certifikatën e pronës Nr. 197603 të dt. 02.08.2013 me nr. të parcelës 0-71914059-02795-1-518-8-4-0 , me sipërfaqe prej 75.61m2, e vlerësuar në shumë prej 60,000€ sipas procesverbalit të dt. 31.10.2013, posedues Arton Shala në favor të IFJB Lesna me prioritet nr.I; dhe patundshmëria e cila është e evidentuar me certifikatën e pronës 19-5899 dt. 13.05.2013 me ngastrën kadastrale P-719140S9-02039-0 lloji njësisë parcelë me sipërfaqe prej 228m2 vlerësuar në shumën 55,000€ sipas procesverbalit të dt. 31.10.2013 posedues Fetije Shala, Valentina Shala, Luljeta Shala, Saranda Shala, Labinot Shala dhe Alton Shala secili në pjesën ideale prej 1/16 në favor të IFJB Lesna me prioritet nr. II. II. URDHËROHEN debitorët që paluajtshmëritë e shënuar në pikën I te dispozitivit të këtij urdhri, t'ia dorëzoj blerësit-kreditorit Institucioni Financiar Jo Bankar Lesna Sh.a me adresë Rr. "Rexhep Luci" nr.2 Prishtinë në posedim dhe shfrytëzim në afat prej 7 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij urdhri. III. URDHËROHET Drejtoria për Gjeodezi Pronë dhe Kadastër e Komunës Prishtinës që pas plotfuqishmërisë së këtij urdhri të bëjë ndryshimet në librat Gjeodet Kadastral ashtu që paluajtshmëritë e shënuara në pikën I të këtij urdhri ti regjistroj në emër të Institucioni Financiar Jo Bankar Lesna Sh.a me adresë Rr. "Rexhep Luci" nr. 2 Prishtinë. IV. KONSTATOHET se me blerjen e patundshmërive nga ana e kreditorit Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a me adresë rr. “Rexhep Luci” nr. 2 Prishtinë, në shumën prej shumën prej 40,000€ (katërdhjetë mijë euro), nga shuma e borxhit prej 206.490.61€ të precizuar në seancën e fundit, për pjesën e mbetur të borxhit si dhe shpenzimet e procedurës përmbarimore kreditori udhëzohet t’i realizojë në një procedurë tjetër.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës përmbarimore, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale me propozim që ankesa e debitorëve (parashtruesve të kërkesës) të aprovohet dhe që urdhri i përmbaruesit privat të prishet.
Më 2 maj 2019, Gjykata e Apelit me Aktvendim Ac.nr.753/18 e refuzoi të pathemeltë ankesën e debitorit N.P.T “Beken Com” të përfaqësuar nga parashtruesit e kërkesës ndërsa e vërtetoi Urdhrin e Përmbaruesit Privat, P.nr.74/16 të 20 dhjetorit 2017. Gjykata e Apelit vlerësoi se urdhri përmbarimor është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se është vërtetuar drejtë gjendja faktike dhe se drejtë është zbatuar e drejta materiale, dhe se i njëjti, nuk karakterizohet me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragrafët 1 dhe 2 të LPK-së. Gjykata e Apelit, po ashtu, mes tjerash, vlerësoi se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të parashtruesve të kërkesës se organi përmbarues ka kryer shkelje të dispozitave të procedurës përmbarimore lidhur me vlerësimin real të paluajtshmërive, për faktin se palët me Kontratën për Hipotekë kanë përcaktuar vlerën e paluajtshmërisë në shumën prej 60,000 euro dhe se në harmoni të plotë me dispozitën e nenit 220 të LPP-së janë shitur paluajtshmëritë në shumën prej 40,000 euro, çka është në kuadër të vlerës prej 1/3 të paluajtshmërive të përcaktuar më parë.
Gjykata e Apelit, po ashtu, nuk kishte përcaktuar nëse vendimi i saj mund të goditet në ndonjë instancë tjetër të gjyqësorit të rregullt.
Më 16 shkurt 2021, parashtruesit e kërkesës paraqitën propozim për masë të përkohshme të sigurisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ashtu që të ndalohet çfarëdo ndryshimi apo tjetërsimi të paluajtshmërive që janë objekt i procedurës përmbarimore.
Më 18 shkurt 2021, Gjykata Themelore me Aktvendim C.nr.4023/2020, REFUZOI të pabazuar propozimin e parashtruesve të kërkesës për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit që T’I NDALOHET Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Prishtinës, që të bëjë çfarëdo ndryshimi apo tjetërsimi në librat kadastral lidhur me paluajtshmërinë e regjistruar në njësinë kadastrale P-71914059-02039-0, në sipërfaqe prej 228 m2, Zona Kadastrale Prishtinë dhe lidhur me banesën e evidentuar në certifikatën e pronës Nr. 19-7603 të datës 02.08.2013, me numër të parcelës 0-71914059-02795- 02795-1-518-8-4-0, me sipërfaqe prej 75.61 m2 deri më datën e plotfuqishmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë; I NDALOHET përmbaruesit privat A.M., i caktuar në territorin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë apo cilitdo përmbarues privat, që të ndërmarrë çfarëdo veprimi juridik që ka të bëjë me dorëzimin në posedim dhe shfrytëzim të paluajtshmërisë tek i padituri/kundërshtari i sigurimit Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a., apo personave të tjerë, deri në datën e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Gjykata Themelore, mes tjerash, arsyetoi se nuk mundet që nëpërmes caktimit të masës së përkohshme në procedurën kontestimore të “interferojë” në procedurën përmbarimore, respektivisht nuk mundet në procedurë kontestimore të “shërbejë si mbikëqyrës i ligjshmërisë” së veprimeve përmbarimore. Gjykata Themelore konkludoi se propozuesit e sigurimit (parashtruesit e kërkesës) nuk i kanë plotësuar asnjë nga kushtet ligjore të përcaktuara me dispozitën e nenit 297.1 të LPK-së, prandaj ka vendosur si në dispozitiv të aktvendimit.
Gjykata Themelore po ashtu përcaktoi se kundër aktvendimit të saj nuk lejohet ankesa.
Pretendimet e parashtruesve të kërkesës
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Gjykata Themelore ne Prishtine, ne kundërshtim me kërkesat e përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës, lidhur me nenin 6 (1) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk e kane arsyetuar Aktgjykimin e kontestuar në raport me pretendimet thelbësore të Parashtruesve të kërkesës të cilat janë ngritur në mënyrë qe ta bëjnë të besueshme ekzistimin e kërkesës apo të drejtës subjektive të tyre.”
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se vendimet e gjykatave të rregullta në rastin e tyre kanë qenë “qartazi të paarsyeshme” përkatësisht kanë interpretuar ligjin në mënyrë arbitrare. Lidhur me këtë pretendim parashtruesit e kërkesës i referohen rastit të GJEDNJ-së Angjelkoviq kundër Serbisë.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se vendimet e gjykatave të rregullta në rastin e tyre kanë shkelur parimin e ndalimit të arbitraritetit në vendimmarrje sepse arsyetimet e tyre nuk i përmbajnë faktet e vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike ndërmjet tyre. Lidhur me këtë pretendim parashtruesit e kërkesës i referohen rasteve të Gjykatës KI135/14, KI97/16, KI87/18 dhe KI35/18.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “[...] nga shikimi i padisë për anulimin e kontratës se hipotekës si dhe propozimit për caktimin e masës së përkohshme, vërtetohet qartazi se Parashtruesit e kërkesës, propozimit për caktimin e masës së përkohshme, i kanë bashkangjitur prova të mjaftueshme të cilat mund ta bindin çdo vrojtues objektiv se pretendimet e Parashtruesve të kërkesës për ekzistimin e të drejtës subjektive janë të besueshme [...] në dritën e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtine është i paarsyeshëm dhe arbitrar, ngase arsyetimi i dhënë me aktvendimin e kontestuar nuk i përmban faktet në të cilat është mbështetur propozimin për caktimin e masës së përkohshme, si dhe nuk i ka përshkruar marrëdhënien logjike midis pretendimeve thelbësore të parashtrueseve të kërkesës dhe dispozitave ligjore me të cilat përcaktohen kushtet ligjore për aprovimin e masave të përkohshme”.
Parashtruesit e kërkesës konsiderojnë se dështimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për të dhënë arsyetim lidhur me pretendimet e tyre thelbësore për propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë përbën shkelje të së drejtës për t’u dëgjuar dhe për një vendim të arsyetuar siç garantohet me nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së.
Lidhur me caktimin e masës së përkohshme, parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Parashtruesit e kërkesës konsiderojnë se ekziston rreziku real se me veprime të reja të Përmbaruesit Privat apo Institucioneve tjera publike, Parashtruesit e kërkesës do të detyrohen me dhunë të largohen nga dy (2) shtëpitë dhe banesa kontestuese, si dhe ekziston rreziku real se me veprimet e reja të palës kundërshtare dhe Zyrës Kadastrale në Prishtinë prona kontestuese do të bartet në emër të personave të tretë”.
Parashtruesit e kërkesës arsyetojnë se caktimi i masës së përkohshme do të ndalonte veprimet e mëtutjeshme të përmbaruesit privat dhe do të shmangte dëmin e pariparueshëm sepse pa caktim të masës së përkohshme ata do të mbeten pa “vendbanim apo vendstrehim.”
Parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata: (i) të shpallë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë C.nr.4023/2022; (iv) të miratojë kërkesën për caktim të masës së përkohshme.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 182
[Pa titull]
182.1 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston në çoftë se gjykata gjatë procedurës nuk e ka zbatuar apo ka zbatuar në mënyrë jo të drejt ndonjë dispozitë të këtij ligji, kurse kjo ka pasur apo ka mundë të ketë ndikim në nxjerrjen e aktgjykimit të ligjshëm e të drejtë.
182.2 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston gjithmonë:
a) në qoftë se gjykata është përbërë jo sipas dispozitave ose në çoftë se në nxjerrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari që nuk ka marrë pjesë në seancën kryesore;
b) në qoftë se është vendosur për kërkesën e cila nuk bënë pjesë në juridiksionin gjyqësor;
c) në çoftë se në nxjerrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari i cili sipas ligjit duhet të përjashtohet, respektivisht me vendim të gjykatës ka qenë i përjashtuar ose me rastin e dhënies se vendimit ka marrë pjesë personi i cili nuk e ka cilësinë e gjyqtarit;
d) në çoftë se gjykata sipas prapsmit të palëve gabimisht ka vendosur se është e kompetencës lëndore;
e) në çoftë se është vendosur për kërkesën sipas padisë të ngritur pas afatit të përcaktuar me ligj;
f) në çoftë se gjykata ka vendosur për kërkesëpadinë për të cilën është me kompetencë lëndore gjykata më e lartë e llojit të njëjtë, gjykata e llojit tjetër;
g) në çoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata e ka bazuar vendimin e vetë në disponimin e palejueshëm të palëve, (neni 3 paragrafi 3 i këtij ligji);
h) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata ka nxjerr aktgjykim për shkak të pohimit, mosbindjes, mungesës, heqjes dorë nga kërkesëpadia, ose pa mbajtjen e shqyrtimit kryesor;
i) në qoftë se ndonjërës nga palët me veprimin e paligjshëm, e sidomos me mosdhënien e mundësisë për shqyrtimin e çështjes në gjykatë;
j) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata e ka refuzuar kërkesën e palës, që në procedurë të përdorë gjuhën dhe shkrimin e vet e të ndjek procesin në gjuhën e vet, kurse për këtë arsye ankohet;
k) në qoftë se në procedurë si paditës, ose i paditur, ka marrë pjesë personi që nuk mund të jetë palë në procedurë, apo në qoftë se palën që është person juridik nuk e ka përfaqësuar personi i autorizuar, ose në qoftë se palën me pazotësi procedurale nuk e ka përfaqësuar përfaqësuesi ligjor ose në qoftë se përfaqësuesi ligjor, respektivisht përfaqësuesi me prokurë i palës nuk ka pasur autorizim të nevojshëm për zhvillimin e procedurës apo për kryerjen e ndonjë veprimi në procedurë, në qoftë se zhvillimi i procedurës, respektivisht ushtrimi i veprimeve te veçanta në procedurë nuk është lejuar më vonë;
l) në qoftë se është vendosur për kërkesën për të cilën vazhdon procedura apo për të cilën më parë është nxjerr aktgjykimi i formës se prerë, ose prej të cilit paditësi njëherë ka hequr dorë ose për të cilin është lidhur pajtimi gjyqësor;
m) në qoftë se, në kundërshtim me ligjin është përjashtuar publiku në seancën kryesore;
n) në qoftë se aktgjykimi ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos në qoftë se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm apo kontradiktor me vetvete ose me arsyet e aktgjykimit, apo nëse aktgjykimi nuk ka fare arsye apo në të nuk janë treguar fare arsyet për faktet vendimtare, ose ato arsye janë të paqarta, ose kontradiktore, ose nëse për faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie midis asaj që në arsyet e aktgjykimit thuhet për përmbajtje të dokumentit ose të procesverbalit për thëniet e dhëna në procedurë dhe të vet atyre dokumenteve ose të procesverbalit;
o) në qoftë se me aktgjykim është tejkaluar kërkesëpadia.
Neni 297
[Pa titull]
297.1 Masa e sigurimit mund të caktohet:
a) në qoftë se propozuesi i sigurimit e bënë të besueshme ekzistimin e kërkesës apo të së drejtës subjektive të tij , dhe
b) në qoftë se ekziston rreziku se pa caktimin e masës së këtillë pala kundërshtare do të mund ta pamundësonte apo vështirësonte dukshëm realizimin e kërkesës, sidomos me tjetërsimin e pasurisë së vet, me fshehjen e saj, me ngarkimin apo me ndonjë mënyrë tjetër, me të cilën do ta ndryshonte gjendjen ekzistuese të gjërave, ose në ndonjë mënyrë tjetër do të ndikonte negativisht në të drejtat e propozuesit të sigurimit.
297.2 Po që se nuk është përcaktuar ndryshe me ligj, gjykata e cakton masën e sigurimit vetëm nën kushtet që propozuesi i sigurimit, brenda afatit të caktuar nga gjykata, ashtu siç parashihet me Ligjin mbi Procedurën Përmbarimore, jep garanci në masën dhe në llojin e caktuar nga gjykata, për dëmin që mund t’i shkaktohet palës kundërshtare me caktimin dhe ekzekutimin e masës së sigurimit.
297.3 Po që se propozuesi nuk jep garanci brenda afatit të caktuar gjykata e refuzon propozimin për caktimin e masës së sigurimit. Me kërkesën e propozuesit gjykata mund ta liroj atë nga detyrimi i dhënies së garancisë po që se konstatohet se nuk ka mundësi financiare për një gjë të tillë.
297.4 Bashkësitë e pushtetit lokal janë të përjashtuara nga detyrimi i paragrafit 3 të këtij neni.
LIGJI NR. 04/L-139 PËR PROCEDURËN PËRMBARIMORE
Neni 220
Përcaktimi i vlerës me anë të marrëveshje
Dispozitat e nenit 217 dhe 218 të këtij ligji nuk aplikohen po qe se palët dhe personat e tjerë që në procedurën përmbarimore i realizojnë të drejtat e tyre me anë të marrëveshjes e caktojnë vlerën e paluajtshmërisë.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor... .”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës kanë specifikuar se kontestojnë një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë [C.nr.4023/2020] të 18 shkurtit 2021, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesit e kërkesës gjithashtu i kanë qartësuar të drejtat dhe liritë që ata pretendojnë se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e kanë dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës I kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 39 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.”
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, Udhëzuesin Praktik të GJEDNJ-së për Kriteret e Pranueshmërisë të 31 gushtit 2019; Pjesa III. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat qartazi të pabazuara, paragrafët 255 deri më 284; shih gjithashtu rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesve të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata rikujton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me faktin se Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a., në cilësi të kredidhënësit, dhe N.P.T. “Beken Com” me seli në Prishtinë, përfaqësuar nga parashtruesi i kërkesës Arton Shala në cilësi të kredimarrësit, kishin lidhur kontratë me të cilën parashtruesve të kërkesës u ishte lejuar kredia në shumën prej 200,000.00 euro me afat të kthimit prej 12 muajve. Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a., në cilësi të kredidhënësit, dhe parashtruesit e kërkesës në cilësi të kredimarrësit, sërish lidhën kontratë për kredi biznesi, me të cilën parashtruesve të kërkesës u ishte lejuar kredia në shumën prej 180,000.00 euro me afat të kthimit prej 48 muajve. Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a., bazuar në kontratat e lidhura me parashtruesit e kërkesës kishte kërkuar leje për Urdhër Përmbarimor kundër paluajtshmërisë së parashtruesve të kërkesës. Përmbaruesi Privat A.T., kishte lejuar përmbarimin ndaj paluajtshmërisë së parashtruesve të kërkesës kurse këta të fundit paraqitën prapësim në Gjykatën Themelore kundër vendimit të përmbaruesit privat. Gjykata Themelore kishte hedhur poshtë të paafatshëm prapësimin e parashtruesve të kërkesës. Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesve të kërkesës ndërsa e vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore. Pas përfundimit të këtyre procedurave, përmbaruesi privat urdhëroi blerjen dhe regjistrimin e paluajtshmërisë së parashtruesve të në kërkesës në emër dhe posedim të Institucionit financiar jobankar “Lesna” sh.a. Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit e cila e refuzoi të pathemeltë ankesën ndërsa vlerësoi se urdhri përmbarimor është i drejtë dhe i ligjshëm. Parashtruesit e kërkesës paraqitën propozim për masë të përkohshme të sigurisë në Gjykatën Themelore ashtu që të ndalohet çfarëdo ndryshimi apo tjetërsimi të paluajtshmërive që janë objekt i procedurës përmbarimore, mirëpo, Gjykata Themelore e refuzoi të pabazuar propozimin e parashtruesve të kërkesës për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë.
Gjykata rikujton që parashtruesit e kërkesës në thelb pretendojnë shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të mungesës së një vendimi të arsyetuar dhe për shkak se vendimet e gjykatave të rregullta janë “qartazi të paarsyeshme” përkatësisht kanë interpretuar ligjin në mënyrë arbitrare. Prandaj, Gjykata do t'i shqyrtojë këto pretendime individualisht.
Në lidhje me këtë, Gjykata duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe veçoritë e saj, siç janë përcaktuar përmes KEDNJ-së, parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, ajo vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose me KEDNJ (shih, në këtë kontekst, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI128/18, parashtrues, Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim për papranueshmëri i 28 qershorit 2019, paragrafi 55; KI62/19, parashtrues Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 19 dhjetorit 2019, paragrafët 56-57; KI110/19, parashtrues Fisnik Baftijari, Aktvendim për papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, paragrafi 40).
Gjykata gjithashtu ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu, rastet e Gjykatës KI128/18, cituar më lart, paragrafi 56; dhe KI62/19, cituar më lart, paragrafi 58).
Duke iu kthyer rrethanave të rastit konkret, Gjykata rithekson se parashtruesit e kërkesës në veçanti pretendojnë se Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë [C.nr.4023/2020] të 18 shkurtit 2021, është i paarsyetuar dhe qartazi i paarsyeshëm për shkak të interpretimit arbitrar të ligjit.
Gjykata vëren se GJEDNJ-ja në jurisprudencën e saj të konsoliduar ka mbajtur qëndrim se e drejta për gjykim të drejtë është e drejtë e spikatur (prominent) në një shoqëri demokratike (shih rastet e GJEDNJ-së, Stanev kundër Bullgarisë, nr. 36760/06, Aktgjykim i 17 janarit 2012, paragrafi 231; Airey kundër Irlandës, nr. 6289/73, Aktgjykim i 9 tetorit 1979, paragrafi 24). Kjo garanci “është një nga parimet themelore të cilësdo shoqëri demokratike, sipas të të kuptuarit të KEDNJ-së” (shih rastin e GJEDNJ-së, Pretto dhe të tjerët kundër Italisë, nr. 7984/77, Aktgjykim i 8 dhjetorit 1983, paragrafi 21). Prandaj nuk ka justifikim për interpretim kufizues të nenit 6.1 të KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së, Moreira de Azevedo kundër Portugalisë, nr. 11296/84, Aktgjykim i 28 gushtit 1990,paragrafi 66). Kriteri i drejtësisë (fairness) vlen për procedurat në tërësinë e tyre (shih rastin e GJEDNJ-së, Stran Greek Refineries dhe Stratis Andreadis kundër Greqisë, nr. 13427/87, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 49). Prandaj, procedurat vlerësohen në tërësinë e tyre në mënyrë që të konstatohet nëse ato janë zhvilluar në pajtim me kriteret e gjykimit të drejtë (shih rastet e GJEDNJ-së, De Tommaso kundër Italisë, nr.43395/09, Aktgjykim i 23 shkurtit 2017, paragrafi 172; Regner kundër Republikës Çeke, nr. 35289/11, Aktgjykim i 19 shtatorit 2017, paragrafi 161). Vlerësimi i procedurave në tërësi: nëse procedurat janë të drejta ose jo përcaktohet nga vlerësimi i tërësishëm i tyre (shih rastet e GJEDNJ-së, Centro Europa 7 S.r.l. dhe Di Stefano kundër Italisë, nr. 38433/09, Aktgjykim i 7 qershorit 2012, paragrafi 197; Regner kundër Republikës Çeke, cituar më lart, paragrafi 161; Ankerl kundër Zvicrës, nr. 17748/91, Aktgjykim i 23 tetorit 1996, paragrafi 38). Drejtësia e procedurave gjithmonë vlerësohet duke i shqyrtuar ato në tërësinë e tyre, ashtu që një parregullsi e izoluar nuk mund të mjaftojë për t’i gjykuar procedurat në tërësi të padrejta (shih rastin e GJEDNJ-së, Miroļubovs dhe të tjerët kundër Letonisë, nr. 798/05, Aktgjykim i 15 shtatorit 2009, paragrafi 103).
Gjykata vëren se në rastin e parashtruesve të kërkesës, Gjykata Themelore në Prishtinë (Aktvendim PPP.nr.343/2016, 16.01.2017) kishte refuzuar padinë e parashtruesve të kërkesës të paafatshme që nga Gjykata e Apelit (Aktvendim Ac.nr.982/17, 26.09.2017) ishte vërtetuar si e paafatshme. Më pastaj, Përmbaruesi Privat A.T., me Urdhër Përmbarimor P.nr.74/16 të 20.12.2017, urdhëroi shitjen e paluajtshmërisë së parashtruesve të kërkesës tek kreditori Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a., për shkak të borxhit të parealizuar. Parashtruesit e kërkesës kontestuan Urdhrin Përmbarimor (P.nr.74/16, 20.12.2017) në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit (Aktvendim Ac.nr.753/18, 02.05.2019) e refuzoi të pathemeltë ankesën e parashtruesve të kërkesës duke shpjeguar bazën ligjore dhe shkakun për shitjen e paluajtshmërisë së parashtruesve të kërkesës. Parashtruesit e kërkesës paraqitën propozim për masë të përkohshme të sigurisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ashtu që të ndalohet çfarëdo ndryshimi apo tjetërsimi i paluajtshmërive që janë objekt i procedurës përmbarimore. Gjykata Themelore në Prishtinë e refuzoi të pabazuar propozimin e parashtruesve të kërkesës për caktimin e masës së përkohshme duke arsyetuar se parashtruesit e kërkesës nuk i kanë plotësuar asnjë nga kushtet ligjore të përcaktuara me dispozitën e nenit 297.1 të LPK-së.
Duke u nisur nga parimi i vlerësimit të procedurave në tërësi, Gjykata vëren se vendimi i fundit i kontestuar nga parashtruesit e kërkesës përkatësisht Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë C.nr.4023/2020 i 2 majit 2019, kishte refuzuar propozimin e parashtruesve të kërkesës për caktim të masës së përkohshme me një arsyetim formal pa shqyrtuar substancën e propozimit të tyre. Mirëpo, Gjykata vlerëson se parashtruesit e kërkesës në të vërtetë kanë marrë përgjigje në substancë lidhur me rastin e tyre nga Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit Ac.nr.753/18 të 2 majit 2019. Në atë Aktvendim, Gjykata e Apelit kishte konstatuar, mes tjerash, se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të parashtruesve të kërkesës se organi përmbarues ka kryer shkelje të dispozitave të procedurës përmbarimore lidhur me vlerësimin real të paluajtshmërive, për faktin se palët me Kontratën për Hipotekë kanë përcaktuar vlerën e paluajtshmërisë në shumën prej 60,000 euro dhe se në harmoni të plotë me dispozitën e nenit 220 të LPP-së janë shitur paluajtshmëritë në shumën prej 40,000 euro, çka është në kuadër të vlerës prej 1/3 të paluajtshmërive të përcaktuar më parë.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet pjesës relevante të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit që përcakton: “Gjykata e Apelit vlerëson se organi përmbarues, në bazë të provave të cilat gjinden në shkresat e lëndës, ka marr urdhër të drejtë dhe të bazuar në dispozita konkrete ligjore, i njëjti është i kuptueshëm dhe i qartë, prandaj vendimin e organit përmbarues, lidhur me këtë çështje e pranon edhe Gjykata e Apelit, duke vlerësuar urdhri i atakuar është i rregullt dhe i ligjshëm, për arsye se i njëjti nuk është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182, paragrafi 1 dhe 2 të LPK-së, drejtë është vërtetuar gjendja faktike dhe është zbatuar e drejta materiale, kështu që mund të hetohet dhe vlerësohet ligjshmëria e këtij urdhri, shkelje të cilat gjykata e shkallës së dytë i heton sipas detyrës zyrtare në bazë të nenit 194 të LPK-së. Gjykata e Apelit e Kosovës vlerëson se çmimin për shitjen e paluajtshmërisë, organi përmbarues, e cakton në seancën e parë të ankandit të shitjes së paluajtshmërisë, e cila shumë nuk mund të jetë nën 50% e vlerës së përcaktuar, nëse paluajtshmëria nuk ka mundur të shitet në seancën e pare, caktohet seanca e dytë ku paluajtshmëria nuk mund të shitet me çmim më të vogël se 113 e vlerës se përcaktuar te paluajtshmërisë, ne rastin konkret shitja e paluajtshmërive në shumën prej 40.000,00 Euro, është në kuadër të vlerës prej 1/3, në përputhje me vlerën e paluajtshmërisë së përcaktuar në shumën prej 60.000,00 Euro. Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, Urdhri për shitjen është i drejtë konform dispozitës se nenit 222 të LPP-së, ngase pasi të kryhet procedura për përcaktimin e vlerës së paluajtshmërisë, organi përmbarues jep konkluzion për shitjen e paluajtshmërisë me të cilin e cakton vlerën e paluajtshmërisë, mënyrën dhe kushtet e shitjes, si dhe kohën dhe vendin e shitjes, po qe se shitja bëhet me ankand publik. Organi përmbarues konform nenit 223 të LPP-së, konkluzionin për shitjen e paluajtshmërisë e shpall në tabelën e organit përmbarues me vendimin e organit përmbarues dhe në mënyrë tjetër përkatëse. Mënyra e shitjes së paluajtshmërisë është rregulluar me nenin 227 të LPP-së, ku përcaktohet se shitja e paluajtshmërisë bëhet me anë të ankandit publik verbal, seanca për shitjen e paluajtshmërisë mbahet në ndërtesën e organit përmbarues, në qoftë se organi përmbarues nuk ka caktuar vend tjetër të shitjes. Seanca për shitje mbahet para organit përmbarues. Gjykata e Apelit vlerëson se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të debitorëve se organ përmbarues ka bërë shkelje të dispozitave të procedurës përmbarimore lidhur me vlerësimin real të pronës së paluajtshmërive, është pretendim tërësisht i pabazuar, për faktin se në rastin konkret palët me marrëveshje respektivisht me Kontratën për Themelimin e Hipotekës LRP. nr. rendor 205812013, nr. i referencës 18712013 të datës 01.11.2013, kanë përcaktuar vlerën e paluajtshmërisë në shumën prej 60.000,00 Euro, dhe në harmoni të plotë me dispozitën e nenit 220 të LPP-së, është bërë shitja e paluajtshmërive në shumën prej 40.000,00 Euro, e cila është në kuadër te vlerës prej 1/3, të paluajtshmërisë së përcaktuar më parë. Andaj Gjykata e Apelit vlerëson se përmbaruesi privat ka vepruar drejtë kur ka lëshuar urdhrin për përmbarim dhe se ankesa e të autorizuarit të debitorit duhet të refuzohet si e pathemeltë dhe Urdhri për Shitje, P.nr.74/16, të datës 20.12.2017 të vërtetohet”.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se Gjykata e Apelit ka dhënë përgjigje lidhur me aspektet procedurale dhe përmbajtjesore të ndërlidhura me rastin e parashtruesve të kërkesës duke dhënë bazën ligjore, interpretuar kontratën për themelim të hipotekës dhe duke shpjeguar veprimet e organit përmbarues. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se Aktvendimi me arsyetim formal të Gjykatës Themelore në Prishtinë në vetvete nuk ka cenuar procesin e rregullt sepse, shikuar procedurat në tërësi, nuk mund të thuhet se parashtruesit e kërkesës nuk kanë marrë një vendim të arsyetuar në pajtim me garancitë e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së. Veç kësaj, Gjykata vëren se Gjykata Themelore në Prishtinë [Aktvendimi PPP.nr.343/2016 i 16.01.2017] kishte refuzuar prapësimin e parashtruesve të kërkesës të paafatshëm që në shkallë të dytë ishte vërtetuar si i tillë nga Gjykata e Apelit [Aktvendimi Ac.nr.982/17 i 26.09.2017]. Prandaj, duke shikuar procedurat në tërësi, Gjykata e përsërit se një parregullsi e izoluar nuk mund të mjaftojë për t’i gjykuar procedurat në tërësi si të padrejta (shih rastin e GJEDNJ-së, Miroļubovs dhe të tjerët kundër Letonisë, cituar më lart, paragrafi 103).
Prandaj, Gjykata konstaton se parashtruesit e kërkesës përfituan nga procedura kontradiktore dhe se ata ishin në gjendje të paraqesin në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ata i konsideruan të rëndësishme për rastin e tyre; ata kanë pasur mundësinë të hedhin poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tyre, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih, mutatis mutandis, Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafët 29 dhe 30; shih, gjithashtu, rastin KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42 si dhe rasti KI128/18, cituar më lart, paragrafi 58).
Në rrethanat e këtij rasti, Gjykata thekson se parashtruesit e kërkesës, përtej pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të ligjit, nuk mbështeten mjaftueshëm dhe as nuk argumentuan para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesit e kërkesës apo se procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesve të kërkesës dhe kanë arsyetuar të njëjtat (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI37/21 parashtrues, Isa Tusha, Naser Tusha dhe Miradije Tusha, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shtatorit 2021, paragrafi 67).
Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar dhe interpretimit dhe zbatimit të gabuar të ligjit të aplikueshëm janë (i) pretendime që kualifikohen si pretendime të “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesve të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Kërkesa për masë të përkohshme
Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës kanë kërkuar caktimin e masës së përkohshme për të shmangur dëmin e pariparueshëm sepse pa caktim të masës së përkohshme ata do të mbesin pa “vendbanim apo vendstrehim.”
Gjykata i referohet nenit 27 [Masat e përkohshme] të Ligjit, që parashikon:
“1.Gjykata Kushtetuese sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të palës mund të vendos përkohësisht masa të përkohshme ndaj një çështjeje që është objekt i procedurës, nëse këto masa janë ë nevojshme për të evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme, ose nëse marrja e këtyre masave të përkohshme është në interes publik.
2.Kohëzgjatja e masave të përkohshme duhet të jetë e arsyeshme dhe proporcionale.”
Gjykata në rastin konkret ka shpallur kërkesën të papranueshme në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, Gjykata refuzon kërkesën për caktimin e masës së përkohshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit dhe rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 27 tetor 2022 njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
TË REFUZOJË kërkesën për caktim të masës së përkohshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Arton Shala dhe të tjerët
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër