Prishtinë, më 7 nëntor 2022
Nr. ref.:RK 2070/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI32/22
Parashtrues
Vëllezërit Neziraj sh.p.k
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, E.Rev.nr.14/2021, të 6 tetorit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
- Kërkesa është dorëzuar nga kompania “Vëllezërit Neziraj” sh.p.k me pronar Shaban Neziraj, me vendbanim në fshatin Llukë e Epërme, Komuna e Deçanit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Idriz Ibraj, avokat në Komunën e Pejës.
Vendimi i kontestuar
- Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [E.Rev.nr.14/2021] e 6 tetorit 2021, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktvendimin [Ae.nr.196/20] të 30 dhjetorit 2020, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [V.E.K.nr.329/17] e 4 marsit 2020 të Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore].
- Parashtruesi i kërkesës, Aktvendimin e kontestuar e kishte pranuar më 4 nëntor 2021.
Objekti i çështjes
- Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe e ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin në vijim: Kushtetuta).
Baza juridike
- Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] si dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale), të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura para Gjykatës
- Më 4 mars 2022, parashtruesi i kërkesës përmes postës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata).
- Më 16 mars 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu Krasniqi Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi Peci (anëtarë).
- Më 18 mars 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
- Më 18 mars 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtës i ofroi një kopje të kërkesës.
- Më 18 mars 2022, Gjykata gjithashtu kërkoi nga Gjykata Themelore që të njoftojë Gjykatën lidhur me datën kur parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar aktin e kontestuar. Gjykata Themelore nuk dorëzoi dokumentin e kërkuar në Gjykatë.
- Më 9 gusht 2022, Gjykata kërkoi nga Posta e Kosovës që të evidentohet data e dorëzimit në postë të zarfit të parashtruesit të kërkesës.
- Më 9 gusht 2022, Gjykata përsërit kërkesën për Gjykatën Themelore për sa i përket njoftimit të Gjykatës lidhur me datën kur parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar aktin e kontestuar.
- Më 17 gusht 2022, Posta e Kosovës përmes postës e njoftoi Gjykatën se zarfi i parashtruesit të kërkesës ishte dorëzuar në postën e Kosovës me 4 mars 2022.
- Më 17 gusht 2022, Gjykata Themelore ia dorëzoi Gjykatës fletë-kthesën që tregon se parashtruesi i kërkesës aktin e kontestuar e kishte pranuar më 4 nëntor 2021.
- Më 12 tetor 2022, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
- Nga shkresat e lëndës rezulton që më 12 korrik 2017, kompania “Vëllezërit Neziraj” sh.p.k, kishin parashtruar padi në Gjykatën Themelore kundër të paditurës “Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) sh.a, me objekt të kontestit kompensimi i dëmit real dhe fitimit të humbur.
- Parashtruesi i kërkesës përmes padisë theksonte se aktivitetin e saj e ushtronte si veprimtari afariste, e përpunimit të mishit dhe se gjatë kryerjes së këtij aktiviteti i janë djegur disa makina të cilat kanë qenë të destinuara për përpunimin e mishit. Me theks të veçantë, parashtruesi i kërkesës theksonte se më 30 maj 2017, ka ndodhur djegia e makinave, pasiqë nga ora 7:00 deri në orën 10:00, nuk kishte pasur rrymë e që mund të ketë pasur reduktime të energjisë dhe për këtë reduktim nuk ishte i njoftuar paraprakisht nga KEDS. Parashtruesi i kërkesës lidhur me këtë ngjarje kishte njoftuar policinë e Kosovës si dhe Prokurorinë e Shtetit të cilat kishin bërë vrojtimet respektive. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës përmes padisë kërkonte që përgjegjës kryesor për djegien e makinave të caktohej KEDS e cila ofronte shërbimin e energjisë elektrike dhe se kërkonte shumën e dëmit prej 208,766.14 Euro.
- Në një datë të paspecifikuar, KEDS-në cilësi të palës së paditur kishte kontestuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar në tërësi, duke theksuar se parashtruesi i kërkesës nuk kishte prezentuar prova nga mund të konstatohej se me fajin e saj si furnizues me energji elektrike është shkaktare e dëmeve të pretenduara. Përfundimisht, KEDS kërkonte që të refuzohet në tërësi kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës.
- Më 4 mars 2020, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [V.E.K.nr.329/17]: (I) refuzoi në tërësi si të pa bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, e paraqitur kundër të paditurës KEDS sh.a, me të cilën kishte kërkuar që të detyrohet e paditura që në emër të kompensimit të dëmit material real, parashtruesit të kërkesës t’ia kompensoj shumën prej 128,392.14 €, ndërsa në emër të kompensimit të dëmit në formë të fitimit të humbur t’ia kompensoj shumën prej 80,374.00 €, në shumën e përgjithshme prej 208,766.14 €, që të gjitha me kamatë në shkallën prej 8 % në vit duke llogaritur nga data e parashtrimit të padisë në gjykatë, përkatësisht më 12 korrik 2017, e deri në pagesën definitive, brenda afatit prej 7 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit; (II) detyroi parashtruesin e kërkesës, që palës së paditur-KEDS t’ia kompensoj shumën e mjeteve në lartësinë prej 900.00 €, në emër të kompensimit të shpenzimeve të procedurës kontestimore, në afatin prej 7 ditësh nga dita e dorëzimit të këtij aktgjykimi.
- Në arsyetimin e Aktgjykimit të saj, Gjykata Themelore kishte theksuar si në vijim: Nga provat e shqyrtuara në këtë çështje juridike kontestimore është vërtetuar se pala paditëse e ka si veprimtari afariste përpunimin e mishit dhe me datën 30.05.2017, një pjesë e makinerisë së tij e cila përdorej për përpunimin e mishit në fabrike kanë pësuar defekte. Po ashtu nga provat e shqyrtuara në këtë çështje juridike kontestimore, gjykata vërtetoi e paditura e ka furnizuar palën paditëse me energji elektrike, mirëpo pala paditëse ka qenë e detyruar që të marrë pëlqim për shtimin e fuqisë së energjisë elektrike nga pëlqimi elektro energjetik i datës 19.08.2009, ku është vërtetuar se pala e paditur i ka dhënë pëlqim palës së paditur për shfrytëzimin e energjisë elektrike dhe se maksimumi i fuqisë së lejuar ka qenë 10 KW. Po ashtu nga provat e shqyrtuara është vërtetuar se pala paditëse gjatë veprimtarisë së saj afariste e ka rritur fuqinë e energjisë elektrike dhe se pala e paditur pas inspektimit përmes ekipeve në procesverbalin me numër 0810604, i ka dhënë vërejtje këtë shtim të fuqisë së energjisë elektrike dhe e ka detyruar që brenda afatit prej 3 ditësh të aplikoj pranë Zyrës së Përkujdesjes nga Konsumatorit në Pejë të aplikoj për marrjen e pëlqimit. Pala e paditur përmes procesverbalit me numër 2377291, të datës 28.03.2017, e ka bërë shkyçjen nga rrjeti i shpërndarjes me energji elektrike. Ndërsa në shkresat e lëndës nuk ka provë -procesverbal se është bërë ri kyçja nga pala e paditur.
Gjykata vlerëson se veprimtaria me të cilën merret pala e paditur KEDS, paraqet veprimtari me rrezik të shtuar për jetën, shëndetin dhe pasurinë e qytetareve ku ushtrohet kjo veprimtari. Mirëpo duke u bazuar në provat e shqyrtuara në këtë çështje juridike kontestimore e sidomos duke u bazuar në raportin e ekspertizës së punuar nga grupi i ekspertëve gjykata ka ardhur në përfundimin se pala e paditur nuk mban përgjegjësi për kompensimin e dëmit dhe në këtë rast nuk gjejnë zbatim dispozitat e lartcekura të LMD-së, për shkaktimin e dëmit nga veprimtaria e palës së paditur. Gjykata ka ardhur deri te ky konstatim duke u bazuar në raportin e grupit të ekspertëve të elektroteknikës të cilët kanë dhënë mendimin se shkaktar i drejtpërdrejt i prishjes së makinave të palës paditëse nuk ka qenë luhatja e tensionit të energjisë elektrike e as furnizimi i pa rregullt me energji elektrike nga pala e paditur. Sipas gjykatës e duke u bazuar në raportin e ekspertizës së grupit të ekspertizës nga lëmi i elektro teknikës shtimi i fuqisë së energjisë elektrike nga ana e palës paditëse për muajin maj 2017 ka qenë 105 KV orë energji, fuqia instaluese ka qenë 95 KV, në ndërkohë që pëlqimi energjetik i dhënë nga pala e paditur ka qenë për 10 KV dhe se sipas bindjes së gjykatës pala paditëse ka qenë e detyruar që të aplikoj për pëlqim në mënyrë që ta rrisë fuqinë energjetike në fabrikë.
- Në fund, Gjykata Themelore kishte dhënë këshillë juridike si në vijim: “Kundër këtij aktgjykimi është e lejuar ankesa në afat prej 7 ditësh, nga dita e marrjes Gjykatës së Apelit në Prishtinë, nëpërmes kësaj gjykate.”
- Më 30 qershor 2020, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dh jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që aktgjykimi i atakuar të ndryshohet ashtu që të aprovohet padia dhe kërkesëpadia e tij si e bazuar ose aktgjykimi i atakuar të prishet dhe çështja të kthehet në Gjykatën e shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.
- Në anën tjetër, KEDS kishte dhënë përgjigje në ankesë me propozim që ankesa e paditësit të refuzohet si e pa bazuar dhe aktgjykimi i atakuar të vërtetohet.
- Më 30 dhjetor 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ae.nr. 196/20] vendosi që të hudhet poshtë ankesa e parashtruesit të kërkesës si e palejueshme, e ushtruar kundër Aktgjykimit [V.EK.nr.329/17] të 4 marsit 2020, të Gjykatës Themelore. Në arsyetimin e Aktvendimit të saj, Gjykata e Apelit theksonte si në vijim: Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të shkresave të lëndës, konstatoi se paditësja e ka pranuar aktgjykimin e atakuar me datën 17/06/2020, ndërsa ankesën e ka dorëzuar me datën 30/06/2020, që nënkupton se ankesa është parashtruar pas kalimit të afatit ligjor të paraparë me nenin 509 pika c) e LPK-së, që është përcaktuar se: “kundër aktgjykimit të dhënë nga gjykata e shkallës së parë, palët mund të bëjnë ankim brenda afatit prej 7 ditësh nga dita e dorëzimit të kopjes së aktgjykimit, andaj Gjykata e Apelit duke u bazuar në nenin 186 paragrafi 2 të LPK-së, sipas të cilit ankesa është e pa afatshme po që se është paraqitur pas skadimit të afatit ligjor për paraqitjen e saj, si dhe nenit 196 të LPK-së, ku është përcaktuar se: ankesën e vonuar, jo të plotë, apo të palejueshme, e hedhë poshtë gjykata e shkallës së dytë me aktvendim, po që se nuk e ka bërë një gjë të tillë gjykata e shkallës së parë siç është parashikuar ne nenin 186 të LPK-së.
- Kundër Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesës për revizion për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të prishet Aktvendimi i gjykatës se Apelit dhe lënda t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rishqyrtim dhe rivendosje. Në anën tjetër, KEDS nuk kishte paraqitur përgjigje në revizionin e parashtruesit të kërkesës.
- Më 6 tetor 2021, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [E.Rev.nr. 14/2021] refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, paraqitur kundër Aktvendimit [Ae.nr.196/20] të 30 dhjetorit 2020, të Gjykatës së Apelit. Në arsyetimin e Aktvendimit të saj, Gjykata Supreme kishte theksuar si në vijim:
[…] Paditësja dhe e paditura kanë qenë në marrëdhënie reciproke afariste, andaj në kuptim të nenit 13.1 të Ligjit për Gjykatat të Republikës së Kosovës, Gazeta Zyrtare nr. 79/24.8.2010 (Ligji nr. 03/L-199, e cila dispozitë ka ngelur në fuqi edhe me ndryshimet dhe plotësimet e mëvonshme të këtij Ligji), parashihet që Departamenti për Çështje Ekonomike i Gjykatës Themelore është kompetent përveç tjerash, edhe për çështjet që kanë të bëjnë me kontestet ndërmjet personave juridike vendorë dhe të huaj lidhur me çështjet e tyre afariste.
Për faktin se procedura në kontestet tregtare është procedurë e posaçme kontestimore, për të njëjtën vlejnë dispozitat e posaçme, dhe në këtë drejtim paditësja me bazë ligjore nuk mund të thirret se në këtë kontest është cenuar neni 176.1 i LPK-së kur palëve nuk iu është dhënë këshilla juridike për paraqitje të ankesës në afat prej 15 ditëve.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
- Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi i kontestuar, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara përmes neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.
- Parashtruesi i kërkesës pretendimet e tij i kishte në kontekst të shkeljeve ligjore të dispozitave të Ligjit të Procedurës Kontestimore, përkatësisht nenit 176 paragrafi 1 ku përcaktohej që “Kundër aktgjykimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së parë palët mund të bëjnë ankim, brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e dorëzimit të kopjes së aktgjykimit po që se me këtë ligj nuk është caktuar ndonjë afat tjetër”. Ndërsa në vazhdim parashtruesi i kërkesës pretendon se vazhdimi i paragrafit thekson se: “Në kontestet nga raportet në të cilat është dhënë aktgjykim në bazë të Kambialit apo çekut afati për ankim është shtatë (7) ditor.”
- Pra, parashtruesi i kërkesës pretendimin kyç për sa i përket afatit për paraqitje të ankesës thekson që i njëjti nuk mund të ndryshohet nga Gjykata e as nuk mund të shkurtohet edhe sikur të ekzistonte pëlqimi i palëve në procedurë.
- Në vijim parashtruesi i kërkesës pretendon se bazuar në nenin 509 (c) të LPK-së, afati i ankesës prej 7 (shtatë) ditësh parashihet në kontestet tregtare të “natyrës urgjente”. Rrjedhimisht, sipas parashtruesit të kërkesës, gjykatat e rregullta gabimisht kanë zbatuar të drejtën materiale duke aplikuar në këshillën juridike afatin për ankesë kundër Aktgjykimit afatin e kontesteve tregtare me urgjencë, edhe pse në rrethanat e rastit konkret kemi të bëjmë me procedurë të kompensimit të dëmit. Rrjedhimisht, sipas parashtruesit të kërkesës, përmes vendimeve të gjykatave të rregullta janë cenuar dispozitat e nenit 31 të Kushtetutës.
- Në vijim, parashtruesi i kërkesës gjithashtu konsideron se Gjykata Supreme pa kurrfarë mbështetje ligjore e në kundërshtim me të gjitha dispozitat që rregullojnë këtë çështje bie aktvendim me të cilin vërteton aktet paraprake në vend që ti anulon dhe lëndën ta kthej në rishqyrtimin përmbajtësor të ankesës, me ç ‘rast sipas tij i ishte cenuar neni 49 i Kushtetutës lidhur me të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit.
- Përfundimisht, parashtruesi e kërkesës kërkon nga Gjykata që kërkesa e tij të deklarohet si “qartazi e pranuar”; të aprovohet kërkesa e parashtruesit të kërkesës në tërësi si e pranueshme dhe të konstatohet se janë cenuar të drejtat themelore të garantuara me nenet 31 dhe 49 të Kushtetutës; si dhe të kthehet lënda në rishqyrtim duke e pranuar ankesën si të afatshme për vazhdimin e procedurës.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
- Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
- Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
- Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
(…)
Neni 49
[E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]
- E drejta e punës garantohet.
- Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 176
176.1 Kundër aktgjykimit të dhënë nga gjykata e shkallës së parë palët mund të bëjnë ankim brenda afatit prej pesëmbëdhjetë ditësh (15) nga dita e dorëzimit të kopjes së aktgjykimit, po që se me këtë ligj nuk është caktuar ndonjë afat tjetër. Në kontestet nga raportet në të cilat është dhënë aktgjykimi në bazë të kambialit apo çekut, afati për ankim është shtatë (7) ditor.
[…]
Neni 186
[…]
186.2 Ankesa është e pa afatshme po që se është paraqitur pas skadimit të afatit ligjor për paraqitjen e saj.
[…]
Neni 196
Ankesën e vonuar, jo të plotë, apo jo të lejueshme, e hedhë poshtë gjykata e shkallës së dytë me aktvendim, po që se nuk e ka bërë një gjë të tillë gjykata e shkallës siç parashikuar në (nenin 186).
Neni 505
505.1 Në procedurën për zgjidhjen e kontesteve tregtare zbatohen dispozitat e këtij ligji për procedurën e përgjithshme kontestimore, po që se në dispozitat e këtij kreu nuk është përcaktuar diç tjetër.
Neni 509
Në procedurën e zgjidhjes së kontesteve tregtare vlejnë këto afate:
[…]
- c) afati prej shtatë (7) ditësh për ankesën kundër aktgjykimit apo aktvendimit;
[…]
LIGJI Nr. 03/L-199 PËR GJYKATAT E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 13
Departamenti për Çështje Ekonomike i Gjykatës Themelore
- Departamenti për Çështje Ekonomike i Gjykatës Themelore është kompetent për çështjet në vijim:
1.1. kontestet ndërmjet personave juridik vendor dhe të huaj lidhur me çështjet e tyre afariste;
1.2. riorganizim, falimentim dhe shuarjen e personave juridik, nëse me ligj nuk përcaktohet ndryshe;
1.3. kontestet lidhur me pengimin e posedimit, me përjashtim të pronës së paluajtshme, ndërmjet palëve të cekura në nën-paragrafi 1.1 të këtij paragrafi;
1.4. kontestet lidhur me cenimin e konkurrencës, keqpërdorim apo monopolizim dhe pozitën dominuese në treg si dhe marrëveshjet monopoliste;
1.5. mbrojtjen e të drejtave pronësore dhe të pronës intelektuale.
1.6. kontestet midis kompanive të aviacionit, për të cilat zbatohet Ligji mbi Kompanitë e Aviacionit, duke përjashtuar kontestet lidhur me të drejtat e udhëtarëve;
1.7. çështje të tjera të parapara me ligj.
Vlerësimi i Pranueshmërisë së kërkesës
- Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
- Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
Neni 21
“[…]
- Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Neni 113
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
- Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
- Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet], të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
- Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor[…].”
- Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht konstaton se parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të paraqes ankesë kushtetuese, duke u thirrur në shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih rastet e Gjykatës: KI10/20, me parashtrues “Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH. A. – Njësia Malësia e Re Prizren, Aktvendim për Papranueshmëri i 5 tetorit 2020, paragrafi 35; KI41/09, me parashtrues Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendimi për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14; dhe KI35/18, me parashtrues “Bayerische Versicherungsverbrand”, Aktgjykim i 11 dhjetorit 2019, paragrafi 40).
- Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [E.Rev.nr.14/2021] e 6 tetorit 2021, të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
- Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Më saktësisht, rregulli 39 (2) përcakton që:
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.”
- Gjykata, fillimisht thekson që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
- Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”.
- Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
- Kësisojndërlidhen me padinë që parashtruesi i kërkesës – ndërmarrja Vëllezërit Neziraj e kishte ushtruar kundër KEDS-it, nën pretendimin e shkaktimit të dëmit në makineritë e ndërmarrjes për përpunim të mishit, si rezultat i mos-furnizimit të duhur dhe me tension jo adekuat të rrymës elektrike. Kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës e kishte trajtuar Departamenti për Çështje Ekonomike i Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila refuzoi në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, në bazë të së cilës kishte kërkuar nga e paditura KEDS kompensimin e dëmit në shumën e përgjithshme prej 208,766.14 Euro. Në Aktgjykimin e saj Gjykata Themelore kishte dhënë këshillën juridike: “Kundër këtij Aktgjykimi është e lejuar ankesa në afat prej 7 ditësh nga dita e marrjes Gjykatës së Apelit në Prishtinë, nëpërmes kësaj gjykate.” Në vijim parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë pas afatit të përcaktuar 7 ditor nga Gjykata Themelore, ndërsa ankesën e tillë e hodhi poshtë si të palejuar Gjykata e Apelit. Në vijim, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për revizion ku theksonte se në rastin e tij duhej të aplikohej afati për ankesë prej 15 ditësh, kërkesës kjo e cila u refuzua si e pabazuar nga Gjykata Supreme.
- Parashtruesi i kërkesës konteston konstatimin e Gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke ngritur pretendime që ndërlidhen me garancitë procedurale të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, vë theks në interpretimin e gabuar të ligjit. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ngrit pretendime për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës.
Lidhur me pretendimin për interpretim të gabuar të ligjit
- Parashtruesi i kërkesës, i konteston para Gjykatës konstatimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, vë theks në interpretimin e gabuar të Ligjit të Procedurës Kontestimore, pasiqë në rastin e tij duhej të aplikohej neni 176 paragrafi 1 të LPK-së, ku përcaktohej që “Kundër aktgjykimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së parë palët mund të bëjnë ankim, brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e dorëzimit të kopjes së aktgjykimit po që se me këtë ligj nuk është caktuar ndonjë afat tjetër”. Rrjedhimisht, sipas parashtruesit neni 509 (c) i LPK-së, afati i ankesës prej 7 (shtatë) ditësh parashihet në kontestet tregtare të “natyrës urgjente”.
- Në shqyrtimin e këtyre pretendimeve, Gjykata thekson se të njëjtat në esencë ndërlidhen me zbatimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm nga Gjykata Supreme, pretendime të cilat, Gjykata në përputhje me praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, i konsideron si “pretendime të shkallës së katërt”.
- Në kontekst të kësaj kategorie pretendimesh, Gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe duke marrë parasysh veçoritë e saj, siç janë përcaktuar përmes KEDNJ-së, (shih, në këtë kontekst, sqarimin në Udhëzuesin Praktik të GJEDNJ-së të 30 prillit 2020 për Kriteret e Pranueshmërisë; pjesën I. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat Qartazi te Pabazuara; 2.”Shkalla e katërt”, paragrafët 281 dhe 288), parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, ajo vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose me KEDNJ. (Shih, në këtë kontekst, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim për Papranueshmëri i 23 shtatorit 2021, paragrafi 49; KI145/20, parashtrues Hafize Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 33; KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60).
- Gjykata gjithashtu ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruar aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI145/20, cituar më lartë, paragrafi 34; KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61).
- Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me Kushtetutën dhe KEDNJ-në. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 janarit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës. (Shih rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafët 60 deri në 65 dhe referencat e përdorura aty).
- Në këtë kontest, Gjykata rikujton që në rrethanat e rastit konkret, pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me interpretimin e gabuar të LPK-së nga ana e Gjykatave të rregullta. Në esencë, parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 176 të LPK-së duke e zbatuar gabimisht nenin 509 (c) të LPK-së.
- Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ae.nr.196/20] të 30 dhjetorit 2020, kishte theksuar si në vijim:
Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të shkresave të lëndës, konstatoi se paditësja e ka pranuar aktgjykimin e atakuar me datën 17/06/2020, ndërsa ankesën e ka dorëzuar me datën 30/06/2020, që nënkupton se ankesa është parashtruar pas kalimit të afatit ligjor të paraparë me nenin 509 pika c) e LPK-së, që është përcaktuar se: “kundër aktgjykimit të dhënë nga gjykata e shkallës së parë, palët mund të bëjnë ankim brenda afatit prej 7 ditësh nga dita e dorëzimit të kopjes së aktgjykimit, andaj Gjykata e Apelit duke u bazuar në nenin 186 paragrafi 2 të LPK-së, sipas të cilit ankesa është e pa afatshme po që se është paraqitur pas skadimit të afatit ligjor për paraqitjen e saj, si dhe nenit 196 të LPK-së, ku është përcaktuar se: ankesën e vonuar, jo të plotë, apo të palejueshme, e hedhë poshtë gjykata e shkallës së dytë me aktvendim, po që se nuk e ka bërë një gjë të tillë gjykata e shkallës së parë siç është parashikuar ne nenin 186 të LPK-së.
- Duke adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [E.Rev.nr.14/2021] të 6 tetorit 2021, kishte dhënë arsyet e refuzimit të revizionit, duke theksuar si në vijim:
“[…] Në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, është dhënë këshilla juridike për afatin prej 7 ditësh brenda të cilit palët mund të paraqesin ankesë, dhe palët kanë qenë të detyruara të respektojnë një afat të tillë ngase ky afat është i paraparë në nenin 509 pika (c) të LPK-së, kur bëhet fjalë për kontestet tregtare. Paditësja dhe e paditura kanë qenë në marrëdhënie reciproke afariste, andaj në kuptim të nenit 13.1 të Ligjit për Gjykatat të Republikës së Kosovës, Gazeta Zyrtare nr. 79/24.8.2010 (Ligji nr. 03/L-199, e cila dispozitë ka ngelur në fuqi edhe me ndryshimet dhe plotësimet e mëvonshme të këtij Ligji), parashihet që Departamenti për Çështje Ekonomike i Gjykatës Themelore është kompetent përveç tjerash, edhe për çështjet që kanë të bëjnë me kontestet ndërmjet personave juridike vendorë dhe të huaj lidhur me çështjet e tyre afariste.
Për faktin se procedura në kontestet tregtare është procedurë e posaçme kontestimore, për të njëjtën vlejnë dispozitat e posaçme, dhe në këtë drejtim paditësja me bazë ligjore nuk mund të thirret se në këtë kontest është cenuar neni 176.1 i LPK-së kur palëve nuk iu është dhënë këshilla juridike për paraqitje të ankesës në afat prej 15 ditëve.”
- Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar kishte vërtetuar vendimet e instancave më të ulëta, në rrethanat e rastit konkret, kishte trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke përfshirë edhe ato që ndërlidhen me interpretimin e gabuar të dispozitave të LPK-së.
- Prandaj, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë” dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë“. Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
- Në këtë drejtim, për t’i shmangur keqkuptimet nga ana e parashtrueseve të kërkesës, Gjykata thekson se “drejtësia” që kërkohet përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, nuk është drejtësi “substanciale”, por drejtësi “procedurale”. Në terma praktik, dhe në parim, kjo shprehet përmes procedurës kontradiktore, ku palët dëgjohen dhe vendosen në të njëjtat kushte para Gjykatës. (Shih, KI131/19, parashtrues Sylë Hoxha, Aktvendim për papranueshmëri i 21 prillit 2020, paragrafi 57; dhe KI49/19, cituar më lart, paragrafi 55).
- Kjo më saktësisht nënkupton, se palëve përgjatë një procedure të drejtë dhe të paanshme duhet të (i) u mundësohet zhvillimi i procedurës bazuar në parimin e kontradiktoritetit; (ii) u akordohet mundësia që gjatë fazave të ndryshme të procedurës të paraqesin argumente dhe dëshmi që ata i konsiderojnë relevante për rastin përkatës; (iii) u garantohet se të gjitha argumentet dhe dëshmitë, shikuar objektivisht, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit përkatës janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat përkatëse; (iv) u garantohet se faktet dhe pretendimet ligjore në vendimet gjyqësore ishin shqyrtuar dhe arsyetuar hollësisht; dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit, (v) u garantohet se procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta dhe jo arbitrare. (Shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lartë, paragrafi 29; dhe KI131/19, cituar më lart, paragrafi 58). Gjykata thekson se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës nuk ka argumentuar se ky nuk është rasti.
- Gjykata rithekson se neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, nuk i garantojnë askujt rezultat të favorshëm në proces gjyqësor dhe as nuk përcaktojnë që Gjykata ta vë në diskutim zbatimin e të drejtës materiale nga gjykatat e rregullta në një kontesti civil, ku kryesisht njëra prej palëve fiton dhe tjetra humb. (Shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI118/17 parashtrues Şani Kervan dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 17 janarit 2018, paragrafi 36; KI49/19, cituar më lart, paragrafi 54; dhe KI99/19, parashtruese Persa Raičević, Aktvendim për papranueshmëri i 19 dhjetorit 2019, paragrafi 48).
- Gjykata, në fund, gjithashtu thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta nuk mund të ngrejë vetvetiu pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë. (Shih, rastin e GJEDNJ-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës
- Në vijim Gjykata gjithashtu rikujton që parashtruesi i kërkesës pretendon se në rrethanat e rastit konkret, Vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, është nxjerrë edhe në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara përmes nenit 49 të Kushtetutës.
- Sa i përket shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me nenin 49 të Kushtetutës, Gjykata rikujton se sipas praktikës së themeluar gjyqësore të GjEDNJ-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar kur pretendimet janë “të pambështetura apo të paarsyetuara” ose kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht:
- a) kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih në këtë kontekst rastet e GJEDNJ-së: Trofimchuk kundër Ukrainës, 4241/03,Vendim i 31 majit 2005; shih gjithashtu, Baillard kundër Francës, nr. 6032/04,Vendim i 25 shtatorit 2008);
- b) kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri i 5 janarit 2021, paragrafi 42).
- Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës pretendon që Aktvendimi i Gjykatës Supreme, “në mënyrë arbitrare” ka shkelur të drejtat e tij individuale dhe ka ardhur deri te shkelja e nenit 49 dhe të Kushtetutës, mirëpo i njëjti, nuk shpjegon specifikisht se si ka ardhur deri te shkelja e këtij neni të Kushtetutës. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 81; KI166/20 cituar më lart, paragrafi 52; KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2021, paragrafët 38- 39).
- Në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës përtej referimit në nenin 49 të Kushtetutës, nuk ka arsyetuar në mënyrë të qartë dhe adekuate se si mund të jetë cenuar ky nen përmes Vendimit të kontestuar. Prandaj, Gjykata konsideron se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës, bien në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo paarsyetuara”, pasi parashtruesi i kërkesës thjesht ka cituar një dispozitë të Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur ajo. Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Përfundim
- Në fund, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse: (I) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për interpretim të gabuar dhe aplikim të gabuar të ligjit të zbatueshëm, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; si dhe (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës, vlerësohen si qartazi të pabazuara, sepse këtopretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa në tërësi vlerësohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113.1 dhe 7 të Kushtetutës, nenit 20 të Ligjit dhe të rregullit 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 12 tetor 2022, njëzëri:
VENDOS
- TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
- T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
III. TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
- Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu Krasniqi Gresa Caka-Nimani