Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.244/2020, të 27 korrikut 2020

Nr. të lëndës KI 145/20

Parashtruesit: Hafize Gashi

Shkarko:

KI145/20, Parashtruesja e kërkesës: Hafize Gashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.244/2020, të 27 korrikut 2020 

KI145/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 26 mars 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, interpretim i gabuar i ligjit, kërkesë e papranueshme.

Parashtruesja e kërkesës para Gjykatës konteston Aktvendimin [Rev.nr.244/2020] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 27 korrikut 2020, në lidhje me Aktvendimin [Ac.nr.265/2015]  e Gjykatës së Apelit të Kosovës, të 20 gushtit 2020.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me faktin se Xh.G., i cili kishte qenë bashkëshorti i parashtrueses së kërkesës kishte qenë i punësuar në Elektroekonominë e Kosovës, dhe kjo e fundit më 22 tetor 1990 i kishte ndërprerë XH.G. marrëdhënien e punës. Pas padisë së parashtruar nga  XH.G.  në Gjykatës Komunale në Prishtinë, kundër Vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, Gjykata Komunale përmes Aktgjykimit [P1.Nr.237/92] kishte refuzuar kërkesëpadinë e tij. Më pas, Xh.G. kishte parashtruar ankesë kundër Aktgjykimit të lartpërmendur, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, dhe kjo e fundit përmes Aktvendimit [Gž.br.496/93], kishte aprovuar ankesën e Xh.G. dhe rastin e kishte kthyer në rishqyrtim në Gjykatën Komunale në Prishtinë. Gjykata Komunale në Prishtinë nuk kishte pasur mundësi të vendoste lidhur me rastin në vitet 90/99. Më pas në vitin 2003, Gjykata Komunale në Prishtinë kishte lejuar rikonstruktimin e shkresave të lëndës. Në vitin 2010, Xh.G. kishte ndërruar jetë. Parashtruesja e kërkesës, në cilësi të trashëgimtares kishte iniciuar procedurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për të konstatuar se Vendimi për largimin e Xh.G. nga puna ishte joligjor dhe njëkohësisht me kërkesë për kompensimin e pagave. Gjykata Themelore në Prishtinë përmes Aktvendimit [C1.nr.173/2003] kishte vendosur që të pushohet procedura në këtë çështje pasi që të drejtat që i kërkon parashtruesja e kërkesës nuk mund të trashëgohen. Aktvendimi i Gjykatës Komunale ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme.

Parashtruesja e kërkesës para Gjykatës i konteston këto konstatime, duke pretenduar shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe duke theksuar se Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar, me të cilin janë vërtetuar vendimet e shkallëve më të ulëta, me të cilin është pushuar procedura në këtë çështje juridike duke u thirrur në nenin 282 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, kishte zbatuar gabimisht dispozitat ligjore në dëm të parashtrueses së kërkesës. Në esencë, parashtruesja e kërkesës pretendon se në rastin konkret nuk është dashur që të pushohet procedura, marrë parasysh faktin se parashtruesja e kërkesës është trashëgimtare e vetme e Xh.G. dhe se e njëjta kishte interes në këtë çështje juridike. Parashtruesja e kërkesës nuk e ka elaboruar më tej se si Ligji për Procedurën Kontestimore është zbatuar gabimisht.

Gjykata, pas vlerësimit të pretendimeve të parashtrueses të kërkesës, konstatoi se të gjitha gjykatat e rregullta, e kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtrueses së  kërkesës. Për më tepë, Gjykata konstatoi se Gjykata Supreme në mënyrë të qartë theksoi se në bazë të nenit 204 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, të ardhurat personale nga marrëdhënia e punës nuk mund te barten tek pasardhësit, përveç nëse kane qenë të konfirmuara me aktgjykim të formës së prerë, e që ne rastin konkret ato të ardhura nuk kanë qenë të konfirmuara si te tilla.

Për pasojë, duke aplikuar edhe standardet e praktikës gjyqësore të saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata konstatoi se kërkesa është e papranueshme, sepse, pretendimet e parashtrueses të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës janë qartazi të pabazuara në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Hafize Gashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative