Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, E.Rev.nr.14/2021, të 6 tetorit 2021

Nr. të lëndës KI32/22

Parashtruesit: Vëllezërit Neziraj sh.p.k

Shkarko:

KI32/22, Parashtrues: Vëllezërit Neziraj sh.p.k, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, E.Rev.nr.14/2021, të 6 tetorit 2021 

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë për kompensim të dëmit

Gjykata sjell në vëmendje që rrethanat e rastit ndërlidhen me padinë që parashtruesi i kërkesës – ndërmarrja Vëllezërit Neziraj sh.p.k, e kishte ushtruar kundër KEDS-it, nën pretendimin e shkaktimit të dëmit në makineritë e ndërmarrjes për përpunim të mishit, si rezultat i mos-furnizimit të duhur dhe me tension jo adekuat të rrymës elektrike. Kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës e kishte trajtuar Departamenti për Çështje Ekonomike i Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila refuzoi në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, në bazë të së cilës kishte kërkuar nga e paditura KEDS kompensimin e dëmit në shumën e përgjithshme prej 208,766.14 Euro. Në Aktgjykimin e saj Gjykata Themelore kishte dhënë këshillën juridike: “Kundër këtij Aktgjykimi është e lejuar ankesa në afat prej 7 ditësh nga dita e marrjes Gjykatës së Apelit në Prishtinë, nëpërmes kësaj gjykate.” Në vijim parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë pas afatit të përcaktuar 7 ditor nga Gjykata Themelore, ndërsa ankesën e tillë e hodhi poshtë si të palejuar Gjykata e Apelit. Në vijim, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për revizion ku theksonte se në rastin e tij duhej të aplikohej afati për ankesë prej 15 ditësh, kërkesës kjo e cila u refuzua si e pabazuar nga Gjykata Supreme.

Parashtruesi i kërkesës konteston konstatimin e Gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke ngritur pretendime që ndërlidhen  me garancitë procedurale të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, vë theks në interpretimin e gabuar të ligjit. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ngrit pretendime për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës.

Në këtë drejtim, Gjykata duke i trajtuar pretendimet e lartcekura konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse: (I) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës përkitazi me pretendimet e  parashtruesit të kërkesës për interpretim të gabuar dhe aplikim të gabuar të ligjit të zbatueshëm, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; si dhe (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës, vlerësohen si qartazi të pabazuara, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa në tërësi vlerësohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Vëllezërit Neziraj sh.p.k

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 49 - E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile