Prishtinë, më 2 tetor 2023
Nr.ref.: RK 2277/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI49/22
Parashtrues
Zejnel Ninaj
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [C. nr. 288/21] të Gjykatës Themelore në Prizren, të 19 janarit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Zejnel Ninaj me vendbanim në Prizren, i përfaqësuar nga avokati Nazmi Mustafi nga Prizreni (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [C. nr. 288/21] të Gjykatës Themelore në Prizren, të 19 janarit 2022 (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Aktvendimi [C. nr. 288/21] i Gjykatës Themelore i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 21 shkurt 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e Pronës], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu kërkon vendosjen e masës së përkohshme me qëllim që “të ndaloj ekzekutimin e urdhrit për përmbarim dhe Aktvendimin C. nr. 288/21 i datës 19.01.2022 të Gjykatës Themelore në Prizren”.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 20 prill 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 6 maj 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI49/22] caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues dhe përmes Vendimit [Nr. KSH. KI49/22] caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Remzije Istrefi-Peci anëtarë.
Në të njëjtën ditë, Gjykata (i) njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe (ii) i dërgoi një kopje të kërkesës Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastrës të Komunës së Prizrenit, Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe Gjykatës Themelore në Prizren.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 30 gusht 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se rrethanat e rastit ndërlidhen me realizimin e të drejtave pronësore në objektin e kontestit që është banesa me sipërfaqe prej 48 m2 në Prizren me numër të njësisë kadastrale [0-71813068-07009-1-238-0-4-0], të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte blerë nga personi S. S. (Stanković Srećko), por që Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (në tekstin e mëtejmë: AKKVP) me anë të vendimit [nr. DS500225] urdhëron dëbimin e parashtruesit të kërkesës dhe kthen banesën e kontestuar në riposedim të D. T. (Drita Gashi).
Më 28 shtator 1992, Ndërmarrja Shoqërore “Yumko-Domaća Radinost” i kishte ndarë në shfrytëzim personit S. S. (Stanković Srećko) banesën në sipërfaqe prej 48 m2, në lagjen “Ortakoll” Llamella B/1, hyrja 1, banesa nr. 3 në Prizren.
Më 19 mars 1993, personi S. S. lidhi kontratën [nr. 728/93] të shitblerjes me Ndërmarrjen Shoqërore “Yumko-Domaća Radinost” të vërtetuar më 18 shkurt 1993 pranë Gjykatës Komunale në Prizren dhe Drejtorisë të të Hyrave Publike në Prizren me [nr. 784/93] për banesën në fjalë në sipërfaqe prej 48 m2.
Ndërkohë, personat D. D. (Drita Gashi) dhe T. G. (Tun Gashi) kishin marrë në posedim banesën në fjalë.
Gjykata vëren se lidhur me çështjen në fjalë, janë zhvilluar tre procedura, të cilat do të reflektohen në vijim:
Procedura e zhvilluar para Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore të Kosovës
Më 16 dhjetor 2005, Komisioni për Kërkesa Pronësore dhe Banesore të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KKPBK) nxori vendimin grupor [Nr. HPCC/D/236/2005/A&C], ku u përfshinë edhe kërkesat me numër DS500225 (paraqitës i kërkesës S. S. Srećko Stanković) dhe DS007260 (paraqitës i kërkesës T. G. (Tun Gashi)). Në këtë vendim, personi T. G. (Tun Gashi) ishte kategorizuar si paraqitës i kategorisë “A”, ndërsa personi S. S. (Srećko Stanković) si paraqitës i kërkesës “C”.
KKPBK përmes vendimit [Nr. HPCC/D/236/2005/A&C] kishte vendosur se kërkesa e paraqitësit të kategorisë “A” të aprovohej dhe t’i kthehej e drejta pronësore, por që urdhëri të hynte në fuqi, do të duhej të realizohej pagesa nga paraqitësi i kategorisë “A” në shumën për të cilën do të vendoste Drejtoria për Çështje Pronësore Banesore. Në rast se nga paraqitësi i kategorisë “A” do ta paguante këtë shumë, atëherë paraqitësi përkatës i kërkesës “C” nuk do t’i jepej posedimi lidhur me kërkesën e tij, por do t’i jepej e drejta që t’i kompensohet nga Drejtorati një shumë të cilën ai e ka paguar për blerjen e pronës, kurse në rast se paraqitësi i kategorisë “A” nuk do të paguante shumën e përcaktuar, atëherë do t’i jepej e drejta e posedimit të pronës paraqitësit të kategorisë “C”.
KKPBK specifikisht përmes vendimit [Nr. HPCC/D/236/2005/A&C] të 16 dhjetorit 2005, kishte vendosur si në vijim:
(1) Në secilën prej 15 kërkesave të kategorisë A të identifikuara në pjesën A në listën e bashkëngjitur, Komisioni jep urdhër që: kërkesa të aprovohet dhe t’i kthehet e drejta pronësore e paraqitësit të kërkesës. Ky urdhër duhet të hyj në fuqi sa i përket secilës kërkesë, nga data kur Drejtorati për çështje Pronësore Banesore të vendosë lidhur me shumën që duhet t’i paguhet nga paraqitësi i kategorisë A për banesën, sipas alinesë 4.2 të UNMIK/RREG/2000/60. Në mënyrë që ta ushtrojë të drejtën e tij/saj mbi kthimin, paraqitësi A duhet ta paguaj këtë shumë në Drejtorat brenda 120 ditësh nga data e njoftimit lidhur me vendimin e Drejtoratit, me përjashtim nëse kjo periudhë zgjatet nga Drejtorati në përputhje me alinenë 4.2 (b) të UNMIK/RREG/2000/60. Me pagesën e kësaj shume, komisioni do ta lëshoj një urdhër final me të cilin do t'ia pranojë pronësinë mbi pronën paraqitësit të kërkesës A, sa i përket kërkesave DS000526, DS004187, DS300826, DS300849, DS302058 dhe DS302212, si dhe një urdhër ku urdhërohet pala përgjegjëse apo ndonjë person tjetër që është në banim të pronës për ta liruar atë, në përputhshmëri me dispozitat e nenit 12.3, 12.6 dhe 12.7 të UNMIKRREG/2000/60.
(2) Nëse paraqitësi i kategorisë A e paguan shumën të cilës i referohemi në paragrafin 1 më lart, paraqitësit përkatës i kërkesës C që lidhet me atë kërkesë të identifikuar në pjesën B të listës së bashkangjitur, dhe pala përgjegjëse përkatëse në kërkesat DS000526, DS004187, DS300826, DS00849, DS302058, DS302212 nuk do t’i jepet posedimi, por do t’i jepet e drejta, sipas kërkesës, që t’i kompensohet nga Drejtorati një shumë të cilën ai e ka paguar për blerjen e pronës, plus përqindja e vlerës aktuale e pronësisë në treg, e përcaktuar nga Drejtorati, gjithashtu edhe çmimi i ndonjë meremetimi që ai/ajo mund ta këtë bërë në pronë.
(3) Nëse paraqitësi A nuk e paguan shumën të cilës i referohemi në paragrafin 1 më lart, atij/ asaj do t’i lëshohet një certifikatë nga drejtorati në pajtim me alinenë 4 .4 të UNMIKRREG/2000/60 për qëllime të kompensimit sipas alinesë 4.5 të asaj rregulloreje, i cili kompensim nuk do t’i paguhet para lirimit të pronës nga paraqitësi A (ku përshtatet). Në këtë rast, paraqitësit të kategorisë C do t’i jepet e drejta e posedimit të pronës objekt kërkesë, dhe Komisioni do ta [lëshojë një urdhër për riposedim, në përputhje me nenet 12.3, 12.6 dhe 12.7 të UNMIKRREG/2000/60; dhe [...].
Më 17 gusht 2011, S. S. (Stanković Srećko), ushtroi padi për shpërngulje nga banesa ndaj D. G. (Drita Gashi) në Gjykatën Komunale në Prizren.
Më 17 nëntor 2011, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [C. nr. 586/11], aprovoi kërkesëpadinë e personit S. S. dhe urdhëroi dëbimin e personit D. G. (Mungon ky aktgjykim në shkresat e lëndës, përveç procesverbalit të ekzekutimit të urdhrit për dëbim).
Më 22 nëntor 2013, parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratën e shitblerjes për banesën e cila është objekt kontesti me personin S. S., e cila kontratë ishte vërtetuar tek noteri në Prizren OPR nr. 5138/2013 me referencë nr. 765/2013, e cila ishte evidentuar në Zyrën Kadastrale Komunale në Prizren, nr.07-029-1003-21 ZK Prizren.
Në një datë të pacaktuar, personi D. .G (Drita Gashi) parashtroi në AKKVP kërkesë për privatizimin e banesës që është objekt kontesti në rastin konkret.
Më 5 mars 2020, Komisioni Vlerësues i AKKVP-së nëpërmjet Vendimit [P145/20/shb], përcaktoi shumën e privatizimit në vlerë prej 384.00 euro në lidhje me zbatimin e vendimit të plotfuqishëm [HPCC/D/236/2005/A&C] të 16 dhjetorit 2005 për kërkesën DS500225 e T. G. (Tun Gashit), të cilin vendim e arsyetoi si në vijim: “Me vendimin HPCC/D/236/2005/A&C z. T.G. (Tun Gashi), parashtruesit të kërkesës së kategorisë “A” i është njohur e drejta e kthimit të drejtës banesore për pronën e cila gjendet në Prizren, “Gjerdapska” Lam.B-1, Banesa Nr.3. Bazuar në nenin 22, paragrafin 5 të ligjit Nr.05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, si dhe Udhëzimin Administrativ (QRK) Nr. 10/2018, Komisioni Vlerësues i Agjencisë ka filluar procedurën për caktim të çmimit të privatizimit, në lidhje me zbatimin e vendimit të plotfuqishëm të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore të cekur më lart”.
Më 19 tetor 2020, AKKVP përmes Njoftimit [DS500225] kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që ta liroj pronën.
Më 1 shkurt 2021, AKKVP përmes shkresës të titulluar “Vërejtja e Fundit për Dëbim dhe Kthim të Pronës në Riposedim” kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që ta liroj pronën kontestuese deri më 4 shkurt 2021.
Procedura gjyqësore në lidhje me padinë e parashtruar për vërtetim të së drejtës së pronësisë nga parashtruesi i kërkesës
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore kundër AKKVP-së dhe personit D. G., për shkak të vërtetimit të të drejtës së pronësisë, duke propozuar caktimin e masës së përkohshme të sigurimit ndaj pronës kontestuese.
Më 4 mars 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C. nr. 288/21] aprovoi propozimin e parashtruesit të kërkesës për caktimin e masës së sigurisë, përmes së cilës u vendos si në vijim:
“I ndalohet të paditurit të parë Agjencionit Kosovar për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ish-Habitati (Komisioni i Kërkesave Pronësore të Kosovës), me seli në Prishtinë, që mos ta vendos në banesën e cila gjendet në ngastrën kadastrale nr.0-71813068-07009-1-238-0-4-0 ZK Prizren të paditurën e dytë D.G. (Drita Gashi) apo ndonjë person të tretë dhe gjithashtu iu ndalohet të paditurve tjetërsimi, fshehja, ngarkimi apo ndërmarrja e çfarëdo veprimi juridik apo faktik lidhur me banesën në fjalë deri në përfundimin e kësaj çështje juridike” dhe e njëjta ishte lënë në fuqi përderisa gjykata do të vendoste ndryshe.
Më 15 mars 2021, AKKVP, në cilësinë e të paditurës, parashtroi kundërshtim lidhur me Aktvendimin [C. nr. 288/21] të Gjykatës Themelore të 4 marsit 2021 me arsyetimin se “Procedura në Agjenci (AKKVP) ka filluar me pranimin e dy kërkesave nga paraqitës të ndryshëm për pronën e njëjtë ... Në kërkesën me numër DS500225, paraqitës i kërkesës është T.G. përderisa palë përgjegjëse është S.S. Në kërkesën me numër DS0072600 paraqitës i kërkesës është S. S., përderisa palë përgjegjëse është T.G. Paditësi, përkatësisht propozuesi i masës së përkohshme të sigurisë është një palë e tretë i cili nuk ishte palë në AKKVP, por nëpërmes Aktvendimit të Gjykatës, kuptojmë se është Zejnel Latif Nitaj, nga Prizreni. Në AKKVP janë shqyrtuar dhe bashkuar dy kërkesat dhe me Vendimin grupor të Komisionit nr. HPCC/D/236/2005/A&C të datës 16 dhjetor 2005, të Komisionit për Çështje Pronësorë Banesore ka aprovuar kërkesën e paraqitësit të kërkesës T. G. (kërkesa e kategorisë A) për t’iu kthyer e drejta pronësore pra prona kontestuese. Paraqitësit tjetër të kërkesës S.S (kërkesa e kategorisë C) do t’i njihet e drejta në kompensim në lartësinë sipas Vendimit të Komisionit të AKKVP-së”.
Ndër të tjera, AKKVP-ja kishte theksuar se në bazë të Rregullores së UNMIK-ut 1999/23, vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe nuk mund të jenë subjekt i rishqyrtimit nga asnjë organ tjetër gjyqësor apo administrativ në Kosovë, prandaj në këtë drejtim e cilësoi edhe si çështje e gjykuar.
Më 19 janar 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C. nr. 288/21], (i) anuloi Aktvendimin paraprak [C. nr. 288/21] të 4 marsit 2021 me të cilin ishte caktuar masa e përkohshme e sigurimit ndaj AKKVP-së dhe (ii) refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për caktimin e masës së sigurisë.
Në arsyetimin e Aktvendimit [C. nr. 288/21], Gjykata Themelore ndër të tjera arsyetoi si në vijim:
“Gjykata pas analizimit dhe vlerësimit të propozimit të paditësit, deklarimit të autorizuarve të palëve dhe provave materiale të administruara ka konstatuar se propozimi i paditësit është i pabazuar nga arsyet e cekura si në vazhdim: fillimisht duhet theksuar se paditësi në këtë gjykatë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, ku sipas kësaj kërkese gjykata me aktvendimin C. nr. 288/21 të dt.04.03.2021 ka caktuar masën e përkohshme të sigurimit, mirëpo këtu e paditura përfaqësuesi i AKKVP-së brenda afatit ligjor ka parashtruar prapësim, andaj gjykata ka caktuar dhe mbajtur shqyrtimin gjyqësor lidhur me masën e sigurimit më dt.12.01.2022. Në këtë shqyrtim gjyqësor gjykata ka konstatuar gjendjen faktike sipas së cilës nuk ekzistojnë arsyet respektivisht shkaqet për të cilat është caktuar masa e përkohshme e sigurimit, pra ekzistimi i të drejtës subjektive lidhur me fitimin e pronësisë në banesën kontestuese dhe ekzistimi i rrezikut se kjo banesë do të tjetërsohet nga të paditurit ...”.
Më 28 shkurt 2022, parashtruesi i kërkesës ushtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit [C. nr. 288/21] të 19 janarit 2022 për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore; konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; dhe zbatimi të gabuar të së drejtës materiale.
Procedura gjyqësore në lidhje me konfliktin administrativ të iniciuar nga parashtruesi i kërkesës
Më 1 mars 2021, parashtruesi i kërkesës inicioi konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative kundër AKKVP-së dhe D. G., lidhur me vendimin e kontestuar të AKKVP-së për dëbim dhe kthim të pronës, duke propozuar shtyrje të ekzekutimit të të njëjtit akt deri në vendosje sipas padisë.
Më 4 mars 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative nxori Aktvendimin [A. nr. 456/2021], përmes të cilit u deklarua jokompetente në pikëpamje lëndore dhe të njëjtën çështje e dërgoi në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona.
Më 4 maj 2021, parashtruesi i ankesës ushtroi ankesë në Gjykatën Supreme duke kontestuar shkresën e titulluar “Vërejtja e Fundit për Dëbim dhe Kthim të Pronës në Riposedim” të 1 shkurtit 2021 të AKKVP-së me pretendimin për i) vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; ii) shkeljes së dispozitave të LPK-së; iii) zbatimit të gabuar të së drejtës materiale; dhe iv) cenimi i dispozitave nga neni 31 i Kushtetutës.
Më 28 korrik 2021, Gjykata Supreme nëpërmjet Aktvendimit [AC-AKP nr. 021/2021] e hedh poshtë si të papranueshme ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër shkresës të titulluar: “Vërejtja e Fundit për Dëbim dhe Kthim të Pronës në Riposedim” të AKKVP-së, të 1 shkurtit 2021, e cila ishte nxjerrë lidhur me zbatimin e Vendimit të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore [HPCC/D/236/2005/A&C] të 16 dhjetorit 2005 dhe vendimit përfundimtar [Nr. KPCC/D/COMP.03/2020] të 7 majit 2020.
Parashtruesi i kërkesës nuk konteston këtë procedurë dhe rrjedhimisht Gjykata nuk do të lëshohet në analizimin e saj.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi [C. nr. 288/21] i kontestuar i 19 janarit 2022 të Gjykatës Themelore në lidhje me të gjitha vendimet e AKKVP-së dhe gjykatave të rregullta të nxjerra përgjatë gjithë procesit gjyqësor në rastin e tij, janë nxjerrë në kundërshtim me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e Pronës], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNj-së.
Pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Përkitazi me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, parashtruesi i kërkesës thekson se kundërshtimi që kishte paraqitur AKKVP-ja, paraqet një imponim të pasigurisë juridike dhe diskriminim ligjor të bazuar në përdorimin e retroaktivitetit për arsye të dëmtimit të parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontest, parashtruesi i kërkesës pretendon se: “Emri i palës së paditur: D.G. nuk gjendet askund në asnjë dokument, në asnjë dokument publik apo juridik apo administrativ, transakcion, kontratë, në asnjë vendim të administratës komunale-tatimore, apo ndonjë dëshmi dëshmitarësh, se pala e paditur: D.G. apo ndonjë prej paraardhësve të saja, ndonjëherë ka qenë në posedim faktik apo juridik të banesës me numër të njësisë kadastrale 0-71813068-07009-1-238-0-4-0, me sipërfaqe prej 48 m2 në Prizren ...”.
Parashtruesi i kërkesës tutje thekson se: “E paditura AKKVP nga këndi i saj për shkak të mos njohurive të procedurave paraprake lidhur me banesën kontestuese, në kundërshtimin e saj e konsideron çështjen që është objekt padie, si çështje të gjykuar... , por për palën paditëse është i vërtetë pretendimi i tillë i të paditurës, por për nga koha e veprimit është i pabazuar në fakte dhe prova dhe e njëjta nuk mund të thirret në këtë parim, meqenëse e paditura AKKVP, vendimin e parë administrativ e ka marrë ndaj palës paditëse në vitin 2020, duke anashkaluar se çështja që është objekt padie, si çështje e gjykuar është në vitin 2011 sipas Aktgjykimit [C. nr. 586/11] të 19 nëntorit 2011 të Gjykatës Themelore në Prizren në favor të paditësit Zejnel Ninaj”.
Pretendimet për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës
Përkitazi me shkeljet e pretenduara të nenit 32, parashtruesi i kërkesës pretendon se në aktin përfundimtar që ka nxjerrë AKKVP-ja, nuk i është dhënë e drejta të deklarohet rreth çështjes dhe nuk është udhëzuar për mjetin juridik.
Pretendimet për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës
Sa i përket shkeljeve të pretenduara të nenit 46 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës pretendon se veprimet e AKKVP-së kanë privuar të drejtën e tij pronësore. Tutje, parashtruesi i kërkesës thekson se: “... duke e marrë parasysh llojin dhe rëndësinë e kontestit, vlerën, faktet dhe provat të parashtruara në padi nga të cilat vërtetohet se paditësi është i vetmi pronar juridik dhe legjitim i banesës kontestuese që evidentohet sipas fletës poseduese, nënkupton se faktin se kërkesa e paditësit është e besueshme dhe e bazuar, kusht ky themelor që duhet plotësuar për t’u caktuar-mbetur në fuqi masa e sigurimit (...) Po ashtu, në këtë çështje veç janë të njohura si rrethana dhe fakte për Gjykatën ashtu edhe për paditësin se ekziston rreziku shumë i madh që të paditurit të bëjnë tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme, ngarkimin apo fshehjen me qëllim të mosrealizimit të kërkesëpadisë së paditësit ...”.
Pretendimet për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës
Në lidhje me shkelje të pretenduara të nenit 54 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se nuk ka pasur mbrojtje efikase të së drejtave dhe pretendon se sistemi gjyqësor ka dështuar t’i ofrojë mbrojtje ligjore të drejtave të tij.
Lidhur me shterimin e mjeteve juridike, parashtruesi i kërkesës thekson se ka ushtruar ankesë ndaj Aktvendimit C. nr. 288/21 të 19 janarit 2022 në Gjykatën e Apelit, por epilogu ligjor i saj ende nuk dihet.
Përfundimisht, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës, kërkon nga Gjykata që të konstatojë kërkesën si të pranueshme dhe se të konstatojë se Aktvendimi [C. nr. 288/21] i Gjykatës Themelore i 19 janarit 2022 ka shkelur të drejtat e garantuara me nenet 24, 31, 32, 46, 53, 54 dhe 102 të Kushtetutës; dhe të urdhërohet Gjykata Themelore të marr aktvendim të ri mbi caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, si dhe Gjykata të miratoj masën e përkohshme.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato”.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
[...]
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”.
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
“E drejta e pronës është e garantuar.
Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
Prona intelektuale mbrohet me ligj”.
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“ Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur”.
Neni 102
[Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor]
“Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovës ushtrohet nga gjykatat.
Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata.
Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.
Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm.
Garantohet e drejta për ankesë ndaj një vendimi gjyqësor, përveç nëse me ligj është përcaktuar ndryshe. E drejta e përdorimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike, rregullohet me ligj. Me ligj mund të lejohet e drejta për të referuar një rast në mënyrë të drejtpërdrejtë në Gjykatën Supreme, dhe për të tilla raste nuk ka të drejtë ankese”.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6.1
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
1.“Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ..., çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme”.
[...]
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari u referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që parashohin:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1.Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2.Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj”.
Përveç kësaj, Gjykata i referohet edhe rregullit 34 (1) (b) të Rregullores së punës, i cili përcakton:
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktit të kontestuar”.
Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [C. nr. 288/21] të Gjykatës Themelore, të 19 janarit 2021.
Në vazhdim, Gjykata do të vlerësojë nëse parashtruesi i ka shterur të gjitha mjetet juridike para se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Në rastin konkret, Gjykata rikujton edhe njëherë se parashtruesi i kërkesës konteston para Gjykatës procedurën gjyqësore në lidhje me padinë e parashtruar për vërtetim të së drejtës së pronësisë nga parashtruesi i kërkesës, respektivisht Aktvendimin [C. nr. 288/21] të Gjykatës Themelore, të 19 janarit 2021.
Në lidhje me këtë, sipas informatave të reflektuara në kërkesë, parashtruesi i kërkesës më 28 shkurt 2022 kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit [C. nr. 288/21] të 19 janarit 2022 për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Në këtë kontekst, rezulton se lidhur me rastin e parashtruesit të kërkesës, paralelisht me kërkesën që parashtruesi ka parashtruar para Gjykatës Kushtetuese, është duke i zhvilluar procedura gjyqësore para Gjykatës së Apelit.
Në këtë aspekt, duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, KEDNJ nuk kërkon që mjetet juridike diskrecionale, apo mjetet juridike që nuk janë drejtpërdrejtë në dispozicion të parashtruesve dhe që varen nga ushtrimi i diskrecionit nga ndërmjetësi, duhet të shteren para se parashtruesit t’i drejtohen GJEDNJ-së (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së X dhe të tjerët kundër Letonisë, Vendim i 6 qershorit 2008, paragrafi 20, dhe referencat e cekura aty).
Megjithatë, Gjykata po ashtu rikujton se tashmë ka përcaktuar në jurisprudencën e saj se nëse procedurat janë në zhvillim e sipër tek gjykatat e rregullta, duke përfshirë edhe rastin kur procedura para Gjykatës Supreme është duke u zhvilluar sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, atëherë kërkesa e parashtruesve konsiderohet e parakohshme (shih rastin e Gjykatës KI102/16, me parashtrues Shefqet Berisha, Aktvendimi për papranueshmëri, i 14 dhjetorit 2016, paragrafët 37-39.
Në këtë drejtim, Gjykata vë theksin në faktin se të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje ligjore nga ana e Gjykatës Themelore lidhur me procedurën gjyqësore në lidhje me padinë e parashtruar për vërtetim të së drejtës së pronësisë nga parashtruesi i kërkesës, mund të shqyrtohen nga Gjykata e Apelit.
Si rrjedhojë, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës e ka paraqitur kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese para se të shterojë të gjitha mjetet efektive.
Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (b) të Rregullores së punës i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar.
Në këtë mënyrë, duke u mbështetur në parimin e subsidiaritetit, gjykatave të rregullta u jepet mundësia që të korrigjojnë gabimet e tyre gjatë procedurës së rregullt gjyqësore para se çështja të vijë në Gjykatën Kushtetuese. Ky rregull bazohet në supozimin e shprehur në nenin 32 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së, që në legjislacionin vendës ka mjete juridike në dispozicion për t’u shfrytëzuar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me shkeljet e pretenduara (shih, mutatis mutandis, rastin e Gjykatës, KI43/20, parashtrues, Fitore Sadikaj, Aktvendim për papranueshmëri i 29 korrikut 2020, paragrafi 13, si dhe rastin e Gjykatës KI19/20, parashtrues, Lutfi Shantir, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 korrikut 2020, paragrafi 36. Shih gjithashtu, rastin e GJEDNJ Aksoy kundër Turqisë, kërkesa nr. 21987/93, Aktgjykimit i 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51).
Andaj, lidhur me këtë, Gjykata bazuar në praktikën e saj gjyqësore thekson se nëse procedurat janë në zhvillim e sipër pranë gjykatave të rregullta, atëherë kërkesat e parashtruesve në Gjykatën Kushtetuese konsiderohen të parakohshme (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës, KI09/19, parashtrues Leutrim Hajdari, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 shkurtit 2019, paragrafi 41; KI23/10, parashtruese Jovica Gadžić, Aktvendim për papranueshmëri, i 19 shtatorit 2013, paragrafi 47; dhe KI102/16, parashtrues Shefqet Berisha, Aktvendim për papranueshmëri, i 2 marsit 2017, paragrafi 39).
Gjykata potencon se ky Aktvendim për papranueshmëri nuk e pengon parashtruesin e kërkesës që në të ardhmen, sërish, të dorëzojë kërkesë kushtetuese brenda afatit ligjor 4 (katër) mujor nga dita që ka pranuar vendimin të fundit, nga gjykatat e rregullta. Ky vendim i Gjykatës konstaton që, tani për tani, kërkesa e parashtruesit është e parakohshme për arsye se legjislacioni në fuqi parasheh mjete efektive juridike përmes të cilave parashtruesi i kërkesës mund të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të tij ligjore dhe kushtetuese.
Rrjedhimisht, Gjykata përfundon se kërkesa e parashtruesit është e parakohshme dhe duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, parashihet me nenin 47 të Ligjit dhe specifikohet më tej me rregullin 34 (1) (b) të Rregullores së punës.
Kërkesa për masë të përkohshme
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës, gjithashtu kërkon nga Gjykata që të nxjerrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme përkitazi me pezullimin e Aktvendimit [C. nr. 288/21] të Gjykatës Themelore në Prizren të 19 janarit 2021.
Megjithatë, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale të pranueshmërisë.
Prandaj, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (2) të rregullit 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit të kërkesës për masë të përkohshme duhet të refuzohet, sepse e njëjta nuk mund të jetë objekt shqyrtimi, pasi kërkesa të deklarohet e papranueshme (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës: KI107/19, me parashtrues Gafurr Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 prillit 2020, paragrafët 88-90; KI159/18, me parashtrues Azem Duraku, Aktvendim për papranueshmëri, i 6 majit 2019, paragrafët 89-91; KI19/19 e KI20/19, parashtrues Muhamed Thaqi dhe Egzon Keka, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 gushtit 2019, paragrafët 53-55; dhe KI211/19, cituar më lart, paragrafi 83).
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të neneve 20, 27 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (b) dhe 45 dhe 48 (b) të Rregullores së punës, më 30 gusht 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
TË REFUZOJË kërkesën për masës së përkohshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtar raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Zejnel Ninaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Civile