Prishtinë, 12 dhjetor 2022
Nr. ref.:RK 2095/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI61/22
Parashtrues
Adem Rexhepi
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.243/2021, të 8 shkurtit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Adem Rexhepi, me vendbanim në Komunën e Prishtinës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Rev.nr.243/2021] e 8 shkurtit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [Ac.nr.1835/2017] të 19 marsit 2018, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C.nr.2790/2014] e 7 dhjetorit 2016 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore].
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe e ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin në vijim: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale), të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura para Gjykatës
Më 10 maj 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata).
Më 23 maj 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Remzije Istrefi Peci (anëtarë).
Më 23 maj 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 23 maj 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtës i ofroi një kopje të kërkesës.
Më 23 maj 2022, Gjykata njoftoi palën e interesuar- Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.a, për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtës i ofroi një kopje të kërkesës.
Më 16 nëntor 2022, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës ishte i punësuar në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” Sh.a, përmes kontratës së punës [1674], nga 26 dhjetori 2011 deri në shkëputjen e marrëdhënies së punës nga ana e KRM “pastrimi” Sh.a, përmes Vendimit për shkëputjen e marrëdhënies së punës [1013] të 7 gushtit 2014. Si arsye të dhëna të ndërprerjes së marrëdhënies së punës në vendim, konsistonin mungesa pa arsye nga puna, si dhe refuzimi i kryerjen së punëve, ashtu që në bazë të nënparagrafit 1.4.2 të nenit 70 (Ndërprerja e kontratës së Punës nga ana e Punëdhënësit) të Ligjit të Punës ishte shkëputur kontrata e punës.
Më 16 tetor 2014, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi kundër palës së interesuar Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.a, me kërkesë për (i) anulimin e vendimit të Kryeshefit ekzekutiv të KRM “Pastrimi” Sh.a., si dhe me (ii) kërkesë për ta kthyer në punë në vendin e punës në të cilin ka qenë i sistemuar ose në një vend tjetër që i përshtatet kualifikimit dhe aftësisë së tij punuese.
Në anën tjetër, pala e interesuar paraqiti përgjigje në padi duke e kundërshtuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke theksuar se vendimi për shkëputjen e kontratës së punës është vendim ligjor dhe i njëjti është marrë pasiqë janë përfillur të gjitha procedurat sipas rregullores mbi përgjegjësinë materiale dhe disiplinore të KRM “Pastrimi” Sh.a. dhe dispozitave të Ligjit të Punës.
Më 7 dhjetor 2016, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.2790/2014]: (I) aprovoi pjesërisht të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës; (II) anuloi si të kundërligjshëm Vendimin e Kryeshefit Ekzekutiv të KRM "Pastrimi” sh.a [1013], të 7 tetorit 2014, për shkëputjen e kontratës së punës. (III) vërtetoi se parashtruesit të kërkesës nuk i është ndërprerë marrëdhënia e punës me vendimet e cekura në pikën I të dispozitivit, dhe të njëjtit i kanë takuar të gjitha të drejtat nga marrëdhënia e punës, gjatë periudhës nga 7 tetorit 2014 deri më 31 dhjetor 2014 kur i ka skaduar kontrata e punës; (IV) detyrohet e paditura që parashtruesit të kërkesës për kohën kontestuese nga data 7 tetor 2014 kur njëanshëm i është ndërprerë marrëdhënia e punës dhe i është ndalur paga, e deri më 31 dhjetor 2014, deri kur i ka skaduar kontrata e punës, t'ia paguaj pagat mujore të pa paguara në lartësi prej 220 Euro bruto për muaj, gjithsejtë shuma prej 1320 € së bashku me normën e kamatës prej 8% e cila do të llogaritet nga data e parashtrimit të padisë dt. 16/10.2014, e deri në pagesën definitive, shumën prej 120 për shujtë të ngrohtë si dhe shumën prej 19.08 € për përvojën e punës, të gjitha këto kërkesa në afat prej 7 dite nga dita e marrjes së aktgjykimit, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore; (V) Refuzoi si të pa bazuar kërkesën e paditësit që ta kthejë në punë dhe sistemoj në vendin e punës në të cilin ka qenë i sistemuar ose vend tjetër që i përgjigjet kualifikimit dhe aftësive të tij punuese.
Më 20 janar 2017, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë kundër Aktgjykimit të lartcekur me kërkesën që aktgjykimi ankimor të ndryshohet dhe të detyrohet pala e interesuar të KRM “Pastrimi” Sh.a., që parashtruesin e kërkesës ta sistemoj në vendin e punës që i përgjigjet aftësive punuese dhe kualifikimeve të tij.
Më 1 shkurt 2017, pala e interesuar - KRM “Pastrimi” Sh.a, përmes ankesës kërkoi që të ndryshohet aktgjykimi ankimor ashtu që kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës të refuzohet në tërësi si e pabazuar, ose aktgjykimi ankimor te prishet dhe çështja t'i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.
Më 19 mars 2018, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [CA.nr.1835/2017] (i) refuzoi si të pathemelta ankesat e përfaqësuesve të ndërgjyqësve; (ii) vërtetoi Aktgjykimin [C.nr.2790/2014] e Gjykatës Themelore të 7 dhjetorit 2016, me përjashtim të vendimit për kamatëvonesën i cili ndryshohet dhe gjykohet: Me kamatëvonesë e cila rrjedh nga data 7 dhjetor 2016, si ditë e dhënies së aktgjykimit në shkallë të parë e deri në pagesën definitive të borxhit; (iii) Vendimi për shpenzimet procedurale prishet dhe në këtë pjesë çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në ri procedim.
Kundër Aktgjykimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për revizion për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale me propozim që aktgjykimet e gjykatave të instancës më të ulët të ndryshohen dhe të aprovohet kërkesëpadia e tij për kthim në punë, ose të njëjtat aktgjykime në këtë pjesë të prishen dhe lënda ti kthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.
Më 8 shkurt 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit (i) refuzoi si të pabazuar revizionin e paraqitur kundër Aktgjykimit [Ac.nr.1835/2017] të 19 marsit 2018, të Gjykatës së Apelit përkitazi me pikën V të dispozitivit të Aktgjykimit [C.nr.2790/20 14] të 7 dhjetorit 2014, të Gjykatës Themelore, që ka të bëjë me pjesën refuzuese të kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës; (ii) në pjesën tjetër Aktgjykimi i goditur mbetet i pashqyrtuar.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara përmes neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta nuk i kanë vlerësuar “drejtë dhe realisht” ankesat e tij me çrast i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur “pikat I, III, IV dhe V të Aktgjykimit të shkallës së parë, të cilat do i vëreje edhe Gjykata Kushtetuese gjatë shqyrtimit të kërkesës sime dhe shqyrtimit të ankesave, propozimeve, revizionit si dhe procesverbaleve të seancave gjyqësore që janë në shkresat e lëndës.”
Lidhur me shkeljen e pretenduar të nenit 31 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson që ndaj tij nuk ka pasur gjykim të drejtë, sepse nuk është vendosur “meritorisht” dhe rrjedhimisht është shkelur ky parim kushtetues.
Ndërsa për sa i përket shkeljes së pretenduar të nenit 49, parashtruesi i kërkesës thekson që përderisa nuk i është mundësuar kthimi në vendin e punës me të gjitha të drejtat që dalin nga kontrata e punës, të njëjtit i është shkelur “ky parim i Gjykatës si dhe i Kushtetutës [...] dhe kjo bie ndesh me Deklaratën Universale dhe KEDNJ”.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që kërkesa e tij të deklarohet si e pranueshme; të konstatohet se janë cenuar të drejtat themelore të garantuara me nenet 31 dhe 49 të Kushtetutës; të prishet Aktgjykimi i Gjykatës Supreme dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe vendosje meritore.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
(…)
Neni 49
[E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]
1. E drejta e punës garantohet.
2. Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.
LIGJI Nr. 03/L-212 I PUNËS
Neni 67
Ndërprerja e Kontratës së Punës sipas fuqisë ligjore
1. Kontrata e Punës sipas fuqisë ligjore, ndërpritet:
[...]
1.3. me skadimin e kohëzgjatjes së kontratës;
Neni 70
Ndërprerja e Kontratës së Punës nga ana e punëdhënësit
1. Punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit me një periudhë paralajmërimi, atëherë kur:
[...]
1.4. punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit në periudhën e kërkuar të paralajmërimit të ndërprerjes në:
1.4.1. rastet e rënda të sjelljes së keqe të punonjësit; dhe
1.4.2. për shkak të përmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës.
Neni 71
Koha e njoftimit për ndërprerjen e kontratës së punës
1. Punëdhënësi mund të ndërpresë kontratën e punës në kohë të pacaktuar në bazë të nenit 70, të këtij ligji ne këto intervale kohore të njoftimit:
1.1. prej gjashtë (6) muaj deri në dy (2) vite punësim, tridhjetë (30) ditë kalendarike;
1.2. prej dy (2) deri në dhjetë (10) vite punësimi, dyzetepesë (45) ditë kalendarike;
1.3. mbi dhjetë (10) vite punësim, gjashtëdhjetë (60) ditë kalendarike.
2. Punëdhënësi mund të ndërpresë kontratën e punës për kohë të caktuar me njoftim prej tridhjetë (30) ditësh kalendarike. Punëdhënësi i cili nuk ka për qëllim të ripërtërijë kontratën me periudhë të caktuar duhet të informojë punësuarin së paku tridhjetë (30) ditë para skadimit të kontratës. Dështimi për ta njoftuar nga punëdhënësi, do t’i japë të drejtën të punësuarit për zgjatjen e tridhjetë (30) ditëve kalendarike shtesë me pagë të plotë.
Vlerësimi i Pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
Neni 113
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet], të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni48
[Saktësimi i kërkesës]
"Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj."
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor[...].”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr.243/2021] e 8 shkurtit 2022, të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Më saktësisht, rregulli 39 (2) përcakton që:
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
"(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij."
Gjykata, fillimisht thekson që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”.
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Kësisoj, Gjykata fillimisht rikujton që parashtruesi i kërkesës ishte larguar nga marrëdhënia e punës nga KRM “Pastrimi” sh.a., nën pretekstin e mos-përmbushjes së detyrave të punës dhe mungesave të paarsyetuara në punë. Kërkesëpadinë e tij për (i) anulimin e vendimit të Kryeshefit ekzekutiv të KRM “Pastrimi” sh.a., dhe (ii) kthimin e tij në vendin e punës, e aprovon pjesërisht Gjykata Themelore duke theksuar se atij i takojnë të drejtat nga marrëdhënia e punës përgjatë periudhës 7 tetor 2014 – 31 dhjetor 2014 kur edhe i ka skaduar kontrata e punës. Ankesën e parashtruesit si dhe të palës së interesuar KRM “Pastrimi” sh.a., i refuzoi si të pabazuara Gjykata e Apelit, me përjashtim të miratimit të pjesshëm të ankesës së parashtruesit për sa i përket datës së llogaritjes së kamatës e cila duhej të rrjedhte prej 7 dhjetorit 2012 nga dita e dhënies së aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë deri në pagesën definitive të borxhit. Në vijim, kërkesa për revizion e parashtruesit të kërkesës u refuzua si e pabazuar nga Gjykata Supreme.
Parashtruesi i kërkesës konteston konstatimin e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke ngritur pretendime që ndërlidhen me garancitë procedurale të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, thekson që ndaj tij nuk ka pasur gjykim të drejtë, sepse nuk është vendosur “meritorisht” dhe rrjedhimisht është shkelur ky parim kushtetues. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon që gjykatat e rregullta nuk i kanë vlerësuar “drejtë dhe realisht” ankesat e tij, duke vënë theks në vlerësim të gabuar të gjendjes faktike.
Në fund, parashtruesi i kërkesës gjithashtu ngrit pretendime për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës si rezultat i mos-vendosjes së gjykatave të rregullta për kthimin e tij në punë në KRM “Pastrimi” sh.a.
Lidhur me pretendimin për vlerësim të gabuar të gjendjes faktike në kuadër të nenit 31 të Kushtetutës
Parashtruesi i kërkesës, i konteston para Gjykatës konstatimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, vë theks në vlerësimin e gabuar të gjendjes faktike si rezultat i mos vendosjes meritore nga gjykatat e rregullta për kthimin e tij në KRM “Pastrimi” sh.a., në vendin e punës në të cilin ka qenë i sistemuar ose vend tjetër që i përgjigjet kualifikimit dhe aftësive punuese të tij.
Në shqyrtimin e këtyre pretendimeve, Gjykata thekson se të njëjtat në esencë ndërlidhen me vlerësimin e gabuar të gjendjes faktike nga gjykatat e rregullta, pretendime të cilat, Gjykata në përputhje me praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, i konsideron si "pretendime të shkallës së katërt”.
Në kontekst të kësaj kategorie pretendimesh, Gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe duke marrë parasysh veçoritë e saj, siç janë përcaktuar përmes KEDNJ-së, parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, ajo vazhdimisht ka theksuar dallimin në mes të "kushtetutshmërisë" dhe "ligjshmërisë" dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose me KEDNJ. (Shih, në këtë kontekst, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim për Papranueshmëri i 23 shtatorit 2021, paragrafi 49; KI145/20, parashtrues Hafize Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 33; KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60).
Gjykata gjithashtu ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruar aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI145/20, cituar më lartë, paragrafi 34; KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61).
Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me Kushtetutën dhe KEDNJ-në. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 janarit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës. (Shih rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafët 60 deri në 65 dhe referencat e përdorura aty).
Në këtë kontest, Gjykata rikujton që në rrethanat e rastit konkret, pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me vlerësimin jo meritor që gjykatat e rregullta kanë bërë për pretendimin e tij për tu kthyer në KRM “Pastrimi” sh.a., në vendin e punës në të cilin ka qenë i sistemuar ose vend tjetër që i përgjigjet kualifikimit dhe aftësive punuese të tij.
Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.2790/2014] të 7 dhjetorit 2016, në lidhje më këtë çështje kishte deklaruar si në vijim:
Sa i përket kërkesëpadisë së paditësit për kthim në vendin e punës së mëparshëm apo në ndonjë vend tjetër ku i përgjigjet kualifikimit të tij, këtë kërkesë gjykata e ka refuzuar pasi që paditësi ka pasur kontratë të punës me kohë të caktuar, duke u bazuar në nenin 67 par. 1.3 të Ligjit të Punës Nr. 03/L-212, ku parashihet "se marrëdhënia e punës ndër prehet me skadimin e kohëzgjatjes së kontratës".
Në vijim, pretendimin e lartcekur të parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [CA.nr.1835/2017] të 19 marsit 2018, në lidhje më këtë çështje kishte deklaruar si në vijim:
“Meqenëse në rastin konkret kemi të bëjmë me krijimin e marrëdhënies së punës në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, në kohë të caktuar, atëherë sipas bazës ligjore të nenit 67 par.1.3 të Ligjit të Punës, nr.03/L-2012, (i cili është në fuqi nga data 16.12.2010), me tej LP konsiderohet se Kontrata e punës, në mes tani ndërgjyqësve, është ndërprerë sipas fuqisë ligjore, me datën 31.12.2014.
Andaj, pretendimi ankimor i përfaqësuesit të paditësit që i referohet paragrafit 5 të aktgjykimit ankimor, për pjesën refuzuese të kërkesëpadisë kundër të paditurës, në këtë rast është i pathemelte dhe si i tillë u refuzua, sepse përfaqësuesi i paditësit përkatësisht paditësi deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes në shkallë të parë e as në procedurë sipas ankesës, nuk kanë provuar se paditësi te e paditura kishte krijuar marrëdhënie pune në kohë të pacaktuar.”
Duke adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.243/2021] të 8 shkurtit 2022, kishte dhënë arsyet e refuzimit të revizionit, duke theksuar si në vijim:
“Edhe Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se gjykata e shkallës së parë, drejtë e ka vërtetuar gjendjen faktike, duke marrë për bazë se nuk është kontestuese se palët ndërgjyqëse me kontratën e datës 26.12.2011, i kanë rregulluar të drejtat dhe detyrimet e tyre që dalin nga marrëdhënia e punës si vendin e punës, kohëzgjatjen e punës, gradën e pagesës dhe të drejtat tjera dhe obligimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës. Edhe e drejta materiale ishte zbatuar drejtë kur ishte vendosur që kërkesëpadia e paditësit është e pa bazuar. Marrëdhënia e punës ishte lidhur ne kohë të caktuar dhe ishte ndërprerë në pajtim me nenin II të Ligjit të Punës që parasheh si formë të ndërprerjes së kontratës, skadimin e kohëzgjatjes.
Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar kishte vërtetuar vendimet e instancave më të ulëta, në rrethanat e rastit konkret, kishte trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke përfshirë edhe ato që ndërlidhen me mos miratimin e kërkesës së tij për tu kthyer në KRM “Pastrimi” sh.a., në vendin e punës në të cilin ka qenë i sistemuar ose vend tjetër që i përgjigjet kualifikimit dhe aftësive punuese të tij.
Në këtë drejtim, për t’i shmangur keqkuptimet nga ana e parashtrueseve të kërkesës, Gjykata thekson se “drejtësia” që kërkohet përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, nuk është drejtësi “substanciale”, por drejtësi “procedurale”. Në terma praktik, dhe në parim, kjo shprehet përmes procedurës kontradiktore, ku palët dëgjohen dhe vendosen në të njëjtat kushte para Gjykatës. (Shih, KI131/19, parashtrues Sylë Hoxha, Aktvendim për papranueshmëri i 21 prillit 2020, paragrafi 57; dhe KI49/19, cituar më lart, paragrafi 55).
Kjo më saktësisht nënkupton, se palëve përgjatë një procedure të drejtë dhe të paanshme duhet të (i) u mundësohet zhvillimi i procedurës bazuar në parimin e kontradiktoritetit; (ii) u akordohet mundësia që gjatë fazave të ndryshme të procedurës të paraqesin argumente dhe dëshmi që ata i konsiderojnë relevante për rastin përkatës; (iii) u garantohet se të gjitha argumentet dhe dëshmitë, shikuar objektivisht, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit përkatës janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat përkatëse; (iv) u garantohet se faktet dhe pretendimet ligjore në vendimet gjyqësore ishin shqyrtuar dhe arsyetuar hollësisht; dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit, (v) u garantohet se procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta dhe jo arbitrare. (Shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lartë, paragrafi 29; dhe KI131/19, cituar më lart, paragrafi 58). Gjykata thekson se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës nuk ka argumentuar se ky nuk është rasti.
Gjykata rithekson se neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, nuk i garantojnë askujt rezultat të favorshëm në proces gjyqësor dhe as nuk përcaktojnë që Gjykata ta vë në diskutim zbatimin e të drejtës materiale nga gjykatat e rregullta në një kontesti civil, ku kryesisht njëra prej palëve fiton dhe tjetra humb. (Shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI118/17 parashtrues Şani Kervan dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 17 janarit 2018, paragrafi 36; KI49/19, cituar më lart, paragrafi 54; dhe KI99/19, parashtruese Persa Raičević, Aktvendim për papranueshmëri i 19 dhjetorit 2019, paragrafi 48).
Gjykata, në fund, gjithashtu thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta nuk mund të ngrejë vetvetiu pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë. (Shih, rastin e GJEDNJ-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Prandaj, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për vlerësim të gabuar të gjendjes faktike, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e "shkallës së katërt" dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të "ligjshmërisë" dhe nuk janë argumentuar në nivel të "kushtetutshmërisë". Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës
Në vijim, Gjykata gjithashtu rikujton që parashtruesi i kërkesës pretendon se në rrethanat e rastit konkret, përderisa nuk i është mundësuar kthimi në vendin e punës me të gjitha të drejtat që dalin nga kontrata e punës, Vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, është nxjerrë edhe në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara përmes nenit 49 të Kushtetutës.
Gjykata thekson se e drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit nga neni 49 i Kushtetutës është objekt i mbrojtjes në sistemin kushtetues të Kosovës, ku këto të drejta, më tej realizohen në mënyrë dhe sipas kushteve të përcaktuara me ligj, dhe kjo nënkupton edhe të drejtën e një individi që marrëdhënia e tij e punës të mos ndërpritet në kundërshtim me atë që është përcaktuar me ligj (shih rastin e Gjykatës KI78/15, me parashtruese Fatime Tosuni, Aktvendim për Papranueshmëri i 19 nëntorit 2015, paragrafi 29).
Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës Gjykata vëren se gjykatat e rregullta, në tri shkallë në pajtim me ligjin, kanë shqyrtuar meritat e pretendimeve ankimore të parashtruesit, me ç’rast edhe e kanë vërtetuar gjendjen faktike me rëndësi për nxjerrjen e vendimeve, duke përfshirë edhe Vendimin e Gjykatës Supreme [Rev. nr. 243/2021], të cilin e konteston parashtruesi i kërkesës.
Për më tepër, Gjykata gjen se Vendimi i Gjykatës Supreme i kontestuar nga parashtruesi i kërkesës në asnjë mënyrë nuk e parandalon atë që të punojë apo të ushtrojë profesionin. Gjykata Supreme përmes vendimit të saj thjesht konfirmoi se marrëdhënia konkrete e punës e parashtruesit të kërkesës ishte lidhur në kohë të caktuar dhe ishte ndërprerë në pajtim me nenin 11 të Ligjit të Punës që parasheh si formë të ndërprerjes së kontratës, skadimin e kohëzgjatjes. Kjo në asnjë mënyrë nuk e parandalon ose ndalon parashtruesin, që ai të fillojë një punë tjetër sipas zgjedhjes së tij. Kësisoj, pohimet e parashtruesit që do të arsyetonte konkluzionin se janë cenuar të drejtat e tij kushtetuese për punë janë të pabazuara (Shih rastin e Gjykatës KI78/15, me parashtruese Fatime Tosuni, cituar më lartë, paragrafi 31).
Prandaj, Gjykata është e mendimit se pretendimet e parashtruesit se me vendimin e kontestuar i janë shkelur e drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit të garantuar me nenin 49 të Kushtetutës, paraqet shprehje të vlerësimit subjektiv për vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, por jo edhe dëshmi të vërtetë të shkeljes së të drejtave nga neni 49 i Kushtetutës.
Gjykata thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e rastit nuk mund të ngrejë një pretendim të argumentueshëm për shkeljen e nenit 49 të Kushtetutës (shih rastin Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02, GJEDNJ, Aktgjykim i 26 korrikut 2005).
Gjykata, më tej, rithekson që nuk është detyrë e saj që sipas Kushtetutës të veprojë si gjykatë e shkallës së katërt në lidhje me vendimet që merren nga gjykatat e rregullta. Është roli i gjykatave të rregullta që të interpretojnë dhe të zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale (Shih Rastin Garcia Ruiz kundër Spanjës, Nr. 30544/96, GJEDNJ, Aktgjykimi i 21 janarit 1999, shih gjithashtu rastin KI78/15, me parashtruese Fatime Tosuni, cituar më lartë, paragrafi 35).
Prandaj, Gjykata konsideron se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës, bien në kategorinë e pretendimeve “të shkallës së katërt”, rrjedhimisht, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Përfundim
Në fund, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse: (I) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për vlerësim të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretim të gabuar të ligjit të zbatueshëm, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; si dhe (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës, janë gjithashtu pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese. Prandaj, kërkesa në tërësi vlerësohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113.1 dhe 7 të Kushtetutës, nenit 20 të Ligjit dhe të rregullit 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 16 nëntor 2022, njëzëri:
VENDOS
I. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
II. T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
III. TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
IV. Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Adem Rexhepi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër