Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.243/2021, të 8 shkurtit 2022

Nr. të lëndës KI61/22

Parashtruesit: Adem Rexhepi

Shkarko:

KI61/22, Parashtrues: Adem Rexhepi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.243/2021, të 8 shkurtit 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kontest pune, kërkesë për rikthim në punë, kërkesë qartazi e pabazuar

Gjykata fillimisht rikujton që parashtruesi i kërkesës ishte larguar nga marrëdhënia e punës nga KRM “Pastrimi” sh.a., nën pretekstin e mos-përmbushjes së detyrave të punës dhe mungesave të paarsyetuara në punë. Kërkesëpadinë e tij për (i) anulimin e vendimit të Kryeshefit ekzekutiv të KRM “Pastrimi” sh.a., dhe (ii) kthimin e tij në vendin e punës, e aprovon pjesërisht Gjykata Themelore duke theksuar se atij i takojnë të drejtat nga marrëdhënia e punës përgjatë periudhës 7 tetor 2014 – 31 dhjetor 2014 kur edhe i ka skaduar kontrata e punës. Ankesën e parashtruesit si dhe të palës së interesuar KRM “Pastrimi” sh.a., i refuzoi si të pabazuara Gjykata e Apelit, me përjashtim të   miratimit të pjesshëm të ankesës së parashtruesit për sa i përket datës së llogaritjes së kamatës e cila duhej të rrjedhte prej 7 dhjetorit 2012 nga dita e dhënies së aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë deri në pagesën definitive të borxhit.  Në vijim, kërkesa për revizion e parashtruesit të kërkesës u refuzua si e pabazuar nga Gjykata Supreme.

Në këtë drejtim, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar (I) shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike, si dhe (II) pretendimet përkitazi me shkeljet e nenit 49 të Kushtetutës.

Pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës e ndërlidh me administrimin e fakteve të rastit dhe mënyrën se si Gjykatat e rregullta kanë interpretuar dhe zbatuar dispozitat e Ligjit të Punës. Ndërsa për sa i përket shkeljeve të pretenduara të nenit 49 të Kushtetutës, i njëjti i ndërlidh me mos-kthimin e tij në vendin e punës me të gjitha të drejtat që dalin nga kontrata e punës.

Prandaj, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të fakteve, interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, Gjykata të njëjtat i  kualifikoi si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë”, dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë”. Rrjedhimisht, Gjykata vlerësoi se këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Në vijim, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se ky pretendim paraqet shprehje të vlerësimit subjektiv për vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, por jo edhe dëshmi të vërtetë të shkeljes së të drejtave nga neni 49 i Kushtetutës. Rrjedhimisht edhe këto pretendime bien në kategorinë e pretendimeve të “shkallës së katërt” dhe se janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Adem Rexhepi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër