Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 145/2022, të 5 majit 2023

Nr. të lëndës KI204/23

Parashtruesit: Ibrahim Svarça

Shkarko:

 

 

Prishtinë, më 18​​ qershor 2024

Nr. ref.: RK 2450/24

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr. KI204/23​​ 

 

Parashtrues​​ 

 

Ibrahim Svarça

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr.​​ 145/2022, të​​ 5​​ majit 2023

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar

Jeton Bytyqi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  • Kërkesa është dorëzuar nga z. Ibrahim Svarça, me banim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës)​​ i përfaqësuar nga Kushtrim Bytyqi avokat në Prishtinë.

 

Vendimi i kontestuar

 

  • Vendimi​​ i​​ kontestuar​​ është Aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr.​​ 145/2022, i​​ 5​​ majit 2023, të cilin parashtruesi e ka pranuar më​​ 26 maj 2023.​​ 

 

Objekti i çështjes

 

  • Objekt​​ i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit të lartpërmendur, përmes të cilit​​ parashtruesi​​ i kërkesës​​ pretendon se i janë shkelur të drejtat e​​ garantuara​​ me nenin 31 [E drejta për​​ Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta),​​ në lidhje me nenin 6​​ (E drejta për​​ një proces të rregullt)​​ të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

Baza juridike

 

  • Kërkesa​​ bazohet​​ në​​ nenin​​ 113.7​​ të Kushtetutës, në nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së​​ Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin​​ 25​​ të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  • Më​​ 25 shtator 2023,​​ parashtruesi​​ dorëzoi kërkesën​​ në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • Më​​ 26 shtator 2023,​​ Kryetarja​​ e Gjykatës​​ përmes vendimit [KSH.KI204/23] caktoi gjyqtarin​​ Enver Peci​​ gjyqtar​​ raportues​​ dhe Kolegjin​​ shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Gresa Caka Nimani​​ (kryesuese),​​ Bajram Ljatifi​​ dhe​​ Remzie Istrefi Peci, anëtarë.

 

  • Më​​ 9 tetor 2023,​​ Gjykata​​ e informoi​​ përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës​​ për regjistrimin e kërkesës,​​ si dhe i dërgoi një kopje të saj Gjykatës Supreme.​​ 

 

  • Më 9 tetor 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ajo që të dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin [Rev.nr.145/2022] të 5 majit 2023 të Gjykatës Supreme.

 

  • Më 25 tetor 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar.

 

  • Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • ​​ 29 prill 2024,​​ Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues​​ dhe​​ njëzëri​​ i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.​​ 

 

Përmbledhja e fakteve

 

  • Parashtruesi i kërkesës parashtron për herë të dytë kërkesë në Gjykatë. Më parë kishte parashtruar kërkesën KI32/16. Nëpërmjet kësaj kërkese parashtruesi i kërkesës kontestoi aktgjykimin [Rev. nr. 221/2015] të 1 shtatorit 2015 të Gjykatës Supreme. Këtë kërkesë Gjykata e kishte shpallur të papranueshme.

 

  • Gjykata në mënyrë të përmbledhur do t’i reflektojë faktet e rastit KI32/16, për aq sa ato ndërlidhen me rastin e tanishëm.​​ 

 

Përmbledhja e fakteve lidhur me rastin KI32/16

 

  • Në një​​ datë​​ të​​ paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës ushtroi padi në Gjykatën Komunale në​​ Prishtinë​​ kundër Shoqërisë Aksionare “Montazha” nga Beogradi, duke kërkuar vërtetimin e pronësisë në ngastrën kadastrale e cila është e evidentuar me numër 1504/2, në bazë të kontratës për shitblerje​​ të 13 majit 2005.

 

  • Më 3​​ prill​​ 2007,​​ Gjykata Komunale në Prishtinë (Aktgjykimi C. nr. 841/2006), ka aprovuar kërkesën e parashtruesit.

 

  • Pas​​ Aktgjykimit​​ të​​ Gjykatës Komunale, parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar në​​ Komunën e​​ Prishtinës​​ -​​ Drejtoria e Urbanizmit, Kadastrit dhe Mbrojtjes së Mjedisit​​ (në tekstin e mëtejmë: Komuna e Prishtinës), kërkesën për regjistrimin e pronës së​​ paluajtshme.

 

  • Për​​ shkak​​ “të heshtjes së Administratës të Komunës së Prishtinës, lidhur me mosrealizimin e kërkesës për kryerjen e transaksionit”,​​ më 2 tetor 2007, parashtruesi​​ i​​ kërkesës​​ ushtroi ankesë në Ministrinë e Shërbimeve Publike, Agjencia Kadastrale e Kosovës (në tekstin e mëtejmë:​​ Agjencia Kadastrale).

 

  • Më 8​​ tetor​​ 2007,​​ Agjencia Kadastrale nxjerr konkluzion (nr. 738/7) dhe​​ “urdhëron Zyrën Kadastrale në Prishtinë që të shqyrtojë kërkesën për​​ regjistrim të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës dhe të nxjerr Vendim për këtë çështje administrative”.

 

  • Për shkak të​​ mosveprimit​​ të mëtejshëm të Komunës së Prishtinës, në​​ një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë në procedurë përmbarimore ndaj debitorit, Komuna e Prishtinës, ku kërkoi regjistrimin e parcelës në emër të tij.

 

  • Më 8​​ shkurt​​ 2011,​​ Gjykata Komunale në Prishtinë (Aktvendimi E. nr. 6/09), aprovoi​​ kërkesën​​ e parashtruesit. Më tej, në Aktvendim theksohet “[...] në bazë të dokumentit përmbarues-Aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Prishtinë C. Nr. 841/2006 i dt.03.04.2007 është i formës së prerë më 14.05.2007 [...]. CAKTOHET PËRMBARIMI ashtu që URDHËROHET debitori Komuna e Prishtinës–Drejtoria për​​ pronë Gjeodezi dhe kadastër që të regjistroj në librat e tokës në​​ emër të kreditorit Ibrahim Svarça nga Prishtina, paluajtshmërinë-ngastrën kadastrale nr. 1504/2”.

 

  • Më 18​​ mars​​ 2011, Agjencia Kadastrale (Aktvendimi nr. 011952-2292) aprovon kërkesën e parashtruesit që ka të bëjë me të drejtën e shfrytëzimit të pronës.

 

  • Më 16​​ prill​​ 2011, Komuna e Prishtinës i drejtohet Agjencisë Kadastrale​​ nëpërmjet​​ parashtresës​​ 001-031-218, duke u arsyetuar për mosekzekutim të Aktgjykimit të Gjykatës Komunale dhe duke pretenduar që në bazë të Rregullores së UNMIK-ut 2002/12 dhe Urdhëresës së UNMIK-ut 2006/17, Komuna kishte njoftuar Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme lidhur me rastin, duke argumentuar që çështja është dashur të gjykohej në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe jo në Gjykatën Komunale.

 

  • Më 16 maj 2011, Zyra Kadastrale e Komunës së Prishtinës, ka lëshuar Certifikatën mbi të drejtat pronësore në paluajtshmëri, me nr. UL-71914059-09836, në emër të parashtruesit të kërkesës.

 

  • Pasi​​ parashtruesi​​ i kërkesës kishte fituar të drejtat e plota në paluajtshmërinë në fjalë, ushtroi padi për kompensim të dëmit material në Gjykatën Komunale në Prishtinë ndaj Komunës së Prishtinës. Parashtruesi i kërkesës ka kërkuar “që të detyrohet Komuna e Prishtinës-Drejtoria e Urbanizmit Kadastrit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Prishtinë në emër të qerasë për pronën në ngastrën kadastrale 1504/2[...] t’ia kompenzojë​​ për periudhën 14.05.2007 deri më 01.05.2010 shumën prej 469. 273.30 Euro si dhe​​ për​​ periudhën e ardhshme duke filluar prej 01.05.2010 e tutje [...]”.

 

  • Më 20 nëntor​​ 2011,​​ Gjykata​​ Komunale në Prishtinë (Aktgjykimi​​ C. nr. 2644/08), refuzoi kërkesëpadinë si të pabazuar.

 

  • Në​​ një​​ datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës ushtroi ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj​​ Aktgjykimit​​ të Gjykatës Komunale, C. nr. 2644/08, të 10 nëntorit 2011, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

 

  • Më 3 mars 2015, Gjykata e Apelit e Kosovës (Aktgjykimi Ac. nr. 4521/12), refuzoi si të pabazuar ankesën. Gjykata e Apelit në Aktgjykimin e saj​​ arsyeton se gjykata e shkallës së parë ka marrë vendim të drejtë dhe të bazuar.

 

  • Më​​ pas, parashtruesi​​ i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme të Kosovës,​​ ndaj Aktgjykimit Ac. nr. 4521/12 të Gjykatës së Apelit të Kosovës,​​ për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

 

  • Më 1​​ shtator​​ 2015, Gjykata Supreme e Kosovës (Aktgjykimi, Rev. nr. 221/2015), refuzon si të​​ pabazuar​​ kërkesën për revizion. Gjykata Supreme e Kosovës arsyeton “[...]​​ gjykatat e instancës më të ulët duke vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike, drejtë kanë zbatuar dispozitat e procedurës kontestimore dhe të drejtën materiale”.

 

  • Më 23​​ nëntor​​ 2015, parashtruesi i kërkesës ka paraqitur kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë në Prokurorinë e Shtetit.

 

  • Më 3​​ dhjetor​​ 2015, Prokurori i Shtetit, me njoftimin KMLC. nr. 123/2015, ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë me arsyetimin se “ka kaluar afati ligjor për paraqitjen​​ e këtij mjeti juridik”.​​ 

 

Përmbledhja e fakteve për rastin e tanishëm KI204/23

 

  • Më 26 dhjetor 2008, parashtruesi i kërkesës, ne​​ Gjykatën Themelore kishte​​ ushtruar padi,​​ kundër të​​ paditurës​​ Komuna e​​ Prishtinës-Drejtoria e Urbanizmit, Kadastrit dhe​​ Mbrojtjes​​ ​​ Mjedisit, të cilën e kishte​​ plotësuar​​ me​​ parashtresën​​ e​​ datës​​ 21.03.2016, me​​ kërkesë që të​​ detyrohet​​ e paditura​​ për​​ kompensimin e demit material, ne​​ emër​​ te qeras dhe​​ atë​​ për​​ periudhën​​ kohore​​ duke filluar nga data 14.03.2008​​ deri me date 07.03.2011, ne shumën prej 328,121.00 euro, se bashku me kamate të​​ llogaritur​​ sipas​​ arritjeve mujore te​​ qirave​​ për pagesë me normë​​ prej 3.5% ne vit, ku​​ arrin shumen e​​ përgjithshme, ne​​ shumë ​​ prej 389,949.07 euro, te gjitha këto me kamatë ligjore nga dita e pranimit te aktgjykimit C.nr.842/2006 datë 14.03.2008, e deri ne përmbarim te dhunshëm te tij.

 

  • Më 18 maj 2016, Gjykata Themelore përmes aktgjykimit [Ca.nr.2644/2008] refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.

 

  • Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes të dispozitave të ligjeve materiale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që të aprovohet ankesa si e bazuar ndërsa aktgjykimi i goditur ta prish dhe çështjen t’ia kthejë gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

 

  • Më 22 tetor 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.453/2017] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C.nr.2644/2008] të 18 majit 2016.

 

  • Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës​​ paraqiti revizion në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që aktgjykimi i atakuar të prishet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së dytë në rivendosje apo që ky aktgjykim të ndryshohet dhe miratohet ankesa e paditësit si e bazuar duke u aprovuar kërkesëpadia e tij.

 

  • Më 5 maj 2023, Gjykata Supreme përmes​​ Aktgjykimit [Rev.nr.145/2022] refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës, të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr.453/2017] të 22 tetorit 2021.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Parashtruesi​​ i kërkesës​​ pretendon​​ se me​​ Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës,​​ [Rev.nr.145/2022], të​​ 5 majit 2023,​​ i janë​​ shkelur të​​ drejtat e garantuara me Kushtetutë, përkatësisht me nenin 24 [Barazia para Ligjit], me nenin 31 [E drejta për​​ Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës,​​ si dhe me nenin​​ 6​​ (E drejta për një proces të rregullt)​​ të​​ KEDNJ-së.

 

  • Parashtruesi i​​ kërkesës​​ thekson se “​​ Gjykata e Apelit, me vendimin e atakuar nuk ka dhënë arsyetim te mjaftueshëm për faktet vendimtare ne te cilat është mbështetur kërkesa, përkatësisht refuzimi i saj”. Ai më tej thekson se “​​ ​​ ka parashtruar kërkesë për regjistrimin e pronës, ne baze te aktgjykimit C.nr. 842/06, dt. 14.03.2008, te Gjykatës Komunale ne Prishtine. Mirëpo kjo prone është regjistruar ne emër te paditësit tek me datën 18.03.2011, ne baze te vendimit te gjykatës për përmbarim. Pra megjithëse kishte një aktgjykim te formës se prere për vërtetimin e pronësisë, i njëjti nuk është përfillur, duke vlerësuar nga e paditura se ka një çështje paraprake ( të paqenë ) dhe këtë arsyetim e pranojnë gjykata për lirim te paditurës nga fajësia / detyrimi për kompensimin e demit ne emër te paditësit. Mirëpo Gjykata Supreme, dhe gjykatat me te ulta nuk kane dhënë arsyetim te mjaftueshëm për këtë qëndrim juridik”.

 

  • Më tej parashtruesi i kërkesës thekson se “​​ ... konsiderojmë se në rrethanat e rastit konkret, pretendimet e parashtruesit te kërkesës për mungesën e arsyetimit përkitazi me Aktgjykimin e kontestuar te Gjykatës Supreme, Gjykatës se Apelit dhe Gjykatës Themelore konsistojnë ne shkeljen e ligjit te aplikueshëm, përkatësisht nenit 154 te LMD dhe nenit 9 te LPK, pasi gjykata është kompetente për vlerësimin e kompetencës lëndore për gjykimin e kontesteve pronësore, e jo organet e administratës.​​ Për me tepër vërehet se Gjykata Supreme, është pajtuar dhe ka vetëtuar vendimin e Gjykatës se Apelit,​​ bazuar ne te cilin theksohet,​​ e paditura nuk mund te konsiderohet me faj për demin e paditësit sepse ka përfillur rregullativen ligjore, mirëpo nuk jepet arsyetim​​ shtesë​​ për këtë qëndrim, si dhe nuk arsyetohet anashkalimi i vendimit te formës së prerë te gjykatës nga e paditura”.

  • Në fund parashtruesi i kërkesës nga Gjykata kërkon: (i) të deklarojë kërkesën e pranueshme; (ii) të konstatojë se ka shkelje të nenit 31 të kushtetutës dhe nenit 6 të​​ KEDNJ-së; (iii) të shpallë të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës Supreme Rev.nr.145/2022 të 5 majit 2023; (iv) të kthejë lëndën ë rishqyrtim dhe rivendosje në Gjykatën Themelore.​​ 

 

Pranueshmëria​​ e​​ kërkesës

​​ 

  • Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:​​ 

 

Neni 113

[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[...]

7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

[...]

 

  • Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:​​ 

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.

 

Neni 49

[Afatet]

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.

 

  • Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: është ​​ palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr.145/2022] e​​ 5 majit 2023​​ të Gjykatës Supreme; se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; se i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur,​​ në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe ​​ kërkesën e ka ​​ parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç parashihet me nenin 49 të Ligjit.​​ 

 

  • Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nën rregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcakton:

 

(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.

 

  • Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpall një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin​​ KI04/21, parashtruese​​ Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin​​ KI175/20, parashtrues​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).​​ 

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nën kriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së​​ Trofimchuk kundër Ukrainës,​​ nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu​​ Baillard kundër Francës,​​ nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës​​ KI166/20,​​ parashtrues,​​ Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime​​ “konfuze dhe të paqarta”​​ (shih, rastet e GjEDNj-së,​​ Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i),​​ Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe​​ Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).

 

  • Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të​​ GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin​​ KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).

 

  • Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga​​ padi e parashtruesit të kërkesës kundër Komunës së Prishtinës për kompensimin e demit material, ne emër te qeras dhe atë për periudhën kohore duke filluar nga data 14.03.2008 deri me date 07.03.2011, ne shumën prej 328,121.00 euro, se bashku me kamate të llogaritur sipas arritjeve mujore te qirave për pagesë me normë prej 3.5% ne vit, ku arrin shumen e përgjithshme, ne shumë ​​ prej 389,949.07 euro, te gjitha këto me kamatë ligjore nga dita e pranimit te aktgjykimit C.nr.842/2006 datë 14.03.2008, e deri ne përmbarim te dhunshëm te tij.​​ Kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës ishte refuzuar si e pabazuar nga Gjykata Themelore. Kundër vendimit të Gjykatës Themelore parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila ankesë ishte refuzuar dhe ishte vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore. I pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar me revizion Gjykatës Supreme, ku kjo e fundit e kishte refuzuar si të pathemeltë revizionin e paraqitur nga ai.

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat​​ e tij të garantuara me nenin​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

 

  • Gjykata verën se esenca e pretendimeve për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, ndërlidhet me mos arsyetimin e vendimit gjyqësor nga ana e Gjykatës Supreme. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrejnë çështje nga neni 31 i Kushtetues dhe neni 6.1 i KEDNJ-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.

 

Pretendimet lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së

 

(i) Sa i përket pretendimit për vendim të pa arsyetuar gjyqësor

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pranë Gjykatës, në esencë, thekson se Gjykata Supreme nuk ka arsyetuar se cilat kanë qenë faktet dhe provat të cilat kanë ndikuar në marrjen e vendimit, pasi që “ ...​​ konsiderojmë se në rrethanat e rastit konkret, pretendimet e parashtruesit te kërkesës për mungesën e arsyetimit përkitazi me Aktgjykimin e kontestuar te Gjykatës Supreme, Gjykatës se Apelit dhe Gjykatës Themelore konsistojnë ne shkeljen e ligjit te aplikueshëm, përkatësisht nenit 154 te LMD dhe nenit 9 te LPK, pasi gjykata është kompetente për vlerësimin e kompetencës lëndore për gjykimin e kontesteve pronësore, e jo organet e administratës. Për me tepër vërehet se Gjykata Supreme, është pajtuar dhe ka vetëtuar vendimin e Gjykatës se Apelit, bazuar ne te cilin theksohet, e paditura nuk mund te konsiderohet me faj për demin e paditësit sepse ka përfillur rregullativen ligjore, mirëpo nuk jepet arsyetim shtesë për këtë qëndrim, si dhe nuk arsyetohet anashkalimi i vendimit te formës së prerë te gjykatës nga e paditura”.

 

  • Përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë të konsoliduar gjyqësore. Kjo praktikë është ndërtuar duke u​​ bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së (përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet​​ Hadjianastassiou kundër Greqisë​​ nr.12945/87, Aktgjykim i 16 dhjetorit 1992;​​ Van de Hurk kundër Holandës, Aktgjykim i 19 prillit 1994;​​ Hiro Balani kundër Spanjës​​ nr.18064/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994;​​ Higgins dhe të tjerët kundër Francës​​ nr.134/1996/753/952, Aktgjykimi i 19 shkurtit 1998;​​ Garcia Ruiz kundër Spanjës​​ nr.30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999;​​ Hirvisaari kundër Finlandës​​ nr.49684/99, Aktgjykim i 27 shtatorit 2001;​​ Suominen kundër Finlandës​​ nr.37801/97​​ , Aktgjykim i 1 korrikut 2003; dhe​​ Tatishvili kundër Rusisë​​ nr.1509/02, Aktgjykimi i 22 shkurtit 2007.) Për më tepër, parimet themelore sa i përket të drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor janë elaboruar po ashtu në rastet e kësaj Gjykate (duke përfshirë por duke mos u kufizuar në​​ KI22/16, parashtrues​​ Naser Husaj, Aktgjykim i 9 qershorit 2017;​​ KI97/16, parashtrues​​ IKK Classic, Aktgjykim i 9 janarit 2018;​​ KI143/16, parashtrues​​ Muharrem Blaku​​ dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 13 qershorit 2018;​​ KI87/18, parashtrues i kërkesës​​ IF Skadiforsikring, Aktgjykim, i 27 shkurtit 2019; si dhe rastin​​ KI230/19, parashtrues​​ Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 135).

 

  • Në parim, Gjykata thekson se garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së përfshijnë detyrimin që gjykatat të japin arsye të mjaftueshme për vendimet e tyre (shih rastin e GJEDNJ-së,​​ H. kundër Belgjikës, Aktgjykimi i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53; si dhe shih rastin e Gjykatës​​ KI230/19, parashtrues​​ Albert Rakipi, të cituar më lart, paragrafi 139 dhe rastin​​ KI87/18, parashtrues​​ IF Skadiforsikring, paragrafi 44).​​ 

 

  • Gjykata po ashtu thekson se bazuar në praktikën e saj gjyqësore gjatë vlerësimit të parimit i cili i referohet administrimit të duhur të drejtësisë, vendimet e gjykatave duhet të përmbajnë arsyetimin në të cilat ato bazohen. Shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret. Janë argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës që duhet të adresohen dhe arsyet e dhëna duhet të jenë të bazuara në ligjin e aplikueshëm (shih në mënyrë të ngjashme rastet e GJEDNJ-së​​ Garcia Ruiz kundër Spanjës, kërkesa nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 29;​​ Hiro Balani kundër Spanjës, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 27;​​ dhe​​ Higgins dhe të tjerët kundër Francës, paragrafi 42; shih, po ashtu, rastin e Gjykatës​​ KI97/16, parashtrues​​ IKK Classic, të cituar më lart, paragrafi 48; dhe rastin​​ KI87/18​​ IF Skadeforsikring, të cituar më lart, paragrafi 48). Duke mos kërkuar një përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar (shih rastin​​ Moreira Ferreira kundër Portugalisë​​ nr.19867/12, Aktgjykim, i 5 korrikut 2011 paragrafi 84 dhe të gjitha referencat e përdorura aty; si dhe rastin e Gjykatës​​ KI195/20, parashtrues​​ Aigars Kesengfelds, pronar i institucionit financiar jo-bankar “Monego”, Aktgjykim i 29 marsit 2021, paragrafi 122).

 

  • Gjykata me këtë rast rikujton se​​ Gjykata Themelore kishte refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, ku përmes aktgjykimit [Ca.nr.2644/2008] të 18 majit 2016 ndër të tjera kishte theksuar:

 

“​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në Prishtinë, me shkresën nr.0002166 datë 08.05.2009, i është përgjigjur kërkesës se paditësit ne te cilën është theksuar se Ibrahim Sfarqa (paditës),është këshilluar nga ish AKM, se për këtë çështje ti drejtohet Dhomës​​ së Posaçme te​​ Gjykatës​​ Supreme te​​ Kosovës,​​ mirëpo​​ paditësi​​ e ka anashkaluar​​ një​​ gjë te tillë dhe çështjen​​ ka vendosur​​ paditësi ta zgjedh ne Gjykatën​​ Komunale ne Prishtine, e cila sipas nenit 4.1 te​​ Rregullës 2008/4 te UNMIK·ut, nuk ka juridiksion​​ për​​ te vendosur​​ për​​ këtë çështje kontestimore. Në​​ shkresën​​ e AKP-se drejtuar​​ paditësi​​ me tej theksohet se kontrata e lidhura mes​​ paditësit​​ dhe​​ ndërmarrjeve​​ qe​​ veprojnë​​ jashtë​​ territorit te​​ Republikës​​ se​​ Kosovës janë jo​​ legjitime,​​ do të konsiderohen si nule dhe pa efekt juridik – kontrata e lidhur te kësaj natyre duke anashkaluar Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, nuk janë legjitime, për arsyet e mungesës së juridiksionit të dhënë kësaj Gjykate me Rregulloren 2008/04, dhe me urdhëresën administrative për ndryshimin dhe plotësimin e urdhëresës 2006/07, për zbatimin e rregullores së UNMIK-ut 2002/12.​​ Gjithashtu paditësi është këshilluar, shume here qe ti drejtohet gjykatës kompetente për ndryshimin e titullarit për paluajtshmerinë konkrete ku kompetenca sipas rregulloreve te lart theksuara i bie Dhomës se Posaçme pranë Gjykatës Supreme te Kosovës. E paditura mbështetur në provat e saj ka gjetur se nga te dhënat kadastrale prona kontestuese është e evidentuar si prone shoqërore e cila është detyruar te kërkoj pëlqimin nga Agjencioni, qe administron me këto lloj paluajtshemrie duke mos ekzekutuar aktgjykimin e formës se prere te Gjykate Kor.1unale ne Prishtine i konsideruar nga AKP-ja si vendim i nxjerr nga një gjykate jo kompetente, sipas rregulloreve te UNMIK-ut te lart theksuara. E paditura gjithashtu për ta bere edhe me bindëse mos fajësinë e saj vërtetohet edhe nga raporti i veçante i Policisë se Kosovës drejtuar Prokurorisë publike te Qarkut ne Prishtine nr. Ref. PPN.nr.750-2/08 dt. 11.11.2008, i cili len te nënkuptoj se nuk është ngritur kallëzim eventual penal ndaj zyrtareve te Komunës se Prishtinës për mos regjistrim te paluajtshmerise ne emër te paditësit. Për me tepër, gjykata ka ardhur ne përfundim se korrespodencat e shpeshta mes paditësit ish AKM, AKP-se, dhe institucioneve tjera, ka bere qe për shume here e paditura ta rikonfirmon arsyen​​ e mos regjistrimit te paluajtshmerise kontestuese ne​​ emër​​ te​​ paditësit, siç​​ shihet nga shkresat e lendes. Andaj​​ ne​​ asnjërin veprim të paditëses​​ gjykata​​ nuk gjeti faj si pasojë e së cilës është​​ dëmtuar​​ paditësi​​ apo​​ është ngadalësuar​​ procesi i regjistrimit te paluajtshmerise kontestuese ne​​ emër​​ te​​ paditësit.

 

  • Gjykata e Apelit, duke shpallur​​ si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, kishte​​ vërtetuar​​ aktgjykimin e Gjykatës Themelore [Ca.nr.2644/2008] të​​ 18 majit 2016, ku ndër të tjera kishte theksuar si në vijim:

 

​​ Njëherit gjykata e shkalles së parë ka vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë​​ gjendjen faktike nga administrimi dhe vlerësimi i provave, dhe 19o gjykate konsideron se nuk qëndrojnë​​ pretendimet ankimore për faktin se nga shkresat e lendes rrjedh se e paditura nuk është përgjegjëse për kompensimin e demit te pretenduar nga paditësi, për faktin relevant se e paditura ne përpjekje te zbatimit te aktgjykimit te sipër përmendur përkatësisht ndryshimit dhe bartjes se paluajtshmerise me paditësin, e nga arsyet e sipër cekura, po thuaj suksesivisht kërkonte ne kuadër te kompetencave te veta ligjore mendimin përkatësisht pëlqimin përkatës nga AKM-ja e cila aktgjykimin e sipër përmendur e konsideronte si një vendim i nxjerr nga një gjykate jo kompetente, pra duke konsideruar se për çështjen e pronës kontestuese do te duhej te vendoste Dhoma e Posaçme te Gjykatës Supreme e Kosovës, e jo ndonjë gjykate tjetër vendore qe​​ nuk ka juridiksion. Me fjale të​​ tjera përgjegjësia për dëmin eventual të kërkuar nga paditësi nuk mund ti mvishet veprimit a mos veprimit te Komunës - te paditurës, sepse ne këtë mes kishte ndërhyrë AKM-ja, me qëndrime te saja te sipër​​ shtruara dhe se e paditura siç rezulton nga shkresat​​ e​​ lëndës​​ ishte ne​​ kërkim​​ e​​ sipër​​ te​​ pëlqimit​​ përkatës nga AKM-ja. Në​​ llogari te​​ këtij​​ fakti f1asin edhe shkresat e lendes, respektivisht korrespodenca ne relacionin​​ midis te paditurës AKM dhe paditësit. Kjo gjykate​​ vlerëson​​ se ne rastin​​ konkret​​ e paditura nuk ka shkaktuar asnjë​​ lloji demi me​​ përfilljen​​ e rregullave ligjore ne fuqi, te cilat kane rregulluar fushe veprimin e saj me rastin e bartjes dhe evidentimit te ndryshimeve te pronareve eventual te​​ patundshmërisë..​​ “​​ [...]​​ 

 

  • Më tej, Gjykata Supreme në Aktgjykimin [Rev.nr.145/2022] të​​ 5 majit 2023, ndër të tjera theksoi:

 

“...​​ Gjykata Supreme c Kosovës, vlerëson se aktgjykimet e gjykatave të instancës më te ulet përmbajnë arsyetime të plota dhe te mjaftueshme për te gjitha faktet relevante te vlefshme për gjykimin c drejt te kësaj çështje, meqë gjykatat e instancës me te ulet drejte kane zbatuar te drejtën materiale dhe atë dispozitat përkatëse te Ligjit për Marrëdhëniet e detyrimeve. Kështu, edhe kjo Gjykatë ,konsideron se ne rastin konkret juridiko-civil, nuk janë përmbushur ne mënyrë kumulative te gjitha parakushtet e përgjegjësisë për kompensimin e demit te parapara me dispozita e nenit 154 etj, te LMO-se, e siç janë; ekzistimi i subjekteve te marrëdhënies detyrimore dhe të përgjegjësisë për demin e shkaktuar, pra shkaktuesin e demit dhe te dëmtuarin,​​ ekzistimi i faktit dëmtues, nga rezulton demi, ekzistimi i demit te shkaktuar, ekzistimi i lidhjes​​ shkakësore​​ nëpërmjet​​ faktit​​ dëmtues dhe demit të​​ shkaktuar si dhe te ekzistoje​​ kundërligjshmëria​​ e veprimit,​​ përkatësisht, e mosveprimit,​​ gjë që,​​ sikundër​​ u theksua me​​ lartë​​ këto parakushte nuk janë​​ provuar se ekzistuari nga pala​​ paditëse”.

 

  • Gjykata vëren se fillimisht​​ Gjykata Themelore dhe më pas edhe​​ ​​ Gjykata e Apelit edhe Gjykata Supreme,​​ kishin konstatuar se me provat e prezantuara nga parashtruesi i kërkesës dhe të administruara nga gjykata nuk janë vërtetuar bindshëm faktet përkitazi me bazueshmërinë e kërkesëpadisë që kanë të bëjnë me ekzistimin e dëmit të kërkuar si dhe përgjegjësinë e së paditurës për kompensimin e atij dëmi.​​ 

 

  • Gjykata me këtë rast, rikujton se nisur nga praktika e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës, ​​ e njëjta nuk kërkon përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës. Megjithatë, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar.

 

  • Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet si më sipër, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Për pasojë, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

 

  • Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të deklarohet e papranueshme.

 

PËR KËTO ARSYE

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur më​​ 29 prill 2024, njëzëri

 

VENDOS​​ 

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;​​ 

 

  • T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  • Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;

 

 

 

 

 

Gjyqtari raportues  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

 

 

 

Enver Peci  ​​ ​​ ​​​​     ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Gresa Caka-Nimani

 

1

Parashtruesit:

Ibrahim Svarça

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile