Prishtinë, më 20 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2340/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI197/23
Parashtrues
Osman Bunjaku
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 169/23] të Gjykatës Supreme, të 29 majit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka - Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Osman Bunjaku, me vendbanim në Vushtrri (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i cili përfaqësohet nga Ekrem Agushi, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Rev. nr. 169/23] e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), të 29 majit 2023.
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 9 qershor 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 20 shtator 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 25 shtator 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, një kopje të kërkesës së parashtruesit iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 26 shtator 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin nr. GJR. KI197/23 caktoi gjyqtarin Enver Peci, gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH. KI197/23 caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 22 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 20 shtator 2012, Komisioni i Brendshëm Disiplinor i Policisë së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Komisioni disiplinor) mbajti seancë dëgjimore dhe nëpërmjet Vendimit [178/KB/12] shpalli përgjegjës parashtruesin e kërkesës për shkelje disiplinore sipas nenit 5, pika 12 e Udhëzimit administrativ nr. 15/200, në lidhje me nenin 46 të Ligjit për Policinë e Kosovës. Për këtë arsye i shqiptoi masën disiplinore- ndërprerje e marrëdhënies së punës. Komisioni disiplinor arsyetoi se, së pari, parashtruesi i kërkesës kishte lidhur një kontratë për blerjen e një veture nga personi D. N. në vlerë prej 17.500 (shtatëmbëdhjetëmijë e pesëqind euro). Nga viti 2010 kur kishin lidhur marrëveshjen me shkrim, e deri në kohën e vendimit, parashtruesi i kërkesës nuk e kishte përmbushur detyrimin e tij për t’ia paguar borxhin e tërësishëm personit D.N; së dyti, parashtruesi i kërkesës kishte lidhur marrëveshje me I.F dhe I.M për kryerjen e punimeve në një lokal të bashkëshortes së tij. Pas përfundimit të punimeve, parashtruesi i kërkesës nuk e përmbushi detyrimin financiar ndaj punë kryesve në vlerën prej 5000 (pesëmijë) euro; së treti, parashtruesi i kërkesës kishte filluar punimet në një objekt, përkundër që e dinte që prona në fjalë ndodhej në kontest pronësor. Bazuar në këto arsye dhe të gjetura, Komisioni disiplinor vendosi t’ia shqiptonte parashtruesit të kërkesës këtë masë disiplinore.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë te Komisioni i ankesave, për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore.
Më 22 nëntor 2012, Komisioni i Ankesave nëpërmjet Vendimit [nr. 1441-3] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi vendimin e shkallës së parë të Komisionit disiplinor.
Më 21 dhjetor 2012, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), kundër të paditurës, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: MPB) nëpërmjet së cilës kërkoi anulimin e vendimit të Komisionit disiplinor dhe kompensim financiar të të ardhurave personale. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se ndërprerja e marrëdhënies së punës ishte pa bazë ligjore, sepse nuk ishte vërtetuar me asnjë provë shkelja disiplinore për të cilën u largua nga puna.
Në një datë të pacaktuar, Gjykata Themelore aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Në një datë të paspecifikuar, MPB-ja si palë e paditur parashtroi ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore.
Më 11 nëntor 2019, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktvendimit [Ac. nr. 1047/16] ktheu çështjen në rigjykim dhe e udhëzoi Gjykatën Themelore si të vepronte.
Më 14 qershor 2021, Gjykata Themelore në rigjykim nëpërmjet Aktgjykimit [C. nr. 4095/19]: (i) aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës; (ii) anuloi vendimin e Komisionit disiplinor; (iii) detyroi rikthimin në punë të parashtruesit të kërkesës dhe vendosi për kompensimin financiar të të ardhurave nga marrëdhënia e punës, në shumën prej 38.513.25 (tridhjetë e tetë mijë e pesëqind e trembëdhjetë euro e njëzet e pesë cent), si dhe kamatën prej 8 përqind, në vlerë prej 12.549.77 (dymbëdhjetëmijë e pesëqind e dzyet e nëntë euro, e shtatëdhjetë e shtatë cent). Gjykata Themelore arsyetoi si në vijim:
“Gjykata vlerëson se në bazë të provave të administruara në këtë procedurë, gjendjen faktike të vërtetuar, është provuar se e paditura, me vendimet e saja të atakuar në këtë procedurë, ka vepruar në mënyrë jo të ligjshme kur ka vendosur që përmes Komisionit Disiplinor, t’ia shqiptoj paditësit masën disiplinore më të rëndë, atë të ndërprerjes së marrëdhënies së punës, të cilën masë e paditura përmes Komisionit për Ankesa, pas shqyrtimit të ankesës së paditësit, përsëri e kishte konfirmuar dhe lënë në fuqi masën e shkëputjes së kontratës së punës”.
“Gjykata ka vlerësuar se mospagesa në tërësi e shumës së kontraktuar për shitblerjen e veturës Audi dhe borxhi i papaguar në shumën e tërësishme në emër të renovimit të lokalit-restorantit të cilin e drejton bashkëshortja e tij dhe i cili është nën menaxhimin e një personi tjetër, nuk paraqesin shkelje të detyrave të punës, përkatësisht në këto dy raste kemi të bëjmë me raporte detyrimore në mes të paditësit dhe personave të tretë, kjo pasi që asnjë provë nuk është vërtetuar se me veprimet e paditësit ka hyrë në raporte detyrimore në cilësinë e personit zyrtar apo ka përfituar nga pozita e tij dhe se paditësi ka vepruar si një qytetar, person fizik që natyrisht me vullnetin e tij të lirë dhe të palës tjetër mund të lidhë kontrata në dobi të tij”.
“Gjykata vë në pah se lidhur me shkeljet e rënda që pretendohen për mos përmbushjen e obligimeve të detyrës, atë të mos inicimit të rastit për dëmtimin e një prone në Prishtinë, e paditura nuk ka siguruar prova të mjaftueshme lidhur me atë se çfarë dëmtime të pronës janë bërë, ndërsa i autorizuari i të paditurës gjatë seancave të mbajtura ka deklaruar se nuk ka prova të tjera për të dorëzuar dhe të gjitha provat janë dorëzuar para gjykatës. Andaj edhe gjykata nuk mund të konstatoj për të njëjtën dhe se vlerëson se e paditura nuk ka arritur të dëshmoj se shkeljet disiplinore janë bërë nga paditësi, ashtu siç është pretenduar, që është sjellë në mënyrë të atillë duke i vënë hije të keqe apo të turpshme Policisë së Kosovës gjatë kryerjes së detyrës apo jashtë saj”.
Më 5 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktgjykimit [Ac. nr. 8768/21]: (i) aprovoi ankesën e MPB-së si palë e paditur; (ii) ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore; (iii) refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata e Apelit arsyetoi si në vijim:
“Në Ligjin për Policinë (Nr.03/L-035), i cili ka qenë në fuqi në kohën e shqiptimit të masës disiplinore, përkatësisht nenin 46, par. 1 parashihet se “zyrtarët policorë dhe stafi civil bëjnë shkelje të rëndë disiplinore nëse ai/ajo kryen, tenton të kryej, ndihmon ose nxit tjetrin ta kryej njërën nga veprimet e mëposhtme: a) sjellja e rëndë diskredituese; b) mosbindja e rëndë; c) zbulimi i pavend dhe i rëndë i informatave; d) korrupsioni...”. Po ashtu, në Udhëzimin Administrativ Nr.15/2008-MPB, për llojet e shkeljeve të rënda dhe të lehta disiplinore në Policinë e Kosovës, janë të parapara shkeljet e tilla, ku me nenin 5 parashihet se “zyrtari policor dhe/apo stafi civil i Policisë së Kosovës është fajtor për sjellje të rëndë diskredituese, nëse 5.1. Sillet në mënyrë të tillë duke i vënë hije të keqe apo të turpshme Policisë së Kosovës gjatë kryerjes së detyrës apo jashtë saj”.
“Meqenëse me procedurën e zhvilluar disiplinore në kuadër të Policisë së Kosovës janë konstatuar shkeljet e rënda të këtu paditësit me rastin e kryerjes së detyrave të punës dhe jashtë saj, atëherë në rastin konkret del se këto dispozita kanë përparësi në zbatim ndaj akteve të tjera të cilat e kanë rregulluar marrëdhënien e punës së paditësit tek e paditura. Andaj, kjo gjykatë vlerëson se me veprimet e tij, paditësi i kishte shkelur rregullat e Kodit të Personelit për Disiplinën si dhe Standardet e Sjelljes Personale Kreu i II-të, neni 5, pika 12, neni 8, pika 1 të Udhëzimit administrativ Nr. 15/2008 të MPB-së, e lidhur me nenin 46 pika a) dhe d) të Ligjit për Policinë (dhe, si e tillë, paditësin e bëjnë të padenjë për pozitën në të cilën ka qenë), për çka atij konform rregullave të parapara me këto dispozita ligjore, i ishte shqiptuar masa disiplinore e ndërprerjes së marrëdhënies së punës. Andaj, Gjykata e Apelit vlerëson se nuk qëndron arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë se në rastin konkret kemi të bëjmë me raporte detyrimore të paditësit me persona të tretë si person fizik, për faktin se me lidhjen e këtyre raporteve, përkatësisht me moskryerjen e obligimeve kontraktuale i ka vënë hije të keqe institucionit, aq më tepër rasti i dëmtimit të pronës ku i njëjti nuk e ka iniciuar rastin e dëmtimit të pronës duke qenë edhe vet i involvuar si palë e interesuar në këtë rast nuk e bëjnë të denjë për pozitën e zyrtarit policor dhe përbën bazë të mjaftueshme për sjellje të rëndë disiplinore, për të cilën edhe i është shqiptuar masa adekuate”.
Më 11 mars 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Ai propozoi që të prishet aktgjykimi i Gjykatës së Apelit dhe të vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore që kishte aprovuar kërkesëpadinë e tij. Sipas parashtruesit të kërkesës, aktgjykimi i Gjykatës së Apelit nuk është i arsyetuar dhe nuk ka analizuar provat e administruara, por vetëm i ka përshkruar ato. Përpos kësaj, theksonte ai, Gjykata e Apelit ka zbatuar në mënyrë të gabuar Ligjin për Policinë dhe Udhëzimin administrativ, për shkak se veprimet e tij nuk përbëjnë shkelje disiplinore dhe as nuk mund të cilësohen sjellje diskredituese.
Më 29 maj 2023, Gjykata Supreme nëpërmjet Aktgjykimit [Rev. nr. 169/2023] refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Supreme arsyetoi si në vijim:
“Gjykata Supreme e Kosovës e aprovon qëndrimin e gjykatës së shkallës së dytë se paditësi i kishte shkelur rregullat e Kodit të Personelit për Disiplinën si dhe Standardet e Sjelljes Personale Kreu i II-të, neni 5, pika 12, neni 8, pika 1 të Udhëzimit administrativ nr. 15/2008 të MPB-së, e lidhur me nenin 46 pika a) dhe d) të Ligjit për Policinë konform rregullave të parapara me këto dispozita ligjore, i ishte shqiptuar masa disiplinore e ndërprerjes së marrëdhënies së punës pas një procedure të ligjshme. Lidhur me pretendimin e paditësit për afatshmërinë e procedurës disiplinore, Gjykata Supreme e Kosovës gjeti se ky pretendim nuk ishte paraqitur më parë deri në fazën e revizionit, ndërsa kjo gjykatë e konsideron si të pabazuar sepse inicimi i procedurës është bërë në momentin e kallëzimit-ankesës së palëve të treta dhe hetimeve të kryera në përputhje me procedurat standarde.”
“Gjykata Supreme e Kosovës i refuzon si të pabazuara thëniet nga revizioni lidhur me atë se gjykata e shkallës së dytë ka qenë e obliguar të vërtetojnë se a ka bërë paditësi shkeljen me të cilën ngarkohet dhe a e ka shkelur kodin e etikës apo edhe a paraqet veprim që dëmton imazhin e të paditurës, për arsye se gjykata nuk e ka juridiksionin e plotë kur është në pyetje procedura disiplinore kundër të punësuarit, por vetëm e vlerëson nëse procedura është zbatuar në pajtim me ligjin dhe me aktet e brendshme të punëdhënësit, përfshirë edhe atë se a ka vërtetuar punëdhënësi në mënyrë të ligjshme nëse i punësuari e ka kryer shkeljen apo jo. Gjykata nuk mund të marrë rolin e organit disiplinor dhe të konstatojë a ka apo nuk ka shkelje të detyrave të punës, se a është shqiptuar masa adekuate lidhur me shkeljen në rastin konkret. Kjo është ekskluzivisht detyrim i punëdhënësit, dhe obligim i tij është që këtë ta vërtetoj në një procedurë të zhvilluar në mënyrë ligjore dhe brenda afatit të paraparë kohor”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta e kanë cenuar të drejtën e tij kushtetuese të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
(ii) interpretimi i gabuar i ligjit
Parashtruesi i kërkesës thekson se: “Gjykata e shkallës së dytë në këtë situatë juridike i ka zbatuar gabimisht dispozitat 45 dhe 46 pika a) e Ligjit nr. 03/L-035 për Policinë, pasi që veprimet e paditësit të cilat janë përshkruar detajisht në dispozitivin e vendimit kontestues të komisionit të brendshëm disiplinor të paditurës nuk përfaqësojnë shkelje të rënda disiplinore sikundër gabimisht gjykata e shkallës së dytë vlerëson [...]”.
Parashtruesi i kërkesës ndër të tjera thekson se: “Paditësi nuk ka kryer sjellje të rëndë diskredituese, sikurse gabimisht vlerëson gjykata e shkallës së dytë dhe në këtë rast gabimisht e zbaton udhëzimin administrativ nr. 15/2008. Shkeljet disiplinore për të cilat paditësi është shpallur fajtor nga komisioni disiplinor i të paditurës, të cilat janë përcaktuar me udhëzim nga neni 5 al.12 nuk përfaqësojnë në asnjë mënyrë sjellje të tilla që do ta vejnë një hije të keqe apo të turpshme mbi Policinë e Kosovës. Paditësi asnjë veprim në kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e vendimit të kontestuar nuk e ka ndërmarrë gjatë kryerjes së detyrës së tij me sjellje të keqe apo veprime të turpshme të cilat do ta godasin autoritetin e Policisë së Kosovës”.
(i) mosarsyetimi i vendimit gjyqësor
Parashtruesi i kërkesës thekson se: “aktgjykimi i goditur nuk përmban arsye për faktet vendimtare, kurse arsyet e paraqitura janë kundërthënëse me përmbajtjen e vërtetë të dokumenteve të shqyrtuara, me arsyetim se kolegji i gjykatës së shkallës së dytë në arsyetimin e aktgjykimit të saj lidhur me kundërshtimin për parashkrimin e procedurës disiplinore nuk ka paraqitur arsye fare edhe pse nga provat e paraqitura rrjedhë se procedura disiplinore ndaj paditësit është parashkruar ngase komisioni disiplinor nuk e ka zbatuar procedurën disiplinore brenda afatit ligjor subjektiv prej 6 muaj nga dita kur e paditura e ka ditur kohën e kryerjes dhe kryesin e shkeljeve të pretenduara disiplinore dhe afatit objektiv prej 1 viti nga koha e kryerjes së shkeljeve disiplinore”.
Parashtruesi i kërkesës thekson se, “mungesa e arsyeve të paraqitura për faktet vendimtare dhe kundërthënia e arsyeve të cilat janë paraqitur në arsyetimin e gjykatës së shkallës së dytë me përmbajtjen e provave të shqyrtuara ekziston edhe për faktin se gjykata e shkallës së dytë vetëm bënë përshkrimin e rrjedhës së procedurës lidhur me provat e shqyrtuara, mirëpo në arsyetim të aktgjykimit të goditur nuk ka bërë analizë logjike midis përmbajtjes së vërtetë të provës së shqyrtuar dhe asaj që theksohet në arsyetimin e aktgjykimit, e që kjo e metë përfaqëson shkelje të parimit kushtetues të ndalimit të arbitraritetit në vendimmarrje këtë sepse arsyetimi i dhënë në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë nuk përmban fakte të vërtetuara, dispozita ligjore dhe silogjizmin logjik midis përmbajtjes dhe arsyeve të paraqitura”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
[…]
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
LIGJI NR. 03/L-035 PËR POLICINË
Neni 46
Shkeljet e rënda disiplinore
Zyrtarët policorë dhe stafi civil bëjnë shkelje të rëndë disiplinore nëse ai/ajo kryen, tenton të kryejë, ndihmon ose nxit tjetrin ta kryejë njërën nga veprimet e mëposhtme:
a) sjellja e rëndë diskredituese;
b) mosbindja e rëndë;
c) zbulimi i pavend dhe i rëndë i informatave;
d) korrupsioni;
e) shkelja e rëndë e autorizimit;
f) përdorimi i pavend i armës;
g) përdorimi i tepërt i forcës;
h) dëmtimi i rëndë i pasurisë së Policisë;
i) përdorimi i alkoolit ose i substancave të tjera intoksikuese;
j) ngacmimi seksual gjatë shërbimit;
k) veprimet diskriminuese në bazë të moshës, gjinisë, orientimit seksual si dhe përkatësisë etnike dhe fetare;
l) keqpërdorimi dhe shfrytëzimi seksual i ndonjë personi;
m) veprimtaria penale.
Neni 48
Masat për shkeljet e rënda disiplinore
Zyrtari policor ose stafi civil i Policisë i cili ka kryer shkelje të rëndë disiplinore i nënshtrohet njërës nga masat disiplinore:
a) ndërprerjes së marrëdhënies së punës;
b) uljes së gradës;
c) largimit nga pozita komanduese;
d) suspendimi pa pagesë prej 30 deri në 60 ditë dhe/ose
e) ndalesa në pagë prej 20 deri 30 % e pagës mujore bruto deri dy muaj.
UDHËZIM ADMINISTRATIV
NR. 15/2008-MPB
PËR LLOJET E SHKELJEVE TË RËNDA DHE TË LEHTA DISIPLINORE NË POLICINË E KOSOVËS
Neni 5
Sjellja e rëndë diskredituese
Zyrtari policor dhe/apo stafi civil i Policisë së Kosovës është fajtor për sjellje të rëndë diskredituese, nëse:
[...]
5.12. Sillet në mënyrë të tillë duke i vënë hije të keqe apo të turpshme Policisë së Kosovës gjatë kryerjes së detyrës apo jashtë saj;
[...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Neni 21
[Parimet e përgjithshme]
[...]
4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai konteston kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. nr. 169/23] e Gjykatës Supreme të 29 majit 2023, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht me nënrregullin (2), të rregullit 39 të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 39
[Kriteret e pranueshmërisë]
(2) “Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
[...]
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme nuk arsyetuan vendimet e tyre gjyqësore dhe aplikuan në mënyrë të gabuar ligjin. Rrjedhimisht, shkelën të drejtën kushtetuese të tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Në lidhje me pretendimet për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
(i) në lidhje me interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit
Parashtruesi i kërkesës pretendon që vendimi i Komisionit disiplinor për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nuk ishte i bazuar në dispozita ligjore dhe as në provat e administruara. Ai thekson se veprimet e tij nuk përbënin shkelje disiplinore dhe nuk ishin sjellje denigruese, që do të mund ta dëmtonin reputacionin e Policisë së Kosovës. Sipas tij, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme i zbatuan dhe interpretuan në mënyrë të gabuar dispozitat e Ligjit për Policinë dhe të Udhëzimit administrativ.
Gjykata ripërsërit se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit dhe të ligjit të bëra nga gjykatat e rregullta. Është në autoritetin e gjykatave të rregullta të zbatojnë dhe interpretojnë të drejtën materiale. Gjykata mund të ndërhyjë vetëm në rastet kur vendimet e gjykatave të rregullta janë marrë në mënyrë “arbitrare” apo janë “qartazi të paarsyeshme”, duke shkelur kështu të drejtat kushtetuese të parashtruesve të kërkesës (rastet e Gjykatës, KI70/11, parashtrues Faik Hima, Magbule Hima dhe Besart Hima, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 dhjetorit 2011, paragrafët 29-30; KI06/17, parashtrues L.G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 tetorit 2017, paragrafi 37; KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 57; KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar “BARBAS”, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 korrikut 2019, paragrafët 60-65; KI70/20, parashtrues Rasim Shabani dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 tetorit 2021, paragrafët 69-74).
Gjykata thekson se nuk është “shkallë e katërt” e sistemit të drejtësisë dhe nuk mund të vlerësojë të gjeturat e gjykatave të rregullta, përveç kur ato mund të jenë arbitrare apo qartazi të paarsyeshme. Detyra e Gjykatës është të vlerësojë nëse procedura gjyqësore e zhvilluar kundër parashtruesit të kërkesës ishte e drejtë dhe nuk kishte ndonjë mangësi procedurale. (rasti i GJEDNJ-së, Tommaso kundër Italisë, nr. 43395/09, Aktgjykim i 23 shkurtit 2017, paragrafët 170-171).
Gjykata thekson se ekziston një keqkuptim te parashtruesit e kërkesës në lidhje me juridiksionin e saj. Gjykata nuk mund t’i zëvendësojë gjykatat e rregullta. Roli i saj është vetëm të sigurojë që vendimet e gjykatave të rregullta nuk kanë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesve të kërkesës. Nuk është detyrë e Gjykatës t’i vlerësojë faktet mbi të cilat gjykatat e rregullta kanë marrë vendimin. Po të vepronte kështu, do të tejkalonte limitet e juridiksionit të saj. (rasti i GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, aktgjykim i 21 janarit 1999; para. 28).
Gjykata vëren se në rastin konkret parashtruesi i kërkesës shërbeu në pozitën e rreshterit në Policinë e Kosovës. Në vitin 2012, Komisioni disiplinor në kuadër të Policisë së Kosovës vendosi për ndërprerjen e marrëdhënies së tij të punës. Komisioni disiplinor kishte konstatuar se tri veprime të parashtruesit të kërkesës binin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, me Ligjin për Policinë nr. 03/L-035 dhe Udhëzimin administrativ të MPB-së nr.15/2008. Sipas Komisionit disiplinor, parashtruesi i kërkesës në dy raste, jashtë detyrës zyrtare, kishte hyrë në marrëdhënie detyrimore me palët e treta, ndërkaq nuk i kishte përmbushur obligimet financiare që i kishte marrë përsipër. Në një rast tjetër, gjatë detyrës zyrtare, parashtruesi i kërkesës nuk i kishte iniciuar hetimet pa u konsultuar me prokurorin publik dhe me hetuesit e policisë. Këto përbënin veprime diskredituese që i kishin vënë hije të keqe apo të turpshme Policisë së Kosovës.
Parashtruesi i kërkesës nuk e mohoi faktin që në dy raste kishte hyrë në marrëdhënie detyrimore me palët e treta, jashtë detyrës zyrtare, dhe nuk i kishte përmbushur detyrimet financiare. Mirëpo, sipas tij, këto veprime nuk përbëjnë shkelje të rënda disiplinore dhe nuk mund të cilësohen diskredituese që do të mund t’i vendosnin hije të keqe Policisë së Kosovës.
Vendimi i Komisionit disiplinor u prish nga Gjykata Themelore, e cila pas kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës vendosi që ndërprerja e marrëdhënies së punës ishte e jashtëligjshme. Gjykata Themelore arsyetoi se parashtruesi i kërkesës kishte hyrë në detyrime me palët e treta jashtë punës zyrtare dhe nuk kishte përfituar nga pozita e tij. Ai ishte i lirë që si person privat të lidhte marrëveshje me palët e treta sipas vullnetit të tyre. Sa i përket veprës së tretë të kryer gjatë detyrës zyrtare, Gjykata Themelore arsyetoi se nuk kishte prova të mjaftueshme që dëshmonin fajësinë e tij.
Gjykata e Apelit, e më pas Gjykata Supreme nxorën qëndrime të kundërta me Gjykatën Themelore. Gjykata e Apelit arsyetoi se veprimet e parashtruesit të kërkesës e bënin atë të padenjë për ta mbajtur pozitën në Policinë e Kosovës sepse i kishin vënë hije të keqe institucionit. Në anën tjetër, Gjykata Supreme mbajti qëndrimin se ishte në autoritetin e punëdhënësit të vendoste nëse veprimet e parashtruesit të kërkesës ishin në kundërshtim me etikën e punës dhe nëse dëmtonin reputacionin e punëdhënësit. Gjykata Supreme u shpreh se me rëndësi është fakti që procedura e zhvilluar ndaj parashtruesit të kërkesës ishte në përputhje me ligjin dhe aktet e brendshme të punëdhënësit. Që të dyja këto instanca më të larta u bazuan në nenin 46 të Ligjit për Policinë, dhe në nenin 5.12 të Udhëzimit administrativ, që përcaktonin se sjellja e rëndë diskredituese që i vë hije të keqe apo të turpshme Policisë së Kosovës, është shkelje e rëndë disiplinore dhe një nga masat disiplinore për këto shkelje është ndërprerja e marrëdhënies së punës.
Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës kishte mundësinë që gjatë procedurës së zhvilluar pranë komisionit disiplinor dhe gjykatave të rregullta të paraqiste të gjitha argumentet dhe pretendimet e tij. Gjykata nuk mund t’i gjykojë faktet dhe provat e administruara nga Komisioni disiplinor dhe të gjykatave të rregullta. Është në autoritetin e tyre t’i vlerësojnë faktet dhe provat dhe të interpretojnë ligjin. Gjykata nuk është shkallë e katërt dhe nuk mund t’i zëvendësojë të gjeturat e tyre, përveç nëse ato janë arbitrare dhe qartazi të paarsyeshme.
Gjykata vlerëson se çështja kryesore në këtë rast ishte nëse veprimet e parashtruesit të kërkesës përbënin veprime diskredituese dhe i kishin vënë hije të keqe institucionit. Gjykata thekson se punëdhënësi ka autoritetin për të vlerësuar veprimet e të punësuarve të tyre, nëse ato munden, dhe deri në çfarë mase, ta dëmtojnë reputacionin dhe t’i shkaktojnë dëme imazhit të saj. Punëdhënësi është në gjendje që më mirë të përcaktojë se çka konsideron sjellje denigruese apo të pahijshme të punëtorëve të saj, dhe cilat veprime mund t’i vënë hije të keqe institucionit.
Sidomos kur kemi të bëjmë me institucione të rëndësishme siç është Policia, ruajtja e imazhit është shumë e rëndësishme për të mbajtur apo rritur besimin e publikut në punën e saj. Veprimet dhe sjelljet e zyrtarëve policorë duhet të ruajnë kredibilitetin e institucionit dhe të jenë në përputhje me kodin e etikës. Zyrtarët policorë që shërbejnë aty duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që ata mbajnë, dhe duhet ta kuptojnë që veprimet e tyre edhe jashtë orarit të detyrës zyrtare kanë ndikim në mënyrë se si të tjerët e perceptojnë punën e Policisë së Shtetit.
Gjykata vlerëson se procedura disiplinore dhe gjyqësore ndaj parashtruesit të kërkesës ishte e drejtë dhe nuk mund të theksohet ndonjë e metë që ka mundur t’i shkelë parashtruesit të kërkesës të drejtat e tij kushtetuese për një proces të rregullt gjyqësor.
Gjykata konstaton se pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me interpretimin dhe zbatimin e gabuar të ligjit, janë pretendime të “shkallës së katërt”, prandaj duhet refuzuar si të pa bazuara.
(ii) në lidhje me mos arsyetimin e vendimit gjyqësor
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon që Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme nuk arsyetuan mjaftueshëm vendimet e tyre, kur refuzuan kërkesëpadinë e tij dhe vërtetuan vendimin e Komisionit disiplinor për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Gjykata rikujton se gjykatat e kanë detyrimin për të paraqitur arsyetime të mjaftueshme për vendimet e tyre. Një vendim i arsyetuar tregon që rasti i parashtruesve është shqyrtuar me të vërtetë (rasti i GJEDNJ-së, H. kundër Belgjikës, nr. 8950/80, Aktgjykim i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53). Gjykatat përkundër që kanë liri të caktuar të vlerësimit lidhur me përzgjedhjen e argumenteve dhe vendosjes për pranueshmërinë e dëshmive, ato janë të detyruara të arsyetojnë veprimet dhe vendimet e tyre (rasti i GJEDNJ-së, Suomine kundër Finlandës, nr. 37801/97, Aktgjykim i 24 korrikut 2003, paragrafi 36; Carmel Saliba kundër Maltës, nr. 24221/13, Aktgjykim i 24 prillit 2017, paragrafi 73).
Gjykata përsërit se gjykatat e rregullta kanë obligimin të shqyrtojnë argumentet kryesore të palëve dhe të trajtojnë me kujdes të veçantë kërkesat në lidhje me të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ (rastet e GJEDNJ-së, Buzescu kundër Rumanisë, nr. 61302/00, Aktgjykim i 24 gushtit 2015, paragrafi 67; Wagner dhe JMËL kundër Luksemburgut, nr. 76240/02, Aktgjykim i 28 qershorit 2007, paragrafi 96; rasti i Gjykatës, KI82/22, parashtrues Valon Loxhaj, Aktgjykim i 7 qershorit 2023, paragrafët 65-76). Në parim, Gjykata e Apelit thjesht mund ta pranoj arsyetimin e gjykatës më të ulët. Megjithatë, edhe kur përsëritjet apo inkorporohet arsyetimi i gjykatës më të ulët, Gjykata e Apelit duhet të adresojë çështjet kryesore të ngritura nga palët dhe jo vetëm të përsërit arsyetimin e gjykatës më të ulët pa u përpjekur për më shumë. Në këtë mënyrë përmbushet qëllimi që procedura të jetë e drejtë, sidomos në rastet kur palët nuk kishin mundësi për të prezantuar argumentet e tyre në mënyrë verbale. (rasti i GJEDNJ-së, Helle kundër Finlandës, nr. 157/1996/776/977, aktgjykim i 19 dhjetorit 1997, para. 60).
Gjykata thekson se në rastin konkret, Komisioni disiplinor vendosi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për parashtruesin e kërkesës për shkak se veprimet e këtij të fundit ishin diskredituese dhe i kishin vënë hije të keqe dhe të turpshme Policisë së Kosovës. Komisioni disiplinor u bazua në nenin 46 të Ligjit për Policinë dhe nenin 5.12 të Udhëzimit administrativ. Neni 46 i Policisë përcakton që zyrtarët policorë bëjnë shkelje të rëndë disiplinore nëse, ndër të tjera, kryejnë apo tentojnë të kryejnë sjellje të rënda diskredituese. Ndërkaq, nenin 5.12 i Udhëzimit administrativ përcakton një numër të madh të veprimeve të cilat cilësohen si sjellje e rëndë diskredituese. Këtu përfshihen sjelljet që i vënë hije të keqe apo të turpshme Policisë së Kosovës, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare apo jashtë saj.
Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme u mbështetën në këto dispozita të lartcekura ligjore kur vendosën mbi ligjshmërinë e vendimit të Komisionit disiplinor për largimin nga puna të parashtruesit të kërkesës. Gjykata e Apelit arsyetoi se veprimet e parashtruesit të kërkesës përbënin sjellje diskredituese dhe e bënin të padenjë parashtruesin e kërkesës për mbajtjen e detyrës. Gjykata Supreme arsyetoi se autoritetin për të vendosur në lidhje me veprimet që shkelin kodin e etikës e kishte punëdhënësi, gjithmonë duke e zhvilluar procedurën e përcaktuar nga ligji dhe aktet e brendshme.
Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta dhe komisioni disiplinor dhanë arsye të mjaftueshme ligjore për vendimet e tyre, si dhe adresuan çështjet kryesore në këtë procedurë gjyqësore.
Gjykata konstaton se pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi për mos arsyetim të vendimit gjyqësor, janë pretendime me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, prandaj duhet refuzuar si të pabazuara.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 22 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Osman Bunjaku
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile