Prishtinë, më 18 shtator 2023
Nr. ref.:RK 2259/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI148/22
Parashtrues
Musli Gashi
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktgjykimit A.A.nr.6/2022 të 30 majit 2022 të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Musli Gashi nga fshati Leshan, Komuna e Suharekës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [A.A.nr.6/2022] të 30 majit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Vendimin [KPK.nr.510/2022] të 14 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPK).
Parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme e ka pranuar më 6 qershor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, pasi që i njëjti pretendon se është nxjerrë në kundërshtim me nenin 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura para Gjykatës Kushtetuese
Më 29 shtator 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 5 tetor 2022 Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës Supreme dhe KPK-së.
Më 10 tetor 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit [Nr.GJR.KI148/22] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzie Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi, anëtarë.
Më 21 nëntor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë dokumente shtesë, ku në to përfshihej vendimi i Gjykatës së Apelit e cila kishte vendosur lidhur me lëndën ku parashtruesi ishte prokuror i rastit.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 31 gusht 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në shkresat e lëndës, më 25 mars 2021, parashtruesi i kërkesës në cilësinë e prokurorit ka ngritur aktakuzën PP/II./nr. 2034-5/2021, kundër te akuzuarve F.F dhe H.F, për shkak te veprës penale privim i kundërligjshëm i lirisë, nga neni 193, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, te Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë:KPRK –së) dhe veprës penale Lëndim i lehte trupor, nga neni 185, paragrafi 1, nen paragrafi 1.4, lidhur me nenin 31, te KPRK-së, ku i dëmtuar ne rastin konkret ka qenë i mituri E.SH, ku sipas panelit hetimor të KPK-së parashtruesi i kërkesës duke gabuar rende ne kualifikimin juridik të veprës penale, përkundër asaj se vepra penale është kryer ndaj te miturit e qe ka cilësinë e viktimës se ndjeshme dhe po ashtu lëndimet i janë shkaktuar duke përdorur mjet të rrezikshëm dhe përkundër udhëzimeve te kryeprokurorit qe te bëjë përmirësimin dhe korrigjimin e aktakuzës ne drejtim te cilësimit juridik të saktë dhe të drejtë të veprave penale, i njëjti refuzoi të zbatoj udhëzimin me shkrim te kryeprokurorit dhe qëndroi pranë aktakuzës së ngritur.
Më 6 dhjetor 2021, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren (në tekstin e mëtejmë: KPTHP) përmes Kërkesës për fillimin e hetimeve disiplinore [AD.nr.06/21] kërkoi nga KPK-ja fillimin e hetimit disiplinor ndaj parashtruesit të kërkesës në mbështetje të nenit 12 paragrafi 2 të Ligjit Nr.06/L-057 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nenit 8, paragrafi 2 të Rregullores për procedurën Disiplinore të Prokurorëve Nr.05/2019 , dhe rekomandoi që ti shqiptohet sanksioni disiplinor “vërejtje publike me shkrim” konform nenit 7 paragrafi 1 pika 1.2 të Ligjit Nr.06/L-057 për përgjegjësin disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas kërkesës për fillimin e hetimeve disiplinore, inicimi i kësaj kërkese ishte bërë për shkak se veprimet e prokurorit ne këtë lëndë fare nuk kane qene profesionale dhe konform dispozitave te Kodit te Procedurës Penale dhe Aktakuza nuk është përpiluar konform gjendjes faktike dhe provave te siguruara gjate hetimit, ku kemi gjetur se ne veprimet e prokurorit qëndrojnë dyshime se ka kryer shkelje disiplinore, nga neni 6, paragrafi 2, pika 2.2 dhe 2.6, te Ligjit Nr. 06/L - 057 për përgjegjësinë disiplinore te gjyqtareve dhe prokuroreve.
Më 6 dhjetor 2021, KPTHP njoftoi parashtruesin e kërkesës lidhur me kërkesën e parashtruar në KPK për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj tij.
Më 28 dhjetor 2021, KPK përmes vendimit [KPK-Nr.945/2021] themeloi Panelin Hetimor për hetimin e rastit disiplinor [AD.nr.06/21] ndaj parashtruesit të kërkesës.
Më 4 shkurt 2022, Paneli Hetimor paraqiti raportin përmes të cilit gjeti që parashtruesi i kërkesës “...nuk ka përgjegjësi disiplinore sa i përket pretendimit të Autoritetit Përgjegjës –Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren”.
Më 15 shkurt 2022, KPK mbajti seancë dëgjimore për shqyrtimin e çështjes disiplinore të parashtruesit të kërkesës, në cilën seancë kishin marrë pjesë kryesuesi i panelit hetimor dhe parashtruesi i kërkesës. Gjatë kësaj seancë ishte vendosur që raporti ti kthehet panelit hetimor që të vërtetohet nëse prokurori është konsultuar me kryeprokurorin për mos përfshirjen e këtyre fakteve në dispozitiv të aktakuzës, ngase parashtruesi i kërkesës gjatë seancës kishte deklaruar se çdo veprim që e ka ndërmarrë në rastin për të cilin hetohej, ishte konsultuar me kryeprokurorin.
Më 18 mars 2022, Paneli Hetimor paraqiti raportin e plotësuar përmes të cilit erdhi në përfundim se: “ Bazuar ne provat e sipër përmendura, Paneli Hetimor ka gjetur se Prokurori Musli Gashi ka përgjegjësi disiplinore për shkak të shkeljeve nga neni 6 paragrafi 2 nën paragrafi 2.2. te Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse me rastin e përshkrimit te gjendjes faktike ne diapozitivin e aktakuzës nuk ka marr parasysh provat dhe faktet fajësuese dhe shfajësuese gjatë hetimit te krimit, (se viktima ishte e ndjeshme dhe se viktima ishte goditur me mjete të fortë prehës), andaj paneli hetimor propozon qe të aprovohet propozimi i Autoritetit Përgjegjës- Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore ne Prizren që ndaj subjektit të hetimit - prokurorit Musli Gashi te shqiptohet masa disiplinore Vërejtje Publike me Shkrim”.
Më 14 prill 2022, KPK përmes Vendimit [KPK/Nr.510/2022] vendosi: (i) aprovohet raporti i plotësuar i panelit hetimor AD.nr.06/2021 të 18 marsit 2022; (ii) vërtetohet se prokurori Musli Gashi ka vepruar në kundërshtim me nenin 6 paragrafi 2 nën paragrafi 2.2 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; dhe (iii) prokurorit Musli Gashi i shqiptohet sanksioni disiplinor, Vërejtje Publike me shkrim, sipas nenit 7 paragrafi 1 pika 1.2 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Më 4 maj 2022, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatës Supreme kundër Vendimit [KPK/Nr.510/2022] të 14 prillit 2022 të KPK-së, për shkak të zbatimit të gabuar të Ligjit nr.03/L-225 për Prokurorinë e Shtetit, dhe për shkak të shkeljeve procedurale, me propozimin që ankesa e tij të aprovohet dhe vendimi i kontestuar të ndryshohet duke e liruar nga përgjegjësia disiplinore.
Më 30 maj 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [A.A.nr.6/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa vendimin [KPK/Nr.510/2022] të 14 prillit 2022 të KPK-së e vërtetoi.
Pretendimet e parashtruesit
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [A.A.nr.6/2022] e 30 majit 2022 të Gjykatës Supreme, me pretendimin se aktgjykimi i kontestuar është nxjerrë në kundërshtim me nenin 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës pretendon se neni 109 paragrafi 1 i Kushtetutës përcakton në mënyrë shprehimore prokurorin e shtetit si organ të pavarur, i cili është përgjegjës për ndjekje penale ndaj personave për vepra penale.
Tutje parashtruesi i kërkesës thekson se” ...kryeprokurori ka iniciuar procedurë disiplinore me datë 6.12.2021 dite e hëne, pra si mund ta bëjë korrigjimin gjatë ditëve të vikendit kur natyra e punëve nuk është urgjente. Pra as Këshilli Prokurorial as Gjykata Supreme nuk ka shqyrtuar dhe vlerësuar këtë fakt. Andaj konsideroj se pretendimet, se precizimin e aktakuzës nuk e kamë bërë kur është kërkuar nga kryeprokurori por e kam bërë kur e ka kërkuar gjykata, janë të paqëndrueshme dhe të pajustifikueshme. Po ashtu pretendimet se prokurori ka fshehur disa fakte që kishin ndikuar në kualifikimin juridik si mjet dhe se viktima është fëmijë janë po ashtu të pa qëndrueshme sepse unë nuk ja kam falë besimin pasi që njësia e forenzikës nuk ka gjetur asgjë ndërsa si viktimë e ndjeshme unë të dëmtuarin e kam marr në pyetje si viktimë e ndjeshme”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon që vendimi i KPK-së është nxjerrë në kundërshtim me nenin 13 paragrafi 7 të Ligjit nr.05/L-034, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-225 për prokurorin e shtetit, me Ligjin nr.06/L-057 për përgjegjësit disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përkatësisht nenit 6 paragrafi 2.6, si dhe në kundërshtim me nenin 46 dhe 47 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.
Në fund parashtruesi i kërkesës nga Gjykata kërkon që të shpallet joligjor dhe i pabazuar, Vendimi KPK/Nr.510/2022 i 14 prillit 2022 i KPK-së.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
[...]
Neni 109
[Prokurori i Shtetit]
Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale të personave të akuzuar për ndonjë vepër penale ose për ndonjë vepër tjetër, sikurse është rregulluar me ligj.
LIGJI Nr. 06/L - 057 PËR PËRGJEGJËSINË DISIPLINORE TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE
Neni 6
Shkeljet disiplinore për prokurorë
Prokurori kryen shkelje disiplinore nëse ai ose ajo: 1.1. dënohet për një vepër penale;
1.2. shkel ligjin; ose
1.3. shkel detyrat e tij zyrtare si prokuror.
2. Shkelje e detyrave të prokurorit, sipas këtij ligji, përfshin veprimet e mëposhtme, në qoftë se prokurori i kryen me dashje ose nga pakujdesia e rëndë:
2.1. në mënyrë të vazhdueshme nuk ndërmerr ndonjë veprim prokurorial që kërkohet me ligjin në fuqi ose nuk ushtron funksionet prokuroriale brenda afateve kohore të parapara me ligj, përveç nëse serioziteti i mos veprimit apo niveli i shkeljes paraqet bazë për inicimin e procedurës disiplinore për një shkelje të vetme;
2.2. nuk merr parasysh provat dhe faktet fajësuese dhe shfajësuese gjatë hetimit të krimit dhe nuk siguron që hetimi është zhvilluar në respektim të plotë të të drejtave të të pandehurit;
2.3. komunikon me personat e paautorizuar informacionin konfidencial të marrë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare;
2.4. nuk siguron se dëshmitë dhe faktet gjatë hetimeve mblidhen në përputhje me ligjin;
2.5. nuk merr parasysh të drejtat e dëshmitarëve ose palëve të dëmtuara, veçanërisht për të marrë masa për të mbrojtur jetën, sigurinë dhe privatësinë e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi;
2.6. nuk vepron në përputhje me vendimet apo udhëzimet e ligjshme të kryeprokurorit;
2.7. nuk merr pjesë në procedura disiplinore dhe nuk i përgjigjet hetimeve disiplinore, përveç kur lejohet me ligj;
2.8. ofron informata të rrejshme ose çorientuese në çështjet që lidhen me procedurat disiplinore dhe procedurat administrative prokuroriale, përfshirë ngritjen në detyrë dhe transferimet, përveç nëse ndryshe nuk parashihet me ligj;
2.9. në vazhdimësi nuk merr pjesë, pa justifikim të arsyeshëm, në programet e detyrueshme trajnuese të përcaktuara me ligj ose me rregulloret dhe politikat përkatëse;
2.10. përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e prokurorit të shtetit ose që mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e prokurorit të shtetit;
2.11. pranon çfarëdo lloj dhurate apo shpërblimi që mund të ndikoj apo duket se ndikon në vendimet dhe veprimet zyrtare;
2.12. keqpërdor pozitën zyrtare në çfarëdo forme për përfitime të paligjshme për veten ose personat e tjerë ose për qëllime tjera në kundërshtim me ligjin;
2.13. anëtarësohet në ndonjë subjekt politik, ose ndonjë organizatë tjetër politike, kërkon ose mban ndonjë post politik, kandidon ose zgjidhet në ndonjë post politik, apo angazhohet në ndonjë aktivitet politik.
Neni 7
Sanksionet disiplinore
1. Për shkelje disiplinore, Këshillat përkatës mund t’u shqiptojnë gjyqtarëve dhe prokurorëve një ose më shumë nga sanksionet disiplinore në vijim:
1.1. vërejtje jopublike me shkrim;
1.2. vërejtje publike me shkrim;
1.3. zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë përqind (50%) për një periudhë deri në një (1) vit;
1.4. transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ulët;
1.5. propozim për shkarkim.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin [A.A.nr.6/2022] e 30 majit 2022 të Gjykatës Supreme; se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; se i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç parashihet me nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nën rregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcakton:
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.
Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastet e Gjykatës KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; dhe KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit,, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, përkitazi me vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Duke iu kthyer rrethanave të rastit konkret, Gjykata rikujton se KPK, parashtruesit të kërkesës i kishte shqiptuar sanksionin disiplinor Vërejtje publike me shkrim, në bazë të rekomandimit të panelit hetimor, pasi që ishte vërtetuar se parashtruesi i kërkesës ka përgjegjësi disiplinore sepse me rastin e përshkrimit të gjendjes faktike ne diapozitivin e aktakuzës nuk ka marr parasysh provat dhe faktet fajësuese dhe shfajësuese gjate hetimit te krimit se viktima ishte e ndjeshme dhe se viktima ishte goditur me mjet te forte prehës. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të KPK-së, e cila ankesë ishte refuzuar si e pabazuar si dhe ishte vërtetuar vendimi KPK.Nr.510/2022 i 14 prillit 2022 i KPK-së.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon se Gjykata Supreme i ka shkelë të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak se nuk ka bërë vërtetim të plotë dhe të saktë të fakteve si dhe është zbatuar gabimisht Ligji për Prokurorin e Shtetit , duke arsyetuar [...] “...se vendimi i KPK-së nr.510/2022 i 14.04.2022 është nxjerrë në kundërshtim me nenin 13 paragrafi 7 të Ligjit nr.03/L-034, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-225 për prokurorin e shtetit, me Ligjin nr.06/L-057 për përgjegjësit disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përkatësisht nenit 6 paragrafi 2.6. Si dhe në kundërshtim me nenin 46 dhe 47 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, i cili shprehimisht ka paraparë se prokurori vendimin e merr në mënyrë të pavarur ”.
Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretim dhe aplikim të gabuar të ligjit, te cilat si te tilla ngrenë çështje ligjshmërie dhe si rregull i përgjithshëm bien në juridiksionin e gjykatave të rregullta dhe jo të Gjykatës Kushtetuese.
Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).
Gjykata vëren se Gjykata Supreme arsyetojë në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimin përkatës, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.
Gjykata Supreme, e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi vendimin e KPK-së në tërësi. Në lidhje me këtë, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit A.A.nr.6/2022, i ishte përgjigjur të gjitha pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, ku ndër të tjera arsyetoi “[...] Subjekti hetimor ne ankesën e paraqitur pretendon se KPK ka zbatuar gabimisht Ligjin për Prokurorin e Shtetit (Ligji nr.03/L-225), i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.05/L-034. Gjykata Supreme vlerëson se një pretendim i tille është i gabuar ngase subjekti i hetimit nuk është shpallur përgjegjës për shkelje te detyrave te tij ne lidhje me atë kur prokurori nuk vepron ne përputhje me vendimet apo udhëzimet e ligjshme te prokurorit, por ne këtë rast subjekti i hetimit është gjet si përgjegjës për shkelje qe ka te beje me atë se gjate trajtimit te rastit - përshkrimit te gjendjes faktike ne diapozitivin e aktakuzës nuk ka marr parasysh provat dhe faktet fajësuese dhe shfajësuese se viktima ishte e ndjeshme dhe se viktima ishte goditur me mjet te forte prehes. Gjykata vlerëson se e-maili te cilin kryeprokurori ia ka dërguar subjektit te hetimit nuk mund te trajtohet si udhëzim i natyrës se tille për te ndërhyrë ne pavarësinë funksionale dhe profesionale te prokurorit, por ka qenë njoftim për prokurorin e rastit përmes te cilit janë vene ne pah lëshimet te cilat janë vërejtur ne përpilimin e aktakuzës. Pra, përmes e-mailit, prokurori i rastit është vene ne dijeni te fakteve dhe provave qe kane te bëjnë me viktimën e ndjeshme dhe mjetit qe është përdorë ne kryerjen e veprës penale, te cilat është dashur te jene pjese e diapozitivit te aktakuzës, te cilat me vone janë përmirësuar nga prokurori, por vetëm pas kërkesës se gjykatës kur i është kthyer prokurorit aktakuza ne plotësim dhe rikualifikim.[...]”.
Gjykata Supreme e Kosovës, e ka pranuar qëndrimin e KPK-se, për zbatimin e te drejtës materiale, duke vlerësuar se ne përputhje me gjendjen faktike te provuar e drejta materiale është zbatuar ne mënyrë te drejte dhe te ligjshme, për arsye se me nenin 6 paragraf 2 nen paragraf 2.2 te Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore te Gjyqtareve dhe Prokuroreve, përcaktohet se: " Shkelja e detyrave te prokurorit sipas këtij ligji, përfshin veprimet e mëposhtme, ne qoftë se prokurori kryen me dashje apo nga pakujdesia e rende: nuk merr parasysh provat dhe faktet fajësuese dhe shfajësuese gjate hetimit te krimit dhe nuk siguron qe hetimi është zhvilluar ne respektim te plote (e te drejtave të të pandehurit". Ndërsa me nenin 7 paragraf 1 te këtij ligji përcaktohet se: " Për shkelje disiplinore, këshillat përkatës mund ti shqiptojnë gjyqtareve dhe prokuroreve një ose me shume nga sanksionet disiplinore ne vijim: 1.1. vërejtje jopublike me shkrim; 1.2. vërejtje publike me shkrim; 1.3. zvogëlim i përkohshëm i pagës deri ne 50% për një periudhe deri ne një vit; 1.4. transferim i përkohshëm ose i përhershëm ne një gjykate apo prokurori tjetër te nivelit më të ultë; 1.5. propozim për shkarkim ", ndërsa me paragrafin 2 te këtij neni përcaktohet se; "Masa disiplinore shqiptohen vetëm ne përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe duke marr parasysh: 2.1. numrin dhe seriozitetin e shkeljeve disiplinore të kryera nga një gjyqtar dhe prokuror; 2.2 pasojat e shkeljes disiplinore; 2.3. rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore; 2.4.përformanca dhe sjelljen e përgjithshme të gjyqtarit apo prokurorit dhe 2.5. sjelljen dhe nivelin e bashkëpunimit të gjyqtarit apo prokurorit gjatë procedurës disiplinore”. Nga interpretimi i këtyre dispozitave ligjore, Gjykata Supreme erdhi ne përfundim se KPK, drejt ka aplikuar te drejtën materiale dhe se është konstatuar përgjegjësia disiplinore e prokurorit te pretenduar nga Autoriteti Kompetent, për çka edhe ia ka shqiptuar sanksionin disiplinor. Po ashtu, Gjykata Supreme vlerëson se sanksioni disiplinor i shqiptuar nga KPK, është ne përputhje të plote me parimin e proporcionalitetit për faktin se me rastin e vendosjes ka marr parasysh seriozitetin e shkeljes disiplinore të kryer nga prokurori, pasojat e shkeljes disiplinore, rrethanat ne te cilën është kryer shkelja disiplinore, performanca dhe sjellja e përgjithshme e prokurorit si dhe sjellja dhe bashkëpunimi i prokurorit në procedure disiplinore, rrethana këto qe kane ndikuar gjetjen e nivelit te proporcionalitetit, ne mes te shkeljes disiplinore dhe masës disiplinore, siç përcaktohet me nenin 7 paragrafi 2 te Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore te Gjyqtareve dhe Prokuroreve”.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se çështja e interpretimit të ligjit është çështje që përcaktohet nga gjykatat e rregullta në kuadër të detyrave dhe prerogativës së tyre për konstatim të gjendjes faktike dhe zbatim të ligjit material e procedural në rastet individuale dhe se në këtë drejtim nuk mund të thuhet se janë cenuar garancitë procedural nga neni 31 i Kushtetutës.
Gjykata thekson që në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si rezultat i vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të ligjit, thekson se, Gjykatat e rregullta kanë bërë zbatim të gabuar të Ligjit për Prokurorin e Shtetit, megjithatë ai nuk e mbështet në asnjë mënyrë dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se si procedurat pranë Gjykatës Supreme, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme ka marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe ka arsyetuar qartazi të njëjtat (Shih rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI22/19, cituar më lart, paragrafi 43).
Për me tepër, bazuar nga shkresat e lëndës, Gjykata konstaton që parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi po ashtu që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tij, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës, dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë (shih mutatis mutandis, Aktgjykimi i GJEDNJ-së i 21 janarit 1999, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, paragrafët 29 dhe 30; shih gjithashtu rastin e Gjykatës KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për Papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Thënë këtë Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme arsyetoi në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe me këtë rast, të njëjtat ishin shpallur si të pabazuara. Sa më sipër, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur qe pretendimet e tij për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë t’i ngrejë në nivel kushtetutshmërie.
Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm lidhur me aplikimin e gabuar të ligjit janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 31 gusht 2023, njëzëri:
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Musli Gashi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative