Prishtinë, më 25 prill 2024
Nr.ref.: RK 2415/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI152/22
Parashtrues
Bejtush Babatinca
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Ac. Nr. 493/2021, të 19 korrikut 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar.
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Bejtush Babatinca me vendbanim në Podujevë, i cili përfaqësohet nga Nysret Mjeku, avokat nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Ac. nr. 493/2021] të 19 korrikut 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) në ndërlidhje me Aktgjykimin [C. nr. 1707/18] e 12 tetorit 2020, të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetua).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 12 tetor 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 26 tetor 2022, Kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani përmes Vendimit [Nr. GJR. KI152/22] caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues përmes Vendimit [Nr. KSH. KI152/22] të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Remzije Istrefi Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 25 tetor 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës, si dhe kërkoi nga i njëjti që të (i) dorëzonte kopjen e vendimit të Gjykatës Themelore; si dhe (ii) autorizimin për përfaqësim në Gjykatë.
Më 25 tetor 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën e Apelit për regjistrimin e kërkesës si dhe i ofroi të njëjtës një kopje të kërkesës.
Më 28 tetor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë vendimin e kërkuar si dhe autorizimin për përfaqësim në Gjykatë.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 29 gusht 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe kërkoi plotësimin e kërkesës.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 20 mars 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Parashtruesi i kërkesës kishte punuar në ndërmarrjen publike Korporata Energjetike e Kosovës Sh. A. (në tekstin e mëtejmë: ndërmarrja publike KEK), nga 22 shkurti 1982, deri në arritjen e moshës së pensionimit, për më shumë se 30 vite respektivisht deri më 12 dhjetor 2017.
Më 26 dhjetor 2017, KEK përmes Vendimit i kishte paguar parashtruesit të kërkesës tri paga përcjellëse në shumën prej 1,518 euro, si rezultat i daljes së parashtruesit të kërkesës në pension.
Përveç marrjes së tri pagave përcjellëse, më 28 maj 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi për tri paga jubilare në shumë prej 1555.00 euro, kundër ndërmarrjes publike KEK bazuar në nenin 52, paragrafi 1, pika (3) e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, e cila ishte në fuqi prej 1 janarit 2015, deri më 31 dhjetor 2017.
Më 12 tetor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr. 1707/18] vendosi që të: (I) Aprovohet pjesërisht kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës; (II) vendosi që të detyrohet e paditura KEK, që parashtruesit të kërkesës në emër të tri pagave të shpërblimit jubilar t'ia paguaj shumen prej 1.518.00 euro së bashku me normën e kamatës prej 8%, e cila do të llogaritej nga dita e marrjes së aktgjykimit, gjegjësisht prej datës 12 tetor 2020, e gjer në pagesën definitive, të gjitha këto në afat prej 7 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcënimin e përmbarimit ligjor. Në pikën III të dispozitivit të aktgjykimit është detyruar e paditura KEK që parashtruesit t'ia kompensoj shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë prej 269 euro; si dhe (IV) Pjesa tjetër e kërkesëpadisë të parashtruesit të kërkesës, përtej shumës së aprovuar prej 37.00 euro, refuzohet si e pabazuar.
Në një datë të pacaktuar dhe brenda afatit të paraparë ligjor, KEK në cilësi të palës së paditur, paraqiti ankesë: (i) për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore; (ii) konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; dhe për shkak të (iii) zbatimit të gabuar të së drejtës materiale; me propozim që aktgjykimin e ankimuar ta prishë dhe çështjen ta kthejë në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë ose aktgjykimin e atakuar ta ndryshojë dhe kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës ta refuzojë në tërësi si të pabazuar. Në anën tjetër, parashtruesi i kërkesës nuk paraqiti përgjigje në ankesë.
Më 19 korrik 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr. 493/2021]: (I) aprovoi si të themeltë ankesën e të paditurës KEK, dhe ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C.nr.1707/18] të 12 tetorit 2020, duke gjykuar si vijon: refuzohet kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës, me të cilën kishte kërkuar që të "detyrohet e paditura KEK, që atij t'ia paguaj tri (3) paga në emër të shpërblimit jubilar në shumë prej 1,555.00€, me kamatë ligjore prej 8%, nga data e paraqitjes së padisë, e deri në pagesën definitive, në afat prej 7 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm", në tërësi si të pa bazuar; (II) Pika IV e dispozitivit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore, mbetet e pa shqyrtuar; dhe (III) Secila palë i bartë shpenzimet e veta procedurale. Në arsyetimin e saj Gjykata e Apelit kishte theksuar si në vijim:
“Po ashtu në mes palëve ndërgjyqëse nuk ishte kontestues fakti se e paditura ia kishte paguar paditësit tri paga përcjellëse në shumë prej 1,518€, kjo u vërtetua nga Vendimi i të paditurës 26.12.2017. Kontestuese ne mes palëve ndërgjyqëse është nëse paditësit i takon e drejta për kompensimin e tri pagave në emër të shpërblimit jubilar dhe fakti se a është parashkruar kërkesa për kompensimin e pagave jubilare sipas ligjit.
Gjykata ankimore gjate vlerësimit të pretendimeve ankimore, gjen se gjykata e shkallës së parë ka bërë zbatim të gabuar të së drejtës materiale, sepse pas shikimit të shkresave të lëndës kjo Gjykatë gjeti se padia e paditësit është paraqitur jashtë afatit të paraparë ligjor dhe si e tillë do të duhej të refuzohej si e pa bazuar për shkak të parashkrimit.
Nga shkresat e lëndës vërehet se paditësi Bejtush Babatinca tek e paditura ka më shumë se 30 vite përvojë pune e kjo vërtetohet nga kartela e punëtorit e lëshuar nga e paditura me datë 10.04.2019 si dhe kontrata e punës nr. 3798/0 e datës 01.01.2017. Po ashtu nga shkresat e lëndës vërehet se paditësi me rastin e daljes në pension i janë paguar tri (3) paga përcjellëse në pension.
Gjykata e Apelit gjen se paditësi jubilenë e 30 e ka mbushur në vitin 2010, ashtu që në atë periudhë edhe i ka lindur e drejta për të kërkuar kompensimin e pagës jubilare nga e paditura, mirëpo në periudhën kur paditësi e ka mbushur jubilenë, nuk ka pasur kontratë kolektive në fuqi, andaj nuk ka bazë ligjore për të kërkuar kompensim, pra ne rastin konkret nuk është me rendësi shumë periudha kur është kërkuar pasi çështje paraprake është se a ka pasur ne fuqi kontratë kolektive në kohën e përmbushjes së kushtit për kompensim të pagës jubilare.
Meqenëse në vitin 2010 në kohën kur paditësi i ka mbushur 30 vite të përvojës së punës, ka munguar baza ligjore ashtu që kërkesëpadia e paditësit është e pa bazuar, pasi që me hyrjen në fuqi të kontratës kolektive me datë 01.01.2015 i ka lindur e drejta të gjithë punëtorëve që arrijnë jubilenë pas hyrjes në fuqi të kësaj kontrate dhe jo atyre që jubilenë e kanë arritur para hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje dhe nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshje 'kolektive kanë lindur të drejtat dhe detyrimet në mes palëve nënshkruese të kësaj marrëveshje. Andaj mbi këtë bazë edhe gjykata vendosi që të ndryshoj aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes vendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon që “Marrëveshja e përgjithshme kolektive e Kosovës, i referoheni Nenit 81 alinea 2 ku thuhet se nga Marrëveshja e përgjithshme kolektive e Kosovës, nuk tërhiqet as njëra palë nënshkruese, e që është rasti konkret se palët nënshkruese nuk janë tërhjek nga Marrëveshja, zbatimi i Marrëveshjes vazhdon edhe për një vit, edhe atë gjate vitit 2019.”
Sipas vlerësimit të parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit nuk e kishte përfillur këtë fakt shumë me rëndësi kur kishte konstatuar se padia e tij ishte paraqitur jashtë afatit dhe mbi këtë bazë e kishte refuzuar padinë si të pa bazuar, edhe pse Gjykata Themelore e kishte aprovuar si të bazuar. Rrjedhimisht, sipas parashtruesit të kërkesës, në bazë të Nenit 31 të Kushtetutës, atij i janë shkelur të drejtat për një Gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Në vijim, parashtruesi i kërkesës gjithashtu thekson që janë disa raste në të cilat Gjykata e Apelit ka aprovuar shpërblimet jubilare, mirëpo i njëjti vetëm ka dorëzuar disa aktgjykime (disa nga to edhe të pakompletuara) si dhe nuk ka sqaruar ngjashmëritë me rastet konkrete. Në vijim, parashtruesi i kërkesës lidhur me këtë pretendim gjithashtu thekson që: “pala paraqet këto fakte që Gjykata Kushtetuese me rastin e shqyrtimit të kërkesës mund ti përdor për vendosje positive. Gjykata e Apelit në Prishtinë, për rastet e njëjta ka nxjerrë Aktgjykime pozitive për paditësit dhe atë: 1. Rr. A., Aktgjykimi Ac.nr.2500/19, të datës 30.07.2020, 2. H. M., Aktgjykimi Ac.nr.1268/20, i datës 11.02.2019, 3. A. B., Aktgjykimi Ac.nr.538/19, i datës 6.05.2019, 4. A. M., Aktgjykimi Ac.nr.1277/20, i datës 01.7.2020, 5. M. A., Aktgjykimi Ac.nr.1275/20, i datës 14.09.2020.”
Dispozitat relevante Kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës Kosovës
Neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
[...]
LIGJI NR.03/L-212 I PUNËS
Neni 87
[Afati i parashkrimit]
Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës.
Neni 90
Marrëveshja Kolektive
“[...]
4. Marrëveshja Kolektive mund të lidhet për një periudhë të caktuar me kohëzgjatje jo më shumë se tri (3) vjet.”
MARRËVESHJEN E PËRGJITHSHME KOLEKTIVE TË KOSOVËS
Neni 3
Aplikimi dhe përfshirja
Dispozitat e MPKK-së aplikohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës
Neni 52
Shpërblime jubilare
1. I punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë:
1.1.për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij;
1.2.për 20 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të dy pagave mujore të tij;
1.3.për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri pagave mujore të tij.
2.Punëdhënësi i fundit është ai që paguan shpërblime jubilare.
3.Shpërblimi jubilar, paguhet në afat prej një muaji, pas plotësimit të kushteve nga ky paragraf.
Neni 53
Kompensimi në rast të pensionimit
I punësuari, me rastin e pensionimit, gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej tri (3) paga mujore, që i ka marrë për tre (3) muajt të fundit.
Mendim Juridik për Shpërblimin Jubilar i Gjykatës Supreme të Kosovës, i 27 shkurtit 2023
Marrëveshja/Kontratat e aplikueshme
“II. Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës e lidhur me date 18.03.2014, dhe nënshkruar nga Organizatat e punëdhënësve (Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit), Organizatat e të punësuarve (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës), si dhe Qeveria e Republikës se Kosovës, (Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale), (në tekstin e me tejme: Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës) aplikohet ne periudhën kohore nga data 01.1.2015 - 31.12.2017.”
Kushtet për të fituar të drejtën shpërblimit jubilar:
“VI. I punësuari ne bazë të Marrëveshjes se Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ka të drejtë në shpërblimin jubilar siç përcaktohet me nenin 52, të kësaj marrëveshje, nëse plotësohen këto kushte dhe atë: a) që viti jubilar i punësimit për 10,20 dhe 30 vjet të arrihet në kohen kur kjo marrëveshje aplikohet si në pikën II, të këtij mendimi juridik, dhe b) përvoja e punës për 10,20 dhe 30 vjet duhet te jete e pandërprere të punëdhënësi i fundit.”
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4, të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: i. është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ii. ai konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Ac. nr. 493/2021] të 19 korrikut 2022, të Gjykatës së Apelit; iii. ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; iv. ka specifikuar qartë të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe v. kërkesën e ka dorëzuar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç përcakton neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton që:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.”
Gjykata, fillimisht thekson që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtrues Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26 shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. (Shih më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si "qartazi te pabazuar", dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si "qartazi të pabazuara", rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Kësisoj, Gjykata fillimisht rikujton që rrethanat e rastit ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për pagesën e tri pagave jubilare nga KEK, e cila fillimisht ishte aprovuar nga Gjykata Themelore. Pas ankesës së KEK-ut në cilësi të të paditurës, Gjykata e Apelit e ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke e refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, nën arsyetimin që parashtruesi i kërkesës përvojën e punës 30 vjeçare e kishte arritur në vitin 2010, kohë kjo në të cilën nuk ishte në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, rrjedhimisht nuk kishte bazë ligjore për të aprovuar një kërkesë të tillë për 3 paga jubilare.
Parashtruesi i kërkesës konteston konstatimin e Gjykatës së Apelit, duke ngritur pretendime në nivel ligjshmërie, lidhur me vërtetimin e fakteve sa i përket Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, për sa i përket zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, të cilën e ndërlidh me jo konsistencë të vendimeve gjyqësore, të cilat sipas tij kanë rezultuar me shkelje të garancive procedurale të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës.
(i) Lidhur me pretendimin për interpretim të gabuar të ligjit
Parashtruesi i kërkesës, i konteston para Gjykatës konstatimet e Gjykatës së Apelit, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, vë theks në interpretimin e gabuar të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, sepse sipas parashtruesit Gjykata e Apelit do të duhej që ta merrte parasysh se e njëjta ishte në fuqi edhe gjatë vitit 2019. Pra, parashtruesi pretendonte që Gjykata e Apelit ka vlerësuar që padia e tij ishte paraqitur jashtë afatit, rrjedhimisht ka shkelur garancitë procedural të nenit 31 të Kushtetutës.
Në shqyrtimin e këtyre pretendimeve, Gjykata thekson se të njëjtat në esencë ndërlidhen me zbatimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm nga Gjykata e Apelit, pretendime të cilat, Gjykata në përputhje me praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, i konsideron si "pretendime të shkallës së katërt”.
Në kontekst të kësaj kategorie pretendimesh, Gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe duke marrë parasysh veçoritë e saj, siç janë përcaktuar përmes KEDNJ-së, parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, ajo vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të "kushtetutshmërisë" dhe "ligjshmërisë" dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose me KEDNJ. (Shih, në këtë kontekst, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim për Papranueshmëri i 23 shtatorit 2021, paragrafi 49; KI145/20, parashtrues Hafize Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 33; KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60).
Gjykata gjithashtu ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruar aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI145/20, cituar më lartë, paragrafi 34; KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61).
Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ-në. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 janarit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës.
Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes së Kontratës Kolektive dhe refuzimit të pabazuar të kërkesëpadisë së tij, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.493/2021] të 19 korrikut 2022, kishte theksuar si në vijim:
Gjykata ankimore gjate vlerësimit të pretendimeve ankimore, gjen se gjykata e shkallës së parë ka bërë zbatim të gabuar të së drejtës materiale, sepse pas shikimit të shkresave të lëndës kjo Gjykatë gjeti se padia e paditësit është paraqitur jashtë afatit të paraparë ligjor dhe si e tillë do të duhej të refuzohej si e pa bazuar për shkak të parashkrimit.
Nga shkresat e lëndës vërehet se paditësi Bejtush Babatinca tek e paditura ka më shume se 30 vite përvojë pune e kjo vërtetohet nga kartela e punëtorit e lëshuar nga e paditura me datë 10.04.2019 si dhe kontrata e punës nr. 3798/0 e datës 01.01.2017. Po ashtu nga shkresat e lëndës vërehet se paditësi me rastin e daljes në pension i janë paguar tri (3) paga përcjellëse në pension.
Gjykata e Apelit gjen se paditësi jubilenë e 30 e ka mbushur në vitin 2010, ashtu që në atë periudhë edhe i ka lindur e drejta për të kërkuar kompensimin e pagës jubilare nga e paditura, mirëpo në periudhën kur paditësi e ka mbushur jubilenë, nuk ka pasur kontratë kolektive në fuqi, andaj nuk ka bazë ligjore për të kërkuar kompensim, pra ne rastin konkret nuk është me rendësi shumë periudha kur është kërkuar pasi çështje paraprake është se a ka pasur në fuqi kontratë kolektive në kohën e përmbushjes së kushtit për kompensim të pagës jubilare.
Meqenëse në vitin 2010 në kohën kur paditësi i ka mbushur 30 vite të përvojës së punës, ka munguar baza ligjore ashtu që kërkesëpadia e paditësit është e pa bazuar, pasi që me hyrjen në fuqi të kontratës kolektive me datë 01.01.2015 i ka lindur e drejta të gjithë punëtorëve që arrijnë jubilenë pas hyrjes në fuqi të kësaj kontrate dhe jo atyre që jubilenë e kanë arritur para hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje dhe nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshje 'kolektive kanë lindur të drejtat dhe detyrimet në mes palëve nënshkruese të kësaj marrëveshje. Andaj mbi këtë bazë edhe gjykata vendosi që të ndryshoj aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë. Në rastin konkret edhe sikur të ekzistonte baza ligjore për të kërkuar kompensim pra sikur të kishte qenë në fuqi kontrata kolektive në vitin 2010, vit kur paditësi e ka plotësuar kushtin pra përmbushja e jubilesë, nga ajo kohë e deri në paraqitjen e padisë kanë kaluar me tepër se 3 vite sikurse përcaktohet me nenin 87 të Ligjit të Punës, dhe padia e tillë është e paraqitur pas afatit ligjor.
Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se Gjykata e Apelit përmes vendimit të kontestuar kishte ndryshuar Aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, duke trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe palës së paditur, duke përfshirë edhe ato që ndërlidhen me interpretimin e gabuar të dispozitave ligjore, përkatësisht të Kontratës së Përgjithshme Kolektive. Rrjedhimisht, Gjykata gjeti që procedurat para Gjykatës së Apelit nuk ishin të padrejta ose arbitrare. (shih mutatis mutandis rastin e Gjykatës: KI199/18, me parashtrues Hajriz Haxholli, Aktvendim për Papranueshmëri i 24 qershorit 2019, paragrafi 34).
Nën dritën e të lartcekurave, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit kishte sqaruar se: (i) parashtruesi i kërkesës kishte plotësuar kushtin për shpërblimin jubilar (përvojë pune 30 vjeçare më 2010) para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes se Përgjithshme Kolektive të Kosovës; (ii) Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës ishte e aplikueshme në periudhën 1 janar 2015, deri më 31 dhjetor 2017; (iii) parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesën për kompensimin e shpërblimit jubilar më 28 maj 2018, respektivisht pas skadimit të aplikueshmërisë se Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës; si dhe (iv) kërkesa e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e pagave jubilare ishte parashkruar tashmë në kuptim të nenit 87 të Ligjit të punës.
Përveç elaborimeve të lartcekura, Gjykata gjen se vendimmarrja e Gjykatës së Apelit, në rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret është në pajtueshmëri edhe me mendimin juridik për shpërblimin jubilar të nxjerrë nga mbledhja e përgjithshme e Gjykatës Supreme, e 27 shkurtit 2023. Në këtë drejtim, Gjykata do të i referohet pjesës relevante të Mendimit Juridik të 27 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme, i cili përcakton se “VI. I punësuari në bazë të Marrëveshjes se Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ka të drejtë në shpërblimin jubilar siç përcaktohet me nenin 52, të kësaj marrëveshje, nëse plotësohen këto kushte dhe atë: a) që viti jubilar i punësimit për 10, 20 dhe 30 vjet të arrihet në kohen kur kjo marrëveshje aplikohet si në pikën II, të këtij mendimi juridik [Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës aplikohet në periudhën kohore nga data 01.12015- 31. 12. 2017]; dhe b) përvoja e punës për 10, 20 dhe 30 vjet duhet të jetë e pandërprerë te punëdhënësi i fundit.”
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për zbatim të gabuar të Kontratës Kolektive, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të ligjit, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumentoi para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga Gjykata e Apelit, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se Gjykata e Apelit ka marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit kërkesës dhe i ka arsyetuar të njëjtat (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI37/21 parashtrues, Isa Tusha, Naser Tusha dhe Miradije Tusha, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shtatorit 2021, paragrafi 67).
Në linjë me praktikën e saj të konsoliduar gjyqësore, Gjykata më tej thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta, përkatësisht në Gjykatën e Apelit, nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm apo për barazi para ligjit. (Shih, mutatis mutandis, rastin Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, kërkesa nr. 5503/02, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21; dhe shih, gjithashtu rastin KI56/17, parashtruese e kërkesës Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 42).
Prandaj, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e "shkallës së katërt" dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të "ligjshmërisë" dhe nuk janë argumentuar në nivel të "kushtetutshmërisë". Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
(ii) Pretendimet përkitazi me moskonsistencën e vendimeve gjyqësore
Gjykata fillimisht rikujton që pretendimin e tij për mos konsistencë të praktikës gjyqësore, parashtruesi i kërkesës e ndërlidh me disa raste në të cilat sipas tij Gjykata e Apelit ka aprovuar shpërblimet jubilare.
Në vijim, Gjykata rikujton që e njëjta trajton çështjet e divergjencës përkitazi me praktikën gjyqësore, duke filluar me vlerësimin nëse në rrethanat e rastit konkret, (i) divergjencat e pretenduara në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; dhe nëse ky është rasti, (ii) ekzistimin e mekanizmave të aftë për të zgjidhur divergjencën përkatëse; dhe (iii) vlerësimin nëse këta mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti në rrethanat e rastit konkret.
Fillimisht, Gjykata duhet gjithashtu të ritheksojë se, bazuar edhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës, nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme, pasi që pavarësia e tyre duhet të respektohet (shih rastin e GJEDNJ-së Adamsons kundër Letonisë, cituar më lart, paragrafi 118, shih po ashtu rastet e Gjykatës KI87/18 parashtrues IF Skadeforsikring dhe KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, të cituara më lart).
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i divergjencave në praktikën gjyqësore, duhet t’ia paraqes Gjykatës argumentet përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar në vendime kundërthënëse në praktikën gjyqësore dhe e cila mund të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së (shih rastin e cituar më lart KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, paragrafi 76).
Në këtë drejtim, GJEDNJ pranon se mundësia e divergjencave në praktikën gjyqësore është karakteristikë e natyrshme në çdo sistem gjyqësor të bazuar në një sistem gjykatash nacionale që kanë autoritet mbi juridiksionin e tyre territorial. Ajo gjithashtu pranon se dallime të tilla mund të lindin, si në rastin konkret, brenda të njëjtit juridiksion. Kjo në vetvete nuk mund të jetë në kundërshtim me të drejtën e garantuar me KEDNJ (shih rastin e GJEDNJ-së Santos Pinto kundër Portugalisë, kërkesa nr. 39005/04 Aktgjykim i 20 majit 2008 par. 41).
Në këtë drejtim, Gjykata së pari rikujton pretendimin e parashtruesit të kërkesës i cili thekson se rasti i tij nuk është trajtuar në mënyrë të njëjtë në raport me rastet e tjera të cilat sipas tij janë identike, në të cilat ishte zbatuar Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, duke shtuar se gjykatat e rregullta kishin nxjerrë vendime të ndryshme në raste të njëjta.
Në këtë drejtim, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar disa aktgjykime (disa nga to edhe të pakompletuara) si dhe nuk ka sqaruar ngjashmëritë me rastet konkrete. Në vijim, parashtruesi i kërkesës lidhur me këtë pretendim gjithashtu thekson që: “Gjykata e Apelit në Prishtinë, për rastet e njëjta ka nxjerrë Aktgjykime pozitive për paditësit dhe atë: 1. Rr. A., Aktgjykimi Ac.nr.2500/19, të datës 30.07.2020, 2. H. M., Aktgjykimi Ac.nr.1268/20, i datës 11.02.2019, 3. A. B., Aktgjykimi Ac.nr.538/19, i datës 6.05.2019, 4. A. M., Aktgjykimi Ac.nr.1277/20, i datës 01.7.2020, 5. M. A., Aktgjykimi Ac.nr.1275/20, i datës 14.09.2020.” Në këtë drejtim, Gjykata vëren që të gjitha këto vendime ishin marrë nga gjykatat e rregullta, para datës së nxjerrjes së Mendimit Juridik për shpërblimin jubilar, të 27 shkurtit 2023, të Gjykatës Supreme.
Prandaj, përveç elaborimeve të lartcekura për sa i përket pretendimit të parashtruesit për zbatim të gabuar të së drejtës materiale, Gjykata gjen se vendimmarrja e Gjykatës së Apelit, në rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret është në pajtueshmëri edhe me mendimin juridik për shpërblimin jubilar të nxjerrë nga mbledhja e përgjithshme e Gjykatës Supreme, e 27 shkurtit 2023.
Pra, Gjykata vëren se sipas Mendimit Juridik të Gjykatës Supreme për shpërblimin jubilar, element përcaktues i zbatuar edhe në rrethanat e rastit konkret është që viti jubilar i punësimit të jetë arritur gjatë periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2017, e që nuk përkon të jetë e plotësuar në këtë rast, pasiqë parashtruesi i kërkesës vitin jubilar e kishte arritur në vitin 2010, kur nuk kishte kontratë Kolektive në fuqi. Rrjedhimisht, Gjykata gjeti që procedurat para Gjykatës së Apelit nuk ishin të padrejta ose arbitrare. (shih mutatis mutandis rastin e Gjykatës: KI199/18, me parashtrues Hajriz Haxholli, Aktvendim për Papranueshmëri i 24 qershorit 2019, paragrafi 34).
Në këtë drejtim, Gjykata konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është i arsyetuar dhe se interpretimi i kësaj të fundit, sa i përket fakteve të paraqitura për vlerësim nga parashtruesi i kërkesës, nuk mund të thuhet se ishte arbitrar, i paarsyeshëm apo të ketë mundur të ndikojë në gjykim të drejtë, por ishte thjesht çështje e interpretimit dhe zbatimit të ligjit (shih në mënyrë analoge, rastin KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, të cituar më lart, paragrafi 57).
Duke rikujtuar detyrimin e përcaktuar përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës që parashtruesit e kërkesës duhet t’i paraqesin Gjykatës argumentet përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar në vendime kundërthënëse në praktikën gjyqësore, Gjykata vëren se përveç dorëzimit të disa vendimeve të Gjykatës së Apelit (disa të pakompletuara), ku parashtruesi pretendon rrethanat faktike dhe juridike të ngjashme si ato në rastin e parashtruesit, parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që Gjykatës t’i paraqesë argumente shtesë, analizim të ngjashmërive, apo raste tjera që janë vendosur ndryshe nga Gjykata e Apelit, dhe rrjedhimisht ta mbështesë pretendimin e tij për cenim të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse te gjykatat e rregullta.
Andaj, në dritën e praktikës së vet gjyqësore, Gjykata vlerëson se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit që rrezikojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në disa aktgjykime të Gjykatës së Apelit, pa shpërfaqur ngjashmëritë dhe analizën e rasteve konkrete (shih, në mënyrë analoge rastin e Gjykatës: KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, të cituar më lart, paragrafi 53; shih gjithashtu rastin KI28/23, me parashtrues Rrahim Haliti, Aktvendim për Papranueshmëri i 26 qershorit 2023, paragrafi 81).
Prandaj, Gjykata konsideron se as numri i aktgjykimeve të paraqitura si kundërthënëse, si dhe as mënyra se si Gjykata Apelit ka vlerësuar dhe trajtuar rastin e parashtruesit të kërkesës nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për të arsyetuar pretendimin për shkelje të parimit të sigurisë, si rrjedhojë e vendimeve kundërthënëse të gjykatave të rregullta (shih rastin KI29/17, të cituar më lart, paragrafi 58).
Prandaj, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes“, prandaj deklarohet e papranueshme, në pajtim me rregullin 34 paragrafi (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenit 20 të Ligjit dhe të rregullave 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 20 mars 2024, njëzëri:
VENDOS
I. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
II. T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
III. TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
IV. Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, ne pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Bejtush Babatinca
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër