Prishtinë, më 2 gusht 2024
Nr. ref.: RK 2485/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI119/24
Parashtrues
Duda Krasniqi dhe Lulzim Krasniqi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.59/2024] të 29 shkurtit 2024 të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Duda Krasniqi dhe Lulzim Krasniqi, me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës), të përfaqësuar nga Nysret Mjeku, avokat në Komunën e Prishtinës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës e kontestojnë Aktgjykimin [Rev. nr. 59/2024] e 29 shkurtit 2024 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 3897/2018] e 5 majit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C. nr. 2973/2012] e 11 prillit 2018, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet së parashtruesve të kërkesës u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tyre të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Parashtruesit e kërkesës po ashtu kërkojnë nga Gjykata që identiteti i tyre të mos zbulohet, pa dhënë ndonjë arsye specifike për këtë kërkesë.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve) të Rregullores së punës Nr. 01/2023 së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 16 maj 2024, parashtruesit e kërkesës e dorëzuan kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 22 maj 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. GJR. KI119/24] caktoi gjyqtarin Jeton Bytyqi, gjyqtar raportues ndërsa përmes Vendimit [nr. KSH. KI119/24] caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 6 qershor 2024, Gjykata i njoftoi parashtruesit e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe u kërkoi që të dorëzojnë në Gjykatë Aktgjykimin e plotë [C. nr. 2973/2012] të 11 prillit 2018 të Gjykatës Themelore. Të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës.
Më 14 qershor 2024, parashtruesit e kërkesës dorëzuan në Gjykatë dokumentin e kërkuar më 6 qershor 2024.
Më 17 korrik 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 19 shtator 2005, në rrugën Prishtinë-Podujevë, përkatësisht në fshatin Bardhosh të komunës së Prishtinës, ishte shkaktuar aksident i komunikacionit, në të cilin morën lëndime trupore parashtruesit e kërkesës. Aksidenti ishte shkaktuar nga N.T., drejtuese e automjetit i siguruar tek kompania e sigurimeve “Siguria” (në tekstin e mëtejmë: KS “Siguria”).
Më 9 mars 2007, ishte lidhur ujdi jashtëgjyqësore ndërmjet parashtruesve të kërkesës dhe KS Siguria për kompensimin e dëmit material dhe jo-material parashtruesve të kërkesës, nga KS Siguria, si pasojë e aksidentit të lartcekur dhe se të njëjtit kishin pranuar kompensimin për dëmin e shkaktuar.
Më 16 nëntor 2012, parashtruesit e kërkesës paraqitën padi në Gjykatën Komunale në Prishtinë, kundër KS “Siguria” ku kërkuan prishjen e ujdisë jashtëgjyqësore, me pretendimin se (i) ishin mashtruar dhe lajthitur nga përfaqësuesi i të paditurës KS "Siguria”; (ii) ujdia jashtëgjyqësore nuk iu ishte dorëzuar asnjëherë parashtruesve të kërkesës dhe se nuk ishin konsultuar as paraprakisht lidhur me të; dhe si pasojë duke kërkuar kompensimin e dëmit material dhe jo-material të shkaktuar përmes aksidentit.
Më 11 prill 2018, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 2973/12] refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës, me arsyetimin se (i) parashtruesit e kërkesës nuk dorëzuan ujdinë jashtëgjyqësore të lidhur midis parashtruesve të kërkesës KS “Siguria”, dhe atë nuk arritën ta sigurojnë as nga KS “Siguria”, pasi kjo e fundit nuk e posedonte duke pasur parasysh që në bazë të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: BQK) ajo është e detyruar që t’i ruajë lëndët në arkivin e saj për pesë (5) vite. Megjithatë, duke pasur parasysh që nga arritja e ujdisë jashtëgjyqësore, më 9 mars 2007, deri në paraqitjen e padisë më 16 nëntor 2012, kishin kaluar më tepër se pesë (5) vjet, kishte kaluar afati për të kërkuar rrëzimin e ujdisë jashtëgjyqësore.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C. nr. 2973/12] të 11 prillit 2018 të Gjykatës Themelore, duke pretenduar mes tjerash se, në kohën e arritjes së marrëveshjes jashtëgjyqësore nuk ka qenë e konstatuar përgjegjësia për shkaktimin e dëmit, gjë që sipas tyre kjo është zgjidhur përmes “Aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Prishtinë, P. nr.2943/05, të datës 30.07.2012”, prandaj afatet fillojnë nga 30 korriku 2012 dhe se për më tepër, sipas parashtruesve të kërkesës, kërkesa për anulimin e ujdisë jashtëgjyqësore nuk parashkruhet. Ata pretenduan se marrëveshja jashtëgjyqësore është lidhur me lajthim dhe mashtrim.
Më 5 maj 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 3897/2018] e refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesve të kërkesës pasi që parashtruesit e kërkesës edhe pse ishin të obliguar bazuar në nenin 7 (pa titull) të Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK), që të prezantojnë prova në mbështetje të kërkesëpadisë së tyre, të njëjtit nuk kishin vepruar në përputhshmëri me dispozitat e lartcekura ligjore, pasi nuk kishin prezantuar ujdinë jashtëgjyqësore anulimin së cilës e kërkonin. Ndërsa sa i përket pretendimit se në momentin e lidhjes së marrëveshjes jashtëgjyqësore ishin lajthitur dhe mashtruar, Gjykata e Apelit konstatoi se parashtruesit e kërkesës pretendimin e tillë e kishin demantuar vet në shqyrtimin kryesor, pasi që, po të kishin qenë nën mashtrim dhe lajthim nuk do të pranonin kompensim nga një person që nuk e ka autorizuar, pranimi i mjeteve nënkupton se është pajtuar me shumën e kompensimit dhe ky pranim i mjeteve paraqet pajtim me kompensim real për dëmin e shkaktuar në aksidentin e trafikut.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesit e kërkesës parashtruan revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, me të njëjtat arsye që kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.
Më 29 shkurt 2024, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 59/2024] e refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruesve të kërkesës, duke arsyetuar se: (i) nuk rezulton të jetë provuar se ujdia jashtëgjyqësore është lidhur nën lajthim dhe mashtrim; (ii) duke marrë për bazë deklarimet për datën e lidhjes së ujdisë jashtëgjyqësore dhe datës së paraqitjes së kërkesëpadisë në Gjykatën Themelore, kishin kaluar më shumë se pesë (5) vite, bazuar në dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe si pasojë kishte kaluar afati për të kërkuar anulimin e rrëzueshmërisë së kontratës; dhe (iii) gjatë seancës së shqyrtimit kryesor parashtruesja e kërkesës kishte deklaruar se kishte pranuar shumën e parave.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesit e kërkesës pretendojnë se përmes Aktgjykimit të kontestuar atyre u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Përkitazi me këtë pretendim, parashtruesit e kërkesës theksojnë se gjykatat e rregullta gjatë shqyrtimit të rastit të tyre nuk kanë marrë për konsideratë kërkesat e tyre sa i përket lëndimeve trupore që i kanë pasur në aksident trafiku të shkaktuar nga i siguruari i KS “Siguria” dhe që nga këto “lëndime kanë ngelur pasoja të përjetshme”.
Gjithashtu, ata pretendojnë se KS “Siguria” “palëve në procedurë ju cakton një avokat, pa pëlqimin e tyre, dhe pa i dhënë fare autorizim” dhe se në momentin e ballafaqimit me prova materiale para gjykatave të rregullta, KS “Siguria” ka dhënë arsyetimin se të dhënat financiare i ruajnë vetëm 5 (pesë) vite. Gjithashtu, në lidhje me këtë, parashtruesit e kërkesës shtojnë se marrëveshja e lidhur ndërmjet avokatit R. A. dhe KS “Siguria” pa autorizim të palëve të dëmtuara, nuk është çështje financiare por dokument administrativ, që vërteton një parregullsi me ç’ rast parashtruesve të kërkesës kurrë nuk iu ka dhënë ujdia jashtëgjyqësore.
Parashtruesit e kërkesës pretendimin për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë e ndërlidhin me mosrespektimin, sipas tyre, të dispozitave të LPK-së që me deklarimin e lirë të zgjedhë përfaqësuesin e tyre për t’i përfaqësuar.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”.
Ligji nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore
Dispozitat e Përgjithshme
Neni 7
“7.1 Palët kanë për detyrë të paraqesin të gjitha faktet mbi të cilat i mbështesin kërkesat e veta dhe të propozojnë prova me të cilat konstatohen faktet e tilla.
7.2 Gjykata është e autorizuar ti vërtetojë edhe faktet të cilat palët nuk i kanë paraqitur si dhe t’i marrë edhe provat të cilat palët nuk i kanë propozuar, vetëm po që se nga rezultati i shqyrtimit dhe i të provuarit del përfundimi se palët kanë për qëllim disponimin me kërkesat me të cilat nuk mund të disponojnë lirisht (të përcaktuar në nenin 3, paragrafi 3 të këtij ligji), në qoftë se me ligj nuk është përcaktuar ndryshe.
[...]”.
Neni 319
“319.1 Secila nga palët ndërgjyqëse ka për detyrë të provojë faktet mbi të cilat i bazon kërkimet dhe pretendimet e veta”.
Neni 322
“322.1 Në qoftë se gjykata në bazë të provave të marra (neni 8 i këtij ligji) nuk mund të konstatojë me siguri ndonjë fakt, për ekzistimin e faktit do të përfundojë duke i aplikuar rregullat mbi barrën e provës.
322.2 Pala që pretendon se i takon një e drejtë ka për detyrë të provojë faktin që është qenësor për krijimin ose realizimin e saj, po që se ligji nuk parasheh diç tjetër.
[...]”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcakton:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale), nenit 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe nenit 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor”.
Gjykata konstaton se parashtruesit e kërkesës janë: (i) palë të autorizuara; (ii) kontestojnë një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. nr. 59/2024] e 29 shkurtit 2024 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 3897/2018] të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [C. nr. 2973/2012] të Gjykatës Themelore; (iii) kanë saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; (iv) kanë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj; si dhe (v) e kanë dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës, përcakton që:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".
Gjykata fillimisht thekson se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës. Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GJEDNJ-së Kemmachev kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykim i 24 nëntorit 1994, paragrafi 44 Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005, paragrafi 55; Mentzen kundër Letonia, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008, dhe rastet e Gjykatës KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 prillit 2021, paragrafi 26; KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021, paragrafi 53; dhe KI05/23 parashtrues Branislav Gajin, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2024, paragrafi 51).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë si dhe pretendimet përkatëse të parashtruesve të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të saj dhe ato të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që në rastin e parashtruesve të kërkesës më 19 shtator 2005, në rrugën Prishtinë-Podujevë, përkatësisht në fshatin Bardhosh të komunës së Prishtinës, ishte shkaktuar aksident i komunikacionit, në të cilin morën lëndime trupore parashtruesit e kërkesës, aksident i shkaktuar nga drejtuesi i automjetit që kishte qenë i siguruar te KS “Siguria”. Më 9 mars 2007, ishte lidhur ujdi jashtëgjyqësore për kompensimin nga KS “Siguria”, të dëmit material dhe jo-material, parashtruesve të kërkesës si pasojë e aksidentit të lartcekur dhe se të njëjtit kishin pranuar kompensimin për dëmin e shkaktuar. Më 16 nëntor 2012, përkatësisht më tepër se pesë (5) vite pas ujdisë jashtëgjyqësore, parashtruesit e kërkesës paraqitën padi kundër KS “Siguria” ku kërkuan prishjen e ujdisë jashtëgjyqësore, me pretendimin se (i) ishin mashtruar dhe lajthitur nga përfaqësuesi i të paditurës KS "Siguria”; (ii) ujdia jashtëgjyqësore nuk iu ishte dorëzuar asnjëherë parashtruesve të kërkesës dhe se nuk ishin konsultuar as paraprakisht lidhur me të. Gjykatat e rregullta kishin refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës, përfshirë Gjykatën Supreme e cila duke vendosur sipas revizionit të parashtruesve të kërkesës arsyetoi se (i) nuk rezulton të jetë provuar se ujdia jashtëgjyqësore është lidhur nën lajthim dhe mashtrim; (ii) parashtruesit e kërkesës nuk e kishin dorëzuar ujdinë jashtëgjyqësore përderisa as KS “Sigurua” nuk e posedonte pasi kishte kaluar afati pesë (5) vjeçar për ruajtjen e saj megjithatë, përkundër kësaj, në bazë të deklarimit për datën e lidhjes së ujdisë jashtëgjyqësore dhe datës së paraqitjes së kërkesëpadisë në Gjykatën Themelore, kishin kaluar më shumë se pesë (5) vite, dhe si pasojë kishte kaluar afati për të kërkuar anulimin e rrëzueshmërisë së kontratës; dhe (iii) parashtruesit e kërkesës kishin pranuar kompensimin për dëmin e shkaktuar.
Gjykata rikujton se parashtruesit e kërkesës kontestojnë para Gjykatës vendimmarrjen e gjykatave të rregullta, duke pretenduar se (i) gjykatat e rregullta gjatë shqyrtimit të rastit të tyre nuk kanë marrë për konsideratë kërkesat e paditësve sa i përket lëndimeve trupore që i kanë pasur në aksident trafiku të shkaktuar nga i siguruari i KS “Siguria”; dhe (ii) KS “Siguria” ju ka caktuar “një avokat, pa pëlqimin e tyre, dhe pa i dhënë fare autorizim” dhe KS “Siguria” ka dhënë arsyetimin se të dhënat financiare i ruajnë vetëm 5 (pesë) vite, dhe se asnjëherë nuk kanë qenë në posedim të ujdisë jashtëgjyqësore.
Në lidhje me këtë, Gjykata konsideron se pretendimet e parashtruesve të kërkesës bien në kategorinë e pretendimeve “të shkallës së katërt”, sepse ngërthen çështje që ndërlidhen me interpretimin dhe aplikimin e ligjit dhe vlerësimin e fakteve, përkatësisht “ligjshmërisë” dhe jo “kushtetutshmërisë”.
Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60; KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34; KI188/21, me parashtrues Zenel dhe Isuf Pllashniku, Aktvendim për papranueshmëri, i 19 korrikut 2022, paragrafët 98-99; KI31/22, me parashtrues Fidan Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 janarit 2023, paragrafët 43-44, KI89/22, parashtrues Xhelal Plakolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 marsit 2023, paragrafi 42).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, rast i cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, rast i cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, rast i cituar më lart, paragrafi 35; KI31/22, me parashtrues Fidan Hoti, cituar më lart, paragrafi 42, KI89/22, parashtrues Xhelal Plakolli, cituar më lart, paragrafi 43).
Gjykata mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve ligjore të gjykatave të rregullta përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime mund të kenë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi të paarsyeshme (shih rastin e Gjykatës KI75/17, parashtrues X, Aktgjykim i 30 janarit 2018, paragrafi 59; dhe KI89/22, parashtrues Xhelal Plakolli, cituar më lart, paragrafi 44) .
Duke iu kthyer rrethanave të rastit konkret, Gjykata rikujton Gjykata Supreme, duke konfirmuar të gjeturat e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, kishte refuzuar si të pathemeltë revizionin e parashtruesve të kërkesës, duke arsyetuar se: (i) nuk ishte dorëzuar ujdia jashtëgjyqësore nga parashtruesit e kërkesës ashtu siç kërkohet përmes neneve 7, 319 dhe 322 të LPK-së dhe as KS “Siguria” nuk kishte obligim që të njëjtën ta ruante më tepër se pesë (5) vjet; (ii) nuk rezulton të jetë provuar se ujdia jashtëgjyqësore është lidhur nën lajthim dhe mashtrim; dhe (iii) duke marrë për bazë deklarimet për datën e lidhjes së ujdisë jashtëgjyqësore dhe datës së paraqitjes së kërkesëpadisë në Gjykatën Themelore, sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve kishin kaluar më shumë se pesë (5) vite, dhe si pasojë kishte kaluar afati për të kërkuar anulimin e rrëzueshmërisë së kontratës.
Në këtë kontest të kësaj të fundit, Gjykata vëren se Gjykata Supreme i referohet nenit 117 të Ligjit për Marrëdhënieve të Detyrimeve, i cili korrespondon me nenin 117 (Pushimi i të drejtave) të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve i ish-RSFJ-së i vitit 1978, përderisa përmbajtja e së cilës i referohet Gjykata Supreme korrespondon me nenin 102 (Shuarja e së drejtës së anulimit) të Ligjit nr. o4/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve. Megjithatë, të dy këto dispozita përcaktojnë humbjen e të drejtës për të kërkuar anulimin e kontratës së rrëzueshme, nëse kanë kaluar më tepër së pesë (5) vite nga lidhja e së kontratës.
Gjykata po ashtu i referohet nenit 7 të LPK-së që përcakton në paragrafin 1 se “Palët kanë për detyrë të paraqesin të gjitha faktet mbi të cilat i mbështesin kërkesat e veta dhe të propozojnë prova me të cilat konstatohen faktet e tilla”, dhe paragrafin 1 të nenit 319 të LPK-së që përcakton se “Secila nga palët ndërgjyqëse ka për detyrë të provojë faktet mbi të cilat i bazon kërkimet dhe pretendimet e veta”.
Gjykata vëren se në thelb, gjykatat e rregullta kishin refuzuar pretendimin e parashtruesve të kërkesës në anulimin e ujdisë jashtëgjyqësore sepse kishte kaluar afati pesë (5) vjeçar për të kërkuar rrëzueshmërinë e kontratës; parashtruesit e kërkesës nuk kishin dorëzuar ujdinë jashtëgjyqësore ndërsa të njëjtën nuk e posedonte as KS “Siguria” pasi sipas legjislacionit në fuqi nuk kishte obligim ta ruante pas afatit pesë (5) vjeçar; për më tepër, nuk kishte prova se ujdia jashtëgjyqësore ishte lidhur me mashtrim dhe lajthim pasi parashtruesit e kërkesës e kishin pranuar kompensimin për dëmin.
Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta i kanë dhënë përgjigje parashtruesve të kërkesës për pretendimet e tyre përfshirë sa i përket paraqitjes së ujdisë jashtëgjyqësore, dhe çështjes së ngritur përkitazi me mashtrimin dhe lajthimin si rezultat i ujdisë jashtëgjyqësore, duke u thirrur edhe në afatin për paraqitjen e padisë. Për më tepër, nga arsyetimi i konkluzioneve të gjykatave të rregullta, vërehet qartë se në dritën e rrethanave të rastit konkret, nuk kemi të bëjmë as me “aplikim të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar” dhe as me “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” nga ana e Gjykatës Supreme.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesve të kërkesës për mungesën e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm janë pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesve të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Kërkesa për moszbulim të identitetit
Gjykata gjithashtu rikujton se parashtruesit e kërkesës kërkojnë që identiteti i tyre në këtë rast të mos zbulohet, por pa dhënë ndonjë arsye specifike për këtë. Në këtë kontekst, Gjykata i referohet rregullit 24 (Moszbulimi i identitetit të palëve) të Rregullores së punës, i cili në paragrafin 1 përcakton se: “Kurdo përgjatë procedurës së shqyrtimit të një kërkese individuale sipas paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe deri në publikimin e vendimit përfundimtar, palët mund të kërkojnë që identiteti i tyre të mos zbulohet publikisht. Kërkesa duhet të jetë e arsyetuar”.
Lidhur me këtë, parashtruesit e kërkesës nuk kanë arsyetuar pse identiteti i tyre të mos zbulohet. Gjykata konstaton po ashtu se gjykatat e rregullta në secilin prej aktgjykimeve të tyre, parashtruesve iu ishin referuar me emrin e plotë të tyre. Gjykata nuk gjen arsye që të miratoj kërkesën për moszbulimin e identitetit të parashtruesve të kërkesës, rrjedhimisht, e njëjta duhet të refuzohet (shih, në mënyrë të ngjashme, rastin e Gjykatës, KI146/22 parashtrues Ruzhdi Sefa, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 marsit 2024, paragrafi 60).
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 24, 34 (2) si dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 17 korrik 2024, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
TË REFUZOJË kërkesën për moszbulim të identitetit;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; dhe
TË KONSTATOJË që ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Jeton Bytyqi Gresa Caka-Nimani
Duda Krasniqi dhe Lulzim Krasniqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile