Prishtinë, më 15 korrik 2024
Nr. ref.: RK 2468/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI79/24
Parashtrues
Ali Xhigoli dhe Naser Xhigoli
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 290/23, i 22 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Ali Xhigoli dhe Naser Xhigoli me vendbanim në fshatin Bardh i Madh në komunën e Fushë-Kosovës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës), të përfaqësuar nga Xhavit Krasniqi, avokat në komunën e Prishtinës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë Aktgjykimin [Rev. nr. 290/23] e 22 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 6320/20] të 27 prillit 2023 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C. nr. 2167/19] të 9 marsit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesit e kërkesës vendimin e kontestuar e kishin pranuar më 5 dhjetor 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 290/23] të 22 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme përmes së cilit pretendohet se parashtruesve të kërkesës i’u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tyre, të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt), dhe 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin mëtejmë: KEDNJ) dhe nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës nr. 01/2023 së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 29 mars 2024, parashtruesit e kërkesës dorëzuan kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 3 prill 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. GJR. KI79/24] caktoi gjyqtarin Jeton Bytyqi Gjyqtar raportues, si dhe përmes Vendimit [nr. KSH. KI79/24] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 17 prill 2024, Gjykata njoftoi parashtruesit për regjistrimin e kërkesës dhe i’a dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
Në të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë fletëkthesën që dëshmon se kur parashtruesit e kërkesës e kanë pranuar Aktgjykimin e kontestuar.
Më 22 prill 2024, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar.
Më 25 qershor 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Procedura e eksproprijimit
Nga shkresat e lëndës rezulton se paraardhësit të parashtruesve të kërkesës M. Xh., më 2 tetor 1996, Gjykata Komunale në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komunale) përmes Aktgjykimit [N. nr. 785], ia kishte caktuar kompensimin real në vlerën prej 194,547.03 dinarë (njëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e pesëqind e dyzet e shtatë dinarë pikë tre) për paluajtshmërinë e eksproprijuar, arë e klasit III me sipërfaqe 0.29.75 ha, ngastra kadastrale [NK. nr. 359] dhe arë e klasit IV me sipërfaqe 0.52.95 ha, ngastra kadastrale [NK. nr. 359], në vendin e quajtur Mirash, zona kadastrale Bardh i Madh (në tekstin e mëtejmë: prona e eksproprijuar).
Më 27 dhjetor 1996, sipas ankesës së Korporatës Energjetike të Kosovës në cilësinë e kundër propozuesit (në tekstin e mëtejmë: KEK), Gjykata e Qarkut në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Qarkut), përmes Aktvendimit [Ac. nr. 969], ktheu çështjen në rigjykim.
Më 30 tetor 1997, në procedurën e rigjykimit, përmes Aktgjykimit [N. nr. 15/97] i caktoi M. Xh. kompensimin real për pronën e eksproprijuar në vlerën 113,164.00 (njëqind e trembëdhjetë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër) dinarë.
Në një datë të paspecifikuar, M. Xh. ushtroi ankesë kundër Aktgjykimit [N. nr. 15/97] të 30 tetorit 1997 të Gjykatës Komunale.
Më 28 janar 1998, Gjykata e Qarkut përmes Aktvendimit [Ac. nr. 71/98] refuzoi ankesën e M. Xh. dhe vërtetoi Aktgjykimin [N. nr. 15/97] e 30 tetorit 1997, të Gjykatës Komunale, me ç’ rast Aktgjykimi [N. nr. 15/97] i Gjykatës Komunale u bë res judicata.
Procedura e kompensimit të pronës së eksproprijuar
Më 18 qershor 1998, M. Xh. ushtroi propozim për përmbarim të shumës së akorduar nga Gjykata Komunale përmes Aktgjykimit [N. nr. 15/97], të 30 tetorit 1997.
Më 14 maj 2003, M. Xh. përtëriu propozimin për përmbarim të Aktgjykimit [N. nr. 15/97] të Gjykatës Komunale.
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 16 tetor 2003, Gjykata Komunale përmes Aktvendimit [E. nr. 253/2003] për përmbarim drejtuar Bankës për Pagesat e Kosovës, KEK është urdhëruar që t’ia bëjë pagesën M. Xh. në shumën prej 23,346.27 (njëzet e tre mijë e treqind e dyzet e gjashtë pikë njëzet e shtatë) euro, të cilën ky i fundit e pranoi dhe e nënshkroi më 13 shkurt 2004.
Procedura e dytë për kompensim të tokës së eksproprijuar
Në 9 shtator 2002, M. Xh. parashtroi padi të re për kompensimin e pronës së eksproprijuar, pemëve të dëmtuara dhe fitimin e humbur kundër KEK-ut. Pasi M.Xh. në ndërkohë kishte pranuar shumën e lartcekur në emër të eksproprijimit, ky i fundit kërkoi që të kompensohet për vlerën reale të pronës kontestuese, meqë e njëjta sipas tij nuk është vlerësuar realisht.
Më 10 tetor 2007, Gjykata Komunale përmes Aktgjykimit [C. nr. 914/02] e aprovoi në tërësi kërkesëpadinë e M. Xh. dhe i caktoi shumën e kompensimit prej 66,930.64 (gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e tridhjetë pikë gjashtëdhjetë e katër) euro, nga e cila kishte zbritur shumën prej 21,781.00 (njëzet e një mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e një) euro, e cila i ishte paguar më parë.
Në një datë të paspecifikuar, KEK parashtroi ankesë kundër Aktgjykimit [C. nr. 914/02] të 10 tetorit 2007, të Gjykatës Komunale.
Më 22 dhjetor 2010, Gjykata e Qarkut përmes Aktvendimit [Ac. nr. 510/2008] e aprovoi ankesën e KEK-ut, e prishi Aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Komunale dhe lëndën e ktheu në rigjykim në Gjykatën Komunale.
Më 12 janar 2016, në procedurën e rigjykimit, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C. nr. 25/2011] e hodhi poshtë si të palejuar kërkesëpadinë e paraardhësit të parashtruesve, me arsyetimin se kjo çështje ishte çështje e gjykuar pasi e njëjta ishte vendosur në procedurë jokontestimore dhe kompensimi për pronën e eksproprijuar ishte përmbaruar përmes Aktvendimit [E. nr. 253/2003] të Gjykatës Komunale.
Në një datë të paspecifikuar, M. Xh. parashtroi ankesë kundër Aktvendimit [Ac. nr. 510/2008] të Gjykatës Themelore.
Më 20 qershor 2019, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 1039/16] e aprovoi ankesën e M. Xh. dhe anuloi Aktvendimin e Gjykatës Themelore, duke e kthyer lëndën në rishqyrtim dhe rivendosje me arsyetimin se çështja në fjalë nuk përbën çështje të gjykuar, respektivisht res judicata, andaj, gjykata e shkallës së parë duhet të vendosë në mënyrë meritore përkitazi me këtë çështje. Në ndërkohë M. Xh. kishte ndërruar jetë, andaj procedura u vazhdua nga pasardhësit e tij, përfshirë parashtruesit e kërkesës.
Më 9 mars 2020, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 2167/19] refuzoi kërkesëpadinë e M. Xh., respektivisht parashtruesve të kërkesës dhe disa personave të tjerë duke arsyetuar, ndër të tjera, se as parashtruesit e kërkesës, e as i ndjeri M. Xh. nuk kishin ofruar prova se çështjen e përfunduar me vendim të plotfuqishëm në procedurë jokontestimore sipas Aktvendimit [N. nr. 15/97] të 30 tetorit 1997 të Gjykatës Komunale, e kanë ndjekur sipas mjeteve të jashtëzakonshme dhe se parashtruesit e kërkesës tashmë ishin kompensuar përmes aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Komunale të vitin 1997, i cili u përmbarua në vitin 2004, dhe se pretendimet e tyre për fitim të humbur dhe “dëmtim përtej gjysmës” janë të pabazuara pasi që: “[...] paluajtshmëria e paditësit [M. Xh.] është shpronësuar me aktvendim të plotfuqishëm mbi shpronësimin [...], gjykata vlerëson se paditësit e kanë humbur të drejtën e pronësisë në momentin kur prona ka kaluar në pronësi shoqërore, në pajtim me dispozitën e nenit 44 të Ligjit për Marrëdhëniet Themelore Juridiko Pronësore LMTHJP ku përcaktohet se e drejta e pronësisë pushon me kalimin e sendit në pronësi shoqërore”.
Më 1 korrik 2020, parashtruesit e kërkesës dhe disa persona të tjerë, parashtruan ankesë kundër Aktgjykimit [C. nr. 2167/19] të 9 marsit 2020 të Gjykatës Themelore, duke theksuar se (i) arsyetimi i Gjykatës Themelore është i pakuptueshëm, kontradiktor dhe nuk ka arsye mbi faktet vendimtare; (ii)) vendimi për eksproprijim është nxjerrë në kohën e ligjeve diskriminuese dhe si pasojë shuma e akorduar për eksproprijim ka qenë shumë e vogël në krahasim me qytetarët tjerë; dhe se (iii) padia e re është bërë përkitazi me pronën e eksproprijuar pasi të njëjtit kanë pretenduar se ishin dëmtuar “përtej gjysmës” së vlerës reale, sipas të cilit parim, iu mundëson që rasti të rishqyrtohet.
Më 27 prill 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 6320/20] refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës dhe të personave të tjerë, me arsyetimin se (i) Aktvendimi [N. nr. 15/97] i 30 tetorit 1997 i Gjykatës Komunale ishte bërë i plotfuqishëm më 28 janar 1998, ku dokumenti përmbarimor i tij ishte ekzekutuar në vitin 2004, me ç’ rast debitori kishte përmbushur detyrimin e tij ndaj kreditorit, ashtu që këtë çështje e konsideroi të gjykuar; (ii) në rast kur një vendim gjyqësor bëhet i formës së prerë i njëjti nuk mund të rihapet në kuptim të mbrojtjes të të drejtës në pronë të garantuar me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, duke mohuar të drejtat e ligjshme të subjektit tjetër, dhe as me pretendimin se kemi të bëjmë me diskriminim.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesit e kërkesës dhe disa persona të tjerë parashtruan revizion kundër Aktgjykimit [Ac. nr. 6320/20] të 27 prillit 2023, të Gjykatës së Apelit, duke përsëritur të njëjtat pretendime të paraqitura para Gjykatës së Apelit, me kërkesën që Gjykata Supreme ta aprovojë revizionin kundër KEK-ut dhe ta prishë Aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës së Apelit ashtu që ta kthejë lëndën në rivendosje.
Më 22 nëntor 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. 290/2023] refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruesve të kërkesës, dhe të disa personave të tjerë, me arsyetimin se (i) Gjykata e Apelit ka dhënë arsye të qarta në lidhje me çështjet e ngritura që kanë të bëjnë me dispozitat relevante edhe vërtetimin e gjendjes faktike; (ii) parashtruesve të kërkesës nuk iu takon kompensimi sepse të njëjtit janë shpërblyer në tërësi për pronën e eksproprijuar; (iii) kompensimi i kërkuar nga parashtruesit nuk rrjedhë nga një raport kontraktues, andaj, si e tillë, nuk mund të gjejë mbështetje në rregullat që kanë të bëjnë me “dëmtimin përtej gjysmës”, të cilat janë të aplikueshme në kontratat e dyanshme detyruese; dhe se (iv) në rastin konkret nuk mund të flasim për diskriminim pasi procedura jokontestimore në të cilën është caktuar kompensimi ka kaluar në të gjitha instancat gjyqësore të përcaktuara me legjislacionin e kohës, ndërsa të njëjtën shumë M. Xh. e ka pranuar duke iniciuar procedurë përmbarimi në atë kohë por të përtërirë “pas luftës dhe të realizuar në vitin 2004”.
Pretendimet e parashtruesve të kërkesës
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë shkelje të neneve 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, si dhe të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt), nenit 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenit 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1, të KEDNJ-së.
Në lidhje me pretendimin për shkelje të së drejtës për mosdiskriminim të garantuar me nenin 24 të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës theksojnë se: “[...] gjykatat e atëhershme gjatë luftës për serb kan caktuar kompenzime shumë të larta për pronat e tyre të shpronësuara në krahasim me kompenzimet e caktuara për shqiptare në të njëjtën kohë që janë caktuar si në rastin konkret shumë të ulta, apo duke i dëmtuar paditësit me mbi 67.46% më pakë për shqiptarë e që është vërtetuar me ekspertët e përmendur si më lartë, por edhe ka mundësi që të hulumtohen arhivat komunale dhe ajo qendrore e Kosovës për atë kohë e që do të vërtetohej me pamëdyshje se kemi të bëjmë me diskriminim”. Në këtë kontekst, ata përmendin edhe shkeljen e dispozitave neneve 1 (Qëllimi), 3 (Koncepti i diskriminimit), 4 (Llojet e trajtimit të pabarabartë), 5 (Format e rënda të diskriminimit), 8 (Përgjegjësitë e institucioneve të Republikës së Kosovës), 9 (Avokati i Popullit), 13 (Paditë për mosmarrëveshjet për diskriminimi), 14 (Procedura para gjykatës) dhe 16 (Veprimet në procedurën kontestimore) të Ligjit nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Përkitazi me shkeljen e të drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës konsiderojnë se: “Me nenin 6 të KEDNJ (Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut) parashihet e drejta për një proces të rregullt nga një gjykatë e paanshme e pavarur dhe efikase e që nuk ka ndodhë [kështu] për 29 vitet e kaluara deri më tani [...]” .
Lidhur me shkeljen e të drejtës për mbrojtjen e pronës, të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se: “[...] paditësit duhet ti paguhet kompenzimi i tokës së tij të shpronësuar menjëherë e që nuk iu është kompenzuar për kohë të kaluar që nga viti 1995 e këndej deri më tani për 29 vite e që në fund me vendimet e Gjykatës së Apelit dhe asaj Supreme paditësve iu është mohuar një e drejtë e tillë në tërësi”.
Në fund, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që të konstatojë shkeljen e të gjitha dispozitave të lartcekura në dëm të tyre dhe që t’iu jepet mundësia që në një proces të rregullt gjyqësor efikas dhe në harmoni me dispozitat ligjore, të realizojnë, pa diskriminim, të drejtën e tyre për një kompensim real të pronës së tyre të shpronësuar.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato”.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
“1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj”.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT [e miratuar më 4 nëntor 1950 nga Këshilli i Evropës]
Neni 6
(E drejta për gjykim të drejtë)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte
interesat e drejtësisë.
[...].”
Neni 14
(Ndalimi i diskriminimit)
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër”.
PROTOKOLLI SHTESË NR. 1 I KONVENTËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT [i miratuar më 20 mars 1952 nga Këshilli i Evropës]
Neni 1
(Mbrojtja e pronës)
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera”.
LIGJI PËR EKSPROPRIJIMIN (Gazeta Zyrtare e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, i 28 prillit 1978, dhe i ndryshuar dhe plotësuar me ligjet nr. 46/86 dhe Nr. 5/89)
Neni 45
(pa titull)
“Pronari i mëparshëm ka të drejtë për kompensimin të cilin do ta realizonte në mënyrën e deriatëhershme të shfrytëzimit të paluajtshmërisë së eksproprijuar, nga dita e hyrjes në posedim të shfrytëzuesit të eksproprijimit deri në ditën e lidhjes së marrëveshjes për kompensim, gjegjësisht deri në ditën e vendosjes së shkallës së parë mbi kompensimin, të vërtetuar sipas rrethanave në momentin e lidhjes së marrëveshjes, gjegjësisht në momentin e prurjes së vendimit nga shkalla e parë për kompensimin.
[...]”.
Neni 49
(pa titull)
“Pasi që të marrë formë të prerë vendimi mbi eksproprijimin, organi komunal i administratës kompetente për punët juridike-pasurore është i obliguar që pa vonesë të caktojë dhe mbajë proces verbal për caktimin me marrëveshje të shpërblimit për pasurinë e patundshme të eksproprijuar.
[...]”
Ligji për Marrëdhëniet Themelore Juridiko-Pronësore (Gazeta Zyrtare e ish- Republikës Federative Jugosllave, i shpallur me dekretin e 30 janarit 1980)
Neni 44
(pa titull)
“E drejta e pronësisë pushon me kalimin e sendit në pronësi shoqërore”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcakton:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale), nenit 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe nenit 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor”.
Gjykata konstaton se parashtruesit e kërkesës janë: (i) palë të autorizuara; (ii) kontestojnë një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. nr. 290/2023] të 22 nëntorit 2023, të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 6320/20] e 27 prillit 2023 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [C. nr. 2167/19] e 9 marsit 2020 të Gjykatës Themelore; (iii) kanë saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; (iv) kanë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj; si dhe (v) e kanë dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, pika d) e paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës, përcaktojnë që:
"(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) Kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
[...]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".
Gjykata fillimisht thekson se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës. Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GJEDNJ-së Kemmachev kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykim i 24 nëntorit 1994, paragrafi 44 Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005, paragrafi 55; Mentzen kundër Letonia, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008, dhe rastet e Gjykatës KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 prillit 2021, paragrafi 26; KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021, paragrafi 53; dhe KI05/23 parashtrues Branislav Gajin, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2024, paragrafi 51).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë si dhe pretendimet përkatëse të parashtruesve të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të saj dhe ato të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që në rastin e parashtruesve të kërkesës ishin zhvilluar tri (3) procedura, si në vijim:
Procedura e parë që ndërlidhet me pronën e eksproprijuar të paraardhësit të parashtruesve të kërkesës, M. Xh., për të cilën atij i ishte caktuar kompensimi në vitet 1996-1997 në procedurë jokontestimore nga Gjykata Komunale, e të cilin vendim e vërtetoi Gjykata e Qarkut në vitin 1998, me ç’ rast Aktgjykimi [N. nr. 15/97] i Gjykatës Komunale u bë res judicata;
Procedura e dytë që ndërlidhet me përmbarimin përkitazi me kompensimin e pronës së kontestuar e filluar në vitin 1998, por e cila ishte ripërtërirë në vitin 2003 dhe e cila kishte rezultuar në nxjerrjen e aktvendimit të Gjykatës Komunale të vitit 2004, që kishte urdhëruar KEK që t’ia bëjë pagesën M. Xh. në shumën prej 23,346.27 (njëzet e tre mijë e treqind e dyzet e gjashtë pikë njëzet e shtatë) euro, të cilën shumë i njëjti e pranoi dhe e nënshkroi më 13 shkurt 2004; dhe
Procedura e tretë që ndërlidhet me padinë për kompensimin e tokës së eksproprijuar e iniciuar në vitin 2002 nga M. Xh., dhe e vazhduar pas vdekjes së tij nga pasardhësit e tij, përfshirë parashtruesit e kërkesës, kundër KEK-ut, për kompensimin e pronës së eksproprijuar, pemëve të dëmtuara dhe fitimin e humbur. Gjykata Themelore, pasi rasti ishte kthyer në rishqyrtim, refuzoi kërkesëpadinë parashtruesve të kërkesës, në cilësinë e trashëgimtarëve të paraardhësit të tyre, M. Xh., me arsyetimin se ky i fundit ishte kompensuar në vitin 2004 për pronën e eksproprijuar dhe çështja e njëjtë nuk mund të rigjykohet, ndërsa pretendimet për fitimin e humbur dhe dëmtim “përtej gjysmës” si rezultat i shumës së akorduar për eksproprijim i konsideroi si të pabazuara pasi që paraardhësi i parashtruesve kishte humbur të drejtën e pronësisë mbi pronën e eksproprijuar në momentin kur prona kishte kaluar në pronësi shoqërore bazuar në Ligjin përkatës të Marrëdhënieve Themelore Juridiko-Pronësore të ish-Jugosllavisë. Gjykata e Apelit refuzoi ankesën e parashtruesve të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, të cilin Aktgjykim e vërtetoi edhe Gjykata Supreme, e cila e refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesve të kërkesës duke arsyetuar se në rastin konkret parashtruesve të kërkesës nuk iu takon kompensimi sepse të njëjtit janë shpërblyer në tërësi për pronën e eksproprijuar në vitin 2004, sipas vendimit gjyqësor res judicata; kompensimi i kërkuar nga parashtruesit nuk rrjedhë nga një raport kontraktues, andaj si i tillë nuk mund të gjejë mbështetje në rregullat që kanë të bëjnë me “dëmtimin përtej gjysmës”, të cilat janë të aplikueshme në kontratat e dyanshme detyruese.
Gjykata rikujton se parashtruesit e kërkesës kontestojnë para Gjykatës procedurën e tretë që ndërlidhet me padinë e tyre për kompensim të drejtë të pronës së eksproprijuar në vitin 1997, pemëve të dëmtuara dhe fitimin e humbur. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se me Aktgjykimin e kontestuar atyre iu janë shkelur të drejtat e tyre të mbrojtura me nenet 24, 31 dhe 46 të Kushtetutës, si dhe nenet 6 dhe 14 të KEDNJ-së dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së për shkak se gjykatat e rregullta nuk iu kanë mundësuar një gjykim të rregullt dhe të paanshëm, si dhe pa diskriminim gjatë procedurës së kompensimit të pronës së eksproprijuar, si dhe duke iu shkelur të drejtën për pronë, përkatësisht kompensim real të pronës së eksproprijuar.
Gjykata vëren se thelbi i pretendimit të parashtruesve të kërkesës ka të bëjë me aplikimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme në rastin e tij nga gjykatat e rregullta, përkatësisht atyre që ndërlidhen me (i) dëmtimin “përtej mase”; si dhe (ii) çështjen e zbatimit të ligjeve diskriminuese gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Në lidhje me këtë, Gjykata konsideron se pretendimet e parashtruesve të kërkesës se nuk është kompensuar në shumën e duhur për pronën e eksproprijuar, i ngritur në kuptim të 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, bie në kategorinë e pretendimeve “të shkallës së katërt”, sepse ngërthen çështje që ndërlidhen me interpretimin dhe aplikimin e ligjit, përkatësisht “ligjshmërisë” dhe jo “kushtetutshmërisë”.
Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60; KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34; KI188/21, me parashtrues Zenel dhe Isuf Pllashniku, Aktvendim për papranueshmëri, i 19 korrikut 2022, paragrafët 98-99; KI31/22, me parashtrues Fidan Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 janarit 2023, paragrafët 43-44, KI89/22, parashtrues Xhelal Plakolli, Aktvendim për papranueshmëri 7 marsit 2023, paragrafi 42).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, rast i cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, rast cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, rast i cituar më lart, paragrafi 35; KI31/22, me parashtrues Fidan Hoti, cituar më lart, paragrafi 42, KI89/22, parashtrues Xhelal Plakolli, cituar më lart, paragrafi 43).
Gjykata mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve ligjore të gjykatave të rregullta përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime mund të kenë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi te paarsyeshme (shih rastin e Gjykatës KI75/17, parashtrues X, Aktgjykim i 30 janarit 2018, paragrafi 59; dhe KI89/22, parashtrues Xhelal Plakolli, cituar më lart, paragrafi 44) .
Duke iu kthyer rrethanave të rastit konkret, Gjykata rikujton arsyetimin e Aktgjykimit [C. nr. 2167/19] të 9 marsit 2020, të Gjykatës Themelore, e cila konstatoi se as i ndjeri M. Xh. dhe as parashtruesit e kërkesës nuk kishin ofruar prova se çështjen e përfunduar me vendim të plotfuqishëm në procedurë jokontestimore sipas Aktvendimit [N. nr. 15/97] të 30 tetorit 1997 të Gjykatës Komunale, e kanë ndjekur sipas mjeteve të jashtëzakonshme dhe se parashtruesit e kërkesës tashmë ishin kompensuar për pronën e eksproprijuar përmes aktvendimit të Gjykatës Komunale në vitin 1997, i cili u përmbarua në vitin 2004. Gjykata po ashtu sjellë në vëmendje arsyetimin e Gjykatës Themelore përkitazi me pretendimet e parashtruesve të kërkesës për fitim të humbur dhe dëmtim përtej gjysmës, si në vijim: “[...] paluejtshmëria e paditësit [M. Xh] është shpronësuar me aktvendim të plotfuqishëm mbi shpronësimin gjatë vitit 1978, gjykata vlerëson se paditësit e kanë humbur të drejtën e pronësisë në momentin kur prona ka kaluar në pronësi shoqërore, në pajtim me dispozitën e nenit 44 të Ligjit për Marrëdhëniet Themelore Juridiko Pronësore LMTHJP ku përcaktohet se e drejta e pronësisë pushon me kalimin e sendit në pronësi shoqërore”.
Tutje, Gjykata iu referohet edhe pjesëve relevante të Aktgjykimit [Ac. nr. 6320] të 27 prillit 2023, të Gjykatës së Apelit, e cila theksoi se: “[...] Aktvendimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë R.nr.15/97 i dt.30.10.1997 është bërë i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm me dt. 28.01.1998, ndërsa propozimi për ekzekutim ishte bërë nga i autorizuari i kreditorit me dt.18.03.1998, për të vazhduar procedura deri në përfundimin e saj në vitin 2004, ku dokumenti përmbarimor është ekzekutuar në tërësi dhe kështu debitori e ka përmbushur detyrimin e tij ndaj kreditorit, ashtu që tani për trashëgimtarët e kreditorit-përkatësisht paditësit, kjo konsiderohet çështje e gjykuar”. Gjykate e Apelit po ashtu theksoi se në rast kur një vendim gjyqësor bëhet i formës së prerë i njëjti nuk mund të rihapet në kuptim të mbrojtjes të së drejtës në pronë të garantuar me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, duke mohuar të drejtat e ligjshme të subjektit tjetër, dhe as me pretendimin se kemi të bëjmë me diskriminim.
Në këtë drejtim, Gjykata vë në dukje edhe arsyetimin e Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, ku pranoi arsyetimet e gjykatave më të ulëta në rastin konkret, dhe konstatoi se: […] paditësve nuk u takon kompensimi pasi që të njëjtit janë shpërblyer për pronën, pra të njëjtëve u është paguar shpërblimi në tërësi për paluajtshmërinë e eksproprijuar sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë të vitit 1978. Gjykata Supreme vlerëson se në këtë rast kompensimi i kërkuar nga paditësit nuk rrjedh nga një raport kontraktues andaj si i tillë nuk mund të gjej mbështetje në rregullat që kanë të bëjnë me dëmtimin përtej gjysmës. Rregullat e dëmtimit përtej gjysmës kanë të bëjnë me kontratat e dyanshme detyruese, posaçërisht situatën kur mes detyrimeve të palëve te kontratat e dyanshme në kohën e lidhjes se kontratës ka ekzistuar një shpërpjesëtim i qartë dhe pala e dëmtuar në momentin e lidhjes së kontratës nuk ka ditur e as që është dashur të dinte vleftën e vërtetë të prestimit të saj. Në rastin e paditësve kompensimi në të cilën thirren ata nuk rrjedh nga ndonjë raport kontraktues, por është kompensim i cili është caktuar me vendim gjyqësor të formës së prerë mbi bazën e procedurës jokontestimore, që ka të bëjë me caktimin e kompensimit për paluajtshmërinë e shpronësuar, ku në atë procedurë është caktuar kompensimi, ndërsa paraardhësi i paditësve kompensimin e njohur e ka ekzekutuar në procedurë të përmbarimit të përfunduar në vitin 2004”.
Gjykata po ashtu i referohet nenit 49 të Ligjit për Eksproprijimin i 28 prillit 1978, ku përcaktohet se: “Pasi që të marrë formë të prerë vendimi mbi eksproprijimin, organi komunal i administratës kompetent për punët juridike-pasurore është i obliguar që pa vonesë të caktojë dhe mbajë proces verbal për caktimin me marrëveshje të shpërblimit për pasurinë e patundshme të eksproprijuar [...]”, si dhe nenit 45 të po këtij ligji, të plotësuar dhe ndryshuar me ligjet nr. 46/86 dhe nr. 25/89, si në vijim: “Pronari i mëparshëm ka të drejtë për kompensimin të cilin do ta realizonte në mënyrën e deriatëhershme të shfrytëzimit të paluajtshmërisë së eksproprijuar, nga dita e hyrjes në posedim të shfrytëzuesit të eksproprijimit deri në ditën e lidhjes së marrëveshjes për kompensim, gjegjësisht deri në ditën e vendosjes së shkallës së parë mbi kompensimin, të vërtetuar sipas rrethanave në momentin e lidhjes së marrëveshjes, gjegjësisht në momentin e prurjes së vendimit nga shkalla e parë për kompensimin”.
Gjykata vëren se në thelb, gjykatat e rregullta kishin refuzuar pretendimin e parashtruesve të kërkesës në lidhje me kompensimin real për pronën e eksproprijuar, për arsye procedurale për shkak se ky pretendim i referohet pjesës së gjykuar (res-judicata) të këtij rasti, respektivisht, pjesës që ishte vendosur nga Gjykata Komunale përmes Aktvendimit [R. nr. 15/97] të 30 tetorit 1997, i cili u bë i plotfuqishëm më 18 mars 1998 dhe u përmbarua në vitin 2004, ndërsa pretendimet për fitimin e humbur dhe dëmtimin përtej gjysmës i kishin refuzuar me arsyetimin se kompensimi për pronën e eksproprijuar nuk rrjedhë nga një raport juridik kontraktues, por është kompensim i caktuar në procedurë jokontestimore me vendim të formës së prerë në datën e lartcekur.
Në këtë aspekt, Gjykata rikujton që e drejta për gjykim të drejtë kërkon që një çështje që është bërë res judicata të konsiderohet e pakthyeshme, në pajtim me parimin e sigurisë juridike (shih rastin e GJEDNJ-s, Brumărescu kundër Rumanisë, nr. 28342/95, Aktgjykimi i 28 tetorit 1999). Ky parim i GJEDNJ-së është konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës (shih rastet e Gjykatës, KI08/09, parashtrues Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Fabrikës së Çelikut IMK Ferizaj, Aktgjykim i 17 dhjetorit 2010, paragrafët 60-61; KI132/15, parashtrues Manastiri i Deçanit, Aktgjykim i 19 majit 2016, paragrafët 95-97; KI122/17, parashtrues Česká Exportní Banka A.S., Aktgjykim i 18 prillit 2018, paragrafët 149-158, KI208/23, parashtrues Telekomi i Kosovës Sh.A., Aktvendim për papranueshmëri, i 31 janarit 2024, paragrafi 64).
Në anën tjetër, bazuar në dispozitat ligjore të lartcekura, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta i kanë dhënë përgjigje parashtruesve të kërkesës për pretendimet e tyre për fitimin e humbur dhe dëmtimin përtej gjysmës duke elaboruar të drejtën materiale dhe procedurale të aplikueshme në rastin konkret.
Për më tepër, nga arsyetimi i konkluzioneve të gjykatave të rregullta, vërehet qartë se në dritën e rrethanave të rastit konkret, nuk kemi të bëjmë as me “aplikim të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar” dhe as me “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” nga ana e Gjykatës Supreme.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesve të kërkesës mungesën e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm dhe moskompensimin e pronës së eksproprijuar janë pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesve të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Sa i përket pretendimeve të parashtruesve të kërkesës për shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 të KEDNJ-së, Gjykata i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila thotë se “diskriminimi do të thotë trajtim ndryshe, pa një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, të personave në situata relativisht të ngjashme” (shih, rastet e GJEDNJ-së, Willis kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 36042/97, Aktgjykimi i 11 qershorit 2002, paragrafi 48; Bekos dhe Koutropoulos kundër Greqisë, nr. 15250/02, Aktgjykimi i 13 marsit 2006, paragrafi 63, shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim i 5 janarit 2021, paragrafi 44).
Më tej, Gjykata rikujton se në mënyrë që pretendimet e parashtruesve në lidhje me shkeljen e të drejtës për mosdiskriminim të jenë të suksesshme, ata inter alia, duhet të dëshmojnë se pozita e tyre mund të konsiderohet e ngjashme me pozitën e një personi tjetër i cili ka pasur trajtim më të mirë (shih, rastin e GJEDNJ-së rastin Fredin kundër Suedisë, nr.12033/86, Aktgjykim i 18 shkurtit 1991, paragrafi 60, shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës KI166/20, cituar më lart, paragrafi 45).
Në rastin konkret, Gjykata konsideron se parashtruesit e kërkesës e kanë identifikuar grupin e personave që sipas tyre janë trajtuar ndryshe, por ata nuk kanë paraqitur asnjë dëshmi e cila do të mund të provonte se përgjatë procesit gjyqësor ka pasur me të vërtetë diskriminim, përkatësisht se të njëjtit janë trajtuar ndryshe me ndonjë palë tjetër në një situatë të njëjtë ose të ngjashme e cila mund të ketë përfituar nga ndarja e drejtësisë në kushte të njëjta, sidomos duke pasur parasysh faktin që gjykatat e rregullta në procedurën që kishte rezultuar në Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme kishin trajtuar rastin nga aspekti i eksproprijimit që ishte bërë res judicata dhe nuk kishin trajtuar çështjen e shumës së eksproprijuar. Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (d), dhe (2) si dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 25 qershor 2024:
VENDOS
TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; dhe
TË KONSTATOJË që ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Jeton Bytyqi Gresa Caka-Nimani
Ali Xhigoli dhe Naser Xhigoli
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile