Prishtinë, më 4 dhjetor 2023
Nr.ref.: RK 2298/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI26/23
Parashtrues
“Kastrioti Petrol”
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, E.Rev.nr.33/2022, të 15 shatorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga “Kastrioti Petrol”, me seli në Komunën e Obiliqit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Arben Bytyqi, pronar i kompanisë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [E.Rev.nr.33/2022], e 15 shtatorit 2022, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ae.nr.206/2020], e 10 nëntorit 2021, të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [IV.EK.C.nr.122/10], e 5 tetorit 2020, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme më 10 tetor 2022.
Objekti i çështjes
Objekti i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] dhe paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e Punës nr. 01/2023 e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, në përputhje me rregullin 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së Punës nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së Punës nr. 01/2018 do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 6 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 9 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [GJR.KSH.KI26/23] caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 10 shkurt 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës, me ç’rast i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
Më 19 maj 2023, Gjykata i kërkoi Gjykatës Themelore dorëzimin e fletëkthesës që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin [Rev.nr.33/2022].
Më 23 maj 2023, Gjykata Komerciale e Kosovës i dorëzoi Gjykatës fletëkthesën përmes të cilës dëshmohet se parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin të Gjykatës Supreme më 10 tetor 2022.
Më 7 nëntor 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës më 26 janar 2011 me Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ministria e Drejtësisë) kishte nënshkruar kontratën për furnizim me derivate.
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës, në kuadër të përmbushjes së obligimeve kontraktuale, kërkoi nga Ministria e Drejtësisë pagesën e tri (3) faturave të papaguara të vitit 2011.
Më 8 nëntor 2011, Ministria e Drejtësisë njoftoi parashtruesin e kërkesës se si rezultat i furnizimit të dobët me derivate dhe arrestimit të A.B [vozitës te parashtruesi i kërkesës] kishte marrë vendim për ndërprerjen e kontratës.
Procedura penale kundër A.B.
Më 28 dhjetor 2011, Prokuroria Publike e Qarkut në Gjilan kundër A.B., në cilësinë e vozitësit të kamionit-cisternë për furnizimin me naftë te parashtruesi i kërkesës, ngriti aktakuzën [PP.nr.303/2011] nën dyshimin e bazuar se i njëjti kishte kryer veprat penale të “Shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit”, “Mashtrimit në detyrë” dhe të “Mashtrimit”, përkatësisht akuzohej se në dy qendra të paraburgimit dhe në Prokurorinë e Qarkut në Prizren përmes cisternës kishte furnizuar sasi më të vogël të naftës nga ajo që ishte kërkuar dhe deklaruar në raportet e furnizimit në këto tri institucione, duke e dëmtuar Ministrinë e Drejtësisë në shumë prej 30.898 euro.
Më 15 shtator 2016, Gjykata Themelore në Gjilan përmes Aktgjykimit [PKR.nr.53/12], e liroi A.B. nga akuza për shkak të mungesës së provave për kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohej, përderisa Ministria e Drejtësisë u udhëzua në kontest civil për realizmin e kërkesës pasurore-juridike.
Më 29 shtator 2016, Prokuroria Themelore në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore) paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që lënda të kthehet në rigjykim.
Më 6 mars 2017, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PAKR.nr.596/16] e refuzoi si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore dhe vërtetoi Aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore, të 15 shtatorit 2016.
Kronologjia faktike që ndërlidhet me procedurën kontestimore
Më 6 mars 2019, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesëpadi në Gjykatën Themelore kundër Ministrisë së Drejtësisë përmes të cilës nga kjo e fundit kërkoi: (i) pagesën e shumës prej 41,422.53 euro me kamatë ligjore prej 8% në vit, duke filluar nga data e ekspertizës të 24 shkurtit 2015 deri në pagesën definitive në emër të mallit të dërguar sipas kontratës për furnizim; dhe (ii) pagesën e shumës që do të përcaktohej nga eksperti financiar në emër të fitimit të humbur, me kamatë vjetore prej 8% nga momenti i ekspertizës deri në pagesën definitive.
Më 5 tetor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimin [IV.EK.C.nr.122/2019] e refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit të saj, në thelb konstatoi se kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës ishte parashkruar ashtu siç përcaktohet me nenin 374 (Kërkesat reciproke nga kontrata në qarkullimin e mallrave e të shërbimeve) të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të 30 marsit 1978 (në tekstin e mëtejmë: LMD). Në mënyrë specifike, Gjykata Themelore arsyetoi se: “Gjykata paraprakisht i ka shqyrtuar faturën nr.158 e dt.31.10.2011, faturën nr.159 të dt.31.10.2011 si dhe faturën nr.179, dt.15.12.2011. Gjykata i ka shqyrtuar në mënyrë të veçantë prapësimin e parashtrimit të ngritur nga i padituri, me ç’rast ka konstatuar se nga dita e arritjes së borxhit të pretenduar për pagesë e deri në ditën e inicimit të procedurës gjyqësore për kompensimin e tij, gjegjësisht paraqitjen e padisë, kanë kaluar më shumë se 3 vite”.
Sipas Gjykatës Themelore: “Duke marrë për bazë nenin 374 të LMD-së, me të cilin është përcaktuar se kërkesat reciproke nga kontrata për qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve në mes të subjekteve juridike apo tregtare parashkruhen për 3 vite, del përfundimi se kërkesa e paditësit është e parashkruar. Ndërsa edhe kërkesa e pretenduar e palës paditëse për shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga pala e paditur është parashkruar, ngase neni 367 i LMD-së thekson se kërkesa e shpërblimit të dëmit të shkaktuar parashkruhet për 3 vite nga data kur i dëmtuari ka mësuar për dëmin dhe personin që ka bërë dëmin”.
Në fund, Gjykata Themelore theksoi se: “ [...] me nenin 360 të LMD-së është përcaktuar se me parashkrimin pushon e drejta e kërkimit të përmbushjes së borxhit. Duke u bazuar në faktet dhe rrethanat e lartcekura dhe në dispozitat ligjore, që e rregullojnë çështjen e parashkrimit të kërkesës, gjykata mori vendimin për refuzimin e kërkesëpadisë. Gjykata nuk u lëshua në konstatimin e fakteve dhe rrethanave tjera të pretenduara nga dy palët në procedurë, siç është çështja a është faturuar borxhi apo jo nga pala paditëse apo kush i ka shfrytëzuar automjetet në kohën kur është krijuar ky borxh.”
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore, zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Më 10 nëntor 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ae.nr.206/2020] e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin [IV.EK.C.nr.122/10], të 5 tetorit 2020 të Gjykatës Themelore.
Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit të saj vërtetoi qëndrimin e Gjykatës Themelore duke konstatuar se i njëjti nuk ishte përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe në vijim konkludoi se nga Gjykata Themelore e drejta materiale ishte zbatuar në mënyrë të drejtë. Këtë të fundit, Gjykata e Apelit e konstatoi duke vlerësuar se nga momenti i lëshimit të faturës nr. 158, të 31 tetorit 2011 deri në momentin e parashtrimit të kërkesëpadisë të parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore më 6 mars 2019, kishin kaluar më shumë se tri vite.
Së dyti, në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se afati i parashkrimit fillon të rrjedhë nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit penal, Gjykata e Apelit theksoi se në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës nuk ka pasur asnjë pengesë që të paraqesë padi brenda afateve ligjore. Thënë këtë, Gjykata e Apelit po ashtu konstatoi se: “[është i pabazuar pretendimi] lidhur me ndërprerjen e parashkrimit, sepse ne shkresat e lendes nuk ka asnjë provë me te cilën do te vërtetohej ndërprerja e parashkrimit.”
Më 5 janar 2022, parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimeve të lartcekura të Gjykatës Themelore, respektivisht Gjykatës së Apelit për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale në dëm të tij.
Parashtruesi i kërkesës përmes revizionit të paraqitur në Gjykatën Supreme në thelb pretendoi se: “ [...] e paditura [Ministria e Drejtësisë] pagesën e borxhit e ka kushtëzuar me përgjegjësinë penale e cila ka përfunduar në pafajësi për të punësuarin e paditëses dhe nga koha e plotfuqishmërisë së aktgjykimit penal nuk kanë kaluar 3 vite për parashtrim padie për pagesë të borxhit. Në rastin konkret parashkrimi fillon të rrjedhë nga dita e parë kur kreditori ka pasur të drejtë ta kërkojë përmbushjen e detyrimit, neni 342 i LMD-së, dhe kjo ditë ka filluar kur me aktgjykim penal ka vendosur Gjykata e Apelit, gjegjësisht kur ky aktgjykim u është dorëzuar palëve për pafajësi”.
Më 15 shtator 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.E.nr.33/2022] e refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj vlerësoi se: “ [...] aktgjykimet e gjykatave të instancës më të ulët janë marrë me zbatimin e drejtë të dispozitave të procedurës kontestimore dhe të së drejtës materiale, përmbajnë arsye të mjaftueshme për faktet relevante të cilat i pranon edhe kjo Gjykatë. Aktgjykimi i goditur nuk përmban shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore të cilat kjo gjykatë i vlerëson sipas detyrës zyrtare”.
Sipas Gjykatës Supreme: “[...] aktgjykimet e gjykatave të instancës më të ulët përmbajnë arsye të plota dhe të mjaftueshme për të gjitha faktet relevante të vlefshme për gjykimin e drejtë të kësaj çështje juridike dhe se të njëjtat gjykata drejt kanë zbatuar edhe të drejtën materiale dhe atë dispozitat përkatëse të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve”.
Më tej, Gjykata Supreme theksoi se: “[...] me LMD përcaktohet momenti nga i cili fillon të rrjedhë afati i parashkrimit, si element thelbësor, lidhur me parashkrimin. Afati i këtillë i parashkrimit është afat ligjor i karakterit imperativ, i cili nuk mund të ndryshohet, të zgjatet as të shkurtohet nga palët ndërgjyqëse. Sipas LMD-së, ditën e parë, pas ditës kur kreditori ka pasur të drejtë të kërkojë përmbushjen e detyrimit, e konsideron si fillim të rrjedhës së afatit të parashkrimit. Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate rezulton se në rastin konkret kërkesëpadia e paditësit ndaj të paditurës, sipas nenit 374.1 të LMD-së, është parashkruar”.
Në fund, Gjykata Supreme konkludoi se: “Kjo gjykatë, po ashtu, pranon edhe arsyetimin e gjykatës së shkallës së dytë, përkitazi me pretendimin e paditësit lidhur me afatin e parashkrimit dhe llogaritjen e tij nga plotfuqishmëria e aktgjykimit penal, nga fakti se në rastin konkret, siç del edhe nga shkresat e lëndës, procedura penale është zhvilluar ndaj [...], ndërsa vetë [parashtruesi i kërkesës], si person juridik, nuk ka pasur kurrëfarë pengese që ta paraqesë padinë brenda afateve ligjore, ndaj, nga këtu edhe ky pretendim i revizionit është i pathemeltë”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon që përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme atij i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon zbatim të gabuar të dispozitave të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës specifikon se: “ [...] deri te shkelja e pretenduar ka ardhur sepse sipas nenit 365 të LMD-së, parashkrimi nuk rrjedhë gjatë gjithë kohës derisa kreditori nuk ka pasur mundësi që për shkak të kërkesave të papërballueshme të kërkojë përmbushjen e detyrimit nga Gjykata”. Sipas tij afati ka filluar të rrjedhë pas përfundimit të procedurës penale, në të cilën procedurë gjyqësore, i punësuari i tij ishte liruar nga akuza.
Në vijim, parashtruesi i kërkesës thekson se: “[...] pretendimet për ndërprerje të procedurës së parashkrimit edhe pse i ka ngritur paditësja me ankesë dhe mjete të jashtëzakonshme juridike, gjykatat nuk kanë dhënë shpjegime dhe arsye të duhura për refuzim të njëjtave pretendime, por vetëm kanë konstatuar se pretendimi është parashkruar”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës i propozon Gjykatës që kërkesën e tij ta shpallë të pranueshme dhe të konstatojë se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KENDJ-së, dhe të njëjtin ta shpallë të pavlefshëm.
Dispozita përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
[..]”
KONVENTA EUROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykate e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do te vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t'i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese te tij, në interes të moralit, rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallen që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
2. Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.”.
LIGJI MBI MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE
[publikuar në Gazetën Zyrtare të ish-Jugosllavisë më 30 mars 1978]
Neni 360
Me parashkrimin pushon e drejta e kërkimit të përmbushjes se detyrimit.
Parashkrimi lind kur të ketë kaluar afati i caktuar me ligj brenda të cilit kreditori ka mundur të kërkojë përmbushjen e detyrimit.
Gjykata nuk mund të përfillë parashkrimin në qoftë se debitori nuk e ka invokuar atë.
Kur fillon të rrjedhë parashkrimi
Neni 361
Parashkrimi fillon të rrjedhë ditën e parë pas ditës kur kreditori të ketë pasur të drejtë të kërkojë përmbushjen e detyrimit në qoftë se me ligj për raste të veçanta nuk është parashikuar diçka tjetër.
Në qoftë se detyrimi përbëhet nga ajo se diçka të mos bëhet, të lihet pa u bërë ose të durohet, parashkrimi fillon të rrjedhë ditën e parë pas ditës kur debitori të ketë vepruar në kundërshtim me detyrimin.
Neni 367
Në qoftë se debitori e plotëson detyrimin e parashkruar, ai nuk ka të drejtë të kërkojë që t'i kthehet ajo që ka dhënë as atëherë kur nuk e ka ditur se detyrimi ështe parashkruar.
Kërkesat reciproke nga kontrata në qarkullimin e
mallrave e të shërbimeve
Neni 374
Kërkesat reciproke të personave shoqëror juridikë nga kontrata në qarkullimin e mallrave e të shërbimeve si dhe kërkesat e kompensimit për shpenzimet e bëra lidhur me këto kontrata, parashkruhen për tre vjet.
Parashkrimi rrjedh veç e veç për çdo livrim malli, punë ose shërbim të kryer.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata duhet së pari të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
Neni 21
“[…]
Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.”
Neni 113
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata gjithashtu i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe nenit 49 [Afatet] të Ligjit të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.”
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të dorëzojë ankesë kushtetuese, duke iu referuar shkeljeve të pretenduara të drejtave dhe lirive themelore, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih rastet e Gjykatës nr. KI41/09, parashtrues Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendimi për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14; dhe nr. KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, Aktgjykimi i 11 dhjetorit 2019, paragrafi 40).
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. E. Nr. 33/2022] të 15 shtatorit 2022 të Gjykatës Supreme, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur në pajtim me kriteret e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Në mënyrë specifike, paragrafët 1 (d) dhe (2) të rregullit 34 të Rregullores së Punës përcaktojnë që:
“Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi e pabazuar” dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendimi për papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendimi për papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues Asllan Meka, Aktvendimi për papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendimi për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e personit juridik, në janar të vitit 2011, kishte lidhur kontratë me Ministrinë e Drejtësisë për furnizim të derivateve të naftës. Si rezultat i arrestimit të disa zyrtarëve të kësaj Ministrie dhe të njërit prej punonjësve të parashtruesit të kërkesës, Ministria e Drejtësisë në vitin 2011 kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës për ndërprerje të kontratës. Parashtruesi i kërkesës, si rezultat i lirimit nga akuza të punonjësit të tij përmes vendimeve të gjykatave, të nxjerra në procedurë penale, kishte parashtruar kërkesëpadi në vitin 2019 në Gjykatën Themelore për pagesën e një shume të caktuar, si rezultat i mos-pagesës së tri faturave të vitit 2011. Gjykata Themelore kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës e kishte refuzuar si të pabazuar me konstatimin se kërkesa për pagesën e këtyre faturave ishte parashkruar pasi që bazuar në nenin 374 të LMD-së kishin kaluar më shumë se tri vite. Si rezultat i ankesës së parashtruesit të kërkesës, të parashtruar në Gjykatë të Apelit, kjo e fundit ankesën e tij e kishte refuzuar si të pabazuar duke vërtetuara qëndrimin dhe konstatimin e dhënë përmes Aktgjykimit të Gjykatës Themelore. Në vijim, parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme, e cila përmes Aktgjykimit të saj të 15 shtatorit 2022, e kishte refuzuar si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës, duke konstatuar se në kuptim të zbatimit të së drejtës materiale, kërkesa e parashtruesit të kërkesës për pagesën e tri faturave, të vitit 2011 ishte parashkruar.
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Thënë këtë, Gjykata vëren se thelbi i pretendimit të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me interpretimin dhe zbatimin e dispozitave të LMD-së përkitazi me parashkrimin e kërkesës për pagesën e detyrimeve që dalin nga marrëdhënia kontraktuale në mes të tij dhe Ministrisë së Drejtësisë. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës specifikon se si rezultat i zhvillimit të procedurës penale ndaj njërit prej punonjësve të tij, parashkrimi i kërkesës për pagesë duhej të ishte ndërprerë deri në momentin e lirimit të tij nga akuza. Në mënyrë më specifike, sipas tij afati ka filluar të rrjedhë pas përfundimit të procedurës penale, në të cilën procedurë gjyqësore, i punësuari i tij ishte liruar nga akuza.
Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin ndërmjet “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendimi për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendimi i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendimi për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, rast i cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, rast cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, rast i cituar më lart, paragrafi 35).
Gjykata mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve ligjore të gjykatave të rregullta përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime mund të kenë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi të paarsyeshme (shih rastin e Gjykatës KI75/17, parashtrues X, Aktgjykimi i 30 janarit 2018, paragrafi 59).
Në lidhje me pretendimin e lartcekur të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se të gjitha vendimet e gjykatave të rregullta ofruan arsyetimin përkatës për refuzimin e kërkesëpadisë së tij. Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit vërtetuan se:
nga momenti i lëshimit të faturave të vitit 2011 deri në momentin e parashtrimit të kërkesëpadisë të parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore më 6 mars 2019, kishin kaluar më shumë se tri vite. Si rrjedhojë, të dy gjykatat konstatuan se bazuar në nenin 374 të LMD-së, kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës është parashkruar dhe se me parashkrimin pushon edhe e drejta e kërkimit të përmbushjes së borxhit;
kërkesa e parashtruesit të kërkesës për shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga Ministria e Drejtësisë bazuar në nenin 367 të LMD-së po ashtu është parashkruar për shkak se bazuar në këtë dispozitë “kërkesa e shpërblimit të dëmit të shkaktuar parashkruhet për 3 vite nga data kur i dëmtuari ka mësuar për dëmin dhe personin që ka bërë dëmin.”; dhe
Pretendimi i parashtruesit të kërkesës se afati i parashkrimit fillon të rrjedhë nga dita e plotfuqishmërisë se aktgjykimit penal është i pabazuar për arsye se parashtruesi i kërkesës nuk ka pasur asnjë pengesë që të paraqesë padi brenda afateve ligjore dhe se në shkresat e lëndës “nuk ka asnjë provë me të cilën do të vërtetohej ndërprerja e parashkrimit”.
Në vijim, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në revizionin e tij kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, kishte pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Në kontekst të kësaj të fundit, Gjykata i referohet Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, përmes të cilit kjo e fundit, mes tjerash, kishte vërtetuar se:
aktgjykimet e gjykatave të shkallës më të ulët nuk janë përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, gjegjësisht dispozitave relevante të LMD-së;
Aktgjykimet e gjykatave të shkallës më të ulët përmbajnë arsyetim të mjaftueshëm për faktet relevante të cilat i pranoi edhe vet Gjykata Supreme; dhe
“[...] me LMD përcaktohet momenti nga i cili fillon të rrjedhë afati i parashkrimit, si element thelbësor, lidhur me parashkrimin. Afati i këtillë i parashkrimit është afat ligjor i karakterit imperativ, i cili nuk mund të ndryshohet, të zgjatet as të shkurtohet nga palët ndërgjyqëse.” Thënë këtë, Gjykata Supreme bazuar në nenin 374 të LMD-së konstatoi se në rastin konkret kërkesëpadia e paditësit ndaj Ministrisë së Drejtësisë është parashkruar.
Ndërsa, në lidhje me pretendimin e ngritur nga parashtruesi i kërkesës në revizionin e tij se afati i parashkrimit fillon të rrjedhë nga momenti i “plotfuqishmërisë së aktgjykimit penal”, Gjykata Supreme vërtetoi qëndrimin e Gjykatës së Apelit duke theksuar se “[...] procedura penale është zhvilluar ndaj pronarit të paditëses, ndërsa vetë paditësja, si person juridik, nuk ka pasur kurrfarë pengese që ta paraqesë padinë brenda afateve ligjore, ndaj, nga këtu edhe ky pretendim i revizionit është i pathemeltë”.
Bazuar në arsyetimin e dhënë nga Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj, Gjykata vëren se kjo e fundit ka arritur në këtë përfundim pas shqyrtimit të konstatimeve të dhëna përmes aktgjykimeve të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit dhe adresimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës të ngritura në revizionin e tij para kësaj gjykate.
Në dritën e fakteve të mësipërme, Gjykata e konsideron të nevojshme të vë në pah se parashtruesit të kërkesës i është mundësuar zhvillimi i procedurës bazuar në parimin e kontradiktoritetit; se ai ka mundur që gjatë fazave të ndryshme të procedurës të paraqes argumente dhe dëshmi që ai i konsideronin të rëndësishme për rastin e tij; dhe se të gjitha argumentet, shikuar objektivisht, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit të tij janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat; se arsyet faktike e ligjore ndaj vendimeve të goditura ishin shqyrtuar hollësisht; dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit, procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta.
Prandaj, duke marrë për bazë atë që është cekur më lart, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumenton para Gjykatës se si këto interpretime të dispozitave përkatëse ligjore, të bëra nga Gjykata Supreme dhe gjykatat e rregullta, kanë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi të paarsyeshme në rastin e tij, apo se si procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe të kenë qenë arbitrare.
Si përfundim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nuk ka arritur të dëshmojë dhe të mbështes pretendimin e tij se si gjykatat e rregullta, gjatë interpretimit dhe zbatimit të dispozitave përkatëse ligjore, kanë shkelur të drejtat e tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, janë pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së Punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113. 7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së Punës, më 7 nëntor 2023, njëzëri;
VENDOS
TË SHPALLË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Përparim Muji
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile, Penale