Prishtinë, më 12 dhjetor 2024
Nr. ref.: RK 2584/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI139/24
Parashtrues
Avdylvehab Bytyqi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit, PAKR. nr. 43/2024, të 12 marsit 2024 të Gjykatës së Apelit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Avdylvehab Bytyqi, me vendbanim në Komunën e Gjakovës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [PAKR.nr. 43/2024] të 12 marsit 2024, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), në ndërlidhje me Aktgjykimin [2022:234101] e 7 dhjetorit 2023, të Gjykatës Themelore në Gjakovë – Departamenti për krime të rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet: 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 26 [E Drejta e Integritetit Personal], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 3 korrik 2024, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 15 korrik 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimeve [nr. GJR. KI139/24] dhe [nr. KSH. KI139/24] caktoi gjyqtarin Radomir Laban, gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Jeton Bytyqi (anëtarë).
Më 5 gusht 2024, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës së parashtruesit të kërkesës iu dërgua Gjykatës së Apelit.
Më 5 nëntor 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata: (i) njëzëri, e shpalli kërkesën të papranueshme; dhe (ii) me gjashtë (6) vota për dhe tre (3) kundër e shpalli kërkesën e parashtruesit të kërkesës të papranueshme për shkak të mosshterrimit të mjeteve juridike.
Në të njëjtën datë, gjyqtari raportues Radomir Laban, në bazë të paragrafit (6) të rregullit 53 (Votimi) të Rregullores së Punës, kërkoi nga Kryetarja të caktojë një gjyqtar tjetër nga shumica, për ta përgatitur Aktvendimin në përputhje me kërkesat e shumicës së gjyqtarëve. Me këtë rast, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Jeton Bytyqi për të përgatitur Aktvendimin për papranueshmëri.
Më 26 nëntor 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi e prezantoi Aktvendimin para përbërjes së plotë të Gjykatës.
Në përputhje me rregullin 57 (Mendimet konkurruese) të Rregullores së punës, gjyqtari Radomir Laban ka përgatitur mendim konkurrues, i cili do të publikohen së bashku me këtë Aktvendim.
Përmbledhja e fakteve
Siç rezulton nga dosja e lëndës, parashtruesi i kërkesës dyshohej se më 15 dhjetor 2022 kishte detyruar të dëmtuarën F. B., të kryente akt seksual pa pëlqimin e saj dhe nën kërcënim.
Më 21 dhjetor 2022, Prokuroria Themelore në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore) ngriti Aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës për kryerjen e veprës penale “Dhunimi” nga neni 227, paragrafi 4, nën-paragrafi 4.4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK).
Më 7 dhjetor 2023, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [2022:234101], e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për kryerjen e veprës penale “Dhunimi”, dhe i shqiptoi atij dënimin me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vitesh. Gjykata Themelore e vërtetoi gjendjen faktike përmes një numri të konsiderueshëm të provave, përfshirë (i) raportin e policisë dhe të hetuesit; (ii) raportet e Emergjencës të Spitalit në Gjakovë; (iii) dëshminë e të dëmtuarës; (iv) dëshminë e katër (4) dëshmitarëve; dhe (v) dëshminë e parashtruesit të kërkesës.
Më 5 janar 2024, kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar, ndër të tjera, se Aktgjykimi i Gjykatës Themelore, përkatësisht dispozitivi i këtij Aktgjykimi nuk është i kuptueshëm dhe është kundërthënës me arsyetimin, dhe se i njëjti është i bazuar në fakte të cilat nuk janë shqyrtuar gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Më 10 janar 2024, parashtruesi i kërkesës ndaj Aktgjykimit të Gjykatës Themelore po ashtu parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar, ndër të tjera, se dëshmitë e të dëmtuarës dhe dëshmitarëve janë të inskenuara.
Më 31 janar 2024, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës [PPA/I.nr.58/2024] propozoi që të refuzohen ankesat e paraqitura nga parashtruesi i kërkesës dhe mbrojtësi i tij.
Më 12 mars 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 43/2024], i refuzoi si të pabazuara ankesat dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit vlerësoi, ndër të tjera, se Aktgjykimi i Gjykatës Themelore (i) është në përputhje me faktet e rastit të përshkruara në dispozitiv të Aktgjykimit (ii) me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe pretendimet e palëve në procedurën penale; dhe se (iii) Gjykata Themelore ka dhënë arsye konkrete në lidhje me vërtetimin e fakteve dhe administrimin e provave gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës kërkon që të vlerësohet nëse përmes vendimeve të kontestuara janë shkelur të drejtat e tij kushtetuese, të garantuara përmes neneve 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 26 [E Drejta e Integritetit Personal], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së.
(i) përkitazi me pretendimet për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit ka shkelur paragrafin 1 të nenit 390 (Seanca para kolegjit të apelit) të Kodit nr. 08/L-32 të Procedurës Penale të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPK-së), sepse ka mbajtur seancën gjyqësore pa praninë e tij, përkundër faktit që ka pasur ftesë dhe këtë e kishte kërkuar edhe vet. Sipas parashtruesit të kërkesës, mbrojtësi i tij nuk ka pasur prokurë të posaçme që pa pëlqimin e tij të mbajë seancën gjyqësore në Gjykatën e Apelit.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon se Prokuroria Themelore, pas nxjerrjes së Aktvendimit për fillimin e hetimeve, nuk e ka ftuar për ta marrë në pyetje dhe për t’i dhënë mundësinë që t’i kundërshtonte provat. Sipas tij, Prokuroria Themelore e ngriti Aktakuzën pa e marrë asnjëherë në pyetje gjatë procedurës paraprake të hetimeve. Lidhur me këtë parashtruesi i kërkesës thekson se mos-marrja e tij në pyetje nga Prokuroria Themelore gjatë fazës së hetimeve është shkelje e rëndë e dispozitave ligjore dhe shkelje e pakapërcyeshme për Gjykatën Themelore, e cila duhet të kujdesej sipas detyrës zyrtare për një shkelje të tillë.
(ii) përkitazi me pretendimet për shkeljen e të drejtës për përdorim të mjetit juridik
Parashtruesi i kërkesës pretendon që Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është në kundërshtim me Kushtetutën, për shkak se nuk pati mundësi ta atakonte atë përmes mjeteve të rregullta juridike. Parashtruesi i kërkesës thekson se ankesat e tij drejtuar Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit nuk u morën parasysh dhe se të dy Aktgjykimet shkelën të drejtat dhe liritë e tij në procedurën gjyqësore. Parashtruesi i kërkesës thekson se nuk ka pasur qasje në mjet tjetër juridik dhe kërkon që Gjykata ta pranojë kërkesën pa i shterur mjetet tjera juridike, duke iu referuar edhe rasteve të Gjykatës KI11/09, parashtrues Tomë Krasniqi, Vendim për Heqjen nga Lista të Kërkesës, të 17 majit 2011; dhe KI06/10, parashtrues Valon Bislimi, Aktgjykim i 30 tetorit 2010.
Dispozitat relevante ligjore
Kodi nr. 08/L-032 i Procedurës Penale
Neni 407
Ankesa në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit
1. Ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit mund të paraqitet në Gjykatën Supreme të Kosovës në rastin kur:
1.1. Gjykata e Apelit shqipton dënim me burgim të përjetshëm ose vërteton aktgjykimin e Gjykatës Themelore me të cilin është shqiptuar dënim i tillë;
1.2. Gjykata e Apelit pas shqyrtimit vërteton ndryshe gjendjen faktike nga Gjykata Themelore dhe aktgjykimin e bazon në gjendjen e tillë faktike të vërtetuar; ose
1.3.Gjykata e Apelit ndryshon aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore dhe e zëvendëson me aktgjykim dënues për të akuzuarin.
[...]
Neni 419
Mjetet e jashtëzakonshme juridike
1.Procedura penale e përfunduar me aktvendim të formës së prerë ose me aktgjykim të formës së prerë mund të rishikohet me kërkesën e personave të autorizuar vetëm në rastet dhe sipas kushteve të parapara me këtë Kod. Kërkesa për rishikim të procedurës penale i paraqitet Gjykatës Themelore e cila ka nxjerr vendimin.
2. Pala mund të kërkojë zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit në çdo kohë gjatë periudhës së mbajtjes së dënimit. Pala i paraqet kërkesën Gjykatës Themelore e cila ka nxjerr aktgjykimin në shkallë të parë, e cila ia përcjell të gjitha shkresat e lëndës Gjykatës Supreme.
3. Pala mund të paraqesë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë brenda tre (3) muajsh nga dita kur është dorëzuar aktgjykimi i formës së prerë ose aktvendimi i formës së prerë kundër të cilit kërkohet mbrojtja e ligjshmërisë. Pala paraqet kërkesën në Gjykatën Themelore e cila ka nxjerr vendimin në shkallë të parë, e cila ia përcjell të gjitha shkresat e lëndës Gjykatës Supreme.
4.Nenet 375, 376, 377, 378 dhe 379 të këtij Kodi zbatohen për të gjitha kërkesat nga ky nen.
C. Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë
Neni 432
Arsyet për paraqitje së kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë
1. Kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë mund të paraqitet kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në rastet vijuese:
1.1. në rast të shkeljes së ligjit penal;
1.2. në rast të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384, paragrafit 1 i këtij Kodi; ose
1.3. në rast të shkeljeve të tjera të dispozitave të procedurës penale kur shkeljet e tilla kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor.
2. Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë nuk mund të ushtrohet për shkak të konstatimit të gabueshëm ose jo të plotë të gjendjes faktike, as kundër vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës me të cilën është vendosur mbi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.
3. Pavarësisht nga dispozitat e paragrafit 1 të këtij neni, Kryeprokurori i Shtetit mund të paraqesë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë për cilëndo shkelje ligjore.
4. Pavarësisht nga dispozitat e paragrafit 1 të këtij neni, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet, gjatë procedurës e cila nuk ka përfunduar në formë të prerë, vetëm kundër vendimeve të formës së prerë lidhur me caktimin, vazhdimin ose ndërprerjen e paraburgimit.
Neni 433
Personat e autorizuar për të paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë
1. Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqesë Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, i pandehuri dhe mbrojtësi i tij. Pas vdekjes së të pandehurit, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në emër të tij mund të paraqesin personat e paraparë në nenin 424, paragrafi 1 të këtij Kodi
2. Zyra e Kryeprokurorit të shtetit, i pandehuri, mbrojtësi i tij dhe personat e paraparë në nenin 424, paragrafin 1 të këtij Kodi mund të paraqesin kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë brenda tre (3) muajve nga dita e dorëzimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë. Nëse kundër vendimit të gjykatës themelore nuk paraqitet ankesë, afati rrjedh nga dita kur vendimi merr formë të prerë.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohet me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht[...]”.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të parapara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës:
(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(b) Janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me ligj kundër aktit të kontestuar;
[...]
Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [PAKR. nr. 43/2024] e 12 marsit 2024 të Gjykatës së Apelit.
Në vazhdim Gjykata do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara nga ligji, para se ta dorëzojë kërkesën e tij në Gjykatë.
Gjykata rikujton se paragrafi 7 i nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] i Kushtetutës dhe paragrafi 2 i nenit 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, si dhe nën-paragrafit (b) i paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e Pranueshmërisë) të Rregullores së Punës, përcaktojnë detyrimin për shterimin e “të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me ligj”, i cili detyrim përbën një nga kriteret parësore të pranueshmërisë së një kërkese individuale të parashtruar në Gjykatë. Ky detyrim në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërlidhet edhe me respektimin e parimit të subsdiaritetit. Në këtë kontekst, Gjykata duke afirmuar edhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në vazhdimësi ka theksuar se qëllimi dhe arsyetimi i rregullit për të shteruar mjetet juridike, është që t’ju ofrojë autoriteteve përkatëse dhe para së gjithash, gjykatave të rregullta, mundësinë për të parandaluar ose për të korrigjuar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës. Sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, ky rregull bazohet në supozimin që pasqyrohet në nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, që rendi juridik i Republikës së Kosovës siguron mjete efektive për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë, para se rasti të referohet në Gjykatën Kushtetuese (shih, ndër të tjera, rastin e Gjykatës KI179/20, parashtrues Telekom i Kosovës Sh.A, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 janarit 2021, paragrafi 94).
Gjykata rikujton se, parashtruesit e kërkesës duhet të shterojnë të gjitha mjetet juridike, në kuptimin formal dhe procedural, kundër aktit të autoritetit publik që e kontestojnë në të gjitha instancat me juridiksion të plotë (shih, rastet e Gjykatës, KI219/21, parashtrues Isuf Ferati, Aktvendim për papranueshmëri i 19 korrikut 2022, paragrafët 26-28; KI193/20, Aktvendim për papranueshmëri i 5 majit 2021, paragrafët 26-28).
Gjykata duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së ka theksuar se në aplikimin e parimit që ndërlidhet me fleksibilitetin dhe mungesën e formalizmit të tepruar, duhet të vlerësohen dhe plotësohen disa kritere, të cilat janë të përcaktuara përmes praktikave respektive gjyqësore. Në të gjitha rastet, kur mjetet juridike nuk janë shteruar, për të përcaktuar nëse të njëjtat, në rrethanat e rasteve përkatëse, janë “efektive”, duhet të vlerësohet nëse (i) ekzistenca e mjeteve juridike është “mjaftueshëm e sigurt jo vetëm në teori, por edhe në praktikë” sepse të njëjtat, duhet të jenë në gjendje “të ofrojnë zgjidhje përkitazi me pretendimet e një parashtruesi” dhe “të ofrojnë një mundësi të arsyeshme për sukses”; dhe (ii) mjetet juridike përkatëse janë në “dispozicion, të qasshme dhe efektive”, (shih rastin e Gjykatës, KI57/22 dhe 79/22, parashtrues Shqipdon Fazliu dhe Armend Haliti, Aktgjykim i 4 korrikut 2022, paragrafët 69; dhe rastet e GJEDNJ-së, Akdivar dhe të tjerët kundër Turqisë, cituar më lart; Öcalan kundër Turqisë, nr. 46221/99, Aktgjykim i 12 majit 2005, paragrafët 63-72; dhe Kleyn dhe të tjerët kundër Holandës, nr. 39343/98 dhe 3 të tjerë, Aktgjykim i 6 majit 2003, paragrafët 155-162).
Gjykata thekson se në praktikën e saj të mëparshme gjyqësore, dhe bazuar në rrethanat specifike të secilit rast konkret, kjo e fundit i ka shqyrtuar kërkesat e parashtruesve të kërkesës kundër vendimeve të Gjykatës së Apelit që ndërlidheshin me vendimet për shpalljen fajtor për vepra penale të parashtruesve të kërkesës (shih, rastet e Gjykatës KI149/13, parashtrues Lukë Kuzhnini, Aktvendim për papranueshmëri 5 dhjetorit 2013; dhe KI89/15, parashtrues Fatmir Koci, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 janarit 2015.
Megjithatë, në vijim të shtjellimit të parimeve si më sipër, Gjykata, në kuptim të parimit të subsidiaritetit, duhet të vlerësojë nëse në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës aktuale ka pasur në dispozicion mjete juridike efektive të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, për t’i ngritur pretendimet e tij, që kryesisht ndërlidhen me ligjshmërinë e Aktgjykimit [PAKR. nr. 43/2024], të Gjykatës së Apelit, para se i njëjti t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata rikujton që Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [2022:234101] të 7 dhjetorit 2023 parashtruesin e kërkesës e kishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Dhunimi”, të cilit i kishte shqiptuar edhe dënimin me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vitesh. Si rezultat i kësaj, parashtruesi i kërkesës dhe mbrojtësit të tij, kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, paraqitën ankesa në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit përmes Aktgjykimit [PAKR.nr.43/2024] të 12 marsit 2023, i refuzoi si të pabazuara ankesat duke e vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Gjykata, bazuar në shkresat e lëndës dhe pretendimet e tij në Gjykatë, vëren se parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit nuk kishte parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, mjet juridik ky i përcaktuar me nenin 419 (Mjetet e jashtëzakonshme juridike) të KPPK-së.
Në vijim, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij të paraqitur në Gjykatë pretendon se (i) Gjykata e Apelit ka shkelur paragrafin 1 të nenit 390 (Seanca para kolegjit të apelit) të KPPK-së, sepse ka mbajtur seancën gjyqësore pa praninë e tij, ndërsa mbrojtësi i tij nuk ka pasur prokurë të posaçme që pa pëlqimin e tij të mbajë seancën gjyqësore në Gjykatën e Apelit; (ii) Prokuroria Themelore kishte ngritur Aktakuzën pa e marrë asnjëherë në pyetje atë gjatë procedurës paraprake të hetimeve; dhe se (iii) nuk ka pasur qasje në mjet tjetër të rregullt juridik për të sfiduar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit. Në këtë aspekt Gjykata vëren se çështjet që parashtruesi i kërkesës ngritë para Gjykatës ndërlidhen me shkeljet e pretenduara procedurale nga ana e Gjykatës Apelit dhe mos-marrjen e tij në pyetje gjatë fazës së hetimeve.
Lidhur me mundësinë për të kontestuar vendimet e Gjykatës së Apelit para gjykatave të rregullta, Gjykata vëren se paragrafi 1 i nenit 407 të KPPK-së (Ankesa në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit) parasheh që ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit mund të paraqitet në Gjykatën Supreme në këto raste: (i) kur Gjykata e Apelit shqipton dënim me burgim të përjetshëm ose vërteton Aktgjykimin e Gjykatës Themelore me të cilin është shqiptuar dënim i tillë; (ii) Gjykata e Apelit pas shqyrtimit vërteton ndryshe gjendjen faktike nga Gjykata Themelore dhe aktgjykimin e bazon në gjendjen e tillë faktike të vërtetuar; dhe (iii) Gjykata e Apelit ndryshon aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore dhe e zëvendëson me aktgjykim dënues për të akuzuarin. Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës nuk ka pasur të drejtë të ushtrojë ankesë në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, sepse (i) nuk ishte i dënuar me burgim të përjetshëm; (ii) Gjykata e Apelit nuk e vërtetoi ndryshe gjendjen faktike nga Gjykata Themelore; dhe as (iii) nuk e zëvendësoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në lidhje me dënimin e tij.
Megjithatë, Gjykata vë në dukje se paragrafi 3 i nenit 419 (Mjetet e jashtëzakonshme juridike) i KPPK-së parasheh mundësinë që i pandehuri të paraqesë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë para Gjykatës Supreme, si mjet i jashtëzakonshëm juridik, brenda tre (3) muajsh nga dita kur i është dorëzuar aktgjykimi i formës së prerë. Sipas nenit 432 (Arsyet për paraqitje së kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë) të KPPK-së, kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet në: (i) rast të shkeljes së ligjit penal; dhe (ii) në rast të shkeljes së dispozitave të procedurës penale.
Gjykata po ashtu vëren se Gjykata Supreme përmes kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë në një numër rastesh ka vendosur që të deklarojë si të bazuara kërkesat e të pandehurve për mbrojte të ligjshmërisë dhe të kthejë në rigjykim vendimet e Gjykatës së Apelit (shih, rastet e Gjykatës KI111/20, parashtrues Elez Elezi, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 nëntorit 2020, paragrafët 24 deri 26; KI71/20, parashtrues Etem Arifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 shtatorit 2020, paragrafi 28; dhe KI14/18, parashtrues Hysen Kamberi, Aktgjykim, i 15 janarit 2020, paragrafi 25).
Prandaj, Gjykata vlerëson se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë si mjet juridik në procedurë penale, (i) është mjaftueshëm i sigurt, jo vetëm në teori por edhe në praktikë, për të ofruar zgjidhje përkitazi me pretendimet e parashtruesit; dhe (ii) është mjet juridik në dispozicion, i qasshëm dhe efektiv, pasi palëve i mundëson (a) korrigjimin e gabimeve që mund të jenë bërë nga gjykatat e shkallës më të ulët; dhe (b) adresimin në mënyrë të suksesshme të pretendimeve të tyre për shkeljet e ligjit penal dhe atij të procedurës penale.
Në vijim të këtij elaborimi, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi që kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të paraqesë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, përmes së cilës mund të kishte ngritur pretendimet e tij specifike që ndërlidheshin me (i) pjesëmarrjen e tij në seancë dëgjimore; dhe (ii) marrjen e tij në pyetje nga Prokuroria Themelore. Kjo për arsye se këto dy pretendime të parashtruesit të kërkesës i referohen edhe çështjeve të zbatimit të dispozitave të procedurës penale, për të cilat parashtruesi i kërkesës mund të paraqiste kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme.
Rrjedhimisht, Gjykata marrë parasysh se në rrethanat e rastit konkret, si rezultat i mosparaqitjes së kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, konstaton se kërkesa e tij duhet të shpallet e papranueshme, për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuar me ligj, ashtu siç përcaktohet në paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (b) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit dhe me rregullat 34 (1) (b) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 5 nëntor 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve dhe, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari që përgatiti Aktvendimin Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Jeton Bytyqi Gresa Caka-Nimani
Avdylvehab Bytyqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Penale