Prishtinë, më 29 prill 2024
Nr. ref.: RK 2421/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI30/23
Parashtrues
Telekomi i Kosovës Sh.A
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0618] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës të 6 tetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Telekomi i Kosovës Sh.A (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës). Parashtruesin e kërkesës e përfaqëson Lulzim Sokoli Zëvendës Drejtor i Departamentit Ligjor të parashtruesit të kërkesës (në tekstin e mëtejmë: përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [AC-I-21-0618] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit të DHPGJS), të 6 tetorit 2022.
Aktgjykimi [AC-I-21-0618] i Kolegjit të Apelit të DHPGJS i 6 tetorit 2022, i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 13 tetor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0618] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS të 6 tetorit 2022, përmes të cilit pretendohet se janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 paragrafi 1 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 22 (Procedimi i kërkesës) dhe nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatë
Më 7 shkurt 2023, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 9 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr.GJR.KI30/23], caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe përmes Vendimit [Nr.KSH.KI30/23] Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi Peci, anëtarë.
Më 24 shkurt 2023, Gjykata: (i) e njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës ; dhe ii) i dërgoi DHPGJS-së një kopje të kërkesës.
Më 11 shtator 2023, Gjykata i dërgoi një shkresë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS), nga e cila kërkoi që të dorëzojë fletë-kthesën që dëshmon ditën se kur parashtruesi i kërkesës ka pranuar Aktgjykimin e kontestuar.
Më 11 shtator 2023, DHPGJS e dorëzoi fletë-kthesën në të cilën dëshmohej se aktgjykimi i kontestuar [AC-I-21-0618] i ishte dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 13 tetor 2022.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 27 mars 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Në një datë të paspecifikuar, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (në tekstin e mëtejmë: AKM) kishte publikuar një njoftim për fillimin e procesit të likuidimit të N.Sh “Universal” në shtypin ditor “Koha Ditore” dhe “Blic”, ku kishte njoftuar të gjithë kreditorët potencial të N.Sh “Universal” se afati për dorëzimin e kërkesave ndaj N.Sh “Universal” është deri me datën 5 shkurt 2006.
Më 13 shkurt 2006, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesën në AKP për kompensimin e shumës prej 148,707.45€ në emër të shërbimeve të papaguara nga N.Sh “Universal”, për periudhën kohore nga muaji gusht i vitit 1999 e deri në muajin janar 2004. Pretendohet se borxhet e NSH “Universal”, sipas parashtruesit të kërkesës, ishin për shkak të shërbimeve postare të papaguara.
Më 25 tetor 2013, Autoriteti i Likuidimit i AKM-së i ka dërguar parashtruesit të kërkesës një kërkesë, përmes së cilës ka kërkuar të ofroj informata plotësuese dhe justifikuese lidhur me vonesën për parashtrimin e kërkesës kreditore.
Më 14 nëntor 2013, parashtruesi i kërkesës ka paraqitur një shkresë të bilancit të llogarisë nga muaji gusht i vitit 1999 deri në muajin janar të vitit 2004 si informatë plotësuese, ndërsa arsyetimin lidhur me vonesën për parashtrimin e kërkesës kreditore e mbështeti mbi faktin e pengesave teknike, të cilat i kishin pamundësuar që të ofrojë të gjitha faturat brenda afatit dhe për këtë kishte bashkangjitur korrespondencën me zyrtarin e rastit të N.Sh “Universal” në lidhje me këto probleme teknike.
Më 18 dhjetor 2013, Autoriteti i Likuidimit, më konkretisht Komisioni i Likuidimit i N.Sh “Universal” nxori Vendimin [PRN037-0008], përmes të cilit e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e faturave të papaguara në shumën e kërkuar si të pavlefshme, me arsyetimin se bazuar në nenin 378 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve (në tekstin e mëtejmë: LMD) Nr.29/1978 të RSFJ-së, e njëjta kërkesë është parashkruar pasi parashtruesi i kërkesës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndërprerë periudhën e parashkrimit prej 1 viti.
Më 27 dhjetor 2013, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në DHPGJS një ankesë kundër Vendimit PRN037-0008 të Autoritetit të Likuidimit të 18 dhjetorit 2013, duke kundërshtuar konstatimin e Autoritetit të Likuidimit se kërkesa për kompensimin e faturave në fjalë është parashkruar bazuar në nenin 378 të LMD-së . Në këtë ankesë, parashtruesi i kërkesës kishte theksuar se është dashur të aplikohej neni 374 i LMD-së, me arsyetimin se ky nen rregullon kërkesat reciproke në mes të personave shoqëroro-juridik nga kontratat mbi qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, e që sipas kësaj dispozite afati i parashkrimit është 3 vite, dhe kërkoi nga DhPGjS-së që të ndryshojë vendimin e atakuar të Autoritetit të Likuidimit, duke aprovuar kërkesëpadinë e tij si të bazuar.
Më 15 tetor 2018, Agjencia Kosovare e Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP), në rolin e të paditurës, parashtroi mbrojtje në ankesë, në të cilën ritheksoi se Autoriteti i Likuidimit ka bërë vlerësim të saktë të rrethanave faktike dhe ka bërë zbatim të saktë të dispozitave ligjore në rastin konkret.
Më 30 gusht 2021, Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për Çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Specializuar i DHPGJS) nxroi Aktgjykimin [C-IV-13-4040], përmes të cilit, (i) e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar; dhe (ii) e vërtetoi Vendimin PRN037-0008 të Autoritetit të Likuidimit të 18 dhjetorit 2013 si të drejtë dhe të bazuar në ligj.
Në arsyetimin e Aktgjykimit [C-IV-13-4040], Kolegji i Specializuar i DHPGJS, ndër të tjerash theksoi se:
“Nga shkresat e lëndës del se ankuesi kërkesën e tij Autoritetit të Likuidimit ia kishte parashtruar me datë 13 shkurt 2006. Nga kjo konstatohet se ankuesi kërkesën e tij te Autoriteti i Likuidimit e kishte parashtruar pasi që kishte kaluar afati i parashtrimit të kërkesave sipas informimit të bërë nga AKP-ja. Ankuesi në ankesë nuk sjell asnjë pretendim apo dëshmi të besueshme që do ta justifikonte vonesën e tij në parashtrimin e kërkesës te Autoriteti i Likuidimit, mandej nuk është ndalur fare në arsyetimin e vonesës.”
[...]
“Neni 37.4.4.1 i Shtojcës së Ligjit nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit përcakton se kërkesat që konsiderohen të jenë të pasafatshme sipas afatit të kufizuar të përcaktuar me ligjet e aplikueshme si dhe kërkesat që nuk janë parashtruar në mënyrë të rregullt apo me kohë, refuzohen.”
Më 14 shtator 2021, parashtruesi i kërkesës paraqet ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS kundër Aktgjykimit [C-IV-13-4040] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS të 30 gushtit 2021,duke pretenduar se arsyetimi i Kolegjit të Specializuar të DHPGJS se parashtruesi i kërkesës ka dorëzuar pas afatit ligjor kërkesën tek Autoriteti i Likuidimit, sipas parashtruesit të kërkesës nuk qëndron, meqenëse bazuar në vendimin e Komisionit të Likuidimit për N.Sh “Universal” thuhet se në përgjigjen e 14 nëntorit 2013 nga parashtruesi i kërkesës është paraqitur si justifikim i vonesës pengesat teknike në atë periudhë kohore që pamundësuan të ofrohen të gjitha faturat brenda afatit për parashtrimin e kërkesave. Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës kishte theksuar se: “Autoriteti i Likuidimit vendosi ta vlerësoj pastaj kërkesën si të afatshme, mirëpo e njëjta u refuzua pastaj me arsyetimin se në bazë të nenit 378 të LMD-së ishte parashkruar.” Tutje, në këtë ankesë, parashtruesi i kërkesës e ritheksoi mospajtimin e tij me konstatimin e Autoritetit të Likuidimit lidhur me kërkesën e tij, meqenëse i njëjti vlerësoi se është dashur të aplikohej neni 374 i LMD-së me rastin e vendosjes ndaj kërkesës së tij nga Autoriteti i Likuidimit, e në të cilin nen parashikohet se afati i parashkrimit është 3 vite.
Më 4 nëntor 2021, Agjencia për Privatizim (në tekstin e mëtejmë: AKP) dorëzoi një parashtresë në DHPGJS, në të cilën refuzoi pretendimet ankimore të parashtruesit të kërkesës. .
Më 6 tetor 2022, Kolegji i Apelit të DHPGJS nxori Aktgjykimin [AC-I-21-0618], përmes të cilit (i)e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës; dhe (ii) e vërtetoi Aktgjykimin [C-IV-13-4040] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS.
Kolegji i Apelit të DHPGJS nuk ishte pajtuar me arsyetimin e dhënë nga Kolegji i Specializuar i DHPGJS si shkallë e I-rë, duke e vlerësuar si të paqëndrueshëm dhe të pazbatueshëm në këtë rast, pasi që konstatoi se “është e qartë se Autoriteti i Likuidimit e kishte pranuar kërkesën si të afatshme pas dhënies së një justifikimi për paraqitjen me vonesë i cili justifikim është konsideruar bindës për Autoritetin e Likuidimit. Prandaj arsyetimi ligjor për refuzimin e ankesës në Shkallën e I-rë nuk është i saktë dhe si të tillë nuk e pranon Kolegji i Apelit.”
Megjithatë, Kolegji i Apelit të DHPGJS sërish vendosi se ankesa e parashtruesit të kërkesës është e pabazuar me arsyetimin si në vijim :
“Kolegji i Apelit e mbështet në tërësi konstatimin e Autoritetit të Likuidimit se kërkesa për kompensimin e faturave për periudhën gusht 1999 e deri janar 2004, në shumë prej 148,707.45 euro, është e parashkruar në bazë të nenit 378 të LMD-së, pasi që është e qartë se paditësi nuk ka dorëzuar ndonjë dëshmi të ketë kërkuar këtë borxh të pretenduar ndaj NSH-së brenda 1 viti në Gjkatën kompetente, por ka pritur që fillon procedura e likuidimit ndaj NSH-së, e pastaj ta paraqes kërkesën.”
[...]
“Kolegji i Apelit vëren se paditësi e konsideron si të gabuar aplikimin e nenit 378 të LMD-së, e që sipas paditësit është dashtë të aplikohet neni 374 i LMD-së, i cili ka përcaktuar afatin 3 vjeçar të parashkrimit në raportet kontraktuale në mes personave shoqëror juridik. Kolegji i Apelit nuk e pranon këtë pretendim të paditësit si të saktë, pasi që neni 378 paragrafi 3 i LMD-së e ka rregulluar fatin e parashkrimit 1 vjeçar të kërkesës për shërbimet e telefonit. Kjo dispozitë ka përparësi në raport me nenin 374 të LMD-së, pasi që kjo dispozitë konkretisht e rregullon afatin e parashkrimit për shërbimet postare. (...)
Kolegji i Apelit vëren që fatura e fundit e kërkuar për pagesën e shërbimeve telefonike është muajit janar 2004, që do të thotë në bazë të nenit 378 të LMD-së është parashkruar më 31 janar 2005, ndërsa faturat tjera edhe më herët.
[...]”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e parashtruar para Gjykatës, pretendoi se Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së dhe Kolegji i Apelit të DHPGJS-së, kanë nxjerrë aktgjykimet e kontestuara, në shkelje të të drejtave të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 paragrafi 1 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës pretendon se është vënë në pozitë të pabarabartë para ligjit nga Kolegji i Specializuar i DHPGJS dhe Kolegji i Apelit i DHPGJS, duke i shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara sipas parimit të barazisë para ligjit.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 paragrafi 1 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës thekson se “ Lidhur me aktgjykimin AC-I-21-0618 të datës 06.10.2022 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (DHPGJS), Telekomi i Kosovës konsideron se, edhe pse në rastin konkret është dashur të aplikohet dispozita e nenit 374 e LMD-së, i cili ka qenë në fuqi dhe me të cilin është përcaktuar afati tre (3) vjeçar i parashkrimit në raportet kontraktuale mes personave shoqëroro-juridik, Autoriteti i Likuidimit gabimisht ka aplikuar dispozitën e nenit 378 të LMD-së, duke aplikuar afatin (1) vjeçar të parashkrimit, me çka kjo Gjykatë ka aplikuar gabimisht të drejtën materiale.”
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës konsideron se konstatimi i DHPGJS në të dyja shkallët është në tërësi i pabazuar me gjendjen faktike dhe gabimisht është aplikuar e drejta materiale. Si rrjedhojë e kësaj, parashtruesi i kërkesës pretendon se garancia për mbrojtje të veçantë të të drejtave në procedurën para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike, që ofron neni 31 i Kushtetutës, i është mohuar nga refuzimi i pretendimit të tij nga ana e Kolegjit të Apelit të DHPGJS sa i përket aplikimit të dispozitës së nenit 374 të LMD-së dhe konkluzionit të Kolegjit të DHPGJS se dispozita e nenit 378 e LMD-së ka përparësi aplikimi në raport me dispozitat e nenit 374 të LMD-së.
Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës ka bashkangjitur në shkresat e lëndës Aktgjykimin [C-IV-14-1781] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS të 17 nëntorit 2021 dhe Aktgjykimin [AC-I-21-0797] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS të 19 janarit 2023, ku pretendon se në këtë situatë të ngjashme është vendosur ndryshe nga Shkalla e I-rë dhe e II-të e DHPGJS.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që: (i) Të anulohet aktgjykimi [AC-I-21-0618] i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 6 tetorit 2021 dhe Aktgjykimi [CI-IV-13-4040] i Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-ë i 30 gushtit 2021; si dhe (ii) Të kthehet lënda në rishqyrtim dhe rivendosje në shkallën e I-rë të DHPGJS .
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[…]”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6.1
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
1.“Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ..., çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme”.
[...]
LIGJI MBI MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE (“Gazeta Zyrtare e RSFJ”, Nr.29 1978)
Neni 374
“Kërkesat reciproke të personave shoqëror juridikë nga kontrata në qarkullimin e mallrave e të shërbimeve si dhe kërkesat e kompensimit për shpenzimet e bëra lidhur me këto kontrata, parashkruhen për tre vjet.
Parashkrimi rrjedh veç e veç për çdo livrim malli, punë ose shërbim të kryer.”
[...]
(Afati njëvjeçar i parashkrimit)
Neni 378
“(1) Parashkruhen për një vit:
Kërkesa e kompensimit për livrimin e energjisë elektrike dhe të ngrohjes, gazit, ujit dhe shërbimet e spastrimit të oxhaqeve dhe për mirëmbajtjen e pastërtisë, kur lirivimi, respektivisht shërbimi kryhet për nevoja shtëpiake;
Kërkesa e radiostacionit dhe stacionit radioteleviziv për përdorimin e aparatit të raidos dhe të aparatit televiziv;
Kërkesat e postës, telegrafit e të telefonave për përdorimin e telefonave dhe separateve postare, si dhe kërkesat e tjera të tyre që arkëtohen në afate tre mujore ose më të shkurtra;
Kërkesat e parapagimit në botimin periodik, duke llogaritur nga skadimi i kohës për të cilin është porositur botimi.
Parashkrimi rrjedh ngjithëse livrimet apo shërbimet janë zgjatur.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Fillimisht, Gjykata shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutës dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë se:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e përgjithshme] të Kushtetutës, i cili parasheh: "të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara me Kushtetutë, vlejnë edhee për personat juridik, për aq sa janë të zbatueshme".
Në këtë kontekst, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të paraqes ankesë kushtetuese duke iu referuar shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore, e të cilat vlejnë edhe për individët edhe për personat juridik (shih rastin e Gjykatës Kushtetuese nr. KI41/09, parashtrues: Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., aktvendimi për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 4).
Megjithatë, përtej kritereve të përcaktuara më lart, në vlerësimin nëse parashtruesi i kërkesës i plotëson kriteret për vlerësimin e kërkesës së tij, Gjykata rikujton nenin 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit dhe në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç parashihen në nenin 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcakton:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”
Sa i përket përmbushjes së kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: (i) është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; (ii) konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [AC-I-21-0618] të Kolegjit të Apelit të DhPGjS-së të 6 tetorit 2022; (iii) i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, në kuptim të nenit 113.7 dhe nenit 47.2 të Ligjit; (iv) ka qartësuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe (v) ka dorëzuar kërkesën brenda afatit prej katër (4) muajsh, siç përcakton neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj kritereve të lartcekura, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka plotësuar kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Ky rregull specifikisht përcakton që:
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.”
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e rastit. Më konkretisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajtja e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastet e Gjykatës: KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 25; KI29/22, parashtrues “Kosovska Banka” DD Beograd, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 korrikut 2023, paragrafi 61; dhe KI122/22 parashtrues Ilaz Rrahmani, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 korrikut 2023, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së dhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, këtyre pretendimeve do të ju referohemi si “pretendime qartazi të pabazuar” dhe bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, të njëjtat kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”; dhe në fund pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, ndër të të tjerash rastet e GJEDNJ-së Kemmachev kundër Francës, kërkesa nr.17621/91, kategoria (i); Mentzen kundër Letonisë, kërkesa nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, kërkesa nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Gjykata thekson se gjatë vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, gjatë vlerësimit nëse pretendimet e parashtruesit janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës. Në vlerësimin e pretendimeve të tilla, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, nen, i cili e detyron Gjykatën të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të Kushtetutës në harmoni me vendimet gjyqësore të GJEDNJ-së.
Rrjedhimisht, Gjykata, duke iu rikthyer rastit konkret të parashtruesit të kërkesës , konstaton se është e qartë se parashtruesi i kërkesës sjell shkeljen e neneve të përmendura të Kushtetutës në lidhje me zbatimin e gabuar të nenit 378 të LMD-së, nga të dyja kolegjet e DHPGJS në procedurën në të cilën ka pasur kërkesë pronësore ndaj personit juridik të paditur. Prandaj, vetë fakti se kërkesa e tij pronësore u refuzua, parashtruesi i kërkesës konsideron se me këtë atij i janë shkelur i) të drejtat e garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe ii) se i janë shkelur të drejtat nga neni 24 i Kushtetutës, duke u sjellë në situatë të pabarabartë në procedurën e vendimmarrjes së kolegjit të DHPGJS-së dhe se një vendimmarrje e tillë vë në pikëpyetje parimin e barazisë para ligjit.
Pretendimi për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së, për sa i përket interpretimit të gabuar të ligjit dhe pozitë të pabarabartë para ligjit
Gjykata, para se të analizojë pretendimin e parashtruesit të kërkesës, vëren se parashtruesi i kërkesës e ndërlidh pretendimin e tij për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës me procedurën e vendimmarrjes si në Kolegjin e Specializuar të DHPGJS-së në shkallë të parë, ashtu edhe në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së në shkallë të dytë, që në kuptimin thelbësor i imponon Gjykatës detyrimin që të dy vendimet “t’i shqyrtojë në tërësinë e tyre” në kontekst të shkeljeve të pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës, gjë që është në përputhje me praktikën e GJEDNJ-së, e cila thotë se është “detyrë e Gjykatës që të shqyrtojë procedurat në tërësi, që në rastin konkret përfshin të gjitha vendimet e gjykatave të rregullta në një procedurë të vetme”(shih, ndër të tjerash, Aktgjykimin e GJEDNJ-së në rastin e Helmers kundër Suedisë, të 29 tetorit 1991, kërkesa nr. 11826/85, Seria A nr. 212, f. 15, paragrafi 31).
Megjithatë, thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës qëndron në faktin se në rastin e tij, nga ana e Kolegjit të Apelit të DHPGJS, është dashur të aplikohet neni 374 i LMD-së, me arsyetimin se “(...) për raportin kontraktual në mes dy subjekteve juridike nuk mund të zbatohet dispozita e nenit 378 e LMD-së, e cila dispozitë ka të bëjë vetëm me parashkrimin e kërkesave për një (1) vit dhe atë për nevoja shtëpijake/të amvisërisë, kurse për rastin konkret parashkrimi është rregulluar me dispozitën e nenit 374 të LMD-së, dhe kjo dispozitë rregullon parashkrimin e obligimeve që rrjedhin në mes subjekteve juridike (...)”, e që në substancë përbën pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës për sa i përket mënyrës së interpretimit dhe zbatimit të ligjit material, sepse i njëjti pretendon se është aplikuar neni i gabuar i LMD-së nga ana e Kolegjit të Apelit të DHPGJS.
Në shqyrtimin e këtyre pretendimeve, Gjykata thekson se pretendimet që ndërlidhen me zbatimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm nga gjykatat e rregullta, i konsideron si “pretendime të shkallës së katërt”, në përputhje me praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së. Rrjedhimisht, Gjykata rikujton qëndrimin e saj të përgjithshëm se vërtetimi i drejtë dhe i plotë i gjendjes faktike, si dhe interpretimet përkatëse të dispozitave ligjore, si rregull hyjnë brenda juridiksionit të gjykatave të rregullta. Roli i Gjykatës Kushtetuese është që të sigurojë respektimin e standardeve dhe të drejtave të garantuara me Kushtetutë, dhe, rrjedhimisht, ajo nuk mund të veprojë si gjykatë e “shkallës së katërt” (shih, në lidhje me doktrinën e “shkallës së katërt” rastin e GJENDJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës [DHM], nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28).
Në kontekst të kësaj kategorie pretendimesh, Gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe duke marrë parasysh veçoritë e saj, siç janë përcaktuar përmes KEDNJ-së, parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, ajo vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë”, dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose me KEDNJ (shih, ndër të tjera rastet e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim për papranueshmëri i 23 shtatorit 2021, paragrafi 49; KI145/20, parashtrues Hafize Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 33; KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri i 23 korrikut 2020, paragrafi 68). Rrjedhimisht, roli i Gjykatës Kushtetuese është të përcaktojë nëse efektet e interpretimit të gjykatave të rregullta janë në përputhje me normativat dhe standardet kushtetuese dhe të konstatojë nëse aplikimi i ligjit material ka rezultuar në konkluzione arbitrare e që rrjedhimisht kanë për pasojë shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore të parapara me Kushtetutë.
Fillimisht, Gjykata vëren se Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [C-IV-13-4040] e kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar ndaj Vendimit PRN037-0008 të Autoritetit të Likuidimit, me arsyetimin se kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte paraqitur pas afatit të përcaktuar nga njoftimi i AKM-së.
Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS, duke e kontestuar arsyetimin e Aktgjykimit [C-IV-13-4040] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS, meqenëse sipas të njëjtit ky arsyetim nuk bazohej në gjendjen faktike të rastit konkret. Përveç kësaj, nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës kishte iniciuar procedurën gjyqësore pranë DHPGJS duke kundërshtuar aplikimin e ligjit të zbatueshëm material nga ana e Autoritetit të Likuidimit me rastin e vendosjes lidhur me kërkesën e tij kreditore, ndërsa Kolegji i Specializuar i DHPGJS kishte marrë për bazë faktin se parashtruesi kishte paraqitur kërkesën jashtë afatit të lejuar, e që në të vërtetë kjo çështje veçse ishte sqaruar nga Autoriteti i Likuidimit, sepse të njëjtit, me rastin e vendosjes në kërkesën e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës, kishin vlerësuar se parashtruesi mjaftueshëm i ka justifikuar arsyet që e kanë detyruar parashtruesin ta paraqet kërkesën e tij lidhur me kompensimin e faturave të papaguara nga N.Sh “Universal”, por që kishin konstatuar se kërkesa e tij ishte parashkruar në bazë të nenit 378 të LMD-së.
Gjykata, më tej gjen se Kolegji i Apelit i DHPGJS i shqyrtoi pretendimet e parashtruesit lidhur me kontestimin që i kishte bërë arsyetimit të Aktgjykimit [C-IV-13-4040] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, duke i pranuar si të bazuara, meqenëse kishte vlerësuar se “është e qartë se Autoriteti i Likuidimit e kishte pranuar kërkesën si të afatshme pas dhënies së një justifikimi për paraqitjen me vonesë i cili justifikim është konsideruar bindës për Autoritetin e Likuidimit. Prandaj arsyetimi ligjor për refuzimin e ankesës në Shkallën e I-rë nuk është i saktë dhe si të tillë nuk e pranon Kolegji i Apelit.” Megjithatë, Kolegji i Apelit i DHPGJS u pajtua me konstatimin e Autoritetit të Likuidimit, pasi që vlerësoi se neni 378 i LMD-së është pikërisht neni i aplikueshëm në këtë çështje, ngase pretendimi i parashtruesit të kërkesës për aplikimin e nenit 374 të LMD-së nuk përkonte me rrethanat e rastit konkret, ku konkretisht sqaron se “Kolegji i Apelit nuk e pranon këtë pretendim të paditësit si të saktë, pasi që neni 378 paragrafi 3 i LMD-së e ka rregulluar fatin e parashkrimit 1 vjeçar të kërkesës për shërbimet e telefonit. Kjo dispozitë ka përparësi në raport me nenin 374 të LMD-së, pasi që kjo dispozitë konkretisht e rregullon afatin e parashkrimit për shërbimet postare.”
Në këtë drejtim, Gjykata vlerëson se me rastin e pranimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës nga ana e Kolegjit të Apelit të DHPGJS si të bazuara lidhur me arsyetimin e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS në Aktgjykimin [C-IV-13-4040], është përmbushur garancia e nenit 31 lidhur me gjykimin e drejtë dhe të paanshëm, meqenëse Kolegji i Apelit të DHPGJS përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0618] ka korrigjuar dhe plotësuar arsyetimin e dhënë nga Kolegji i Specializuar i DHPGJS. Megjithatë, Gjykata vëren arsyetimin e dhënë nga ana e Kolegjit të Apelit të DHPGJS në Aktgjykimin [AC-I-21-0618] përmes të cilit u refuzua ankesa e parashtruesit të kërkesës ndaj vendimit kontestues të Autoritetit të Likuidimit, duke u bazuar në paragrafin 1 nën-paragrafin 3 të nenit 378 të LMD-së, ku theksohet se “Kërkesat postare, telegrafike dhe telefonike për përdorimin e telefonave dhe kutive postare, si dhe kërkesat e tjera të tyre që arkëtohen në afate tre mujore ose më të shkurtra.”, është e qartë se periudha për të parashtruara kërkesa të këtij lloji, si në rastin e parashtruesit të kërkesës, është një (1) vit, si afat ligjor i paraparë në nenin 378 që i përket kategorisë së afateve prekluzive.
Sa më sipër, Gjykata thekson se afatet prekluzive janë ato afate të cilat janë të përcaktuara shprehimisht me ligj dhe brenda të cilave mund të fitohen të drejta të caktuara (e drejta për t’i kërkuar tjetrit ndonjë veprim, mosveprim, pësim ose përmbajtje nga ndonjë gjë), por pas skadimit të të cilit humbet një e drejtë. Kjo do të nënkuptonte se, nëse dikush paraqet padi në gjykatë jashtë afatit (ndërsa me rregullore të veçanta është përcaktuar afati për paraqitjen e padisë), pra, pas skadimit të të ashtuquajturit, afatit prekluziv, padia do të refuzohet me aktvendim të gjykatës. Gjykata rikujton se ajo kujdeset për afatin prekluziv sipas detyrës zyrtare qysh në fazën e shqyrtimit paraprak të padisë dhe këto afate duhet të respektohen, ku afatet më të rëndësishme janë afatet për paraqitjen e padisë, ankesës, si dhe kërkesës për kthim në gjendjen e mëparshme
Bazuar në elaborimin e mësipërm, Gjykata konstaton se Kolegji i Apelit të DHPGJS i ka adresuar të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke arsyetuar çështjen se përse në rastin e tij është aplikuar dispozita e tillë e ligjit material dhe si rezultat i parashkrimit të kërkesës, e kishte konsideruar të pabazuar ankesën e tij përkitazi me rrethanat e rastit konkret.
Prandaj, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë mjaftueshëm pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë” dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë”. Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Për më tepër, sa u përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës se deri tek shkelja e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së ka ardhur për shkak se gjykatat e rregullta e sollën në pozitë të pabarabartë, ashtu që në situata të ngjashme kishin aplikuar dispozita të ndryshme ligjore. Gjykata vëren se parashtruesi këtë pretendim e mbështet me vetëm një rast, ku dy kolegjet e DHPGJS-së kishin aplikuar dispozitën e nenit 374 të LMD-së, kur vendosën ndryshe në lidhje me rastin e tij.
Po ashtu, Gjykata vëren se parashtruesi ka ngritur edhe pretendime për mungesë konsistence në vendimmarrje dhe në këtë kontekst në shkresat e lëndës parashtruesi i kërkesës ka bashkangjitur edhe Aktgjykimin [C-IV-14-0781] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS të 17 nëntorit 2021 dhe Aktgjykimin [AC-I-21-0797] e Kolegjit të Apelit të DHPGJS të 19 janarit 2023.
Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata fillimisht thekson se parimet dhe kriteret e vendosura nga GJEDNJ, kjo Gjykatë gjatë shqyrtimit të pretendimeve për cenimin e parimit të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse i ka zbatuar edhe në praktikën e saj gjyqësore. (Shih rastet e Gjykatës KI87/18, parashtrues “IF Skadeforsikring”, Aktgjykim, i 27 shkurtit 2019 dhe KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand; KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C., Aktgjykim i 30 marsit 2022; KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C., Aktgjykim i 30 marsit 2022).
Duke iu referuar parimeve të përcaktuara të GJEDNJ, Gjykata rikujton se GJEDNJ-ja përdor tri kritere themelore për të përcaktuar nëse një divergjencë e vendimeve gjyqësore e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, dhe të cilat përcaktojnë si në vijim: (i) nëse ekzistojnë dallime “të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti (në këtë kontekst, shih rastet e GJEDNJ-së, Beian kundër Rumanisë (nr.1), nr. 30658/05, Aktgjykim i 6 dhjetorit 2007, paragrafët 37 -39; Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 76943/11, Aktgjykimi i 29 nëntorit 2016, paragrafët 116 - 135; Iordan Iordanov dhe të tjerët kundër Bullgarisë, nr. 23530/02, Aktgjykim i 2 korrikut 2009, paragrafët 49-50; Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, nr. 13279/05, Aktgjykim i 20 tetorit 2011, paragrafi 53; dhe shih rastet e Gjykatës, KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, Aktvendim për Papranueshmëri, i 5 shtatorit 2017, paragrafi 51; dhe KI107/19, parashtrues Gafurr Bytyqi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 74; dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës, KI42/17, me parashtrues Kushtrim Ibraj, Aktvendim për papranueshmëri i 25 janarit 2018, paragrafi 39; KI87/17, parashtrues “IF Skadiforsikring”, paragrafi 67; KI35/18, parashtrues “Bayerische Versicherungsverbrand”, paragrafi 70).
Gjykata vëren se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë më rrethana që do të cenonin këto parime dhe se parashtruesi përveç bashkëngjitjes së vendimit të lartpërmendur nuk ka argumentuar me tej pretendimin e tij në dritën e parimeve të elaboruara më sipër.
Sa u përket pretendimeve për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata gjen se parashtruesi i kërkesës ato i ka ngritur në bazë të pretendimit për "pozitë të pabarabartë para ligjit" në kontekst të divergjencës së vendimeve gjyqësore, e që janë pretendime të cilat Gjykata veçse i ka elaboruar në pjesën relevante të këtij aktvendimi, kështu që ajo më nuk do të merret më tepër me këtë.
Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së, dhe që rastin konkret paraqet pretendimin për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 31 të Kushtetutës, nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih rastin e Gjykatës KI125/19, parashtrues: Ismajl Bajgora, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63).
Në fund, Gjykata thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin e GJEDNJ-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Prandaj, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me "aplikimin e gabuar të ligjit", kualifikohen si pretendime të "pambështetura ose paarsyetuara", ndërsa sa u përket pretendimeve për "pozitë të pabarabartë para ligjit", Gjykata ato i kualifikon si pretendime të "pambështetura ose paarsyetuara". Rrjedhimisht, të dyja pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në bazë të Kushtetutës, siç është paraparë në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1. të KEDNJ-së janë qartazi të pabazuara, sepse një pjesë e këtyre pretendimeve i takojnë kategorisë së "shkallës së katërt"; ndërsa pjesa tjetër pretendimeve të "pambështetura ose të paarsyetuara" .
Përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa, në tërësinë e saj, deklarohet si qartazi e pabazuar dhe rrjedhimisht e papranueshme në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 48 të Ligjit dhe rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 27 mars 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Telekomi i Kosovës Sh.A.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile