Prishtinë, më 1 gusht 2024
Nr. Ref.: RK 2483/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI01/24
Parashtrues
ProCredit Bank SH.A
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.107/2023] të Gjykatës Supreme, i 21 korrikut 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga ProCredit Bank Sh.A, me seli në Prishtinë, që përfaqësohet nga Shoqëria e Avokatëve “Vokshi dhe Lata” (në tekstin e mëtejmë: Parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev.nr.107/2023], të 21 korrikut 2023.
Vendimin e kontestuar parashtruesi i kërkesës e ka pranuar më 12 shtator 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.107/2023] të Gjykatës Supreme, përmes së cilës parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (e drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 4 janar 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë Gjykata).
Më 25 janar 2024, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin Nr.GJR.KI01/24 caktoi gjyqtarin Radomir Laban, gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH.KI01/24 caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet hoxha (anëtarë).
Më 6 shkurt 2024, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën datë, një kopje e kërkesës së parashtruesit të kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 6 shkurt 2024, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ajo flet-kthesën që dëshmon se kur e ka pranuar parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 26 qershor 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në shkresat e lëndës, më 20 tetor 2005, parashtruesi i kërkesës në cilësinë e qiramarrësit kishte lidhur kontratë mbi qiranë me personin M.K. në cilësinë e pronarit (qiradhënësit), për shfrytëzimin me qira të objektit në sipërfaqe prej 510 m2 dhe hapësirës shtesë 230 m2. Në aneksin e I të kontratës, ishte konfirmuar nevoja e kryerjes së disa punimeve ndërtimore në objekt, ndërkaq në aneksin II ishte rregulluar mënyra e pagesës për realizimin e punimeve dhe gjetjen e punëkryesit.
Në kontratë dhe në anekse të kontratës specifikohej se qiradhënësi duhet të marrë përsipër rregullimin e podrumit dhe katit përdhes të lokalit dhe kryerjen e pagesës, ndërsa parashtruesi i kërkesës duhej të zgjedhte punëkryesin e punimeve. Kontrata përcaktonte që “Qiradhënësi pas përfundimit të punëve do të fton personin e autorizuar nga qiramarrësi (arkitektin) në mënyrë që të konstatohet kualiteti i punëve të përfunduara e në rast të kualitetit të dyshimtë qiradhënësi është i obliguar që të bëjë kryerjen e punëve të njëjta me shpenzime të veta”.
Më 11 shtator 2015, parashtruesi i kërkesës e njoftoi qiradhënësin për heqjen dorë nga shfrytëzimi i mëtejshëm i objektit me qira, nga data 20 tetor 2015.
Më 16 nëntor 2015, u përpilua procesverbali me rastin e pranim-dorëzimit të objektit. Në procesverbal u konstatua se objekti nuk ishte në gjendje të mirë dhe kishte pësuar dëme të konsiderueshme, që lidheshin me kualitetin e dobët të ndërtimit gjatë renovimit të objektit.
Më 21 tetor 2015, qiradhënësi paraqiti në Gjykatën Themelore propozim për sigurimin e provave dhe shikimin në vendin e ngjarjes me ekspertin e ndërtimtarisë, për të konstatuar gjendjen e objektit dhe kualitetin e punimeve të kryera sipas kontratës mbi qiranë.
Më 14 dhjetor 2015, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [Cn.nr.99/15] bëri sigurimin e provave dhe ekspertizën e ekspertit të ndërtimtarisë, i cili konstatoi se objekti kishte pësuar dëme për shkak të kualiteti të dobët të punimeve dhe vlera financiare për riparimin e dëmeve ishte në vlerën prej 23.408.00 (njëzet e katërmijë e katërqind e tetë) euro.
Qiradhënësi paraqiti kërkesëpadi në Gjykatën Themelore kundër parashtruesit të kërkesës, për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga kualiteti i dobët i kryerjes së punimeve gjatë renovimit të objektit. Qiradhënësi argumentoi se me rastin e shkëputjes së kontratës dhe dorëzimit të objektit të lëshuar me qira, ishin evidentuar dëme të konsiderueshme të shkaktuara nga parashtruesi i kërkesës, në vlerën prej 24.953.70 (njëzet e katërmijë e nëntëqind e pesëdhjetë e tre euro, e shtatëdhjetë cent).
Qiradhënësi në kërkesëpadi theksonte se parashtruesi i kërkesës e kishte përzgjedhur kompaninë për kryerjen e punimeve, ndërkaq pagesën e kishte kryer ai, prandaj ishte përgjegjësia e parashtruesit të kërkesës të paguante dëmet e shkaktuara.
Parashtruesi i kërkesës, në përgjigjen në padi, arsyetoi se nuk kishte asnjë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara, sepse realizimin e punimeve për renovimin e objektit e kishte kryer një kompani tjetër. Parashtruesi i kërkesës theksoi se sipas kontratës mbi qiranë, kishte të drejtën vetëm për të përzgjedhur kompaninë për kryerjen e punimeve dhe nuk kishte obligim për mbikëqyrjen e kualitetit të punimeve, prandaj nuk kishte legjitimitet real pasiv në këtë çështje. Parashtruesi i kërkesës potencoi se në kohën e kryerjes së punimeve, ishte në fuqi Ligjit mbi marrëdhëniet e detyrimeve, i vitit 1978, që përcaktonte se në kontratën e ndërtimit, zbatuesi përgjigjet për të metat në ngritjen e ngrehinës gjatë një kohe prej 10 vitesh nga data e dorëzimit dhe pranimit të punimeve.
Më 16 nëntor 2017, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.37/2016] e miratoi pjesërisht kërkesëpadinë e qiradhënësit dhe detyroi parashtruesin e kërkesës për kompensimin e dëmit financiar për dëmet e shkaktuara, në vlerën prej 23.408.00 (njëzet e tremijë e katërqind e tetë) euro.
Gjykata Themelore arsyetoi se parashtruesi i kërkesës e kishte përzgjedhur vet kompaninë për realizimin e punimeve për renovimin e objektit dhe kishte negociuar çmimin pa një kontratë me shkrim, në kundërshtim me nenin 630, pikën 2 të Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve të vitit 1987 [në tekstin e mëtejmë: LDM], i cili përcaktonte që “Kontrata e ndërtimeve duhet të lidhet në formë shkresore”.
Gjykata Themelore theksoi se parashtruesi i kërkesës nuk e konsultoi fare qiradhënësin dhe nuk ia lejoi qasjen në objekt gjatë realizimit të punimeve, duke e vendosur në lajthitje dhe duke e shfrytëzuar paaftësinë profesionale të tij. Gjykata Themelore iu referua nenit 632 të LMD-së, që përcaktonte se “Zbatuesi ka për detyrë të ia bëjë të mundur porositësit mbikëqyrjen e vazhdueshme të punimeve dhe kontrollin e sasisë dhe cilësisë së materialit të përdorur”. Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës si porositës i punimeve mban përgjegjësinë për dëmet e shkaktuara për shkak të kualitetit të dobët të punimeve, të evidentuara edhe nga ekspertët gjatë procedurës gjyqësor.
Më 3 janar 2018, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë ne Gjykatën e Apelit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës argumentoi se ekspertët gjyqësor kishin vërtetuar që dëmet e shkaktuara në objekt ishin si rezultat i punimeve të dobëta të kryera nga punëkryesi dhe ai nuk kishte asnjë përgjegjësi në lidhje me ato dëme. Parashtruesi i kërkesës theksoi se kontrata mbi qiranë dhe shtojcat e saj, përcaktonin qartë se qiradhënësi obligohej të pajis lokalet e marra me qira me instalim të përshtatshëm, me shpenzimet personale. Po ashtu, parashtruesi i kërkesës iu referua pikës 4 të aneks kontratës, që kishte paraparë se qiradhënësi pas përfundimit të punëve e fton personin e autorizuar nga qiramarrësi (arkitektin) në mënyrë që të konstatohet kualiteti i punëve të përfunduara. Në rast të kualitetit të dyshimtë, qiradhënësi ishte i obliguar të bëj kryerjen e punëve të njëjta në shpenzime të veta.
Më 6 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.941/2018] e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Gjykata e Apelit arsyetoi se parashtruesi i kërkesës e kishte marrë përsipër të zhvillonte procedurën e kryerjes së punimeve dhe mbikëqyrjen e kualitetit të punimeve, prandaj ai konsiderohet përgjegjës për cilësinë e punimeve.
Gjykata e Apelit theksoi se punët e kryera ishin jo profesionale dhe me material të dobët ndërtimor dhe parashtruesi i kërkesës nuk kishte lidhur kontratë me shkrim e as nuk i kishte specifikuar punët që duhej të kryheshin. Edhe Gjykata e Apelit iu referua nenit 632 të LMD-së, se “Zbatuesi ka për detyrë të ia bëjë të mundur porositësit mbikëqyrjen e vazhdueshme të punimeve dhe kontrollin e sasisë dhe cilësisë së materialit të përdorur.” Gjykata e Apelit vlerësoi se parashtruesi i kërkesës detyrohet që t’ia paguaj qiradhënësit kompensimin financiar në vlerë prej 23.408.00 (njëzet e tremijë e katërqind e tetë) euro.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Parashtruesi i kërkesës theksoi se Gjykata e Apelit nuk u morë me pretendimet e tij por vetëm përsëriti qëndrimet e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës arsyetoi se ekspertët gjyqësore vërtetuan faktin që dëmet e shkaktuara në objekt ishin si rezultat i punimeve të dobëta të kryera nga punëkryesi gjatë renovimit të objektit dhe nuk kishin të bënin fare me veprimet e parashtruesit të kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës iu referua kontratës mbi qiranë, që përcaktonte se ishte përgjegjësi e qiradhënësit të pajiste lokalet e marra me instalim të përshtatshëm me shpenzimet personale, dhe se qiradhënësi pas përfundimit të punimeve do të ftonte personin e autorizuar nga qiramarrësi në mënyrë që të konstatohet kualiteti i punëve të përfunduara. Parashtruesi i kërkesës pretendonte që është i pasaktë konstatimi që qiradhënësi nuk kishte qasje në renovimin e objektit dhe nuk i ishte lejuar ndërhyrja gjatë renovimit të objektit. Përkundrazi, qiradhënësi ishte i njoftuar me rrjedhën e punimeve dhe kishte shprehur pakënaqësinë e tij për çmimin e punimeve, gjë që dëshmohej nga shkresa që qiradhënësi i kishte dërguar te parashtruesi i kërkesës. Parashtruesi i kërkesës argumentoi se porositësi i punimeve ishte qiradhënësi i cili edhe kreu pagesën për punët e realizuara. Në fund, parashtruesi i kërkesës theksoi se sipas nenit 376 të LMD-së që ishte në fuqi në atë kohë, kërkesa e shpërblimit të dëmit të shkaktuar parashkruhet për tre vjet nga data kur i dëmtuari ka mësuar për dëmin dhe për personin që e ka bërë dëmin. Në rastin konkret, dëmi ishte shkaktuar në vitin 2005 ndërsa kërkesëpadia ishte parashtruar më 2016, afro 11 vjet pas shkaktimit të dëmit dhe rrjedhimisht ishte parashkruar.
Më 21 korrik 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.107/2023] refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Supreme arsyetoi se “në kohën e krijimit të raportit kontraktues, me qëllim që objekti të bëhet i përshtatshëm për shfrytëzim sipas nevojave të palës së paditur, e paditura me aneksin I të kontratës ka marrë përsipër që për ta rinovuar objektin dhe për ta bërë të përshtatshëm për nevojat e saj të gjej punëkryesin”.
Gjykata Supreme theksoi se “pala e paditur ka përzgjedh punëkryesin dhe ka pas mundësi që deri sa ta pranoj lokalin në përdorim të bëjë mbikëqyrjen për mënyrën e kryerjes së punës, si në pikëpamje të materialit të përdorur për kryerjen e punës ashtu edhe sa i përket cilësisë së saj”, dhe se “me asnjë provë nuk është vërtetuar që e paditura të ketë pasur vërejtje në punën e kryer, me rastin e pranimit të lokalit apo në ndonjë fazë të mëvonshme.” Në lidhje me kompensimin e dëmit, Gjykata Supreme arsyetoi se, “paditësi ka përmbushur obligimin e tij kontraktues duke e paguar punëkryesin për renovimin e lokalit për nevojat e të paditurës, ndërsa e paditura ka marrë përsipër të gjej punëkryesin dhe meqë deri te dëmi i shkaktuar është vërtetuar se ka ardhur si rezultat i punës joprofesionale të punëkryesit, ndërsa e paditura mban përgjegjësinë për kompensimin e dëmit që i është shkaktuar paditësit në lokal.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon që vendimet e gjykatave të rregullta janë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të mos arsyetimit të vendimeve gjyqësore.
Parashtruesi i kërkesës thekson se “procesi gjyqësor në tërësi nuk është administruar drejtë çka përfshin trajtimin arbitrar dhe të padrejtë të mungesës së legjitimitetit real pasiv të palës së paditur si dhe mënyrën se si janë konstatuar faktet vendimtare”. Sipas parashtruesit të kërkesës, “arsyetimit deficitar dhe arbitrar i dhënë nga gjykatat e rregullta përkitazi me pretendimet kryesore lidhur me mungesën e legjitimitetit real pasiv të palës së paditur, e sidomos mos arsyetimi i Gjykatës Supreme sa i përket mungesës së legjitimitetit real pasiv, bie ndesh me të drejtën për një vendim të arsyetuar siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së”.
Parashtruesi i kërkesës thekson se gjykatat e rregullta nuk e arsyetuan edhe çështjen e lidhjes kauzale ndërmjet dëmit të shkaktuar dhe veprimeve të parashtruesit të kërkesës. Pra, “lidhur me këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës është dhe një arsyetim tejet deficitar sa i përket plotësimit të kushteve të përgjegjësisë deliktore për kompensimin e dëmit”. Parashtruesi i kërkesës potencon se “asnjë dispozitë ligjore e Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve nuk e parasheh përgjegjësinë e qiramarrësit për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga tjetri (kryerësi i punimeve të renovimit) ndaj qiradhënësit”. Sipas parashtruesit të kërkesës, “nuk ka as bazë ligjore e as faktike lidhur me përgjegjësinë e parashtruesit të kërkesës për dëmin e shkaktuar nga kryerësi i punëve të renovimit të lokalit të paditësit, për shkak të punimeve jocilësore dhe materialit të dobët”.
Parashtruesi i kërkesës përsërit që përgjegjëse për shkaktimin e dëmit është kompania e cila i ka realizuar punimet gjatë renovimit të objektit, për shkak të punës jo profesionale dhe përdorimit të materialit jo cilësor. Prandaj, qiradhënësi është dashur të parashtrojë padi kundër kompanisë që i ka kryer punimet dhe jo ndaj parashtruesit të kërkesës që ishte qiramarrës i objektit. Sipas parashtruesit të kërkesës, gjykata e rregullta nuk kanë arritur të shpjegojnë qartë dhe bindshëm disa çështje të rëndësishme si: (i) nëse përzgjedhja e kompanisë punëkryese nga parashtruesi i kërkesës, ia ka mohuar të drejtën paditësit për të kërkuar kompensimin e dëmit nga kompania punëkryese; (ii) nëse përzgjedhja e kompanisë punëkryese nga parashtruesi i kërkesës, e ka përjashtuar përgjegjësinë e kompanisë punëkryese lidhur me dëmin e shkaktuar nga puna jo profesionale; (iii) afatet ligjore për të kërkuar të drejtën e kompensimit të dëmit për shkak të punëve jo profesionale nga kryerësi i punëve, për të cilat parashtruesi i kërkesës ka pretenduar që në fillim të procedurë.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme nuk ka sqaruar bazën ligjore në lidhje me porositësin në kuptim të Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve dhe përgjegjësinë që ka porositësi për kualitetin e punëve të kryera nga punëkryesi. Gjykata Supreme nuk e arsyetoi as pretendimin për barrën e të provuarit në procedurë civile, duke qëndruar e heshtur ndaj konstatimeve të Gjykatës së Apelit se parashtruesi i kërkesës si palë e paditur nuk kishte ofruar prova të mjaftueshme që dëshmonin se nuk e kishte shkaktuar dëmin.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[…]
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE
NËNKREU 2
AFATI I PARASHKRIMIT
Neni 352
Afati i përgjithshëm i parashkrimit
Kërkesat parashkruhen për pesë (5) vjet, në qoftë se me ligj nuk është caktuar ndonjë afat tjetër i parashkrimit.
KREU 2
SHKAKTIMI I DËMIT
NËNKREU 1
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 136
Bazat e përgjegjësisë
1. Kush i shkakton tjetrit dëm ka për detyrë ta kompensojë, përveç nëse vërtetohet se dëmi është shkaktuar pa fajin e tij.
[...]
NËNKREU 2
PËRGJEGJËSIA NË BAZË TË FAJËSISË
Neni 140
Ekzistimi i fajësisë
Fajësia ekziston kur dëmtuesi e ka shkaktuar dëmin me dashje ose nga pakujdesia.
Neni 357
Kërkesa e shpërblimit të dëmit
1. Kërkesa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar parashkruhet për tri (3) vite nga data kur i dëmtuari ka marrë dijeni për dëmin dhe për personin, i cili e ka shkaktuar dëmin.
2. Në çdo rast kjo kërkesë parashkruhet për pesë (5) vite nga shkaktimi i dëmit
[...]
DEKRET
MBI SHPALLJEN E LIGJIT MBI MARRËDHËNIET
E DETYRIMEVE
Nënpjesa 2
KOHA QË NEVOJITET PËR PARASHKRIMIN
Afati i përgjithshëm i parashkrimit
Neni 371
Kërkesat parashkruhen për pesë vjet në qoftë se me ligj nuk është caktuar ndonjë afat tjetër i parashkrimit.
Kërkesa e shpërblimit të dëmit
Neni 376
Kërkesa e shpërblimit të dëmit të shkaktuar parashkruhet prë tre vjet nga data kur i dëmtuari ka mësuar për dëmin dhe për përsonin që e ka bërë dëmin.
Sidoçoftë kjo kërkesë parashkruhet për pesë vjet nga data kur është krijuar dëmi.
Kërkesa e shpërblimit të dëmit të krijuar nga cenimi i detyrimit kontraktues parashkruhet për kohën e caktuar për parashkrimin e këtij detyrimi.
PARIMET E PËRGJITHSHME
Bazat e përgjegjësisë
Neni 154
Kush i shkakton tjetrit dëmin ka për detyrë ta kompensojë, në qoftë se nuk provon se dëmi ka lindur pa fajin e tij.
Për dëmin nga sendet ose nga veprimtaritë, nga të cilat rrjedh rreziku i shtuar i dëmi për ambientin përgjigjet pavarësisht nga faji.
Për dëmin pavarësisht nga faji përgjigjet edhe në raste të tjera të parashikuara me ligj.
Nënpjesa 2
PËRGJEGJËSIA NË BAZË TË FAJËSISË
Ekzistimi i fajësisë
Neni 158
Fajsia ekziston kur dëmtuesi e ka shkaktuar dëmin me dashje ose nga pakujdesia.
Kreu XIII
KONTRATA E NDËRTIMEVE
KAPTINA 1
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Nocioni
Neni 630
Kontrata e ndërtimeve është kontratë e sipërmarrjës me të cilën zbatuesi i punimeve obligohet se sipas projektit të caktuar të ndërtojë në afatin e caktuar ngrehinë të caktuar në tokëbn e caktuar,apo që në një tokë të tillë respektivisht në objektin ekzistues të kryejë punime të tjera ndërtimi, ndërsa porositësi obligohet që për këtë ti paguajë shpërblimin e caktuar.
Kontrata a ndërtimeve duhet të lidhet në formë shkresore.
KAPTION 4
PËRGJEGJËSIA E SIPERMARRËSIT DHE TË PROJEKTUESIT PËR SOLIDARITETIN E E NGREHINËS
Nga çka përbëhet
Neni 644
Zbatuesi përgjigjet për të metat në ngritjen e ngrehinës që i përkasin soliditetit të saj, po që se këto të meta do të tregoheshin gjatë një kohe prej dhjetë vjetësh nga data a dorëzimit dhe e pranimit të punimeve.
Mbikqyrja e punimeve dhe kontrolli i cilësisë së materialit
Neni 632
Zbatuesi ka për detyrë t'ia bëjë të mundur porositësit mbikqyrjen e vazhdueshme të punimeve dhe kontrollin e sasisë dhe cilësisë së materialit të përdorur.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, dhe 48 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr.107/2023] e Gjykatës Supreme, të 21 korrikut 2023, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Pretendimi për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Parashtruesi i kërkesës pretendon që gjykatat e rregullta e shkelën nenin 31 të Kushtetutës, për shkak se nuk ofruan arsyetime të mjaftueshme për vendimet e tyre. Parashtruesi i kërkesës argumenton se gjykatat e rregullta nuk i arsyetuan vendimet e tyre në dy çështje kryesore: së pari, nuk e arsyetuan përgjegjësinë e tij për shkaktimin e dëmit në lokalin e qiradhënësit, si rezultat i punimeve të dobëta të kryera nga punëkryesi gjatë renovimit të lokalit; së dyti, nuk e arsyetuan fare çështjen e parashkrimit të kërkesëpadisë së qiradhënësit për kompensimin financiar të dëmit të shkaktuar. Kërkesëpadia sipas tij ishte parashtruar jashtë afatit ligjor prej 5 vitesh, siç përcaktohej nga LMD-ja që ishte në fuqi në kohën e parashtrimit të kërkesëpadisë.
Vlerësimi i Gjykatës
(a) parimet e përgjithshme për arsyetimin e vendimeve
Gjykata rithekson se gjykatat e rregullta e kanë detyrim të paraqesin arsyetime të mjaftueshme për vendimet e tyre. Vendimet e arsyetuara gjyqësore i tregojnë palëve që rasti i tyre është shqyrtuar me të vërtetë. Përkundër faktit që gjykatat e rregullta kanë liri të caktuar të vlerësimit lidhur me përzgjedhjen e argumenteve dhe vendosjes për pranueshmërinë e dëshmive, ato detyrohen t’i arsyetojnë të gjitha vendimet (rasti i Gjykatës, KI137/23, parashtrues Naim Berisha, aktgjykim i 18 janarit 2024, para. 48-58; KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, para. 135-138).
Gjykata ripërsërit se detyrimi për të dhënë arsyetime mund të ndryshojë varësishtë nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet sipas rrethanave të rastit konkret. Argumentet kryesore të palëve që mund të jenë vendimtare për rezultatin e procesit gjyqësor duhet të adresohen dhe të arsyetohen (rasti i Gjykatës, KI148/21, parashtrues Fatos Dervishaj, aktvendim për papranueshmëri i 31 marsit 2022, para. 44-47; rasti i GJEDNJ-së, Aykhan Akhundov kundwr Azerbejxhanit, nr. 43467/06, aktgjykim i 1 qershorit 2023, para. 86-87; Buzescu kundwr Rumanisw, nr.61302/00, aktgjykim i 24 majit 2005, para. 67).
(b) aplikimi i këtyre parimeve në rrethanat e rastit konkret
Gjykata rithekson se parashtruesi i kërkesës pretendon që gjykatat e rregullta nuk dhanë arsyetime në lidhje me dy pretendimet kryesore që i kishte ngritur gjatë procesit gjyqësor, që kishin të bënin me përgjegjësinë për shkaktimit e dëmit në lokalin e qiradhënësit dhe parashkrimin e kërkesëpadisë së qiradhënësit. Këto dy çështje Gjykata do t’i trajtojë ndaras.
(i) Nëse përgjegjësia për shkaktimin e dëmit u arsyetua mjaftueshëm
Gjykata vëren se, parashtruesi i kërkesës dhe qiradhënësi kishin lidhur kontratë mbi qiranë, për shfrytëzimin e lokalit. Sipas kontratës së nënshkruar nga palët, parashtruesi i kërkesës kishte të drejtë të përzgjedhte një kompani për kryerjen e renovime të lokalit, për shkak të problemeve që i kishte, ndërsa pagesën për kryerjen e punimeve duhej ta barte qiradhënësi.
Gjykata vëren se, në kohën kur parashtruesi i kërkesës e njoftoi qiradhënësin për lëshimin e lokalit dhe ndërprerjen e kontratës, ky i fundit vërejti se lokali kishte pësuar dëme të konsiderueshme. Për të vërtetuar dëmin dhe përgjegjësinë për shkaktimin e tij, qiradhënësi paraqiti propozim në Gjykatën Themelore për sigurimin e provave dhe kryerjen e ekspertizës. Eksperti i ndërtimtarisë kishte konstatuar se lokali pësoi dëme të konsiderueshme për shkak të kualitetit të dobët të punimeve të kryera nga punëkryesi dhe përdorimit të materialit jo cilësor. Qiradhënësi parashtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore kundër parashtruesit të kërkesës dhe kërkoi kompensimin financiar për dëmet e shkaktuara. Parashtruesi i kërkesës, në përgjigjen në padi, theksoi se dëmet u shkaktuan nga kompania që i kreu punimet e renovimit të lokalit, prandaj nuk kishte asnjë përgjegjësi në këtë rast. Një gjë të tillë e kishin konstatuar edhe ekspertizat, prandaj parashtruesi i kërkesës argumentoi se nuk kishte legjitimitet për të qenë i paditur në këtë rast.
Gjykata vëren se, Gjykata Themelore miratoi kërkesëpadinë e qiradhënësit dhe konstatoi se parashtruesi i kërkesës ishte përgjegjës për shkaktimin e dëmit, për shkak se sipas kontratës mbi qiranë e kishte obligimin për të përzgjedhur kompaninë për kryerjen e punimeve dhe rrjedhimisht mbante përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar. Sipas Gjykatës Themelore, neni 630 i LMD-së përcaktonte që kontrata e ndërtimeve duhet të lidhet në formë shkresore, gjë të cilën parashtruesi i kërkesës nuk e kishte lidhur me punëkryesin. Gjykata Themelore arsyetoi se, sipas nenit 632 të LMD-së, zbatuesi i punimeve ka për detyrë të ia bëjë të mundur porositësit mbikëqyrjen e vazhdueshme të punimeve dhe kontrollin e sasisë dhe cilësisë së materialit të përdorur. Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës ishte porositës i punimeve pa e konsultuar fare qiradhënësin prandaj mban përgjegjësinë e plotë për dëmet e shkaktuara.
Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme u pajtuan me konstatimet e Gjykatës Themelore dhe refuzuan ankesën respektivisht revizionin e parashtruesit të kërkesës. Gjykata e Apelit arsyetoi se parashtruesi i kërkesës në kontratën mbi qiranë e kishte marrë përsipër obligimin për të përfunduar procesin e kryerjen së punimeve për renovimin e lokalit, përfshirë edhe përzgjedhjen e punëkryesit, prandaj ishte përgjegjës për lëshimet e bëra dhe dëmet e shkaktuara në lokal. Edhe Gjykata e Apelit iu referua nenit 632 të LMD-së, që përcakton se zbatuesi ka për detyrë që t’i bëjë të mundur porositësit mbikëqyrjen e vazhdueshme të punimeve dhe kontrollin e sasisë dhe cilësisë së materialit të përdorur. Në rastin konkret, Gjykata e Apelit konstatoi se, parashtruesi i kërkesës kur përfundoi kontratën mbi qiranë nuk e kishte bërë riparimin e dëmeve të shkaktuara në lokal. Gjykata Supreme u pajtua me konstatimet e Gjykatës së Apelit dhe argumentoi se parashtruesi i kërkesës e kishte marrë përsipër të gjente punëkryesin për renovimin e lokalit ndërsa pas përfundimit të renovimit nuk kishte dhënë asnjë vërejtje për cilësinë punimeve të kryera. Prandaj, parashtruesi i kërkesës e mban përgjegjësinë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara.
Gjykata thekson se nuk mund të ndërhyjë dhe t’i zëvendësojë vlerësimet dhe interpretimet e gjykatave të rregullta në lidhje me dëmin e shkaktuar në lokalin e qiradhënësit, dhe nëse dëmi i shkaktuar ishte përgjegjësi e parashtruesit të kërkesës apo e kompanisë që kreu punimet. Nëse do të vepronte kështu, Gjykata do të bëhej shkallë e katërt e sistemit të drejtësisë, që nuk është pjesë e juridiksionit të saj.
Gjykata thekson se, me rëndësi në këtë çështje është fakti që gjykatat e rregullta arsyetuan se mbi cilat dispozita ligjore mbështetën vlerësimet e tyre kur konstatuan përgjegjësinë e parashtruesit të kërkesës për dëmet e shkaktuara në lokalin e qiradhënësit. Gjykatat e rregullta iu referuan dispozitave të LMD-së, që ishte në fuqi në kohën e nënshkrimit të kontratës mbi qiranë.
Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për mungesë të arsyetimit të vendimit gjyqësor, i përkasin pretendimeve “me mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, dhe shpallen si qartazi të pabazuara.
(ii) Nëse pretendimi për parashkrimin e kërkesëpadisë ishte arsyetuar mjaftueshëm
Parashtruesi i kërkesës pretendon që gjykatat e rregullta nuk e arsyetuan fare çështjen e parashkrimit të kërkesëpadisë së qiradhënësit, që e kishte ngritur gjatë procesit gjyqësor.
Gjykata vëren se, parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar përgjigje në padi në të cilën kishte kundërshtuar argumentet e palës kundërshtare. Në përgjigjen ndaj padisë e kishte theksuar mungesën e përgjegjësisë së tij për shkaktimin e dëmit material në lokalin e qiradhënësit dhe jo çështjen e parashkrimit të kërkesëpadisë. Po ashtu, në aktgjykimin e Gjykatës Themelore nuk përshkruhet nëse çështja e parashkrimit ishte ngritur nga parashtruesi i kërkesës gjatë seancës gjyqësore. Gjykata nuk posedon ndonjë dokument shtesë në të cilën do të tregohej e kundërta. Pra, duket që parashtruesi i kërkesës nuk e kishte ngritur çështjen e parashkrimit në Gjykatën Themelore.
Parashtruesi i kërkesës nuk e kishte përmendur fare çështjen e parashkrimit në ankesën drejtuar Gjykatës së Apelit. Sipas paragrafit 3, të nenit 180 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, prapësimi i parashkrimit nuk mund të paraqitet me ankesë nëse nuk është paraqitur në gjykimin e shkallës së parë. Për herë të parë çështja e parashkrimit të kërkesëpadisë u ngrit në Gjykatën Supreme nga parashtruesi i kërkesës. Megjithatë, kur parashkrimi nuk ishte ngritur në shkallën e parë të gjykimit, nuk mund të paraqitej më vone përmes ankesës në Gjykatën e Apelit dhe revizionit në Gjykatën Supreme.
Gjykata rithekson se përveç detyrimit të shterimit të mjeteve juridike në kuptimin formal-procedural, parashtruesit e kërkesës e kanë edhe detyrimin për shterimin e mjetit në kuptimin substancial, që nënkupton raportimin e shkeljeve kushtetuese në “substancë/përmbajtje” para gjykatave të rregullta në mënyrë që këto të fundit të kenë mundësinë e parandalimit dhe të korrigjimit të shkeljes së të drejtave të njeriut të mbrojtura me Kushtetutë dhe KEDNJ. Gjykata i konsideron si të shterura mjetet juridike vetëm atëherë kur parashtruesit e kërkesës, në pajtueshmëri me ligjet në fuqi, i kanë shfrytëzuar ato, në të dy kuptimet. Gjykata kishte refuzuar shqyrtimin e pretendimeve përkatëse sepse të njëjtat nuk ishin ngritur asnjëherë para gjykata të rregullta (shih, rastet e Gjykatës, KI71/18, me parashtrues Kamer Borovci, Mustafë Borovci dhe Avdulla Bajra, Aktvendim për papranueshmëri i 21 nëntorit 2018, paragrafi 57; KI119/17, me parashtrues Gentian Rexhepi, Aktvendim për papranueshmëri i 3 prillit 2019, paragrafi 73; KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues Basri Deva, Aferdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar "BARBAS", Aktvendim për papranueshmëri i 22 korrikut 2019, paragrafi 94).
Gjykata thekson se çështja e parashkrimit të kërkesëpadisë nuk ishte ngritur në gjykatat e rregullta; parashtruesi i kërkesës nuk i kishte shterur në kuptimin substancial mjetet juridike duke mos i dhënë mundësi gjykatave të rregullta ta adresonin pretendimin e tij për parashkrimin e kërkesëpadisë.
Gjykata konstaton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për mos arsyetim të parashkrimit të kërkesëpadisë, duhet të shpallet i papranueshëm për shkak të mos shterimit të mjeteve juridike, sipas rregullit 34 (1) (b) të rregullores së punës.
(iii) Përfundim
Gjykata thekson se çështja e përgjegjësisë së dëmit të shkaktuar në lokalin e qiradhënësit u arsyetua mjaftueshëm nga gjykatat e rregullta, dhe nuk është në autoritetin e Gjykatës të zëvendësojë vlerësimet apo konstatimet e tyre. Rrjedhimisht, pretendimet për mungesë të arsyetimit të vendimit gjyqësor shpallen si qartazi të pabazuara.
Gjykata thekson se çështja e parashkrimit të kërkesëpadisë nuk ishte ngritur më herët në gjykatat e rregullta, prandaj duhet shpallet i papranueshëm për shkak të mos shterimit të mjeteve juridike.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 26 qershor 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
ProCredit Bank SH.A
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile