Prishtinë, më 13 mars 2023
Nr. Ref.:RK 2134/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI10/23
Parashtrues
Besim Gashi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së
Aktgjykimit Pml. nr. 12/2023 të 16 janarit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Besim Gashi, i cili gjendet në paraburgim, në Qendrën për Paraburgim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), të cilin para Gjykatës e përfaqëson Fanol Krasniqi, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Pml. nr. 12/2023] të 16 janarit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), me të cilin ishte refuzuar si e pabazuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit [NJND nr. 3/2022] të 7 dhjetorit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), si dhe Aktvendimit [Pn. nr. 1336/2022] të 29 dhjetorit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 21 [Parimet e Përgjithshme], nenin 24 [Barazia para Ligjit], si dhe me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu kërkon edhe vendosjen e masës së përkohshme, duke pretenduar se “në rast se Ministria e Drejtësisë e lejon ekstradimin mbi bazën e aktvendimeve tanimë të kontestuara nga ana e parashtruesit, do të realizohet dëmi i pariparueshëm, duke iu shkelur të drejtat kushtetuese nënshtetasit Besim Gashit”.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 27 (Masa e përkohshme) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe të rregullave 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) dhe 56 (Kërkesa për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 20 janar 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 23 janar 2023, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi në Gjykatë dokumente shtesë lidhur me rastin, respektivisht dorëzoi autorizimin për përfaqësim të nënshkruar nga djali i parashtruesit të kërkesës, si dhe parashtresën me të cilën kërkoi nga Gjykata vendosjen e masës së përkohshme lidhur me rastin.
Më 25 janar 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr. GJR. KSH10/23], caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 26 janar 2023, Gjykata njoftoi Ministrinë e Drejtësisë lidhur me regjistrimin e rastit, si dhe një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 26 janar 2023, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi në Gjykatë dokumente shtesë lidhur me rastin, si në vijim: i) autorizimin për përfaqësim të nënshkruar nga parashtruesi i kërkesës, si dhe kopjen e plotë të Aktgjykimit [Pml. nr. 12/2023] të 16 janarit 2023 të Gjykatës Supreme.
Më 27 janar 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrim të kërkesës.
Më 22 shkurt 2023, Ministria e Drejtësisë dorëzoi një shkresë në Gjykatë, ku kërkoi të informohet se në cilin stad të procedurës është rasti.
Më 23 shkurt 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata me shumicë votash vendosi që kërkesën e parashtruesit të kërkesës ta shpallë si të papranueshme.
Përmbledhja e fakteve
Përmbledhja e fakteve lidhur me procedurën penale të zhvilluar në Republikën e Shqipërisë kundër parashtruesit të kërkesës
Nga shkresat e rastit rezulton se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë, kishte ngritur aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës dhe të akuzuarve S. V. dhe I. M., nën dyshimin e bazuar se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale të paraparë me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 283 “prodhimi dhe shitja e narkotikëve” të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Më 20 shtator 2017, nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës ishte arrestuar në Republikën e Shqipërisë, dhe më 23 shtator 2017, përmes Vendimit [Nr. 302] të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë është vendosur masa e sigurimit “arrest me burg” e parashikuar me nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Më 31 janar 2018, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, zëvendësoi masën e sigurimit për parashtruesin e kërkesës nga arresti me burg në detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore.
Më 30 shtator 2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, përmes Vendimit [Nr. 218] kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohej, duke i shqiptuar dënimin me shtatë (7) vite burgim. Të akuzuarit S. V. dhe I. M. gjithashtu u shpallën fajtorë për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzoheshin, duke iu shqiptuar dënime me nga shtatë (7) vite burgim. Lidhur me ekzekutimin e Vendimit të lartcekur për parashtruesin e kërkesës, Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Lezhë, thekson se vuajtja e dënimit fillon nga dita e “ekzekutimit të këtij vendimi dhe kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme”.
Më tej, në Vendimin [Nr. 218] të 30 shtatorit 2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, theksohet se “të pandehurit Besim Gashi dhe I. M. u paraqitën në seancën e parë gjyqësore dhe deklaruan se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në gjykim dhe se do të mbrohen nga avokati Zef Cupi [...] Në këto kushte, Gjykata bazuar në nenin 351 të K. Pr. Penale, ku parashikohet se “Kur i pandehuri i lirë ose i paraburgosur nuk paraqitet në seancë, ndonëse është njoftuar dhe nuk ka pasur shkaqe të ligjshme për të mos u paraqitur, gjykata shtyn seancën dhe urdhëron shoqërimin e detyrueshëm, përveç rastit kur ka deklaruar vullnetin e tij për të mos marrë pjesë në gjykim përpara noterit ose autoritetit shtetëror përgjegjës. Në këtë rast gjykimi vazhdon pa pjesëmarrjen e tij. 2. Kur i pandehuri i pranishëm në seancë heq dorë në mënyrë të qartë nga e drejta tij për të marrë pjesë në gjykim, gjykimi vazhdon pa pjesëmarrjen e tij. 3. Në rastet e parashikuara nga pikat 1 dhe 2, të këtij neni, i pandehuri konsiderohet i pranishëm, me kusht që gjykimi të zhvillohet në praninë e mbrojtësit. 4. I njëjti rregullim zbatohet edhe kur i pandehuri ikën në çdo moment të shqyrtimit gjyqësor ose gjatë intervaleve të tij” vendosi të zhvillojë gjykim pa pjesëmarrjen e të pandehurve të sipërpërmendur”.
Më 14 gusht 2019, parashtruesi i kërkesës dhe të dënuarit S. V. dhe I. M. paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit në Shkodër, kundër Vendimit [Nr. 218] të 30 shtatorit 2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, duke pretenduar i) konstatim të gabuar të gjendjes faktike; ii) ndryshimin e Vendimit të shkallës së parë, sa i përket mospranimit të kërkesës së tyre për gjykim të shkurtuar të çështjes, si dhe iii) pezullimin e dënimit me burg.
Në anën tjetër, më 10 gusht 2019, Prokuroria gjithashtu kishte paraqitur ankesë kundër Vendimit [Nr. 218] të 30 shtatorit 2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, duke kërkuar ndryshimin e këtij të fundit lidhur me kualifikimin e veprës penale.
Më 5 shkurt 2020, Gjykata e Apelit në Shkodër, përmes Vendimit [Nr. 22] konstatoi si në vijim:
Vendimi [Nr. 218] i 30 shtatorit 2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, është marrë në zbatim të drejtë të ligjit material penal dhe provave të administruara në lidhje me fajësinë dhe “deklarimin fajtorë të të pandehurve”;
Vendimi [Nr. 218] i 30 shtatorit 2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, duhet të ndryshohet lidhur me mospranimin nga gjykata të kërkesës për gjykim të shkurtuar “konform nenit 406/1 të K.Pr.Penale si një e drejtë e mohuar në shkelje të parashikimeve procedurale gjykata e shkallës së parë”;
Gjykata e Apelit në Shkodër, përmes Vendimit [Nr. 22] vendosi se parashtruesi i kërkesës dhe S. V. dhe I. M. në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë, si përfitim ligjor nga aprovimi i kërkesës së tyre për gjykim të shkurtuar, duke i dënuar me katër (4) vjet dhe tetë (8) muaj burgim.
Përmbledhja e fakteve lidhur me procedurën e ekstradimit
Parashtruesi i kërkesës ishte në kërkim ndërkombëtar dhe rezulton se më 27 prill 2022, është arrestuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës.
Më 28 prill 2022, Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, kishte parashtruar kërkesën [Nr. NJN/I nr. 19/22] në Gjykatën Themelore për ekstradimin e parashtruesit të kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e paraparë me nenin 283 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si dhe analoge e paraparë me nenin 267 “Blerja, posedimi, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK).
Në një datë të paspecifikuar, autoritetet e Republikës së Kosovës kanë njoftuar autoritetet e Republikës së Shqipërisë për arrestimin e parashtruesit të kërkesës, për të cilin kishte një fletarrest ndërkombëtar.
Më 16 maj 2022, Ministria e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë me kërkesën [Nr. 1775/Prot/B.Sh] përmes Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës, duke u thirrur në Marrëveshjen Dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë mbi Ekstradimin, të 6 nëntorit 2012 (në tekstin e mëtejmë: Marrëveshja Dypalëshe); nenin 504 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, si dhe nenin 49 të Ligjit për Marrëdhëniet Juridiksionale me Autoritetet e Huaja në çështjet penale, parashtroi kërkesën për ekstradimin e parashtruesit të kërkesës në Republikën e Shqipërisë.
Përmbledhja e fakteve përkitazi me procedurën e ekstradimit të zhvilluar para gjykatave të rregullta
Më 26 maj 2022, Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda dërgoi kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit për parashtruesin e kërkesës.
Më 12 korrik 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Aktvendimit [NJND. nr. 3/22] vendosi si në vijim:
Lejohet ekstradimi i parashtruesit të kërkesës për në Republikën e Shqipërisë;
Parashtruesit të kërkesës i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e procedurës së ekstradimit;
Shpenzimet e procedurës lidhur me ekstradimin mbulohen nga mjetet buxhetore të Republikës së Kosovës.
Në arsyetim të Aktvendimit [NJND. nr. 3/22] të 12 korrikut 2022, vërehet se përgjatë shqyrtimit gjyqësor mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës e kishte kundërshtuar ekstradimin me arsyetimin se në Republikën e Shqipërisë, parashtruesi i kërkesës ishte gjykuar në mungesë dhe se nuk kishte njohuri për gjykimin. Për më tepër, parashtruesi kishte kërkuar nga Gjykata Themelore që në rast se lejohej ekstradimi, të kërkohej nga shteti kërkues, në rastin konkret Republika e Shqipërisë, garanci se parashtruesit të kërkesës do t’i lejohej rigjykimi.
Më tej, Gjykata Themelore në adresim të kërkesave të parashtruesit të kërkesës, bazuar në Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Marrëveshjen dypalëshe, kërkoi nga Republika e Shqipërisë informacionet si në vijim: i) Deklaratën e parashtruesit dhe autorizimin e posaçëm dhënë mbrojtësit nga parashtruesi i kërkesës; ii) ankesën e ushtruar nga mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës në Gjykatën e Apelit në Shkodër; iii) Vendimin e Gjykatës së Apelit të Shkodrës. Gjykata Themelore më tej shtoi se pas informacioneve të pranuara nga Republika e Shqipërisë vlerëson se janë përmbushur kushtet ligjore për lejimin e ekstradimit.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPRK-së), shkelje të ligjit penal, shkelje të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Marrëveshjes Dypalëshe. Parashtruesi i kërkesës në thelb para Gjykatës së Apelit, pretendoi se i) nuk i është dhënë garancia nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë për rigjykim, dhe ii) faktin se parashtruesi i kërkesës ishte i përfaqësuar nga i njëjti mbrojtës që kishte përfaqësuar edhe të akuzuarit e tjerë në të njëjtën procedurë, e që sipas KPPRK-së një gjë e tillë nuk lejohet.
Më 20 korrik 2022, Prokuroria e Apelit në Prishtinë, përmes parashtresës [PPN. nr. 278/22] dërguar Gjykatës së Apelit kishte propozuar që ankesa të refuzohet.
Më 25 korrik 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN. nr. 764/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit dhe vërtetoi Aktvendimin [NJND. nr. 3/22] të 12 korrikut 2022, të Gjykatës Themelore.
Gjykata e Apelit në arsyetim të aktvendimit të saj theksoi së pari se në procedurën e ekstradimit nuk lëshohet në vlerësimin e meritave të gjykimit që ka ndodhur në Republikën e Shqipërisë, dhe se objekt vlerësimi para Gjykatës së Apelit nuk është lartësia e dënimit. Lidhur me pretendimin e parashtruesit se ishte i përfaqësuar nga i njëjti mbrojtës që kishte përfaqësuar edhe të akuzuarit e tjerë në të njëjtën procedurë, Gjykata e Apelit shton se një veprim i tillë është i ndaluar në zbatim të procedurës penale vetëm sipas KPPRK-së, “dhe me rastin e ekstradimit pretendimi i tillë nuk konsiston në cenimin e të drejtave minimale të mbrojtjes, pasi që dispozitat ligjore të shtetit kërkues lejojnë një përfaqësim të tillë, ku një mbrojtës përfaqëson disa të akuzuar. Lidhur me pretendimin se nuk i është dhënë garancia nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë për rigjykim, Gjykata e Apelit theksoi se me rastin e ekstradimit kusht themelor është ekzistimi i marrëveshjes ndërshtetërore me shtetin kërkues. Në rastin e parashtruesit ekziston marrëveshja dypalëshe, dhe sipas paragrafit 1 të nenit 11 të kësaj të fundit përcaktohet se shtetasit e vendit mund të ekstradohen nëse ka marrëveshje dhe nëse janë respektuar të drejtat minimale të mbrojtjes. Në rastin konkret, Gjykata e Apelit konsideron se këto kushte janë përmbushur.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër vendimeve të instancave më të ulëta, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të KPPRK-së, shkelje të ligjit penal, shkelje të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Marrëveshjes dypalëshe.
Më 15 gusht 2022, Prokurori i Shtetit të Kosovës, përmes shkresës [KMLP. III. nr. 119/2022] propozoi që kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë të refuzohet si e pabazuar.
Më 24 gusht 2022, Gjykata Supreme e Kosovës, përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 320/2022] vendosi si në vijim: i) miratoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë dhe çështjen e ktheu në shkallë të parë për rigjykim; ii) parashtruesit të kërkesës i vazhdoi masën e paraburgimit.
Në arsyetim të aktvendimit të saj, Gjykata Supreme theksoi se nuk janë përmbushur kushtet për ekstradim, pasi që Republika e Shqipërisë nuk ka garantuar se parashtruesi i kërkesës ka të drejtë në rigjykim. Gjykata Supreme më tej shtoi se “ Gjykata e shkallës së parë duhet të paraqes kërkesë në Ministri për informata shtesë sa i përket ofrimit të deklaratës me të cilën garantohet se personit të kërkuar për ekstradim do t’i mundësohet rigjykimi në këtë çështje e pastaj të vlerësoj se a janë përmbushur kërkesat ligjore për ekstradim”.
Përmbledhja e fakteve përkitazi me procedurën e ekstradimit të zhvilluar para gjykatave të rregullta në rigjykim
Më 7 dhjetor 2022, Gjykata Themelore, duke vepruar në rigjykim përmes Aktvendimit [NJND. nr. 3/22] vendosi si në vijim:
Lejohet ekstradimi i parashtruesit të kërkesës për në Republikën e Shqipërisë;
Parashtruesit të kërkesës i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e procedurës së ekstradimit;
Shpenzimet e procedurës lidhur me ekstradimin mbulohen nga mjetet buxhetore të Republikës së Kosovës.
Gjykata Themelore në arsyetim të aktvendimit të saj, më tej shtoi se duke vepruar sipas vërejtjeve të Gjykatës Supreme, më 30 shtator 2022, i kishte kërkuar autoriteteve shqiptare deklaratë me të cilën garantohet se personit të kërkuar për ekstradim do t’i mundësohet rigjykimi. Në përgjigjen e tyre, këta të fundit kishin theksuar se “pas rivlerësimit të akteve ka rezultuar se subjekti ka pasur dijeni për procesin penal në ngarkim të tij dhe është hetuar dhe gjykuar me masë sigurimi detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore si dhe është mbrojtur në gjykim nga përfaqësuesi ligjor i zgjedhur prej tij me prokurë të posaçme. Duke shtuar se për sa më sipër, bazuar në legjislacionin penal shqiptar subjekti nuk mund të konsiderohet në mungesë dhe në këto kushte Ministria e Drejtësisë nuk mund të jep garanci për rigjykimin e tij”. Gjykata Themelore më tej vlerësoi se informatat e pranuara nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë në mbështetje të kërkesës për ekstradim janë të mjaftueshme.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës, shkelje esenciale të dispozitave të KPPRK-së, shkelje të ligjit penal, shkelje të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Marrëveshjes dypalëshe. Parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon se i) shteti kërkues në këtë rast, Republika e Shqipërisë nuk ofron garanci për rigjykim, si kusht minimal për lejimin e ekstradimit ku sipas parashtruesit në Republikën e Shqipërisë është gjykuar në mungesë, dhe nuk ka pasur njohuri për zhvillimin e procedurës penale kundër tij; dhe ii) faktin se parashtruesi i kërkesës ishte i përfaqësuar nga i njëjti mbrojtës që kishte përfaqësuar edhe të akuzuarit e tjerë, e që sipas KPPRK-së nuk lejohet.
Më 29 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN. nr. 1336/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën dhe vërtetoi vendimin e shkallës së parë, duke e konsideruar të njëjtin si të drejtë dhe të ligjshëm dhe se në rastin konkret janë përmbushur të gjitha kushtet që dalin nga Ligji për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.
Lidhur me pretendimin për gjykimin në mungesë, Gjykata e Apelit theksoi fillimisht se bazuar në shkresa të lëndës parashtruesi i kërkesës ka qenë në dijeni për procesin, “është gjykuar në gjendje të lirë dhe gjatë gjykimit vet e ka angazhuar me prokurë të posaçme mbrojtës”, duke specifikuar në mënyrë të detajuar mënyrën e përfaqësimit për të dy mbrojtësit e angazhuar. Duke pasur parasysh se procedura gjyqësore e zhvilluar në mungesën e parashtruesit të kërkesës, i ka përmbushur të drejtat minimale, Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë me të drejtë në këtë rast e ka lejuar ekstradimin. Lidhur me pretendimin se një mbrojtës ka përfaqësuar disa të akuzuar në procesin gjyqësor, Gjykata e Apelit thekson se një mbrojtje e tillë nuk është e lejuar vetëm në Republikën e Kosovës, pra një gjë e tillë lejohet në shtetin kërkues.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kundër vendimeve të instancave më të ulëta, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të KPPRK-së, shkelje të ligjit penal, shkelje të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Marrëveshjes dypalëshe. Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata Supreme që t’i ndërpritet paraburgimi apo që çështja të kthehet në rigjykim.
Më 12 janar 2022, Prokurori i Shtetit përmes shkresës [KMPL. III. nr. 05/2023] ka propozuar që kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e parashtruesit për ekstradim të refuzohet.
Më 16 janar 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 12/2023] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë. Gjykata Supreme në aktgjykimin e saj theksoi se parashtruesit të kërkesës i janë garantuar të gjitha të drejtat për një proces të drejtë gjyqësor. Sa i përket pretendimit se paraburgimi i është vazhduar në mënyrë të padrejtë, Gjykata Supreme theksoi se ky pretendim është i pabazuar, marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për proces të ekstradimit (procedura të shkurtra) dhe meqenëse parashtruesi i kërkesës nuk ju ka përgjigjur ftesës së shtetit kërkues për vuajtje të dënimit, e bën të “bazuar frikën se ai do të arratiset me qëllim që me çdo kusht, ta shmang mbajtjen e dënimit në shtetin ku ky dënim i është shqiptuar, në situata të tilla, paraburgimi është i domosdoshëm”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar, parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 21 [Parimet e Përgjithshme], nenin 24 [Barazia para Ligjit], si dhe me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon se procedura e tij e ekstradimit është shoqëruar me të meta të shumta, si në vijim:
“shteti kërkues nuk ka ofruara garanci për rigjykim,
i kërkuari është gjykuar në mungesë,
avokati ka përfaqësuar tre të pandehur në një procedurë dhe
nuk janë respektuar të drejtat minimale të mbrojtjes”.
Sipas parashtruesit të kërkesës, legjislacioni i Republikës së Kosovës, respektivisht neni 55 i KPPRK-së, nuk lejon që një avokat mund t’i përfaqësojë dy të pandehur në një procedurë të njëjtë penale. Parashtruesi i kërkesës më tej shton se “Vetëm kjo shkelje flagrante kushtetuese dhe ligjore, e bënë të bazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së kërkuarit se për të njëjtin nuk janë respektuar të drejtat minimale në mbrojte”.
Lidhur me arsyetimet e dhëna nga gjykatat e rregullta mbi faktin se në Republikën e Shqipërisë lejohet që një avokat të përfaqësojë disa të akuzuar dhe një gjë e tillë është e ndaluar vetëm sipas dispozitave të KPPRK-së, parashtruesi i kërkesës, shton se “Mirëpo, kjo nuk mund të konsiderohet si e ligjshme, kjo sepse vlerësimi se a i janë ofruar të drejtat minimale të mbrojtjes, duhet të vlerësohet në bazë të ligjit të shtetit ofrues, e jo sipas ligjit të shtetit kërkues”.
Parashtruesi i kërkesës thekson se përmes vendimeve të gjykatave të rregullta është shkelur neni 17 i Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Marrëveshja Dypalëshe.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se është shkelur Marrëveshja dypalëshe, parashtruesi pretendon se me nenin 11 të kësaj të fundit parashihet: “Kur njëra palë kërkon ekstradimin e një personi me qëllim të ekzekutimit të një dënimi të dhënë ndaj tij në mungesë, pala e kërkuar mund ta refuzojë ekstradimin nëse sipas vlerësimit të saj procedura gjyqësore nuk i ka përmbushur të drejtat minimale të mbrojtjes. Megjithatë, lejohet ekstradimi në qoftë se pala kërkuese jep garanci se i ekstraduari nëse është gjykuar në mungesë, ka të drejtën e rigjykimit”.
Lidhur me pretendimin për shkeljen e nenit 17 të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, parashtruesi thekson: “Ekstradimi mund të lejohet nëse shteti kërkues ofron garanci të mjaftueshme për të siguruar që personi i kërkuar ka të drejtën për rigjykim me qëllim që të sigurohet e drejta minimale në mbrojte". Andaj, ky konstatim nga ana e Gjykatës së Apelit është marrë në shkelje të ligjit penal, (aplikim të gabuar të së drejtës materiale).
Më tej, parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij shton se me vet faktin që gjykimi është mbajtur pa praninë e parashtruesit të kërkesës, paraqet shkelje flagrante të të drejtave të tij, sepse kur gjykimi bëhet në mungesë, “të pandehurit iu mohohet e drejta për t’u deklaruar dhe për të paraqitur prova dhe për të thirrur dëshmitarë, ngase edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 31 përcakton se çdokush ka të drejtë në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, respektivisht i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para organeve gjyqësore [..] Nuk mund të thuhet se janë plotësuar kushtet minimale për mbrojte, kur dihet se në cilat rrethana është nënshkruar autorizimi. Nuk mund të thuhet e arsyetohet se përfaqësimi ka qenë i barabartë për të gjithë të pandehurit, kur disa me veprime të njëjta, e me aktakuzë të njëjtë dhe madje në bashkëkryerje janë me dënime joefektive me burg”.
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka kërkuar vendosjen e masës së përkohshme lidhur me rastin, duke pretenduar se “në rast se Ministria e Drejtësisë e lejon ekstradimin mbi bazën e aktvendimeve tanimë të kontestuara nga ana e parashtruesit, do të realizohet dëmi i pariparueshëm, duke iu shkelur të drejtat kushtetuese nënshtetasit Besim Gashit”.
Parashtruesi i kërkesës në fund kërkon nga Gjykata: “Mbi këtë bazë, shpresojmë që Gjykata Kushtetuese, kërkesën e pashtruar ta miratoj dhe aktvendimet e atakuara t'i anulojë”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 21
[Parimet e Përgjithshme]
1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës.
2. Republika e Kosovës mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të parashikuara në këtë Kushtetutë.
3. Çdokush e ka për detyrë t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve.
4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj
[...]
Neni 35
[Liria e Lëvizjes]
[...]
. 4. Shtetasit e Republikës së Kosovës nuk mund të ekstradohen nga Kosova kundër vullnetit të tyre, me përjashtim të rasteve kur me ligj dhe marrëveshjet ndërkombëtare është përcaktuar ndryshe.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë”.
MARRËVESHJE NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE KËSHILLIT TË MINISTRATVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË MBI EKSTRADIMIN
Neni 2
Veprat penale të ekstradueshme
1. Ekstradimi lejohet lidhur me veprat penale për të cilat plotësohen kushtet e mëposhtme:
i) vepra penale për të cilën kërkohet ekstradimi është e dënueshme nga legjislacioni i dy palëve me burgim jo më pak se 1 vit.
ii) kohëzgjatja ose pjesa e mbetur e dënimit të dhënë me vendim gjyqësor të formës së prerë është të paktën 6 muaj.
Neni 6
Ekstradimet e shtetasve
1. Palët marrin përsipër, në mënyrë të ndërsjellë, të dorëzojnë shtetasit e tyre që ndodhen në ndjekje penale nga njëra prej tyre për kryerjen e veprave penale, ose që janë shpallur në kërkim për vuajtjen e dënimit apo të një mase shtrënguese, në përputhje me legjislacionin e tyre të brendshëm.
2. Palët nuk mund të ngrenë shtetësinë si arsye për refuzimin e dorëzimit.
3. Kërkesat për ekstradimin bëhen drejtpërdrejtë midis autoriteteve të tyre qendrore.
KODI NR. 04/L-123 I PROCEDURËS PENALE
Neni 57
Mbrojtësi në rastet e mbrojtjes së detyruar
I pandehuri duhet të ketë mbrojtës në këto raste të mbrojtjes së detyruar:
1.1. nga marrja në pyetje për herë të parë kur i pandehuri është memec, shurdh, i verbër ose shpreh shenja të çrregullimeve apo paaftësisë mendore dhe kështu është i paaftë që të mbrohet vetë me sukses;
1.2. gjatë seancës për caktimin e paraburgimit dhe gjatë kohës derisa ai gjendet në paraburgim;
1.3. nga ngritja e aktakuzës, kur aktakuza është ngritur kundër tij për vepër penale të dënueshme me të paktën dhjetë vjet burgim;
Neni 187
Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit
1. Gjykata mund të caktojë paraburgim ndaj një personi vetëm nëse në mënyrë të qartë ka gjetur se:
1.1. ekziston dyshim i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale;
1.2. përmbushet njëri nga kushtet e mëposhtme: 1.2.1. kur ai fshihet, kur identiteti i tij nuk mund të vërtetohet ose kur ekzistojnë rrethana të tjera që tregojnë se ekziston rrezik i ikjes së tij;
1.2.2. kur ka arsye për të besuar se ai do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit; ose
1.2.3. kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej.
1.3. masat më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit të parapara në nenin 173 të këtij Kodi do të ishin të pamjaftueshme për të siguruar praninë e personit të tillë, të parandalojë përsëritjen e veprës penale dhe të sigurojë zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
2. Në rastin nga paragrafi 1, nënparagrafi 1.2. i këtij neni, paraburgimi i caktuar vetëm për shkak të mosvërtetimit të identitetit të personit hiqet posa të vërtetohet identiteti i tij. Në rastin nga paragrafi 1, nënparagrafi 1.2. i këtij neni, paraburgimi hiqet posa të merren ose sigurohen provat për të cilat është caktuar paraburgimi.
3. Nëse i pandehuri ka shkelur njërën prej masave më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit të parapara në nenin 173 të këtij Kodi, gjykata në mënyrë të posaçme këtë e merr parasysh gjatë vërtetimit të ekzistimit të rrethanave nga paragrafi 1, nënparagrafët 1.2 dhe 1.3. të këtij neni.
LIGJ PËR BASHKËPUNIM JURIDIK NDËRKOMBËTAR NË ÇËSHTJET PENALE
Neni 1
Qëllimi
1. Ky ligj rregullon kushtet dhe procedurat për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale mes Republikës së Kosovës dhe shteteve të tjera, në qoftë se nuk është përcaktuar ndryshe me marrëveshje ndërkombëtare.
2. Bashkëpunimi juridik ndërkombëtar mund të realizohet edhe në lidhje me organizatat apo institucionet ndërkombëtare, atëherë kur është i nevojshëm.
3. Në mungesë të një marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të huaj, bashkëpunimi juridik ndërkombëtar mund të ofrohet mbi bazën e parimit të reciprocitetit. 4. Procedurat gjyqësore të ofrimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar rregullohen me dispozitat e procedurës penale, përveç nëse ndryshe është paraparë me këtë ligj.
5. Republika e Kosovës duhet të zbatoj formalitetet dhe procedurat e përmendura shprehimisht nga shteti kërkues, nëse formalitetet dhe procedurat e tilla nuk janë në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës vendore.
Neni 6
Qëllimi
1. Personi i kërkuar nga një shtet tjetër për qëllim të zhvillimit të procedurës penale ose për ekzekutimin e dënimit mund të ekstradohet nga Republika e Kosovës në atë shtet, sipas kushteve të parapara me këtë ligj.
2. Personat e mëposhtëm nuk mund të ekstradohen kundër vullnetit të tyre:
2.1. Shtetasit e Republikës së Kosovës, përveç nëse parashihet ndryshe me marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit kërkues ose sipas së drejtës ndërkombëtare, siç parashihet në nenit 35, paragrafi 4 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Një marrëveshje ndërkombëtare mund të lidhet me qëllim të ekstradimit të një individi; 2.2. personat të cilëve iu është dhënë azil politik në Republikën e Kosovës;
2.3. shtetasit e huaj të cilët gëzojnë imunitetin e juridiksionit në Republikën e Kosovës, brenda kufijve të detyrimeve ndërkombëtare të marra nga Republika e Kosovës. 3. Statusi i shtetasit të Republikës së Kosovës ose të një refugjati politik përcaktohet nga koha e pranimit të kërkesës për ekstradim.
Neni 17
Klauzola jodiskriminuese dhe standardet e të drejtave të njeriut
1. Ekstradimi i një personi të kërkuar nuk lejohet nëse ekziston dyshimi i arsyeshëm se kërkesa është bërë për qëllime të ndjekjes penale ose të ndëshkimit për shkak të racës, fesë, gjinisë, shtetësisë, bindjes politike, etnisë, gjuhës, aftësisë së kufizuar, orientimit seksual, anëtarësimit të tij apo saj në ndonjë grup shoqëror, apo nëse pozita e tij apo saj në shoqëri mund të paragjykohet për njërën nga këto arsye.
2. Ekstradimi nuk lejohet nëse ekzistojnë shkaqe të arsyeshme se personi i kërkuar mund t'i nënshtrohet torturës apo trajtimit mizor, çnjerëzor, poshtërues ose ndëshkimit.
3. Ekstradimi nuk lejohet nëse ka arsye për të besuar se personi nuk do të pranojë garancitë minimale për një gjykim të drejtë në shtetin kërkues, siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
4. Ekstradimi i kërkuar me qëllim të ekzekutimit të dënimit të shqiptuar me aktgjykim të dhënë në mungesë, lejohet vetëm nëse gjatë procedurës së zhvilluar kundër personit janë respektuar të drejtat minimale të mbrojtjes, të njohura për çdo person të akuzuar për kryerjen e një vepre penale.
5. Ekstradimi mund të lejohet nëse shteti kërkues ofron garanci të mjaftueshme për të siguruar që personi i kërkuar ka të drejtën për rigjykim me qëllim që të sigurohen të drejtat minimale të mbrojtjes.
6. Ekstradimi nuk lejohet nëse ka dyshime se personi do të gjykohet apo është gjykuar ose dënuar në shtetin kërkues nga një gjykatë e jashtëzakonshme ose e përkohshme, përveç nëse shteti kërkues jep garanci të mjaftueshme se gjykimi ose rigjykimi do të kryhet nga një gjykatë e rregullt në pajtim me ligjin. 6. Ekstradimi nuk lejohet për çfarëdo arsye tjetër të bazuar që do të paraqiste shkelje të së drejtës ndërkombëtare ose standardeve tjera të të drejtave të njeriut.
KODI I PROCEDURËS PENALE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Neni 351
Mosparaqitja ose largimi i vullnetshëm i të pandehurit (Ndryshuar me Ligjin nr. 35/2017, të 30 marsit 2017)
1. Kur i pandehuri i lirë ose i paraburgosur nuk paraqitet në seancë, ndonëse është njoftuar dhe nuk ka pasur shkaqe të ligjshme për të mos u paraqitur, gjykata shtyn seancën dhe urdhëron shoqërimin e detyrueshëm, përveç rastit kur ka deklaruar vullnetin e tij për të mos marrë pjesë në gjykim përpara noterit ose autoritetit shtetëror përgjegjës. Në këtë rast gjykimi vazhdon pa pjesëmarrjen e tij.
2. Kur i pandehuri i pranishëm në seancë heq dorë në mënyrë të qartë nga e drejta tij për të marrë pjesë në gjykim, gjykimi vazhdon pa pjesëmarrjen e tij.
3. Në rastet e parashikuara nga pikat 1 dhe 2, të këtij neni, i pandehuri konsiderohet i pranishëm, me kusht që gjykimi të zhvillohet në praninë e mbrojtësit.
4. I njëjti rregullim zbatohet edhe kur i pandehuri ikën në çdo moment të shqyrtimit gjyqësor ose gjatë intervaleve të tij”.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Për sa i përket përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë, siç janë cekur më lart, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në cilësinë e palës së autorizuar, duke e kontestuar një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Pml. nr. 12/2023] të 16 janarit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës, me të cilin ishte refuzuar si e pabazuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit [NJND nr. 3/2022] të 7 dhjetorit 2022 të Gjykatës Themelore, si dhe Aktvendimit [Pn. nr. 1336/2022] të 29 dhjetorit 2022 të Gjykatës së Apelit, pasi që ka shteruar mjetet juridike.
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë themelore që ai pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Gjykata gjithashtu merr parasysh rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, i cili përcakton si në vijim:
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”
[…]”
Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajtja e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih, rastin e Gjykatës: KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih, gjithashtu, rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi e pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë, por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20 me parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, me parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; dhe KI21/21, me parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 prillit 2021.
Në këtë kontekst, dhe në vazhdim, për të vlerësuar pranueshmërinë e kërkesës, përkatësisht, për të vlerësuar nëse në rrethanat e këtij rasti, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht, do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilat, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata rikujton se esenca e rastit ndërlidhet me dënimin që iu shqiptua parashtruesit të kërkesës nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Lezhë, në Republikën e Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e paraparë me nenin 283 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Parashtruesi i kërkesës ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Lezhë, dhe ishte dënuar me shtatë (7) vite burgim, dënim i cili do të ekzekutohej pasi që vendimi i shkallës së parë të jetë i formës së prerë. Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës përgjatë shqyrtimit gjyqësor me vullnetin e tij kishte deklaruar se nuk do të merrte pjesë në seancën gjyqësore të çështjes së tij, për çka me autorizim të veçantë kishte autorizuar dy mbrojtës për ta përfaqësuar përgjatë procedurës penale kundër tij. Gjykimi në mungesë sipas nenit 351 të Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë, është i lejuar nëse pala vullnetarisht deklaron se nuk do të marrë pjesë në gjykim. Pas ankesës së parashtruesit në Gjykatën e Apelit në Shkodër, kjo e fundit e kishte vërtetuar vendimin e shkallës së parë, duke e cilësuar të njëjtin si të drejtë dhe të ligjshëm. Gjykata e Apelit e kishte aprovuar kërkesën e parashtruesit për gjykim të shkurtuar konform nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë. Pasi që pranoi ankesën e parashtruesit për një gjykim të shkurtuar, duke përfituar nga kjo situatë, Gjykata e Apelit në Shkodër, uli dënimin për parashtruesin e kërkesës, duke e dënuar me katër (4) vjet e tetë (8) muaj burgim. Më pas, Ministria e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë përmes Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës kishte kërkuar ekstradimin e parashtruesit të kërkesës, për të cilin kishte edhe një fletarrest ndërkombëtar, pasi që ky i fundit ishte arrestuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës.
Gjykata Themelore duke vendosur lidhur me kërkesën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për ekstradimin e parashtruesit të kërkesës lejoi ekstradimin dhe vendosi që paraburgimi i parashtruesit të kërkesës të vazhdohet deri në përfundimin e procedurës së ekstradimit. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit, duke e kundërshtuar lejimin e ekstradimit me pretendimin se shteti kërkues nuk garanton respektimin e të drejtave minimale, duke pretenduar se në Republikën e Shqipërisë nuk do t’i lejohet rigjykimi, se parashtruesi i kërkesës është dënuar në mungesë dhe se një mbrojtës i kishte përfaqësuar tre të akuzuar në procedurën penale të zhvilluar. Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën duke dhënë sqarime në pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi më pas parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, dhe kjo e fundit pranoi si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë duke e kthyer lëndën në rigjykim në shkallën e parë. Gjykata Supreme në aktvendimin e saj theksoi se duhet të kërkohet një deklaratë nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë përmes së cilës garantohet e drejta e parashtruesit për rigjykim, në funksion të respektimit të të drejtave minimale për parashtruesin e kërkesës.
Gjykata Themelore duke vendosur në rigjykim, dhe pasi që pranoi dokumentin e kërkuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, në bazë të rekomandimeve të Gjykatës Supreme, sërish lejoi ekstradimin e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se ishin përmbushur të gjitha kushtet ligjore për të lejuar ekstradimin. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit, dhe kjo e fundit refuzoi ankesën si të pabazuar. Të dy aktvendimet e instancave më të ulëta u pranuan si të drejta nga Gjykata Supreme në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës.
Gjykata rikujton se këto konstatime të gjykatave të rregullta, parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës, duke pretenduar se të njëjtat kanë rezultuar me shkelje të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme], nenit 24 [Barazia para Ligjit], si dhe me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Gjykata pretendimet e parashtruesit të kërkesës do t’i trajtojë ndaras, duke filluar së pari me pretendimin për shkeljen e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ankohet për shkeljen e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duke pretenduar në thelb se:
shteti kërkues nuk ka ofruar garanci për rigjykim,
i kërkuari është gjykuar në mungesë,
avokati ka përfaqësuar tre të pandehur në një procedurë dhe
nuk janë respektuar të drejtat minimale të mbrojtjes.
Në adresim të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës Gjykata së pari do të vlerësojë zbatimin e të drejtës të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës dhe të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) lidhur me procedurat e ekstradimit, sipas praktikës së GJEDNJ-së.
Zbatimi i të drejtës për një gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së lidhur me procedurat e ekstradimit, sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe GJEDNJ-së
Lidhur me këtë, Gjykata thekson se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, në bazë të së cilës sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, Gjykata është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, përcakton që vendimet lidhur me ekstradimin nuk kanë të bëjnë me përcaktimin e të drejtave dhe obligimeve civile të parashtruesve apo akuzën penale ndaj tij/saj brenda kuptimit të nenit 6, paragrafi 1 të KEDNJ-së (shih, mutatis mutandis, rastet e GJEDNJ-së Penafiel Salgado kundër Spanjës, nr. 65964/01, Aktgjykim i 16 prillit 2002; Soering kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 14038/88, Aktgjykim i 7 korrikut 1989; Ahorugeze kundër Suedisë, nr. 37075/09, Aktgjykim i 4 qershorit 2012).
Sipas GJEDNJ-së, çështja e ekstradimit përjashtimisht mund të ngritët sipas nenit 6 të KEDNJ-së, nga një vendim për ekstradim në rrethanat kur individi do të rrezikonte të pësonte “mohim flagrant” të garancive procedurale të nenit 6 të KEDNJ-së, në vendin kërkues. Ky parim për herë të parë u aplikua në rastin Soering kundër Mbretërisë së Bashkuar (cituar më lart, paragrafi 113), dhe më pas është konfirmuar nga GjEDNJ në një numër të konsiderueshëm rastesh.
Termi "mohim flagrant” të një gjykimi të drejtë është konsideruar nga GJEDNJ si sinonim i një gjykimi që është haptazi në kundërshtim me dispozitat dhe parimet e mishëruara në nenin 6 të KEDNJ-së (shih, rastin e GJEDNJ-së, Sejdović kundër Italisë, nr.56581/00, Aktgjykim i marsit 2006).
Një mohim flagrant i drejtësisë shkon përtej parregullsive të thjeshta ose mungesës së masave mbrojtëse në procedurat e gjykimit, të tilla që mund të rezultojnë në një shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së nëse ndodhë brenda vetë palëve kontraktuese në Konventë. Ajo që kërkohet është një shkelje e parimeve të gjykimit të drejtë të garantuara nga neni 6 të KEDNj-së, e cila është aq thelbësore sa qon në anulimin e vet thelbit të së drejtës së garantuar nga ai nen.
Për më tepër, GJEDNJ në praktikën e saj ka theksuar se kur një parashtrues përballet me ekstradimin në një shtet tjetër, i cili është palë kontraktuese në Konventë, supozimi është se personi do të ketë një gjykim të drejtë, marrë në veçanti për bazë ekzistencën e mjeteve juridike kundër çdo padrejtësie të mundshme në atë vend, duke përfshirë edhe parashtrimin eventual të një kërkese në GJEDNJ, shih gjithashtu rastin e GJEDNJ-së Stapleton kundër Irlandës, Kërkesa nr. 56588/07, Vendimi për pranueshmërinë, i 4 majit 2010, paragrafi 26).
Në zbërthim të këtij testi, GJEDNJ konsideron se duhet të zbatohet i njëjti standard dhe barra e provës si në shqyrtimin e ekstradimeve dhe dëbimeve sipas nenit 1 të Protokollit 7. Rrjedhimisht, i takon parashtruesit të paraqesë prova të mjaftueshme për të vërtetuar se ka arsye thelbësore për të besuar se, nëse largohet nga një shtet kontraktues, ai do të ekspozohej ndaj një rreziku real për t'iu nënshtruar një “mohimi flagrant të drejtësisë”. (shih, rastet e GJEDNJ-së, mutatis mutandis, Saadi kundër Italisë, nr. 37201/06, Aktgjykim i shkurtit 2008).
Aplikimi i këtyre parimeve në rastin konkret
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në ndërlidhje me pretendimet për shkeljen e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë] të Kushtetutës, para Gjykatës, në thelb pretendon se në Republikën e Shqipërisë, është i) dënuar në mungesë, si dhe nuk ka pasur njohuri për zhvillimin e procedurës penale kundër tij; se shteti kërkues në rastin e tij nuk ofron garanci se do t’i lejohet rigjykimi dhe se ii) në procedurën penale të zhvilluar kundër tij një mbrojtës ka përfaqësuar disa të akuzuar, e sipas parashtruesit të kërkesës kjo nuk lejohet sipas dispozitave të KPPRK-së.
Gjykata për të vazhduar me adresim të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës së pari i referohet paragrafit 4 të nenit 35 [Liria e Lëvizjes] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“Shtetasit e Republikës së Kosovës nuk mund të ekstradohen nga Kosova kundër vullnetit të tyre, me përjashtim të rasteve kur me ligj dhe marrëveshjet ndërkombëtare është përcaktuar ndryshe”.
Gjykata në ndërlidhje me këtë vëren se në rastin konkret ekziston Marrëveshje Dypalëshe e lidhur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë mbi Ekstradimin, të 6 nëntorit 2012, ku në nenin 2 [Veprat penale të ekstradueshme] të kësaj të fundit përcaktohet se ekstradimi lejohet për “ vepra penale për të cilën kërkohet ekstradimi është e dënueshme nga legjislacioni i të dy palëve me burgim jo më pak se 1 vit”. Për më tepër, në nenin 6 të Marrëveshjes Dypalëshe, përcaktohet: “palët marrin përsipër në mënyrë të ndërsjellë e të dorëzojnë shtetasit e tyre që ndodhen në ndjekje penale nga njëra prej tyre për kryerjen e veprave penale, ose që janë shpallur në kërkim për vuajtje të dënimit apo të një mase tjetër shtrënguese në përputhje me legjislacionin e tyre të brendshëm” .
Në lidhje me këtë që u tha më lart, Gjykata së pari i referohet nenit 19 të Kushtetutës, i cili parasheh që “Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës, bëhen pjesë e sistemit të brendshëm juridik pasi të botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ato zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, me përjashtim të rasteve kur nuk janë të vetëzbatueshme dhe zbatimi i tyre kërkon nxjerrjen e një ligji”.
Në rastin konkret, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Lezhë, për kryerjen e veprës penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e paraparë me nenin 283 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Vepra e penale për të cilën është dënuar parashtruesi në mënyrë analoge është e paraparë me nenin 267 “Blerja, posedimi, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope” të KPRK-së.
Parashtruesi i kërkesës është dënuar me katër (4) vjet e tetë (8) muaj burgim.
Gjykata në rastin konkret vlerëson se bazuar në Marrëveshjen Dypalëshe janë përmbushur kërkesat lidhur me ekstradimin e shtetasve të vendit.
Duke ju rikthyer pretendimit të parashtruesit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata së pari rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se është shkelur neni 17 i Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, sepse sipas tij i) është dënuar në mungesë, si dhe nuk ka pasur njohuri për zhvillimin e procedurës penale kundër tij dhe se shteti kërkues në rastin e tij nuk ofron garanci se do t’i lejohet rigjykimi, ii) në procedurën penale të zhvilluar kundër tij një mbrojtës ka përfaqësuar disa të akuzuar, e që sipas parashtruesit të kërkesës kjo nuk lejohet sipas dispozitave të KPPRK-së .
Gjykata në vijim rikujton përmbajtjen e dispozitës së nenit 17 (Klauzola jodiskriminuese dhe standardet e të drejtave të njeriut) të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, ku ndër të tjera, theksohet se:
“3.Ekstradimi nuk lejohet nëse ka arsye për të besuar se personi nuk do të pranojë garancitë minimale për një gjykim të drejtë në shtetin kërkues, siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
4.Ekstradimi i kërkuar me qëllim të ekzekutimit të dënimit të shqiptuar me aktgjykim të dhënë në mungesë, lejohet vetëm nëse gjatë procedurës së zhvilluar kundër personit janë respektuar të drejtat minimale të mbrojtjes, të njohura për çdo person të akuzuar për kryerjen e një vepre penale.
Gjykata në vijim do të vlerësojë nëse në rastin e parashtruesit të kërkesës janë respektuar garancitë minimale për një gjykim të drejtë në shtetin kërkues, në rastin konkret në Republikën e Shqipërisë, si kusht themelor për ekstradim.
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit se në Republikën e Shqipërisë ishte dënuar në mungesë
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës është dënuar me shtatë (7) vite burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Lezhë, në Republikën e Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e paraparë me nenin 283 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Pas ankesës në Gjykatën e Apelit në Shkodër, kjo e fundit kishte ulur dënimin në katër (4) vjet e tetë (8) muaj burgim.
Nga shkresat e lëndës, respektivisht nga Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në Lezhë, vërehet se parashtruesi i kërkesës përgjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallën e parë, kishte deklaruar se me vullnetin e tij heq dorë nga e drejta për të marrë pjesë në gjykim, dhe me autorizim të veçantë kishte autorizuar dy avokatë që të përfaqësojnë parashtruesin në të gjitha fazat e zhvillimit të procedurës penale kundër tij.
Bazuar në nenin 351 të Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë, ku edhe ishte dënuar parashtruesi kërkesa e parashtruesit për të mos marrë pjesë në gjykim ishte miratuar, pasi një gjë të tillë e lejon legjislacioni shqiptar.
Pas kërkesës së autoriteteve të Republikës së Kosovës, drejtuar autoriteteve të Republikës së Shqipërisë lidhur me garancionet se parashtruesit do t’i mundësohej rigjykimi në shtetin kërkues, këta të fundit në deklaratën e tyre theksuan se “pas rivlerësimit të akteve, ka rezultuar se subjekti ka pasur dijeni për procesin penal në ngarkim të tij dhe është hetuar dhe gjykuar me masë sigurimi-detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, si dhe është mbrojtur në gjykim nga përfaqësuesi ligjor i zgjedhur prej tij me prokurë të posaçme. Duke shtuar se për sa më sipër, bazuar në legjislacionin penal shqiptar, subjekti nuk mund të konsiderohet në mungesë dhe në këto kushte Ministria e Drejtësisë nuk mund të jep garanci për rigjykimin e tij.
Më pas Gjykata Themelore, duke vepruar në rigjykim dhe bazuar në gjetjet e Aktvendimit të Gjykatës Supreme konstatoi se ekstradimi në rastin konkret lejohet. Në arsyetim të aktvendimit të saj Gjykata Themelore kishte konstatuar se bazuar në shkresa të lëndës parashtruesi i kërkesës ka qenë në dijeni për procesin, “është gjykuar në gjendje të lirë dhe gjatë gjykimit vet e ka angazhuar me prokurë të posaçme mbrojtës”, duke specifikuar në mënyrë të detajuar mënyrën e përfaqësimit për të dy mbrojtësit e angazhuar. Duke pasur parasysh se procedura gjyqësore e zhvilluar në mungesën e parashtruesit të kërkesës, i ka përmbushur garancitë minimale për një gjykim të drejtë, Gjykata e Apelit vlerësoi se gjykata e shkallës së parë me të drejtë në këtë rast e ka lejuar ekstradimin. Lidhur me pretendimin se një mbrojtës ka përfaqësuar disa të akuzuar në procesin gjyqësor, Gjykata e Apelit thekson se një mbrojtje e tillë nuk është e lejuar vetëm në Republikën e Kosovës, pra një gjë e tillë lejohet në shtetin kërkues.
Gjykata në këtë pikë rikujton arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me këtë pretendim specifik të parashtruesit se në shtetin kërkues ishte dënuar në mungesë dhe se në rast të ekstradimit nuk do t’i mundësohej rigjykimi. Në arsyetim të Aktgjykimit të lartpërmendur më tej shtohet:
“Pretendimi vijues i mbrojtësit, se Gjykata duhet të shikojë “përputhjen e legjislacionit të shtetit kërkues me legjislacionin tonë”, gjithashtu nuk qëndron, për faktin se, në këtë aspekt, duhet shikuar vetëm identitetin e normës, d.m.th. vepra penale sipas Kodit Penal të shtetit kërkues, a është vepër penale edhe sipas Kodit të shtetit që vendos për ekstradimin dhe ky standard, është përmbushur ngase edhe me Kodin Penal të Kosovës, kjo vepër penale është e sanksionuar.
E para, për faktin se, procesi gjyqësor nuk është zhvilluar në gjykatat e Kosovës por në Republikën e Shqipërisë, duke aplikuar standardin tani më të etabluar në të drejtën Penale Ndërkombëtare “Parimi Territorial i zbatimi të ligjit”.
Ndërsa nga shkresat e lëndës, rezulton se në senacën gjyqësore të mbajtur më datë 30.07.2019, ku ishte i pranishëm i kërkuari për ekstradim Besim Gashi, në procesverbal ka deklaruar: “se unë jam i pajtimit që gjykimi të mbahet në mungesën me avokat Zef Cupi” (fq. 5 e vendimit gjyqësor).
Nga arsyet e parashtruara më sipër del se vendimet e atakuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, janë në plotni në përputhje me Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, ngase nuk ekziston asnjë pengesë për ekstradim, bazuar në faktin se, në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, ka marrëveshje për ekstradim të ndërsjellë të shtetasve të shteteve nënshkruese të marrëveshjes.
Gjykata nga e gjithë kjo që u tha më lart vëren se parashtruesi i kërkesës me vullnetin e tij të lirë ka hequr dorë nga e drejta e tij për të marrë pjesë në gjykim. Megjithatë, ai ka autorizuar dy mbrojtës për ta përfaqësuar në procedurën penale të zhvilluar kundër tij.
Në këtë drejtim, Gjykata, duke u thirrur në praktikën e GJEDNJ-së, vëren se sipas GJEDNJ-së në parim, obligimi për të garantuar të drejtën e të pandehurit në procedurën penale për të qenë i pranishëm në gjykim – qoftë gjatë procedurës fillestare ose në një rigjykim – renditet si një nga kërkesat thelbësore të nenit 6 (shih rastet e GJEDNJ-së Stoichkov kundër Bullgarisë, kërkesa nr. 9808/02, Aktgjykim i 24 marsit 2005, paragrafi 56). Megjithatë, sipas GJEDNJ-së, një seancë mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit, nëse ai ka hequr dorë nga e drejta për të qenë i pranishëm në seancë. Një heqje dorë e tillë mund të jetë e qartë ose e nënkuptuar nga sjellja e parashtruesit, si për shembull kur ai ose ajo kërkon t'i shmanget shqyrtimit gjyqësor (shih, rastin e GJEDNJ-së Lena Atanasova kundër Bullgarisë, kërkesa nr. 52009/07, Aktgjykim i 26 prillit 2017).
Andaj, GJEDNJ ka theksuar se refuzimi për të rihapur procedurat e zhvilluara në mungesë të të akuzuarit, pa asnjë tregues se i akuzuari ka hequr dorë nga e drejta për të qenë i pranishëm gjatë gjykimit, është konstatuar si një "mohim flagrant i drejtësisë" duke e bërë procedurën në kundërshtim të qartë, ndaj dispozitave të nenit 6 të KEDNJ-së ose parimeve të mishëruara aty.
Në rastin para nesh, siç është elaboruar gjerësisht në këtë aktvendim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në shkallë të parë ku edhe ishte shpallur fajtor, kishte kërkuar që të mos marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes së tij, duke caktuar dy mbrojtës me autorizim të veçantë të cilët e përfaqësuan gjatë gjithë kohës.
Një kërkesë e tillë e parashtruesit ishte aprovuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Lezhë dhe ishte në përputhje me nenin 351 të Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë.
Nga si më sipër, bazuar në legjislacionin penal shqiptar parashtruesi i kërkesës nuk mund të konsiderohet se është gjykuar në mungesë dhe në këto kushte autoritetet e Republikës së Shqipërisë nuk mund të japin garanci për rigjykimin e tij. Ky fakt është theksuar edhe nga përgjigja e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë pas kërkesës së Gjykatës Themelore.
Më tej, Gjykata konsideron se vendimet e gjykatave të rregullta të cilat kishin lejuar ekstradimin dhe në fund edhe Gjykata Supreme me Aktgjykimin e saj, i kishin sqaruar parashtruesit të gjitha arsyet se pse në rastin e tij ekstradimi lejohet dhe se i njëjti është në përputhje të plotë me kërkesat e Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe të obligimeve që dalin nga Marrëveshja dypalëshe.
Në rastin konkret, duke u bazuar në parimet e përgjithshme të elaboruara më lart nga praktika e GJEDNJ-së, nga faktet në këtë rast Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës, nëse ekstradohet në Shqipëri, nuk do të përballej me rrezikun real të një mohimi flagrant të të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si rezultat si mungesës së garancionit për mundësinë e rigjykimit, nga shteti kërkues.
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit se përgjatë procedurës penale është mbrojtur nga mbrojtësi i cili ka mbrojtur edhe dy të akuzuar të tjerë
Lidhur me pretendimin e parashtruesit se përgjatë procedurës penale është mbrojtur nga mbrojtësi i cili ka mbrojtur edhe dy të akuzuar të tjerë, parashtruesi i kërkesës pretendon se një gjë e tillë nuk lejohet sipas KPPRK-së.
Gjykata rikujton se në rastin konkret përgjatë arsyetimeve të vendimeve të gjykatave të rregullta të cilat ishin në një linjë, duke shtuar se një veprim i tillë është i ndaluar në zbatim të procedurës penale vetëm sipas KPPRK-së, dhe me rastin e ekstradimit pretendimi i tillë nuk konsiston në cenimin e të drejtave minimale të mbrojtjes, pasi që dispozitat ligjore të shtetit kërkues lejojnë një përfaqësim të tillë, ku një mbrojtës mund të përfaqësoj disa të akuzuar.
Gjykata në këtë pikë, rikujton edhe arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme në ndërlidhje me këtë pretendim ku shtohet se :
“pretendimi se janë shkelur dispozitat e nenit 55 të KPP të Republikës së Kosovës, ngase në gjykatë në Republikën e Shqipërisë, një avokat ka mbrojtur pos të kërkuarit edhe të pandehur tjetër nuk qëndron, për faktin se, në raste të tilla sa i përket procesit penal aplikohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të shtetit ku është kryer vepra penale dhe është gjykuar çështja d.m.th. Kodi i Procedurës së Republikës së Shqipërisë, jo dispozita e Kodit të Procedurës Penale, shtetësinë e të cilës e ka i kërkuari, përkatësisht KPPK, ndërsa sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, një avokat mund të mbrojë më shumë se një të pandehur, ku nenin 54 i KPPRSH thuhet: mbrojtja e disa të pandehurve mund të merret përsipër nga një mbrojtës i përbashkët, me kusht që midis të pandehurve të mos ketë papajtueshmëri interesash (par.1) dhe Organi procedues kur konstaton papajtueshmërinë e interesave të të pandehurve e deklaron atë me vendim dhe bënë zëvendësimet e nevojshme (par.2).
Në rastin konkret ishin përmbushë kushtet ligjore të parashikuara nga neni 54 par. 1 i KPPRSH, ngase nuk kishte konflikt në mes të mbrojtjeve të këtyre të pandehurve.
Gjykata në këtë drejtim duke ju referuar nenit 17 të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, i cili thekson se ekstradimi nuk lejohet nëse ka arsye për të besuar se personi nuk do të pranojë garancitë minimale për një gjykim të drejtë në shtetin kërkues, siç parashihet me Kushtetutë. Në këtë drejtim, Gjykata vëren se Kushtetuta edhe as praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, nuk përcakton se një mbrojtës nuk mund të përfaqësojë dy apo më shumë të akuzuar në një procedurë penale andaj, Gjykata vlerëson se në rastin e parashtruesit të kërkesës garancitë minimale të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës janë respektuar.
Në rastin konkret, duke u bazuar në parimet e përgjithshme të elaboruara më lart nga praktika e GJEDNJ-së, nga faktet në këtë rast Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës, nëse ekstradohet për Shqipëri, nuk do të përballej me rrezikun real të një mohimi flagrant të të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Si rrjedhojë, Gjykata konstaton se në rastin konkret nuk ka shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 21 dhe nenit 24 të Kushtetutës
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit për shkelje të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, Gjykata vëren se parashtruesi vetëm ka përmendur shkeljen e neneve të Kushtetutës, duke mos ofruar asnjë arsyetim dhe duke mos mbështetur pretendimet e tij rreth mënyrës se si vendimi i kontestuar, përfshirë edhe vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët, mund të kenë rezultuar në shkeljen e këtyre të fundit.
Lidhur me pretendimet e parashtrueseve për shkeljen e nenit 21 dhe 24 të Kushtetutës, Gjykata thekson se fakti i thjeshtë se parashtruesit e kërkesës nuk janë të kënaqur me rezultatin e gjykimit të tij apo vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës, nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastin e Gjykatës KI136/14, Abdullah Bajqinca, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 shkurtit 2015, paragrafi 33).
Si rezultat, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe që me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, më 23 shkurt 2023, me shumicë
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Besim Gashi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale