Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 12/2023] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 16 janarit 2023

Nr. të lëndës KI10/23

Parashtruesit: Besim Gashi

Shkarko:

KI10/23, Parashtrues: Besim Gashi, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 12/2023] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 16 janarit 2023

KI1o/23, Aktvendim për papranueshmëri i 23 shkurtit 2023, publikuar më 14 mars 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, procedurë e ekstradimit, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me  procedurën gjyqësore ndaj parashtruesit të kërkesës, e cila kishte rezultuar me shpalljen fajtor dhe dënimin e tij me shtatë (7) vite burgim për kryerjen e veprës penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Lezhë, në Republikën e Shqipërisë. Parashtruesi i kërkesës në seancën e parë gjyqësore të zhvilluar kundër tij, bazuar në nenin 351 (Mosparaqitja ose largimi i vullnetshëm i të pandehurit) të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë (i) kishte deklaruar se nuk dëshironte të merrte pjesë në gjykim; si dhe (ii) kishte autorizuar mbrojtësit e tij, i cili përveç parashtruesit të kërkesës, kishte mbrojtur edhe një të akuzuar tjetër në të njëjtën procedurë. Gjykata e Apelit në Shkodër, në procedurë sipas ankesës së parashtruesit të kërkesës, kishte vërtetuar vendimin e shkallës së parë lidhur me fajësinë, ndërsa kishte ulur dënimin për parashtruesin e kërkesës nga shtatë (7) vjet, në katër (4) vjet e tetë (8) muaj burgim.

Pasi vendimi lidhur me dënimin ishte bërë i plotfuqishëm, kundër parashtruesit të kërkesës ishte lëshuar fletarrest ndërkombëtar nga ana e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, dhe si pasojë i njëjti ishte arrestuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës. Lidhur me këtë, Gjykata Themelore në Prishtinë duke vendosur lidhur me kërkesën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, për ekstradimin e parashtruesit të kërkesës, kishte vendosur që të lejojë ekstradimin me arsyetimin se ishin përmbushur të gjitha kushtet ligjore, përfshirë Marrëveshjen e lidhur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë mbi Ekstradimin të 6 nëntorit 2012. Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës konfirmuan arsyetimin e Gjykatës Themelore.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, duke pretenduar se  i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese, përkatësisht  e drejta për barazi para ligjit sipas nenit 24 [Barazia para Ligjit]  dhe  e drejta për gjykim të drejtë sipas nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, sepse në kundërshtim me garancitë procedurale sipas legjislacionit penal të Republikës së Kosovës (i) në Republikën e Shqipërisë është dënuar “në mungesë”, duke mos pasur njohuri për zhvillimin e procedurës penale kundër tij; dhe se (ii)  në procedurën penale të zhvilluar kundër tij, një mbrojtës ka përfaqësuar disa të akuzuar, gjë që nuk lejohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. Për më tepër, Republika e Shqipërisë, në rastin e tij nuk kishte ofruar garanci se do t’i lejohej rigjykimi.

Gjykata analizoi parimet e përgjithshme të aplikuara në rastet e procedurave të ekstradimit siç janë përcaktuar përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas së cilave çështja e ekstradimit mund të ngritët sipas nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rrethanat kur individi do të rrezikonte të pësonte “mohim flagrant” të garancive procedurale të mishëruara në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendin kërkues. Gjykata gjithashtu sqaroi se sipas (i) paragrafit 4 të nenit 35 [Liria e Lëvizjes] e Kushtetutës parashihet se, mes tjerash, shtetasit e Kosovës mund të ekstradoheshin nga Kosova pa vullnetin e tyre, nëse kjo parashihet me marrëveshje ndërkombëtare; (ii) në rastin konkret, ekzistonte Marrëveshja e lidhur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë mbi Ekstradimin, sipas së cilës ekstradimi mund të bëhet edhe nëse shteti kërkues nuk garanton rigjykimin, përderisa garancitë minimale procedurale të parapara me Kushtetutë janë të garantuara; dhe se (iii) lidhur me ekstradimin e tij, ishin plotësuar kushtet e përcaktuara në nenin 17 (Klauzola jo-diskriminuese dhe standardet e të drejtave të njeriut) të Ligjit nr. 04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, sipas së cilave ekstradimi i kërkuar për ekzekutim të vendimit lejohet, nëse gjatë procedurës së zhvilluar kundër personit, janë respektuar të drejtat minimale të mbrojtjes.

Gjykata, gjatë aplikimit të parimeve të lartpërmendura, duke vlerësuar nëse në rrethanat e rastit konkret ishin respektuar garancitë minimale procedurale të një gjykimi të drejtë të garantuara me Kushtetutë, konstatoi se parashtruesi i kërkesës, nëse ekstradohet në Shqipëri, nuk do të përballej me rrezikun real të një “mohimi flagrant” të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si rezultat si mungesës së garancionit për mundësinë e rigjykimit nga shteti kërkues.

Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin për papranueshmëri i cili do të publikohet, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i  kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe që me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me Kushtetutë.

Parashtruesit:

Besim Gashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale