Prishtinë, më 12 gusht 2024
Nr. ref.: RK 2511/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI118/24
Parashtrues
Agron Mazrekaj
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ.nr.1/2024] të Gjykatës Supreme, të 9 shkurtit 2024
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Agron Mazrekaj, me vendbanim në Deçan (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [ARJ.nr.1/2024] e 9 shkurtit 2024 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij, të garantuara me nenet: 21 [Parimet e Përgjithshme], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe me nenin 6 (E drejta për proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 16 maj 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë Gjykata).
Më 22 maj 2024, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin [nr.GJR. KI118/24] caktoi gjyqtarin Enver Peci, gjyqtar raportues dhe me Vendimin [nr.KSH. KI118/24] caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Remzije Istrefi-Peci (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Jeton Bytyqi (anëtarë).
Më 13 qershor 2024, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën datë, një kopje e kërkesës iu dërgua edhe Gjykatës Supreme.
Më 17 korrik 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në shkresat e lëndës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë [në tekstin e mëtejmë: MTI] kishte publikuar konkurs të brendshëm për pozitën e punës: Udhëheqës i Divizionit për Infrastrukturë të Cilësisë. Meqë nuk kishte kandidatë të mjaftueshëm, MTI-ja e anuloi konkursin dhe rishpalli konkurs të jashtëm për të njëjtën pozitë. Parashtruesi i kërkesës kishte aplikuar në këtë konkurs por nuk ishte përzgjedhur. Ai drejtoi një ankesë në Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave brenda MTI-së, e cila ia refuzoi si të pabazuar.
Më 16 gusht 2013, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës [në tekstin e mëtejmë: KPMSHCK] kundër vendimit të Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave, me arsyetimin se kandidati i përzgjedhur nuk e kishte fakultetin përkatës dhe kështu ishte shkelur Rregullorja [nr.02/2010] për procedurat e rekrutimit në shërbimin civil [në tekstin e mëtejmë: rregullorja nr.02/2010].
Më 2 shtator 2013, KPMSHCK-ja refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar duke theksuar se, vendimi i Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave ishte në përputhje me nenin 9 të Rregullores nr.05/2011 për Procedurat e zgjedhjes së kontesteve dhe ankesave; dhe konstatoi se procedurat e rekrutimit për këtë pozitë të punës ishin në përputhje me nenin 3 të Ligjit nr.03\L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe me Rregulloren nr.02/2010. KPMSHCK-ja arsyetoi se, kandidati i përzgjedhur kishte numër më të lartë të pikëve në raport me parashtruesin e kërkesës. Në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se kandidati i përzgjedhur nuk kishte diplomë përkatëse universitare, KPMSHCK-ja theksoi se sipas konkursit të publikuar, një nga kushtet e përcaktuara ishte diploma universitare mirëpo pa e specifikuar drejtimin e nevojshëm.
Më 18 shtator 2013, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Prishtinë [në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore] dhe kërkoi anulimin e vendimit të KPMSHCK-së. Parashtruesi i kërkesës argumentonte se procedura e rekrutimit nuk ishte e ligjshme dhe kandidati i përzgjedhur nuk i plotësonte kushtet sepse nuk kishte diplomë përkatëse universitare.
Më 11 dhjetor 2020, Gjykata Themelore me Aktgjykim [A.nr.50/17] refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Themelore arsyetoi se: (i) është në dorën e Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe të Ankesave vlerësimi i kandidatëve sipas bindjes së tyre të lirë; dhe (ii) rregullorja nr.02/2010 me asnjë dispozitë nuk përcakton në mënyrë eksplicite obligimin që të vendoset si kusht diploma e një lëmie përkatëse.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore.
Më 19 maj 2022, Gjykata e Apelit me Aktgjykim [AA.nr.318/2021] e miratoi si të bazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe ktheu çështjen në rigjykim. Gjykata e Apelit arsyetoi se, aktgjykimi i Gjykatës Themelore përmbante të meta në lidhje me mos përcaktimin e vendimit që ishte objekt i kërkesëpadisë dhe pozitën e palëve në procedurë.
Më 14 korrik 2022, Gjykata Themelore me Aktgjykim [A.nr.50/17] refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Themelore, në rigjykim, i përdori argumentet e njëjta sikurse në herën e parë për refuzimin e kërkesëpadisë.
Parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore.
Më 10 nëntor 2023, Gjykata e Apelit me Aktgjykim [AA.nr.687/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit konstatoi se aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte i drejtë dhe i ligjshëm.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë në Gjykatën Supreme për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor dhe kërkoi anulimin e aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
Më 9 shkurt 2024, Gjykata Supreme me Aktgjykim [ARJ.nr.1/2024] refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor. Gjykata Supreme theksoi se vendimet e KPMSHCK-së, të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit ishin të drejta dhe të ligjshme dhe u bazuan në provat e administruara. Sipas Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës nuk i kishte mbështetur pretendimet dhe argumentet e tij kundër atyre vendimeve dhe nuk kishte ofruar prova për zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimet e gjykatave të rregullta ia shkelën të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenet: 21 [Parimet e Përgjithshme], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 [E drejta për proces të rregullt] të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës thekson se, gjykatat e rregullta konstatuan gabimisht që rregullorja nr.02/2010 me asnjë dispozitë nuk i obligon institucionet publike që të vendosin kriterin në lidhje me shkollimin universitar, konkretisht drejtimin e diplomës që përshtatet me vendin e punës. Sipas parashtruesit të kërkesës, rregullorja nr.02/2010, përkatësisht neni 10, paragrafi 1.7 rregullon në mënyrë shumë të qartë se aftësitë, shkollimi dhe kualifikimet tjera të kërkuara janë në përputhje me natyrën e vendit të punës.
Parashtruesi i kërkesës thekson se drejtimi i diplomës është kriteri kryesor i çdo rekrutimi për çdo pozitë të punës, sepse një mjek, historian, sociolog nuk mund të kryejë pozitën e punës të natyrës së inxhinierisë. Parashtruesi i kërkesës po ashtu thekson se Gjykata Supreme e ka anashkaluar faktin që përveç rregullores nr.02/2010 që rregullon fushën e punësimit në institucionet publike, ekzistojnë rregullore të tjera të brendshme të institucioneve publike në lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë, nivelin dhe drejtimin e shkollimit universitar për çdo pozitë të punës.
Parashtruesi i kërkesës arsyeton se, për pozitën e punës Udhëheqës i Divizionit për Infrastrukturë të Cilësisë tek kriteri i shkollimit është kërkuar vetëm diploma universitare pa e specifikuar drejtimin e diplomës. Sipas këtij kriteri, edhe një mjek, historian apo sociolog kishte pasur të drejtë të konkurroj dhe të punësohet për pozitën e punës në fjalë sepse edhe ata kanë diplomë universitare. Në çdo aplikacion të punësimit në institucionet publike, është rubrika për të shënuar drejtimin e studimeve, sepse në bazë të këtij kriteri përcaktohet nëse një kandidat i plotëson kushtet e shkollimit për tu punësuar në një pozitë të caktuar të punës.
Parashtruesi i kërkesës thekson se vendimet e gjykatave të rregullta e amnistojnë shkeljen e kriterit kryesor të rekrutimit, i cili është drejtimi i diplomës universitare.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
[...]
Neni 49
[E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]
1. E drejta e punës garantohet.
2. Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë
[...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcakton:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës; ai konteston kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ.nr.1/2024] e 9 shkurtit 2024 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me paragrafin (1) (d) dhe (2), të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, që përcaktojnë:
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
"(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) Kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
[...]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk e mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
[...]
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkese të papranueshme, pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson që përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e Pranueshmërisë) të Rregullores se punës (shih, ndër tjerash, rastet KI26/23, parashtrues Kastrioti Petrol, Aktvendim për Papranueshmëri i 7 nëntorit 2023, paragrafi 46; KI96/22, me parashtrues Naser Husaj dhe Uliks Husaj, Aktvendim për Papranueshmëri i 29 gushtit 2023, paragrafi 52; KI216/21, parashtrues Kujtim Rezniqi, Aktvendim për papranueshmëri i 31 marsit 2022, paragrafi 45; KI203/21 dhe KI205/21, parashtrues Nexhmije dhe Sahit Kabashi, Aktvendim për Papranueshmëri i 9 marsit 2022, paragrafi 73; KI175/20, me parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 26 marsit 2021, paragrafi 37). Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Pretendimet qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, bazuar në praktikën gjyqësore, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”.
Vlerësimi i pretendimeve për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me interpretimin e gabuar të ligjit.
Gjykata vëren se, pretendimi kryesor i parashtruesit të kërkesës është shkelja e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me interpretimin e gabuar të ligjit. Sipas parashtruesit të kërkesës, gjykatat e rregullta gabimisht e interpretuan dispozitën ligjore të rregullores nr.02/2010, në lidhje me drejtimin përkatës të diplomës universitare, si kusht për punësim.
Gjykata përsërit se, nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit dhe të ligjit që mund të kenë bërë gjykatat e rregullta, për sa kohë që ato nuk shkelin të drejtat e parashtruesve të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ (rasti i GJEDNJ-së, Tommas kundër Italisë, nr. 43395/09, Aktgjykim i 23 shkurtit 2017, paragrafi. 170). Në parim, Gjykata nuk mund të rishikojë të gjeturat e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale, sepse nuk mund të veprojë si “shkallë e katërt” (shih, rasti i Gjykatës, KI81/20, parashtrues Arbër Shkreli, Aktvendim për papranueshmëri i 20 majit 2021, paragrafët. 45-47).
Gjykata vëren se, parashtruesi i kërkesës kishte aplikuar për pozitën e punës të udhëheqësit të divizionit për infrastrukturë dhe cilësisë në kuadër të MTI-së. Për këtë pozitë të punës, u përzgjodh një kandidat tjetër dhe jo parashtruesi i kërkesës. I pakënaqur me dy vendimet e organeve të brendshme të MTI-së, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në KPMSHCK, me pretendimin se kandidati i përzgjedhur nuk e kishte diplomën përkatëse universitare për pozitën e punës. KPMSHCK-ja ia refuzoi ankesën si të pabazuar, me arsyetimin se konkursi e kërkonte diplomën universitare por pa e specifikuar drejtimin përkatës dhe kandidati i përzgjedhur kishte numër më të lartë të pikëve.
Gjykata vëren se, gjykatat e rregullta ia refuzuan kërkesëpadinë parashtruesit të kërkesës si të pabazuar dhe njohën vendimet e organeve të MTI-së dhe të KPMSHCK-së si të drejta dhe të ligjshme. Në të gjitha instancat gjyqësore, parashtruesi i kërkesës e kishte ngritur pretendimin se kandidati i përzgjedhur nuk e kishte diplomën përkatëse universitare për pozitën e punës. Në lidhje me këtë, gjykatat e rregullta argumentuan se rregullorja nr.02/2010 me asnjë dispozitë nuk e kërkon në mënyrë shprehimore ndonjë lëmi përkatëse të diplomës universitare.
Gjykata thekson se të njëjtin pretendim parashtruesi i kërkesës e ngrit edhe në Gjykatë. Ai thekson që gjykatat e rregullta gabimisht e interpretuan rregulloren nr.02/2010, duke konstatuar se nuk është përcaktuese për pozitën e punës diploma përkatëse universitare. Parashtruesi i kërkesës po ashtu thekson se paragrafi 7 i nenit 10 i rregullores, përcakton në mënyrë të qartë që aftësitë dhe shkollimi dhe kualifikimet e tjera të kërkuara janë në përputhje me natyrën e vendit të punës.
Gjykata vëren se, paragrafi 1 i nenit 10 [Shqyrtimi dhe vlerësimi i kërkesave për rekrutim] i rregullores nr.02/2010 përcakton se, Menaxheri i Njësisë së Personelit në institucionin në të cilin do të zhvillohet procedura e rekrutimit, ndër të tjera duhet të vlerësojë nëse aftësitë, shkollimi dhe kualifikimet e tjera të kërkuara janë në përputhje me natyrën e vendit të punës. Gjykata thekson se, çështja e përcaktimit të kritereve të konkursit, vlerësimi dhe përzgjedhja e kandidatit të suksesshëm ishte detyrë e organeve të brendshme të MTI-së, bazuar në rregulloren nr.02/2010.
Gjykata thekson se, nuk mund t’i zëvendësojë vlerësimet e organeve administrative dhe gjykatave të rregullta në lidhje me kandidatin e suksesshëm për pozitën e punës. E rëndësishme për Gjykatën është fakti që parashtruesi i kërkesës e kishte mundësinë që gjatë gjithë procesit të përdorte mjetet juridike që i kishte në dispozicion dhe t’i paraqiste argumentet dhe pretendimet e tij. Parashtruesi i kërkesës kishte përdorur mjetet juridike gjatë procedurës administrative brenda MTI-së dhe mjetet juridike në gjykatat e rregullta, përfshirë edhe mjetin e jashtëzakonshëm juridik brenda Gjykatës Supreme. Pra, organet administrative dhe të gjitha instancat gjyqësore kishin adresuar pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës.
Gjykata thekson se gjithë procesi administrativ dhe gjyqësor ishte i drejtë në tërësi dhe parashtruesi i kërkesës nuk ka ngritur ndonjë mangësi procedurale që do të mund të cenonte integritetin e procesit gjyqësor dhe të shkelte të drejtat e tij kushtetuese.
Gjykata vlerëson se, pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me interpretimin e gabuar të rregullores nr.02/2010, i përkasin pretendimeve të “shkallës së katërt”, prandaj Gjykata i shpall si qartazi të pabazuara, sipas rregullit 34 (2) të rregullore së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit dhe me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, më 17 korrik 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit, në Gazetën Zyrtare;
TË KONSTATOJË që ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Agron Mazrekaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile