Vendimet e publikuara gjatë muajit shtator 2023

06.10.2023

Gjatë muajit shtator 2023, në Gjykatën Kushtetuese:

  • janë shqyrtuar tre (3) raste;
  • është marrë vendim për një (1) rast (procedura e publikimit të të cilit i nënshtrohet më tej përcaktimeve të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregullores së saj të punës);

Përgjatë kësaj periudhe, në ueb-faqen e Gjykatës janë publikuar njëzet e gjashtë (26) vendime, përkatësisht (i) gjashtë (6) Aktgjykime; (ii) pesëmbëdhjetë (15) Aktvendime për papranueshmëri; (iii) një (1) Vendim për masë të përkohshme; (iv) një (1) Vendim për hedhje poshtë të kërkesës; si dhe (v) tri (3) Vendime për refuzim të kërkesës.

Aktgjykimet

_________________________________________

  1. KI122/21

Parashtrues: Lekë Bytyqi

Publikuar më: 5 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [CPP. nr. 1/2021], të 10 marsit 2021

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktvendimit [CPP. nr. 1/2021] të Gjykatës Supreme të 10 marsit 2021,i cili ndërlidhej me vendimmarrjen e Gjykatës Supreme e cila miratoi si të bazuar propozimin e palëve të interesuara N.B., Sh.B. dhe A.B për përsëritje të procedurës. Kjo e fundit kishte filluar me padinë e parashtruesit të kërkesës për vërtetim të së drejtës së pronësisë, përfshirë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, përmes të cilës kërkonte që N.B.-së, Sh.B.-së dhe A.B.-së, respektivisht, t’iu ndalohet që ta tjetërsojnë apo ta ngarkojnë objektin e kontestuar deri në zgjidhjen definitive të kontestit përkatës. Përderisa rasti lidhur me padinë ishte në pritje për rivendosjes, si rezultat i vendimmarrjes së Gjykatës Supreme të vitit 2016,  e cila e kishte kthyer çështjen e tërheqjes/mos-tërheqjes së padisë në rivendosje në Gjykatën e Apelit, në vitin 2021, palët e interesuara N.B., Sh.B. dhe A.B., parashtruan propozim për përsëritjen e procedurës në Gjykatën Supreme, nën pretendimin e fakteve të reja lidhur me vendimmarrjen e Gjykatës Supreme të vitit 2016. Gjykata Supreme e miratoi si të bazuar propozimin e palëve të interesuara të lartëcekura për përsëritje të procedurës, duke refuzuar, përkatësisht hedhur poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës të vitit 2015. Parashtruesi i kërkesës në esencë para Gjykatës pretendoi shkelje të drejtave të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt)  të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër tjerash, si rezultat i cenimit të parimit (i) res judicata; dhe (ii) të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit. Në kontekstin e rrethanave të rastit dhe bazuar në parimet e përcaktuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mbi barazinë e armëve dhe kontradiktoritetit, Gjykata, vlerësoi se, Gjykata Supreme, në kundërshtim me garancitë kushtetuese për barazi të armëve, kishte nxjerrë vendimin e kontestuar pa kaluar afati pesëmbëdhjetë (15) ditor për përgjigje në propozim për përsëritje të procedurës sipas paragrafit 2 të nenit 237 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, në shkelje paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata konsideroi se rezultati për parashtruesin nuk do të ndryshonte edhe nëse Gjykata e kthen rastin në rigjykim, dhe për pasojë, konstatimi i Gjykatës përmes këtij Aktgjykimi, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është i natyrës deklarative për parashtruesin e kërkesës. Për më tepër, Gjykata sqaroi se Aktgjykimi i Gjykatës në këtë rast, në asnjë mënyrë nuk paragjykon pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me të drejtën e tij në trashëgimi dhe pronë që mund të jenë duke u zhvilluar në procedura tjera gjyqësore.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund të lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KI206/21

Parashtrues: Ukë Salihi

Publikuar më: 5 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 584/2020], të 22 prillit 2021

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev. nr. 584/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës  të 22 prillit 2021 si dhe Aktgjykimin [Ac. nr. 2046/17] e Gjykatës së Apelit të Kosovës të 9 korrikut 2020. Aktgjykimet e lartcekura ndërlidheshin me padinë e parashtruesit të kërkesës kundër Policisë së Kosovës, pasi që kjo e fundit ia refuzoi kërkesën për nivelizimin e pagës së tij, dhe kualifikimin e pozitës, lidhur me ushtrimin e funksioneve nga viti 2010 deri në vitin 2015, si Zëvendës Kryesues i Komisionit të Brendshëm Disiplinor. Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës si të bazuar, por Gjykata e Apelit e ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe e hodhi poshtë kërkesën e parashtruesit si të pabazuar. Përkundër faktit që parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar përgjigje në Gjykatën e Apelit ndaj ankesës së palës kundërshtare, e njëjta nuk ishte shqyrtuar nga Gjykata e Apelit.Përmes kërkesës për revizion, parashtruesi i kërkesës kishte ngritur, ndër tjerash, këtë pretendim në Gjykatën Supreme, por kjo e fundit, refuzoi të njëjtën si të pabazuar. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi shkelje të drejtave të garantuara me (i) nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], (ii) nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe (iii) nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt)të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në thelb, për shkak të: (i) mos shqyrtimit të përgjigjes së tij ndaj ankesës së palës kundërshtare nga ana e Gjykatës së Apelit dhe, si pasojë, shkeljes së parimit të “barazisë së armëve”; (ii) zbatimit të gabuar të ligjit; si dhe (iii) mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor. Lidhur me këtë, Gjykata pasi shtjelloi parimet e përgjithshme në lidhje me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe praktikën përkatëse gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sqaroi se, si rezultat i mos shqyrtimit të përgjigjes ndaj ankesës së palës kundërshtare, parashtruesi i kërkesës u vu në një pozitë dukshëm më pak të favorshme në krahasim me palën e kundërt, dhe si rrjedhojë i ishte hequr mundësia për t’u përballur realisht dhe në mënyrë thelbësore me argumentet dhe pretendimet e bëra nga pala e kundërt, në shkelje të garancive të përcaktuara përmes paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund të lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KO134/21

Parashtrues: Ramush Haradinaj dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Publikuar më: 6 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-036], të 8 korrikut 2021 të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Gjykata vlerësoi Vendimin [nr.08-V-036] e 8 korrikut 2021 të Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e tetë (8) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Bordi i RTK-së), të cilit i kishte paraprirë shqyrtimi i Raportit Vjetor të RTK-së për vitin 2020 në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal dhe në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, të cilët pas shqyrtimit të të njëjtit, i kishin rekomanduar Kuvendit që (i) të refuzojë miratimin e Raportit të Vjetor për vitin 2020 të RTK-së; dhe (ii) mbi bazën e “paaftësisë profesionale” të shkarkojë të gjithë anëtarët e Bordit të RTK-së. Kuvendi i Republikës së Kosovës, në të njëjtën seancë, përkatësisht atë të 8 korrikut 2021, kishte refuzuar miratimin e Raportit Vjetor të RTK-së dhe kishte shkarkuar të gjithë anëtarët e Bordit të RTK-së. Esenca e rastit ndërlidhet me (i) kompetencën kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Kosovës për të mbikëqyrur punën e institucioneve publike, përfshirë Radiotelevizionin e Kosovës, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit dhe kufizimet përkatëse bazuar në Ligjin për Radiotelevizionin e Kosovës; (ii) pavarësinë edhe autonominë e transmetuesit publik, jo vetëm bazuar në Ligjin për Radiotelevizionit të Kosovës, por edhe në instrumentet relevante ndërkombëtare, përfshirë ato drejtpërdrejtë të aplikueshme në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës në njërën anë dhe detyrimin e transmetuesit publik për transparencë dhe llogaridhënie ndaj autoritetit mbikëqyrës dhe publikut në anën tjetër; dhe (iii) detyrimet pozitive të shtetit, në këtë rast Kuvendit, që kompetencën e mbikëqyrjes ta ushtrojë bazuar në parimet që burojnë nga Kushtetuta, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe instrumentet tjera ndërkombëtare, përfshirë Rekomandimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, për të garantuar pavarësinë e transmetuesve publikë dhe lirinë e pluralizmin e medieve. Gjykata për të vlerësuar kërkesën e parashtruesve shtjelloi parimet e përgjithshme që burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kontekst të nenit 10 (Liria e shprehjes) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (ii) përgjigjet e pranuara nga gjykatat kushtetuese dhe/ose ekuivalentet përkatëse anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, përkitazi me statusin/pavarësinë por edhe mënyrën e shkarkimit të anëtarëve të bordeve/strukturave mbikëqyrëse të transmetuesve publikë, si dhe (iii) parimet tjera që burojnë nga rekomandimet dhe opinionet e institucioneve ndërkombëtare, të listuara në Aktgjykim. Gjykata pasi shtjelloi parimet e lartcekura konstatoi se (i) Vendimi [nr.08-V-036] i 8 korrikut 2021 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës, sepse shkarkimin kolektiv të bordit të transmetuesit publik për “paaftësi profesionale”, të konstatuar përmes shqyrtimit të Raportit Vjetor të lartëcekur, Kuvendi ka vepruar pa bazë ligjore në kontekst të shkarkimit të Bordit në tërësinë e tij, si pasojë e refuzimit të raportit përkatës vjetor dhe rrjedhimisht, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës. Për pasojë, Gjykata konstatoi se në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar, Kuvendi ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse të përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës dhe për më tepër, ka cenuar pavarësinë e transmetuesit publikë, roli i të cilit është thelbësor për lirinë edhe pluralizmin e medieve në një shoqëri demokratike, në kundërshtim me vlerat e përcaktuara në paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjykata sqaroi se Aktgjykimi, nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treat.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund të lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KO216/22 dhe KO220/22

Parashtrues: KO216/22, me parashtrues: Isak Shabani dhe 10 (dhjetë) deputetë të tjerë dhe KO220/22, me parashtrues: Arben Gashi dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të

Republikës së Kosovës

Publikuar më: 13 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së së neneve 9, 12, 46 dhe 99 të Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë

Gjykata në Aktgjykimin e saj në rastet KO216/22 dhe KO220/22, vlerësoi kushtetutshmërinë e procedurës së ndjekur për miratimin e Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë (në tekstin e mëtejmë: Ligji i kontestuar), si dhe përmbajtjen e neneve të caktuara të tij, sipas pretendimeve të parashtruesve të kërkesës. Aktgjykimi fillimisht sqaron që parashtruesit e kërkesave, në thelb, pretenduan që: (i) procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit të kontestuar ishte në kundërshtim me nenet 77 [Komisionet] dhe 78 [Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve] të Kushtetutës; dhe (ii) nenet 9 (Kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtares/it publik), 12 (Qeveria e Republikës së Kosovës), 46 (Emërimi dhe mandati në pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues) dhe 99 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit të kontestuar ishin në kundërshtim, ndër tjerash, me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 7 [Vlerat], 16 [Epërsia e Kushtetutës], 19 [Zbatimi i së Drejtës Ndërkombëtare], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës. Në esencë, parashtruesit e kërkesës pretenduan që Ligji i kontestuar (i) përmes “përshtatshmërisë” si kriter shtesë për punësim, bie në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike dhe parashikueshmërisë; (ii) cenon parimet kushtetuese që ndërlidhen me shërbimin civil/administratën publike, me theks në pavarësinë e institucioneve të pavarura kushtetuese, përmes ndërhyrjes dhe mbikëqyrjes së pushtetit ekzekutiv; dhe (iii) cenon të drejtat dhe liritë themelore të zyrtarëve publikë, me theks, në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese, ndër tjerash, përmes shndërrimit të pozitave të kësaj kategorie zyrtarësh nga mandati i përhershëm në të përkohshëm, përfshirë me efekt prapaveprues në të drejtat e tyre të fituara, duke rezultuar kështu, ndër tjerash, edhe në mungesë të stabilitetit dhe ndërhyrjeve politike në administratën publike, në kundërshtim edhe me detyrimet e Republikës së Kosovës përkitazi me reformën në administratë publike përmes ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Të gjitha argumentet dhe kundër-argumentet e palëve para Gjykatës janë të reflektuara detajisht në Aktgjykimin e Gjykatës. Aktgjykimi më tej sqaron që Gjykata: (i) e ka kufizuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar në fushëveprimin e dispozitave të kontestuara nga parashtruesit e kërkesës dhe atyre të ndërlidhura me to; dhe (ii) përgjatë këtij vlerësimi, ndër tjerash, ka shtjelluar dhe aplikuar parimet e përgjithshme të vendosura nga Gjykata, me theks në Aktgjykimin në rastin KO203/19, përkitazi me vlerësimin e Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë, praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Opinionet dhe Raportet relevante të Komisionit të Venecias, përfshirë edhe kontributin e gjykatave kushtetuese dhe/ose ekuivalentëve përkatës anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, si dhe parimet themelore të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD/SIGMA) për administratën publike. Në Aktgjykimin e Gjykatës, parimet e lartcekura, janë aplikuar në shqyrtimin e secilit nen të vlerësuar të Ligjit të kontestuar. Gjykata shqyrtoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës lidhur me dispozitat e kontestuara dhe atyre që ndërlidhen me këto të fundit, si dhe vendosi të konstatojë, që: (i) paragrafët 2 dhe 5 të nenit 9 (Kriteret e Përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtares/it publik) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (ii) formulimi “si dhe mbikëqyrë implementimin e tyre” i pikës 1.1 të paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i nenit 12 (Qeveria e Republikës së Kosovës) dhe nën-paragrafët 1.1, 1.2, 1.5, 1.9 të paragrafit 1 dhe paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 13 (Ministria përgjegjëse për administratë publike) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] dhe paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; (iii) formulimi “në rastet e parapara sipas këtij ligji” i paragrafit 3 të nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës); (iv) paragrafi 6 i nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) dhe paragrafët 3 dhe 4 të nenit 88 (E drejta për ankesë e nëpunëses/it të shërbimit publik) Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (v) paragrafi 6 i nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) dhe paragrafët 3 dhe 4 të nenit 88 (E drejta për ankesë e nëpunëses/it të shërbimit publik) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (vi) paragrafi 6 i nenit 67 (Lista e pritjes) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (vii) paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7 të nenit 99 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (vii) paragrafi 2 i nenit 104 (Shfuqizimi) i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit], paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin e publikuar. Në anën tjetër, Gjykata konstatoi se: (i) procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë nuk është në kundërshtim me nenet 77 [Komisionet] dhe 78 [Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve] të Kushtetutës; si dhe që (ii) neni 46 (Emërimi dhe mandati në pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues) i Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë nuk është në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 19 [Zbatimi i së Drejtës Ndërkombëtare] dhe nenin 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund të lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, në gjuhën angleze si dhe në gjuhën frenge, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KI64/23

Parashtrues: Mejrem Qehaja Rexha

Publikuar më: 28 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tejzgjatjes së procedurës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Gjakovë, përkitazi me lëndën [C.nr.546/18]

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e tejzgjatjes së procedurës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Gjakovë, përkitazi me lëndën [C.nr.546/18]. Thelbi i kërkesës ka të bëjë me një kontest pronësor, me ç’rast parashtruesja e kërkesës që nga viti 2008 kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për vërtetimin e të drejtës pronësore. Që nga viti 2008, Gjykata Komunale, përkatësisht Gjykata Themelore, nuk ka vendosur lidhur me kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës. Përgjatë katërmbëdhjetë (14) viteve, gjykata e lartcekur ka mbajtur gjithsejtë shtatëmbëdhjetë (17) seanca gjyqësore, kryesisht të karakterit përgatitor, ndërsa procesi gjyqësorë në vazhdimësi është shtyrë, kryesisht si rezultat i mospjesëmarrjes së të paditurve në seancat përkatëse. Gjykata, vlerësoi pretendimet e parashtrueses lidhur me  shkeljen e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në kontekst të pretendimin se çështja saj nuk është gjykuar brenda një afati të arsyeshëm kohor. Lidhur me këtë, Gjykata pasi shtjelloi parimet e përgjithshme në lidhje me parimin tejzgjatjen e procedurës, sqaroi që arsyeshmëria e kohëzgjatjes së procedurës duhet të vlerësohet në dritën e rrethanave të rastit, bazuar në: (i) ndërlikueshmërinë e rastit; (ii) sjelljen e palëve në procedurë; (iii) sjelljen e gjykatës kompetente ose autoriteteve të tjera publike; si dhe (iv) rëndësinë e asaj çfarë rrezikon parashtruesi i kërkesës në kontestin përkatës. Përgjatë aplikimit të parimeve të shtjelluara më lart , Gjykata vlerësoi se (i) i njëjti nuk reflekton të jetë rast i kompleksitetit të lartë; (ii) parashtruesja e kërkesës u tregua aktive gjatë gjithë procedurës gjyqësore; dhe (iii) Gjykata Themelore përkundër faktit që kishte mbajtur shtatëmbëdhjetë (17) seanca përgatitore, nuk kishte arritur të vendoste mbi meritat e padisë së parashtrueses së kërkesës. Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi se kohëzgjatja e procedurave për rreth katërmbëshjetë (14) vite lidhur me padinë e parashtrueses së kërkesës dhe përgjatë të cilave nuk është marrë asnjë vendim, përbën shkelje të së drejtës për një vendim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm nw kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ato të përcaktuara përmes Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund të lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KI21/23

Parashtrues: Kelkos Energy” sh.p.k.

Publikuar më: 29 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [ARJ. UZVP. nr. 119/22], të 16 dhjetorit 2022

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [ARJ. UZVP. nr. 119/22] të Gjykatës Supreme, të 16 dhjetorit 2022. Thelbi i kërkesës ka të bëjë me shtyerjen e ekzekutimit të vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për dhënien e lejeve ujore, të cilat i mundësuan parashtruesit prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, përkatësisht procedurat që ndërlidhen me vendosjen e masës së sigurisë/masës së përkohshme deri në vendosjen meritore të rastit, i cili proces i është nënshtruar vendosjes dhe rivendosjes në gjykatat e rregullta, duke përfshirë nga dy herë në Gjykatë Themelore, atë të Apelit dhe Supreme. Më 10 nëntor 2021, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, e cila ishte  regjistruar me numër KI202/21, duke kontestuar vendimin e parë të Gjykatës Supreme me pretendimin se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr.1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mes tjerash, si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor.  Gjykata Kushtetuese përmes Aktgjykimit KI 202/21, me parashtrues Kelkos Energy” sh.p.k. vendosi që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në kundërshtim me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në esencë, si rezultat i shkeljes së të drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor. Pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, Gjykata Supreme, duke vepruar në rishqyrtim nxori një vendim të ri, përmes të cilit përsëriti të gjeturat e vendimit të saj paraprak. Të njëjtin vendim të Gjykatës Supreme parashtruesi i kërkesës sërish e kontestoi para Gjykatës Kushtetuese, ndër tjerash, si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe interpretimit të gabuar të ligjit, si dhe pretendimin për shkeljen e të drejtës në pronë. Gjykata pasi shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut  përkitazi me arsyetimin e vendimeve gjyqësore dhe interpretimin e gabuar dhe arbitrar të ligjit, aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret dhe konstatoi që Gjykata Supreme përtej përshkrimit të dispozitave ligjore, as në vendimin e saj të ri nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm përkitazi me kriteret që duhet të plotësohen për të vendosur për pezullimin e vendimeve, përkatësisht vendosjen e masave të sigurisë/të përkohshme. Për më tepër, dhe përkundër faktit që mungesa e trajtimit të dispozitave të aplikueshme të Ligjit për Konfliktet Administrative ishte ngritur në mënyrë të vazhdueshme nëpër instanca gjyqësore, Gjykata Supreme thjeshtë kishte miratuar qëndrimin e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, duke mos shqyrtuar argumentet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, përfshirë ato që ndërlidhen me legjitimitetin aktiv të palëve përkatëse për të iniciuar konflikt administrativ sipas dispozitave të ligjit të aplikueshëm. Për pasojë, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe interpretimit dhe zbatimit arbitrar të ligjit, duke e kthyer rastin për rishqyrtim në Gjykatën Supreme.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund të lexoni duke klikuar këtu 

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Aktvendimet për papranueshmëri 

_________________________________________

Në një (1) Aktvendim për papranueshmëri të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se kërkesa e parashtruesit është e papranueshme bazuar në paragrafin 8 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 51 (Saktësimi i kërkesës), 52 (Procedura para Gjykatës) dhe 53 (Vendimi) të Ligjit,  pikën (b) të paragrafit (1) të rregullt 48 (Vendimet e Gjykates) dhe 75 (Kërkesa në pajtim me paragrafin 8 te nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 51, 52 dhe 53 të Ligjit) të Rregullores së punës

  1. KO147/22

Parashtrues: Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës

Publikuar më: 27 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 177, pika 1.6, të Statutit të Universitetit të Prishtinës

Në Aktvendimin për papranueshmëri në rastin KO147/22 të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit vlerësoi kushtetutshmërinë e nenit 177 pika 1.6 te Statutit të Universitetit të Prishtinës, i cili parasheh se kandidati që zgjedhet për herë të parë në pozitën profesor asistent nuk duhet të jetë më i moshuar se 50 vjet. Për sa i përket kritereve të pranueshmërisë të përcaktuar me paragrafin 8 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi që Gjykata Supreme është palë e autorizuar për të parashtruar një kërkesë të tillë. Në anën tjetër Gjykata analizoi pretendimin e Gjykatës Supreme e cila kishte ngritur dyshime për sa i përket kushtetutshmërisë së pikës 1.6 të nenit 177, të Statutit të Universitetit të Prishtinës, si dispozitë të cilën e konsideron se mund të ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Në vlerësimin e saj, Gjykata fillimisht qartësoi se për sa i përket përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë së kërkesës në kuadër të procedurës kushtetuese të përcaktuar me paragrafin 8 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, objekt vlerësimi kushtetues mund të jetë vetëm ligji si akt juridik i miratuar nga Kuvendi, e jo dhe aktet tjera.Gjykata konstaton se kriteri i pranueshmërisë sipas së cilit gjykatat e rregullta mund të referojnë në Gjykatën Kushtetuese çështje përkitazi me përputhshmërinë kushtetuese të një ligji, nuk plotësohet në rrethanat e rastit konkret meqë Statuti i UP-së, nuk është “ligj”. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit është e papranueshme bazuar në paragrafin 8 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 51 (Saktësimi i kërkesës), 52 (Procedura para Gjykatës) dhe 53 (Vendimi) të Ligjit,  pikën (b) të paragrafit (1) të rregullt 48 (Vendimet e Gjykates) dhe 75 (Kërkesa në pajtim me paragrafin 8 te nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 51, 52 dhe 53 të Ligjit) të Rregullores së punës  sepse bazuar në dispozitat e lartcekura objekt vlerësimi kushtetues mund të jetë vetëm ligji si akt juridik i miratuar nga Kuvendi, e jo dhe aktet tjera.

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

II.

Në një (1) Aktvendim për papranueshmëri të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se bazuar paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit, pikën (b) të paragrafit (1) dhe paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, kërkesa është e papranueshme,  sepse pretendimet e parashtruesit të kërkesës (i) reflektojnë pretendime me “mungesë të dukshme të shkeljes ”; (ii) janë “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe (iii) për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike.

  1. KI207/21

Parashtrues: Bajram Koliç

Publikuar më: 11 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 231/2021], të 9 qershorit 2021

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

III.

Në njëmbëdhjetë  (11) Aktvendime për papranueshmëri të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se, kërkesat e parashtruesve janë të papranueshme bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit,  paragrafin (2)  të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës sepse (i) pretendimet e parashtruesve të kërkesave përkatëse hyjnë në kategorinë e shkallës së katërt; (ii) reflektojnë pretendime me “mungesë të dukshme të shkeljes”, dhe/ose (iii) të njëjtat janë “të pambështetura apo të paarsyetuara”.

  1. KI213/22

Parashtrues: Hadi Bakija

Publikuar më: 19 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev.nr.38/22], të 25 korrikut 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KI57/23

Parashtrues: Ismet Ferati

Publikuar më: 19 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës [Ac.nr.9423/21], të 6 dhjetorit 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KI110/22

Parashtrues: Rrahman Ademi

Publikuar më: 19 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës [AC. nr. 5049/20], të 20 prillit 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KI14/23

Parashtrues: Skender Kolgeci

Publikuar më: 19 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [ARJ.nr.68/2022], të 28 shtatorit 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KI172/22

Parashtrues: Florije Budakova

Publikuar më: 20 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [ARJ-UZVP.nr.43/2022], të 15 qershorit 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KI148/22

Parashtrues: Musli Gashi

Publikuar më: 20 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [A.A.nr.6/2022], të 30 majit 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KI175/22

Parashtrues: Edison Muhaxheri

Publikuar më: 26 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. 576/2021], të 12 shtatorit 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KI103/22

Parashtrues: Halit Berisha dhe Sahit Berisha

Publikuar më: 26 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev.nr. 244/2021], të 20 prillit 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KI123/23

Parashtrues: Mehdi Arifaj

Publikuar më: 27 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë

Kosovare të Privatizimit [AC-I-22-0678-A0001], të 9 marsit 2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KI20/23

Parashtrues: N.T.P “Duglas”

Publikuar më: 27 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev.E.nr.7/2022], të 10 gushtit 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

IV.

Në një (1) Aktvendim për papranueshmëri të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se konstatoi se kërkesa e parashtruesit është e papranueshme bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit, pikën (d) të paragrafit 1 dhe pikën (b)  dhe (d) të paragrafit (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës ndër tjerash, sepse pretendimet e parashtruesit (i) janë të ratione materiae me Kushtetute; dhe (ii) sepse janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”.

  1. KI34/23

Parashtrues: Veton Syla

Publikuar më: 20 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës [PN.nr.745/2022], të 26 tetorit 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

V.

Në një (1) Aktvendim për papranueshmëri të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se kërkesa e parashtruesit është e papranueshme bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 49 (Afatet) të Ligjit, pikën (c) paragrafin (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, sepse e njëjta është parashtruar jashtë afatit katër (4) mujor

  1. KI171/22

Parashtrues: Maliq Biringjiku

Publikuar më: 26 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Pml.nr.64/2021], të 12 marsit 2021

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

VI.

Në një (1) Aktvendim për papranueshmëri të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se kërkesa e parashtruesit është e papranueshme bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit, pikën (b) paragrafin (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, sepse parashtruesi i kërkesës nuk i ka shterruar mjetet juridike.

  1. KI127/22

Parashtrues: N.T.SH. “M Com”

Publikuar më: 26 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [ARJ. UZVP. nr. 49/2022], të 15 qershorit 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Vendimet

_________________________________________

I.

  1. KO177/23

Parashtrues: Komuna e Prizrenit

Publikuar më: 15 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit Nr. 08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme

Gjykata, ka vendosur për vendosjen e masës së përkohshme, duke pezulluar zbatimin e nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023. Vendosja e masës së përkohëshme është bërë pas kërkesës së Komunës së Prizrenit para Gjykatës, bazuar në paragrafin 4 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, duke pretenduar se dispozita e lartcekur cenon përgjegjësitë komunale dhe zvogëlon të hyrat e komunës në kundërshtim me (i) garancitë kushtetuese të përcaktuara në paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2, 3 dhe 5 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (ii) Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale; dhe (iii) Ligjin Nr. 03/L-40për Vetëqeverisë Lokale, Ligjin Nr. 03/L-49 për Financat e Pushtetit Lokal; dhe Ligjin 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, në esencë dhe ndër tjerash sepse, ndërhynë në ushtrimin e kompetencave vetanake të komunës përkitazi me të hyrat nga tatimi në pronën e paluajtshme dhe afekton buxhetin komunal deri në vlerën prej 3 milion euro. Vendimi i Gjykatës sqaron që në rrethanat e rastit konkret, pezullimi i efekteve të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, mund të (i) “eviton rreziqe apo dëme të pariparueshme” që ndërlidhen me marrjen e veprimeve nga pushteti lokal sipas përcaktimeve dhe afateve të saktësuara në Ligjin e kontestuar;  dhe se (ii) vlerësimi i kushtetutshmërisë së tij, përkatësisht nenit 5 të Ligjit të kontestuar, para zbatimit të tij, është në “interesin publik”, pasi i shërben sigurisë juridike në ndërlidhje me pasojat juridike të Ligjit të kontestuar lidhur me ushtrimin e përgjegjësive komunale dhe menaxhimin e të hyrave të komunës nga tatimit në pronë të paluajtshme në njërën anë dhe faljen e tatimit në pronë të paluajtshme për tatimpaguesit në anën tjetër. Gjykata theksoi që një konstatim i tillë, nuk paragjykon në asnjë mënyrë pranueshmërinë dhe/ose meritat e kërkesës në rastin KO177/23.

Njoftimin përkitazi me Vendimin mund ta lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Vendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

II.

Në një  (1) Vendim për Hedhje Poshtë të Kërkesës të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se, kërkesa e parashtrueses hedhet poshtë bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, paragrafin 1 të nenit 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit,  pikën (b) paragrafin (1)  të rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës, sepse e njëjta nuk përfaqëson një kontest.

  1. KI97/23

Parashtrues: Gjevrije Zeqiri

Publikuar më: 19 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar

Tekstin e plotë të Vendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

III.

Në tre  (3) Vendim për Refuzim të Kërkesës të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se, kërkesa refuzohet bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit,  pikën (b) paragrafin (2)  të rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës, sepse e njëjta (i) është përsëritje e një kërkese të mëhershme; ose (ii) nuk është e plotë.

  1. KI96/23

Parashtrues: Muhamet Miftari

Publikuar më: 19 shtator 2023

Kërkesë për rishqyrtimin e Aktvendimit për papranueshmëri nr. KI80/22 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të 11 janarit 2023

Tekstin e plotë të Vendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KI13/23

Parashtrues: Marigona Djordjevic-Jakaj

Publikuar më: 20 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik

Tekstin e plotë të Vendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

  1. KI56/23 

Parashtrues: Lendita Zherka

Publikuar më: 27 shtator 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik

Tekstin e plotë të Vendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Vërejtje: 

Ky njoftim është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Tekstet e plota të vendimeve u janë dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në raste dhe do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.