Vendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik

Nr. të lëndës KI56/23

Parashtruesit: Lendita Zherka

Shkarko:

KI56/23, Parashtrues: Lendita Zherka, Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik

KI56/23, Vendim për refuzim i 31 gushtit 2023 , publikuar më 27 shtator 2023

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, akt i paspecifikuar, kërkesë e paplotë

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kredi të iniciuar fillimisht nga R.Zh., si përfaqësues i “Reshati Impex” në cilësinë e kredimarrësit dhe nga parashtruesja e kërkesës në cilësinë e bashkëshortes së kredimarrësit bashkë me Xh.Zh., dhe B.Zh në cilësinë e garantuesve, te cilët nënshkruan Marrëveshjen për Kredinë [nr.200627713] me Raiffiesen Bank, si dhe një sere marrëveshjes tjera. Më 20 korrik 2010, Kreditori, me arsyetimin se kredimarrësi nuk i është përmbajtur marrëveshjeve të sipërcituara, paraqiti propozimin për përmbarim në Gjykatën Komunale në Gjakovë duke kërkuar që të caktohet përmbarimi për shitjen, zbrazjen dhe dorëzimin e paluajtshmërive [nr. 2078/1]; [nr. 136/3]; [nr. 2078/3] me pronar Xh.Zh., R.Zh., R.Zh, si dhe banesën me pronar B.Zh., me qëllim të realizimit të kërkesës së tij ndaj kredimarrësit. Më 20 korrik 2010, Gjykata Komunale në Gjakovë nxori Aktvendimin [E.nr.1029/2010] përmes të cilit lejoi përmbarimin sipas propozimit të kreditorit bazuar në dokumentin përmbarimor dhe marrëveshjet e lidhura mes kreditorit dhe kredimarrësit,  për kthimin e borxhit-kredisë në shumën prej 633, 738, 54 euro, me kamatë ligjore dhe shpenzime të përmbarimit.

Gjykata kërkesën e parashtrueses  së kërkesës e kishte pranuar më 3 mars 2023. Duke marrë parasysh që kërkesa nuk ishte e kompletuar, më 21 qershor 2023, në pajtim me paragrafin 4, të nenit 22 të Ligjit, Gjykata i kërkoi parashtrueses së kërkesës që të plotësojë kërkesën e saj duke dorëzuar vendimin që e konteston para Gjykatës, respektivisht Aktvendimin [E.nr.1029/2010] të 20 korrikut 2010 të Gjykatës Komunale në Gjakovë, në mbështetje të kërkesës/pretendimeve të saj. Parashtruesja e kërkesës përmes një shkresë informoi Gjykatën se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën e Apelit për të marr vendimin e kontestuar si dhe kërkoi shtyrje të afatit deri më 5 korrik 2023. Megjithatë, edhe pas kësaj date, parashtruesja e kërkesës nuk kishte dorëzuar vendimin të cilin pretendon që e konteston para Gjykatës.

Gjykata vëren se në kërkesën e dorëzuar, parashtruesja e kërkesës në mënyrë shprehimore pretendon që e konteston Aktvendimin [E.nr.1029/2010] e 20 korrikut 2010 të Gjykatës Komunale në Gjakovë. Megjithatë, Gjykata thekson se nuk disponon aktvendimin e sipërcituar të cilin parashtruesja pretendon që e konteston, dhe rrjedhimisht Gjykata nuk mund te lëshohet në vlerësimin e kushtetutshmërisë se tij në mungesë të informatave mbi përmbajtën e saktë të tij.  Në këtë aspekt, dhe duke marrë parasysh atë që u cek më lartë, Gjykata në bazë të Rregullores së saj të punës, mund të refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër, meqë parashtruesja e kërkesës nuk ka dorëzuar vendimin që e konteston edhe pas kërkesës specifike të Gjykatës.

Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se kërkesa e parashtrueses së kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të moskompletimit të saj me dokumentacion mbështetës, ashtu siç kërkohet me nenet 22.4 dhe 48 të Ligjit dhe me rregullin 26 (3) dhe 54 (2) të Rregullores së punës. Prandaj, Gjykata përfundon se kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.

Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës, gjithashtu kërkon nga Gjykata që të nxjerrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme ndaj aktit të paspecifikuar të autoriteti publik. Megjithatë, ashtu siç është specifikuar si më lart, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtrueses të kërkesës refuzohet me procedurë të shkurtër, si jo e plotë. Prandaj, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (2) të rregullit 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtrueses të kërkesës për masë të përkohshme duhet të refuzohet, sepse e njëjta nuk mund të jetë objekt shqyrtimi, pasi kërkesa të refuzohet me procedurë të shkurtër, si jo e plotë.

Parashtruesit:

Lendita Zherka

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Vendim për refuzim të kërkesës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile