Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ.nr.68/2022] të 28 shtatorit 2022 të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI14/23

Parashtruesit: Skender Kolgeci

Shkarko:

KI14/23, Parashtrues: Skender Kolgeci, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ.nr.68/2022] të 28 shtatorit 2022 të Gjykatës Supreme

KI14/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 31 gushtit 2023, publikuar më 19 shtator 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia para ligjit, e drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit, konflikt administrativë

Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga kërkesa e parashtruesit të kërkesës për rikthim në vendin e tij të punës në Komunën e Prishtinës. Parashtruesi i kërkesës ishte punëtor i Komunës së Prishtinës përkatësisht kishte punuar në Drejtorinë për Urbanizëm ,Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit. Më 23 shtator 2011 parashtruesi i kërkesës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ishte emëruar kryesues në BPR me mandat 2 vjeçar, ku në vitin 2013 i ishte vazhduar mandati deri më 31 dhjetor 2014. Më 30 janar 2015, pasi që kishte dorëzuar mandatin e kryesuesit të BPR-së, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar me një shkresë Drejtorit të DUNMM në Komunën e Prishtinës, të cilin e kishte njoftuar për përfundimin e mandatit të kryesuesit të Bordit, dhe kthimin e tij në vendin e punës në Komunën e Prishtinës. Drejtori i DUNMM në Komunën e Prishtinës kishte përgatitur një raport për shkelje disiplinore, përmes të cilit ishte kërkuar që ndaj parashtruesit të kërkesës të merren masa disiplinore. Komisioni disiplinor i Komunës së Prishtinës kishte gjete përgjegjës parashtruesin e kërkesës. Më tej parashtruesi i kërkesës ishte ankuar në Komisionin për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave të Komunës së Prishtinës, ku ky i fundit e kishte refuzuar ankesën e tij. Parashtruesi i ankesës kishte paraqitur ankesë në KPMSHCK, ku ishte refuzuar ankesa e tij dhe vendimi i komisionit të ankesave kishte mbetur në fuqi. Parashtruesi i kërkesës kishte filluar një procedurë gjyqësore, ku kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore ku kishte kërkuar anulimin e vendimit të KPMSHCK-së, dhe kthimin e tij në vendin e punës. Gjykata Themelore kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës dhe kishte anuluar vendimin e KPMSHCK-së. KPMSHCK kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore, të cilën ankesë Gjykata e Apelit e kishte aprovuar, ku kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje. Gjykata Themelore në rivendosje prapë kishte vendosur në favor të parashtruesit të kërkesës duke e aprovuar kërkesëpadinë e tij dhe duke anuluar vendimin e KPMSHCK-së. Kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore kishte parashtruar ankesë Komuna e Prishtinës në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e kishte aprovuar ankesën e saj dhe kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore duke e refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pa bazuar. Kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit e kishte refuzuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Esenca e pretendimeve për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, ndërlidhet me mos arsyetimin e vendimit gjyqësor nga ana e Gjykatës Supreme.

Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pranë Gjykatës, në esencë, theksoi se pavarësisht se me ligj është e lejuar ngrirja e pozitës, në rast të zgjedhjes në ndonjë bord të caktuar, ndaj tij janë marrë masa disiplinore për shkak të mos paraqitjes në punë në Komunën e Prishtinës. Pra parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme nuk ka arsyetuar se cilat kanë qenë faktet dhe provat të cilat kanë ndikuar në marrjen e vendimit, pasi që “ …është shkelur neni 89 i Ligjit për Shërbyesit Civil, i cili garanton kthimin në vendin e punës personit i cili është transferuar përkohësisht, duke pasur parasysh se një e drejtë e tillë është e garantuar me ligj. Kësisoj Gjykata Supreme ka bërë shkelje të Kushtetutës përkatësisht të nenit 31, duke mos arsyetuar se cilat kanë qenë shkaqet të cilat kanë dërguar deri në marrjen e aktgjykimit të kontestuar. Parashtruesi i kërkesës, konsideron se bazuar në parimet e administrimit të duhur të drejtësisë, vendimet e gjykatave duhet të tregojnë në mënyrë adekuate arsyet mbi të cilat ato bazohen në momentin e nxjerrjes së një aktgjykimi, e që aktgjykimi i kontestuar Gjykata Supreme, nuk e ka marrë fare mundin që të arsyetojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës”.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vërejti se fillimisht Gjykata e Apelit e më pas edhe Gjykata Supreme, duke u mbështetur në nenin  89 paragrafi 1 nen paragrafi 1.3 dhe paragrafi 2 të Ligjit nr.03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, si dhe në pajtim me dispozitat e nenit 15, 16 të Rregullores nr.06/2011 për Pushimet e Nëpunësve Civilë, në esencë theksuan se parashtruesi i kërkesës nuk ka vepruar ashtu siç parashihet në dispozitat e lartcekura. Në këtë aspekt, Gjykata Supreme , konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka bërë kërkesë për pushim pa pagesë, ashtu siç kërkohet me Rregulloren nr.06/2011 për Pushimet e Nëpunësve Civil, ku specifikohen rastet kur mund të autorizohet pushim pa pagesë për raste të veçanta nga udhëheqësi më i lartë administrativ i institucionit punëdhënës, edhe për rastet si në rastin konkret, me marrjen e detyrës së funksionarit publik.

Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të formës së prerë drejtuar Gjykatës Supreme, kishte theksuar se gjykata e shkallës së parë ka theksuar se me vendosjen e paditësit në listën e pagave me zero nënkuptohet se ai nuk është larguar nga puna, por se ai nuk ka marrë pagë nga Komuna e Prishtinës për shkak se në bazë të vendimit të Kuvendit të Kosovës ishte emëruar kryesues në BPR-së, dhe nga ky institucion ka marrë pagë të plotë, dhe se Gjykata e Apelit nuk e kishte marrë për bazë këtë fakt dhe se Komuna e Prishtinës nuk e ka zhvilluar në mënyrë të rregullt procedurën disiplinore ndaj tij. Të njëjtit pretendim të parashtruesit, Gjykata Supreme i ishte përgjigjur në aktgjykimin e saj, ku kishte theksuar se parashtruesi i kërkesës thekson se në listën e pagave ka figuruar me pagë zero, mirëpo nuk ka vepruar sipas dispozitave ligjore, ashtu që pas zgjedhjes së tij kryesues i BPR-së, të parashtrojë kërkesë për pushim pa pagesë dhe vetëm pas miratimit të pushimit të tillë nga organi punëdhënës do konsiderohej pezullim i dakorduar i marrëdhënies së punës.

Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet e bëra në aktvendim, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara në aktvendim, konsideroi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Për pasojë, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, shkel të drejtat e tij të garantuara me nenin 24 dhe 49 të Kushtetutës. Gjykata vërejti se, parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet përkatëse, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.

Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme.

Parashtruesit:

Skender Kolgeci

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative