Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 231/2021 të 9 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI207/21

Parashtruesit: Bajram Koliç

Shkarko:

KI207/21, Parashtrues: Bajram Koliç, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 231/2021 të 9 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI207/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 korrikut 2023, publikuar më                       11 shtator 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, procedurë kontestimore 

Gjykata sjellë në vëmendje se çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhej me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me zbatimin e gabuar të ligjit nga ana e Gjykatës Supreme. Pra, parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar padi kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme për shkak të shqiptimit të masës disiplinore degradim në detyrë nga grada major në gradën kapiten dhe masës plotësuese transfer administrativ, me ç’rast kërkonte që të anulohet vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të detyrohej e paditura që t’ia kthej gradën major dhe ta përcaktojë në detyrat e vendit të punës Zëvendësdrejtor Regjional për hetime në Policinë e Regjionit të Pejës. Gjykata Themelore aprovoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si dhe anuloi vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe detyroi të paditurën që parashtruesit t’ia kthej gradën major dhe ta përcaktojë në detyrat e punës Zëvendësdrejtor Regjional për hetime në Policinë e Regjionit të Pejës. Kundër vendimit të Gjykatës Themelore, Ministria e Punëve të Brendshme paraqiti ankesë, e cila ankesë pjesërisht u refuzua sa i përket pikës II dhe III, pika IV pjesa e dispozitivit kthimi i gradës major, dhe pika V pjesa e dispozitivit sa i përket detyrimit të të paditurit që paditësit t’ia kompensojë ndryshimin e pagave të papaguara për periudhën kontestuese prej 8 gushtit 2012 gjerë më 30 qershor 2016, trustin për sigurim pensional, tatimin dhe kamatën, dhe pjesërisht u aprovua ankesa lidhur me në pikën IV të dispozitivit, pjesa e kërkesëpadisë që ka të bëjë vetëm me kthimin në punë si Zëvendësdrejtor Regjional për hetime në Policinë e Regjionit të Pejës, dhe pika V e dispozitivit të Aktgjykimit në pjesën që ka të bëjë me shpenzimet e procedurës dhe lënda për këtë pjesë iu kthye gjykatës së shkallës së parë në rivendosje. Ministria e Punëve të Brendshme paraqiti revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, ku Gjykata Supreme e aprovoi si të bazuar revizionin dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit ashtu që refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj ia ka shkelur të drejtat e garantuara me nenet 5, 24, 30, 31, 33 të Kushtetutës dhe nenin 6 dhe 7 të KEDNJ-së, të cilat pretendime Gjykata i analizoi në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.

Në këtë kuptim, Gjykata ritheksoi se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës bazohet në pretendimin e tij lidhur me caktimin e masës disiplinore të uljes së gradës nga grada major në gradën kapiten dhe masën e transferit administrativ, ku siç thekson parashtruesi i kërkesës, janë zbatuar gabimisht dispozitat e nenit 18 dhe nenit 45, paragrafi 1 pika 1.2 dhe paragrafi 2 pika 2.1 të Udhëzimit Administrativ nr. 06/2012, sepse sipas tij, “ky udhëzim administrativ ka hyrë në fuqi më 21 tetor 2012, ndërsa masa e pretenduar disiplinore për të cilën akuzohem është kryer në një periudhë më të gjatë, përfundimisht deri më 1 qershor 2012 kur ky udhëzim ende nuk ishte nxjerrë”.

Lidhur me këtë pretendim, Gjykata vërejti se është e qartë se në vendosjen e rastit të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme vetëm kishte konstatuar se organet administrative në këtë rast, Drejtori i Policisë së Kosovës dhe Ministri i Punëve të Brendshme, kishin vendosur drejtë duke u referuar në gjetjet dhe rekomandimet e IPK-së.

Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendoi se janë shkelur dispozitat e Ligjit për Konflikt Administrativ, përkatësisht Ligji nr. 03/L-202, i cili nuk e lejon revizionin si mjet juridik kundër vendimeve gjyqësore të formës së prerë, sepse asnjë dispozitë e këtij ligji nuk e parasheh të drejtën e revizionit.

Lidhur me këtë, Gjykata bazuar në procedurën e ndjekur para gjykatave të rregullta vëren se në rastin e parashtruesit të kërkesës procedura që nga inicimi i saj është zhvilluar në kuadër të procedurës kontestimore dhe jo në kuadër të procedurës administrative. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës kishte dijeni për natyrën e procedurës pranë gjykatave të rregullta dhe ky fakt asnjëherë nuk është kundërshtuar nga i njëjti, deri në momentin e pranimit të Aktgjykimit të kontestuar [Rev. nr. 231/2021] të 9 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme, me të cilin u ndryshuan, në pjesë të caktuara të dispozitivit, aktgjykimet e gjykatave të instancës më të ulët.

Për më tepër, Gjykata rikujtoi se përcaktimi i natyrës së procedurës, gjegjësisht i natyrës së kontestit ngre çështje të kompetencës materiale (lëndore), e cila ekskluzivisht është domen i gjykatave të rregullta dhe jo i Gjykatës Kushtetuese. Andaj, çështja nëse në rastin konkret do të duhej zgjidhur kontesti nga marrëdhënia e punës sipas procedurës përkatëse civile apo administrative është çështje e zbatimit të ligjit nga gjykatat e  rregullta.

Gjykata konstatoi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me shkeljen e nenit 32 të Kushtetutës, kualifikohet në grupin e dytë (ii) të pretendimeve me një “mungesë të dukshme dhe evidente të shkeljes”.

Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendoi shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, pasi që pretendonte se në rastin e tij ka pasur diskriminim pasi që Ministria e Punëve të Brendshme, në rastin e tij ka parashtruar revizion ndërsa në disa raste tjera jo.

Në këtë këndvështrim, Gjykata konsideroi se është e drejtë e palës kundërshtare se a e ushtron mjetin juridik në dispozicion, në këtë rast revizionin apo jo. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se këtu nuk bëhet fjalë për shkelje të barazisë para ligjit, apo për trajtim të pabarabartë, siç pretendon parashtruesi i kërkesës. Për më tepër, asnjë nga bazat e kërkuara sipas Kushtetutës, kur këto interpretohen në dritën e KEDNJ-së, nuk e mbështesin pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave themelore, sepse, ai në asnjë mënyrë nuk dëshmon dhe argumenton se është trajtuar në mënyrë të pabarabartë dhe diskriminuese nga ana e Gjykatës Supreme. Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara.

Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendoi se në rastin e tij është shkelur parimi i barazisë para ligjit i garantuar me nenin 24 të Kushtetutës, duke e ndërlidhur atë me nenin 5, pasi që nuk i janë dorëzuar vendimet gjyqësore në gjuhën e tij amtare.

Lidhur me këtë, Gjykata nga shkresat e lëndës vërejti se parashtruesi i kërkesës që në fillim të procedurës komunikimin me organet administrative e kishte bërë në dy gjuhët zyrtare, shqip dhe serbisht. Gjithashtu vërehet se në procedurën gjyqësore, nga precizimi i padisë e tutje ishte i përfaqësuar nga avokati Mustafë Kastrati, i cili, ndër të tjera, i kishte dorëzuar Gjykatës Themelore padinë në gjuhën shqipe, dhe i cili e kishte përfaqësuar parashtruesin e kërkesës deri në përfundimin e procedurës gjyqësore pranë gjykatave të rregullta. Nga procesverbalet e 13 prillit 2016, 13 qershorit 2016, 24 tetorit 2016, 3 nëntorit 2016 dhe 20 dhjetorit 2016 të Gjykatës Themelore, përgjigja në ankesë drejtuar Gjykatës së Apelit dhe përgjigja në revizion, të cilat ndodhen në dosjen e lëndës, Gjykata po ashtu vëren se parashtruesi i kërkesës ishte prezent në gjykim së bashku me avokatin e tij Mustafë Kastrati, dhe se gjatë gjithë procedurës gjyqësore nuk kishte ngritur asnjëherë çështjen e gjuhës dhe as mosdorëzimin e vendimeve në gjuhën e tij.

Lidhur me këtë pretendim, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka dhënë mundësinë Gjykatës Supreme të adresojnë këtë pretendim dhe të korrigjojnë shkeljen e pretenduar, lidhur me mosdorëzimin e vendimeve në gjuhën e tij amtare, dhe se ky pretendim u shpall i papranueshëm në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 47.2 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (b) të Rregullores së punës.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi gjithashtu shkelje të së drejtës së garantuar me nenet 30 dhe 33 të Kushtetutës, Gjykata rikujtoi se parashtruesi i kërkesës në rastin konkret ankohet lidhur me procedurën disiplinore të ndërmarrë ndaj tij, përkatësisht lidhur me degradimin e tij, dhe se këtu kemi të bëjmë me procedurë kontestimore dhe jo me procedurë penale. Lidhur me këtë, Gjykata konstaton se neni 30 dhe 33 i Kushtetutës nuk janë të zbatueshëm në rastin e parashtruesit të kërkesës, dhe se Gjykata nuk do të merret me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të këtyre neneve.

Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj u shpall e papranueshme, në pajtueshmëri me rregullin 34 (1) (b) dhe 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Bajram Koliç

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative