Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 244/2021, të 20 prillit 2022

Nr. të lëndës KI103/22

Parashtruesit: Halit Berisha dhe Sahit Berisha

Shkarko:

KI103/22, Parashtrues: Halit Berisha dhe Sahit Berisha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 244/2021, të 20 prillit 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest i pronës

Gjykata sjell në vëmendje se çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtruesve të kërkesës lidhur me zbatimin e gabuar të së drejtës materiale nga ana e gjykatave të rregullta, nën pretendimin se babai i tyre ishte pronar i një toke e cila ishte blerë përmes kontratës së shitblerjes në vitin 1965, e cila pronë sipas tyre në vitin 1976 ishte eksproprijuar për qëllim të ndërtimit të sistemit të Ibër Lepencit. E njëjta kontratë e vitit 1965 nuk ishte regjistruar asnjëherë në regjistrat kadastralë. Parashtruesit përmes padisë kërkonin nga i padituri Ibër Lepenci pagesën e vlerës së kompensimit të pronës në fjalë për të cilën kishin pretendime se ishin pronarë të saj. Gjykata Themelore kishte refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës nën arsyetimin se nuk arritën ta bazonin kërkesën e tyre karshi të paditurës, se të njëjtit kanë qenë pronar të pronës së eksproprijuar në kohën kur ishte bërë eksproprijimi. Ndërsa, prona në fjalë ishte e evidentuar nën pronësinë e palëve tjera. Pra, Gjykata Themelore konstatoi që nga Aktgjykimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë C.nr.1969/07 i datës 17.12.2010, paluajtshmëria e eksproprijuar nuk ka qenë objekt kërkese i parashtruesve të kërkesës as në procedurën gjyqësore për vërtetimin e pronësisë sipas aktgjykimit të lartpërmendur. Pas refuzimit të kërkesëpadisë nga Gjykata Themelore, pasoi edhe refuzimi si e pathemeltë e ankesës së parashtruesit të kërkesës nga ana e Gjykatës së Apelit. Përfundimisht, Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për revizion të parashtruesve të kërkesës.

Parashtruesit e kërkesës, i kontestojnë konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar  shkelje të drejtave të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.

Për sa i përket pretendimit për vendim të paarsyetuar gjyqësor, bazuar në parimet e përgjithshme të GjEDNj-së, Gjykata vlerësoi që gjykatat e rregullta kanë përmbushur detyrimin e tyre kushtetues për të ofruar një arsyetim të mjaftueshëm ligjor përkitazi me kërkesat dhe pretendimet e parashtruesve të kërkesës. Për rrjedhojë, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës ka përfituar nga e drejta për vendim të arsyetuar gjyqësor, në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Gjykata duke i trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje edhe me parimet e të drejtës në pronë, konstatoi se parashtruesi nuk e ka arsyetuar në veçanti shkeljen e së drejtës së pronës dhe nuk i referohen konkretisht ndonjë prej parimeve të përmbajtura në nenin 46 të Kushtetutës, por konsideron se kjo e drejtë i është shkelur si pasojë e zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe në këtë mënyrë nuk kanë vendosur për aprovimin e kërkesëpadisë së tij. Rrjedhimisht, këto pretendime i kualifikoi si pretendime “të shkallës së katërt”; dhe si të tilla janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.

Në vijim, përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, deklarohen si qartazi të pabazuara, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Përfundimisht, kërkesa në tërësi deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Halit Berisha dhe Sahit Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile