Prishtinë më 5 shkurt 2024
Nr. ref.:RK 2323/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI06/23
Parashtrues
Hizri Haxhiu
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr.296/2022] të Gjykatës Supreme të 29 korrikut 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesit e kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Hizri Haxhiu (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës) përfaqësuar nga Jeton Osmani, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Rev.nr.296/2022] të Gjykatës Supreme të 29 korrikut 2022 në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac.nr.2871/2021] të Gjykatës së Apelit të 19 prillit 2022 dhe Aktgjykimin [C.nr.2408/19] të Gjykatës Themelore në Prishtinë të 23 tetorit 2019 (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr.296/2022] të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat themelore të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në nenin 113 (1) dhe (7) [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 7 janar 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 18 janar 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit [GJR. Nr. KI06/23] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 1 shkurt 2023, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës u njoftua për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtit iu kërkua që ta dorëzojë autorizimin shprehimor për përfaqësim të parashtruesit të kërkesës në Gjykatë.
Më 1 shkurt 2023, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Themelore iu kërkua që të dorëzojë fletë-kthesën që tregon datën kur parashtruesi i kërkesës ka pranuar vendimin e kontestuar [Rev.nr.296/2022] të Gjykatës Supreme të 29 korrikut 2022.
Më 9 shkurt 2023, Gjykata Themelore dorëzoi fletë-kthesën që tregon datën kur parashtruesi i kërkesës ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 16 shkurt 2023, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi autorizimin shprehimor për përfaqësim të parashtruesit të kërkesës në Gjykatë.
Më 17 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës e kishe paraqitur padi kundër punëdhënësit të tij KEDS, duke kërkuar që pas daljes në pension e paditura KEDS t’ia njohë pagesën në emër të shpërblimit për pagat jubilare dhe pagat përcjellëse në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës në nivel vendi.
Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.2408/19] të 23 tetorit 2019 e refuzoi të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.2871/2021] të 19 prillit 2022 e refuzoi të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të aprovohet revizioni si i bazuar dhe të anulohen në tërësi vendimet e gjykatave të instancës më të ulët. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkoi që kërkesëpadia e tij të aprovohet në tërësi dhe të detyrohet e paditura KEDS që parashtruesit të kërkesës, pas daljes në pension, t’ia paguaj tri paga jubilare dhe tri paga përcjellëse. Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.296/2022] të 29 korrikut 2022 e hedhi të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme konstatoi se revizioni i parashtruesit të kërkesës bazuar në nenin 211.2 të LPK-së është i palejuar për shkak se vlera e kontestit nuk e arrin shumën prej 3,000 euro.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi [Rev.nr.296/2022] i Gjykatës Supreme i 29 korrikut 2022, që ndërlidhet me padinë për shpërblim jubilar dhe paga përcjellëse i janë shkelur të drejtat themelore të garantuara nenet 3 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon se Gjykata Supreme gabimisht ka konstatuar gabimisht kur ka vlerësuar se revizioni është i palejuar për shkak se vlera e kontestit nuk kalon shumën prej 3,000 euro.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”
Rregullorja e punës
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) Kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtin nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr.2871/2021] të 19 prillit 2022. Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.296/2022] të 29 korrikut 2022 e kishte hedhur poshtë të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, për shkak se vlera e objektit të kontestit nuk mbërrinte shumën prej 3,000 euro siç përcaktohet me nenin 211.2 të LPK-së.
Gjykata rikujton se në rastin e parashtruesit pas pranimit të Aktgjykimit [Ac.nr.2871/2021] të 19 prillit 2022 të Gjykatës së Apelit, asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme i cili ishte hedhur poshtë nga e njëjta për shkak të mos plotësimit të kushtit ligjor nga neni 211.2 i LPK-së (shih rastin e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata rikujton po ashtu se parashtruesi duhet t’i shterojë të gjitha mjetet juridike të cilat pritet të jenë efektive dhe të mjaftueshme. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi nuk mund të zgjasë afatet kohore strikte të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojë mjete juridike që nuk janë të lejuara ose duke u ankuar në institucionet të cilat nuk kanë kompetencë që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës (shih rastet e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 38; KI120/17, parashtrues Hafiz Rizahu, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 31, si dhe rastin e GJEDNJ-së, Fernie kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 14881/04, Vendim i 5 janarit 2006).
Rrjedhimisht, si “vendim i fundit” sipas nenit 49 të Ligjit është Aktgjykimi [Ac.nr.5716/20] i Gjykatës së Apelit, i 19 prillit 2022, me të cilin ishte refuzuar padia e parashtruesit të kërkesës që të detyrohet pala e paditur KEDS që t’ia paguaj shpërblimin jubilar dhe pagat përcjellëse, dhe i cili ishte përfundimtar dhe i paapelueshëm (shih rastin e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 43 dhe referencat e përmendura aty).
Gjykata rikujton se Aktgjykimi [Ac.nr.5716/20] i Gjykatës së Apelit ishte nxjerrë me 19 prill 2022. Edhe pse parashtruesi nuk ka cekur datën e pranimit të këtij vendimi, nga faktet e rastit, është e qartë së koha në mes të pranimit të aktgjykimit dhe datës së dorëzimit të kërkesës së tij, më 7 janar 2023, në Gjykatën Kushtetuese, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh (shih rastin e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 44).
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit në lidhje me Aktgjykimin [Ac.nr.5716/20] e Gjykatës së Apelit është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih rastet e Gjykatës KI48/21 parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendim për papranueshmëri i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21 parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, Aktgjykim i 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të nenit 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (c) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 17 janar 2024, njëzëri
VENDOS
I. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
II. T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
III. TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
IV. Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtar raportues Kryetare e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Hizri Haxhiu
KI – Individualni zahtev
Rešenje o neprohvatljivosti
Zahtev je podnet van roka
Civilni