Ocena ustavnosti presude [Rev. br. 71/2021] Vrhovnog suda od 11. maja 2022. godine u vezi sa presudom [Ac. br. 4220/2018] Apelacionog suda Republike Kosovo od 11. novembra 2020. godine i presudom [C. br. 1008/14] Osnovnog suda u Prištini od 11. juna 2018. godine
br. predmeta KI133/22
podnosiocu: Jakup Smajli
Prishtinë, më 26 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2359/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI133/22
Parashtrues
Jakup Smajli
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 71/2021 të 11 majit 2022 në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit Ac. nr. 4220/2018 të 11 nëntorit 2020 dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore
në Prishtinë C. nr. 1008/14 të 11 qershorit 2018
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Jakup Smajli, nga Peja (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), të cilin e përfaqëson Sabri Kryeziu, avokat nga Lipjani.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev.nr. 71/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), të 11 majit 2022 në lidhje me Aktgjykimin [Ac.nr.4220/2018] e Gjykatës së Apelit të Republikës se Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) të 11 nëntorit 2020 dhe Aktgjykimin [C.nr.1008/14] të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë:Gjykata Themelore) të 11 qershorit 2018.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara ne paragrafin 1 te nenit 24 [Barazia para Ligjit], paragrafin 1 te nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe neni 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 32 (Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 6 shtator 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 12 shtator 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
Më 14 shtator 2022, Kryetarja e Gjykatës me vendimin [Nr. GJR. KI133/22] caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci Gjyqtare raportuese, ndërsa me vendimin [Nr. KSH. KI133/22] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban, anëtarë.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç'rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 31 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës, me qëllim të blerjes së pronës së paluajtshme, ka angazhuar avokatin G.T. si përfaqësues ligjor për blerjen e kësaj patundshmërie.
Nga shkresat e lëndës rezulton se, më 12 tetor 2003, avokati G.T. përgatiti marrëveshjen e shitblerjes si dokumentacion të nevojshëm për shitblerjen e pronës së paluajtshme. Në kontratën e sipërpërmendur të shitblerjes së pronës së paluajtshme, si blerës përmendej parashtruesi i kërkesës, ndërsa si shitës përmendej R.K., i cili përfaqësohej nga bashkëshortja e tij me të njëjtat iniciale. Kontrata është nënshkruar në të njëjtën ditë dhe janë dorëzuar paratë dhe prona e paluajtshme. E njëjta kontratë [Vr. 7225/2003] është vërtetuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 13 nëntor 2003.
Në bazë të kontratës së lartpërmendur, në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës regjistroi pronësinë e pronës së paluajtshme të kontestuar në zyrën kompetente kadastrale të Komunës së Prishtinës.
Procedurat në Komisionin për Kërkesa Pronësore dhe Banesore, përkatësisht KKPB
Në një datë të paspecifikuar, R.K., në cilësinë e pronarit të banesës, parashtroi kërkesën [DS 303237] në Komisionin për Kërkesa Pronësore dhe Banesore (në tekstin e mëtejmë: KKPB) për vërtetimin e pronësisë dhe ushtrimin e të drejtave mbi pronën e uzurpuar nga një person tjetër, I.K.
Më 27 qershor 2003, KKPB, me vendim grupor [HPCC/D/79/2003/C], aprovoi kërkesën e R.K-së dhe ia njohu pronësinë në pronën e paluajtshme të kontestuar, ndërsa I.K u urdhërua të largohej nga banesa.
Më 22 tetor 2004, parashtruesi i kërkesës parashtroi në KKPB, si palë e interesuar, kërkesë për rishikim të vendimit [HPCC/D/79/2003/C] të 27 qershorit 2003, për faktin se në ndërkohë kishte blerë pronën e paluajtshme kontestuese nga parashtruesi i kërkesës, si dëshmi të së cilës ka bashkangjitur kontratën [Vr. 7225/2003] të 13 nëntorit 2003, si dhe autorizimin me të cilin R.K kishte autorizuar bashkëshorten e tij për të nënshkruar këtë kontratë të shitblerjes në emër të tij.
Më 19 janar 2007, KKPB-ja në vendimin e saj [HPCC/REC/91/2007] lidhur me kërkesën e parashtruesit u përgjigj, “Për kërkesat Nr. DS303273 dhe DS004475, verifikimi i bërë nga Drejtorati në Gjykatat Komunale në Nish dhe Klinë, respektivisht, tregon. se autorizimi në këto raste në të vërtetë ishte i falsifikuar. Për kërkesat Nr. DS303273 dhe DS004475 verifikimi i bërë nga Drejtoriati në Gjykatat Komunale në në Nish dhe Klinë, respektivisht, tregon se autorizimi në këto raste në të vërtetë ishte i falsifikuar”.
Procedura pranë Administratës Kadastrale të Komunës së Prishtinës
Në një datë të paspecifikuar në vitin 2014, R.K. parashtroi kërkesë për regjistrimin e sërishëm të pronësisë së paluajtshmërisë kontestuese, e cila në bazë të kontratës së shitblerjes [Vr. 7225/2003] të 13 nëntorit 2003, kaloi në pronësi të parashtruesit të kërkesës. R.K si bazë për ndryshimin e pronësisë ka bashkangjitur vendimin e KKPB-së [HPCC/REC/91/2007] të 19 janarit 2007.
Më 15 janar 2015, Administrata e Kadastrës së Komunës së Prishtinës përmes Aktvendimit [011-952-113630] e regjistroi sërish R.K. si pronar të paluajtshmërisë kontestuese, duke i bazuar aktvendimet e saj në vendimin [HPCC/REC/91/2007] të 19 janarit 2007, të KKPB-së përkatësisht për faktin se autorizimi për nënshkrimin e kontratës së shitblerjes [Vr.7225/2003] i 13 nëntorit 2003 ishte i falsifikuar.
Procedura në gjykatat e rregullta sipas padisë për kompensimin e dëmit të parashtruesit të kërkesës
Më 8 prill 2009, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi kundër avokatit G.T. për kompensim të dëmit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke pretenduar se avokati G.T. është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga përpilimi dhe përgatitja e dokumentacionit të nevojshëm në lidhje me punën e shitblerjes të realizuar me kontratën [Vr. 7225/2003] e cila është shpallur e pavlefshme me vendimin e KKPB [HPCC/REC/91/2007] të 19 janarit 2007.
Më 15 tetor 2012, Gjykata Themelore në Prishtinë, me Aktvendimin [C.nr.728/09], konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte tërhequr. Gjykata në arsyetimin e Aktvendimit të saj theksoi se “duke qene se paditësi nuk e ka cekur adresën në padi, ajo me dt. 01.10.2012, ka marrë aktvendim qe te gjitha shkresat dhe parashtresat te bëhen përmes tabelës së shpalljeve ne gjykate për paditësin Jakup Smajli nga Peja, ashtu qe për dt. 15.10.20012 ajo ka caktuar dhe mbajtur seancën pregaditore ne te cilën paditësi është ftuar me rregull përmes tabelës së shpalljeve, mirëpo nuk ka prezentuar ne seance dhe mungesën nuk e ka arsyetuar, ndërsa ajo konform nenit 116.6 këtë komunikim me paditesin e ka konsideruar si te rregullt, andaj ajo konform nenit 409.1 lidhur me nenin 423.3 te LPK-se, kishte vendosur si në dispozitiv të aktvendimit të dt. 15.10.2012.
Më 8 shkurt 2013, parashtruesi i kërkesës e plotësoi kërkesën e tij të mëparshme të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë me kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme të sigurimit, e cila i referohet ndalimit të shitjes, vendosjes në hipotekë ose fillimit të ndonjë pune ligjërisht obligative në parcelën kadastrale. nr. 4787/2, të komunës kadastrale të Pejës, e cila është në pronësi të avokatit G.T.
Më 3 tetor 2013, Gjykata Themelore në Prishtinë e njoftoi parashtruesin e kërkesës se kjo lëndë ishte përfunduar me Aktvendim të formës së prerë [C.nr.728/09] të datës 15 tetor 2012.
Pas marrjes së Aktvendimit (C.nr.728/09) të 15 tetorit 2012, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë në Gjykatën e Apelit për përsëritjen e procedurës për shkak se nuk ishte në dijeni për këtë aktvendim të Gjykatës Themelore.
Më 8 nëntor 2013, Gjykata Themelore në Prishtinë, me Aktvendimin (C. nr. 576/13), mori vendimin të vendosë masën e përkohshme dhe të ndalojë shitjen dhe barrën (ngarkimin me hipotekë) të patundshmërisë kontestuese, duke e obliguar avokatin. G.T., “që deri në përfundim të këtij kontesti, apo deri në ndonjë vendim tjetër të kësaj gjykate, që të mos ndërmerr kurrfarë veprimesh në çështjen kontestuese nën kërcënim të pasojave ligjore.”
Më 21 nëntor 2013, avokati G.T., në cilësinë e tij kundër-propozuesit, parashtroi kërkesë në Gjykatën Themelore, duke pretenduar se propozimi i parashtruesit të kërkesës për vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë nuk i është dorëzuar asnjëherë dhe se, për rrjedhojë, ai nuk mund të japë kundërargumentet e tij lidhur me këtë propozim, prandaj, ai propozoi anulimin e tij me Aktvendimin (C. nr. 576/13) të Gjykatës Themelore të 8 nëntorit 2013 dhe refuzimin e kërkesës së parashtruesit të kërkesës për vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë.
Më 19 dhjetor 2013, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Aktvendimit [C. nr. 576/13], vendosi të anulojë Aktvendimin e saj të mëparshëm [C. nr. 576/13] të 8 nëntorit 2013, për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe ta refuzojë propozimin e parashtruesit të kërkesës për të vendosur të njëjtën. Gjykata Themelore në Prishtinë mes tjerash arsyetoi se “propozuesi i sigurimit nuk e ka bërë të besueshëm ekzistimin e kërkesës apo të drejtës së tij subjektive, po ashtu nuk e ka bërë të besueshme se ekziston rreziku se pa caktimin e masës së sigurimit së palës kundërshtare do të mund t'i pamundësohej apo vështiresohej dukshëm realizimi i kërkesës, me tjetërsimin e pasurisë së kundërpropozuesit, me fshehjen e saj, me ngarkimin apo në ndonjë mënyrë tjetër me të cilën do të ndryshonte gjendja ekzistuese e gjërave”.
Në një datë të pacaktuar në vitin 2014, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimin per shkeljet e procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 6 mars 2014, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [C.nr.62/13] e miratoi kërkesën e parashtruesit për përsëritjen e procedurës dhe e anuloi Aktvendimin [C.nr.728/09] të 15 tetorit 2012 të Gjykatës Themelore.
Më 26 maj 2014, Gjykata e Apelit, me Aktvendimin [Ac. nr. 1546/14], refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar, duke vërtetuar në tërësi Aktvendimin (C. nr. 576/13) të Gjykatës Themelore në Prishtinë të 19 dhjetorit 2013.
Më 16 shkurt 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, me Aktvendimin [C. nr. 1008/14], e pezulloi procedurën në këtë rast për shkak të vdekjes së të paditurit G.T., derisa trashëgimtarët e të paditurit të marrin përsipër procedurën ose t'i thërrasë gjykata me propozimin e palës kundërshtare.
Procedura në gjykatat e rregullta sipas padisë për kompensimin e dëmit të parashtruesit të kërkesës pas vdekjes së G.T.
Më 27 mars 2017, parashtruesi i kërkesës dorëzoi një propozim në Gjykatën Themelore në Prishtinë për vazhdimin e procedurës së iniciuar kundër G.T., duke pretenduar, “Meqenëse, ndaj të paditurit nuk mund të zhvillohet procedura për shkak të vdekjes së tij, kurse në bazë të Ligjit për Tashëgimin, neni 11 par. 1, është e sanksionuar se kush janë trashëgimtaret ligjor - suksesor universal të të ndjerit, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet në raport me palët e treta deri në vëllimin e masës së trashëgimisë. Meqenëse, në rastin konkret kemi të bëjmë me detyrimet e të ndjerit që barten në pasardhësit e tij, me këtë parashtresë e bëjmë rregullimin e padisë në aspektin subjektiv, ku tani . e tutje në vend të të paditurit G. T., të paditur janë:
1. A. T. rr. "Lekë Dukagjini" nr. 6 / 6 B2, kati VI, banesa nr. 17 në lagjen Dardania.
2. A. T. Shita, rr. UÇK nr. 2 / B dhe
3. A. T. nga Prishtina rr. "Lekë Dukagjini" nr.6/6 B2, kati VI, banesa nr.17 në lagjen Dardania.”
Më 11 qershor 2018, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Aktgjykimit [C. nr. 1008/14], e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës në tërësi si të pabazuar, me arsyetimin se: “në shkresat e lëndës gjykata nuk disponon asnjë autorizim me të cilin do të përcaktoheshin në mënyrë specifike punët dhe detyrat e të autorizuarit siç e quan paditësi, në lidhje me punën juridike të cilën paditësi e ka ndërmarrë lidhur me blerjen dhe bartjen e paluajtshmërisë. Pra, me asnjë provë nuk janë specifikuar shërbimet rreth kontrollimit dhe rregullimit të dokumentacionit, në mënyrë specifike verifikimi i autorizimit të R.K., veprim kyç me të cilin paditësi pretendon se është dëmtuar, e që ka qenë detyrim i ish të paditurit lidhur me çështjen në fjalë. Perveç kësaj, paditësi në njëfarë mënyrë edhe vetë me kërkesën e datës 22.10.2004, e ka pranuar se dokumentacioni rreth transaksionit në fjalë ka qenë në rregull, por ka qenë pala tjetër kontraktuese, në këtë rast R.K.(bashkëshortja), e cila është sjellë në mënyrë te pandërgjegjshme dhe se e ka sjellë në lajthim edhe vetë Komisionin për Çështje Banesore lidhur me gjendjen faktike. Në këtë mënyrë, gjykata nuk gjen ndonjë lidhje kauzale mes veprimeve të ish të paditurit G.T. dhe dëmit që pretendohet se i është shkaktuar paditësi nga veprimet apo mosveprimet e ish të paditurit. Gjykata ka ardhur në përfundim dhe ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësit nuk ka bazë juridike, sa i përket fakteve mbi të cilat paditësi e mbështet kërkesëpadinë për kompensim dëmi ndaj të paditurëve tani trashëgimëtar të ish të paditurit. Prandaj gjykata duke u nisur nga të gjitha arsyet e theksuara më lartë, rezulton se në këtë rastë juridik kontestues, mungon baza faktike sa i përket fakteve në të cilën paditësi e mbështetë kërkesëpadinë, e në mungesë të së cilës mungon edhe baza juridike për aprovimin e saj, andaj në kuptim të nenit 319 par. 1 dhe nenit 322 par. 1 të Ligjit të Procedurës Kontestimore (LPK), gjykata vendosi që ta refuzoj kërkesëpadinë e paditësit si të pabazuar.”
Më 20 gusht 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimin se Aktgjykimi [C. nr. 1008/14] i Gjykatës Themelore i 11 qershorit 2018, ishte përfshirë me shkelje të procedurës kontekstimore, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe me zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.
Më 11 nëntor 2020, Gjykata e Apelit, me Aktgjykimin [Ac. nr. 4220/18], e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar, duke vërtetuar në tërësi Aktgjykimin [C. nr. 1008/14] e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 20 gushtit 2018. Në Aktgjykimin e saj, Gjykata e Apelit arsyetoi ndër të tjera se: “gjykata e shkallës së parë drejtë e ka zbatuar parimin juridik condicio sine qua non, sipas të cilit ardhja e pasojës së dëmshme nuk do të vërtetohej, nëse nuk do të kishte ndodhur shkaku, sjellja e paligjshme dhe me faj e personit përgjegjës për shkaktimin e dëmit. Ndërsa me lidhjen shkakësore juridike vërtetohet lidhja shkak-pasojë ndërmjet faktit të paligjshëm në tërësinë e tij dhe cenimeve konkrete të pësuara në të drejta dhe interesa të ligjshme, si të subjektit pasiv mbi të cilin ka vepruar direkt ky fakt i paligjshëm, ashtu edhe te personat e tjerë që rezultojnë të dëmtuar, si njedhojë e pasojave qe vijnë nga i njëjti fakt i paligjshëm, sipas parimeve te rregullshmërisë të lidhjes shkakësore. Në këtë mënyrë, Gjykata e Apelit e pranon në tërësi qëndrimin juridik të gjykatës së shkallës së parë se në rastin konkret nuk është gjetur ndonjë lidhje kauzale në mes veprimeve të G. T., përkatësisht këtu të paditurve dhe dëmit që pretendon paditësi se i është shkaktuar nga veprimet apo mos veprimet e tij.”
Më 11 janar 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi revizion në Gjykatën Supreme të Kosovës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 11 maj 2022, Gjykata Supreme e Kosovës, me Aktgjykimin [Rev. nr. 71/2022], refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke vërtetuar në tërësi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit. Në arsyetimin e Aktgjykimit, ndër të tjera, Gjykata Supreme theksoi se: “ […] Në rastin konkret, gjykata ka ardhur në përfundim se veprimet e paligjshme të falsifikuesit të autorizimit kanë qenë vendimtare për shkaktimin e dëmit dhe nuk kanë mundur të lidhen me veprimet apo mosveprimet e të ndjerit avokat të G. T., paraardhës i të paditurve.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimet e gjykatave të rregullta, respektivisht Aktgjykimit [Rev. nr. 71/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 11 majit 2022 në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 4220/2018] e Gjykatës së Apelit të Republikës se Kosovës të 11 nëntorit 2020 dhe Aktgjykimin [C. nr. 1008/14] e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 11 qershorit 2018 cenon të drejtat e tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon edhe shkeljen e nenit 35 të Ligjit për Avokatinë dhe nenin 154 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: LMD) duke pretenduar zbatimin e gabuar të të njëjtëve dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.
Fillimisht, parashtruesi i kerkeses thekson se “Pasi qe eshte siguruar nga avokati se e drejta e tij per te krijuar marredhenie juridike detyrimore nuk vehet ne dyshim dhe se pagesa mund te i behet para se te vertetohet kontrata ne gjykate, eshte leje qe Jakup Smajli ti paguan shumen e mjeteve materiale sic i kemi cekur ne pjesen hyrese te kerkeses, ne dokumentet qe jane perpiluar nga avokati, autoresia e te cilave konfirmohet me vulen e avokatit, pa i verifikuar ligjshmerine e akteve, e posaqerisht te autorizimit te dt.13.11.2003, i cili ka rezultu se eshte fals, numri i regjistrit, data e perpilimit, emri i personit zyrtar ne regjistrin burimor te Gjykates Komunale ne Nish del te jete regjistruar dokument tjeter me permbajtje tjeter, dhe personi qe eshte i cekur ne autorizim nuk eshte dhe nuk ka qene zyrtar i gjykates.”
Thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës është se për shkak të pakujdesisë së përfaqësuesit të tij ligjor, G.T., kontrata e shitblerjes e nënshkruar nga parashtruesi i kërkesës si blerës dhe e nënshkruar në emër të shitësit nga një person që posedonte autorizim të falsifikuar, ky autorizim i falsifikuar shkaktoi pavlefshmërinë e asaj kontrate dhe rrjedhimisht humbje financiare për parashtruesin e kërkesës. Prandaj, parashtruesi i kërkesës pretendon se:
“Me vendosjen e Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, është shkel e drejta themelore e paraqitësit të kërkesës Jakup Smajli, ngase nuk është trajtuar i barabartë para ligjit neni 24 par. 1 i Kushtetutës.”
“Edhe pse ligjet e sipertheksuara e rregullojn mirë të drejtën e paraqitësit të kerkesës dhe detyrimin e shkaktuesit të dëmit, në këtë rast me vendimet e gjykatave është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, neni 31 par. 1 i Kushtetutës.”
“Me vendimet e gjykatave është shkel edhe e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, sepse Jakup Smajlit nuk i është dhënë e drejta në procedurë para gjykatave, e drejta e cila qartë shihet se i është mohuar dhe perfundimisht me vendimet e gjykatave edhe pse paraqitesi i kërkesës i ka argumentuar me fakte të drejtën e tij, është shkel e drejta themelore e mbrojtjes gjyqësore nga neni 54 i Kushtetutës.”
Parashtruesi i kërkesës në fund kërkon nga Gjykata që të konstatojë se vendimet e kontestuara shkelin të drejtat e lartpërmendura të garantuara me Kushtetutë, duke kërkuar konkretisht që Gjykata ta aprovojë kërkesën e tij dhe ta anulojë Aktgjykimin [ C.nr.10o8/ 14 ] e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 11 qershorit 2018, Aktgjykimin [Ac. nr-422o/18 ] e Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës të 11 nëntorit 2020 dhe Aktgjykimin [Rev.nr.71/2022] e Gjykatës Supreme të 11 majit 2022, si dhe ta kthejë lëndën në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rigjykim.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Kapitulli II
[Të Drejtat dhe Liritë Themelore]
[…]
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
[…]
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
[...]
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
[...]
LIGJI Nr. 04/L-193 PËR AVOKATINË
[...]
Neni 35
Sigurimi i detyrueshëm ndaj përgjegjësisë profesionale
Avokati është i detyruar të sigurohet ndaj përgjegjësisë profesionale në institucionin që është i regjistruar për këtë lloj të sigurimit.
Oda e përcakton shumën minimale të sigurimit për dëmin nga përgjegjësia profesionale.
Oda do t’ia refuzojë dhënien e kartelës avokatit, i cili nuk e ka lidhur kontratën e sigurimit ndaj përgjegjësisë profesionale.
Procedura për sigurimin e përgjegjësisë profesionale rregullohet me aktet e Odës.
LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE
[...]
Neni 136
Bazat e përgjegjësisë
Kush i shkakton tjetrit dëm ka për detyrë ta kompensojë, përveç nëse vërtetohet se dëmi është shkaktuar pa fajin e tij.
Për dëmin nga sendet ose nga veprimtaritë, nga të cilat rrjedhë rreziku i shtuar i dëmit për rrethin përgjigjet pavarësisht nga faji.
Për dëmin, pavarësisht nga faji mbahet përgjegjësia edhe në rastet tjera të parashikuara me ligj.
[...]
Neni 154
Prezumimi i kauzalitetit
Dëmi i shkaktuar lidhur me sendin e rrezikshëm, përkatësisht me veprimtarinë e rrezikshme konsiderohet se rrjedh nga ky send, përkatësisht nga kjo veprimtari, përveç nëse provohet se ato nuk kanë qenë shkak i dëmit.
[…]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret për pranueshmëri, të përcaktuara në Kushtetutë, dhe më tej të specifikuara në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.”
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor…”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Pml. nr. 460/2021] të Gjykatës Supreme të 11 janarit 2022 pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kritereve të lartcekura, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, i cili përcakton:
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
[...]
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.”
[...]
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”: (shih gjithashtu rastet e Gjykatës: KI04/21 parashtrues: Nexhmije Makolli, aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2021, paragrafi 27, dhe rasti KI75/20 parashtrues: Rahman Rama, aktvendim për papranueshmëri i 26 tetorit 2021, paragrafi 38; shih gjithashtu rastet GJEDNJ-së: Kemmachev kundër Francës, kërkesa nr. 17621/91, kategoria (i), Mentzen kundër Letonisë, kërkesa nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, kërkesa nr. 4241/03, kategoria (iii).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në lidhje me këtë, Gjykata fillimisht rikujton se rrethanat e rastit i referohen faktit se për shkak të autorizimit të falsifikuar të nënshkruesit të kontratës, është anuluar kontrata e shitblerjes [Vr. 7225/2003] e 13 nëntorit 2003, me të cilën parashtruesi i kërkesës ka blerë pronën e paluajtshme dhe për çfarë ka paguar çmimin e parashikuar në kontratë. Si pasojë e anulimit të kontratës së sipërpërmendur, parashtruesi i kërkesës ka humbur të drejtën e tij ndaj pronës së paluajtshme që ka qenë objekt i kësaj kontrate, për çfarë konsideron se avokati G.T., është përgjegjës. Me këtë rast parashtruesi i kërkesës ka iniciuar padi për dëmshpërblim në Gjykatën Themelore, kjo procedurë ka kaluar në të gjitha fazat e procedurës së rregullt deri në procedurën në Gjykatën Supreme, të gjitha gjykatat kanë refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se veprimet e kundërligjshme të nënshkruesit të kontratës, pra falsifikuesit të autorizimit, kanë qenë vendimtare për shkaktimin e dëmit dhe se nuk mund të lidhen me veprimet apo mosveprimin e avokatit G. T. që e ka përfaqësuar në këtë punë juridike.
Në lidhje me sa më sipër, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendonte se tri vendimet e gjykatave te rregullta kishin rezultuar me shkelje të të drejtave të percaktuar në paragrafin 1 te nenit 24 [Barazia para Ligjit], paragrafin 1 te nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe neni 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Në vijim Gjykata pretendimet e parashtruesit të kërkesës do t’i trajtoj ndaras duke filluar me (i) pretendimin për shkelje të pargrafit 1 te nenit 24 [Barazia para Ligjit ] të Kushtetutës, për të vazhduar me (ii) pretendimin për shkelje të paragrafit 1 te nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe (iii) pretendimin për shkelje të nenit 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Lidhur me pretendimin për shkelje të paragrafit 1 te nenit 24 të Kushtetutës
Lidhur me pretendimin për shkelje të paragrafit 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon se “Me vendosjen e Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, është shkel e drejta themelore e paraqitësit të kërkesës Jakup Smajli, ngase nuk është trajtuar i barabartë para ligjit neni 24 par. 1 i Kushtetutës.”
Nga vetë deklarata e parashtruesit të kërkesës, Gjykata mund të konkludojë vetëm se parashtruesi i kërkesës konsideron se ai është diskriminuar në njëfarë mënyre, duke mos elaboruar më tej se si ka ardhur deri te diskriminimi.
Gjykata rikujton se, sipas praktikës së konsoliduar gjyqësore të GJEDNJ-së, në mënyrë që një çështje të mund të ngrihet sipas nenit 24 të Kushtetutë dhe nenit 14 të KEDNJ-së, duhet të ketë një dallim në trajtimin e personave në situata të njëjta apo të ngjashme (shih, ndër shumë burime të tjera, Khamtokhu dhe Aksenchik kundër Rusisë, kërkesa nr. 60367/08 dhe nr. 961/11 aktgjykim i 24 janarit 2017, paragrafi 64; X dhe të tjerët kundër Austrisë, kërkesa nr. 19010/07 aktgjykim i 19 shkurtit 2013, paragrafi 98; dhe Konstantin Markin kundër Rusisë, kërkesa nr. 30078/06 aktgjykim i 22 marsit 2012, paragrafi 125).
Me fjalë të tjera, kriteri për të vërtetuar pozicionin analog nuk kërkon që grupet e ngjashme (comparator groups) të jenë identike. Parashtruesi i kërkesës duhet të provojë, duke pasur parasysh natyrën e veçantë të ankesës së tij, se ai ishte ose ajo ishte në një situatë që është e ngjashme me të tjerët që u trajtuan ndryshe (shih Clift kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr. 7205/07 aktgjykim i 13 korrikut 2010, paragrafi 66). Megjithatë, jo secila pabarazi në trajtim përbën shkelje të nenit 14. Së pari, GJEDNJ në praktikën e saj gjyqësore ka konstatuar se vetëm dallimet në trajtim në bazë të karakteristikave që mund të identifikohen ose në bazë të “statusit” mund të përbëjnë diskriminim në kuptim të nenit 14 (shih Eweida dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr. 48420/10, paragrafi 86, aktgjykim i 15 janarit 2013). Së dyti, dallimi në trajtim është diskriminues nëse për të nuk ka justifikime objektive dhe të arsyeshme; apo me fjalë të tjera, nëse me të nuk bëhet përpjekje të arrihet një qëllim legjitim ose nëse nuk ka një marrëdhënie të arsyeshme proporcionaliteti midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet (shih Fabris kundër Francës, kërkesa nr. 16574/08 aktgjykim i 7 shkurtit 2013, paragrafi 56; Topčić-Rosenberg kundër Kroacisë, kërkesa nr. 19391/11 aktgjykim i 14 nëntorit 2013, paragrafi 36; dhe Weller kundër Hungarisë, kërkesa nr. 44399/05 aktgjykim i 31 marsit 2009, paragrafi 27).
Megjithatë, në rastin konkret, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës nuk ka treguar ose identifikuar individin ose grupin në raport me të cilin është diskriminuar dhe me të cilin ka qenë në një situatë që është krahasueshëm e ngjashme. Barra e e provës në lidhje me trajtimin diskriminues bie mbi parashtruesin e kërkesës dhe në bazë të shkresave të lëndës është e qartë se ai nuk ka dëshmuar pretendimin për diskriminim (shih dhe Aksenchik, cituar më lart, paragrafi 65; Vallianatos dhe të tjerët kundër Greqisë, kërkesa nr. 29381/09 dhe nr. 32684/09 aktgjykim i 7 nëntorit 2013, pragrafi 85; dhe D.H. dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, nr. 57325/00 aktgjykim i 13 nëntorit 2007, paragrafi 177).
Prandaj, Gjykata e konsideron këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës si pretendim që janë kategorizuar si “të pambështetura ose të paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht i refuzon ato në përputhje me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
(ii) Lidhur me pretendimin për shkelje të paragrafit 1 te nenit 31 të Kushtetutës
Parashtruesi i kërkesës, para Gjykatës konteston konstatimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar shkelje të paragrafit 1 te nenit 31 Kushtetutës për shkak të interpretimit të gabuar të nenit 35 të Ligjit për Avokatinë dhe nenit 134 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve nga ana e gjykatave të rregullta.
Në ndërlidhje me këtë pretendim parashtruesi i kërkesës para Gjykatës thekson se “Pasi që është siguruar nga avokati se e drejta e tij për të krijuar marrëdhënie juridike detyrimore nuk vihet në dyshim dhe se pagesa mund te i bëhet para se të vërtetohet kontrata në gjykatë, është leje që Jakup Smajli ti paguan shumën e mjeteve materiale siç i kemi cekur ne pjesën hyrëse te kërkesës, në dokumentet qe janë përpiluar nga avokati, autorësia e te cilave konfirmohet me vulën e avokatit, pa i verifikuar ligjshmërinë e akteve, e posaçërisht të autorizimit të dt.13.11.2003, i cili ka rezultu se është fals, numri i regjistrit, data e përpilimit, emri i personit zyrtar ne regjistrin burimor te Gjykatës Komunale ne Nish del te jete regjistruar dokument tjetër me përmbajtje tjetër, dhe personi qe është i cekur ne autorizim nuk është dhe nuk ka qene zyrtar i gjykatës. Me nenin 35 te Ligjit për Avokatinë, është e rregulluar instituti i Sigurimit te Detyrueshëm ndaj Përgjegjësisë Profesionale, ku sipas kësaj dispozite ligjore "Avokati është i detyruar te sigurohet ndaj përgjegjësisë profesionale në institucionin që është i regjistruar për këtë lloj te sigurimit". Me LMD-ne që ka qene ne fuqi në kohën kur me lëshimet profesionale të av. [G.T], paraqitësit të kërkesës iu është shkaktuar dëm material në shume prej 85.000 euro për blerje te banesës dhe 24.000 euro për rregullimin dhe meremetimin e saj, dispozita e nenit 154 te LMD-se e ka rregulluar institutin e përgjegjësisë juridiko civile sipas rregullave te përgjithshme për dëmin e shkaktuar.
Nga pretendimet e paraqitura, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në thelb, pretendon interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit nga ana e gjykatave të rregullta e në mënyrë specifike nga Gjykatëa Supreme.
Prandaj, bazuar në shtjellimet e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do të vlerësojë nëse pretendimet për zbatim të gabuar të ligjit hyjnë në sferën e ligjshmërisë apo kushtetutshmërisë.
Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se si rregull i përgjithshëm, pretendimet për interpretimin e gabuar të ligjit që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si të tilla, nuk janë në juridiksionin e Gjykatës, dhe për këtë arsye, në parim, Gjykata nuk mund t’i shqyrtojë ato (shih rastet e Gjykatës: nr. KI87/20, parashtrues Suva Rechtsabteilung, Aktvendim për papranueshmëri i 13 prillit 2021, paragrafi 57; KI06/17, parashtrues L. G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 25 tetorit 2016, paragrafi 36; KI75/17, parashtrues X, Aktvendim për papranueshmëri i 6 dhjetorit 2017, paragrafi 55 dhe KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 56).
Gjykata ka përsëritur vazhdimisht se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta (ligjshmëria), përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Kështu, Gjykata vetë nuk mund të vlerësojë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, gjë që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Në të vërtetë, është roli i gjykatave të rregullta t’i interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale (shih rastin Ballıktaş Bingöllü kundër Turqisë, GJEDNJ, nr. 76730/12 i 22 qershorit 2021, paragrafi 75; García Ruiz kundër Spanjës, GJEDNJ, nr. 30544/96, i 21 janarit 1999, paragrafi 28; dhe shih, gjithashtu, rastet e Gjykatës: KI70/11, parashtrues të kërkesës Faik Hima, Magbule Hima dhe Besart Hima, Aktvendim për papranueshmëri i 16 dhjetorit 2011; si dhe rastet e cekura më lart KI06/17, parashtrues L. G. dhe pesë të tjerët, paragrafi 37; dhe KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, paragrafi 57).
Në këtë kuptim, Gjykata në pajtim me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, ka theksuar se edhe pse roli i Gjykatës është i kufizuar në aspektin e vlerësimit të interpretimit të ligjit, ajo duhet të sigurohet dhe të ndërmarrë masa kur vëren se një gjykatë ka aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar në një rast specifik e që mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin (shih rastet e GJEDNJ-së, Anheuser-Busch Inc., Aktgjykim, paragrafi 83; Kuznetsov dhe të tjerët kundër Rusisë, nr. 184/02, paragrafët 70-74 dhe 84; Păduraru kundër Rumanisë, nr. 63252/00, paragrafi 98; Sovtransavto Holding kundër Ukrainës, kërkesa nr. 48553/99, paragrafët 79, 97 dhe 98; Beyeler kundër Italisë [GC], kërkesa nr. 33202/96, paragrafi 108; Koshoglu kundër Bullgarisë, Aktgjykim i 10 majit 2007, paragrafi 50; shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës cituar më lart KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, paragrafi 57; dhe KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues Basri Deva, Aferdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar "BARBAS", paragrafët 60 deri në 65 dhe referencat e përdorura aty).
Në rastin konkret, Gjykata ka parasysh se Gjykata Supreme kishte konstatuar se parashtruesi i kërkesës në revizionin e parashtruar kundër Aktgjykimit [Ac.nr.4220/2014] të 11 nëntorit 2020 të Gjykatës së Apelit, kishte pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale, dhe Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar kishte refuzuar si të pathemeltë revizionin duke konstatuar se gjykata e shkallës së dytë drejt kishte zbatuar të drejtën materiale.
Gjykata Supreme në Aktgjykimin [Rev.nr.71/2022] të 11 majit 2022, ndër të tjera kishte theksuar se në rastin konkret, gjykata ka ardhur në përfundim se veprimet e paligjshme të falsifikuesit të autorizimit të cilat janë të elaboruara në gjërësisht tek përmbledhja e fakteve, kanë qenë vendimtare për shkaktimin e dëmit dhe nuk kanë mundur të lidhen me veprimet apo mosveprimet e tani me të ndjerit avokat G. T.. Gjykata Supreme në arsyetim të aktgjykimit shton se “Në rastin konkret, gjykata ka ardhur në përfundim se veprimet e paligjshme të falsifikuesit të autorizimit kanë qenë vendimtare për shkaktimin e dëmit dhe nuk kanë mundur të lidhen me veprimet apo mosveprimet e të ndjerit avokat të G. T., paraardhës i të paditurve”.
Më tej Gjykata e Apelit, në arsyetim të Aktgjykimit [Ac. nr. 4220/18] të 11 nëntorit 2020, ndër të tjera kishte theksuar se “gjykata e shkallës së pare me të drejtë ka konstatuar kjo e fundit se paditësi [parashtruesi i kërkesës] gjykatës nuk I ka dorëzuar si prove ndonjë autorizim të cilin paditësi ja kishte dhënë të ndjerit [G.T] e me të cilin evenntualisht do të përcaktoheshin në mënyrë specifike punët dhe detyrat e autorizuarit të tij, në lidhje me punët jurisike të cilat paditësi I ka ndërmarrë pë blerjen e banesës. Si rrjedhojë me të drejtë është konstatuar nga gjykata e shkallës së pare se nga paditësi ma asnjë prove nuk janë specifikuar shërbimet rreth kontrollit dhe rregullimit të dokumentacionit, përkatësisht verifikimi I autorizimit të [R.K] veprim kyç me të cilën paditësi pretendon se është dëmtuar”.
Gjykata, gjithashtu rikujton edhe përmbajtjen e Aktgjykimit [C.nr.1008/2014] të Gjykatës Themelore ku ndër të tjera shtohet se “në shkresat e lëndës gjykata nuk disponon asnjë autorizim me të cilin do të përcaktoheshin në mënyrë specifike punët dhe detyrat e të autorizuarit siç e quan paditësi, në lidhje me punën juridike të cilën paditësi e ka ndërmarrë lidhur me blerjen dhe bartjen e paluajtshmërisë. Pra, me asnjë provë nuk janë specifikuar shërbimet rreth kontrollimit dhe rregullimit të dokumentacionit, në mënyrë specifike verifikimi i autorizimit të R.K., veprim kyç me të cilin paditësi pretendon se është dëmtuar, e që ka qenë detyrim i ish të paditurit lidhur me çështjen në fjalë”.
Gjykata gjithashtu rikujton edhe përmbajtjen e nenit 35 (Sigurimi i detyrueshëm ndaj përgjegjësisë profesionale) të Ligjit për Avokatinë i cili përcakton se “1.Avokati është i detyruar të sigurohet ndaj përgjegjësisë profesionale në institucionin që është i regjistruar për këtë lloj të sigurimit si dhe nenin 136 (Bazat e përgjegjësisë) të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve që përcakton se “1. Kush i shkakton tjetrit dëm ka për detyrë ta kompensojë, përveç nëse vërtetohet se dëmi është shkaktuar pa fajin e tij. [...]3.Për dëmin, pavarësisht nga faji mbahet përgjegjësia edhe në rastet tjera të parashikuara me ligj”.
Në rastin konkret Gjykata vëren se gjykatat e rregullta kanë përcaktuar se deri tek shaktimi i dëmit ka ardhur si pasojë e palës tjetër, dhe se shkaktimi i dëmit nuk mund të lidhet me veprimet apo mosveprimet e të ndjerit avokat G. T.
Bazuar në shtjellimet e mësipërme, si dhe interpretimin dhe arsyetimin e dhënë nga Gjykata Supreme, në rastin konkret, nuk është dëshmuar që ka arbitraritet në interpretimin e dhënë nga Gjykata Supreme me rastin refuzimit të revizionit.
Prandaj, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimit për shkelje të paragrafit 1 te nenit 31 të Kushtetutës, si rezultat i aplikimit në mënyrë diskriminuese të ligjit, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim i “ligjshmërisë” nga Gjykata Supreme, mund të ketë qenë jo i drejtë.
Si përfundim, Gjykata konstaton se parashtruesi në kërkesën e tij nuk ka arritur të dëshmojë dhe të mbështesë pretendimin e tij se si Gjykata Supreme gjatë interpretimit dhe zbatimit të së drejtës materiale ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, dhe rrjedhimisht, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës
(iii) Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës
Në lidhje me shkeljet e pretenduara të nenit 54 të Kushtetutës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në këtë kontekst përmend edhe shkeljen e të drejtës së qasjes në gjykatë pa përmendur nenin konkret të Kushtetutës që e parashikon këtë të drejtë, parashtruesi i kërkesës përmend vetëm mbrojtjen gjyqësore të të drejtave dhe të drejtën e qasjes në gjykatë. pa arsyetuar se si dhe në çfarë mënyre kanë ndodhur këto shkelje, Gjykata rikujton se sipas praktikës së përcaktuar gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar në pajtim me kriterin e pretendimeve (iii) “të pambështetura apo të paarsyetuara” edhe në rastet kur plotësohet një nga dy kushtet e mëposhtme karakteristike:
kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse shkelja e Kushtetutës dhe KEDNJ-së është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih rastin e GJEDNJ-së: Trofimchuk kundër Ukrainës. nr. 4241/03 i 31 majit 2005);
kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës: K166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 42).
Në rastin konkret, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës thjesht pretendon shkelje të nenit 54 të Kushtetutës dhe të drejtës për qasje në Gjykatë, por nuk i arsyeton ato, përkatësisht nuk shpjegon fare se si ka ardhur deri te shkelja e këtyre të drejtave. Prandaj, Gjykata vlerëson se në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave të garantuara me nenet e sipërpërmendura, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, pasi këto kërkesa cilësohen si kërkesa që i përkasin kategorisë (iii) së kërkesave “të pambështetura apo të paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi disa dispozita të Kushtetutës, pa arsyetuar se si ato janë shkelur.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata, duke marrë parasysh të gjitha sa më sipër, përfundon:
se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të paragrafit 1 te nenit 24 të Kushtetutës i përkasin kategorisë së dytë (iii) të pretendimeve që cilësohen si pretendime me “të pambështetura ose të paarsyetuara” .
se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me interpretimin e gabuar të ligjit dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike hyjnë në kategorinë e parë (1) të pretendimeve që kualifikohen si pretendime të “shkallës së katërt” dhe për rrjedhojë, në baza kushtetuese, këto pretendime gjithashtu deklarohen si qartazi të pabazuara.
se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës dhe shkeljes së të drejtës për qasje në Gjykatë kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë (iii) së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara” sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi këto dispozita të Kushtetutës, pa arsyetuar se si ato janë shkelur.
Prandaj, kërkesa në tërësi, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullat 34 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 31 janar 2024, njëzëri:
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit.
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Jakup Smajli
KI – Individualni zahtev
Rešenje o neprohvatljivosti
Zahtev je očigledno neosnovan
Upravni