Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.223/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 31 marsit 2022

Nr. të lëndës KI84/23

Parashtruesit: Shahin Shahini

Shkarko:

Prishtinë, më​​ 24 qershor​​ 2024

Nr. Ref.: RK 2453/24

 

 

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI​​ 

 

​​ 

 

rastin​​ nr.​​ KI84/23

 

Parashtrues

 

Shahin Shahini

 

Vlerësimi​​ i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit [Rev.nr.223/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 31 marsit 2022

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

  

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar​​ dhe

Jeton Bytyqi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i​​ kërkesës

 

  • Kërkesa është​​ parashtruar​​ nga​​ Shahin​​ Shahini nga​​ Komuna e​​ Prishtinës​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës)​​ i cili përfaqësohet para Gjykatës Kushtetuese nga Lindita Rexha, avokate nga Prishtina.

 

Vendimi​​ i​​ kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi​​ i​​ kërkesës​​ e​​ konteston​​ kushtetutshmërinë e​​ Aktgjykimit​​ [Rev.nr.223/2021]​​ të 31​​ marsit 2022,​​ të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës​​ ​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme),​​ ​​ në lidhje me​​ Aktgjykimin [AC.nr.1368/2017]​​ e​​ 28 dhjetorit​​ 2020,​​ të Gjykatës së Apelit të Kosovës​​ (në tekstin në vijim: Gjykata e Apelit)​​ dhe​​ Aktgjykimin [C.nr.721/2013] ​​ e​​ 23 janarit 2017, të​​ Gjykatës Themelore në​​ Gjilan​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).

 

  • Parashtruesi i kërkesës Vendimin e kontestuar e ka pranuar më 20 shkurt 2023.

 

Objekti i çështjes

 

  • Objekt i çështjes​​ është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit të​​ kontestuar të​​ Gjykatës Supreme,​​ përmes të​​ cilit​​ pretendohet se​​ parashtruesit të​​ kërkesës i janë​​ shkelur​​ të drejtat dhe liritë​​ të garantuara​​ me​​ nenin​​ 31​​ paragrafi 1​​ [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të​​ Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

  • Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur.​​ Lidhur me këtë,​​ konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.

 

Procedura​​ para​​ Gjykatës​​ Kushtetuese

 

  • Më​​ 19​​ prill​​ 2023,​​ parashtruesi​​ i​​ kërkesës ka​​ dorëzuar​​ kërkesën​​ në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • Më​​ 3​​ maj​​ 2023, Kryetarja e​​ Gjykatës,​​ përmes​​ Vendimit​​ [nr. GJR.KI84/23] emëroi gjyqtaren​​ Selvete​​ Gërxhaliu Krasniqi​​ për Gjyqtare​​ raportuese, ndërsa me​​ Vendimin​​ [nr. KSH.KI84/23],​​ caktoi Kolegjin​​ shqyrtues​​ të​​ përbërë nga gjyqtarët:​​ Radomir Laban​​ si​​ kryesues,​​ Remzije Istrefi Peci,​​ dhe​​ Enver Peci​​ (anëtarë).​​ 

 

  • Më 5 maj 2023, Gjykata e njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës si dhe kërkoi nga ajo që ta bashkëlidhte fletëkthesën që​​ dëshmonte datën e pranimit të​​ Vendimit të kontestuar nga ana e parashtruesit të kërkesës.

 

  • Më 5​​ maj​​ 2023, Gjykata​​ e​​ informoi​​ parashtruesin e​​ kërkesës​​ për regjistrimin​​ e kërkesës​​ dhe në të njëjtën ditë i dërgoi një​​ kopje të kërkesës Gjykatës​​ Supreme.

 

  • Më 15​​ maj 2023, Gjykata Themelore​​ dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën, që dëshmon se parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar Aktgjykimin e kontestuar më​​ 20 shkurt 2023.

 

  • Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç' rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • Më​​ 28​​ maj​​ 2024,​​ Kolegji shqyrtues​​ e shqyrtoi raportin e gjyqtares​​ raportuese​​ dhe njëzëri​​ i​​ rekomandoi​​ Gjykatës rekomandim​​ papranueshmërinë e kërkesës.​​ 

 

Përmbledhja e fakteve​​ 

 

  • Nga shkresat e lëndës, rezulton që parashtruesi i​​ kërkesës kishte punuar në​​ ish​​ ndërmarrjen shoqërore​​ N.Sh.​​ "Kosovatrans"​​ - Ndërmarrja për Trafikun e Udhëtarëve në Gjilan, e cila më​​ pas e kishte​​ ndryshuar emrin​​ “Kosmet Prevoz”​​ nga Gjilani, në​​ vendin e punës​​ si​​ konduktor. Ndërmarrje​​ kjo​​ që,​​ me vendimin​​ [nr. 470]​​ të datës 16 prill​​ 1991 i kishte ndërprerë​​ marrëdhënien e punës parashtruesit të​​ kërkesës,​​ me arsyetimin se ai kishte​​ refuzuar të​​ nënshkruajë​​ deklaratën mbi pranimin e masave të​​ përkohshme​​ në​​ këtë​​ ndërmarrje, dhe se si pasojë​​ e kësaj​​ parashtruesi i kërkesës kishte filluar procese gjyqësore, me qëllimin për tu kthyer në​​ punë​​ dhe​​ në lidhje me kompensimin e të ardhurave personale.​​ 

 

  • Për të afirmuar të drejtat e tij​​ në këtë çështje, parashtruesi i kërkesës kishte​​ vazhduar me procese gjyqësore,​​ e​​ që si pasojë Gjykata, do të paraqesë faktet e​​ këtyre proceseve,​​ si​​ ​​ vijim.

 

Procedura e parë gjyqësore

 

  • Më 15 maj 1991,​​ parashtruesi i kërkesës​​ ushtroi padi në​​ Gjykatën Themelore të Punës së Bashkuar në Prishtinë,​​ përmes së cilës​​ propozoi shfuqizimin e vendimit lidhur me​​ ndërprerjen​​ e marrëdhënies​​ së punës dhe pagesën e të ardhurave, kundër ish-N.Sh. "Kosovatrans" - Ndërmarrja për Trafikun e Udhëtarëve në Gjilan.

 

  • Më 15 nëntor​​ 1996,​​ Gjykata Komunale në Prishtinë, nëpërmjet​​ Aktvendimit​​ [C.nr.1355/92]​​ ishte shpallur jo​​ kompetente për të trajtuar çështjen dhe ia kishte​​ transferuar atë për procedim të mëtejshëm​​ Gjykatës Komunale në Gjilan, si gjykatë me kompetencë lëndore​​ dhe territoriale.

 

  • ​​ 29 tetor 1997,​​ Gjykata Komunale në Gjilan, nëpërmjet​​ Aktgjykimit​​ [C.nr.333/97], e kishte​​ ​​ refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar me ligj. ​​ 

 

  • ​​ 20 shkurtit 1998,​​ Gjykata e Qarkut në Gjilan, përmes​​ Aktvendimit​​ [Ac.nr.116/98], duke u bazuar në ankesën e​​ parashtruesit të kërkesës, kishte​​ shfuqizuar aktgjykimin e instancës gjyqësore të shkallës së parë dhe kishte​​ kthyer çështjen për rigjykim.

 

Procedura e dytë gjyqësore

 

  • Bazuar në shkresat e lëndës Gjykata vëren se në rigjykim të çështjes,​​ ​​ 01 shtatorit 1998,​​ ​​ Gjykata Komunale në Gjilan, përmes​​ Aktgjykimit​​ [C.nr.207/98]​​ e kishte​​ refuzuar​​ si të pabazuar kërkesëpadinë​​ e​​ parashtruesit të kërkesës.​​ 

 

  • ​​ 25​​ janar​​ 1999,​​ Gjykata​​ e​​ Qarkut në Gjilan përmes Aktgjykimit​​ [Ac.nr.22/99] vërtetoi aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Komunale në Gjilan.​​ 

 

  • Në një datë të pacaktuar, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për revizion​​ për shkak të (i) shkeljes thelbësore të dispozitave të procedurës dhe (ii) zbatimit të gabuar të së drejtës material. ​​ ​​ ​​​​ 

 

  • Në vitin 2000, krahas këtyre, duhet theksuar se N.Sh. "Kosovatrans”, i është nënshtruar transformimit nga ana e Agjencionit Kosovar të Privatizimit.​​ 

 

  • Më 19 tetor 2006,​​ Gjykata​​ Supreme​​ përmes​​ Aktgjykimit​​ [Rev.nr.68/2006]​​ kishte aprovuar kërkesës për revizion të parashtruesit të kërkesës, përmes të cilit ishte​​ ndryshuar​​ Aktgjykimi​​ [Ac.nr. 22/1999]​​ i​​ 25​​ janarit​​ 1999, i Gjykatës së Qarkut Gjilan,​​ ​​ dhe​​ Aktgjykimi​​ [C.nr. 207/1998]​​ i​​ 1​​ shtatorit​​ 1998,​​ i Gjykatës Komunale Gjilan,​​ ashtu që​​ ishte anuluar​​ si​​ i​​ kundërligjshëm​​ vendimi i​​ ​​ paditurës​​ [nr.470]​​ i​​ 16​​ prillit​​ 1981 dhe vendimi​​ [nr. 577]​​ i​​ 8​​ majit​​ 1991,​​ me të cilat parashtruesit të​​ kërkesës​​ i ishte ndërprerë​​ marrëdhënia e punës dhe e paditura Ndërmarrja Shoqërore e Komunikacionit të​​ Udhëtarëve "Kosova Trans" në​​ Gjilan, ishte detyruar që​​ të njëjtin​​ ta kthejë​​ ​​ punë​​ ​​ detyrat e punës si konduktor, ndërsa pjesën e kërkesëpadisë​​ ​​ tij​​ për​​ kompensim të​​ ​​ ardhurave personale e kishte kthyer në​​ rigjykim tek gjykata e​​ shkallës së​​ parë.

 

Procedura e tretë gjyqësore

 

  • ​​ 17 nëntor 2010,​​ Gjykata Komunale në Gjilan​​ përmes Aktgjykimit​​ [C.nr.95/07]:​​ (I)​​ aprovoi si të bazuar​​ kërkesëpadinë​​ e​​ parashtruesit të kërkesës, e ushtruar kundër të paditurës KTU "Kosovatrans" nga Gjilan, dhe​​ obligohet​​ e paditura që paditësit të​​ ia kompenzoi të ardhurat personale për periudhën kohore prej datës 16​​ prill​​ 1991, deri më datë 26​​ gusht​​ 1999, për shkak të largimit të kundërligjshëm nga puna në shumë prej 18.479 euro dhe kamatën në lartësi prej 3.674 euro, e në shumë të përgjithshme prej 22.153 (njëzet e dymijë e​​ njëqind​​ e pesëdhjetë e tri) euro; (II)​​ Secila palë​​ i bartë​​ shpenzimet e veta të​​ procedurës,​​ ndërsa​​ ​​ mënyrë​​ ​​ barabartë​​ për hartimin e aktgjykimit shumën prej 60 euro, krejt këtë​​ ​​ afat prej​​ 15 ditësh​​ nga dita e plotëfuqishmërisë​​ ​​ këtij Aktgjykimi.

 

  • Pas ankesës së parashtruar nga​​ përfaqësuesi i të paditurit kundër​​ aktgjykimit të,​​ më 18 shtator 2013,​​ Gjykata e Apelit​​ përmes​​ Aktvendimit​​ [CA.nr.745/2012],​​ e kishte prishur aktgjykimin e lartcekur dhe lëndën e kishte rikthyer në rigjykim për vendosje,​​ për të marrë një vendim duke e urdhëruar gjykatën e shkallës së parë​​ ta vërtetojë legjitimitetin pasiv të palës së paditur, respektivisht a është sukcesor i saj, pas transformimeve dhe​​ regjistrimeve​​ pas vitit 1999.

 

Procedura e katërt gjyqësore

 

  • Më​​ datë 23 janar 2017,​​ Gjykata Themelore në Gjilan,​​ përmes​​ Aktgjykimit​​ [C.nr.721/2013]:​​ aprovoi si të bazuar​​ kërkesëpadinë​​ e​​ parashtruesit të kërkesës​​ ndaj të paditurës N.P.L “Stacioni i Autobusëve” sh.a. Gjilan; (I) obligohet e paditura NPL "Stacioni i Autobusëve" sha. në Gjilan që paditësit t'ia kompenzojë të ardhurat personale në lartësi bruto prej 18.479.00€, për periudhën kohore nga 16 prilli 1991 e deri më 26 qershor 1999, në vendin e punës konduktor, në ish N.SH.​​ "Kosovatrans"​​ në Gjilan me kamatë bankare ashtu siç kanë paguar institucionet financiare në Kosove, për mjetet e deponuara mbi një vit pa destinim të veçantë nga 15 maji 1991 deri në muajin dhjetor 2012, kurse pas hyrjes në fuqi të LMD-së nga 1 janar 2013, t'ia paguaj kamatën prej 8% në vit të gjitha në afat prej 7 ditësh pas ditës së pranimit të vendimit nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm; (II) Secila palë i bartë shpenzimet e veta gjyqësore, kurse e paditura detyrohet që kësaj gjykate t’ia paguajë shumën e të hollave në lartësi prej 75€, në emër të përpilimit të vendimit, në afat prej 7 ditësh​​ pas ditës së​​ pranimit të​​ vendimit​​ nën kërcënimin e përmbarimit të​​ dhunshëm.​​ 

 

  • Në një datë të paspecifikuar, kundër aktgjykimit të lartcekur, në afatin ligjor kishte paraqitur ankesë e paditura, për shkak të konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që aktgjykimi i ankimuar të prishet dhe çështja ti kthehet gjykatës së shkallës së parë në​​ rivendosje.

 

 

  • Përgjigje në ankese paraqiti parashtruesi i kërkesës me propozimin që ankesa e të paditurës të refuzohet si e pa bazuar dhe aktgjykimi i​​ ankimuar të​​ vërtetohet.

 

  • Më​​ datë​​ 28 dhjetor​​ 2020,​​ Gjykata e Apelit, nëpërmjet​​ Aktgjykimit​​ [Ac.nr.1368/17]​​ kishte​​ refuzuar​​ si të bazuar​​ ankesën e palëve të paditur, NPL​​ "Stacioni i Autobusëve"​​ Sh.A.​​ dhe​​ vërtetoi​​ Aktgjykimin​​ [C.nr.721/2013]​​ e​​ 23 janarit 2017,​​ ​​ Gjykatës Themelore të Gjilanit.​​ 

 

  • Më datë 11 shkurt 2021, bazuar në shkresat e lëndës Gjykata vëren se kundër këtij Aktgjykimi, i padituri kishte paraqitur kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, për shkak të shkeljes thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të aprovohet si i bazuar revizioni i tij, ndërsa të anulohen të dy aktgjykimet e lartpërmendura dhe​​ lënda t'i​​ bartet në​​ rigjykim dhe rivendosje Dhomës së​​ Posaçme të​​ Gjykatës Supreme.

 

  • Në përgjigje në revizionin e të paditurës, parashtruesi i kërkesës i kontestoi në tërësi thëniet e​​ revizionit dhe propozoi që​​ revizioni​​ i​​ ​​ paditurës të​​ refuzohet si i pabazuar.

 

  • Më 31 mars 2022, Gjykata Supreme​​ përmes Aktgjykimit [Rev.nr.223/2021] aprovoi pjesërisht​​ si​​ ​​ bazuar revizionin​​ e​​ të paditurës, i paraqitur​​ kundër​​ Aktgjykimit​​ [AC.nr. 1368/2017]​​ i​​ 28​​ dhjetorit​​ 2020,​​ të Gjykatës së Apelit, dhe ndryshohet i njëjti aktgjykim, si dhe​​ Aktgjykimi​​ [C.nr.721/2013]​​ i​​ 23​​ janarit​​ 2017,​​ i Gjykatës Themelore në Gjilan, ashtu që refuzohet në tërësi si e pabazuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës​​ që të detyrohet e paditura që paditësit t'i paguajë të ardhurat personale në lartësi bruto prej 18,479.00 euro, për periudhën kohore nga data 16.04.1991 e deri më datën 26.06.1999, në vendin e punës konduktor në ish N.Sh.​​ “Kosovatrans” në Gjilan, [...].​​ 

 

  • Tutje, Gjykata Supreme, në arsyetimin e saj, kishte​​ theksuar​​ si në vijim:

 

“Gjykata Supreme konstaton se zbatimi i gabuar i se drejtës materiale ne këtë rast lidhet me faktin se e paditura si​​ subjekti nga data 15.06.2012, në bazë të​​ Ligjit Nr. 04/L-111​​ për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike​​ (i shpallur në Gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës nr. 13 datë 30.05.2012, hyrja në​​ fuqi pas 15 ditësh pas shpalljes ) sipas listës 2, është me status të ndërmarrjes publike ku në pronësi të​​ 100% të aksioneve​​ është​​ Komuna​​ e​​ Gjilanit, e cila​​ në këtë​​ kontest​​ nuk është​​ në cilësinë e​​ palës​​ ​​ paditur.​​ Për këtë arsye​​ Gjykata Supreme​​ konsideron se e​​ paditura nuk ka legjitimitet pasiv​​ për të qenë​​ palë​​ e​​ paditur në këtë çështje​​ ngase tani më​​ ajo​​ është​​ ndërmarrje publike në pronësi të Komunës së Gjilanit,​​ në të cilën ligjërisht janë bartur​​ të gjitha të drejtat dhe​​ obligimet e saj. “

 

“Për më tepër,​​ Gjykata Supreme​​ gjen edhe se qëndron fakti se janë të kundërligjshme​​ vendimet kontestuese​​ me të cilat i është​​ ndërprerë​​ marrëdhënia​​ e​​ punës së paditësit në vitin 1991,​​ ashtu siç ka konstatuar Gjykata Supreme e Kosovës me​​ aktgjykimin​​ e saj​​ [Rev.nr. 68/2006]​​ datë​​ 25.01.1999, mirëpo tani e paditura nuk mund të ketë legjitimitet pasiv për të qenë e detyruar që paditësit t'ia paguajë të ardhurat personale kontestuese ngase​​ përveç faktit që e paditura tani me është ndërmarrje publike në pronësi të Komunës se Gjilanit, ajo nuk ia ka ndërprerë paditësit marrëdhënien e punës, por ia ka ndërprerë paraardhësja e saj "Kosmet Prevoz" e cila tani më nuk ekziston, e as nuk ka ekzistuar dhe​​ funksionuar pas vitit 1999, në njërën​​ anë, ndërsa në anën tjetër "Kosovatransi", i cili si ndërmarrje ka ekzistuar më parë tek e cila ka qenë i punësuar paditësi, e pasardhës i saj është " Kosmet prevozi", nuk mban përgjegjësi për veprimet e kundërligjshme të ndërmarrjes "Kosmet Prevoz". Pas vitit 1999 "Kosovatransi" i Gjilanit,​​ është krijuar si subjekt i ri, duke mos trashëguar borxhet dhe detyrimet e "Kosmet Prevozit" e cila në rastin konkret në bazë të aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës Supreme të Kosovës kishte pas për detyrim sikur ekzistonte, që paditësit t’ia kompensoj të ardhurat personale.​​ Kjo do të thotë që edhe për këto arsye, e paditura nuk ka legjitimitet pasiv, ndaj, edhe nuk është e detyruar që paditësit t’i kompensojë të ardhurat personale për periudhën kohore 1991-1999 pasi që këtë dëm material paditësit ajo nuk ia ka shkaktuar, atë ia ka shkaktuar një subjekt tjetër ekonomik.”

 

Procedura Përmbarimore e iniciuar nga parashtruesi i kërkesës

 

  • Më 22 shkurt 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti​​ propozim për​​ lejimin e Përmbarimit në​​ Gjykatën Themelore​​ ​​ Gjilan, në bazë të dokumentit përmbarimor – Aktgjykimit [C.nr.721/2013] të 23 janarit 2017, të Gjykatës Themelore, i plotfuqishëm me 28 dhjetor 2020 dhe i ekzekutueshëm më 28 shkurt 2021, aktgjykim ky i vërtetuar edhe me​​ Aktgjykimin​​ [Ac.nr.1368/2017]​​ e​​ 28​​ dhjetorit​​ 2020,​​ ​​ Gjykatës së​​ Apelit.

 

  • Më 19 mars 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [CP.nr.62/2021], lejoi përmbarimin e propozuar të parashtruesit të kërkesës, në bazë të dokumentit përmbarimor​​ ​​ Aktgjykimit [C.nr.721/2013] të 23 janarit 2017, të Gjykatës Themelore.​​ 

 

  • Më 29 mars 2021, e paditura kishte paraqitur prapësim, ndërsa më 29 prill 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi përgjigje në prapësim duke kërkuar nga gjykata që të refuzojë prapësimin dhe të lejë në fuqi urdhrin përmbarimor, pasi që kërkesa e debitorit është​​ e paarsyeshme.

 

  • Më 30 prill 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [CP.nr. 62/21] (I) refuzoi si të pabazuar prapësimin e 29 marsit 2021, të debitorit N.P.L. "Stacioni i Autobusëve" Sh.A., të paraqitur kundër Urdhrit për Përmbarim [CP.nr.62/21] të 19 marsit 2021, i lejuar nga kjo gjykatë dhe i njëjti urdhër mbetet në fuqi; (II) Detyrohet debitori N.P.L. "Stacioni i Autobusëve" Sh.A. që​​ parashtruesit të kërkesës​​ t'i paguaj shpenzimet e kësaj procedure në​​ shume prej 412.00€.

 

  • Kundër aktvendimit të lartcekur,​​ ​​ afatin ligjor ka ushtruar ankesë​​ debitori, me të​​ cilën kundërshtonte​​ ​​ tërësi aktvendimin duke propozuar që​​ Gjykata e Apelit ta prishë​​ aktvendimin​​ e gjykatës së​​ shkallës së​​ parë​​ dhe ta shfuqizojë​​ aktvendimin për lejimin e përmbarimit, apo ta​​ shtyjë​​ përmbarimin derisa Gjykata Supreme e Kosovës, do të​​ vendosë​​ lidhur me revizionin e​​ paraqitur kundër​​ Aktgjykimit​​ [C.nr.721/2013]​​ ​​ 23​​ janarit​​ 2017, të Gjykatës Themelore​​ ​​ dhe​​ Aktgjykimit​​ [Ac.nr.1368/2017] të 28​​ dhjetorit​​ 2020, të Gjykatës së Apelit,​​ si dokument përmbarues ose​​ çështja të​​ kthehet në​​ procedim të​​ serishëm​​ dhe​​ rivendosje.

 

  • Përgjigje​​ ​​ ankesë​​ paraqiti​​ parashtruesi i kërkesës​​ me propozim që​​ ankesa e debitorit​​ ​​ refuzohet si e​​ pa bazuar ndërsa​​ Aktvendimi i​​ Gjykatës​​ Themelore​​ ​​ vërtetohet.

 

  • Më 10 maj 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.3855/21]​​ refuzoi​​ si të​​ pathemeltë​​ ankesën e​​ debitorit N.P.L "Stacioni i Autobusave" Sh.A,​​ ndërsa​​ vërtetoi​​ Aktvendimin​​ [Cp.nr.62/2021] e​​ 30​​ prillit​​ 2021,​​ të Gjykatës Themelore.​​ Në arsyetimin e aktvendimit të saj, Gjykata e Apelit arsyetoi si në vijim:​​ “Gjykata e Apelit i vlerësoi pretendimet ankimore lidhur me propozimin për shtyrje të përmbarimit, për arsye se pala debitore kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme të Kosovës, mirëpo Gjykata e Apelit nuk mund ta merr këtë pretendim si të bazuar për faktin se paraqitja e​​ mjetit të jashtëzakonshëm nuk është arsye për shtyrje të përmbarimit dhe se neni 231 i LPK-së përcakton se: "Revizioni i paraqitur nuk është pengesë për përmbarimin e aktgjykimit të formës së prerë të goditur".

 

  • Më datë​​ 29 gusht 2022, Gjykata Themelore e Gjilanit​​ përmes​​ Aktvendimit​​ [CP.nr.62/2021]​​ përfundoi procedurën​​ përmbarimore​​ të parashtruesit të kërkesës, kundër debitorit N.P.L "Stacioni i Autobusëve" sh.a, sipas propozimit të 22 shkurt 2021, për përmbarimin e dokumentit përmbarimor -​​ Aktgjykimit​​ [C.nr.721/2013], lidhur me pagesën e të ardhurave personale, në lartësi prej 18,479.00 €. Tutje, në arsyetimin e saj ajo kishte theksuar​​ si në vijim:​​ 

 

“Debitori N.P.L "Stacioni i Autobusëve" sh.a, me seli në Gjilan, përmes përfaqësuesit të tij F.​​ M., me dt.14.02.2021, ka ushtruar revizion në Gjykatën Supreme të Kosovës në Prishtinë, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës në Prishtinë, Ac.nr.1368/2017, të dt.28.12.2020, dhe aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, C.nr.721/2013, të dt.2301.2017, duke i ndryshuar të njëjtat aktgjykime, ashtu që​​ ka refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësit Shahin Shahini nga Prishtina, të paraqitur kundër të paditurës N.P.L. “Stacioni i Autobusëve” sh.a., me seli në Gjilan.

 

Pas kthimit të lëndës nga Gjykata Supreme e Kosovës, kjo gjykatë duke u bazuar në aktgjykimin e gjykatë së revizionit Re.nr.223/2021, të dt.31.03.2021, dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, ka përfunduar procedurën përmbarimore.”.

 

Pretendimet e parashtruesit​​ të kërkesës

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon​​ se​​ Gjykata Supreme​​ nëpërmjet​​ Aktgjykimit të​​ saj​​ [Rev.nr.223/2021]​​ 31 marsit​​ 2022, ka shkelur Nenin 31 paragrafi 1​​ [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], i cili garantohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

 

  • Sipas parashtruesit​​ ​​ kërkesës,​​ Gjykata Supreme, me​​ vendimin​​ e saj, ka​​ bërë​​ shkelje​​ ​​ të drejtave​​ e​​ tij​​ pasi​​ ​​ nuk ka zbatuar saktësisht të drejtën materiale,​​ për arsye​​ se faktet vendimtare që kanë ndikuar në marrjen e vendimit të këtij​​ Aktgjykimi janë në kundërshtim me ligjin në të cilin bazohet Gjykata,​​ në argumentimin e​​ saj.

 

  • Tutje, parashtruesi i kërkesës thekson se​​ Gjykata Supreme​​ ka refuzuar kërkesëpadinë​​ e tij​​ me argumentin:​​ [...]​​ pala e paditur, si subjekt nga data 15 qershor​​ 2012, është me status të​​ ndërmarrjes​​ publike, ku në pronësi të 100% të aksioneve është Komuna e​​ Gjilanit, e cila në këtë kontest nuk është në cilësinë e palës së paditur, duke konsideruar se e paditura nuk ka legjitimitet pasiv.​​ Tutje parashtruesi ​​ i​​ kërkesës pretendon se​​ Gjykata​​ Supreme​​ në këtë rast bie në kundërshtim me Ligjin për​​ Ndërmarrje​​ Publike 03/L-087, veçanërisht me Nenin 39, Pika 2, i cili thotë:​​ "Nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të gjitha borxhet dhe detyrimet e papaguara financiare të Shoqërisë Holding do t’i barten dhe do të merren përsipër nga NP e cila njëkohësisht me inkorporimin e saj si shoqëri aksionare sipas Rregullores së UNMIK-ut 2001/6, ka marrë pronësinë ose posedimin e të gjitha ose një pjese të konsiderueshme të aseteve operative dhe të tjera të ndërmarrjes e cila fillimisht ka hyrë në këtë borxhe ose detyrime; me kusht që nëse këto asete i janë bartur më shumë se një shoqërie aksionare, atëherë secili shoqëri e këtillë do të jetë bashkërisht dhe individualisht përgjegjëse për borxhet dhe detyrimet e pa përmbushura të ndërmarrjes e cila fillimisht i kishte krijuar këto borxhe ose detyrime, dhe secila shoqëri e këtillë ka të drejtë të pranojë kontribute nga të tjerat nëse asaj i kërkohet që të paguajë ose për ndryshe të përmbushë me shumë se pjesën e saj të këtyre borxheve ose detyrimeve (pjesa e saj është e barabartë me përqindjen, e përcaktuar në bazë të vlerës, të aseteve të ndërmarrjes fillestare të cilat i janë bartur kësaj shoqërie)."

 

  • Tutje​​ parashtruesi i kërkesës pretendon se​​ ajo​​ që​​ e​​ bën të qartë se e paditura ka legjitimitet pasiv për të qenë palë e paditur është fakti se​​ të gjitha borxhet dhe detyrimet e papaguara financiare janë marrë përsëri nga Ndërmarrja Publike.​​ Për faktin se, kjo ndodh për shkak të transferimit të pronësisë së subjektit të paditur, duke marrë​​ parasysh se subjekti i palës së​​ paditur nuk​​ është​​ shuar e as nuk ka falimentuar, por vetëm​​ është​​ ndryshuar pronari i cili i ka marrë​​ mjetet, të​​ drejtat dhe obligimet e subjektit të​​ pronarit paraprak.

 

  • Sipas parashtruesit të​​ kërkesës​​ është e rëndësishme të theksohet se çështja e legjitimitetit të palës ka qenë e vendosur nga vetë Gjykata Supreme, e cila e ka konfirmuar me​​ Aktgjykimin​​ [Rev.nr.68/2006]​​ e​​ 19 tetorit​​ 2006. Me këtë aktgjykim, ishte​​ ndryshuar​​ Vendimi i Gjykatës së Qarkut në Gjilan​​ [Ac.nr.22/1999]​​ i​​ 25 janarit​​ 1999 dhe​​ Vendimi i Gjykatës Komunale në Gjilan​​ [C.nr.207/1998]​​ i​​ 1 shtatorit​​ 1998, në​​ të cilat vendimet e të paditurës​​ [nr.470],​​ të​​ 16 prillit​​ 1991​​ dhe​​ Vendimi​​ [nr.577]​​ të 8 majit​​ 1991,​​ me të​​ cilat​​ parashtruesit të​​ kërkesës​​ i ishte ndërprerë​​ marrëdhënia e punës në​​ mënyrë​​ të​​ kundërligjshme.​​ Sipas parashtruesit​​ të kërkesës​​ në​​ çështja​​ ishte​​ rikthyer​​ në​​ rigjykim,​​ vetëm sa i​​ përket​​ caktimit të​​ kompensimit të​​ të​​ ardhurave personale, në gjykatën e shkallës së parë. Ky konstatim​​ ishte​​ konfirmuar edhe nga Gjykata Themelore në​​ Aktgjykimin​​ [C.nr.721/2013]​​ e​​ 23 janarit​​ 2017 dhe nga Gjykata e Apelit me Aktgjykimin​​ [Ac.nr.1368/117]​​ e​​ 28 dhjetorit​​ 2020, duke vënë theksin edhe një herë tek neni 10 i Statutit të të paditurës,​​ në​​ të​​ cilin përcaktohet: “e​​ paditura është trashëgimtare e​​ Ndërmarrjes​​ Shoqërore Stacioni i Autobusëve në Gjilan dhe është përgjegjëse për borxhet dhe detyrimet tjera me tërë asetet dhe pasurinë e saj, ku trashëgon të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë që vijnë si rezultat i këtij transformimi",​​ duke e vlerësuar faktin e legjitimitetit të paditurit si jo kontestues.

 

  • Duke marrë​​ parasysh këto rrethana,​​ parashtruesi i kërkesës konsideron​​ se​​ arsyetimi​​ për refuzimin e kërkesëpadisë​​ nga ana e​​ Gjykatës Supreme​​ të​​ Kosovës, është i pa bazuar dhe jo në harmoni me të drejtën materiale.​​ Tutje, parashtruesi i kërkesës thekson:​​ Kjo për faktin se në​​ këtë​​ çështje juridike gjykata​​ është​​ dashur të​​ aplikojë​​ dispozitën e nenit 39 pika 2 të​​ Ligjit për Ndërmarrje Publike -03/L-087 dhe t'ia vërtetojë​​ paditësit të​​ drejtën për kompensimin e të​​ ardhurave personale, e drejtë​​ kjo që​​ i​​ është​​ mohuar paditësit padrejtësisht, dhe i njëjti orvatet tash e 30 vite nëpër Gjykatat e Kosovës me shpresën se do t'i mundësohet realizimi i të​​ drejtës së​​ tij.”.

 

  • Sipas parashtruesit të kërkesës,​​ Gjykata Supreme, duke marrë​​ dy vendime të​​ ndryshme dhe kontradiktore ne dy raste të​​ ndryshme të​​ revizionit, ka shkelur rëndë parimin e sigurisë juridike të palëve në procedurë.​​ Dhe se, në këtë situatë, ku gjithë procesi ka kaluar nëpër shumë instanca gjyqësore të ndryshme dhe është vërtetuar​​ disa herë e​​ drejta e​​ parashtruesit të kërkesës​​ për kompensimin e të ardhurave personale,​​ dhe që si pasojë kërkon​​ anulimin e​​ Vendimit të Gjykatës Supreme, duke e lënë në fuqi Aktvendimin e​​ plotfuqishëm​​ mbi lejimin e përmbarimit.

 

Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

“1. ​​ Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

 

[...]”

 

LIGJI NR. 03/L-087 PËR NDËRMARRJET PUBLIKE

 

Neni 39​​ 

Disponimi me Aksionet dhe Detyrimet e Mbajtura ose Paraprakisht të Marra Përsipër nga Shoqëritë Holding

 

“[...]

 

39.2. ​​ Nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të gjitha borxhet dhe detyrimet e papaguara financiare të Shoqërisë Holding do t’i barten dhe do të merren përsipër nga NP e cila njëkohësisht me inkorporimin e saj si shoqëri aksionare sipas Rregullores së UNMIK-ut 2001/6, ka marrë pronësinë ose posedimin e të gjitha ose një pjese të konsiderueshme të aseteve operative dhe të tjera të ndërmarrjes e cila fillimisht ka hyrë në këtë borxhe ose detyrime; me kusht që nëse këto asete i janë bartur më shumë se një shoqërie aksionare, atëherë secili shoqëri e këtillë do të jetë bashkërisht dhe individualisht përgjegjëse për borxhet dhe detyrimet e pa përmbushura të ndërmarrjes e cila fillimisht i kishte krijuar këto borxhe ose detyrime, dhe secila shoqëri e këtillë ka të drejtë të pranojë kontribute nga të tjerat nëse asaj i kërkohet që të paguajë ose për ndryshe të përmbushë me shumë se pjesën e saj të këtyre borxheve ose detyrimeve (pjesa e saj është e barabartë me përqindjen, e përcaktuar në bazë të vlerës, të aseteve të ndërmarrjes fillestare të cilat i janë bartur kësaj shoqërie).

 

[...].”

 

LIGJI Nr. 04/L-111​​ PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT Nr. 03/L-087 PËR NDËRMARRJET PUBLIKE

 

Neni 23

 

“[...]

 

1. Lista 1 Ndërmarrjet Publike Qendrore në ligjin bazik fshihet dhe riformulohet si në vijim:

15. Stacioni i Autobusëve Gjilan, Gjilani 100%.

 

“[...]

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  • Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të cilat janë të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të Punës.

 

  • Në​​ këtë​​ drejtim,​​ Gjykata​​ i​​ referohet​​ paragrafëve 1 dhe 7 të nenit​​ 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:

 

1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

 

[...]

 

7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

 

[...]

 

  • Gjykata i referohet edhe neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës)​​ dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që përcaktojnë:

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.​​ 

 

2.​​ Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.​​ 

 

Neni 48​​ 

(Saktësimi i kërkesës)

 

Parashtruesja e kërkesës​​ ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestojë.​​ 

 

Neni 49​​ 

(Afatet)

 

Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor....

 

  • Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i​​ kërkesës është palë e autorizuar,​​ i cili​​ kundërshton aktin e organit publik, përkatësisht​​ Aktgjykimin [Rev.nr.223/2021]​​ e​​ 31​​ marsit 2022,​​ të Gjykatës Supreme,​​ pasi​​ që​​ ka shteruar të gjitha mjetet juridike.​​ Parashtruesi i​​ kërkesës​​ gjithashtu theksoi të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur, në përputhje me kërkesat e nenit 48​​ (Saktësimi i kërkesës) të​​ Ligjit​​ dhe kërkesën e ka paraqitur në përputhje me afatet e përcaktuara në nenin 49​​ (Afatet)​​ të Ligjit.

 

  • Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu i referohet rregullit​​ 34 (2) të Rregullores së​​ Punës​​ që përcakton:

 

(2)​​ Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime​​ “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së,​​ Kemmachev kundër Francës, Kërkesa nr. 17621/91,​​ kategoria (i),​​ Mentzen kundër Letonia,​​ Kërkesa nr. 71074/01,​​ kategoria (ii) dhe​​ Trofimchuk kundër Ukrainës, Kërkesa nr. 4241/03,​​ kategoria (iii)).

 

  • Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

 

  • Fillimisht, Gjykata thekson se thelbi i rastit ndërlidhet me​​ kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për tu kthyer në vendin e punës si konduktor në kompaninë Kosovatrans, nga e cila ishte larguar nga puna në vitin 1991 si pasojë e vendosjes së masave të dhunshme në Kosovë, si dhe kërkesës për kompensimin e pagave të papaguara.​​ I njëjti ishte larguar bazuar në arsyetimin se ai kishte refuzuar të nënshkruajë deklaratën mbi pranimin e masave të përkohshme në këtë ndërmarrje, dhe se si pasojë e kësaj parashtruesi i kërkesës kishte filluar procese gjyqësore, me qëllimin për t’u kthyer në punë dhe në lidhje me kompensimin e të ardhurave personale.​​ Rasti i parashtruesit deri tek marrja e vendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, kaloi nëpër 4 procedura gjyqësore. Rrjedhimisht, më 19 tetor 2006, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.68/2006] kishte aprovuar kërkesën për kthim të detyruar në punë në detyrat e punës si konduktor, ndërsa pjesën e kërkesëpadisë së tij për kompensim të të ardhurave personale e kishte kthyer në rigjykim tek gjykata e shkallës së parë. Përfundimisht, Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar​​ thekson se të paditurës i mungon legjitimiteti pasiv, pasi​​ që e njëjta përmes Ligjit Nr. 04/L-111 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike kishte kaluar në status të ndërmarrjes publike ku në pronësi të​​ 100% të aksioneve është Komuna e Gjilanit, e cila në këtë kontest nuk është në cilësinë e palës së paditur.​​ 

 

  • Përderisa parashtruesi i kërkesës shpërfaqë pretendime për shkelje të të drejtave të tij të​​ garantuara me nenin​​ 31 të Kushtetutës, Gjykata vëren se i njëjti para Gjykatës i konteston konstatimet e Gjykatës së Apelit, duke pretenduar, në thelb shkelje të nenit 31 të Kushtetutës që kanë të bëjnë me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material.

 

(i) Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës për sa i përket interpretimit​​ të gabuar të ligjit

 

  • Parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës konstatimet e Gjykatës së Supreme, duke pretenduar në thelb shkelje​​ që kanë të bëjnë me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material.​​ Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, vë theks në interpretimin e gabuar të së drejtës materiale në kontekst të përcaktimit të çështjes së legjitimitetit pasiv të të paditurës duke theksuar që Gjykata​​ “është dashur të aplikojë dispozitën e nenit 39 pika 2 të Ligjit për Ndërmarrje Publike 03/L-087 dhe t'ia vërtetojë paditësit të drejtën për kompensimin e të ardhurave personale, e drejtë kjo që i është mohuar paditësit padrejtësisht”.

 

  • Në shqyrtimin e këtyre pretendimeve, Gjykata thekson se të njëjtat në esencë ndërlidhen me zbatimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm nga Gjykata​​ Supreme, pretendime të cilat, Gjykata në përputhje me praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, i konsideron si​​ "pretendime të shkallës së katërt”.

 

  • Në kontekst të kësaj kategorie pretendimesh, Gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe duke marrë parasysh veçoritë e saj, siç janë përcaktuar përmes KEDNJ-së, parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, ajo vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të "kushtetutshmërisë" dhe "ligjshmërisë" dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me​​ Kushtetutë dhe/ose me KEDNJ. (Shih, në këtë kontekst, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim për Papranueshmëri i 23 shtatorit 2021, paragrafi 49; KI145/20, parashtrues Hafize Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 33; KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18,​​ me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60).

 

  • Gjykata gjithashtu ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër​​ Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruar aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës,​​ KI145/20, cituar më lartë, paragrafi  34;​​ KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe​​ KI154/17 dhe KI05/18,​​ cituar më lart, paragrafi 61).

 

  • Megjithatë Gjykata thekson se praktika gjyqësore e​​ Gjykatës dhe e​​ GJEDNJ-së​​ gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ-në. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 janarit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës​​ KI154/17 dhe KI05/18,, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës.​​ 

 

  • Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me çështjen e legjitimitetit pasiv të të paditurës, të cilën Gjykata Supreme e vlerësoi si të munguar në Aktgjykimin​​ [Rev.nr.223/2021]​​ e​​ 31​​ marsit​​ 2022,​​ e njëjta​​ kishte theksuar ​​ si në vijim:

 

“Gjykata Supreme konstaton se zbatimi i gabuar i se drejtës materiale ne këtë rast lidhet me faktin se e paditura si subjekti nga data 15.06.2012, në bazë të Ligjit Nr. 04/L-111 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike (i shpallur në Gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës nr. 13 datë 30.05.2012, hyrja në fuqi pas 15 ditësh pas shpalljes ) sipas listës 2, është me status të ndërmarrjes publike ku në pronësi të 100% të aksioneve është Komuna e Gjilanit, e cila në këtë kontest nuk është në cilësinë e palës së paditur. Për këtë arsye Gjykata Supreme konsideron se e paditura nuk ka legjitimitet pasiv për të qenë palë e paditur në këtë çështje ngase tani më ajo është ndërmarrje publike në pronësi të Komunës së Gjilanit, në të cilën ligjërisht janë bartur të gjitha të drejtat dhe obligimet e saj. “

 

“Për më tepër, Gjykata Supreme gjen edhe se qëndron fakti se janë të kundërligjshme vendimet kontestuese me të cilat i është ndërprerë marrëdhënia e punës së paditësit në vitin 1991, ashtu siç ka konstatuar Gjykata Supreme e Kosovës me aktgjykimin e saj [Rev.nr. 68/2006] datë 25.01.1999, mirëpo tani e paditura nuk mund të ketë legjitimitet pasiv për të qenë e detyruar që paditësit t'ia paguajë të ardhurat personale kontestuese ngase përveç faktit që e paditura tani me është ndërmarrje publike në pronësi të​​ Komunës se Gjilanit, ajo nuk ia ka ndërprerë paditësit marrëdhënien e punës, por ia ka ndërprerë paraardhësja e saj "Kosmet Prevoz" e cila tani më nuk ekziston, e as nuk ka ekzistuar dhe funksionuar pas vitit 1999, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër "Kosovatransi", i cili si ndërmarrje ka ekzistuar më parë tek e cila ka qenë i punësuar paditësi, e pasardhës i saj është " Kosmet prevozi", nuk mban përgjegjësi për veprimet e kundërligjshme të ndërmarrjes "Kosmet Prevoz". Pas vitit 1999 "Kosovatransi" i Gjilanit, është krijuar si subjekt i ri, duke mos trashëguar borxhet dhe detyrimet e "Kosmet Prevozit" e cila në rastin konkret në bazë të aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës Supreme të Kosovës kishte pas për detyrim sikur ekzistonte, që paditësit t’ia kompensoj të ardhurat personale. Kjo do të thotë që edhe për këto arsye, e paditura nuk ka legjitimitet pasiv, ndaj, edhe nuk është e detyruar që paditësit t’i kompensojë të ardhurat personale për periudhën kohore 1991-1999 pasi që këtë dëm material paditësit ajo nuk ia ka shkaktuar, atë ia ka shkaktuar një subjekt tjetër ekonomik.”

 

  • Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se Gjykata​​ Supreme​​ përmes vendimit të kontestuar kishte ndryshuar Aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë​​ dhe të dytë, duke trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe palës së paditur, duke përfshirë edhe ato që ndërlidhen me interpretimin e gabuar të dispozitave ligjore, përkatësisht të​​ çështjes së​​ përcaktimit të legjitimitetit pasiv të paditurit. Nën dritën e të lartcekurave, Gjykata vëren se ​​ Gjykata​​ Supreme kishte​​ arsyetuar se përse e paditura nuk ka legjitimitet pasiv në këtë çështje kontestimore dhe se e njëjta nuk është e detyruar ligjërisht që parashtruesit të kërkesës t’i paguajë të ardhurat personale për periudhën e kohore 1991-1999.​​ Gjithashtu Gjykata Supreme kishte sqaruar që të paditurës i mungonte legjitimiteti pasiv​​ për të qenë palë e paditur në këtë çështje ngase tani më ajo​​ ishte​​ ndërmarrje publike në pronësi të Komunës së Gjilanit, në të cilën ligjërisht janë bartur të gjitha të drejtat dhe obligimet e saj.

 

  • Në vijim, për sa i përket pretendimit​​ të parashtruesit të kërkesës, sipas të cilit Gjykata Supreme “duke marrë dy vendime të ndryshme dhe kontradiktore​​ ​​ dy raste të ndryshme të revizionit, ka shkelur rëndë parimin e sigurisë juridike të palëve në procedurë”, Gjykata​​ thekson se ndryshimi i rezultatit të një çështjeje për shkak të një procedure të rishqyrtuar nuk do të thotë që nuk ka siguri juridike, në fakt është pikërisht qëllimi i një procedure të rishqyrtuar për të siguruar që të gjitha provat dhe dëshmitë të trajtohen në mënyrë të duhur dhe që rrjedhimisht në shumë raste të çojnë në një rezultat tërësisht​​ ​​ ndryshëm. Megjithatë, ky ndryshim nuk do të thotë që ka shkelje të nenit 31 të Kushtetutës. Në fakt, nëpërmjet një procesi të rishqyrtuar, në këtë rast, Gjykata Supreme gjeti se pala nuk ka legjitimitet pasiv, pra nuk mund të kërkohet nga ndërmarrja diçka për të cilën nuk mund të jetë subjekt për atë çështje.

 

  • Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se ajo vet nuk mund të shndërrohet në gjykatë të faktit dhe t’u tregojë gjykatave të rregullta se cila do të ishte mënyra më e përshtatshme e zbatimit të së drejtës materiale, sepse një kompetencë e tillë, si rregull, i takon gjykatave të juridiksionit të rregullt që ta bëjnë. Gjykata thekson se ajo mund të ndërhyjë vetëm atëherë kur arsyetimi i vendimeve të gjykatave të rregullta është tejet arbitrar dhe i pajustifikueshëm, çfarë në rrethanat konkrete nuk kemi të bëjmë me vendime qartazi arbitrare ose të pajustifikuara.

 

  • Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për zbatim të gabuar të​​ së drejtës materiale, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të ligjit, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumentoi para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga Gjykata e Apelit, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç​​ kësaj, Gjykata vlerëson se Gjykata​​ Supreme​​ ka marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit kërkesës dhe i ka arsyetuar të njëjtat (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës​​ KI64/20, parashtrues,​​ Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe​​ KI37/21​​ parashtrues,​​ Isa Tusha, Naser Tusha dhe Miradije Tusha, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shtatorit 2021, paragrafi 67).

 

  • Andaj, Gjykata nga shtjellimet e mësipërme konsideron se parashtruesi i kërkesës thjeshtë është i pakënaqur me rezultatin e procedurës pranë gjykatave të rregullta, megjithatë pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GjEDNj-së​​ Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, kërkesa nr. 5503/02, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).

 

  • Prandaj,​​ Gjykata konsideron se​​ parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij​​ se gjykatat e rregullta mund të kenë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e "shkallës së katërt" dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të "ligjshmërisë" dhe nuk janë argumentuar në nivel të "kushtetutshmërisë". Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.​​ 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më​​ 28​​ maj​​ 2024, njëzëri:​​ 

 

VENDOS​​ 

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  • T'UA KUMTOJË​​ këtë Aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË​​ këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  • Ky Aktvendim hyn ne fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, ne pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.​​ 

 

 

 

Gjyqtarja raportuese  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​  ​​ ​​ ​​ ​​​​  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetare e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Selvete Gërxhaliu Krasniqi  ​​ ​​ ​​ ​​​​   ​​​​  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​  ​​​​ Gresa Caka-Nimani

1

 

Parashtruesit:

Shahin Shahini

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile