Prishtinë, më 27 maj 2024
Nr. ref.: RK 2431/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI51/23
Parashtrues
Elmi Simnica
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit AC. nr. 406/2021 të 23 shtatorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Elmi Simnica, nga fshati Bardh i Madh, komuna Fushë Kosovë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i cili përfaqësohet nga Jeton Osmani, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit AC. nr. 406/2021 të 23 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit.
Aktgjykimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 25 tetor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës se Apelit, me të cilët parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], në lidhje me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), dhe me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 01/2023 u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur, e cila ka shfuqizuar Rregulloren e punës së Gjykatës nr. 01/2018. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 23 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në njërën nga filialet e Postës së Kosovës, e cila në Gjykatë arriti dhe u regjistrua më 27 shkurt 2023
Më 2 mars 2023, Gjykata për regjistrimin e kërkesës njoftoi parashtruesin e kërkesës.
Më 2 mars 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të dorëzonte si dëshmi fletëkthesën e cila konfirmon datën e dorëzimit të Aktgjykimit të kontestuar tek parashtruesi i kërkesës. Të njëjtën datë, një kopje e kërkesës në pajtim me Ligjin iu dërgua Gjykatës së Apelit, në cilësi të palës kundërshtare.
Më 3 mars 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë e informoi Gjykatën se parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar Aktgjykimi i kontestuar, më 25 tetor 2022.
Më 7 mars 2023, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin GJR.KI51/23 caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare raportues dhe me Vendimin KSh.KI51/23 emëroi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 29 prill 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që të deklarojë kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Parashtruesi i kërkesës ishte punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KEK) në vitin 1973 dhe kishte punuar te e njëjta deri në arritjen e moshës së pensionimit, respektivisht deri më 5 qershor 2019.
Më 18 qershor 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë pranë KEK-ut, për njohjen e shpërblimit jubilar, respektivisht pagesën e tri (3) pagave jubilare në shumen e tërësishme prej dymijë e tridhjetë e katër (2034.00) euro.
Më 22 qershor 2018, KEK, nëpërmjet njoftimit [nr. 4781], e informoi parashtruesin e kërkesës se kërkesa e tij për pagesën e tri (3) pagave jubilare është refuzuar, me arsyetimin se: “E drejta në shpërblim jubilar nuk është e përcaktuar me Ligj, këtë të drejtë e parasheh Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive dhe Kodi ynë i Punës, por jo si të drejte imperative. Po ashtu u bëjmë me dije se Oda Ekonomike e Kosovës si nënshkruese e Marrëveshjes ka parashtruar Kërkesën për prolongim të zbatimit por.nr.783 dt.12.12.2014 si dhe me dt. 15.09.2017 prot nr. 392 është tërhequr nga Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive 3 muaj para skadimit te saj. Sidoqoftë kërkesa e juaj është e parashkruar”.
Më 28 qershor 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër njoftimit [nr. 4781] për refuzimin e kërkesës për pagesën e tri (3) pagave jubilare. Nëpërmjet kërkesëpadisë, parashtruesi i kërkesës kërkoi (i) të detyrohet e paditura (KEK), që t’ia paguajë atij shumen e tërësishme prej dymijë e tridhjetë e katër (2034.00) euro, në emër të tri (3) pagave jubilare, si dhe diferencën në pagë në shumen prej treqind e nëntëdhjetë e shtatë, pikë tridhjetë e dy (397,32) euro.
Më 16 dhjetor 2019, KEK dorëzoi përgjigje në kërkesëpadi, duke theksuar se: “E paditura e konteston në tërësi, si të pa bazuar, kërkesëpadinë e paditësit për faktin se sipas Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, parashihet qe punëmarrësve e drejta e shpërblimit jubilar iu takon në rast të arritjes se 10-20-30 vite të përvojës së punës së pa ndërprerë në kohen sa ka zgjatë MPKK konkretisht në periudhën 01.01.2015 deri 31.12.2017, gjë qe ketë kriter paditësi nuk e ka plotësuar. Paditësi, vitet e përvojës se punës i ka arritur në kohen kur nuk ka ekzistuar kjo e drejte por edhe sikur te ekzistonte kjo e drejte në atë kohë duke marr parasysh kohen e paraqitjes se padisë viti 2018 i bie se kanë kaluar mbi 3 vite çka do të thotë se padia e paditësit është ushtruar pas çdo afati ligjor të paraparë me dispozitat e nenit 376 dhe 357 të LMD-së së Kosovës dhe nenit 87 të Ligjit të Punës Nr.03/L-212”.
Më 23 nëntor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë, me Aktgjykimin [C. nr. 2041/18], e (i) aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, (ii) e detyroi të paditurën KEK, që t’ia paguajë parashtruesit të kërkesës shumën prej dymijë e tridhjetë e katër (2034.00) euro, me kamatë ligjore prej tetë perqind (8%), duke përfshirë dhe shpenzimet e procedurës, dhe (iii) e refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e tij, përkitazi me pjesën që kishte të bënte me pagesën e shumes prej, treqind e nëntëdhjetë e shtatë pikë tridhjetë e dy (397,32) euro.
Gjykata Themelore, ndër të tjera, arsyetoi se: “Nga provat e administruara dhe deklarimet e palëve ndergjyqese nuk ishte kontestuese se i padituri ka qenë i punësuar te e paditura dhe atë për më shumë së 39 vite, e po ashtu nuk ishte kontestuese se një kërkesë e tillë është paraparë me dispozitat e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës e nënshkruar me datën 18.06.2014, në fuqi nga dt.o1.01.2015. Gjykatat vlerësoi si të pabazuara pretendimet e te autorizuarit të paditurës se është parashkruar e drejta në kërkesën, e tri pagave jubilare, pasi që vlerëson se në kohen kur është pensionuar paditësi, Kontrata kolektive nuk ka qene në fuqi, nga se e paditura me vendimin e bordit të vet nr.8261 të dates.23.08.2019, e ka vazhduar njohjen për pagesën e pagave jubilare. Gjykata gjeti se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës, qe ka hyre ne fuqi nga 01.01.2015, në nenin 52 të saj ka përcaktuar të drejtën në shpërblim jubilar, si dhe ka qenë në fuqi në kohen kur paditësi ka plotësuar kushtin për kompensim të pagave jubilare, pastaj vet e paditura me vendimin e saj nr.8261 të datës. 23.08.2019, par. 1. e ka vazhduar njohjen e të drejtës për shpërblim jubilar për të gjithë punëtoret që kanë plotësuar, kushtin deri me 31.12.2019, pra qe kane arritur përvojën e punës 10, 20 apo 30 vite prej datës 01.01.2015 e në vazhdimësi. Bazuar në vitet e përvojës se punës se paditësit, te e paditura, gjykata ka gjetur se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar konform dispozitave të nenit 52 par. 1, par.2 dhe par.3, të Marrëveshjes se Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ku sipas këtyre dispozitave paditësit për 30 vite përvojë pune i takon shpërblimi jubilar në vlerë të 3-tri pagave mujore të tij, duke u bazuar në kontratën e punës të paditësit, ku vërtetohet se paga e tij bruto ka qenë 678.00 €, atëherë shpërblimi jubilar arrin vlerën 2.034.00 €”.
Në një datë të paspecifikuar, KEK-u parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër Aktgjykimit [C. nr. 2041/18] të 23 nëntorit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që kërkesëpadia të refuzohet në tërësi.
Parashtruesi i kërkesës, kundër ankesës së KEK-ut në Gjykatën e Apelit e dorëzoi përgjigje në ankesë, nëpërmjet së cilës kërkoi që ankesa e KEK-ut të refuzohet në tërësi si e pabazuar.
Më 23 shtator 2022, Gjykata e Apelit, me Aktgjykimin Ac. nr. 406/21, e aprovoi ankesën e KEK-ut dhe e ndryshoi Aktgjykimin [C. nr. 2041/18] e 23 nëntorit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke refuzuar kështu në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Në arsyetimin e Aktgjykimit te saj Gjykata e Apelit, ndër të tjera, thekson: Kolegji vlerëson se në rastin e tillë kërkesa e paditësit nuk gjen mbështetje në dispozitat e Marrëveshjes se Përgjithshme Kolektive, për arsye se e njëjta ka hy ne fuqi me date 01.01.2015 dhe se e njëjta ka qene ne fuqi deri me date 31.12.2017, ndaj dhe duke qene se ajo ka skaduar se implementuari nga kjo datë (31.12.2017) pas denoncimit te saj nga partneri social i punëdhënësit Oda Ekonomike), e njëjta është e pazbatueshme ne rastin e paditësit. Gjithashtu sa i përket vendimit të të paditurës nr.8261 të datës 23.08.2019, për vazhdimin e dispozitave të MPKK-se për njohjen e pagesave jubilare për punonjësit te cilët kane arrit jubileun deri me datë 31.12.2019, në rastin konkret e njëjta nuk qëndron dhe nuk mund te zbatohet, për faktin se paditësi ka 39 vite përvojë pune, jubileun i njëjti e ka arritur në vitin 2010, e drejta e paraqitjes se kërkesës se paditësit ne këtë rast, ka filluar nga data e hyrjes në fuqi të MPKK-së, datë 01.01.2015 dhe afati i fund it për paraqitjen e kërkesës ka qenë data 31.12.2017.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], në lidhje me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme te Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës, si dhe me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit ka bërë vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale, sepse nuk ka vlerësuar faktin se e paditura e ka të rregulluar çështjen e pagave jubilare edhe me akte të brendshme, respektivisht me Vendimin [nr. 2244] të 10 prillit 2019, dhe plotësimin e të tij me Vendimin [nr. 8261] të 23 gushtit 2019, duke shtuar se nëpërmjet këtyre akteve e paditura ua ka njohur të gjithë punëtorëve të drejtën në tri paga jubilare. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës pretendon se e paditura njohjen e një të drejte të tillë e ka paraparë edhe me Kodin e punës, prandaj edhe në këtë kuptim kërkesëpadia, sipas tij, ishte e bazuar, e cila në gjykatë është paraqitur brenda afateve ligjore.
Parashtruesi i kërkesës tutje thekson: “Ndërsa padinë për pagesën e pagave jubilare e ka paraqitur pas përmbushjes së 30 viteve te përvojës së punës dhe pas kohës së paraparë ne nenin 52 par. 3 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës (në tekstin e mëtejshëm MPKK) për përmbushjen vullnetare nga ana e punëdhënësit, dhe të njëjtën e ka bazuar në nenin 52 par. 1.3 i MPKK-së dhe në nenin 5304 të kodit të punës të KEK. sh.a, po e njëjta është e bazuar edhe në vendimin 2244 dt.10.04.2019 dhe plotësimi i tij me nr.8261 dt.23.08.2019, siç kemi sqaruar në padi pasi qe i njëjti para pensionimit ka arritur moshën prej 40 vitesh”.
Parashtruesi i kërkesës tutje thekson se Gjykata e Apelit ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore, gjatë marrjes së vendimit, dhe për pasojë ky veprim ka rezultuar në refuzimin e kërkesëpadisë së tij, dhe rrjedhimisht në pamundësinë e marrjes së një përgjigjeje meritore për çështjen e tij nga ana e gjykatës në fjalë. Në ketë aspekt parashtruesi i kërkesës pretendon se i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së.
Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës gjithashtu ngritë pretendime për moskonsistencë të praktikes gjyqësore, duke pretenduar se për çështje të njëjta Gjykata e Apelit ka vendime të ndryshme. Në këtë kontekst parashtruesi i kërkesës thekson se: Si Gjykata Supreme ashtu edhe Gjykata e Apelit disa herë kanë vendosur për raste të ngjashme si te paditësit, duke aprovuar në tërësi padite e paditësve të ngritura pikërisht ndaj të paditurës KEK. sh.a, si në rastin me numër CML.Nr.7/2020 dt.15.04.2021, Rev,nr.90/2020 dt.04.05.2020, Ac.nr.4367119 dt.17.07.2020, Ac.nr.2016/2020 dt.24.06.2020 por gjithashtu ka edhe me qindra Aktgjykime të tilla të cilat Gjykata e Apelit veçse i kanë njohur këto të drejta me kushte të njëjta si të paditësit. Për me tepër, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykatat e rregullta kanë krijuar qëndrime të ndryshme për raste të ngjashme dhe me ketë kanë krijuar pasiguri juridike, duke pretenduar se i njëjti me këtë rast është venë në pozitë të pabarabartë para ligjit, në kuptim të nenit 24 të Kushtetutës.
Si rezultat i të lartcekurave parashtruesi i kërkesës pretendon se atij i është pamundësuar shqyrtimi i çështjes në merita, gjë që ka rezultuar në pamundësinë për të pasur mbrojtje efektive gjyqësore të të drejtave, të garantuara me nenin 54 të Kushtetutës. Për me tepër, parashtruesi i kërkesës konsideron se gjykatat e rregullta kanë vepruar edhe në shkelje të nenit 102 të Kushtetutës, duke mos vepruar në bazë të ligjit të aplikueshëm, siç kërkohet me Kushtetutë.
Dispozitat relevante
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVES
Neni 3
[Barazia para Ligjit]
[...]
2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E drejta për Gjykim te Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
Neni 102
[Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor]
[...]
3. Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.
[...]
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
1.“Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile..., çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme.”
[...]
Neni 13
(E drejta për zgjidhje efektive)
Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare
LIGJI NR.03/L-212 I PUNËS
Neni 87
[Afati i parashkrimit]
Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës.
MARRËVESHJA E PËRGJITHSHME KOLEKTIVE E KOSOVËS
Neni 3
Aplikimi dhe përfshirja
Dispozitat e MPKK-së aplikohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës
Neni 52
Shpërblime jubilare
1. I punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë:
1.1.për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij;
1.2.për 20 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të dy paga mujore të tij;
1.3.për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri paga mujore të tij.
2.Punëdhënësi i fundit është ai që paguan shpërblime jubilare.
3.Shpërblimi jubilar, paguhet në afat prej një muaji, pas plotësimit të kushteve nga ky paragraf.
Neni 53
Kompensimi në rast të pensionimit
I punësuari, me rastin e pensionimit, gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej tri (3) paga mujore, qe i ka marr për tre (3) muajt të fundit.
Vendimi nr. nr. 8261 i KEK-ut, i 23 gushtit 2019
Vendim
I. Vazhdohet njohja e obligimit për pagesën e pagave jubilare për të gjithë punëmarrësit që kanë plotësuar kushtin deri më 31.12.2019, pra që kanë arritur përvojën e punës 10, 20 apo 30 vite, prej 01.01.2015 dhe në vazhdimësi.
[...]
III. Punëmarrësit të cilët kanë arritur përvojën e punës 40 vite gëzojnë këtë të drejtë njëjtë sikurse punëtoret që kanë arritur përvojën e punës 30 vite.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës legjitimohet si palë e autorizuar në kuptim të paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës; i njëjti konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit AC. nr. 406/2021 të 23 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit, pasi ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, në kuptim të paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit; ka specifikuar qartë të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur me aktet e autoriteteve publike, ashtu siç kërkohet me nenin 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka dorëzuar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç përcakton neni 49 i Ligjit.
Megjithatë, përveç kritereve të lartcekura, Gjykata shqyrton po ashtu nëse kërkesa i përmbushë kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nënrregullin (2) të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
“(2) Gjykata mund ta konsideroj kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të vet Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që ajo mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43); dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih rastet e GJEDNJ-së Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata së pari rikujton se thelbi i rastit ndërlidhet me kërkesën e parashtruesit të kërkesës për pagesën e tri (3) pagave jubilare, të cilën ia kishte drejtuar punëdhënësit, gjegjësisht KEK-ut, si rezultat i arritjes së tridhjetë (30) viteve të përvojës së punës, të cilat i kërkonte në bazë të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive dhe akteve të brendshme të KEK-ut, përkatësisht Vendimit [nr. 2244] të 10 prillit 2019, Vendimit [nr. 8261] të 23 gushtit 2019 dhe Kodit të punës. Pas refuzimit të kërkesës nga ana e KEK-ut, parashtruesi i kërkesës ushtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo e fundit kishte aprovuar kërkesëpadinë e tij dhe kishte refuzuar pjesën tjetër të saj në lidhje me diferencën në pagë. Pas ankesës së KEK-ut, Gjykata e Apelit (i) ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, (ii) aprovoi ankesën e KEK-ut, dhe (iii) refuzoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pas marrjes së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit i ishte drejtuar Gjykatës me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenin 3, në lidhje me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], në lidhje me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, si dhe me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt), si dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
Fillimisht, Gjykata rikujton se jurisprudenca e GJEDNJ-së përcakton që një ankesë karakterizohet nga faktet e përfshira në të dhe jo vetëm nga baza ligjore dhe argumentet në të cilat palët thirren shprehimisht (shih rastin e GJEDNJ-së Talpis kundër Italisë, nr. 41237/14, Aktgjykimi i 18 shtatorit 2017, paragrafi 77 dhe referencat e cituara aty).
Referuar shkresave të lëndës, Gjykata verën se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, të cilën parashtruesi i kërkesës e ndërlidh me (i) vërtetimin e gabuar të fakteve dhe aplikimin e gabuar të ligjit material, si dhe (ii) me praktiken gjyqësor jokonsistente nga Gjykata e Apelit, për të vendosur në mënyrë uniforme për çështje me natyrë të njëjtë faktike dhe juridike.
Prandaj, këto pretendime, Gjykata do t’i shqyrtojë dhe analizojë në pajtueshmëri me parimet e përcaktuara nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, në bazë të të cilave Gjykata Kushtetuese dhe gjykatat e rregullta në përputhje me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës është e obliguar që: “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
(i) Përkitazi me pretendimin për interpretimit dhe zbatimit të gabuar të ligjit.
a) Parimet e përgjithshme
Gjykata në parim thekson se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në esencë ngrenë çështje të faktit dhe të ligjit, dhe si të tilla, bazuar në praktiken gjyqësorë të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, të njëjtat mund të kualifikohen si pretendime të natyrës së shkallës së katërt.
Gjykata duke u mbështetur në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të saj, vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe me KEDNJ. (Shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim i 23 shtatorit 2021, paragrafi 49; KI145/20, parashtrues Hafize Gashi, Aktvendim i 22 prillit 2021, paragrafi 33; KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim i 12 gushtit 2019, paragrafi 60).
Gjykata gjithashtu ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruar aty; dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës KI145/20, cituar më lart, paragrafi 34; KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61).
Megjithatë, Gjykata rikujton se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës Kushtetuese, gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ-në (shih rastin e GJEDNJ-së Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 janarit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih gjithashtu rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës.
b) Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e rasti konkret
Duke iu rikthyer pretendimit thelbësor të parashtruesit të kërkesës, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se i është shkelur e drejta e tij në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak të vërtetimin të gabuar të fakteve dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, dhe për pasojë atij i është pamundësuar shqyrtimi i meritave të kërkesëpadisë nga Gjykata e Apelit.
Në kontekst të këtyre pretendimeve, Gjykata i referohet pjesëve relevantë të Aktgjykimit të Gjykatës se Apelit. Gjykata fillimisht verën se Gjykata e Apelit, nëpërmjet Aktgjykimit të kontestuar, kishte ndryshuar Aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, me arsyetimin vijues: “...mbi gjendjen faktike të vërtetuar drejtë, plotësisht gabimisht është zbatuar e drejta materiale me rastin e detyrimit të të paditurës si ne dispozitivin e aktgjykimit të atakuar, andaj kolegji i kësaj gjykate ka gjetur se aktgjykimi i atakuar duhet të ndryshohet ne mënyrë qe i njëjti të përligjet me zbatimin e drejte te se drejtës materiale mbështetur në gjendjen e fakteve dhe provave qe përbejnë themelësinë faktike të çështjes”.
Për sa i përket zbatimit të akteve të brendshme nga ana e KEK-ut, Gjykata e Apelit arsyetoi: “....sa i përket vendimit të të paditurës nr.8261 të datës 23.08.2019, për vazhdimin e dispozitave të MPKK-se për njohjen e pagesave jubilare për punonjësit të cilët kanë arrit jubilen deri më datë 31.12.2019, në rastin konkret e njëjta nuk qëndron dhe nuk mund të zbatohet, për faktin se paditësi ka 39 vite përvojë pune, jubilen i njëjti e ka arritur ne vitin 2010, e drejta e paraqitjes së kërkesës së paditësit ne këtë rast, ka filluar nga data e hyrjes ne fuqi të MPKK-së, datë 01.01.2015 dhe afati i fundit për paraqitjen e kërkesës ka qenë data 31.12.2017”.
Në fund, Gjykata verën se Gjykata e Apelit konkludoi se “Paditësi padinë e ka paraqitur me date 28.06.2018, dhe ne ketë rast nuk mund te aplikoheshin dispozitat e Marrëveshjes se Përgjithshme Kolektive, përkitazi me njohjen e të drejtave te paditësit për shpërblimet e kërkuara ne emër te shpërblimeve jubilare, dhe se ne kohen kur paditësi ka paraqitur padinë, për shkak te mungesës se bazës ligjore respektivisht nuk ka pasur marrëveshje qofte te përgjithshme kolektive apo sektoriale për pagesën e shpërblimeve jubilare, ndaj dhe ne situatën e tillë është dashur qe kërkesa e paditësit të refuzohej ne tërësi si e pabazuar, për shkak se e drejta subjektive e pretenduar me padinë e paditësit nuk ka gëzuar mbrojtje juridike, për arsye se padia e paditësit është paraqitur jashtë afatit ligjor për faktin se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive ka hyrë në fuqi me datë 01.01.2015, ndërsa paditësi padinë e ka paraqitur me date 28.06.2018, duke kaluar afatin prej 3 viteve për realizimin e kësaj kërkese, qe parashihet ne nenin 87 të Ligjit të Punës. Ndaj dhe ne situatën e tille është dashur qe kërkesa e paditësit te refuzohej në tërësi si e pabazuar”.
Bazuar në të lartcekurat, Gjykata vlerëson se në rrethanat e rastit konkret konkluzioni i Gjykatës se Apelit për sa i perkat kohës së zbatimit të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive është në pajtueshmëri me Mendimin juridik për shpërblimin jubilar të nxjerrë nga mbledhja e përgjithshme e Gjykatës Supreme e 27 shkurtit 2023, e cila në piken II thekson: “II. Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës e lidhur me datë 18.03.2014, dhe nënshkruar nga Organizatat e punëdhënësve (Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit), Organizatat e të punësuarve (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës), si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, (Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale), (në tekstin e mëtejmë: Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës) aplikohet në periudhën kohore nga data 01.1.2015 - 31.12.2017”. Mendimi Juridik i 27 shkurtit 2023 i Gjykatës Supreme, po ashtu thekson se: .“I punësuari në bazë të Marrëveshjes se Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ka të drejtë në shpërblimin jubilar siç përcaktohet me nenin 52, të kësaj marrëveshje, nëse plotësohen këto kushte dhe atë: a) që viti jubilar i punësimit për 10, 20 dhe 30 vjet të arrihet në kohen kur kjo marrëveshje aplikohet si në pikën II, të këtij mendimi juridik [Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës aplikohet në periudhën kohore nga data 01.12015- 31. 12. 2017; dhe b) përvoja e punës për 10, 20 dhe 30 vjet duhet të jetë e pandërprerë te punëdhënësi i fundit”.
Pra, bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe në Mendimit Juridik të Gjykatës Supreme, Gjykata vëren se akordimi i shpërblimit jubilar, si element përcaktues për fitimin e kësaj të drejte është i bazuar në faktin që viti jubilar (nga data e punësimit të punëtorit), prej 10, 20 dhe 30 vite të jetë arritur gjatë periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2017, në kohen sa ishte në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive. Në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës jubileun prej tridhjete (30) vitesh, sipas shkresave të lëndës e kishte arritur në vitin 2010, kur nuk kishte as marrëveshje kolektive dhe as marrëveshje sektoriale në fuqi. Gjykata po ashtu rikujton se KEK-u, përtej Marrëveshjes se Përgjithshme Kolektive, kishte miratuar akte të brendshme, me të cilat ka vazhduar zbatueshmërinë e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive edhe për dy vite tjera, respektivisht prej 1 janarit 2018 deri me 31 dhjetor 2019. Në lidhje me këto akte të brendshme, Gjykata rikujton se Mendimi juridik i Gjykatës Supreme nuk flet asgjë.
Prandaj, në vazhdim, Gjykata i referohet Vendimit [nr. 8261] të 24 gushtit 2019 të KEK-ut, i cili, ndër të tjera, përcakton si në vijim: “I. Vazhdohet njohja e obligimit për pagesën e pagave jubilare për të gjithë punëmarrësit që kanë plotësuar kushtin deri më 31.12.2019, pra që kanë arritur përvojën e punës 10, 20 apo 30 vite, prej 01.01.2015 dhe në vazhdimësi .[...] III. Punëmarrësit të cilët kanë arritur përvojën e punës 40 vite gëzojnë këtë të drejtë njëjtë sikurse punëtoret që kanë arritur përvojën e punës 30 vite”.
Në lidhje me ketë pjesë, Gjykata verën se Gjykata e Apelit, në konkluzionet e saj arsyetoi se në kohen sa aktet e brendshme të KEK-ut ishin në fuqi, parashtruesi i kërkesës kishte vetëm tridhjete e nëntë (39) vite përvojë pune në KEK. Ndërsa në anën tjetër, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit gabimisht ka vërtetuar ketë fakt, duke theksuar se ai kishte arritur dyzet (40) vite të përvojës së punës para pensionimit të tij, në periudhën e mbuluar nga aktet e brendshme të KEK-ut dhe si rezultat kishte plotësuar kriterin për shpërblim të tri (3) pagave jubilare.
Marrë parasysh të lartcekurat, Gjykata përsërit qëndrimin e saj se ajo vet nuk mund të shndërrohet në gjykatë të faktit dhe t’u tregojë gjykatave të rregullta se cila do të ishte mënyra më e përshtatshme e zbatimit të së drejtës materiale, sepse një kompetencë e tillë, si rregull, i takon gjykatave të juridiksionit të rregullt që ta bëjnë. Gjykata thekson se ajo mund të ndërhyjë vetëm atëherë kur arsyetimi i vendimeve të gjykatave të rregullta është tejet arbitrar dhe i pajustifikueshëm, çfarë në rrethanat konkrete nuk kemi të bëjmë me vendime qartazi arbitrare ose të pajustifikuara.
Për me tepër, Gjykata, në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për zbatim të gabuar të Ligjit të Punës dhe të Marrëveshjes së Përgjithshme, thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumentoi para Gjykatës se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga Gjykata e Apelit mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për të, apo se procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se Gjykata e Apelit ka marrë parasysh të gjitha argumentet dhe kundërargumentet e palëve dhe i ka arsyetuar të njëjtat në vendimin e saj. (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI37/21 parashtrues, Isa Tusha, Naser Tusha dhe Miradije Tusha, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shtatorit 2021, paragrafi 67).
Prandaj, Gjykata nga shtjellimet e mësipërme konstaton se parashtruesi i kërkesës thjeshtë është i pakënaqur me rezultatin e procedurës pranë gjykatave të rregullta, megjithatë pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin e GJEDNJ-së Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, kërkesa nr. 5503/02, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Thënë këtë, Gjykata konkludon se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta, në këtë rast ajo e Apelit ka aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë” dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë’. Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
(ii) Përkitazi me praktiken gjyqësorë jokonsistente për çështje të njëjta faktike dhe juridike.
Në lidhje me këtë pretendim specifik, Gjykata në vijim do t’i shtjellojë: (i) parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës përkitazi me mungesën e konsistencës të vendimeve gjyqësore; dhe do t’i (ii) aplikojë të njëjtat në rrethanat e rastin konkret.
a) Parimet e përgjithshme
Lidhur me këtë, Gjykata fillimisht thekson se parimet dhe kriteret e vendosura nga GJEDNJ, kjo Gjykatë, gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve për cenimin e parimit të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse, i ka zbatuar edhe në praktikën e saj gjyqësore (shih rastet e Gjykatës KI87/18, parashtrues “IF Skadeforsikring”, Aktgjykim i 27 shkurtit 2019 dhe KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, Aktgjykim i 6 janarit 2019, ku Gjykata, ndër të tjera, konstatoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të cenimit të parimit të sigurisë juridike, si rezultat i divergjencës në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së).
Në dritën e zhvillimit të parimeve të përgjithshme përkitazi me mungesën e konsistencës të vendosura përmes praktikës gjyqësore, Gjykata fillimisht i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila ka theksuar vazhdimisht se një nga komponentët thelbësorë të sundimit të ligjit është siguria juridike, e cila, ndër të tjera, garanton një siguri të caktuar në situata juridike dhe kontribuon në besim publik në gjykata (shih rastin e GJEDNJ-së Brumărescu kundër Rumanisë [DHM], kërkesa nr. 28342/95, paragrafi 61; rastin Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesa nr. 38155/02, Aktgjykim i 2 nëntorit 2010, paragrafi 38, dhe rastin Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, kërkesa nr. 13279/05, Aktgjykim i 20 tetorit 2011, paragrafi 56).
Sipas GJEDNJ-së: “prezenca e vendimeve kundërthënëse gjyqësore, në anën tjetër, mund të krijojë situata të pasigurisë juridike, e cila do ta ulte besimin e publikut në sistemin gjyqësor” (shih rastin Paduraru kundër Rumanisë, kërkesa nr. 63252/00, paragrafi 98; Vinčić dhe të tjerët kundër Serbisë, kërkesat nr. 44698/06, paragrafi 56, Aktgjykim i 1 dhjetorit 2009; dhe rastin Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, të cituar më lart, paragrafi 38). GJEDNJ, megjithatë, ka specifikuar se nuk ka një të drejtë të fituar për konsistencë të praktikës gjyqësore (shih rastin Unédic kundër Francës, kërkesa nr. 20153/04, paragrafi 74, 18 dhjetor 2008, shih rastin e cituar më lart Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, paragrafi 56, shih po ashtu rastin e cituar më lart të Gjykatës KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, paragrafi 65, si dhe rastin KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 janarit 2018, paragrafi 33).
Në vijim, GJEDNJ ka vendosur tri kritere themelore, të cilat janë pranuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës për të përcaktuar nëse një divergjencë e vendimeve gjyqësore e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, dhe të cilat përcaktojnë si në vijim: (i) nëse ekzistojnë dallime “të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti (në këtë kontekst, shih rastet e GJEDNJ-së Beian kundër Rumanisë (nr.1), kërkesa nr. 30658/05, Aktgjykim i 6 dhjetorit 2007, paragrafët 37-39; Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesa nr. 76943/11, Aktgjykimi i 29 nëntorit 2016, paragrafët 116 - 135; Iordan Iordanov dhe të tjerët kundër Bullgarisë, kërkesa nr. 23530/02, Aktgjykim i 2 korrikut 2009, paragrafët 49-50; Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 53; dhe shih rastin e Gjykatës, KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, Aktvendim për papranueshmëri i 5 shtatorit 2017, paragrafi 51 dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës të cituar më lart, KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, paragrafi 39, KI87/17 parashtrues “IF Skadiforsikring”, paragrafi 67, të cituar më lart, KI35/18 parashtrues “Bayerische Versicherungsverbrand”, të cituar më lart, paragrafi 70, KI107/19, parashtrues Gafurr Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri i 11 marsit 2020).
Gjykata vëren se GJEDNJ gjatë zhvillimit të konceptit të “dallimeve të thella dhe afatgjata” gjithashtu mori parasysh nëse mospërputhja është e izoluar apo afekton një numër të madh njerëzish (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 135).
Gjykata, në këtë drejtim, gjithashtu thekson se GJEDNJ nuk ka konstatuar shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së në raste të praktikës divergjente gjyqësore edhe nëse e njëjta ka afektuar një numër të madh njerëzish në lidhje me të njëjtën çështje gjatë një periudhe të shkurtër kohore para se kundërthëniet përkatëse të zgjidheshin nga gjykatat më të larta, duke u dhënë mundësi kështu mekanizmave shtetërorë që të sigurojnë konsistencën e duhur (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së Albu dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 10 majit 2012, paragrafët 42 - 43).
Kjo e fundit ndërlidhet me kriterin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me ekzistencën e një mekanizmi të aftë për të zgjidhur mospërputhjet në praktikën gjyqësore dhe nëse ky mekanizëm është përdorur dhe me çfarë efekti. Në këtë drejtim, GJEDNJ fillimisht ka konstatuar se mungesa e një mekanizmi të tillë përbën shkelje të së drejtës për një proces të rregullt gjyqësor të garantuar me nenin 6 të KEDNJ-së (shih, në këtë kontekst, Tudor Tudor kundër Rumanisë, kërkesa nr. 21911/03, Aktgjykim i 4 marsit 2009, paragrafët 30-32; dhe Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 2 shkurtit 2010, paragrafët 37-38; dhe Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 54).
b) Aplikimi parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret
Në vijim, Gjykata do të aplikojë parimet e elaboruara më lart në rrethanat e rastit konkret, duke aplikuar kriteret mbi bazën e të cilave Gjykata dhe GJEDNJ i trajtojnë; çështjet e divergjencës përkitazi me praktikën gjyqësore, duke filluar me vlerësimin nëse në rrethanat e rastit konkret, (i) divergjencat e pretenduara në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; dhe nëse ky është rasti, (ii) ekzistimin e mekanizmave të aftë për të zgjidhur divergjencën përkatëse; dhe (iii) vlerësimin nëse këta mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti në rrethanat e rastit konkret.
Fillimisht, Gjykata duhet gjithashtu të ritheksojë se, bazuar edhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës, nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme, pasi që pavarësia e tyre duhet të respektohet (shih rastin e GJEDNJ-së Adamsons kundër Letonisë, të cituar më lart, paragrafi 118, shih po ashtu rastet e Gjykatës KI87/18, parashtrues IF Skadeforsikring dhe KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, të cituara më lart).
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i praktikes gjyqësore jokonsistente, duhet t’i paraqes Gjykatës argumente bindëse dhe të mbështes pretendimin e tij me prova materiale në mënyrë që Gjykata me tej të hyjë në analizën e kritereve të lartcekura. Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimeve të tij, në fakt vetëm ka përmendur disa vendime gjyqësore por nuk e ia ka bashkëngjitur ato kërkesës. Bëhet fjalë për vendimet si në vijim: CML. nr. 7/2020 i 15 prillit 2021; Vendimi Rev. nr. 90/2020 i 4 majit 2020; Vendimi Ac. nr. 4367/19 i 17 korrikut 2020; dhe Vendimi Ac. nr. 2016/2020 i 24 qershorit 2020, duke shtuar se ka edhe qindra vendimet me rrethana të njëjta faktike dhe juridike.
Prandaj, në dritën e rrethanave të rastit konkret, Gjykata vlerëson se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit që cenojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në vendime gjyqësore të cilat nuk janë pjesë lëndës, e për të cilat Gjykata e ka të pamundur të hyjë në analizë krahasuese, për të konfirmuar pretendimin e parashtruesit të kërkesës. Për më tepër, çështja e fitimit të së drejtës së pagave jubilare bazuar në marrëveshjet kolektive dhe sektoriale është sqaruar nëpërmjet Mendimit juridik të Gjykatës Supreme të cituar më lart.
Thënë këtë, Gjykata sa më lart ka theksuar se një kërkesë mund të shpallet qartazi e pabazuar edhe në rastet: b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij/saj.
Përkitazi me pretendimet e tjera
Në vlerësimin e pretendimeve të tjera, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, përveç pretendimeve për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, pretendon edhe shkelje të neneve 3 në lidhje me nenin 24, 32 në lidhje me nenin 54 dhe 102 të Kushtetutës, si dhe nenin 13 të KEDNJ-së. Megjithatë, arsyetimi i shkeljes së këtyre neneve në të vërtetë është argumentuar në kuadër të procesit të rregullt gjyqësor dhe të jokonsistencës së praktikës gjyqësore të Gjykatës se Apelit për të cilat Gjykata sa më lart konstatoi se kërkesa në lidhje me këto pretendime u deklarua qartazi e pabazuar në baza kushtetuese. Gjykata përsërit se vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së ose ndërlidhja e tyre me një nen tjetër të Kushtetutës nuk nënkupton me automatizëm edhe shkelje të neneve të tjera të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, nëse më tej nuk argumentohet dhe shtjellohet se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e tyre.
Gjykata vazhdimisht ka theksuar se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 81; KI166/20, parashtrues Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri i 17 dhjetorit 2020, paragrafi 52; KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2021, paragrafët 38-39).
Prandaj sa më sipër, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen të neneve të lartcekura i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a) të pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, prandaj si të tilla në baza kushtetuese edhe këto pretendime duhet shpallur qartazi të pabazuara.
Përfundime
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se: (I) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNj, si rezultat i vërtetimit të fakteve dhe i aplikimit të gabuar të ligjit material, i përkasin kategorisë së parë (i), të pretendimeve që bien në kategorinë e "shkallës së katërt" dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel "ligjshmërie" dhe nuk janë argumentuar në nivel "kushtetutshmërie"; (II) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNj, përkitazi me praktiken gjyqësore jokonsistente, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë nën b) të pretendimeve të “pambështetura apo të paarsyetuara” andaj të njëjtat në baza kushtetuese shpallen qartazi të pabazuara; dhe (III) pretendimet për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 3, 24, 32 dhe 54 të Kushtetutës, dhe të nenit 13 të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë nën a), të pretendimeve të “pambështetura apo të paarsyetuara” andaj edhe këto pretendime në baza kushtetuese shpallen qartazi të pabazuara.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtim me nënrregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në pajtim me nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me nënrregullin (2) të rregullit 34 si dhe shkronjën (b) të nënrregullit (1) të rregullit 48 të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur më 29 prill 2024, njëzëri:
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Jusuf Nikçi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër