Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-668 të 15 dhjetorit 2023, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës
Nr. të lëndës KO283/23
Parashtruesit: Abelard Tahiri dhe 9 deputetë tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Prishtinë, më 23 dhjetor 2024
Nr. Ref.: AGJ 2597/24
AKTGJYKIM
në
rastin nr. KO283/23
Parashtrues
Abelard Tahiri dhe 9 deputetë tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-668 të 15 dhjetorit 2023, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa u parashtrua nga dhjetë (10) deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kuvendi), përkatësisht deputetët: Abelard Tahiri, Bekim Haxhiu, Eliza Hoxha, Enver Hoxhaj, Isak Shabani, Ferat Shala, Floretë Zenjullahu, Ganimete Musliu, Mergim Lushtaku, Hisen Berisha (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës).
Parashtruesit e kërkesës përfaqësohen në procedurat para Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) nga avokati Faton Fetahu.
Akti i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë Vendimin [nr. 08-V-668] e 15 dhjetorit 2023, të Kuvendit (në tekstin e mëtejmë: vendimi i kontestuar) për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPK).
Objekti i çështjes
Objekti i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, për të cilin parashtruesit e kërkesës pretendojnë se nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], si dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Parashtruesit e kërkesës gjithashtu kërkojnë vendosjen e masës së përkohshme lidhur me rastin konkret, duke theksuar se kërkojnë: “vendosjen e masës së përkohshme me qëllim të evitimit të dëmeve të pariparueshme dhe mbrojtjes së interesit publik, në kohëzgjatje deri në vendosjen përfundimtare lidhur me kërkesën bazë”.
Baza juridike
Kërkesa është e bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 27 (Masat e përkohshme), 42 (Saktësimi i kërkesës) dhe 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullat 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve), 44 (Kërkesa për masë të përkohshme), 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme) dhe 72 (Kërkesa në pajtim me paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
Më 22 dhjetor 2023, parashtruesit e kërkesës e dorëzuan kërkesën në Gjykatë.
Më 28 dhjetor 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [nr. GJR. KO283/23], caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues, ndërkaq përmes Vendimit [nr. KSH. KO283/23] caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 5 janar 2024, Gjykata e njoftoi për regjistrimin e kërkesës zv. Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit (në tekstin e mëtejmë: zv. Sekretari i Kuvendit) dhe kërkoi që deri më 29 janar 2024, të dorëzojnë në Gjykatë të gjitha dokumentet relevante në lidhje me vendimin e kontestuar.
Në të njëjtën ditë, Gjykata i njoftoi për regjistrimin e kërkesës (i) parashtruesit e kërkesës; (ii) Kryetarin e Kuvendit, të cilit iu kërkua që një kopje e kërkesës t’iu dorëzohet të gjithë deputetëve të Kuvendit; dhe (iii) KPK-në. Gjykata i njoftoi palët e interesuara të cekura më lart se komentet e tyre, nëse kanë, t’i paraqesin në Gjykatë brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve, përkatësisht deri më 29 janar 2024, në adresën elektronike të Gjykatës apo me dorëzim personal.
Po ashtu, në të njëjtën ditë, Gjykata e njoftoi për regjistrimin e kërkesës (i) Presidenten e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Presidentja); si dhe (ii) Kryeministrin e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kryeministri).
Më 16 janar 2024, zv. Sekretari i Kuvendit dorëzoi në Gjykatë dokumentet në vijim: (i) Procesverbalin e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit (në tekstin e mëtejmë: Komisioni për Legjislacion) të 28 shtatorit 2023; (ii) Raportin me rekomandime të Komisionit për Legjislacion, lidhur me shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së, të 28 shtatorit 2023; (iii) pjesë nga procesverbali i Seancës plenare të Kuvendit, e mbajtur më 19 tetor, 2 dhe 9 nëntor 2023; (iv) pjesë nga transkripti i Seancës Plenare, shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion lidhur me shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së, e mbajtur më 19 tetor, 2 dhe 9 nëntor 2023; (v) pjesë nga transkripti i Seancës Plenare, votimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion lidhur me shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së, e mbajtur më 23, 30 nëntor dhe 15 dhjetor 2023; si dhe (vi) vendimin e kontestuar.
Më 16 janar 2024, KPK-ja dorëzoi në Gjykatë komente lidhur me kërkesën.
Më 26 janar 2024, z. Besnik Tahiri, në emër të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Grupi Parlamentar i AAK-së), dorëzoi në Gjykatë komente lidhur me kërkesën.
Më 29 janar 2024, komente lidhur me kërkesën dorëzuan edhe (i) Rrezarta Krasniqi, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: LDK); (ii) Komisioni për Legjislacion; si dhe (iii) Saranda Bogujevci në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Më 2 shkurt 2024, Gjykata njoftoi (i) parashtruesit e kërkesës; (ii) Presidenten; (iii) Kryetarin e Kuvendit; (iv) Kryeministrin; (v) zv. Sekretarin e Kuvendit; dhe (vi) KPK-në lidhur me komentet e pranuara nga (i) KPK-ja; (ii) Grupi Parlamentar i AAK-së; (iii) Rrezarta Krasniqi; (iv) Komisioni për Legjislacion; dhe (v) Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me mundësi për të dorëzuar komente deri më 9 shkurt 2024.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 25 korrik 2024, Gjykata, pasi shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues, vendosi që shqyrtimin e tij ta shtyjë për një seancë të radhës pas plotësimeve shtesë.
Më 26 nëntor 2024, Gjykata, vendosi që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe të konstatojë (ii) njëzëri se Vendimi [nr. 08-V-583 i 13] i 15 dhjetorit 2023 i Kuvendit, nuk është në kundërshtim me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit], si dhe paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iii) ta refuzojë kërkesën për masë të përkohshme; (iv) t’ua komunikojë këtë Aktgjykim palëve; (v) të publikojë këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; (vi) të konstatojë që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Në përputhje me rregullin 57 (Mendimet konkurruese) të Rregullores së punës të Gjykatës, gjyqtari Radomir Laban ka përgatitur mendim konkurrues, i cili do të publikohet së bashku me këtë Aktgjykim.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në shkresat e lëndës rezulton se më 4 mars 2020 dhe më 16 qershor 2020, Komisioni për Legjislacion, kërkoi nga fakultetet juridike të Republikës së Kosovës që të paraqesin propozime për kandidatët për të qenë anëtarë jo-prokurorë të KPK-së.
Më 28 korrik 2020, Komisioni për Legjislacion, në mbledhjen e mbajtur shqyrtoi propozimet e fakulteteve juridike për anëtarët jo-prokurorë të KPK-së. Pas shqyrtimit dhe verifikimit paraprak, Komisioni për Legjislacion, i paraqiti Kuvendit raportin me rekomandime për kandidatët e propozuar nga fakultetet juridike.
Më 13 gusht 2020, në mbledhjen plenare të filluar më 7 gusht 2020, Kuvendi e organizoi procesin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e anëtarit të KPK-së, nga radhët e fakulteteve juridike.
Në raundin e parë të votimit asnjëri nga kandidatët nuk arriti t’i merrte votat e nevojshme për zgjedhjen e një anëtari të KPK-së nga fakultetet juridike të Republikës së Kosovës.
Pasi që asnjëri nga kandidatët nuk arriti të merrte numrin e mjaftueshëm të votave për t’u zgjedhur anëtar i KPK-së nga fakultetet juridike të Republikës së Kosovës, u realizua raundi i dytë i votimit. Më tej, nga shkresat e lëndës rezulton se gjatë raundit të dytë të votimit, ku morën pjesë tetëdhjetë e shtatë (87) deputetë, z. Beka, në pozicionin e tij si profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Mitrovicës "Isa Boletini" (në tekstin e mëtejmë: UMIB), u zgjodh nga Kuvendi me shumicë të votave për të qenë anëtar i KPK-së për një mandat pesë (5) vjeçar.
Nga shkresat e rastit rezulton se Kryetari i Komisionit për Legjislacion, paraqiti para anëtarëve të Komisionit të lartpërmendur disa prej informatave kryesore që ishin të përmbledhura në një shkresë, duke i njoftuar këta të fundit lidhur me “shkeljet e z. Agron Beka”. Në shkresën e lartpërmendur, Kryetari i Komisionit për Legjislacion thekson se pas marrjes së “informatave të publikuara në media të ndryshme”, Komisioni për Legjislacion vlerësoi se duhet të iniciohet procedura e shkarkimit të anëtarit jo-prokuror të KPK-së, z. Beka, duke theksuar se anëtari përkatës i KPK-së, “me veprimet e tij, ka cenuar rëndë integritetin, pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit prokurorial të Kosovës”, si dhe vlerësoi se “qëndrimi i mëtutjeshëm në KPK, ngjall pasiguri dhe shkel parimet bazë të veprimtarisë së KPK-së”.
Më 28 shtator 2023, Komisioni për Legjislacion, në mbledhjen e mbajtur inicioi procedurën e shkarkimit të z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së, duke i rekomanduar Kuvendit që i njëjti të shkarkohet nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së.
Në Rekomandimin [Nr. 08/4446/Do/1944] e 28 shtatorit 2023, të Komisionit për Legjislacion, listohen arsyet në të cilat ky i fundit e bazon rekomandimin e tij drejtuar Kuvendit, me propozimin për shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së. Ndër të tjera, si arsye për shkarkim përmendet fakti se (i) ekzistonin fakte që evidentonin ndikimin e z. Beka në Fakultetin Juridik të UMIB-së, të cilat nuk kishin lidhje me rolin e tij në KPK dhe se kryesuesi i KPK-së e mbështeti z. Beka, duke i dërguar dy shkresa Fakultetit Juridik të UMIB-së, ku theksohej se çdo veprim për të kontestuar mandatin e z. Beka do të konsiderohej ndërhyrje në pavarësinë e KPK-së. Në rekomandimin e lartcekur theksohet se z. Beka e kishte përdorur autoritetin e kryesuesit të KPK-së kundër kolegëve të tij në UMIB, duke keqpërdorur pozicionin e tij në këtë institucion. Thënë këto, nga shkresat e lëndës rezulton se z. Beka, kishte qenë disa herë subjekt i proceseve gjyqësore të ndryshme dhe se këto shkresa ishin bashkëngjitur në dosjen e Rekomandimit [nr. 08/4446/Do-1994] të Komisionit për Legjislacion; (ii) sa i përket arsyes së dytë, respektivisht, se anëtari jo-prokuror i KPK-së, z. Beka, kishte ushtruar edhe funksionin e kryetarit dhe përfaqësuesit të autorizuar në dy organizata joqeveritare dhe se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (në tekstin e mëtejmë: APK) përmes Vendimit [AKK-DPKI-06-1173/20] të 29 korrikut 2020 kishte konstatuar se z. Beka, përveç pozitës së dekanit në Fakultetin Juridik të UMIB, kishte edhe funksione në dy organizata joqeveritare, nga të cilat ai dha dorëheqje pas reagimit të APK-së. Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj z. Beka lidhur me dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ai ishte dekan dhe profesor i juridikut në UMIB; (iii) konstatimi i Komisionit Legjislativ se marrja e kundërligjshme e mbi normës nga z. Beka, APK-ja, me anë të përgjigjes [AKK-3419/22] të 9 shtatorit 2023, kishte vërtetuar se z. Beka i kishte dorëzuar listat e zbrazëta me studentë për lëndën "Taktikë kriminalistike", duke theksuar se “shihet se nuk ka të dhëna për ndonjë studentë i cili mund ta këtë përzgjedhur lëndën në fjalë”, gjithashtu edhe pse nuk ishte asnjë studentë në ligjëratë, ai ishte kompensuar për këto ligjërata. Rrjedhimisht, rezulton se APK-ja kishte vërtetuar se z. Beka kishte dorëzuar lista të zbrazëta me studentë për lëndën "Taktikë kriminalistike" dhe “ai ishte paguar për ligjërata që nuk u mbajtën”. Në arsyetimin e Rekomandimit të lartcekur të Komisionit për Legjislacion në fund shtohet se “Për të gjitha këto arsye, tanimë janë plotësuar kushtet ligjore për shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit joprokuror të KPK-së, kushte këto të përcaktuara në nenin 13.2 të Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Pokurorial të Kosovës”.
Nga procesverbali i mbledhjes së Komisionit për Legjislacion të 28 shtatorit 2023, rezulton se anëtarët e këtij të fundit diskutuan për procedurën e shkarkimit të z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së dhe kërkuan nga Kryetari i Komisionit për Legjislacion më shumë kohë për analizimin dhe verifikimin e hollësishëm të provave. Anëtarët e Komisionit për Legjislacion theksuan rëndësinë e plotësimit të dosjes me dokumente dhe bazimit të vendimeve në prova të sakta. Më tej, nga procesverbali i lartcekur rezulton se Kryetari i Komisionit për Legjislacion theksoi se rekomandimit të lartcekur do t’i bashkëngjitet secili dokument i mundshëm për të siguruar që vendimi të jetë i bazuar në fakte të sakta.
Pas përfundimit të diskutimit, Komisioni për Legjislacion i përbërë nga dhjetë (10) deputetë ku dy (2) prej tyre nuk morën pjesë në votim, rrjedhimisht, me shtatë (7) vota për, një (1) votë kundër, më 28 shtator 2023, miratoi rekomandimin e Kryetarit të Komisionit për Legjislacion, për inicimin e shkarkimit të z. Beka nga pozita e anëtarit të KPK-së.
Më 18 tetor 2023, z. Beka iu drejtua Kryetarit të Kuvendit me një shkresë, në të cilin paraqiti përgjigje/kundërargumente ndaj Rekomandimit [nr. 08/4446/Do-1994] të Komisionit për Legjislacion, për shkarkimin e tij nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së. Në shkresën e tij drejtuar Kuvendit, z. Beka mohoi të gjitha gjetjet e Komisionit për Legjislacion. Z. Beka në shkresën e lartpërmendur drejtuar Kuvendit bashkëngjiti një numër të konsiderueshëm dokumentesh, si në vijim: (i) përgjigjen në kërkesën për shqyrtimin e gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit të 5 gushtit 2020, të APK-së, e cila ishte ofruar në bazë të kërkesës së tij para zgjedhjes së tij si anëtar jo-prokuror i KPK-së, me qëllim të sigurimit lidhur me pajtueshmërinë e ushtrimit të funksionit të Dekanit të Fakultetit Juridik të UMIB-së, njëkohësisht me funksionin e anëtarit jo-prokuror të KPK-së; (ii) kërkesën e tij, drejtuar Kryesuesit të KPK-së, lidhur me rishqyrtimin e ligjshmërisë së pagesës që KPK-ja ia bën si anëtar i saj, në emër të angazhimit në këtë funksion; (iii) vendimin e KPK-së të 26 korrikut 2018, me të cilin KPK-ja kishte përcaktuar vlerën e kompensimit për anëtarët e tij, për aktivitetet e tyre mujore, përfshirë komisionet e përhershme dhe trupat ndihmës të KPK-së; (iv) shkresën zyrtare të U.D. Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së të 3 dhjetorit 2023, me të cilën ka konfirmuar se mbi bazën e Vendimit të KPK-së, të 26 korrikut 2018, edhe atij i takon e drejta në kompensim sipas këtij vendimi, duke i konfirmuar se kjo pagesë nënkupton kompensim për angazhimin në komisione dhe jo pagë të rregullt; (v) reagimin e tij, në cilësi të anëtarit të KPK-së, të 25 shkurtit 2023, për emisionin e një mediumi të 18 shkurtit 2023 dhe shkrimeve të 24 shkurtit 2023; (vi) njoftimin e 27 tetorit 2022, të Kryesuesit të KPK-së drejtuar Kryesuesit të Senatit të UMIB dhe U.D. Dekanit të Fakultetit Juridik, me të cilin kishte theksuar se ai, si anëtar jo-prokuror i KPK-së, e kishte njoftuar zyrtarisht KPK-në se "në shtator dhe tetor të vitit 2022, disa zyrtarë të UMIB kanë iniciuar procedura duke krijuar dilema krejtësisht të paarsyeshme se i njëjti a mund të jetë profesor me pagë primare në UMIB dhe anëtar i KPK-së", ju kishte konfirmuar se kompensimi nuk është pagë sepse është angazhim i përkohshëm, prandaj nuk ka nevojë për të kontestuar çështjen e pagesës së KPK-së, si përpjekje për të penguar anëtarin e këtij të fundit që kishte marrëdhënie të rregullt pune me UMIB; (vii) padinë e tij që në cilësi të profesorit e kishte bërë kundër UMIB për çështjen e mospagesës së pagës si profesor të 30 shtatorit 2022, parashtresën për tërheqjen e padisë të 17 tetorit 2023, si dhe Aktvendimin [C. nr. 1643/2022] e Gjykatës Themelore në Mitrovicë me të cilin është konstatuar tërheqja e padisë nga ana e paditësit z. Beka; (viii) njoftimin publik të një mediumi për kërkim falje publike ndaj tij, me të cilin këtij të fundit ky portal i kishte kërkuar falje publike për shkrimet e botuara të cilat kishin përmbajtur informata jo të sakta në raport me atë, si profesor universitar; (ix) parashtresën për tërheqjen e padisë së paditësit, në lëndën [C. nr. 729/2023], kundër një mediumi, pas kërkim faljes publike ndaj tij; (x) kallëzimin penal kundër Zyrtarit i Departamentit për Parandalimin e Korrupsionit të APK-së të 24 prillit 2023.
Si rezultat i mungesës së kuorumit, në seancën e mbajtur më 19 tetor 2023, Kuvendi nuk e shqyrtoi rekomandimin e mësipërm të Komisionit për Legjislacion, për shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së.
Më 2 nëntor 2023, Kuvendi kishte shqyrtuar rekomandimin e mësipërm, por si rezultat i mungesës së kuorumit, votimi lidhur me të ishte shtyrë për një seancë tjetër.
Bazuar në shkresat e lëndës, rezulton se më 15 dhjetor 2023, në seancën e mbajtur të Kuvendit, ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe votimi i Rekomandimit [nr. 08/4446/Do-1994] të Komisionit për Legjislacion, pasi që siç u theksua më lart shqyrtimi i rekomandimit ishte bërë më 2 nëntor 2023, por si rezultat i mungesës së kuorumit i njëjti nuk ishte votuar. Gjykata vëren se në procesin e parë të votimit, nga administrata u konstatua se kishin votuar gjashtëdhjetë e një (61) deputetë gjithsej, gjashtëdhjetë (60) deputetë votuan për dhe një (1) abstenoi. Më tej, nga shkresat e rastit rezulton se si pasojë e disa problemeve teknike me llogaritje të votave nga administrata u kërkua që të vërtetohej përmes rezultateve të sistemit VAR. Rrjedhimisht, duke u bazuar në këto rezultate, Kryetari i Kuvendit deklaroi se gjashtëdhjetë e një (61) deputetë kishin votuar pro shkarkimit të z. Beka nga KPK-ja.
Më tej, bazuar në shkresat e lëndës, Gjykata vëren se pas kërkesës së disa deputetëve, votimi u përsërit për herë të dytë, ku nga administrata e Kuvendit u konstatua se në sallë ishin shtatëdhjetë e një (71) deputetë, ku pro shkarkimit të z. Beka votuan gjashtëdhjetë e dy (62), asnjë votë kundër dhe asnjë votë abstenim.
Më 15 dhjetor 2023, Kuvendi aprovoi Rekomandimin [nr. 08/4446/Do-1994] e Komisionit për Legjislacion, përmes Vendimit [08-V-668], në mbështetje të paragrafit 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës, si dhe të paragrafit 10 të nenit 10 (Procedura e propozimit, zgjedhjes dhe e shkarkimit të anëtarëve që zgjedhën nga Kuvendi) të Ligjit për KPK-në, me përmbajtjen e dispozitivit të përfshirë në dy (2) pika:
“1. Shkarkohet z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
2. Ky vendim hynë në fuqi ditën miratimit”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesit e kërkesës konsiderojnë se në rrethanat e rastit konkret, Kuvendi, duke ndërprerë mandatin kushtetues të anëtarit jo-prokuror të KPK-së, ka vepruar në mënyrë kundërkushtetuese dhe arbitrare, duke cenuar paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] si dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës. Sipas parashtruesve në këtë mënyrë është cenuar pavarësia institucionale dhe funksionale e KPK-së, i cili, si një institucion kushtetues, siç është paraparë në Kapitullin VII [Sistemi i Drejtësisë] të Kushtetutës.
Në lidhje me pretendimet e lartcekura, parashtruesit e kërkesës, krahas pranueshmërisë së kërkesës, paraqitën argumente përkitazi me çështjet si në vijim: (i) nëse shkarkimi i anëtarit jo-prokuror të KPK-së përmbush kushtet e parapara ligjore dhe nëse anëtarët jo-prokurorë janë përfaqësues të Kuvendit në KPK; dhe (ii) nëse Kuvendi ka zbatuar të drejtat kushtetuese sipas paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, përfshirë nëse anëtarit jo-prokuror të KPK-së i është hequr e drejta për të përdorur mjete juridike në përputhje me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe për mbrojtje gjyqësore e garantuar me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës. Në vijim, Gjykata do të paraqesë pretendimet e parashtruesve të kërkesës për të gjitha këto kategori.
nëse shkarkimi i anëtarit jo-prokuror të KPK-së përmbush kushtet e parapara ligjore dhe nëse anëtarët jo-prokurorë janë përfaqësues të Kuvendit në KPK
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se bazuar në Kushtetutë, Kuvendi, që përfaqëson pushtetin legjislativ, nuk ka autoritet për të ndërprerë mandatin kushtetues të një anëtari të KPK-së dhe se një veprim i tillë do të dëmtonte pavarësinë kushtetuese të KPK-së, duke tejkaluar kompetencat ligjore dhe kushtetuese të Kuvendit në lidhje me procedurat e shkarkimit të anëtarëve të KPK-së. Për më tepër, parashtruesit e kundërshtojnë vendimin e kontestuar, duke argumentuar se arsyet për shkarkim nuk përputhen me kushtet e parashikuara në paragrafin 2 të nenit 13 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit për KPK-në, sipas të cilit anëtarët e KPK-së mund të shkarkohen vetëm nëse nuk i kryejnë detyrat e tyre sipas Kushtetutës dhe ligjit, dhe jo për arsye që lidhen me aktivitete të tjera jashtë këtij konteksti.
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se mënyra se si është iniciuar kërkesa për shkarkimin e z. Beka nga KPK-ja dhe arsyet mbi të cilat është bazuar ky shkarkim janë keqpërdorim i rëndë i mandatit të deputetit dhe në rastin konkret rolit të Komisionit për Legjislacion. Ata argumentojnë se raporti me rekomandim i Komisionit për Legjislacion është pothuajse identik me shkresën e Kryetarit të këtij të fundit, “i cili duke u mbështetur në të pavërteta dhe konstatime të pabaza ka çuar në përfundim që Kuvendi përmes vendimit të tij të kontestuar, të cënojë përgjegjësitë kushtetuese të Këshillit nga neni 110 (paragrafët 1 dhe 4) të Kushtetutës dhe tejkalim qartazi të pabazë të mandatit dhe përgjegjësisë kushtetuese të Kuvendit, duke marrë një vendim të tillë”.
Tutje, parashtruesit e kërkesës theksojnë se: “Një mënyrë e tillë e të iniciuarit e kërkesës për shkarkim dhe veçanërisht arsyet mbi të cilat janë ngritur pretendimet e tilla të cilat kanë çuar në shkarkimin e anëtarit joprokuror të KPK-së, paraqet keqpërdorim të skajshëm të mandatit të deputetit, nga njëra anë, dhe keqpërdorim të rolit funksionit të Komisionit për Legjislacion, nga ana tjetër. Sepse, është lehtësisht e verifikueshme se Raporti me rekomandime i Komisionit për Legjislacion paraqet përmbajtje pothuajse tërësisht identike të shkresës iniciuese të Kryetarit të këtij komisioni z. Rrustemi, i cili duke u mbështetur në të pavërteta dhe konstatime të pabaza, ka çuar në përfundimin që Kuvendi, përmes vendimit të tij të kontestuar, të cenojë përgjegjësitë kushtetuese të Këshillit nga neni 110, (paragrafi 1 dhe 4) i Kushtetutës dhe tejkalim qartazi të pabazë të mandatit dhe përgjegjësisë kushtetuese të Kuvendit duke marrë një vendim të tillë.
Konsiderojmë se ndërprerja e mandatit në mënyrë arbitrare dhe të parakohshme e anëtarit joprokuror të KPK-së është e pabazë, për faktin se tejkalohen kriteret e aplikueshme ligjore nga neni 13 i ligjit në fuqi, sipas të cilit, përfundimi i mandatit të anëtarëve aktual mund të ndodhë për këto shkaqe: vdekja; humbja e zotësisë për veprim; dështimi i vazhduar për të marrë pjesë në veprimtaritë e Këshillit më gjatë se tre (3) muaj, pa arsye të vërtetuar; pushimin e statusit mbi të cilin bazohet emërimi: skadimin e mandatit; dorëheqjen, duke i ofruar Këshillit njoftim paraprak prej tridhjetë (30) ditësh; arritjen e moshës së pensionimit; është dënuar për vepër penale të kryer nga pakujdesia.
Si më sipër, përfundimi i mandatit të anëtarëve të KPK-së, mund të bëhet në mënyrë të natyrshme apo nëse plotësohet ndonjëri nga kriteret e lartcekura dhe kjo ndërprerje arbitrare e mandatit është në kundërshtim edhe me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, e cila në rastet K.O. 29/12 dhe K.O. 48/12 për çështjen e mandatit të mbajtësve të pozitave kushtetuese, përkatësisht sipas paragrafit 268 theksohet se "mandati është i pacenueshëm për të siguruar respektim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe për ta ruajtur sigurinë në rendin juridik dhe kushtetues". Në bazë të këtij Aktgjykimi, shkurtimi i mandatit pakëson të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës”.
Më tej, parashtruesit e kërkesës theksojnë se KPK-ja, ku z. Beka ka qenë anëtar, nuk ka pasur ndonjëherë kritika për punën e tij. Përkundrazi, z. Beka është vlerësuar për qëndrimet e tij në mbrojtje të pavarësisë dhe paanësisë të KPK-së. Parashtruesit e kërkesës potencojnë faktin se shkarkimi i z. Beka “nuk është bërë për shkak se i njëjti nuk ka ushtruar detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në nenin 7 të ligjit bazik e as nuk është bërë mbi bazën e fakteve apo provave të artikulueshme lidhur me atë se funksionin e të qenurit anëtarë i KPK-së nuk e kishte kryer në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin”.
Tutje, parashtruesit e kërkesës theksojnë se konstatimi i Komisionit për Legjislacion, se anëtari jo-prokuror i KPK-së, z. Beka, do të përfaqësonte një "imazh të keq" për Kuvendin është i pabazë. Ky konstatim, sipas tyre, është jashtë kritereve ligjore për shkarkim, pasi integriteti në raport me publikun dhe mediat nuk është një kriter për shkarkim sipas ligjit. Për më tepër, ata argumentojnë se ky konstatim është një abuzim me përgjegjësitë kushtetuese të Kuvendit, i cili nuk ka të drejtë të ndikojë në pavarësinë dhe paanshmërinë e anëtarëve të KPK-së. Parashtruesit theksojnë se anëtarët jo-prokurorë të KPK-së, përfshirë z. Beka, janë të pavarur dhe nuk përfaqësojnë Kuvendin gjatë ushtrimit të detyrave të tyre. Më tej, parashtruesit e kërkesës theksojnë se shkarkimi motivohet politikisht dhe se vlerësimet politike dhe perceptimet e Qeverisë dhe shumicës parlamentare për punën dhe imazhin e KPK-së nuk mund të konvertohen në norma ligjore. Nëse do të lejohej një praktikë e ndërprerjes arbitrare të mandatit kushtetues të anëtarit të KPK-së, do të hapte precedent të rrezikshëm, duke lejuar Kuvendin të shkarkojë të gjithë funksionarët institucional vetëm në bazë të perceptimeve politike apo pretendimeve të pabazuara, pa siguruar përmbushjen e kushteve ligjore për një ndërprerje të tillë.
nëse Kuvendi ka zbatuar të drejtat kushtetuese sipas paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nëse, sipas vendimit të kontestuar, anëtarit jo-prokuror të KPK-së i është hequr e drejta për të përdorur mjete juridike dhe për mbrojtje gjyqësore
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se edhe në një situatë “hipotetike” kur Kuvendi do të kishte të drejtën të shkarkonte anëtarët jo-prokurorë të KPK-së për çështje që nuk lidhen me funksionin e tyre në KPK, Kuvendi ka dështuar të respektojë standardet kushtetuese të garantuara nga neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, që përfshin të drejtën për mbrojtje të barabartë dhe gjykim të drejtë.
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se Ligji për KPK-në, respektivisht paragrafi 10 i nenit 10 (Procedura e propozimit, zgjedhjes dhe e shkarkimit të anëtarëve që zgjedhën nga Kuvendi), kërkon shkarkimin e anëtarëve jo-prokurorë të KPK-së, të bëhet nga Kuvendi me propozim të komisionit përkatës ose vet KPK-së, duke shtuar se në anën tjetër neni 19 (Procedurat disiplinore për anëtarët e Këshillit) i të njëjtit ligj, ka paraparë qartë procedura disiplinore për anëtarët e KPK-së, sipas të cilit, ky i fundit përcakton rregullat dhe procedurat disiplinore për të gjithë anëtarët duke përfshirë ato për hetimin, pezullimin ose rekomandimin për shkarkim të çdo anëtari të KPK-së. Tutje, ata theksojnë se në paragrafin e dytë të këtij neni, respektivisht nenit 19 të Ligjit për KPK-në, KPK-ja vendos se duhet të themelohet një komision në përbërje prej tre (3) anëtarëve, njëri nga të cilët duhet të jetë anëtar prokuror i KPK-së, dhe dy (2) të tjerë nga radhët e prokurorëve për të vendosur për masat disiplinore dhe për sanksione, duke përfshirë pezullimin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPK-së dhe se: “Me rekomandimin e komisionit, një (1) anëtar i Këshillit mund të shkarkohet me anë të dy të tretave (2/3) të votave të anëtarëve të KPK-së. Ndërsa, par. 4 i të njëjtit nen, shprehimisht përcakton se "një (1) anëtar i Këshillit i cili është shkarkuar gëzon të drejtën të ankohet kundër vendimit të Këshillit drejtpërsëdrejti në Gjykatën Supreme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga vendimi për shkarkim”.
Tutje, parashtruesit e kërkesës theksojnë: “Prandaj, rrethanat e pasigurisë juridike në raport me anëtarin joprokuror të shkarkuar janë evidente derisa në ligjin bazik, par. 10 i nenit 10, është qartazi në kundërshtim me nenin 19 të këtij ligji, duke e vendosur të njëjtin në një situatë të pamundësisë efektive për të siguruar të drejtën kushtetuese për ushtrimin e mjeteve juridike në kundërshtim me nenin 32 të Kushtetutës sipas të cilit është e paraparë që: "Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj", si dhe sigurimin e mbrojtjes gjyqësore nga neni 54 i Kushtetutës, sipas të cilit, shprehimisht përcaktohet se "Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.".
Parashtruesit e kërkesës argumentojnë se vendimi i kontestuar shkel pavarësinë kushtetuese të KPK-së sipas nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës, dhe gjithashtu cenon të drejtën kushtetuese të anëtarit të shkarkuar jo-prokuror të mbrojtjes, e cila i është mohuar me këtë vendim. Tutje, parashtruesit e kërkesës theksojnë se procesi për zgjedhjen e anëtarit jo-prokuror të KPK-së është ndërtuar sipas standardit të shumicës së thjeshtë të votave të të gjithë deputetëve të pranishëm në Kuvend. Parashtruesit argumentojnë se ky proces u jep anëtarëve të KPK-së siguri për të bërë punën e tyre në mënyrë të paanshme dhe të pavarur, duke i ndihmuar ata të shpëtojnë nga frika e shkarkimit me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi.
Më tej, parashtruesit e kërkesës theksojnë se vendimi i kontestuar nuk ka bazë kushtetuese e ligjore, duke “cenuar dhe minuar pavarësinë e institucioneve të pavarura të drejtësisë”, përderisa dispozitivit i tij, ka karakterit arbitrar dhe është në kundërshtim edhe me dy opinionet e Komisionit të Venecias, për sa i përket çështjeve të ngritura në rastin e Ligjit Nr. 08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për KPK-në, “i shpallur jokushtetues me Aktgjykimin KO100/22 dhe KO101/22 të Gjykatës.”.
Parashtruesit e kërkesës kërkojnë që Gjykata të miratojë masën e përkohshme, duke shtuar se është e domosdoshme të mbahet një anëtar joprokuror në KPK për të ruajtur balancin e përfaqësimit, pasi KPK-ja po vepron me mungesë përfaqësimi nga shoqëria civile dhe Oda e Avokatëve të Kosovës. Ata theksojnë se shkarkimi i këtij anëtari do të dëmtojë rëndë funksionimin dhe imazhin e KPK-së, duke bllokuar proceset e rekrutimit dhe emërimit të prokurorëve. Po ashtu, shkarkimi mund të dëmtojë karrierën profesionale të z. Beka në rastin konkret dhe do të pengojë mundësinë e rikthimit nëse vendimi shpallet kundërthënës me Kushtetutën.
Në fund, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata: (i) të shpallë të pranueshme këtë kërkesë; (ii) të shpallë vendimin e kontestuar në kundërshtim me Kushtetutën; (iii) shpallë të pavlefshëm vendimin e kontestuar për shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit të KPK-së.
Komentet e palëve
Në vijim, Gjykata do të paraqes komentet e palëve në kërkesën e parashtruesve të kërkesës, përkatësisht, (i) komentet e KPK-së të dorëzuara në Gjykatë, më 16 janar 2024; (ii) komentet e z. Besnik Tahirit, në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së të dorëzuara në Gjykatë, më 16 janar 2024; (iii) komentet e Komisionit për Legjislacion; (iv) komentet e znj. Rrezarta Krasniqit, deputete e grupit parlamentar të LDK-së, të dorëzuara në Gjykatë, më 29 janar 2024; (v) komentet e znj. Saranda Bogujevcit në emër Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të dorëzuara në Gjykatë, më 29 janar 2024.
Komentet e KPK-së
KPK-ja përmes komenteve të tyre të dorëzuara në Gjykatë, fillimisht shpreh pajtimin me të gjitha argumentet e parashtruesve të kërkesës, duke theksuar se (i) vendimi për të ndërprerë mandatin kushtetues të anëtarit jo-prokuror të KPK-së është i pabazë dhe arbitrar, duke shkelur në thelb garancionet themelore të pavarësisë kushtetuese të KPK-së, Ligjin për KPK-në dhe jurisprudencën e Gjykatës. KPK-ja tutje shton se me vendimin kontestues, Kuvendi jo vetëm se ka cenuar parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve përcaktuar në nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] të Kushtetutës, por edhe ka shkelur paragrafin 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës, duke krijuar rrethana konkrete të "ndërhyrjes", "varësisë” dhe "vartësisë", si koncepte kushtetuese të cilat mundësojnë jetësimin e parimit themelor të ndarjes së pushteteve. KPK-ja në komentet e tyre e cilëson këtë vendim si “shkelje brutale të koncepteve kushtetuese” në raport me KPK-në, duke theksuar se asnjëherë nuk kishte pakënaqësi me punën e z. Beka, sepse që nga zgjedhja e tij në cilësi të anëtarit jo-prokuror të KPK-së e deri në ditën e shkarkimit të tij, “ka ndjekur qasje afirmative të pavarësisë dhe paanësisë së KPK-së, duke u angazhuar në mbrojtjen e vlerave dhe parimeve mbi të cilat organizohet dhe funksionon Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës”.
Më tej, KPK-ja, në vlerësimin e saj, thekson se bazat e pretenduara për shkarkimin e anëtarit jo-prokuror të KPK-së nuk janë plotësuar në kuptim të paragrafit 2 të nenit 13 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit për KPK-në sepse sipas tyre pretendimet mbi të cilat z. Beka është shkarkuar, as nuk lidhen me "të kryerit" e as nuk lidhen me "të ushtruarit" e funksionit të anëtarit të KPK-së në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij.
Në mbështetje të argumenteve të tyre, KPK-ja thirret në rastet e Gjykatës, përkatësisht raste KO100/22 dhe KO101/22, parashtrues KI100/22, Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputet të Kuvendit dhe 101/22 Arben Gashi dhe dhjetë (10) deputet të Kuvendit, Aktgjykim i 24 marsit 2023, duke shtuar se Gjykata në rastet e lartpërmendura ndër të tjera trajtoi rëndësinë e pavarësisë së KPK-së dhe se jurisprudenca e Gjykatës në këtë çështje ofroi një përmbledhje të vlefshme të rolit dhe pavarësisë së KPK-së dhe të jurisprudencës së GjEDNj-së dhe GjDBE-së. Më tej, KPK-ja thekson se neni 13 (Përfundimi i mandatit) i Ligjit për KPK-në përcakton qartë rrethanat që mund të çojnë në përfundimin e parakohshëm të mandatit të një anëtari të KPK-së. Në të njëjtën kohë, neni 19 (Procedurat disiplinore për anëtarët e Këshillit) i Ligjit për KPK-në rregullon procedurat disiplinore për anëtarët e KPK-së, duke përfshirë mënyrën dhe procedurën për vënien para përgjegjësisë, apo shkarkimin, duke mos përjashtuar anëtarët jo-prokurorë të KPK-së. KPK-ja duke u mbështetur në aktgjykimet e lartcekura të Gjykatës, respektivisht rastin KO100/22 dhe KO101/22, cituar më lart thekson se përmes këtyre të fundit janë përcaktuar parime themelore për trajtimin e anëtarëve të KPK-së, të cilat përfshijnë sigurinë e mandateve kushtetuese dhe ligjore, duke ndaluar ndërprerjen e tyre të parakohshme pa baza të saktë ligjore.
Më tej, KPK-ja thekson: “Për më tepër, edhe Komisioni i Venecias, në Opinionin e tij të parë mbi Projektligjin e mësipërm për KPK-në, në pikën 54 të tij, shprehimisht kishte përcaktuar se "Komisioni i Venecias e përsëritë se përfundimi i hershëm i mandatit të një anëtari të Këshillit (pavarësisht a ndodhë për shkak të dorëheqjes vullnetare, shuarjes së tërë institucionit ose arsyeve të ngjashme) duhet të ndërlidhet me një shkelje të identifikushme ose me dështim për të kryer detyrat e tij/saj. Anëtarët e KPK-së nuk duhet të “shkarkohen” vetëm sepse shumica paralamentare ose kolegët e tyre nuk i përkrahin vendimet e tyre”.
KPK-ja shton se një qëndrim i ngjashëm i Komisionit të Venecias ishte promovuar edhe në Opinionin e tij lidhur me Projektligjin për Prokurorin e Shtetit dhe Projektligjin për Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion të Malit të Zi (2021), i cili në pikën 30 të tij, shprehimisht ka përcaktuar: "Është legjitime të zëvendësohen ministrat ose bartësit e tjerë të posteve politike pas zgjedhjeve. Por nëse në sistemin e brendshëm, një institucion gëzon një lloj autonomie ose, a fortiori, përkufizohet si "i pavarur", duke zëvendësuar zyrtarët kryesorë në një institucion të tillë për shkak të ndryshimit të shumicës politike dhe nën pretekstin e një reforme legjislative, duket se bie ndesh me Kushtetutën dhe sundimin e ligjit. Nëse çdo shumicë e re parlamentare në Parlament do të kishte të drejtë ta bënte këtë, kjo do të ishte në kundërshtim me vetë idenë e "mandatit" dhe me stabilitetin e mandatit të zyrtarëve, dhe me natyrën "e pavarur"- përkatësisht apolitike të këtyre trupave. Kjo gjithashtu do të pengonte dispozitat lidhur me përgjegjësinë disiplinore. Përgjegjësia disiplinore caktohet nga një trup disiplinor për sjellje të papërshtatshme të caktuar, trup i cili, në rastin e këshillave gjyqësor dhe prokurorial, gëzon pavarësi ose të paktën një shkalle të lartë autonomie. Meqenëse shumica parlamentare nuk ka kontroll mbi këto procedura, mund të tundohet të përdorë amendamentin ligjor për të anashkaluar dispozitat e përgjegjësisë disiplinore".
Tutje, KPK-ja thekson: “Po ashtu, Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e mësipërm të saj, ka sjellur në vëmendje edhe Opinionin e Komisionit të Venecias për Projektligjin për Këshillin Prokurorial Shtetëror të Serbisë (2014), i cili në pikën 53 të tij, shprehimisht ka përcaktuar se "Procedura disiplinore mund të zbatohet vetëm në rastet e shkeljeve disiplinore dhe jo për shkak të "mungesës së besimit". Neni 41 përcakton qartë arsyet që mund të çojnë në shkarkimin e anëtarëve të KPSH-së. Prandaj, procedura disiplinore duhet të përqendrohet vetëm në çështjen nëse anëtari i KPSH-së nuk ka kryer detyrat e tij ose të saj 'në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Kjo çështje nuk duhet të ngatërrohet me çështjen nëse ky anëtar e gëzon ende besimin e prokurorëve publikë dhe zëvendësprokurorëve publikë që morën pjesë në zgjedhjen e tij ose të saj. Procedura disiplinore duhet t'i garantojë anëtarit të KPSH-së një gjykim të drejtë. Ndërsa referenca për një gjykim të drejtë bëhet sipas nenit 46 (a), duhet të jepen detaje mbi garancitë përkatëse”.
Duke shprehur pajtimin me të gjitha pretendimet e parashtruesve të kërkesës, KPK-ja në komentet e tyre shton se shkarkimi i z. Beka nuk kishte të bënte me ushtrimin e funksionit të tij si anëtar i KPK-së po për shkak të pretendimeve lidhur me sjelljen e tij si profesor në Fakultetin Juridik të UMIB, dhe jo për moszbatimin e detyrave të tij si anëtar i KPK-së.
KPK-ja po ashtu konsideron të rëndësishme që kërkesa e cila është objekt shqyrtimi në Gjykatë të shpallet e bazuar dhe si e tillë, të mbrojë jo vetëm pavarësinë kushtetuese, organizative dhe funksionale të KPK-së, nga njëra anë, por edhe të ofrojë siguri juridike për mbajtësit e mandateve kushtetuese në mënyrë që të njëjtit të sillen dhe të veprojnë pa frikën e shkarkimit nga shumica parlamentare dhe, si pasojë, përfundimi i përkohshëm i mandatit kushtetues mos të shërbejë si votë mosbesimi ndaj institucionit të pavarur kushtetues apo anëtarit të tij, në mënyrë që të pamundësohet krijimi i precedentëve të tillë ku secila shumicë parlamentare të kishte mundësinë e ndikimit në ndërprerjen e parakohshme të mandateve të anëtarëve të institucioneve kushtetuese, duke pamundësuar ndikimin politik në këto institucione.
KPK-ja argumenton se është kritike që të vendoset masa e përkohshme në mënyrë që të sigurojë pavarësinë kushtetuese të KPK-së duke ju referuar aktgjykimeve të mëparshme të Gjykatës, për të theksuar se ndërprerja e parakohshme e mandateve të institucioneve kushtetuese, si në rastin e KPK-së, përbën shkelje të sigurisë juridike dhe pavarësisë së institucioneve. Po ashtu, KPK-ja thekson rëndësinë e vazhdimit të punës së anëtarit të shkarkuar jo-prokuror, z. Beka, për përmbushjen e detyrave të KPK-së, përfshirë proceset e rekrutimit dhe zgjedhjeve të prokurorëve të Shtetit dhe për të parandaluar dëmet e mundshme që mund të shkaktohen në lidhje me këtë çështje, përfshirë procesin e emërimit të anëtarit të ri jo-prokuror të KPK-së.
Komentet e Grupit Parlamentar të AAK-së
Grupi Parlamentar i AAK-së, në komentet e tyre të dorëzuara në Gjykatë, shpreh pajtimin e plotë me të gjitha argumentet e parashtruesve të kërkesës.
Grupi Parlamentar i AAK-së, konsideron se caktimi i masës së përkohshme është jo vetëm në interes publik, por është edhe e karakterit urgjent, duke theksuar se duke pasur për bazë faktin se vetëm një (1) javë pas shkarkimit të z. Beka, Komisioni për Legjislacion, në mbledhjen e tij të fundit për vitin 2023, ka iniciuar procedurat për zëvendësimin e z. Beka si anëtar jo-prokuror nga radha e fakulteteve Juridike të Universiteteve Publike, ku ndër të tjera, komisioni kishte votuar propozimin që t'i drejtohet me kërkesë universiteteve publike për të propozuar kandidatët për anëtar të KPK-së, dhe më 29 janar 2024, si pikë e rendit të ditës është propozuar edhe "Shqyrtimi i propozimeve për anëtarë të KPK-së nga radhët e Fakulteteve Juridike".
Komentet e znj. Rrezarta Krasniqi, deputete e LDK-së
Në cilësinë e deputetes së Kuvendit, znj. Rrezarta Krasniqi, ka theksuar se në mbledhjen e Kuvendit të 15 dhjetorit 2023, u miratua rekomandimi për shkarkimin e z. Beka nga posti i anëtarit të KPK-së. Znj. Rrezarta Krasniqi thekson se kjo ndodhi pas një votimi të njëpasnjëshëm, ku në fillim Kryetari i Kuvendit konstatoi se gjashtëdhjetë e një (61) deputetë kishin marrë pjesë në votim, prej tyre gjashtëdhjetë (60) ishin për shkarkim dhe një (1) kishte abstenuar. Znj. Krasniqi më tej shton se “ Përkundër faktit se Kryetari i Kuvendit kishte konstatuar se ky rekomandim nuk kishte kaluar për shkak se nuk kishte marrë shumicën e domosdoshme, kishte pasuar ndërhyrja e ashpër e znj. Mimoza Kusari-Lila e cila në cilësinë e kryetares së Grupit Parlamentar të LVV, kishte ngritur pretendim dhe kishte bërë presion publik se ky rekomandim kishte kaluar dhe kishte marrur 61 vota për”. Sipas deputetes znj. Rrezarta Krasniqi, ky veprim shkel mandatin dhe vullnetin e lirë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të garantuar me Kushtetutën dhe Ligjin Nr. 03/L-111 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit si dhe mund të shkaktojë precedent të rrezikshëm për demokracinë dhe sigurinë juridike të Kosovës.
Znj. Krasniqi në komentet e saj thekson se vendimi i kontestuar, ka vënë në pah edhe çështjen e pabarazisë në mes shkarkimit të anëtarëve të KPK-së që bëhet nga Kuvendi apo KPK-ja. Përderisa në bazë të paragrafit 4 të nenit 19 (Procedurat disiplinore për anëtarët e Këshillit) të Ligjit për KPK-në, të gjithë anëtarëve të KPK-së u mundësohet dhe lejohet ushtrimi i mjetit juridik në Gjykatën Supreme, e njëjta nuk vlen për anëtarët e KPK-së, të cilët mund të shkarkohen nga ana e Kuvendit. Kjo, sipas znj. Rrezarta Krasniqi, përveç që paraqet situatë pabarazie, ngrit edhe problematikën e mohimit/pamundësisë së ushtrimit të mjetit juridik përkundër që ushtrimi i mjetit juridik është e drejtë e garantuar me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës.
Komentet e Komisionit për Legjislacion
Komisioni për Legjislacion, në komentet e tyre kanë argumentuar se duke u bazuar në paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës, i cili përcakton që përbërja dhe rregullat e emërimit, riemërimit dhe shkarkimit të anëtarëve të KPK-së përcaktohen me ligj të nxjerrë nga Kuvendi, si i vetmi “organ që ka tagër kushtetues për të materializuar normën e lartcekur”. Sipas tyre vendimi për shkarkimin e z. Beka është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin për KPK-në. Sipas Komisionit për Legjislacion, Kuvendi ka të drejtë të shkarkojë anëtarin jo-prokuror nëse ai cenon dispozitat ligjore dhe bëhet i padenjë për funksionin e tij.
Tutje, Komisioni për Legjislacion thekson se në secilin rast, ka argumentuar se z. Beka, në cilësinë e anëtarit jo-prokuror të KPK-së, ka ushtruar ndikimin e tij para secilit proces. Pavarësisht kësaj, Komisioni për Legjislacion ka theksuar se pa paragjykuar rrjedhat e mëtejme të procedurave, qoftë disiplinore, qoftë penale ndaj z. Beka, vlerësoi se qëndrimi i mëtutjeshëm i këtij të fundit në KPK, ngjall pasiguri dhe shkel parimet bazë të veprimtarisë së KPK-së, të përcaktuara me Ligjin për KPK-në.
Komisioni për Legjislacion argumenton se Kushtetuta edhe Ligji për KPK-në përcaktojnë parime mbi bazën e të cilave ushtrohet funksioni i anëtarit të KPK-së, parime këto që në vazhdimësi janë shkelur nga z. Beka. Duke vënë theks në paragrafin 1.5 të nenit 3 (Parimet bazë të veprimtarisë së Këshillit) të Ligjit për KPK-në, dhe mbi rastin "Vendimin A.nr.148/2022 e zv. u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, z. Agron Qalaj, përmes të cilit lënda PPS nr. 53/2022, kalon në juridiksion të Prokurorisë Themelore në Gjilan;". Pra, sipas Komisionit për Legjislacion edhe Kuvendi ka vlerësuar si fakt vendimtar, mënyrën se si është trajtuar lënda që i përket z. Beka, në kuadër të sistemit prokurorial. Andaj, është në vlerësimin e Kuvendit që të cilësojë se cili fakt ndikon që anëtari jo-prokuror i KPK-së, të ketë ushtruar funksionin e tij/saj, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, duke rrezikuar edhe funksionimin normal të KPK-së, si dhe shkeljen e parimit të besimit të publikut.
Tutje, Komisioni për Legjislacion potencon se tentimi i parashtruesve të kërkesës për ta interpretuar paragrafin 1 në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 13, është i gabuar dhe përpjekje e qëllimshme, për ta vendosur në lajthim Gjykatën, por lehtësisht mund të shihet se neni 13 (Përfundimi i mandatit) në tërësi, flet për disa situata dhe nuk kërkohet që në mënyrë kumulative të plotësohen kushtet për shkarkim të anëtarit, sepse sipas Komisionit secila rrethanë e përcaktuar në nenin 13 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit për KPK-në, përbën shkak për përfundim të mandatit të anëtarit.
Komisioni për Legjislacion argumenton tutje se ndërlidhja që parashtruesit e kërkesës e bëjnë me rastin konkret dhe rastet KO29/12 dhe KO48/12 të Gjykatës, janë të pabazuara, pasi këto raste nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, sepse sipas tyre mekanizmi i shkarkimit të Presidentit është mekanizëm kushtetues, ndërsa shkarkimi i anëtarit jo-prokuror të KPK-së është i përcaktuar me ligj.
Komisioni për Legjislacion argumenton se pretendimet e parashtruesve lidhur me mungesën e arsyetimit dhe këshillës juridike në vendimin e kontestuar janë të pabazuara, pasi procedura u zhvillua nga Kuvendi, i cili nuk është i detyruar të japë arsyetim për vendimet e tij sipas Rregullores së Kuvendit. Arsyet e vendimit janë përfshirë në raportin e Komisionit funksional, të miratuar nga Kuvendi.
Andaj, duke u bazuar në konstatimet e sipërcekura, Komisioni për Legjislacion vlerëson se procedura e ndjekur për shkarkimin e z. Beka, është në përputhje të plotë me mandatin kushtetues dhe ligjor të Kuvendit.
Komentet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në komentet e tyre para Gjykatës fillimisht theksojnë se shkarkimi i anëtarëve të KPK-së nga Kuvendi nuk është çështje kushtetuese.
Më tej, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! thekson se sipas Ligjit për KPK-në, garancia për shkarkimin e anëtarëve të KPK-së nga Kuvendi është më e lartë se sa garancia kushtetuese. Kjo në linjë edhe me opinionet e Komisionit të Venecias, respektivisht në një opinion ndaj Bullgarisë, Komisioni i Venecias theksoi se një gjykatë kushtetuese ndërhyn zakonisht kur mungon një garanci, jo kur ligji i zakonshëm parashikon një garanci më të rreptë. Në mënyrë analoge, kjo qasje pozitive është konfirmuar edhe nga jurisprudenca e Gjykatës në rastin KO100/22 dhe KO101/22, cituar më lart. Tutje në këtë linjë, në rrethanat e rastit konkret me rastin e shkarkimit të z. Beka, Kuvendi duke u bazuar në Ligjin për KPK-në ka ndjekur një procedurë që garanton standarde edhe më të larta se sa ato të përcaktuara me Kushtetutë, ku për shkarkimin e tij votuan gjithsej 62 deputetë të Kuvendit.
Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! thekson se pretendimet e parashtruesve të kërkesës se shkarkimi i z. Beka nga KPK-ja ka cenuar pavarësinë institucionale të KPK-së dhe ka qenë një ndërhyrje arbitrare nga Kuvendi, nuk mbështeten në Kushtetutë dhe jurisprudencën e Gjykatës. Sipas Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bazuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafit 4 i nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës përcakton qartë kompetenca e Kuvendit për mbikëqyrjen e punës së institucioneve publike, përfshirë KPK-në. Tutje, në komentet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, theksohet se shkarkimi i z. Beka është i bazuar në rrethana që përfshijnë përdorimin e ndikimit të tij si anëtar jo-prokuror i KPK-së në çështjet e Fakultetit Juridik, ku ishte në pozitën e dekanit. Po ashtu, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! thekson se APK-ja ka gjetur se z. Beka ishte në konflikt interesi. Në raportin e saj, kjo agjenci ka konfirmuar se z. Beka kishte dorëzuar lista të zbrazëta për ligjërata që nuk i kishte mbajtur, për të cilat ishte kompensuar.
Tutje, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! potencoi se Gjykata gjithashtu ka rikujtuar se edhe Komisioni i Venecias ka trajtuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit, e veçanërisht punën e komisioneve dhe në opinionin e saj, ka theksuar se komisionet e përhershme, duhet të ushtrojnë kontroll efikas në fushën e tyre të kompetencës, i cili nuk duhet të kufizohet në shqyrtimin e raporteve të paraqitura nga organet dhe zyrtarët e shtetit, por duhet gjithashtu të përfshijë një kontroll më aktiv të veprimeve të ekzekutivit dhe agjencive të pavarura, duke ju referuar Opinionit nr. 845/2016 të Komisionit të Venecias, me titull: "Parametrat në Marrëdhënien në mes të Shumicës Parlamentare dhe Opozitës në Demokraci", CDL-AD (2019) 015 i 24 qershorit 2019, paragrafi 92 si dhe rastit të Gjykatës KO127/21, parashtrues Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, respektivisht paragrafit 96. Po ashtu duke potencuar: “Kështu, Gjykata etabloi kompetencën mbikëqyrëse të Kuvendit. Normalisht, kjo u bë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse të cilat materializojnë dispozitat kushtetuese (shih rastin e Gjykatës KO127/21, parashtrues Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, par.98)”.
Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! thekson se, sipas paragrafit 2 të nenit 13 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit për KPK-në, anëtarët e KPK-së mund të shkarkohen para përfundimit të mandatit nëse nuk e përmbushin funksionin sipas Kushtetutës dhe ligjit, ose veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre. Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! thekson se z. Beka ka shkelur Kodin e Etikës, duke përdorur autoritetin e tij për të kërcënuar dekanin e Fakultetit Juridik të UMIB-së, dhe me këto veprime kanë dëmtuar integritetin e tij dhe të KPK-së dhe kanë ndikuar negativisht në imazhin e institucionit.
Në vazhdim, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! thekson se të gjitha këto arsye ishin plotësuar kushtet ligjore për shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së, kushte këto të përcaktuara në paragrafin 2 të nenit 13 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit për KPK-në. Sipas Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për dallim nga e kaluara, mënyra se si Kuvendi veproi në këtë rast është në përputhje të plotë me autorizimet e tij në raste të tilla. Kjo pasi në këtë rast, Kuvendi ushtroi rolin e tij mbikëqyrës, për aq sa ia lejon Kushtetuta dhe Ligji për KPK-në, në mënyrë proaktive.
Tutje, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! thekson se nuk ka asnjë dispozitë kushtetuese që e kufizon Kuvendin nga roli i tij mbikëqyrës apo nga shkarkimi kur plotësohen kushtet ligjore të anëtarit të KPK-së të zgjedhur nga vet Kuvendi. Madje, shkarkimi ose jo nuk ka as se si të jetë çështje kushtetuese, por ajo është vetëm çështje ligjore.
Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, thekson: “Fatkeqësisht, në paragrafin 25, pa ndonjë relevancë, parashtruesit e kërkesës fyejnë edhe mediat, të cilën e ka sulmuar padrejtësisht anëtari tanimë i shkarkuar nga Kuvendi. Kjo duke nënvizuar të njëjtat me shprehjet "... të perceptimeve të njëanshme politike apo mbi bazën e pretendimeve të pabaza apo të pavërtetuara të ndonjë portali apo media ...". Në rastin konkret, siç u tha, bëhet fjalë për raportimet e dy entiteve, një OJQ e shoqërisë civile në fushën e sundimit të ligjit dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës. Kjo fyerje jipet në terma abstrakt duke fshehur faktin se për rastet të cilat janë pjesë e dosjes së hartuar nga Kuvendi, z. Agron Beka ka bërë padi të shumta në gjykata, asnjë prej të cilave deri në këtë fazë nuk janë vërtetuar”.
Përkitazi me shkeljen e nenit 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës
Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! argumenton se pretendimet e parashtruesve se z. Beka i janë shkelur të drejtat sipas nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNj-së, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! thekson se bazuar në praktikën e GJEDNJ-së të njëjtat nuk janë të bazuara, pasi Kuvendi nuk është një gjykatë dhe nuk ka detyrim të zbatojë ato garanci në mënyrën e parashikuar. Ata theksojnë se z. Beka kishte mundësi të mbrojë të drejtat e tij në gjykata të rregullta. Gjithashtu, pretendimet se i është mohuar e drejta në mjete juridike, sipas neneve 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, janë të pabazuara, pasi ai kishte mundësi të kontestonte vendimin e Kuvendit në Gjykatën Themelore në Prishtinë përmes një konflikti administrativ.
Ndërsa sa i përket, pretendimit për shkelje të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] të Kushtetutës, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! thekson se nga paragrafi 2 dhe deri tek paragrafi 7 i këtij neni, listohen institucionet kushtetuese të cilat formësojnë ndarjen e pushteteve dhe se në këtë nen, në asnjë prej paragrafëve të tij, nuk bënë pjesë KPK-ja. Kështu, në këtë rast, parashtruesit e kërkesës e ngatërrojnë pushtetin gjyqësor, si pushtet klasik në kuadër të ndarjes së pushteteve sipas nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] të Kushtetutës me KPK-në si institucion në kuadër të sistemit të drejtësisë, siç përcaktohet në kapitullin VII [Sistemi i Drejtësisë] të Kushtetutës. Ky ngatërrim, sipas Grupit Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i parashtruesve të kërkesës nuk nënkupton faktin se KPK-ka nuk i ka garancionet kushtetuese të një institucioni të pavarur kushtetues. Kjo çështje është saktësuar edhe në jurisprudencën e Gjykatës.
Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! argumenton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të cituara nga parashtruesit e kërkesës nuk janë analoge me rastin e shkarkimit të anëtarëve jo-prokurorë të KPK-së. Ata theksojnë se vendimet KO100/22 dhe KO101/22, cituar më lart, të cilat ndaluan shkurtimin kolektiv të mandateve përmes ligjit, nuk kanë lidhje me rastin aktual. Gjithashtu, ata argumentojnë se aktgjykimet në rastet KO29/12 dhe KO48/12, cituar më lart që lidhen me amendamentet kushtetuese dhe të drejtat e njeriut, nuk janë të aplikueshme në këtë rast. Sipas tyre, asnjë nga vendimet e cituara nuk është analog me vendimin e kontestuar.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 4
[Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit]
“1. Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë”.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”.
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur”.
Neni 65
[Kompetencat e Kuvendit]
“Kuvendi i Republikës së Kosovës:
miraton ligje, rezoluta dhe akte të tjera të përgjithshme;
[...]
(10) zgjedh anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë;
[...]
(14) vendos për çështjet me interes të përgjithshëm, të përcaktuara me ligj”.
Neni 110
[Këshilli Prokurorial i Kosovës]
“1. Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në kryerjen e funksioneve të tij, në pajtim me ligjin. Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë personat në Kosovë. Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron që Prokurori i Shtetit të jetë i pavarur, profesional, i paanshëm dhe pasqyron natyrën shumetnike të Kosovës dhe parimet e barazisë gjinore.
2. Këshilli Prokurorial i Kosovës do të rekrutojë, propozojë, avancojë, transferojë, disiplinojë prokurorët në mënyrën e rregulluar me ligj. Këshilli do t’i japë përparësi emërimit për prokurorë të anëtarëve të komuniteteve të nënpërfaqësuara në mënyrën e përcaktuar me ligj. Të gjithë kandidatët duhet t’i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj.
3. Propozimet për emërimin e prokurorëve duhet të bëhen në bazë të procesit të hapur për emërime, në bazë të meritave të kandidatëve, dhe ky propozim pasqyron parimin e barazisë gjinore dhe përbërjen etnike të jurisdiksionit territorial përkatës.
4. Përbërja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe dispozitat për emërimin, shkarkimin, mandatin, strukturën organizative dhe rregullat e procedurës, rregullohen me ligj”.
LIGJI NR. 06/L-056 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS
Neni 3
Parimet bazë të veprimtarisë së Këshillit
“1. Këshilli:
[...]
1.5. gjatë ushtrimit të detyrave dhe kompetencave, Këshilli vepron në atë mënyrë që respekton dhe ruan pavarësinë e prokurorëve derisa këta kryejnë funksionet e tyre të ndjekjes. Këshilli nuk do të urdhërojë apo ndikojë, të përpiqet të ndikojë apo të ndërmarrë në ndonjë mënyrë tjetër ndonjë veprim apo të japë çfarëdo deklarate e cila në mënyrë të arsyeshme mund të shihej si ndërhyrje apo përpjekje për ndërhyrje në pavarësinë e funksionit të prokurorisë në raport me cilindo person, hetim apo lëndë”.
Neni 4
Pavarësia dhe paanshmëria e anëtarëve të Këshillit
“Kryesuesi, zëvendës-kryesuesi dhe anëtari i Këshillit ushtrojnë detyrat e tyre në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme”.
Neni 5
Përgjegjësia personale e anëtarëve të Këshillit
“Anëtarët e Këshillit Prokurorial nuk mbajnë përgjegjësi penale apo civile për mendimet e shprehura brenda fushëveprimit të tyre, si anëtarë të Këshillit”.
Neni 7
Detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit
“1. Këshilli ushtron detyrat dhe përgjegjësitë si në vijim:
[...]
1.14. miraton Kodin e Etikës Profesionale për anëtarët e Këshillit, shkelja e të cilit paraqet bazë për sanksione, përfshirë shkarkimin nga Këshilli;
[...]
1.22. përcaktimin e procedurave për seancat dhe zhvillimin e seancave disiplinore;
[...]
1.25. themelimin e komisioneve të cilat Këshilli i vlerëson si të nevojshme;
[...]
1.31. miraton aktet nënligjore në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive të tij, në pajtim me legjislacionin në fuqi;
1.32. kryen detyra të tjera të përcaktuara në ligj.”
Neni 9
Përbërja e anëtarëve të Këshillit
“1. Këshilli, përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, si vijon:
1.1. dhjetë (10) anëtarë, nga radhët e prokurorëve dhe atë:
1.1.1. Kryeprokurori i Shtetit;
1.1.2. shtatë (7) anëtarë, prokurorë nga prokuroritë themelore, të përfaqësuar me nga një (1) anëtar, të zgjedhur nga prokurorët e asaj prokurorie;
1.1.3. një (1) anëtar, prokuror nga Prokuroria e Apelit, i zgjedhur nga prokurorët e asaj prokurorie;
1.1.4. një (1) anëtar, prokuror nga Prokuroria Speciale, i zgjedhur nga prokurorët e asaj prokurorie.
1.2. një (1) anëtar avokat nga Oda e Avokatëve të Kosovës;
1.3. një (1) anëtar, profesor universitar i drejtësisë;
1.4. një (1) anëtar, përfaqësues nga shoqëria civile.
2. Anëtarët e Këshillit nga nën-paragrafi 1.1. i këtij neni, përveç Kryeprokurorit të Shtetit, nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht detyrën e kryeprokurorit të cilësdo prokurori.
3. Tre (3) anëtarët jo-prokurorë të Këshillit, të zgjedhur nga Kuvendi, sipas nenit 65 (10) të Kushtetutës, zgjidhen me votim të fshehtë, me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, bazuar në një listë prej dy (2) kandidatëve për secilën pozitë të propozuar nga organet përkatëse e që përfshin:
3.1. një (1) anëtar nga Oda e Avokatëve të Kosovës;
3.2. një (1) profesor nga fakultetet juridike të Republikës së Kosovës;
3.3 “një (1) përfaqësues nga shoqëria civile. Përfaqësuesi i shoqërisë civile përzgjidhet me anë të konkursit publik të shpallur nga Kuvendi, i cili duhet të ketë përgatitje të lartë profesionale, njohuri të dëshmuara nga fusha e drejtësisë, njohuri nga fusha e të drejtave të njeriut, përvojë pune në çështjet ligjore prej pesë (5) viteve, dhe përkrahjen e së paku pesë (5) organizatave të shoqërisë civile të fushës së drejtësisë.
4. Anëtarët e Këshillit pasqyrojnë natyrën shumetnike dhe parimet e barazisë gjinore në Republikën e Kosovës dhe zgjedhën bazuar në kompetencën, përvojën dhe njohurinë e tyre.
5. Gjatë kohës së ushtrimit të funksionit të anëtarit të Këshillit, i njëjti nuk mund të ngritët në detyrë në sistemin prokurorial.
6. Anëtarët e Këshillit me orar të plotë nuk mund të ushtrojnë detyrën e prokurorit në asnjë zyrë të prokurorisë.
7. Këshilli do të miratojë rregullore të veçantë për zbatimin e këtij neni”.
Neni 10
Procedura e propozimit, zgjedhjes dhe e shkarkimit të anëtarëve që zgjedhën nga Kuvendi
“1. Procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit nga Kuvendi, fillon gjashtë (6) muaj para skadimit të mandatit të anëtarit.
2. Përjashtimisht nga paragrafi 1. i këtij neni, kur mandati përfundon para kohe, siç përcaktohet me këtë ligj, procedura për zgjedhjen e anëtarit fillon brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e mbetjes së vendit të lirë.
3. Kuvendi e shpall konkursin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit, në media të shkruara dhe elektronike dhe në gjuhët zyrtare.
4. Komisioni përkatës i Kuvendit (në tekstin e mëtejmë: Komisioni) përcakton kriteret e konkursit për zgjedhjen e anëtarit. Afati i kohëzgjatjes së konkursit nuk mund të jetë më i shkurtër se pesëmbëdhjetë (15), e as më i gjatë se njëzet (20) ditë.
5. Pas skadimit të afatit të paraparë në paragrafin 4. të këtij neni, Komisioni brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, vlerëson nëse kandidatët i plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur anëtarë të këshillit, dhe hedh poshtë kandidaturat që nuk i plotësojnë kushtet e përcaktuara në konkurs.
6. Komisioni zhvillon intervistë me secilin kandidat i cili plotëson kushtet për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit dhe në bazë të të dhënave të paraqitura dhe rezultateve të intervistës, përgatitë listën e ngushtë të kandidatëve.
7. Kuvendi me votim të fshehtë zgjedh anëtarët e Këshillit.
8. Lista për seancën e Kuvendit përbëhet nga dy (2) kandidatë për një pozitë.
9. Nëse në rrethin e parë, kandidatët e propozuar nga komisioni përkatës i Kuvendit nuk marrin shumicën e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, atëherë në raundin e dytë konsiderohet i zgjedhur kandidati me numrin më të madh të votave.
10. Shkarkimi i anëtarëve jo-prokurorë të Këshillit, bëhet nga Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, me propozim të komisionit përkatës ose Këshillit”.
Neni 13
Përfundimi i mandatit
“1. Mandati i anëtarit të Këshillit përfundon me:
[...]
1.5. skadimin e mandatit;
2. Anëtarët e Këshillit shkarkohen nga funksioni para skadimit të mandatit për të cilin janë zgjedhur, nëse:
2.1. funksionin e anëtarit të Këshillit nuk e kryen në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin;
2.2. ushtron funksionin në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij.
[...] ”
Neni 19
Procedurat disiplinore për anëtarët e Këshillit
“1. Këshilli përcakton dhe publikon rregullat dhe procedurat disiplinore të zbatueshme ndaj anëtarëve të vet duke përfshirë ato procedura që përcaktojnë hetimin, pezullimin apo rekomandimin për shkarkim të cilitdo anëtari të Këshillit.
2. Komision i përbërë nga tre (3) anëtarë, njëri nga të cilët duhet të jetë anëtar prokuror i Këshillit, dhe dy (2) të tjerë nga radhët e prokurorëve, i themeluar nga Këshilli, vendos për masat disiplinore dhe për sanksione, përfshirë pezullimin dhe shkarkimin e cilit do anëtarë të Këshillit.
3.Me rekomandimin e komisionit, një (1) anëtar i Këshillit mund të shkarkohet me anë të dy të tretave (2/3) të votave të anëtarëve të Këshillit.
4. Një (1) anëtar i Këshillit i cili është shkarkuar gëzon të drejtën të ankohet kundër vendimit të Këshillit drejtpërsëdrejti në Gjykatën Supreme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga vendimi për shkarkim”.
LIGJI Nr. 06/L - 057 PËR PËRGJEGJËSINË DISIPLINORE TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE
Neni 1
Qëllimi dhe fushëveprimi
“Ky ligj përcakton shkeljet disiplinore, procedurat për fillimin e hetimeve për dyshimet për shkelje disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, procedurat disiplinore pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, sanksionet disiplinore dhe mjetet juridike që lidhen me shkeljet disiplinore pranë Gjykatës Supreme”.
KODI I ETIKËS DHE SJELLJES PROFESIONALE PËR ANËTARËT E KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS
Neni 2
Parimet e përgjithshme
“3. Anëtari i Këshillit:
Respekton standarde të larta të sjelljes profesionale dhe personale,
Respekton dhe i përmbahet ligjit,
Kryen detyrat e Këshillit me paanshmëri dhe kujdes,
Shmangë çdo sjellje apo situatë që mund të vërë në pikëpyetje integritetin apo paanshmërinë e Këshillit,
Kryen detyrat sipas standardeve dhe parimeve ndërkombëtarisht të njohura për të drejtat e njeriut,
Mbanë interesin e publikut si bazë për veprim, dhe
Nxitë këto parime gjatë ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive të tij/saj.
4. Dispozitat e sipërme vlejnë jo vetëm për aktivitetet profesionale të anëtarëve të Këshillit, por edhe për jetën private të tij/saj (apo ndoshta për jetën tjetër profesionale), kur veprimet e anëtarit të Këshillit dëmtojnë imazhin e Këshillit në syrin publik, e kështu ndikon tërë institucionin”.
Neni 3
Rregullat dhe aktivitetet specifike të etikës
“9. Anëtari i Këshillit:
Nuk inicion apo merr pjesë në ndonjë procedurë që nuk ka bazë ligjore;
[...].”
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse kërkesa i plotëson kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, e të specifikuara më tej, me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës.
Fillimisht, Gjykata i referohet paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar”.
Përveç kësaj, Gjykata po ashtu i referohet paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, i cili përcakton:
“Dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, brenda një afati prej tetë (8) ditësh nga dita e miratimit, kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur”.
Gjykata rikujton se parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e vendimit të kontestuar në lidhje me përmbajtjen e tij.
Po ashtu, Gjykata rikujton se kërkesa është parashtruar nga 10 (dhjetë) deputetë të Kuvendit, që është më shumë se minimumi i pragut të përcaktuar me paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës.
Gjykata vlerëson se 10 (dhjetë) a më shumë deputetë të Kuvendit legjitimohen se janë “palë e autorizuar” në kuptim të paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës për të kontestuar kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji a akti të miratuar nga Kuvendi, si për nga përmbajtja ashtu dhe procedura e ndjekur. Në rastin konkret, 10 (dhjetë) deputetët e Kuvendit legjitimohen se janë palë e autorizuar, dhe rrjedhimisht në bazë të paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, kanë të drejtën e kontestimit të kushtetutshmërisë të Vendimit [nr. 08-V-668] të Kuvendit, të 15 dhjetorit 2023.
Gjykata, më tej, vlerëson se a është paraqitur kërkesa në afatin e përcaktuar prej “8 (tetë) ditësh nga data e miratimit”, siç përcaktohet në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës. Lidhur me këtë, Gjykata konstaton se vendimi i kontestuar është miratuar më 15 dhjetor 2023, ndërsa kërkesa është parashtruar në Gjykatë më 22 dhjetor 2023. Me këtë rast, Gjykata konstaton se kërkesa është parashtruar brenda afatit kohor.
Përveç kësaj, Gjykata merr parasysh edhe nenin 42 (Saktësimi i kërkesës) dhe 43 (Afatet) të Ligjit që rregullojnë parashtrimin e kërkesës në bazë të paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, i cili kërkon që të paraqiten informatat e mëposhtme:
Nenin 42
(Saktësimi i kërkesës)
“1. Në kërkesën e ngritur në pajtim me nenin 113, paragrafi 6 të Kushtetutës, ndër të tjera, paraqiten informatat e mëposhtme:
1.1. emrat dhe nënshkrimet e të gjithë deputetëve të Kuvendit që kontestojnë kushtetutshmërinë e ligjit apo vendimit të nxjerrë nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës;
1.2. dispozitat e Kushtetutës apo të ndonjë akti apo ligji që ka të bëjë me këtë kërkesë; dhe
1.3. paraqitjen e provave mbi të cilat mbështetet kontesti.”
Neni 43
(Afati)
“1. Një ligj apo vendim i miratuar nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje pas mbarimit të afatit të përcaktuar në pajtim me nenin 113, paragrafi 5 i Kushtetutës”.
Gjykata, po ashtu, i referohet rregullit 72 (Kërkesa në pajtim me paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit) si dhe të Rregullores së punës, që parasheh:
Rregulli 72
(Kërkesa në pajtim me paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit)
“(1) Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli duhet të përmbushë kriteret e përcaktuara me paragrafin (5) të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 42 (Saktësimi i kërkesës) dhe 43 (Afati) të Ligjit.
(2) Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli ka efekt suspenziv.
(3) Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli, ndër të tjera, duhet të përmbajë
informatat e mëposhtme:
(a) emrat dhe nënshkrimet e të gjithë deputetëve të Kuvendit që kontestojnë kushtetutshmërinë e ligjit apo vendimit të nxjerrë nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës;
(b) dispozitat e Kushtetutës apo të ndonjë akti apo ligji që ka të bëjë me këtë
kërkesë; dhe
(c) paraqitjen e provave mbi të cilat mbështetet kontesti.
(4) Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet një kopje e ligjit ose vendimit të kontestuar të
miratuar nga Kuvendi, regjistri dhe nënshkrimet personale të deputeteve që paraqesin kërkesën, si dhe autorizimi i personit që i përfaqëson ata para Gjykatës.
(5) Gjykata menjëherë pas regjistrimit të një kërkese të parashtruar në pajtim me paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës, e njofton Kuvendin e Republikës se Kosovës për regjistrimin e kërkesës.
(6) Në rast se kontestohet një ligj ose një vendim i Kuvendit që kërkon dekretimin nga Presidenti/ja, Gjykata menjëherë pas regjistrimit të kërkesës së parashtruar, në pajtim me paragrafin (5) të nenit 113 të Kushtetutës dhe nenet 42 (Efekti Suspenziv) dhe 43 (Afatet) të Ligjit e njofton Presidentin/en dhe Kuvendin për efektin suspenziv të kërkesës ndaj hyrjes në fuqi të ligjit ose vendimit që kontestohet, derisa Gjykata të nxjerrë vendim përfundimtar lidhur me çështjen para saj.
(7) Kërkesa sipas këtij rregulli duhet të parashtrohet brenda tetë (8) ditësh nga data e miratimit të ligjit apo të vendimit të kontestuar”.
Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës: (i) shënuan emrat dhe nënshkrimet e tyre në kërkesë; (ii) specifikuan aktin e kontestuar, respektivisht Vendimin [nr. 08-V-668] e 15 dhjetorit 2023 të Kuvendit për shkarkimin e z. Beka, si dhe dorëzuan kopjen e tij; (iii) iu referuan dispozitave specifike kushtetuese, me të cilat ata pretendojnë se akti i kontestuar nuk është në pajtueshmëri; (iv) paraqitën prova dhe dëshmi për të mbështetur pretendimet e tyre; si dhe dorëzuan kërkesën, brenda afatit prej tetë (8) ditësh, siç përcakton paragrafi 5 i nenit 113 të Kushtetutës.
Rrjedhimisht, Gjykata e shpall kërkesën të pranueshme dhe në vijim do të shqyrtojë meritat e saj.
Meritat e kërkesës
Gjykata së pari rikujton esencën e kërkesës, e cila, bazuar në shkresat e lëndës, rezulton se: (i) Kryetari i Komisionit për Legjislacion, paraqiti para anëtarëve të Komisionit të lartpërmendur një shkresë me disa informata të përmbledhura, duke i njoftuar këta të fundit me “shkeljet e z. Agron Beka” në mandatin e tij si anëtar jo-prokuror i KPK-së, si dhe arsyet lidhur me propozimin për shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së; (ii) më pas më 28 shtator 2023, Komisioni për Legjislacion, miratoi Rekomandimin [nr. 08/4446/Do-1994], për shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së, dhe si rrjedhojë Komisioni i lartpërmendur, rekomandimin për shkarkim e përcolli në Kuvend për votim; (iii) më 15 dhjetor 2023 Kuvendi përmes Vendimit [nr. 08-V-668] vendosi që të miratojë Rekomandimin e Komisionit për Legjislacion, duke e shkarkuar z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së.
Gjykata rikujton se parashtruesit e kërkesës pretendojnë se vendimi i kontestuar në aspektin e tij përmbajtësor, është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] si dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës.
Thelbi i pretendimeve të parashtruesve të kërkesës ndërlidhet me çështjet si në vijim; (i) nëse shkarkimi i anëtarit jo-prokuror të KPK-së përmbush kushtet e parapara ligjore dhe nëse anëtarët jo-prokurorë janë përfaqësues të Kuvendit në KPK, duke potencuar faktin se me rastin e shkarkimit të z. Beka, Kuvendi ka tejkaluar autorizimet e tij kushtetuese, sepse nuk ka autoritet që të ndërpresë mandatin kushtetues të një anëtari jo-prokuror të KPK-së; (ii) nëse Kuvendi ka respektuar të drejtat kushtetuese sipas paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, duke potencuar se në rastin konkret Kuvendi ka dështuar të respektojë standardet kushtetuese që përfshijnë të drejtën për mbrojtje të barabartë dhe gjykim të drejtë; (iii) anëtarit jo-prokuror të KPK-së i është hequr e drejta për të përdorur mjete juridike dhe për mbrojtje gjyqësore.
Gjykata nga shkresat e lëndës vëren se pretendimet e ngritura nga parashtruesit e kërkesës, mbështeten në parim nga KPK dhe Grupi Parlamentar i AAK-së. Në anën tjetër Komisioni për Legjislacion dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në komentet e tyre kanë shprehur kundërshtimet e tyre në raport me pretendimet e parashtruesve të kërkesës. Deputetja e Kuvendit, znj. Rezarta Krasniqi në komentet e saj ka shprehur qëndrimin e saj se në rastin konkret nuk ishin respektuar procedurat e votimit në Kuvend, lidhur me shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së.
Në vijim, Gjykata do t’i trajtojë ndaras pretendimet e parashtruesve të kërkesës, lidhur me (i) pretendimin nëse shkarkimi i anëtarit jo-prokuror të KPK-së përmbush kushtet e parapara ligjore dhe nëse anëtarët jo-prokurorë janë përfaqësues të Kuvendit në KPK; (ii) pretendimet e parashtruesve për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike], si dhe nenit 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; si dhe (iii) lidhur me pretendimet e znj. Rrezarta Krasniqi që ndërlidhen me procedurën e ndjekur në Kuvend me rastin e shkarkimit të z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së.
Përkitazi me pretendimin nëse shkarkimi i anëtarit jo-prokuror të KPK-së përmbush kushtet e parapara ligjore dhe nëse anëtarët jo-prokurorë janë përfaqësues të Kuvendit në KPK
Gjykata edhe njëherë rikujton pretendimet e parashtruesve që ndërlidhen me faktin, nëse shkarkimi i z. Beka i përmbush kushtet e parapara ligjore dhe nëse anëtarët jo-prokurorë janë përfaqësues të Kuvendit në KPK. Në thelb, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se (i) Kuvendi, ka tejkaluar autorizimet e tij kushtetuese, sepse sipas tyre, Kuvendi në rrethanat e rastit konkret nuk ka kompetencë për të ndërprerë mandatin kushtetues të një anëtari jo-prokuror të KPK-së; dhe se (ii) një veprim i tillë si në rastin konkret do të dëmtonte pavarësinë kushtetuese të KPK-së. Parashtruesit e kërkesës kundërshtojnë vendimin e kontestuar, duke argumentuar se arsyet për shkarkimin e z Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së, nuk përputhen me kushtet e parashikuara në paragrafin 2 të nenit 13 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit për KPK-në, sipas të cilit anëtarët e KPK-së mund të shkarkohen vetëm nëse nuk i kryejnë detyrat e tyre sipas Kushtetutës dhe ligjit, dhe jo për arsye që lidhen me aktivitete të tjera jashtë këtij konteksti. Parashtruesit theksojnë se te gjeturat e Rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, rekomandim ky që i ka paraprirë vendimit të kontestuar, ndërlidhen me veprimet e z. Beka si dekan i Fakultetit Juridik dhe jo me veprimet e tij si anëtar jo-prokuror i KPK-së. Më tej lidhur me këtë, parashtruesit e kërkesës theksojnë se konstatimi i Komisionit për Legjislacion që anëtari i KPK-së, z. Beka, do të përfaqësonte një "imazh të keq" për Kuvendin është i pabazë dhe jashtë kritereve ligjore për shkarkim. Sipas tyre anëtarët jo-prokurorë të KPK-së, përfshirë z. Beka, janë të pavarur dhe nuk përfaqësojnë Kuvendin gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.
Gjykata, fillimisht, vë në pah që e njëjta ka elaboruar parimet që ndërlidhen me sistemin prokurorial në rastet KO100/22 dhe KO101/22, cituar më lart (paragrafët 153-175). Më tej, parimet themelore të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe garancitë për institucionet e pavarura kushtetuese, Gjykata që nga themelimi i saj, i ka shtjelluar në aktgjykimet e saj, duke u bazuar, ndër të tjera, edhe në praktikat e mira ndërkombëtare, Opinionet relevante të Komisionit të Venecias si dhe praktikën gjyqësore të GjEDNj-së dhe Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (në tekstin e mëtejmë: GjDBE), për aq sa ka qenë e nevojshme dhe e aplikueshme në rastet në shqyrtim para saj. Më saktësisht, Gjykata ka shtjelluar parimet përkitazi me ndarjen dhe balancimin e pushteteve dhe pavarësinë e institucioneve të pavarura kushtetuese, përmes aktgjykimeve që përfshijnë por nuk kufizohen në (i) Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO73/16, me parashtrues Avokati i Popullit, në të cilin Gjykata e kishte bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë së Qarkores Administrative nr. 01/2016, të nxjerrë nga Ministria e Administratës Publike të Republikës së Kosovës; (ii) Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO171/18, me parashtrues Avokati i Popullit, në të cilin Gjykata e kishte bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; (iii) Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO203/19, me parashtrues Avokati i Popullit, në të cilin Gjykata kishte bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë; (iv) Aktgjykimin në rastin KO219/19, me parashtrues Avokati i Popullit, në të cilin Gjykata kishte bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik; dhe (v) Aktgjykimin në rastin KO127/21, me parashtrues Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-29 të Kuvendit të Republikës së Kosovës të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton që nenet 108 [Këshilli Gjyqësor i Kosovës] dhe 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës, saktësojnë që (i) KGJK është institucion “plotësisht i pavarur” në ushtrimin e funksioneve të saj; dhe (ii) KPK është institucion “plotësisht i pavarur” në kryerjen e funksioneve të saj, në pajtim me ligjin. Përkundër dallimeve në kompetencat dhe funksionet e këtyre institucioneve, përdorimi i terminologjisë së njëjtë në kuptim të pavarësisë së tyre, duke i cilësuar ato si plotësisht të pavarura, reflekton qëllimin e kushtetutbërësit që të akordojë nivelin më të lartë të pavarësisë kushtetuese për këto institucione.
Gjykata përmes praktikës së saj gjyqësore në vazhdimësi ka theksuar që në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, sistemi prokurorial është “plotësisht i pavarur”. Më saktësisht, KPK-ja është pjesë përbërëse e Kapitullit VII të Kushtetutës lidhur me Sistemin e Drejtësisë dhe së bashku me Këshillin Gjyqësor, kanë kompetencën e administrimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Në vijim, Gjykata po ashtu ka specifikuar që pavarësisht ngjashmërive e dallimeve përkatëse, në ushtrimin e funksioneve të tyre, Kushtetuta u akordon të dyjave pavarësi të plotë kushtetuese, pavarësi kjo e mishëruar edhe në nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] të Kushtetutës lidhur me ndarjen dhe balancimin e pushteteve, i cili i nënshtrohet edhe balancimit e ndërveprimit me pushtetet tjera, gjithnjë në përputhje me vlerat demokratike, siç janë të përcaktuara në nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës (shih rastet e Gjykatës, KO100/22 dhe KO101/22, cituar më lart, paragrafi 167; dhe KO55/23, parashtrues Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësimi i amendamenteve të propozuara kushtetuese, të referuara nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës më 2 mars 2023, Aktgjykim i 22 dhjetorit 2023, paragrafët 157-162). Gjykata ka theksuar se përkundër faktit që bazuar në Opinionet relevante të Komisionit të Venecias, përderisa ka një standard të konsoliduar dhe uniform përkitazi me pavarësinë e plotë të pushteteve gjyqësore dhe se ky jodetyrimisht është rasti me sistemet prokuroriale, Kushtetuta ka pasur për qëllim që sistemit prokurorial t’i sigurojë pavarësinë e njëjtë për të ushtruar funksionet e saj po aq sa edhe sistemit gjyqësor (shih, rastin e Gjykatës KO219/19, parashtrues Avokati i Popullit, Aktgjykim i 30 qershorit 2020, paragrafët 209 dhe 210 dhe rastet KO100/22 dhe KO101/22, i cituar më lart, paragrafi 174).
Gjykata, po ashtu ka theksuar se nga leximi i përbashkët i dispozitave kushtetuese, në kontekst të KPK-së, është i rëndësishëm ndërveprimi i KPK-së me Kuvendin, sipas përcaktimeve të neneve 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës. Ndërveprimi i këtyre dispozitave, në esencë, përcakton ushtrimin e kompetencës së Kuvendit në përputhje me paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës për të përcaktuar përbërjen e KPK-së dhe për të zgjedhur anëtarët e KPK-së, gjithnjë në funksion të ruajtjes së pavarësisë së plotë të KPK-së në ushtrimin e funksioneve të tij kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës dhe njëkohësisht, të respektimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, siç është përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] të Kushtetutës (shih, rastin e Gjykatës KO100/22 dhe KO101/22, i cituar më lart, paragrafët 168, 230 dhe 231).
Në rastin konkret, Gjykata bazuar në argumentet e parashtruesve të kërkesës vëren se parashtruesit e kërkesës në esencë këtë pretendim e ndërlidhin me mënyrën se si Kuvendi ka ushtruar kompetencën e tij të përcaktuar në nenin 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës, me rastin e shkarkimit të z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së.
Në këtë drejtin, Gjykata së pari rikujton se paragrafi 10 i nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës, përcakton kompetencën e Kuvendit për të zgjedhur anëtarët e KPK-së.
Më tej në paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës, përcaktohet se përbërja e KPK-së si dhe dispozitat që përcaktojnë emërimin, shkarkimin, strukturën organizative dhe rregullat e procedurës rregullohen me ligj.
Gjykata thekson që përkundër faktit që Kushtetuta, përmes paragrafit 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të saj, ka përcaktuar që përbërja e KPK-së përcaktohet me ligj, duke i lënë Kuvendit kompetencën që të miratojë këtë ligj dhe të zgjedhë anëtarët e KPK-së në mënyrën e përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj, kjo kompetencë e Kuvendit, duhet të ushtrohet gjithnjë në përputhje me paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës, i cili i garanton KPK-së pavarësi të plotë në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues. Rrjedhimisht dhe siç është sqaruar tashmë, përderisa Kushtetuta i referohet edhe ligjit për KPK-në, në kontekst të, ndër të tjera, përbërjes së KPK-së, garancia e pavarësisë së plotë të KPK-së, e akorduar me Kushtetutë, sigurisht që nuk mund të pakësohet përmes dispozitave ligjore.
Në kontekst të sqarimeve të lartcekura dhe marrë parasysh (i) paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës, përkatësisht, përcaktimin e Kushtetutës që përbërja e KPK-së të përcaktohet me ligj të miratuar nga Kuvendi; dhe (ii) standardet dhe parimet në kontekst të përbërjeve të këshillave prokurorial që burojnë nga Raportet dhe Opinionet relevante të Komisionit të Venecias, përfshirë dy Opinionet për Kosovë përkitazi me Ligjin për KPK-në, Gjykata fillimisht thekson se nuk është kontestuese që Kuvendi ka kompetencën kushtetuese për të përcaktuar përbërjen e KPK-së, gjithnjë në përputhje me paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës, përkatësisht duke mos cenuar pavarësinë e plotë në ushtrimin e funksionit kushtetues të KPK-së dhe parimet e ndarjes dhe balancit të pushteteve dhe vlerave të Republikës, siç janë të përcaktuar në nenet 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës, respektivisht.
Gjykata do të vazhdojë elaborimin e çështjes se nëse Kuvendi me rastin e shkarkimit e anëtarit jo-prokuror të KPK-së ka ushtruar kompetencën e tij në kuadër të paragrafit 1 dhe 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] si dhe paragrafit 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës, i cili përcakton që përbërja, emërimi, shkarkimi, mandati, struktura organizative e KPK-së dhe rregullat e procedurës rregullohen me ligj.
Në këtë drejtim, sa i përket përfundimit të mandatit të anëtarëve të KPK-së dhe bazat përkatëse, të tri ligjet për KPK-në, respektivisht ligjet e viteve 2012, 2015 dhe 2019, përmes neneve 8 (Përfundimi i mandatit), 8 (Pushimi dhe shkarkimi nga funksioni i anëtarit të Këshillit) dhe 13 (Përfundimi i mandatit), respektivisht, kishin përcaktuar se mandati i anëtarit të KPK-së, përfundon (i) me vdekje; (ii) me humbjen e zotësisë për veprim për më shumë se tre (3) muaj për shkak të arsyeve mjekësore të vërtetuara; (iii) me dështimin e vazhdueshëm për të marrë pjesë në veprimtaritë e KPK-së për më shumë se tre (3) muaj; (iv) me pushimin e statusit mbi të cilin bazohet emërimi, nëse emërimi bazohet në një status të caktuar; dhe (v) me dorëheqje, duke informuar KPK-në me njoftim paraprak prej tridhjetë (30) ditësh. Ndërsa për dallim nga bazat e përbashkëta të përfundimit të mandatit të sipërcekura, (i) Ligji për KPK-në i vitit 2010, si bazë për përfundim të mandatit, kishte përcaktuar edhe dënimin për vepër penale, me përjashtim të kundërvajtjes siç përkufizohet me ligj, ndërsa përkundër faktit që në nenin 11 (Procedurat Disiplinore për Anëtarët e Këshillit) të tij parashihte mundësinë e shkarkimit të anëtarit të KPK-së, nuk e kishte përcaktuar të njëjtën shprehimisht si një nga bazat për përfundim të mandatit, të numëruara në nenin 8 (Përfundimi i mandatit), të tij; (ii) Ligji për KPK-në i vitit 2015, kishte shtuar si bazë për përfundim të mandatit edhe skadimin e mandatit, ndërsa kishte saktësuar shkarkimin si bazë për përfundim të mandatit në tri rrethana, përkatësisht kur një anëtar i KPK-së nuk e kryen funksionin përkatës në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin, ushtron funksionin në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij dhe kur është dënuar për vepër penale, respektivisht; ndërsa (iii) Ligji për KPK-në i vitit 2019, kishte shtuar si bazë për përfundim të mandatit edhe arritjen e moshës së pensionimit dhe dënimin për vepër penale, me përjashtim të veprave penale të kryera nga pakujdesia, ndërsa kishte kufizuar mundësinë e përfundimit të mandatit si rezultat i shkarkimit në vetëm dy rrethana, përkatësisht kur një anëtar i KPK-së nuk e kryen funksionin përkatës në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin dhe kur ushtron funksionin në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij.
Më tej, Gjykata shpreh se bazuar në paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës, respektivisht në Ligjin për KPK-në, vëren se njihen dy kategori të anëtarëve të KPK-së, a) anëtarët prokurorë dhe b) anëtarët jo-prokurorë. Sipas Ligjit për KPK-në mënyra e propozimit, zgjedhjes dhe shkarkimit është e ndryshme, si rrjedhojë e kësaj premise, procedurat që u nënshtrohen këto dy kategori të anëtarëve të KPK-së në kontekstin e propozimit, zgjedhjes dhe shkarkimit, janë të ndryshme.
Gjykata vëren se ekzistojnë procedura të veçanta lidhur me mënyrën se si shkarkohen anëtarët e KPK-së. Shprehimisht, Gjykata vëren se neni 19 (Procedurat disiplinore për anëtarët e Këshillit) i Ligjit për KPK-në përcakton procedurat disiplinore për anëtarët e KPK-së, e në mënyrë të veçantë përcakton (i) mënyrën e parë se si mund të shkarkohet çdo anëtar i KPK-së. Krahas kësaj dispozite, Gjykata vëren se duke u bazuar në paragrafin 10 të nenit 10 (Procedura e propozimit, zgjedhjes dhe e shkarkimit të anëtarëve që zgjedhën nga Kuvendi) të Ligjit për KPK-në parashihet edhe (ii) mënyra e dytë e shkarkimit të anëtarëve jo-prokurorë të KPK-së.
Më tej, duke u bazuar në nenin 19 (Procedurat disiplinore për anëtarët e Këshillit) të Ligjit për KPK-në parashikohen procedurat disiplinore për anëtarët e KPK-së, duke përfshirë mënyrën se si mund të shkarkohet çdo anëtar i KPK-së. Në këtë nen, specifikohen mekanizma të qartë për trajtimin e rasteve disiplinore dhe për vendosjen e sanksioneve, përfshirë edhe shkarkimin e anëtarëve të KPK-së. Nga përmbajtja e paragrafit 2 të nenit 19 (Procedurat disiplinore për anëtarët e Këshillit) të Ligjit për KPK-në, rezulton se KPK-ja themelon një komision disiplinor i cili është i përbërë nga tre (3) anëtarë, ku njëri prej këtyre anëtarëve duhet të jetë një prokuror që është anëtar i KPK-së si dhe dy (2) anëtarët e tjerë të komisionit duhet të jenë nga radhët e prokurorëve, të cilët nuk janë anëtarë të KPK-së. Komisioni i lartcekur ka përgjegjësinë për të vendosur masat disiplinore kundër anëtarëve të KPK-së, duke përfshirë pezullimin dhe shkarkimin e cilitdo anëtar. Sa i përket vendimmarrjes për shkarkim, paragrafi 3 i nenit 19 (Procedurat disiplinore për anëtarët e Këshillit) të Ligjit për KPK-në shpjegon se, pas rekomandimit të komisionit disiplinor, një anëtar i KPK-së mund të shkarkohet përmes një votimi brenda vet KPK-së. Gjykata, më tej, vëren se për të realizuar shkarkimin, kërkohet që dy të tretat (2/3) e anëtarëve të KPK-së të votojnë në favor të shkarkimit dhe se kjo shumicë e kualifikuar siguron që vendimi për shkarkim të jetë rezultat i një konsensusi të gjerë brenda KPK-së.
Gjykata vëren se bazuar në paragrafin 10 të nenit 10 (Procedura e propozimit, zgjedhjes dhe e shkarkimit të anëtarëve që zgjedhën nga Kuvendi) të Ligjit për KPK-në parashihet se: “Shkarkimi i anëtarëve joprokurorë të Këshillit, bëhet nga Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, me propozim të komisionit përkatës ose Këshillit”. Thënë këtë, Gjykata vëren se brenda paragrafit 10 të nenit 10 (Procedura e propozimit, zgjedhjes dhe e shkarkimit të anëtarëve që zgjedhën nga Kuvendi) të Ligjit për KPK-në janë të parapara dy forma të ndryshme të propozimit në Kuvend, për shkarkim të anëtarit jo-prokuror, si në vijim:
Propozimi nga Komisioni përkatës i Kuvendit: Gjykata vëren se një nga mënyrat për të nisur procesin e shkarkimit të një anëtari jo-prokuror është përmes një komisioni të caktuar nga vetë Kuvendi. Ky komision ka për detyrë të shqyrtojë dhe vlerësojë performancën ose sjelljen e anëtarit jo-prokuror dhe, nëse e sheh të arsyeshme, mund të propozojë shkarkimin e tij. Komisioni përkatës ka rolin kyç si iniciues i procesit. Pasi komisioni bën propozimin e tij, ai i dorëzohet Kuvendit. Kuvendi më pas zhvillon një votim ku, për të realizuar shkarkimin, kërkohet shumica e votave të të gjithë deputetëve. Nëse sigurohet shumica e nevojshme e votave, anëtari jo-prokuror shkarkohet nga detyra.
Propozimi nga KPK-ja: Një rrugë tjetër për shkarkimin e anëtarëve jo-prokurorë është që vetë KPK-ja, institucioni ku ata shërbejnë, të bëjë një propozim për shkarkimin e tyre. Ky propozim mund të vijë nëse KPK-ja vlerëson se një anëtar jo-prokuror nuk e përmbush detyrën e tij në përputhje me përgjegjësitë ose nëse ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme. Pas këtij propozimi, KPK-ja ia dorëzon atë Kuvendit, ku si në rastin e parë Kuvendi vendos për shkarkimin përmes një votimi. Shkarkimi mund të bëhet vetëm nëse Kuvendi arrin të sigurojë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të tij.
Në të dyja mënyrat, Gjykata vëren se në rastin kur propozimi vjen nga Komisioni përkatës i Kuvendit, ashtu edhe kur vjen nga KPK-ja, vendimi përfundimtar për shkarkimin e anëtarit jo-prokuror qëndron te Kuvendi dhe se shumica e votave të të gjithë deputetëve është kusht i domosdoshëm për të formalizuar këtë vendim.
Duke u rikthyer në rastin konkret, Gjykata vëren se shkarkimi i z. Beka si anëtarë jo-prokuror i KPK-së, bie në paragrafin 10 të nenit 10 (Procedura e propozimit, zgjedhjes dhe e shkarkimit të anëtarëve që zgjedhën nga Kuvendi) të Ligjit për KPK-në, përkatësisht shkarkimi i tij ka ardhur si rezultat i Rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, me propozimin që si rezultat i gjetjeve të reflektuara në rekomandimin e lartcekur i njëjti të shkarkohet.
Rrjedhimisht, shkarkimi i anëtarit jo-prokuror, z. Beka ka ndodhur nëpërmjet procedurës së parë të propozimit, pra me propozim të Komisionit për Legjislacion, përmes Rekomandimit [nr. 08/4446/Do-1994] të Komisionit të lartpërmendur, me shumicë votash, ky i fundit ka miratuar rekomandimin e kryetarit të Komisionit. Pastaj, më 15 dhjetor 2023, Kuvendi me 62 vota pro, aprovoi Rekomandimin [nr. 08/4446/Do-1994] e Komisionit, duke miratuar vendimin e kontestuar.
Pretendimi thelbësor i parashtruesve të kërkesës konsiston në vlerësimin e aspektit substancial të vendimit të kontestuar, respektivisht nëse janë përmbushur kushtet nga paragrafi 2 i nenit 13 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit për KPK-në, duke pretenduar në thelb se anëtarët e KPK-së shkarkohen nga detyra para skadimit të mandatit për të cilin janë zgjedhur, vetëm nëse ata nuk i kryejnë detyrat e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe nëse ata kryejnë detyrat e tyre në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Sipas parashtruesve të kërkesës vendimi i kontestuar nuk përmbushi këto kushte dhe për më tepër sipas tyre, pretendimet e ngritura nga Kryetari i Komisionit për Legjislacion, konstatojnë se çështjet e ngritura kundër anëtarit të KPK-së, respektivisht z. Beka, nuk lidhen me detyrat e tij si anëtar i KPK-së, por me punën e tij në universitet.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton edhe një herë përmbajtjen e nënparagrafit 2.1 dhe 2.2 të paragrafit 2 të nenit 13 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit për KPK-në, i cili përcakton se anëtarët e KPK-së shkarkohen nga funksioni para skadimit të mandatit për të cilin janë zgjedhur, nëse: “2.1. funksionin e anëtarit të Këshillit nuk e kryen në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin; 2.2. ushtron funksionin në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij”.
Në adresim të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës lidhur me faktin se nëse shkarkimi i anëtarit jo-prokuror të KPK-së përmbush kushtet nga paragrafi 2 i nenit 13 (Përfundimi i mandatit) i Ligjit për KPK-në, konkretisht pretendimit se shkarkimi nuk lidhet me "të kryerit" e funksionit si anëtar i KPK-së dhe as nuk konsiderohet “të ushtruarit" e funksionit në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij, sipas nënparagrafit 2 dhe 3 të paragrafit 2 të nenit 13 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit për KPK-në, Gjykata vë theks në nënparagrafin 2 të paragrafit 2 të nenit 13 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit për KPK-në, me ushtrimin e funksionit në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij. Në kontekst të këtij nënparagrafi, Gjykata rikujton edhe nënparagrafin 1.14 i nenit 7 të Ligjit për KPK-në parasheh se KPK-ja: “1.14. miraton Kodin e Etikës Profesionale për anëtarët e Këshillit, shkelja e të cilit paraqet bazë për sanksione, përfshirë shkarkimin nga Këshilli”. Gjykata thekson se ushtrimi i funksionit, konkretisht përgjegjësitë që anëtarët jo-prokurorë i kanë, plotësohen edhe me Kodin e Etikës, dhe se për kuptimin e këtij nënparagrafi ndihmon edhe neni 2 i Kodit të Etikës, i cili në mënyrë shprehimore parasheh parimet e përgjithshme të përgjegjësive dhe detyrave që anëtarët e KPK-së i kanë, konkretisht krahas këtyre parimeve, paragrafi 4 i nenit 2 thekson: “Dispozitat e sipërme vlejnë jo vetëm për aktivitetet profesionale të anëtarëve të Këshillit, por edhe për jetën private të tij/saj (apo ndoshta për jetën tjetër profesionale), kur veprimet e anëtarit të Këshillit dëmtojnë imazhin e Këshillit në syrin publik, e kështu ndikon tërë institucionin”.
Siç është elaboruar gjerësisht tek pjesa e fakteve, Rekomandimi [nr. 08/4446/Do-1994] i Komisionit për Legjislacion, përmes së cilit ky i fundit i kishte propozuar Kuvendit shkarkimin e z. Beka nga KPK-ja, kishte listuar në mënyrë taksative shkeljet e gjetura nga Komisioni për Legjslacion, në të cilat ky i fundit e bazoi rekomandimin e tij drejtuar Kuvendit për shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit të KPK-së, duke vlerësuar se veprimet e z. Beka përbëjnë shkelje të ligjit, përkatësisht nënparagrafit 2.2 të paragrafit 2 të nenit 13 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit për KPK-në, i cili në mënyrë specifike thekson se anëtari i KPK-së shkarkohet në rast se “2.2 ushtron funksionin në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij”. Arsyet e dhëna në rekomandimin e lartcekur rezultojnë si në vijim: (i) ekzistonin fakte që evidentonin ndikimin e z. Beka në Fakultetin Juridik të UMIB-së, të cilat nuk kishin lidhje me rolin e tij në KPK dhe se kryesuesi i KPK-së e mbështeti z. Beka, duke i dërguar dy shkresa Fakultetit Juridik të UMIB-së, ku theksohej se çdo veprim për të kontestuar mandatin e z. Beka do të konsiderohej ndërhyrje në pavarësinë e KPK-së dhe se z. Beka e kishte përdorur autoritetin e kryesuesit të KPK-së kundër kolegëve të tij në UMIB, duke keqpërdorur pozicionin e tij në këtë institucion. Thënë këto, nga shkresat e lëndës rezulton se z. Beka, kishte qenë disa herë subjekt i proceseve gjyqësore të ndryshme dhe se këto shkresa ishin bashkëngjitur në dosjen e Rekomandimit [nr. 08/4446/Do-1994] të Komisionit për Legjislacion (ii) sa i përket arsyes së dytë, respektivisht, se anëtari jo-prokuror i KPK-së, z. Beka kishte ushtruar edhe funksionin e kryetarit dhe përfaqësuesit të autorizuar në dy organizata joqeveritare dhe se APK-ja përmes Vendimit [AKK-DPKI-06-1173/20] të 29 korrikut 2020 kishte konstatuar se z. Beka, përveç pozitës së dekanit, kishte edhe funksione në dy organizata joqeveritare, nga të cilat ai dha dorëheqje pas reagimit të APK-së. Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj z. Beka për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës që ai ishte dekan dhe profesor i Fakultetit Juridik në UMIB; (iii) konstatimi i Komisionit Legjislativ se marrja e kundërligjshme të mbi normës nga z. Beka, APK-ja, më anë të Përgjigjes [AKK-3419/22] të 9 shtatorit 2023 kishte vërtetuar se z. Beka i kishte dorëzuar listat e zbrazëta me studentë për lëndën "Taktikë kriminalistike", duke theksuar se “shihet se nuk ka të dhëna për ndonjë studentë i cili mund ta këtë përzgjedhur lëndën në fjalë”, dhe se edhe pse nuk ishte asnjë studentë në ligjëratë, ai ishte paguar për këto ligjërata.
Gjykata gjithashtu rikujton se, z. Beka më 18 tetor 2023, iu drejtua Kryetarit të Kuvendit me një shkresë, në të cilin paraqiti përgjigje/kundërargumente ndaj Rekomandimit [nr. 08/4446/Do-1994] të Komisionit për Legjislacion, për shkarkimin e tij nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së. Z. Beka në shkresën e tij mohoi të gjitha gjetjet e Rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, duke i bashkëngjitur shkresës të lartpërmendur një nunër të konsiderueshëm dokumentesh, të cilat gjerësisht janë të reflektuara në paragrafin 31 të këtij Aktgjykimi.
Nga e gjithë kjo që u tha më lart, respektivisht nga arsyetimi i dhënë në Rekomandimin [nr. 08/4446/Do-1994] e Komisionit për Legjislacion, vërehet se ky i fundit ka listuar arsyet mbi të cilat e bazon propozimin për shkarkimin e z. Beka për të cilat i njëjti ka vlerësuar se përbëjnë shkelje të ligjit, përkatësisht nënparagrafit 2.2 të paragrafit 2 të nenit 13 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit për KPK-në, i cili në mënyrë specifike thekson se anëtari i KPK-së shkarkohet në rast se “2.2 ushtron funksionin në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij”.
Në rrethanat e rastit konkret, bazuar në gjithë arsyetimin e mësipërm, Gjykata vlerëson se, vendimi i kontestuar i Kuvendit, të cilit i ka paraprirë Rekomandimi [nr. 08/4446/Do-1994] i Komisionit për Legjislacion, në arsyetimin e të cilit është paraqitur gjendja faktike dhe janë listuar arsyet për shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së, janë në përputhje me kushtet e përcaktuara në paragrafin 2 nenin 13 të Ligjit për KPK-në. Si rrjedhojë, Gjykata vlerëson se, Kuvendi me rastin e shkarkimit të z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së, ka ushtruar rolin e tij bazuar në procedurën dhe bazat e shkarkimit sipas përcaktimeve të Ligjit për KPK-në si dhe përfshirë mbi bazën e një arsyetimi që nuk rezulton të jetë dukshëm arbitrar. Gjykata nuk mund të vërtetojë gjendjen faktike, përkatësisht raportin në mes argumenteve të Kuvendit dhe kundër-argumenteve të z. Beka. Lidhur me këtë çështje, dhe siç do të sqarohet në vijim, ekziston mjeti juridik para gjykatave të rregullta. Në vlerësimin nëse Kuvendi ka tejkaluar autorizimet e tij në shkarkimin e z. Beka, Gjykata fokusohet nëse (i) ekziston baza ligjore për një shkarkim të tillë, si në kontekst të procedurës ashtu edhe përmbajtjes; dhe (ii) arsyetimi i Kuvendit ngërthen arbitraritet të dukshëm dhe i cili mund të cenojë dispozitat tjera kushtetuese, përfshirë pavarësinë e plotë kushtetuese të KPK-së.
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se e njëjta ka trajtuar rastet kur para saj, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, janë kontestuar vendimet e Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të institucioneve të pavarura, si atyre të përcaktuar me Kushtetutë, dhe atyre të themeluara me ligj. Përmes praktikës së saj gjyqësore, Gjykata ka sqaruar kufizimet e autorizimeve të Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të institucioneve të pavarura dhe të cilët gjithashtu i ka zgjedhur vetë, duke theksuar që, në ushtrimin e këtij funksioni, Kuvendi është i detyruar të respektojë dhe zbatojë dispozitat specifike të ligjeve përkatëse të cilat vet i ka miratuar. Këto parime, janë vendosur, ndër të tjera, përmes (i) rastit KO127/21, lidhur me shkarkimin e (5) pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil në mënyrë kolektive; (ii) rastit KO134/21, lidhur me shkarkimin kolektiv të gjithë anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës; (iii) rastit KO157/23, lidhur me shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit; dhe (iv) rastit KO139/21, lidhur me shkarkimin e 5 (pesë) anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave. Sipas sqarimeve të dhëna në aktgjykimet e lartcekura, Gjykata ka konstatuar shkelje të dispozitave kushtetuese në tri rastet e para, duke u bazuar në formulimet e dispozitave të ligjeve të aplikueshme, përfshirë faktin që shkarkimet përkatëse ishin kolektive, vendimet përkatëse për shkarkimin e tyre nuk ngërthenin arsyetimin e duhur dhe për më tepër, ishte vendimmarrja e anëtarëve të shkarkuar që kishte rezultuar në shkarkimin e tyre. Ndërsa në rastin e katërt, përkatësisht shkarkimet që ndërlidhen me anëtarët e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Gjykata nuk kishte konstatuar shkelje kushtetuese, sepse dispozitat e formulimet e dispozitave të ligjit të aplikueshëm, i mundësonin Kuvendit diskrecion më të gjerë në shkarkimin e anëtarëve përkatës.
Në kontekst të rrethanave të rastit konkret, Gjykata rikujton se z. Beka ishte shkarkuar nga Kuvendi bazuar në rekomandimin e Komisionit për Legjislacion, në të cilin ishin listuar arsyet për ushtrimin e funksionit të tij “[...] në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij”, bazuar në një procedurë për shkarkimin e anëtarëve jo-prokurorë të KPK-së që shprehimisht e përcakton Ligji për KPK-në, dhe mbi një bazë ligjore që është gjithashtu shprehimisht e përcaktuar në ligjin e lartcekur. Në rrethana të tilla, në të cilat, Kuvendi ka ushtruar rolin e tij ndërlidhur me anëtarët jo-prokurorë të KPK-së, dhe ka shkarkuar një anëtarë jo-prokuror bazuar në procedurën dhe bazat e shkarkimit sipas përcaktimeve të Ligjit për KPK-në, përfshirë mbi bazën e një arsyetimi që nuk rezulton të jetë dukshëm arbitrar, Aktgjykimi konstaton se Kuvendi përmes vendimit të kontestuar, nuk ka tejkaluar autorizimet kushtetuese dhe ligjore në kontekst të paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafit 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] të Kushtetutës.
Andaj, Gjykata konsideron që vendimi i kontestuar nuk ngërthen arsyetim dukshëm arbitrar në kuptim të paragrafit 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] dhe paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe që Kuvendi me miratimin e Vendimit të kontestuar nuk kishte kaluar kompetencat e tij kushtetuese dhe ato të përcaktuara me Ligjin për KPK-në.
Përkitazi me pretendimet e parashtruesve për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike], si dhe nenit 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Sa i përket pretendimit të parashtruesve të kërkesës që ndërlidhen me neni 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, Gjykata rikujton se parashtruesit e kërkesës theksuan se “rrethanat e pasigurisë juridike në raport me anëtarin joprokuror të shkarkuar janë evidente derisa në ligjin bazik, par. 10 i nenit 10, është qartazi në kundërshtim me nenin 19 të këtij ligji, duke e vendosur të njëjtin në një situatë të pamundësisë efektive për të siguruar të drejtën kushtetuese për ushtrimin e mjeteve juridike në kundërshtim me nenin 32 të Kushtetutës [...] si dhe sigurimin e mbrojtjes gjyqësore nga neni 54 i Kushtetutës”.
Në adresim të këtij pretendimi, Gjykata bazuar në normat kushtetuese, në praktikën e saj, dhe duke iu referuar parimeve të përcaktuara nga GjEDNj, rikujton se legjislacioni jonë nuk parasheh shprehimisht përjashtimin e kësaj kategorie individësh që ushtrojnë funksione publike për të mos kërkuar mbrojtje gjyqësore të të drejtave të tyre në gjykatat e rregullta. Për më tepër, e drejta e tyre për qasje efektive në drejtësi buron nga Kushtetuta, edhe nëse një gjë të tillë shprehimisht nuk e përcakton ligji. (shih, në mënyrë analoge, GjEDNj, rastin Vilho Eskelinen dhe të tjerët kundër Finlandës, nr. 63235/00, Aktgjykimi i 19 prillit 2007, paragrafi 62, dhe rastin e Gjykatës KI214/21, me parashtrues Avni Kastrati, Aktgjykimi i 7 dhjetorit 2022, paragrafi 125).
Gjykata po ashtu rikujton se Ligji nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative (në tekstin e mëtejmë: LKA) ofron mjete juridike efektive për zgjidhjen e rastit të kësaj kategorie funksionarësh publikë. Në këtë drejtim, Gjykata së pari thekson se vet qëllimi i LKA-së si ligj, siç përcaktohet në nenin 2 [Qëllimi] është të sigurojë mbrojtjen gjyqësore të të drejtave dhe interesave të personave fizikë dhe juridikë dhe palëve të tjera, të cilëve u janë shkelur të drejtat dhe interesat me: (i) aktet individuale; ose (ii) veprimet e organeve të administratës publike. Më tutje në nenin 3, paragrafin 1.1 të LKA-së përcaktohet se organet e administratës publike janë organe të administratës qendrore, ndërsa paragrafi 1.2 i të njëjtit e cilëson si akt administrativ çdo vendim të organit administrativ të nxjerrë pas procedurës administrative në ushtrimin e autorizimeve publike dhe i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi cenon të drejtat, liritë apo interesat e personave fizikë dhe juridikë të njohura ligjërisht. Përveç, dispozitës me të cilën përcaktohet qëllimi i ligjit, më konkretisht neni 10 i LKA-së, ndër të tjera, parashikon mundësinë e fillimit të një konflikti administrativ kundër akteve për të cilat një person fizik ose juridik konsideron se është shkelur një e drejtë ose interes ligjor (shih, KI214/21, cituar më lart, paragrafët 115 dhe 116).
Andaj, sa më sipër, Gjykata konsideron se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruesve të kërkesës, se z. Beka nuk ka mjete efektive për të realizuar të drejtat civile të tij, sepse asnjë dispozitë kushtetuese dhe ligjore nuk ua ndalon anëtarëve të KPK-së të drejtën për të kërkuar mbrojtje juridike të të drejtave të tyre në procedurë të rregullt gjyqësore, ashtu siç një gjë e tillë përcaktohet me nenin 54 të Kushtetutës.
Kësisoj, Gjykata në lidhje me pretendimet për shkeljen e të drejtave individuale të z. Beka si anëtar jo-prokuror i KPK-së, të garantuara me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës, Gjykata konkludoi se në rastin konkret këto çështje mund të ngrihen nga z. Beka në gjykatat e rregullta.
Përkitazi me çështjen e procedurës së votimit të vendimit të kontestuar në Kuvend
Lidhur me pretendimet e znj. Rrezarta Krasniqi se në rastin konkret nuk ishin respektuar procedurat për shkarkimin e anëtarit jo-prokuror, përkatësisht pretendimin se me rastin e votimit të Rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Kryetari i Kuvendit “kishte konstatuar se në votim kishin marrur pjesë 61 deputetë, nga të cilët 60 ishin për dhe 1 abstenim për shkarkimin e z. Beka [...] Përkundër faktit se Kryetari i Kuvendit kishte konstatuar se ky rekomandim nuk kishte kaluar për shkak se nuk kishte marrur shumicën e domosdoshme, kishte pasuar ndërhyrja e ashpër e znj. Mimoza Kusari e cila në cilësinë e Grupit Parlamentar të LVV, kishte ngritur pretendimin dhe kishte bërë presion publik se ky rekomandim kishte kaluar dhe kishte marrë 61 vota për”. Znj. Rrezarta Krasniqi më tej para Gjykatës shton se e tërë kjo sipas saj “paraqet cenim të mandatit dhe vullnetit të lirë të deputetëve”.
Gjykata në adresim të këtij pretendimi, rikujton se bazuar në shkresat e lëndës, rezulton se në seancën e Kuvendit, të 14 dhjetorit 2023, një nga pikat e rendit të ditës ishte votimi për Rekomandimin [nr. 08/4446/Do-1994] e Komisionit për Legjislacion, rekomandim ky i cili u shqyrtua edhe në një seancë tjetër të Kuvendit, por për shkak të mungesës së kuorumit nuk u votua. Në procesin fillestar të votimit, Gjykata vëren se administrata konstatoi se kishin votuar gjithsej 61 deputetë, 60 prej të cilëve votuan për dhe një abstenoi, më tej, disa deputetë kërkuan që kjo çështje të mbyllej dhe të shpallej nga Kryetari si një propozim që nuk kaloi. Megjithatë, bazuar në kompetencën e Kryetarit të Kuvendit për të përsëritur votimin nëse ndonjë deputet deklaron se ka gabuar në votimin e tij dhe se pas përdorimit të sistemit VAR-it, Kryetari shpalli se 61 deputetë kishin votuar për shkarkimin e z. Beka. Bazuar në shkresa të lëndës rezulton se me kërkesë të disa deputetëve, votimi u përsërit për herë të dytë, ku administrata konstatoi se në sallë ishin 71 deputetë, ku 62 votuan për shkarkimin e z. Beka, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Në këtë drejtim, Gjykata, bazuar në paragrafin 10 të nenit 10 (Procedura e propozimit, zgjedhjes dhe e shkarkimit të anëtarëve që zgjedhën nga Kuvendi), të Ligjit për KPK-në, rezulton se shkarkimi i anëtarëve jo-prokurorë të KPK-së, bëhet nga Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se numri i votave të nevojshme për shkarkim është arritur, respektivisht, bazuar në elaborimin e mësipërm, se në sallë ishin 71 deputetë ku prej tyre 62 votuan për shkarkimin e z. Beka, asnjë votë kundër dhe asnjë votë abstenim.
Si konkluzion, sa i përket aspektit formal të vendimit të kontestuar, konkretisht nëse janë respektuar procedurat për shkarkimin e anëtarit jo-prokuror, bazuar në të lartcekurat, Gjykata konstaton se vendimi i kontestuar plotëson kërkesat formale dhe se procedurat janë ndjekur në përputhje me Ligjin për KPK-në dhe Kushtetutën.
Kërkesa për masë të përkohshme
Gjykata thekson se parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e zbatimit të vendimit të kontestuar, deri në vendosjen përfundimtare të kërkesës. Megjithatë, Gjykata vlerëson se çështjet e ngritura në kërkesë, tashmë kanë marrë epilog me faktin e vendosjes për meritat e kërkesës. Thënë këtë, Gjykata nuk e konsideron të nevojshme t’i trajtojë veçmas pretendimet e parashtruesve të kërkesës për caktimin e masës së përkohshme (shih rastin e Gjykatës KO134/21, parashtrues, Ramush Haradinaj dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, cituar më lart, paragrafi 182).
Rrjedhimisht, kërkesa për caktimin e masës së përkohshme refuzohet, në pajtueshmëri me rregullat 44 (Kërkesa për masë të përkohshme) dhe 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 113 dhe paragrafin 2 të nenit 116 të Kushtetutës, nenet 20, 27, 42 dhe 43 të Ligjit dhe në bazë të rregullave 48 (1) (a) dhe 72 të Rregullores së punës, më 26 nëntor 2024,
VENDOS
TË DEKLAROJË njëzëri kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË njëzëri se Vendimi [nr. 08-V-583 i 13] i 15 dhjetorit 2023 i Kuvendit, nuk është në kundërshtim me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] si dhe paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës;
TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Abelard Tahiri dhe 9 deputetë tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Aktgjykim
Mosshkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike
Tjetër