Prishtinë, më 7 qershor 2024
Nr. ref.:RK 2446/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI42/24
Parashtrues
Vasilije Arsić
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Rregullores së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për operacionet me para të gatshme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesit e kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Vasilije Arsiq avokat nga komuna e Ranillugës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Rregullores për Operacionet me Para të Gatshme të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e BQK-së).
Parashtruesi i kërkesës kërkon caktimin e masës së përkohshme me qëllim që të “pezullohet vlefshmëria” e nenit 35 (Valuta euro) të Rregullores së BQK-së.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Rregullores së BQK-së përmes së cilës pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat themelore të garantuara me nenet 7 [Vlerat], 11 [Valuta], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 25 [E Drejta për Jetën], 46 [Mbrojtja e Pronës], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale], 57 [Parimet e Përgjithshme], 58 [Përgjegjësitë e Shtetit] dhe 59 [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 20 shkurt 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 21 shkurt 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit [GJR. Nr. KI42/24] caktoi gjyqtarin Enver Peci Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues përmes vendimit [KSH.Nr.KI42/24], të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 23 shkurt 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi dokumente shtesë me ç ‘rast kryesisht ka sqaruar çështje të legjitimit procedural dhe shterimit të mjeteve juridike. .
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 20 mars 2024, parashtruesi i kërkesës u njoftua për regjistrim të kërkesës dhe një kopje iu dërgua BQK-së, me mundësi të dhënies së komenteve lidhur me pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës.
Më 3 prill 2024, BQK-ja dorëzoi komente lidhur me pretendimet e ngritura në kërkesën e parashtruesit të kërkesës.
Gjyqtari Radomir Laban nuk mori pjesë në procesin e shqyrtimit dhe vendimmarrjes përkitazi me ketë rast, bazuar në Vendimin [Nr. Ref.:KK280/24] të datës 8 maj 2024 përmes së cilit ishte miratuar kërkesa e tij për përjashtim nga procesi i shqyrtimit dhe vendimmarrjes lidhur me kërkesën nr. KI42/24.
Më 14 maj 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Më 27 dhjetor 2023, Bordi i BQK-së bazuar në dispozitat përkatëse të Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, miratoi Rregullore për Operacionet me Para të Gatshme, e cila hyri në fuqi më 1 shkurt 2024.
Neni 35 (Valuta euro) i Rregullores së lartcekur të BQK-së, që është subjekt i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, përcakton: “1.Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. 2. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është autoriteti i vetëm monetar që mund të vendosë për denominimet e lejuara të valutës euro për qarkullim në Republikën e Kosovës.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat themelore të garantuara me nenet 7 [Vlerat], 11 [Valuta], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 25 [E Drejta për Jetën], 46 [Mbrojtja e Pronës], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale], 57 [Parimet e Përgjithshme], 58 [Përgjegjësitë e Shtetit], dhe 59 [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se zbatimi i nenit 35 (Valuta euro) të Rregullores së kontestuar të BQK-së, cenon “një sërë të drejtash të njeriut të garantuara me Kushtetutë, si dhe me konventa ndërkombëtare që zbatohen drejtpërdrejt në bazë të nenit 22 të Kushtetutës”.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës pretendon: (i) me zbatimin e rregullit 35 (Valuta euro) të Rregullores së kontestuar të BQK-së konfiskohen ose ndalohet hyrja e dinarëve në territorin e Kosovës, me ç ‘rast i prek pagat dhe pensionet e qytetarëve që të hyrat i pranojnë me dinarë; (ii) BQK-ja ende nuk ka zbatuar masat që të ardhurat të pranohen në valutën euro; (iii) zbatimi i rregullit 35 (Valuta euro) të Rregullores së kontestuar të BQK-së cenon të drejtat pronësore të qytetarëve pa kompensim; dhe rrjedhimisht,(iv) qytetarët e Kosovës mbeten pa të ardhurat e tyre çka është në kundërshtim me të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutë.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se neni 35 (Valuta euro) i Rregullores së kontestuar së BQK-së, është jo proporcional, duke theksuar që “Edhe pse bartësit e autoritetit publik në Kosovë e arsyetojnë zbatimin e rregullores së kontestuar në tërësinë e saj në mënyrën e mësipërme me faktin se ajo ka një qëllim legjitim, qëllimi legjitim nuk duhet të zbatohet në mënyrë jo proporcionale, në pajtim me nenin 18 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, e cila zbatohet drejtpërdrejt në bazë të nenit 22 të Kushtetutës, dhe një zbatim i tillë, që cenon rëndë të drejtat themelore të njeriut, është sigurisht jo proporcional dhe është e pakontestueshme se neni 35 i rregullores zbatohet pikërisht në një mënyrë të tillë.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se neni 35 (Valuta euro) i rregullores së kontestuar është në mënyrë të tërthortë diskriminues ndaj komunitetit serb në Kosovë dhe shton se zbatimi i të njëjtës përbën diskriminim të tërthortë, pavarësisht faktit se nuk përmban ndonjë dispozitë diskriminuese në mënyrë shprehimore.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se neni 35 (Valuta euro) Rregullores së kontestuar është në kundërshtim me jurisprudencën e GJEDNJ-së që përcakton se kufizimet ndaj të drejtave të njeriut duhet të jenë të bazuar në ligj dhe nëse janë ta bazuara në ligj, kufizimet po ashtu duhet të kenë qëllim legjitim, të jenë proporcionale dhe të domosdoshme në shoqëri demokratike. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës thekson se neni 1 i Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së përcakton “expressis verbis” se ndërhyrja në të drejtat pronësore mund të bëhet vetëm në mënyrën e parashikuar me ligj.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Rregullorja e kontestuar e BQK-së rregullon çështje që sipas Kushtetutës ishte dashur të rregullohen me ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Parashtruesi i kërkesës thekson se Rregullorja e kontestuar e BQK-së shprehimisht është në kundërshtim me Kushtetutën dhe duke qenë e tillë, nuk mund të jetë pjesë rendit juridiko-kushtetues të Republikës së Kosovës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se zbatimi i nenit 35 të Rregullores së kontestuar i prek pensionet që ,mbrohen nga garancitë për të drejtën në pronë dhe thekson: (i) zbatimi i Rregullores së kontestuar të BQK-së prek të drejtat e fituara ligjërisht siç janë pagat dhe pensionet; (ii) bazuar në jurisprudencën e GJEDNJ-së, pagat dhe pensionet mbrohen nga neni 1 i Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së; rrjedhimisht, (iii) neni 1 i Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së është i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Rregullorja e kontestuar nuk është as ligj formal e as ligj material dhe shton se zbatimi rregullit 35 (Valuta euro) i Rregullores së kontestuar të BQK-së prek të drejtat e fituar me kontribute dhe përfitime tjera sociale që gëzojnë mbrojtje nga neni i Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës thekson se Rregullorja e kontestuar e BQK-së nuk është miratuar në konsultim me komunitetin dhe pretendon: (i) Rregullorja e kontestuar e BQK-së kryesisht prek pjesëtarët e komunitetit serb; (ii) Rregullorja e kontestuar e BQK-së është miratuar në kundërshtim me dispozitat e neneve 57-59 të Kushtetutës dhe nenin 15 të Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Minoriteteve, të cilat janë të zbatueshme drejtpërdrejtë bazuar në nenin 22 të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se ka legjitimitet procedural për të dorëzuar kërkesën në Gjykatë dhe shton se kjo e fundit është kompetente për të vendosur lidhur me këtë kërkesë. Në këtë drejtim parashtruesi i kërkesës pohon se bazuar në nenin 112 të Kushtetutës: (i) Gjykata është autoriteti përfundimtar për interpretim të Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën; dhe (ii) Gjykata ka juridiksion dhe është brenda fushëveprimit të saj për të shqyrtuar këtë kërkesë.
Parashtruesi i kërkesës thekson se Gjykata është mbrojtëse e sundimit të ligjit dhe shton: (i) Rregullorja e kontestuar e BQK-së cenon sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore të njeriut; dhe, (i) Gjykata duke qenë autoriteti përfundimtar në interpretimin e Kushtetutës, ka juridiksion të pakontestueshëm që t’i shqyrtojë pretendimet e ngritura në këtë kërkesë.
Përkitazi me obligimin për shterim të mjeteve juridike, parashtruesi i kërkesës pretendon: “Kundër akteve që prekin parashtruesin e kërkesës nuk ka mjet juridik paraprak, pasi ato janë veprime faktike, të ndërmarra në bazë të nenit 35 të Rregullores për operacionet me para të gatshme, të cilat cenojnë të drejtat themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë, të cilat nuk mund të ankimohen, d.m.th., nuk është e mundur të eliminohen në mënyrë efektive shkeljet e të drejtave të njeriut të përmendura në Kërkesë me mjete të tjera ligjore dhe parashtruesi i kërkesës mund t'i drejtohet vetëm Gjykatës Kushtetuese si mbrojtësi suprem i kushtetutshmërisë dhe gardiani i Kushtetutës.”
Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të nxjerrë vendim: “KONSTATOHET QË neni 35 i Rregullores për operacionet me para të gatshme nuk është nxjerrë në pajtim me nenet 7, 11, 22, 23, 24, 25, 46, 49, 51, 57, 58 dhe 59 të Kushtetutës së Kosovës, si dhe nenin 16 të Ligjit 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, prandaj deklarohet JOKUSHTETUES dhe shfuqizohet.”
Në këtë drejtim parashtruesi i kërkesës pretendon se zbatimi i Rregullores së kontestuar shkakton dëm të riparueshëm për qytetarët e Kosovës dhe kërkon caktim të masës së përkohshme: “Në përputhje me nenin 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, PEZULLOHET vlefshmëria e nenit 35 të Rregullores për operacionet me para të gatshme derisa të merret vendimi përfundimtar për kushtetutshmërinë e tij. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas nxjerrjes së tij.”
Komentet e dorëzuara nga BQK-ja
Në komentet e dorëzuara më 3 prill 2024, BQK-ja theksoi: “BQK pas shqyrtimit të kërkesës së parashtruar, vlerëson se Gjykata Kushtetuese duhet: (i) ta konsideroj te papranueshme kërkesën e parashtruar për shkak të mos shterjes së mjeteve të rregullta juridike; dhe (ii) vetëm në qoftë se Gjykata Kushtetuese e konsideron kërkesën si të pranueshme, atëherë ta refuzoj atë si të pabazuar për shkak se neni 35 i Rregullores për Operacionet me Para te Gatshme është në pajtueshmëri me dispozitat kushtetuese, si dhe (iii) ta refuzoj kërkesën për mase te përkohshme.”
Në kontekst të obligimit për shterim të mjeteve juridike, BQK-ja theksoi: (i) Gjykata në praktikën gjyqësore ka vlerësuar se rregulli për shterimin e mjeteve juridike është i karakterit detyrues për individët që parashtrojnë kërkesa individuale kundër akteve të autoriteteve publike; (ii) respektimi i obligimit për shterim të mjeteve juridike, u je p mundësi gjykatave të rregullta që të korrigjojnë gabimet përmes procesit të rregullt gjyqësorë; (iii) mekanizmi mbrojtës i Gjykatës Kushtetuese është i karakterit subsidiar; (iv) standardet e përcaktuara nga Gjykata në rastet KI16/11 dhe KI130/22, aktet nënligjore siç është Rregullorja e kontestuar e BQK-së përmes ligjit përkatës për inicim të konflikteve administrative; dhe, (v) si pasojë, parashtruesi i kërkesës ka në dispozicion mjete efektive juridike të cilat nuk ka arritur të provojë se nuk janë efektive.
Në kontekst të përputhshmërisë së Rregullores së kontestuar të BQK-së me Kushtetutën, BQK-ja thekson: (i) BQK-ja është institucion i pavarur kushtetues, i themeluar në pajtim me nenin 11 [Valuta] dhe nenin 140 [Banka Qendrore e Kosovës] të Kushtetutës, si autoriteti i vetëm qendror bankar; (ii) Neni 11 i Kushtetutës përcakton se në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme, si dhe se Autoriteti Qendror Bankar është Banka Qendrore e Republikës së Kosovës; (iii) kjo dispozitë afirmon faktin se funksioni organik i një autoriteti qendror bankar është sigurimi i zbatimit të një valute të vetme në Republikën e Kosovës; (iv) funksioni organik i BQK-së më tej elaborohet me Ligjin Nr. 03 /L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës; (v) në nenet 7, 8 dhe 22 të Ligjin Nr. 03 /L-209 për Bankën Qendrore përcakton: a) objektiv parësorë i BQK-së është mbajtja dhe nxitja e sistemit të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave; b) sigurimin e furnizimit të duhur të kartëmonedhave dhe monedhave në Republikën e Kosovës; dhe c) BQK-ja miraton Rregullore për mbikëqyrjen dhe vënien në qarkullim dhe cilësinë e instrumenteve të pagesave.
Në kontekst të qëllimit legjitim për nxjerrjen e Rregullores së kontestuar të BQK-së, BQK-ja thekson: “Aprovimi Rregullores, ishte veprim në arritjen e qëllimeve legjitime dhe në proporcion me ngjarjet që u zhvilluan veçanërisht gjatë vitit 2023, sikurse dukuria e parave të falsifikuara me monedhën dy (2) euro, përcjellë më pas me dyshimet për kartëmonedha, si dhe rreziku që vinte nga mos kontrolli i hyrjeve dhe daljeve të valutave në vend. Të gjitha këto dukuri negative kanë rrezikuar integritetin e sistemit financiar dhe vetë euros në Republikën e Kosovës, dhe si pasojë, BQK-ja në funksion të objektivave dhe detyrave të saj ligjore ka intervenuar përmes miratimit të Rregullores. Efektet e rregullores në tërësinë e saj janë bërë publike nga BQK-ja dhe gjinden të qasshme në faqen e saj zyrtare.”
Në kontekst të pretendimeve për diskriminim, BQK-ja thekson: (i) neni 35 i Rregullores është me karakter universal dhe nuk paraqet ndonjë afektim ndaj një komuniteti të caktuar në veçanti, por afekton të gjitha komunitetet të cilat jetojnë në Republikën e Kosovës në mënyrë të barabartë; (ii) pretendimi i parashtruesit të kërkesës që BQK-ja do të duhej të zhvilloj konsultime te veçanta vetëm me një komunitet të caktuar nuk është i bazuar dhe as nuk është praktikë e punës të Bankave Qendrore; (iii) BQK-ja ka zhvilluar procesin legjislativ në përputhje me nenin 65 të Ligjit të BQK-së, dhe ka përcaktuar afatin kohor 1 shkurt 2024 si datë e hyrjes në fuqi, ndërsa Rregulloren e ka miratuar me 27 dhjetor 2023; dhe, (iv) po ashtu, vlen të theksohet që përdorimi valutës euro si mjet i vetëm i vlefshëm i pagesës, nuk është ndonjë risi legjislative në Republikën e Kosovës e përcaktuar me nenin 35 të Rregullores, meqë kjo ka qenë e paracaktuar me Ligjin e BQK-së dhe aktet e tjera legjislative.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 11
[Valuta]
“1. Në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme.
2. Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës është i pavarur dhe quhet Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.”
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
“1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.”
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 1 i Protokollit nr. 1
(Mbrojtja e pronës)
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.”
LIGJI Nr. 03/L-202 PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE
Neni 13
Konflikti administrativ
“1. Konflikti administrativ mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative në shkallë të dytë.
2. Konflikti administrativ mund të fillohet edhe kundër aktit administrativ të shkallës së parë, kundër të cilit në procedurën administrative ankimi nuk është i lejuar.”
Neni 14
Pa titull
“Konflikti administrativ mund të fillojë edhe kur organi kompetent nuk ka nxjerrë akt përkatës administrativ sipas kërkesës ose ankesës së palës, nën kushtet e parashikuara me këtë ligj.”
LIGJI Nr. 03/L-209 PËR BANKËN QENDRORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 16
Emetimi i valutës
“1. Valuta e Kosovës do të përcaktohet me ligj në përputhje me nenin 11 të Kushtetutës.
2. Asnjë person juridik apo fizik përveç Bankës Qendrore nuk ka të drejtë të emetojë kartëmonedha dhe monedha.
3. Banka Qendrore do të jetë përgjegjëse për furnizimin e duhur me kartëmonedha dhe monedha në Kosovë.”
RREGULLORE PËR OPERACIONET ME PARA TË GATSHME
Neni 35
Valuta euro
“1. Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
2. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është autoriteti i vetëm monetar që mund të vendosë për denominimet e lejuara të valutës euro për qarkullim në Republikën e Kosovës.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa e parashtruesit ë kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Përveç kësaj Gjykata së pari i referohet neneve, 47 (Kërkesa individuale) dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së punës, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“1. Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
(b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me ligj kundër aktit të kontestuar.”
Bazuar në dispozitat e lartcekura, Gjykata rikujton që bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të gjithë individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Për më tepër, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit, çdo individ ka të drejtë të kërkojë mbrojtjen juridike nga Gjykata Kushtetuese në rast se konsideron se të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të parashtrojë kërkesën në fjalë vetëm pasi të ketë shterur të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Në këtë mënyrë, gjykatave të rregullta u jepet mundësia që të korrigjojnë gabimet e tyre përmes procedurave gjyqësore të rregullta para se rasti të vijë në Gjykatën Kushtetuese. Ky rregull bazohet në supozimin e shprehur në nenin 32 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së, që në legjislacionin vendës ka mjete juridike në dispozicion për t’u shfrytëzuar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me shkeljen e pretenduar, pavarësisht nëse dispozitat e KEDNJ-së janë inkorporuar në të drejtën vendore apo jo (shih rastet e Gjykatës KI179/20, parashtrues Telekom i Kosovës Sh.A, Aktvendim për Papranueshmëri, i 27 janarit 2021, paragrafi 94; dhe KI19/20 parashtrues Lutfi Shantir, Aktvendim për papranueshmëri i 22 korrikut 2020, paragrafi 36; shih po ashtu rastin e GJEDNJ-së Aksoy kundër Turqisë, nr. 21987/93 Aktgjykim i 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51). Për më tepër, parimi është se mekanizmi mbrojtës i krijuar nga Gjykata Kushtetuese të jetë subsidiar në raport me sistemin e rregullt gjyqësor që mbron të drejtat e njeriut (shih rastin e Gjykatës KI19/20 parashtrues Lutfi Shantir, cituar më lart, paragrafi 37; dhe po ashtu shih rastin e GJEDNJ-së, Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 5493/72, Aktgjykim i 7 dhjetorit 1976, paragrafi 48).
Në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës duhet të ketë një rrugë të rregullt deri te mjetet juridike të cilat janë në dispozicion dhe të mjaftueshme për të siguruar një mundësi për të korrigjuar shkeljet e pretenduara. Ekzistimi i mjeteve juridike në fjalë duhet të jetë mjaft i sigurt jo vetëm në teori, por edhe në praktikë, dhe nëse nuk është kështu, atëherë këtyre mjeteve juridike do t’iu mungojë disponueshmëria dhe efektiviteti i nevojshëm (shih rastet e Gjykatës KI57/22 dhe KI79/22, parashtrues Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 korrikut 2022, paragrafi 74; dhe KI221/19 parashtrues Hashim Gashi, Selajdin Isufi, B.K., HZ., M.H., R.S., R.E., S.O., S.H., H.l., N.S., S.l. dhe S.R, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 nëntorit 2020, paragrafët 56-57; ; po ashtu shih rastet e GJEDNJ-së, e GJEDNJ-së Akdivar dhe të tjerët kundër Turqisë, nr. 21893/93, Aktgjykim, i 1 prillit 1998, paragrafi 69; Öcalan kundër Turqisë, nr. 46221/99, Aktgjykim i 12 majit 2005, paragrafët 63-72; dhe Kleyn dhe të tjerët kundër Holandës, nr. 39343/98 dhe 3 të tjerë, Aktgjykim i 6 majit 2003, paragrafët 155-162).
Gjykata duhet të shqyrtojë nëse janë shteruar mjetet juridike dhe nëse mjeti juridik ishte efektiv, në dispozicion në teori dhe praktikë në kohën përkatëse, përkatësisht, që ka qenë i qasshëm, që ka mundur t’i korrigjojë shkeljet në lidhje me kundërshtimet e parashtrueses së kërkesës, dhe gjithashtu ka ofruar një perspektivë të arsyeshme për sukses (shih rastet e Gjykatës KI57/22 dhe KI79/22, parashtrues Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti, cituar më lart, paragrafi 74; KI221/19 parashtrues Hashim Gashi, Selajdin Isufi, B.K., HZ., M.H., R.S., R.E., S.O., S.H., H.l., N.S., S.l. dhe S.R, cituar më lart, paragrafët 56-57; dhe KI19/20 parashtrues Lutfi Shantir, cituar më lart, paragrafi 39; po ashtu shih rastin e GJEDNJ-së, Civet kundër Francës nr. 29340/95 aktgjykimit i 28 shtatorit 1999, paragrafët 42-44).
Megjithatë, kur një mjet juridik parashikohet me ligj, i takon parashtruesit të kërkesës të dëshmojë se mjeti juridik i paraparë me ligj është shteruar me të vërtetë ose për ndonjë arsye nuk ka qenë në dispozicion dhe ka qenë joefektiv në rrethanat e posaçme të rastit, ose ka pasur rrethana të veçanta për shkak të të cilave ai ose ajo kanë qenë të liruar nga kushti i shterimit të mjeteve juridike (shih rastet e Gjykatës KI130/22, parashtrues Florina Jerliu, Aktvendim për papranueshmëri i 12 prillit 2023, paragrafi 43; dhe KI19/20 parashtrues Lutfi Shantir, cituar më lart, paragrafi 40).
Gjykata rikujton arsyetimin e parashtruesit të kërkesës për mos shterim të mjeteve juridike: “Kundër akteve që prekin parashtruesin e kërkesës nuk ka mjet juridik paraprak, pasi ato janë veprime faktike, të ndërmarra në bazë të nenit 35 të Rregullores për operacionet me para të gatshme, të cilat cenojnë të drejtat themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë, të cilat nuk mund të ankimohen, d.m.th., nuk është e mundur të eliminohen në mënyrë efektive shkeljet e të drejtave të njeriut të përmendura në Kërkesë me mjete të tjera ligjore dhe parashtruesi i kërkesës mund t'i drejtohet vetëm Gjykatës Kushtetuese si mbrojtësi suprem i kushtetutshmërisë dhe gardiani i Kushtetutës.”
Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, ligjet e aplikueshme u referohen mjeteve juridike të përcaktuara përmes Ligjit nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative (në tekstin e mëtejmë: LKA). Gjykata thekson se nenet 13 dhe 14 të LKA-së që ndërlidhen me mundësinë e inicimit të konfliktit administrativ përcaktojnë: (i) konfliktit administrativ mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative në shkallë të dytë; (ii) konflikti administrativ mund të fillohet edhe kundër aktit administrativ të shkallës së parë, kundër të cilit në procedurë administrative ankimi nuk është i lejuar; dhe, (iii) konflikti administrativ mund të fillojë edhe kur organi kompetent nuk ka nxjerrë akt përkatës administrativ sipas kërkesës apo ankesës së palës, nën kushtet e parashikuara me këtë ligj (shih, ndër tjerash, rastet e Gjykatës KI130/22, parashtrues Florina Jerliu, cituar më lart, paragrafi 45; dhe KI147/18, parashtrues Arbër Hadri, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 shtatorit 2019, paragrafët 52 dhe 53).
Gjykata konsideron se barra e të provuarit bie mbi parashtruesen e kërkesës d.m.th., ajo duhet të provojë përse mjetet juridike në dispozicion nuk janë mjaftueshëm të sigurta jo vetëm në teori por edhe praktikë dhe përse nuk janë të qasshme dhe efektive. Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka ofruar asnjë argument përkitazi me mjetet juridike të lartreferuara dhe nuk ka argumentuar përse ato mjete juridike nuk janë në gjendje të ofrojnë zgjidhje ose nuk ofrojnë asnjë mundësi të arsyeshme për sukses lidhur me pretendimet e tij për shkelje kushtetuese (shih rastet e Gjykatës KI130/22, parashtrues Florina Jerliu, cituar më lart, paragrafi 46; dhe KI147/18, parashtrues Arbër Hadri, cituar më lart, paragrafët 56 dhe 57).
Gjykata në bazë të nenit 113.7 e vë në funksion jurisdiksionin e saj rishikues dhe subsidiar për të gjitha kërkesat individuale mbi respektimin e të drejtave kushtetuese, të cilat kanë si objekt kontesti edhe aktet nënligjore normative. Jurisdiksioni rishikues si i tillë aktivizohet pas shterimit të mjeteve juridike. Sipas këndvështrimit të Gjykatës, kufiri ku fillon dhe ku mbaron juridiksioni i kontrollit gjyqësor ndaj akteve nënligjore normative dhe ku fillon juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese është i mirëpërcaktuar kur bëhet fjalë për ushtrimin e juridiksionit subsidiar (rishikues) të Gjykatës. Në këtë drejtim, pasi që parashtruesi i kërkesës të ketë marrë përgjigje përfundimtare nga gjykatat e rregullta, mbi bazën e padisë se tij mbi kontestin ndaj ligjshmërisë së aktit nënligjor normativ siç është Rregullorja e kontestuar e BQK-së, atëherë i njëjti legjitimohet që pretendimet për cenimin e të drejtave dhe lirive themelore t’i artikulojë në ankimin individual kushtetues. (shih rastin e Gjykatës KI10/22 parashtrues, Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aktgjykim i 18 korrikut 2022, paragrafi 77).
Rrjedhimisht, Gjykata vë theksin edhe tek studimi i Komisionit te Venedikut i cili vlerëson se në lidhje me llojet e normave që mund të paraqiten për vlerësim kushtetues, gjykata kushtetuese duhet të jetë e ngarkuar vetëm me verifikimin e kushtetutshmërisë se akteve ligjore, duke ua lenë në parim kontrollin e akteve nënligjore gjykatave të zakonshme, në mënyrë që të shmangin mbingarkimin e saj. (shih rastin e Gjykatës KI10/22 parashtrues, Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore, cituar më lart, paragrafi 79; po ashtu, shih studimin nr. 538/2009 [CDL-AD(2010)039rev.] mbi qasjen individuale në gjyqësinë kushtetuese, miratuar nga Komisioni i Venedikut ne sesionin e 85-të (17-18 dhjetor 2010), paragrafi 6).
Gjykata vlerëson se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës-në pajtim me karakterin subsidiar të ankesës kushtetuese individuale-është dashur që së pari të kontestojë Rregulloren e kontestuar të BQK-së në procedurë pranë gjykatave të rregullta siç parashikohet me ligjin në fuqi. Gjykata në jurisprudencën e saj ka mbajtur qëndrim se gjykatat e rregullta kanë juridiksion që të vlerësojnë ligjshmërinë e akteve nën-ligjore siç është Rregullorja e kontestuar e BQK-së (shih rastin e Gjykatës KI10/22 parashtrues Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore, cituar më lart, paragrafët 76-82; dhe KI130/22, parashtrues Florina Jerliu, cituar më lart, paragrafi 47).
Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të arsyetojë se pse mjetet e rregullta juridike para gjykatave të rregullta për ndonjë arsye nuk i ishin në dispozicion të saj ose ishin joefektive në rrethana të veçanta të çështjes apo që ekzistonin rrethana të veçanta për shkak të të cilave ajo do të lirohej nga obligimi për shterim të të gjitha mjeteve juridike.
Nga sa më sipër, Gjykata përfundon se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të shpallet e papranueshme sepse nuk janë shteruar të gjitha mjetet juridike të në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullin 34 (1) (b) të Rregullores së punës.
Kërkesa për masë të përkohshme
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës kërkon caktimin e masave të përkohshme me qëllim që të “pezullohet vlefshmëria” e nenit 35 (Valuta euro) të Rregullores së BQK-së.
Duke qenë se Gjykata veçse ka konstatuar se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e parakohshme, e njëjta konstaton se kërkesa për masë të përkohshme, duhet të refuzohet në pajtim me rregullat 44 dhe 45 të Rregullores së punës (shih, ndër tjerash, rastin e Gjykatës KI65/22 parashtrues, Shoqëria “Fitorja” sh.p.k., Aktvendim për papranueshmëri i 23 shkurtit 2023, paragrafi 71).
Për këto arsye, kërkesa për masë të përkohshme duhet të refuzohet.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113 (1) dhe (7) dhe 116 (2) të Kushtetutës, me nenet 20, 27 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullin 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 14 maj 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën e papranueshme;
TË REFUZOJË kërkesën për caktim të masës së përkohshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Vasilije Arsić
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Administrative