Vlerësim i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurave në Lëndën nr. 575/2007 në Gjykatën Themelore në Prizren, e cila me Aktvendimin CN.nr.78/2017 të Gjykatës së Apelit të 20 shtatorit 2019 është kthyer në rigjykim
Nr. të lëndës KI92/22
Parashtruesit: Valon Topalli dhe Lulzime Topalli
Prishtinë, më 12 dhjetor 2022
Nr. ref.:RK 2093/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI92/22
Parashtrues
Valon Topalli dhe Lulzime Topalli
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së kohëzgjatjes së procedurave në Lëndën nr. 575/2007 në Gjykatën Themelore në Prizren, e cila me Aktvendimin CN.nr.78/2017 të Gjykatës së Apelit
të 20 shtatorit 2019 është kthyer në rigjykim
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Valon Topalli dhe Lulzime Topalli, nga fshati Struzhë, Komuna e Prizrenit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës nuk kontestojnë në mënyrë specifike asnjë vendim të autoritetit kompetent, por kërkojnë vlerësimin e kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurave para Gjykatës Themelore në Prizren, përkitazi me lëndën [nr. 575/2007], së cilës Gjykata e Apelit me Aktvendimin [CN.nr.78/2017], të 20 shtatorit 2019, lëndën ia ktheu në rigjykim.
Përveç kësaj, parashtruesit e kërkesës ankohen për mosreagimin e Prokurorisë Themelore në Prizren sipas kallëzimit të tyre penal të vitit 2018.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës gjyqësore e cila është duke u zhvilluar para Gjykatës Themelore në kontekst të shkeljes së nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 22 (Procedimi i kërkesës) dhe nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
Më 21 qershor 2022, parashtruesit e kërkesës përmes postës dorëzuan kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata). Gjykata e pranoi kërkesën e parashtruesve më 27 qershor 2022.
Më 5 korrik 2022, Gjykata u dërgoi parashtruesve të kërkesës një shkresë në lidhje me regjistrimin e kërkesës së tyre. Me të njëjtën shkresë, Gjykata kërkoi nga parashtruesit e kërkesës që të plotësojnë formularin standard të kërkesës, si dhe të dorëzojnë të gjitha dokumentet dhe vendimet gjyqësore të nevojshme, në mënyrë që Gjykata të kuptojë vetë thelbin e kërkesës, meqenëse ishte e pamundur që i njëjti të përcaktohet nga pjesa e kërkesës të cilën ata e dërguan me postë.
Më 7 korrik 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [GJR. KI92/22] caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 19 korrik 2022, parashtruesit e kërkesës i dërguan Gjykatës vetëm një kërkesë të plotësuar pjesërisht pa shpjegime shtesë.
Më 15 gusht 2022, Gjykata i dërgoi Gjykatës Themelore në Prizren një shkresë me njoftimin për kërkesën e regjistruar.
Më 22 shtator 2022, Gjykata i dërgoi një shkresë Gjykatës Themelore në të cilën kërkoi informata plotësuese lidhur me lëndën që po shqyrtohet pranë saj në procedurë të përsëritur. Me qëllim të informimit, Gjykata të njëjtën shkresë ia ka përcjellë edhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Informatat të cilat Gjykata i ka kërkuar nga Gjykata Themelore ishin:
“Cilat masa procedurale i keni ndërmarrë për të zgjidhur rastin në fjalë në përputhje me procedurën e drejtë,
Sa herë keni mbajtur seanca në procedurën kontestimore në fjalë që nga momenti i kthimit të lëndës nga Gjykata e Apelit”.
Më 22 tetor 2022, Gjykata Themelore i dërgoi Gjykatës përgjigje, të cilën Gjykata do ta paraqesë në pjesën përkatëse të aktvendimit.
Më 16 nëntor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Gjykata në bazë të shkresave të lëndës vëren se rasti konkret i parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me çështjen se kujt i takojnë të drejtat pronësore mbi ngastrën kadastrale numër 8224, në vendin e quajtur “Tusus”, arë e klasës të 5-të, në sipërfaqe prej 0.19,41 ha, sipas fletës poseduese numër 11272 ZK Prizren, të cilën parashtruesit e kërkesës, siç pretendojnë, e kanë blerë dhe kanë lidhur kontratën e shitblerjes me shitësin. Mirëpo, me këtë nuk është pajtuar personi A.K., duke konsideruar se ai e ka të drejtën e parablerjes së saj.
Më 27 gusht 2007, personi A.K. ka parashtruar padi në Gjykatën Komunale në Prizren kundër disa personave, në mesin e të cilëve edhe kundër parashtruesve të kërkesës, për vërtetimin e të drejtës pronësore dhe anulimin e kontratës së shitblerjes.
Më 6 janar 2010, Gjykata Komunale në Prizren nxori Aktgjykimin [P. nr. 575/07], përmes të cilit e aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e personit A.K. dhe vërtetoi se paditësi në bazë të parashkrimit fitues është pronar i ngastrës kadastrale nr. 8224, në vendin e quajtur “Tusus” dhe se të paditurit janë të obliguar t’ia njohin këtë të drejtë dhe të lejojnë regjistrimin e ngastrës pranë Shërbimit Kadastral Komunal në KK Prizren.
Në arsyetimin e Aktgjykimit [P. nr. 575/07], Gjykata Komunale theksoi se, “[…] sipas nenit 28 paragrafi 4 të Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore Juridike-Pronësore, mbajtësi në mirëbesim i sendit të paluajtshëm, mbi të cilin tjetri ka të drejtën e pronësisë fiton të drejtën e pronësisë mbi këtë send me parashkrimin fitues me kalimin e kohës prej 20 vitesh, ndërsa sipas nenit 72 paragrafi 2 të të njëjtit ligj, posedimi është me mirëbesim poqese mbajtësi nuk di ose nuk mund të dijë se sendi që e mban nuk është i tij, pra, kushtet për fitimin e të drejtës së pronësisë përmes parashkrimit fitues janë mirëbesimi i mbajtësit të pronës së paluajtshme, si dhe afati prej 20 vitesh. Në rastin konkret, gjatë procedurës, gjykata, në bazë të provave të administruara dhe deklaratave të dëshmitarëve, vërtetoi se paditësi e mban paluajtshmërinë lëndore për më tepër se 20 vjet dhe se është mbajtës me mirëbesim“.
Më pas, parashtruesit e kërkesës paraqitën në Gjykatën e Apelit propozimin për përsëritjen e procedurës, duke pretenduar se: “Janë plotësuar kushtet nga neni 232 paragrafi 1 pika a) të LPK-së, se në procedurën e zhvilluar pranë gjykatës së shkallës së parë propozuesve nuk u është dhënë mundësia që të marrin pjesë, dhe se vendimi përfundimtar i gjykatës është bazuar në bazë të dokumentacionit që nuk është i interpretuar në mënyrë të duhur…“.
Më 10 gusht 2018, parashtruesit e kërkesës paraqitën në Prokurorinë Themelore në Prizren propozimin për inicimin e procedurës penale kundër uzurpatorit të pronës së tyre, si dhe për shkak të keqpërdorimit të pozitës së gjyqtarit në procedurën e shkallës së parë.
Më 23 korrik 2019, Prokuroria Themelore në Prizren nxori një vendim me të cilin, ndër të tjera, konstatoi se nuk ka bazë për inicimin e procedurës penale, se kërkesa ndërlidhet me një rast të përfunduar me aktgjykim të plotfuqishëm, dhe se të gjitha pretendimet lidhur me keqpërdorimin e pozitës zyrtare të gjyqtarit në fjalë, janë pretendime që ndërlidhen me shkeljet e mundshme disiplinore dhe se për këtë ekziston edhe institucioni përkatës të cilit mund t’i drejtohen parashtruesit e kërkesës.
Më13 shtator 2019, Gjykata e Apelit nxori Aktvendimin [CN. nr. 78/2017], përmes të cilit e aprovoi si të bazuar propozimin e parashtruesve për përsëritjen e procedurës, ndërsa Aktgjykimin e plotfuqishëm [P. nr. 575/07] të Gjykatës Komunale të 6 janarit 2010, e anuloi në tërësi. Rrjedhimisht, e urdhëroi Gjykatën Themelore “që pas pranimit të këtij aktvendimi të përsërisë procedurën në lëndën C. nr. 575/2007, sipas çështjes juridike të paditësit Ali Krasniqi nga Prizreni, kundër të paditurve”.
Në arsyetimin e Aktvendimit [CN. nr. 78/2017], Gjykata e Apelit theksoi se:
“Gjykata e shkallës së parë nuk ka guxuar të lejoj përfaqësimin në situatën konkrete (nga personi I. A.), pa kërkuar nga përfaqësuesit që të deklarohen shprehimisht nëse pajtohen me atë, sidomos duke marr parasysh faktin se është fjala për përfaqësuesin i cili nuk është avokat, dhe i cili nuk ka autorizime procedurale të cilat do ti kishte përfaqësuesi i cili është avokat. Aq më tepër personi i cekur, I. A. nuk është paraqitur në shqyrtim i cili është mbajtur me datën 09.12.2009, dhe06.01.2010, në të cilat janë administruar provat të cilat i paraprinë nxjerrjes së aktgjykimit të kundërshtuar. I njëjti aktgjykim nuk i është dorëzuar as ushtruesve të propozimit për përsëritjen e procedurës, as personit I. A., por një personi krejtësisht të tretë emri i të cilit fillon me shkronjën B, që vërtetohet me shikim në fletë kthesën e bashkangjitur. Duke marr parasysh [se] paraqitësve të propozimit për përsëritjen e procedurës nuk i është dhënë mundësia për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në procedurë, andaj propozimi për përsëritjen e procedurës [është i] bazuar në kuptim të nenit 232 par. 1 pika a) dhe b) të LPK-së”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “[…] na është shkelur e drejta themelore njerëzore e gjykimit në afat të arsyeshëm, përkatësisht e drejta e përcaktuar me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, aspekt i veçantë i së cilës është e drejta në gjykim në afat të arsyeshëm si dhe e drejta e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës“.
Në mbështetje të kësaj, parashtruesit e kërkesës shtojnë: “Lëndën tonë e kemi tek gjykatësi A.B. që nga viti 2018 sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit dhe prapë se prapë nuk zbatohet sipas rregullave ligjore, por në seanca që po mbahen thirremi vetëm ne, ndërsa uzurpuesit e tokës tonë nuk vijnë në seancat e mbajtura”.
Parashtruesit e kërkesës më tej pretendojnë se, “[…] padia e tyre së bashku me dokumentet gjendet tek prokurori G.N. që nga viti 2018, i cili nuk përgjigjet rreth dokumenteve tona”.
Parashtruesit e kërkesës i drejtohen Gjykatës me kërkesën në vijim: “Të konstatohet shkelja e të drejtës në gjykim në afat të arsyeshëm dhe të drejtës në barazi para gjykatës”.
Përgjigjja e Gjykatës Themelore në shkresën e datës 22 shtator 2022
27. Gjykata rikujton se Gjykata Themelore më 22 tetor 2022, ia ka dërguar gjykatës përgjigjen në vijim:
“Pas kthimit të rastit nga Gjykata e Apelit, rasti C. nr. 557/2007 mori numrin C. nr. 1707/2019. Për atë rast u caktua seanca përgatitore më 11 dhjetor 2020. Duke qenë se nuk kishte kushte për mbajtjen e seancës, gjykata e shtyu seancën për 26 janar 2021. Seanca e 26 janarit 2021 është ndërprerë për shkak se ka vdekur prokurori A.K..
Pas dorëzimit të propozimit për vazhdimin e procedurës nga pala paditëse, të cilin e kishte dorëzuar trashëgimtari i tashmë të ndjerit A.K., gjykata caktoi seancën e radhës më 3 nëntor 2021. Meqë rasti ka vazhduar, pas ndërprerjes, tani ka marrë numrin C. nr. 274/2021.
Procedura e fundit nga gjykata është ndërmarrë më 29 qershor 2022, në të cilën është mbajtur seanca kryesore, ku me daljen në vendin e ngjarjes janë siguruar provat gjeodezike. Aty është vërtetuar gjendja faktike. Eksperti është urdhëruar që pas matjeve të kërkuara nga palët, të paraqesë një raport me shkrim dhe skicë në gjykatë.
Pasi eksperti i gjeodezisë solli në gjykatë një raport me shkrim, gjykata caktoi seancën e radhës për 4 nëntor 2022”.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit”.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
[E drejta për një proces të rregullt]
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm.
[...]”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parapara me Ligj dhe të parashikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“(1) Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
(7) Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata më tej i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi”.
Prandaj, duke qenë se parashtruesit e kërkesës theksojnë në plan të parë pretendimin lidhur me dështimin për të zgjidhur rastin e tyre brenda një afati të arsyeshëm, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, Gjykata konstaton se parashtruesit e kanë saktësuar kërkesën e tyre siç përcaktohet në nenin 48 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu do të vlerësojë nëse parashtruesit e kërkesës e kanë përmbushur kriterin e përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, i cili përcakton se:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që karakterizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi e pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20 me parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, me parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; dhe KI21/21, me parashtrues Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 prillit 2021).
Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës pretendojnë zvarritjen e procedurës në lëndën [nr. 575/2007], e cila sipas Aktvendimit [CN. nr. 78/2017] të Gjykatës së Apelit të 13 shtatorit 2019, është kthyer në Gjykatën Themelore për rishqyrtim.
Gjykata, në këtë pjesë, duhet të sqarojë një fakt që ka të bëjë ekskluzivisht me çështjen e procedurës, përkatësisht me çështjen se cila procedurë gjyqësore ndërlidhet nga parashtruesit e kërkesës me shkeljet e pretenduara të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm në kontekst të kohëzgjatjes së procedurës. Në këtë kontekst, Gjykata vëren pretendimin e parashtruesve të kërkesës në të cilin ata theksojnë në mënyrë decidive se, “lëndën tonë e kemi tek gjykatësi A.B. që nga viti 2018 sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit dhe prapë se prapë nuk zbatohet sipas rregullave ligjore, por në seanca që po mbahen thirremi vetëm ne, ndërsa uzurpuesit e tokës tonë nuk vijnë në seancat e mbajtura”. Në bazë të kësaj mund të konkludohet se parashtruesit në kërkesën e tyre kontestojnë pikërisht mosnxjerrjen e vendimit nga Gjykata Themelore dhe gjyqtari i rastit A.B. në procedurën e përsëritur.
Prandaj, pretendimi i lartcekur i parashtruesve të kërkesës për tejzgjatje të procedurës gjyqësore do të trajtohet nga Gjykata nga këndvështrimi i të drejtave të garantuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duke aplikuar parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në të cilin rast Gjykata në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës është e obliguar që: “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Lidhur me të drejtën për marrjen e vendimeve brenda një afati të arsyeshëm, Gjykata i referohet paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës dhe paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, të cilët përcaktojnë:
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“[...]
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet [...] brenda një afati të arsyeshëm [...]”.
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm…”.
Për të vlerësuar bazueshmërinë e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljet e të drejtave dhe lirive kushtetuese që kanë të bëjnë me gjykimin e çështjes brenda një afati të arsyeshëm, Gjykata do të marrë parasysh parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të konfirmuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do të marrë parasysh: (i) përcaktimin e periudhës së kohëzgjatjes së procedurës në tërësi në institucionin kompetent; (ii) parimet relevante në lidhje me kohëzgjatjen e procedurave; dhe (iii) arsyeshmërinë e kohëzgjatjes së procedurave në Gjykatën Themelore në Prizren, në të cilën gjykatë, më 13 shtator 2019, përmes Aktvendimit[CN. nr. 78/2017] të Gjykatës së Apelit është kthyer lënda për rishqyrtim.
(i) Periudha që do të merret parasysh
Gjykata, duke iu referuar praktikës gjyqësore të GJEDNJ-se dhe praktikës së saj gjyqësore, ka vlerësuar se përllogaritja e shtrirjes në kohë të procedurave fillon në momentin kur gjykata kompetente vihet në lëvizje me kërkesë të palëve për vendosjen e një të drejte apo interesi legjitim të pretenduar (shih, rastet e GJEDNJ-së, Poiss kundër Austrisë, Aktgjykim i 23 prillit 1987, aplikacioni nr. 17/1986/115/163., paragrafi 50). Ky proces konsiderohet i përfunduar me nxjerrjen e një vendimi gjyqësor përfundimtar nga një instancë kompetente gjyqësore e fundit (shih rastin e GJEDNJ-se Eckle kundër Republikës Federale të Gjermanisë, aplikacioni nr. 8130/78, Aktgjykim i 15 korrikut 1982, paragrafi 74; si dhe rastin KI177/19, parashtrues NNT “Sokoli”, Aktgjykim i 16 prillit 2019, paragrafi 98).
Megjithatë, në rastin konkret, duke pasur parasysh se më 13 shtator 2019, përmes Aktvendimit [CN. nr. 78/2017] të Gjykatës së Apelit, lënda e parashtruesve të kërkesës është kthyer në Gjykatën Themelore në fazën fillestare të gjykimit, periudha e cila mund të merret parasysh nga Gjykata me qëllim të përcaktimit të kohëzgjatjes së procedurës, është periudha prej 13 shtatorit 2019 deri në ditën e parashtrimit të kërkesës në Gjykatë, që është data 21 qershor 2022, gjë që paraqet periudhën kohore prej 2 (dy) vitesh, 8 (tetë) muajsh dhe 7 (shtatë) ditësh, brenda të cilës Gjykata Themelore nuk ka marrë një vendim të ri në procedurën e përsëritur.
(ii) Parimet relevante
Gjykata, para se gjithash, thekson se sipas praktikës konsistente gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila është reflektuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, arsyeshmëria e kohëzgjatjes së procedurës duhet të vlerësohet në dritën e rrethanave të rastit, duke marrë parasysh kriteret e vendosura nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, përkatësisht kriteret që i referohen: (a) ndërlikueshmërisë së rastit; (b) sjelljes së palëve në procedurë; (c) sjelljes së gjykatës kompetente ose autoriteteve të tjera publike; si dhe (d) rëndësisë së asaj çfarë rrezikon parashtruesi i kërkesës në kontest (shih rastet e GJEDNJ-së, Mikulić kundër Kroacisë, Aktgjykim i 7 shkurtit 2002, aplikacioni nr. 53179/99 paragrafi 38; Comingersoll S.A. kundër Portugalisë, aktgjykim i 6 prillit 2000, aplikacioni nr. 35382/97; Frydlender kundër Francës, Aktgjykim i 27 qershorit 2000, aplikacioni nr. 30979/96paragrafi 43; shih gjithashtu rastet e Gjykatës KI07/15, parashtrues Shefki Zogiani, Aktvendim për papranueshmëri i 23 shtatorit 2016, paragrafët 53-62; KI23/16, parashtrues Qazim Bytyqi dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 5 majit 2017, paragrafi 58).
Ndërlikueshmëria e rastit
Përkitazi me ndërlikueshmërinë e rastit, Gjykata i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës përmes të cilave ishte theksuar se ndërlikueshmëria e rastit mund të ndërlidhet me çështje të faktit dhe të ligjit por gjithashtu mund të ndërlidhet edhe me përfshirjen e disa palëve në procedurë apo me një numër të caktuar provash që duhet trajtuar para gjykatave të rregullta (shih, mutatis mutandis, rastet e GJEDNJ-së, Katte Klitsche de la Grange kundër Italisë, Aktgjykim i 19 shtatorit 1994, aplikacioni nr. 21/1993/416/495, paragrafi 55; H. kundër Mbretërisë së Bashkuar, Aktgjykim i 8 korrikut1987, aplikacioni nr. 9580/81, paragrafi 72).
Në rastin konkret, Gjykata vëren se rasti i parashtruesve të kërkesës është i natyrës civile, në të cilin, sipas konstatimit të Gjykatës së Apelit, Gjykata Komunale ka bërë lëshime procedurale. Rrjedhimisht, Gjykata Themelore gjatë procedurës së përsëritur duhet të veprojë me kujdes të veçantë në mënyrë që të mënjanohen të gjitha lëshimet e evidentuara, që vetvetiu nënkupton kryerjen e një numri më të madh të veprimeve procedurale. Megjithatë, eliminimi i veprimeve thelbësore procedurale në vetvete mund të çojë në një situatë ku realizimi i tyre varet nga palët e interesuara ndërgjyqëse dhe paraqitja e tyre në procedura, të cilat kanë fleksibilitet ligjor dhe mundësinë e mosparaqitjes disa herë në seancat e planifikuara shqyrtuese, e që në vetvete mund të ndikojë edhe në thelbin e kompleksitetit të rastit në kuptimin procedural dhe përfundimin e tij.
Sjellja e parashtruesit të kërkesës
Për sa i përket sjelljes së parashtruesve të kërkesës në rastin konkret në procedurën pranë Gjykatës Themelore, Gjykata nuk e ka para vetes veprimtarinë e tërësishme procedurale as numrin e veprimeve që parashtruesit e kërkesës i kanë ndërmarrë gjatë procedurës së përsëritur për shkak se parashtruesit e kërkesës nuk e kanë trajtuar atë siç duhet në kërkesën e paraqitur, ndonëse, duke qenë se ata janë pala e cila konsideron se e drejta e pronësisë mbi pronën lëndore u takon atyre, është në interesin e tyre të marrin pjesë në mënyrë aktive në procedurën gjyqësore dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet procedurale të parashikuara me ligj me qëllim të zgjidhjes së saj në mënyrë efikase.
Për më tepër, bazuar në pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata mund të vërejë, natyrisht për aq sa kanë deklaruar parashtruesit e kërkesës, se ata marrin pjesë në mënyrë aktive dhe përgjigjen në çdo seancë të caktuar gjyqësore në të cilën janë ftuar nga Gjykata Themelore.
Sjellja e autoriteteve relevante gjyqësore
Gjykata fillimisht rikujton qëndrimin parimor të GJEDNJ-së se paragrafi 1 i nenit 6 të KEDNJ-së kërkon nga shtetet kontraktuese që të organizojnë sistemet e tyre ligjore, në mënyrë të atillë që autoritetet kompetente të përmbushin kërkesat e nenit në fjalë, duke përfshirë edhe detyrimin për të shqyrtuar çështjet brenda një afati të arsyeshëm kohor (shih, rastet e GJEDNJ-së, Luli dhe të tjerët kundër Shqipërisë, Aktgjykim i 1 prillit 2014, nr. 64480/09, 64482/09, 12874/10, 56935/10, 3123/12, 31355/09 paragrafi 91; Abdoella kundër Holandës, Aktgjykim i 25 nëntorit 1992, nr. 12728/87 paragrafi 24; Mishgjoni kundër Shqipërisë, Aktgjykim i 7 dhjetorit 2010 kërkesa nr. 18381/05).
Gjykata gjithashtu përmes praktikës së saj gjyqësore theksoi se gjykatat e rregullta kanë parasysh obligimin kushtetues dhe ligjor, që çështjet t’i finalizojnë brenda një afati të arsyeshëm, në mënyrë që të mos shkaktojnë huti dhe pasiguri. Gjykatat e rregullta nuk mund të lejojnë që rasti të bartet pafundësisht prej një instancë gjyqësore te tjetra. Përndryshe, besimi i publikut ndaj tërë rendit juridik do të minohej (shih, lidhur me këtë arsyetim të Gjykatës, rastin KI104/20, paragrafi 62).
Në mënyrë që Gjykata të mund të vlerësojë sjelljen e autoritetit gjyqësor përkatës, përkatësisht të Gjykatës Themelore, në një rast konkret, në një shkresë plotësuese kërkoi informata që do t'i mundësonte të arrijë në një përfundim lidhur me sjelljen e saj. Në përgjigjen e Gjykatës Themelore thuhet:
“Pas kthimit të rastit nga Gjykata e Apelit, rasti C. nr. 557/2007 mori numrin C. nr. 1707/2019. Për atë rast u caktua seanca përgatitore më 11 dhjetor 2020. Duke qenë se nuk kishte kushte për mbajtjen e seancës, gjykata e shtyu seancën për 26 janar 2021. Seanca e 26 janarit 2021 është ndërprerë për shkak se ka vdekur prokurori A.K..
Pas dorëzimit të propozimit për vazhdimin e procedurës nga pala paditëse, të cilin e kishte dorëzuar trashëgimtari i tashmë të ndjerit A.K., gjykata caktoi seancën e radhës më 3 nëntor 2021. Meqë rasti ka vazhduar, pas ndërprerjes, tani ka marrë numrin C. nr. 274/2021.
Procedura e fundit nga gjykata është ndërmarrë më 29 qershor 2022, në të cilën është mbajtur seanca kryesore, ku me daljen në vendin e ngjarjes janë siguruar provat gjeodezike. Aty është vërtetuar gjendja faktike. Eksperti është urdhëruar që pas matjeve të kërkuara nga palët, të paraqesë një raport me shkrim dhe skicë në gjykatë.
Pasi eksperti i gjeodezisë solli në gjykatë një raport me shkrim, gjykata caktoi seancën e radhës për 4 nëntor 2022”.
Sipas përgjigjes së Gjykatës Themelore si gjykatë kompetente, mund të konstatohet se me qëllim të përfundimit të procedurës gjyqësore, ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale me qëllim të korrigjimit të gabimeve procedurale që kanë sjellë në situatën që Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rivendosje. Mirëpo, Gjykata është në dijeni edhe për faktin se në ndërkohë janë shfaqur rrethana të reja në të cilat Gjykata Themelore nuk ka pasur asnjë ndikim dhe të cilat si të tilla kanë kërkuar ndërmarrjen e veprimeve procedurale shtesë me qëllim të eliminimit të tyre, në mënyrë që procedura në fjalë të mund të vazhdojë.
Prandaj, nga shpjegimet e lartcekura mund të konstatohet se Gjykata Themelore ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale me qëllim të përfundimit të rastit, dhe sjellja e saj si e tillë nuk mund të konsiderohet e padrejtë.
Rëndësia e asaj çfarë rrezikon parashtruesi i kërkesës në kontest
Sa i përket vetë rëndësisë së çështjes e cila aktualisht është duke u zgjidhur në Gjykatën Themelore, Gjykata i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila sqaron se një kategori e rasteve kërkon zgjidhje të veçanta ekspeditive. Sipas kësaj praktike, shembuj që kërkojnë kujdes të veçantë dhe zgjidhje me prioritet janë rastet që ndërlidhen me statusin dhe kapacitetin civil, rastet rreth kujdestarisë së fëmijëve dhe marrëdhënies prind-fëmijë, kontestet nga marrëdhënia e punës, rastet e parashtruesve që vuajnë nga “një sëmundje të pashërueshme” dhe kanë “pritje të reduktuar të jetëgjatësisë”, si dhe rastet rreth të drejtës për arsim (shih rastet e GJEDNJ-së Bock kundër Gjermanisë, Aktgjykim i 21 shkurtit 1989, aplikacioni nr. 1/1988/145/199. paragrafi 49; Laino kundër Italisë, Aktgjykim i 18 shkurtit 1999,aplikacioni nr. 33158/96paragrafi 18; Mikulić kundër Kroacisë, cituar më lart, paragrafi 44).
Gjykata rikujton se rasti i parashtruesve të kërkesës ka të bëjë me padinë për vërtetimin e të drejtës mbi ngastrën në fjalë dhe sigurisht, Gjykata është e vetëdijshme se kjo e drejtë, në vetvete, është me rëndësi thelbësore për parashtruesit e kërkesës. Mirëpo, ky nuk është një rast i rëndësisë së madhe, siç mund të shihet në bazë të praktikës së GJEDNJ-së, edhe pse vetë Gjykata Themelore në Prizren ka diskrecion të vendos nëse ky rast i plotëson kriteret për zgjidhjen e tij ekspeditive, gjë që, sipas mendimit të kësaj Gjykate, sigurisht do të ishte një hap i mirë përpara në drejtim të rritjes së efikasitetit të gjyqësorit, dhe për rrjedhojë, të drejtësisë për palët në procedurë.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kohëzgjatja e procedurës pranë Gjykatës Themelore në Prizren, lidhur me shqyrtimin e lëndës [nr. 575/2007] të parashtruesve të kërkesës, në rrethanat konkrete, nuk mund të konsiderohet e paarsyeshme.
Pretendimi i parashtruesve për shkeljen e së drejtës për barazi para gjykatës
Në kërkesën e parashtruesve, Gjykata vërejti se ata po kërkojnë nga Gjykata që të konstatojë se në procedurën e cila për momentin është duke u shqyrtuar në Gjykatën Themelore në Prizren “u është shkelur e drejta e tyre për barazi para gjykatës”.
Lidhur me këtë, së pari, nga vetë kërkesa rezulton qartë se parashtruesit e kërkesës me asnjë argument nuk kanë paraqitur para Gjykatës se në çfarë mënyre, sipas mendimit të tyre, është shkelur e drejta për barazi para gjykatës në procedurën e rishqyrtimit të objektit të kontestit në Gjykatën Themelore në Prizren. Së dyti, procedura para Gjykatës Themelore është në fazën e vendimmarrjes dhe si rrjedhojë Gjykata nuk ka para vetes prova në bazë të të cilave do të mund të shqyrtonte këtë pretendim. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se këto pretendime të parashtruesve të kërkesës i përkasin kategorisë (iii) së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”.
Pretendimi i parashtruesve të kërkesës për mosveprimin e Prokurorisë Themelore në Prizren
Parashtruesit e kërkesës gjithashtu pretendojnë se përkundër faktit se ata kanë paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore kundër uzurpatorit të ngastrës lëndore të cilën ata e konsiderojnë si të tyren, Prokuroria ende nuk i është përgjigjur dhe as nuk ka vepruar sipas këtij kallëzimi penal.
Në mbështetje të kësaj, Gjykata thekson se për Gjykatën nuk është kontestues fakti se parashtruesit e kërkesës kanë paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prizren, dhe kjo për shkak se Gjykata në shkresat e lëndës ka gjetur kallëzimin e tyre penal të paraqitur më 10 gusht 2018.
Megjithatë, për Gjykatën gjithashtu nuk është kontestues as fakti se Prokuroria Themelore i është përgjigjur kallëzimit penal më 23 korrik 2019 dhe kjo është paraqitur nga Gjykata në pjesën e përmbledhjes së fakteve në këtë Aktvendim. Rrjedhimisht, Gjykata edhe këto pretendime të parashtruesve të kërkesës i konsideron si pretendime të kategorisë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara“.
Përfundim
Rrjedhimisht, në kuptim të kritereve të lartcekura të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të vërtetuara përmes praktikës gjyqësore të vetë Gjykatës përkitazi me të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, Gjykata konstaton se pretendimi i parashtruesve të kërkesës lidhur me tejzgjatjen e procedurës dhe dështimin për të zgjidhur lëndën [nr. 575/2007] brenda një afati të arsyeshëm është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese për shkak të “mungesës së dukshme ose evidente të shkeljes” dhe duhet të deklarohet i papranueshëm në pajtim me paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Sa i përket pretendimeve për shkeljen e të drejtës për barazi para gjykatës, si dhe pretendimeve se Prokuroria Themelore nuk ka vepruar sipas kallëzimit penal të ushtruar, Gjykata i refuzoi të njëjtat si pretendime të kategorisë (iii) së pretendimeve që janë “të pambështetura ose të paarsyetuara“ në pajtim me paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, më 16 nëntor 2022, njëzëri,
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit; dhe
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka -Nimani
Valon Topalli dhe Lulzime Topalli
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile