Prishtinë, më 7 tetor 2024
Nr. Ref.: RK 2545/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr .KI 107/24
Parashtrues
Xhafer Shala
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-22-0150-A0001, të 8 shkurtit 2024
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Xhafer Shala me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), të cilin e përfaqëson Besnik Berisha, avokat nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [AC-I-22-0150-A0001] të Kolegjit të Apelit, 8 shkurtit 2024.
Objekti i çështjes
Objekti i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-22-0150-A0001] 8 shkurtit 2024 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit), përmes së cilit parashtruesi i kërkesës pretendon se i cenohen të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 3, 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Parashtruesi i kërkesës ka kërkuar që identiteti i tij të mos zbulohet por nuk ka theksuar arsyet e veçanta.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 7 maj 2024, përmes postës elektronike, përfaqësuesi i parashtruesit dorëzoi kërkesën në gjykatë.
Më 7 qershor 2024, Gjykata njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 7 qershor 2024, Gjykata njoftoi Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit për pranimin e kërkesës dhe i dërgoi një kopje të kërkesës.
Më 22 maj 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr.GJR. KI 107/24] caktoi gjyqtarin Radomir Laban si Gjyqtar raportues dhe përmes Vendimit [Nr.KSH.KI 107/24] caktoi Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Jeton Bytyqi (anëtarë).
Më 11 shtator 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri/me shumicë votash i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kompaninë N.SH “Auto Prishtina” në të cilën figuron se parashtruesi i kërkesës ka qenë i punësuar.
Më 29 prill 2015, parashtruesi i kërkesës kishte iniciuar padi ndaj N.SH “Auto Prishtina” (në tekstin e mëtejmë: e paditura), për pagesën e pagave të mbetura të pa paguara për periudhën tetor 2003 deri më qershor 2014 në shumën prej 13,420.00 euro si dhe kamatën ligjore në vlerë prej 3.5%. për çdo vit.
Parashtruesi i kërkesës në padi ka theksuar se ndërmarrja e paditur në vitin 2000 ishte regjistruar si person juridik.
E paditura në procedurë përfaqësohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP) në procedurën e likuidimit.
Parashtruesi i kërkesës, bazuar në shkresat e lëndës –Aktvendimit [C-IV-15-0683] të 25 shkurtit 2022, në procedurën para DHPGJS-së ka qenë i përfaqësuar nga SH.S, avokat.
Më 16 shkurt 2021, Zyrtarja e Financave kishte lëshuar një vërejtje për pagesën e taksës gjyqësore për përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës në vlerë prej 30.00 euro.
Më 23 shkurt 2021, vërejtja në fjalë ishte pranuar nga përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës në gjykatën e shkallës së parë, avokati SH.S.
Më 25 shkurt 2022, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS), kishte nxjerrë Aktvendimin [C-IV-15-0683] përmes së cilit kishte konsideruar padinë e parashtruesit të kërkesës të tërhequr për arsye se i njëjti nuk e kishte paguar taksën gjyqësore.
Në arsyetimin e Aktvendimit, DHPGJS kishte theksuar faktin që më 16 shkurt 2021, gjykata i kishte dërguar vërejtjen parashtruesit të kërkesës për pagesën e taksës gjyqësore si dhe i kishte bërë me dije faktin që në rast të mos pagesës brenda afatit të caktuar padia do të konsiderohet e tërhequr.
DHPGJS kishte cituar dispozitën përkatëse në bazë të cilës kishte marrë këtë aktvendim, duke arsyetuar si më tej: “[...] sipas nenit 5..5.2 të Udhëzimit Administrativ nr.01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore, në rast se paditësi nuk e paguan taksën gjyqësore dhe pas vërejtjes së gjykatës, dhe nuk ekzistojnë kushtet për lirimin nga detyrimi për të paguar taksën gjyqësore, atëherë zbatohet neni 253 paragrafi 5 i Ligjit për Procedurën Kontestimore ashtu që do të konstatohet se padia është tërhequr.” Ndaj këtij Aktvendimi, DHPGJS kishte ofruar udhëzimin juridik përmes të cilit kishte përcaktuar se ankesa mund të ushtrohet në Kolegjin e Apelit brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve, nga dita e marrjes së po të njëjtit.
Më 31 mars 2022, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur propozim për kthim në gjendjen e mëparshme, ashtu që kjo çështje juridike të kthehet në atë gjendje në të cilën ndodhej para datës 25 shkurt 2022. Në këtë propozim, bazuar në shkresat e lëndës, theksohet se mos pagesa e taksës gjyqësore për padinë e parashtruesit të kërkesës ka ardhur si rezultat i neglizhencës totale të avokatit SH.S., i cili e ka përfaqësuar parashtruesin e kërkesës në procedurën pranë gjykatës së shkallës së parë, konkretisht në DHPGJS. Në këtë rast, parashtruesi i kërkesës theksonte se avokati në fjalë nuk e ka njoftuar as edhe një herë paditësin e as nuk ka bërë vetë pagesën e taksës gjyqësore edhe pse ka qenë i vetëdijshëm për pasojat juridike të mos pagesës. Nga dosja e lëndës së paraqitur në gjykatë nuk konstatohet të këtë pasur përgjigje lidhur me këtë kërkesë.
Po më 31 mars 2022, parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar pranë DHPGJS-së revokimin e autorizimit të 8 janarit 2021 për avokatin SH.S.
Më 01 prill 2022, parashtruesi i kërkesës ka paraqitur ankesë kundër Aktvendimit [C-IV-15-0683] të 25 shkurtit 2022 të DHPGJS-së, duke i propozuar Kolegjit të Apelit që të aprovohet ankesa e tij si e bazuar , të anulohet Aktvendimi i ankimuar dhe të vazhdohet procedura e ndërprerë pranë kësaj gjykatë duke i mundësuar atij që të ndërmerr veprime që nuk ka mundur t’i ndërmarr, jo me fajin e tij. Nga pjesa hyrëse e Aktvendimit [AC-I-22-0150-A0001] të Kolegjit të Apelit, të 8 shkurtit 2024, konstatohet që parashtruesin e kërkesës para kësaj dhome e ka përfaqësuar avokati Kadri Brisha, rr “Prenk Bib Doda”, nr. 34, Hajvali.
Në ankesë theksohet se vërejtjen në fjalë, parashtruesi i kërkesës nuk e kishte pranuar, e për këtë kishte theksuar tutje se për faktin se i njëjti nuk e ka marrë urdhëresën e gjykatës, i njëjti nuk ka qenë në dijeni për urdhrin i cili nuk i është dorëzuar nga avokati SH.S,,i cili avokat ka deklaruar: “se nuk merret me këto lëndë.”
Më 20 shtator 2023, AKP-ja kishte paraqitur përgjigje në ankesën e parashtruesit të kërkesës me të cilën thekson se argumentet e paraqitura në ankesë janë të përsëritura dhe i kishte propozuar Kolegjit të Apelit që ta refuzojë ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pa bazuar dhe ta vërtetojë Aktvendimin e ankimuar.
Më 08 shkurt 2024, Kolegji i Apelit nxori Aktvendimin [AC-I-22-0150-A0001] përmes së cilit (i) refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar; dhe (ii) vërtetoi Aktvendimin [C-IV-15-0683] e 25 shkurtit 2022 të DHPGJS-së.
Në arsyetimin Aktvendimit, Kolegji i Apelit kishte theksuar: “ [...] paditësi vërejtjen për pagesën e taksës gjyqësore, përkatësisht avokati të cilin e kishte autorizuar, z. Sh.S, e kishte pranuar vërejtjen për pagesën e taksës gjyqësore me datë 23 shkurt 2021, mirëpo i njëjti përveç që nuk e ka paguar taksën deri më sot as nuk kishte paraqitur kërkesë për lirim nga taksa gjyqësore.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [AC-I-22-0150-A0001] të 8 shkurtit 2024 të Kolegjit të Apelit përmes së cilit parashtruesi i kërkesës pretendon se i cenohen të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 3, 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës .
Pretendimet për shkelje të nenit 3 dhe 24 të Kushtetutës
Parashtruesi i kërkesës supozon se kishte statusin e pabarabartë e para ligjit, dhe duke argumentuar dallimin që është bërë në trajtimin e rastit të tij në raport me rastet me përmbajtje të ngjashme pretendon se “gjykata e ka bërë shkelje procedurale të dispozitave të Ligjit të Procedurës Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK), kur ka pranuar që parashtruesi i kërkesës të përfaqësohet nga një jurist i diplomuar i cili nuk ka qenë i licencuar si avokat dhe për këtë gjë nuk e kanë njoftuar paditësin(parashtruesin e kërksës) sikurse ka vepruar në rastet e tjera të ngjashme, e për të cilat ka theksuar: “mund ti referoheni provës së bashkëngjitur Urdhrin C-Iv-23-0710 të datës 05.01.2024 i lëshuar nga po e njëjta gjykatë)” e për të cilën ka theksuar se në këtë Urdhër i kërkohet paditësit të rregulloj çështjen e përfaqësimit në gjykatë.
Parashtruesi i kërkesës pretendon më tej faktin se i njëjti gjyqtar në raste të tjera të ngjashme që kanë të bëjnë me të paditurën, ka vepruar ndryshe, e në rastin konkret parashtruesin e kërkesës e ka trajtuar në mënyrë jo të barabartë. Për të mbështetur këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës ka paraqitur pranë Gjykatës edhe një precedentë të tillë të vetë Gjykatës: KI 145/19, KI 146/19, KI 147/19, KI 149/19, KI 187/19, KI 200/19 dhe KI 208/19, me parashtrues Belkize Vula Shala dhe të tjerët, Aktgjykim i 28 prillit 2021).
Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta kanë bërë shkelje kur kanë vërejtur neglizhencën e avokatit SH.S., në trajtim të parashtruesit të kërkesës dhe rasteve të tjera që kanë të bëjnë me të paditurën N.SH “Auto Prishtina”.
Pretendimet për shkeljen e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës .
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykata nuk ka marrë asnjë veprim, ashtu që të njoftojë Odën e Avokatëve lidhur me neglizhencën e avokatit anëtar të kësaj Ode, e cila neglizhencë sipas parashtruesit të kërkesës iu ka kushtuar punonjësve të kësaj ndërmarrjeje, sikur edhe vet parashtruesit të kërkesës me humbjen e të drejtës së tyre për kompensim në pagat e pa paguara.
Për të mbështetur pretendimin e sipër cekur, parashtruesi i kërkesës thekson dispozitën e 88 të LPK-së, përmes së cilit është përcaktuar: “88.1 Në qoftë se gjykata konstaton se përfaqësuesi i palës, që nuk është avokat, nuk është i zoti ta kryej këtë detyrë, atëherë ajo duhet ta njoftoj palën me pasojat e dëmshme që mund të lindin për shkak të përfaqësimit të tillë. 88.2 Po që se gjykata konstaton se përfaqësuesi që është avokat nuk e kryen detyrën në pajtim me Ligjin mbi Avokaturën, gjykata për një gjë të tillë njofton Odën kompetente te Avokatëve.”
Parashtruesi i kërkesës ri-citon pretendimin e mësipërm përmes së cilit thekson: “askund në shkresat e lëndës, nuk mund të gjendet askund një veprim nga ana e gjykatës që njofton palën paditëse për pasojat e përfaqësimit nga një jurist i diplomuar që nuk është avokat [...] në këtë kuptim gjykata ka zbatuar dispozita ligjore në dëm të palës paditëse duke ia mohuar të drejtën e ndjekjes së kësaj çështje në gjykatë.” Përkatësisht i është mohuar e drejta e qasjes në Gjykatë
Parashtruesi i kërkesës tutje përgjatë pretendimeve të tija thekson faktin se avokati në fjalë, SH.S., tashmë ka ndërruar jetë, e për të cilin fakt thekson për Gjykatën: “[...] të ketë parasysh këtë rast dhe të kthej lëndën në rigjykim në mënyrë që paditësi të mos privohet nga e drejta për kompensimin e pagave të pa paguara [...].”
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 3
[Barazia para Ligjit]
1. “Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. 2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.”
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. “Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim. 2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal. 3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. “Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 88
88.1 “Në qoftë se gjykata konstaton se përfaqësuesi i palës, që nuk është avokat, nuk është i zoti ta kryej këtë detyrë, atëherë ajo duhet ta njoftoj palën me pasojat e dëmshme që mund të lindin për shkak të përfaqësimit të këtillë. 88.2 Po që se gjykata konstaton se përfaqësuesi që është avokat nuk e kryen detyrën në pajtim me Ligjin mbi avokaturën, gjykata për një gjë të tillë e njofton Odën kompetente te Avokatëve.”
Përmbajtja e padisë
Neni253
253,4 Paditësi ka për detyre që padisë t'ia bashkëngjis vërtetimin mbi taksën
gjyqësore të paguar,
253,5 Ne qofte se paditësi nule e paguan taksën gjyqësore te përcaktuar për padinë
as pas vërejtjes se dërguar nga gjykata, edhe pse nuk ekzistojnë konditat për lirim
nga detyrimi i pagimit te taksës gjyqësore, do të konsiderohet se padia është
tërhequr
UDHEZIMI ADMINISTRATIV NR. 01/2017 PER UNIFIKIMIN E TAKSAVE
GJYQESORE
Neni 3
[Përcaktimi i taksave për parashtresat lidhur me kërkesat civile]
[... ]
Përcaktimi i lartësisë se taksave gjyqësore qe duhet paguar ne kohen e dorëzimit
te parashtesës, behet në baze te vlerës se kontestit, gjegjësisht llojit te parashtresës,
duke u bazuar ne Tarifën për taksa gjyqësore te këtij Udhëzimi (TTGJ).
Neni 5
[Mbledhja e taksave dhe pasojat e mos pagesës]
[... ]
5-5-1 Nëse taksa për parashtrese nuk paguhet deri ne datën përfundimtare sipas
këtij neni dhe kur nuk ekzistojnë kushtet për lirim nga detyrimi për pagesën e saj,
gjykata do te hedh poshtë parashtresën me përjashtim te parashtresave lidhur me
mjetet e goditjes
5-5-2 Nëse taksa për padi, e përcaktuar sipas vlerës se kontestit në padi, nuk
paguhet deri ne datën përfundimtare, edhe pas pranimit te vërejtjes për pagesën
e saj, ne rastet kur nuk ekzistojnë kushtet për lirimin e palës nga detyrimi i pagesës,
do te zbatohet neni 253 paragrafi 5 i Ligjit për Procedurën Kontestimore, ashtu qe
do te konstatohet se padia është tërhequr.
[... ]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata, fillimisht, i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata, gjithashtu, shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të kërkuara me nenet: 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afati)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...].”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se: (i) parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; (ii) ai konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [AC-I-22-0150-A0001] e 8 shkurtit 2024 të Kolegjit të Apelit përmes së cilit parashtruesi i kërkesës pretendon se i cenohen të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 3, 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës .
Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikisht përcakton që:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Për të përcaktuar nëse kërkesa e parashtruar bie ose jo brenda kornizave të rregullit 34(2) të Rregullores së saj të punës, gjykata do të shqyrtojë pretendimet e parashtruesit, faktet e paraqitura dhe vendimet gjyqësore që janë objekt kontesti.
Gjykata rikujton se thelbi i kërkesës së parashtruar nga parashtruesi i kërkesës konsiston në kontestimin e vendimeve gjyqësore të DHPGJS-së të cilat kishin refuzuar padinë e tij për kompensim pagash për të cilat parashtruesi pretendon se nuk i janë paguar nga ish punëdhënësi i tij dhe kjo për shkakun se sipas vendimeve gjyqësore ai nuk ka paguar taksën gjyqësore të kërkuar nga gjykata e shkalës së parë edhe pas vërejtjes që i është dërguar përfaqësuesit të tij – avokatit SH.S., andaj DHPGJS e kishte konsideruar padinë e parashtruesit të kërkesës si të tërhequr e Kolegji i Apelit i po kësaj gjykate e kishte vërtetuar Aktvendimin e shkallës së parë. Sipas parashtruesit të kërkesës, këto vendime gjyqësore atij ia kanë shkelur të drejtat kushtetuese të garantuara me nenin 3, 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të neneve 3 e 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka pretenduar se e drejta e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, barazia para ligjit (neni 3 dhe 24), i është shkelur sepse ‘ai është trajtuar ndryshe nga gjykata’ në raport me rastet e tjera kur kanë pranuar që parashtruesi i kërkesës të përfaqësohet nga një jurist i diplomuar i cili nuk ka qenë i licencuar si avokat dhe për këtë gjë nuk e ka njoftuar paditësin sikurse ka vepruar në rastet e tjera të ngjashme, e për të cilat ka theksuar: “mund ti referoheni provës së bashkëngjitur Urdhrin C-Iv-23-0710 të datës 05.01.2024 i lëshuar nga po e njëjta gjykatë)”, e për të cilën ka theksuar se në këtë Urdhër i kërkohet paditësit të rregullojë çështjen e përfaqësimit në gjykatë.
Gjykata në raport me këtë pretendim të ngritur konstaton se Urdhri C-Iv-23-0710 i datës 05.01.2024, e që sipas pohimeve në kërkesë supozohet “të jetë lëshur nga e njëjta gjykatë”, e që parashtruesin e kërkesës e ka vënë në pozitë të pabarabartë në raport me rastet tjera, nuk është bashkangjitur në dosjen e kërkesës të dërguar në gjykatë nga parashtruesi i kërkesës.
Lidhur me sa më sipër, Gjykata thekson se ajo nuk mund t’i referohet një fakti të pretenduar (Urdhri C-Iv-23-071), e që supozohet se provon trajtimin ndryshe të parashtruesit të kërkesës në raport me rastet e tjera, kopjen e të cilit fakt parashtruesi i kërkesës nuk e ka bashkangjitur fare në kërkesën e paraqitur. Për më tepër, pretendimi i ngritur nga parashtruesi i kërkesës për trajtim ndryshe i referohet përfaqësimit të parashtruesit në DHPGJS nga K.B., i cili e përfaqësonte parashtruesin në Kolegjin e Apelit, por në esencë çështja thelbësore e kontestit për të cilin është ngritur kërkesa në Gjykatën Kushtetuese është mos pagesa e taksës gjyqësore të kërkuar nga DHPGJS, e cila sipas të dhënave nga vendimet gjyqësore të dy shkalleve të DHPGJS-së i ishte dorëzuar personalisht avokatit SH.S. i cili parashtruesin e kërkesës e ka përfaqësuar në gjykatën e shkallës së parë e për të cilin në kërkesën e paraqitur në Gjykatë pretendohet se ka neglizhuar rastin e parashtruesit të kërkesës.
Në këtë aspekt, Gjykata rikujton praktiken e saj gjyqësore sipas së cilës vetëm përmendja e një neni te Kushtetutës, si në rastin konkret nenet 3 e 24, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë nuk mjafton si argument për të konstatuar shkeljen e të drejtave të pretenduara kushtuese (Shih rastin KI26/20, Parashtrues Fatmir Kahrimani, Aktvendim për papranueshmëri i 12 tetorit 2020, paragrafi 34; dhe KI95/19, Parashtrues Ruzhdi Bejta, Aktvendim për papranueshmëri i 8 tetorit 2019, paragrafët 30 - 31). Prandaj, në këto rrethana të rastit Gjykata konstaton se nuk gjen të jenë shkelur nenet 3 dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, sikurse ka pretenduar parashtruesi i kërkesës.
Përkitazi me pretendimin për shkeljen e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
Parimet e përgjithshme përkitazi me të “drejtën për gjykatë”
Gjykata në raste të ndryshme të paraqitura para saj , duke u mbështetur në praktikën e saj gjyqësore edhe në praktiken gjyqësore të GJEDNJ-së të cilën sipas nenit 53 të Kushtetutës e ka për obligim ta aplikojë ,ka trajtuar pretendimet për shkelje të së drejtës për qasje në gjykatë si element të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (neni 31 i Kushtetutës) (Shih ndër të tjerë rastin Ki 133/17, Parashtrues Ali Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 20 gushtit 2019, paragrafët 45-52; shih gjithashtu rastin 224/19, Parashtrues Islam Krasniqi, Aktgjykim i 28 dhjetorit 2020, paragrafët 34-41, dhe në raport me të drejtën për gjykatë ka përcaktuar parimet e përgjithshme të cilat në përmbledhje parashohin:
E drejta për qasje në gjykatë për qëllime të nenit 6.1 të KEDNj-së është definuar në rastin Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar (shih rastin e GJEDNj-së, Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar, Aktgjykim i 21 shkurtit 1975, paragrafët 28-36), ku GJEDNj-ja ka konstatuar se “e drejta për qasje në gjykatë” është aspekt thelbësor i garancive procedurale të mishëruara në nenin 6 të KEDNj-së (shih po ashtu rastin Zubac kundër Kroacisë, Aktgjykim i 5 prillit 2018, paragrafi 76). Parimet e lartpërmendura megjithatë nuk nënkuptojnë që e drejta për gjykatë dhe e drejta e qasjes në gjykatë janë të drejta absolute. Ato mund të jenë subjekt i kufizimeve, të cilat janë qartë të përcaktuara nga praktika gjyqësore e GJEDNj-së (shih po ashtu Zubac kundër Kroacisë, Aktgjykim i 5 prillit 2018, paragrafi 78). Megjithatë, këto kufizime nuk mund të shkojnë deri në atë masë sa të kufizojnë qasjen e individit ashtu që të cenohet vetë thelbi i të drejtës (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNj-së, Baka kundër Hungarisë, Aktgjykim i 23 qershorit 2016, paragrafi 120; dhe Famullia Greko-katolike Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016, paragrafi 89 dhe referencat në të). Kurdo që qasja në gjykatë kufizohet nga ligji ose praktika përkatëse gjyqësore, Gjykata shqyrton nëse kufizimi prek thelbin e të drejtës dhe, në veçanti, nëse ky kufizim ka ndjekur një “qëllim legjitim” dhe nëse ekziston “një marrëdhënie e arsyeshme e proporcionalitetit ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet” (shih rastet e GJEDNj-së, Ashingdane kundër Mbretërisë së Bashkuar, Aktgjykim i 28 majit 1985, paragrafi 57; Famullia Greko-katolike Lupeni kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 89; Naït-Liman kundër Zvicrës, cituar më lart, paragrafi 115)
Zbatimi i parimeve të përgjithshme në rrethanat e rastit konkret
Gjykata rikujton edhe një herë se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës qëndron në faktin se padia e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e pagave të pa paguara u deklarua si e tërhequr nga DHPGJS-ja sepse parashtruesi i kërkesës nuk pagoi taksën gjyqësore prej 30 euro, e sipas parashtruesit të kërkesës ai personalisht asnjëherë nuk ka pranuar një kërkesë për pagesë të taksës gjyqësore porse ajo i është dërguar vetëm avokatit të tij SH.S. i cili as nuk e ka paguar e as nuk e ka njoftuar parashtruesin për obligimin e pagesës së kësaj takse.
Lidhur me sa më sipër e në raport me parimet e përgjithshme të së drejtës për qasje në gjykatë, Gjykata vëren se DHPGJS, më 25 shkurt 2022, ka nxjerrë Aktvendimin [C-IV-15-0683] përmes së cilit e kishte konsideruar padinë e parashtruesit Xhafer Shala të tërhequr për arsye se paditësi nuk e ka paguar taksën gjyqësore. Në arsyetimin e Aktdënimit, DHPGJS kishte theksuar “Për arsye se Paditësi nuk e ka paguar taksën gjyqësore ,kjo gjykatë, më datën 16.02.2021, i dërgoi vërejtën për pagesën e taksës gjyqësore për Ankesë/padi në shumë prej 30,00 e, duke i bërë me dije dhe tërhequr vërejtjen se në rast se taksa nuk paguhet brenda afatit prej 15 ditëve konsiderohet se padia është tërheq-konform nenit 253 par.4, të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore dhe në bazë të nenit 5.5.1 1, 5.5.2 të Udhëzimit Administrativ të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nr. 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore”
DHPGJS arsyeton më tej: “Vërejtja për pagesën e taksës dhe ftesa që brenda afatit prej 15 ditëve të paraqitet në gjykatë ku do të pajiset me fletëpagesë sipas të cilës edhe do të bënte pagesën e taksës ,me udhëzimin për të drejtën në dorëzimin e kërkesës për lirim nga taksa ,është pranuar personalisht nga përfaqësuesi i paditësit Av. Shefki Sylaj në datën 23.02.2021.”
Gjykata vëren se DHPGJS-ja, duke marrë parasysh faktin se paditësi as nuk e ka paguar taksën e kërkuar e as nuk ka kërkuar lirimin nga pagesa e taksës gjyqësore, bazuar në dispozitat e neneve 253.3 dhe 253.4 të LPK-së, e ka deklaruar padinë e parashtruesit të kërkesës si të tërhequr.
Kolegji i Apelit pasi kishte shqyrtuar pretendimet ankimore të parashtruesit të kërkesës me Aktvendimin AC-1-22-0150-A0001 të 8 shkurtit 2024 e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e tij dhe e kishte vërtetuar Aktvendimin e DHPGJS-së duke arsyetuar se “Paditësi vërejtjen për pagesën e taksës gjyqësore, përkatësisht avokati të cilin e kishte autorizuar, z. Shefki Sylaj, e kishte pranuar vërejtjen për pagesën e taksës gjyqësore me datë 23 shkurt 2021, mirëpo i njëjti përveç që nuk e ka paguar taksën deri më sot as nuk kishte paraqitur kërkesë për lirim nga taksa gjyqësore.” Dhe më tej “ Gjykata e kishte përmbushur obligimin e saj duke ia dërguar vërejtjen për pagesën e taksës gjyqësore të autorizuarit të paditësit, i cili e kishte pranuar me rregull vërejtjen, mirëpo nuk e kishte bërë taksën gjyqësore Prandaj, pasi që ankuesi nuk e ka paguar taksën gjyqësore [...], Kolegji i Apelit konsideron se shkalla e parë e DHPGJS-së ka vepruar drejtë kur ka konsideruar si të tërhequr ankesën e ankuesit
Gjykata vëren se Kolegji i Apelit në aktvendimin e tij kishte cituar të njëjtat dispozita ligjore sikurse në aktvendimin e shkallës së parë duke iu referuar bazës ligjore për shpalljen e padisë si të tërhequr.
Sa i përket çështjes së taksave gjyqësore dhe të drejtës për qasje në gjykatë, si njërit prej pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vë në pah se GJEDNJ-ja në rastin Nalbant e të tjerët kundër Turqisë (Aktgjykimi i GJEDNJ i 3 majit 2022) në paragrafin 34 kishte theksuar: “Gjykata rithekson se kërkesa për t'i paguar tarifat gjykatave civile në kohën e ngritjes së një kërkese nuk mund të konsiderohet si një kufizim mbi të drejtën e aksesit në gjykatë e që është në vetvete i papajtueshëm me nenin 6 § 1 të Konventës, me kusht që vetë thelbi i të drejtës së aksesit në gjykatë nuk cenohet dhe masat e aplikuara janë në përpjesëtim me qëllimet e ndjekura në dritën e nenit 6. Në lidhje me këtë, Gjykata ka vënë në dukje se karakteristika të tilla si aftësia e kërkuesit për të paguar tarifat gjyqësore dhe faza e procedurës e arritur në kohën e vendosjes së tarifave merren parasysh në vlerësimin nëse aksesi në gjykatë është dëmtuar (shih, midis shumë autoriteteve të tjera, Kreuz kundër Polonisë, nr. 28249/95, §§ 52 etj., GJEDNJ 2001-VI).
Qëndrim të njëjtë Gjykata ka mbajtur, ndër të tjera, edhe në rastin KI 62/18, ku në paragrafin 43 ka theksuar se “Sa i përket pretendimit të parashtrueses së kërkesës për shkeljen e të drejtës së saj për qasje në gjykatë si rezultat i kërkesës së Kolegjit të Apelit për pagesën e taksës gjyqësore, Gjykata rikujton se, sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, kërkesa për të paguar taksë gjyqësore për çështje civile në lidhje me paditë apo ankesat, për të cilat gjykatat duhet të vendosin, nuk mund të konsiderohet si kufizim i të drejtës për qasje në gjykatë që është e papajtueshme, per se, me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (shih, mutatis mutandis, Aktgjykimin e GJEDNJ-së, të 30 nëntorit 2005, Podbielski dhe PPU Polpure kundë Polonisë, nr. 39199/98, para. 64)”. Shih rastin KI 62/18, Parashtruese e kërkesës Nadlije Gojani, Aktvendim për papranueshmëri 19 tetorit 2018, paragrafi 43; dhe shih po ashtu rastin Ki 239/19, Parashtrues i kërkesës Hamdi Kuleta, Aktvendim për papranueshmëri i 7 majit 2020, paragrafi 38.
Gjykata thekson se palët e përfshira në një proces gjyqësor duhet të jenë të vetëdijshme që dështimi për t’i ndjekur rregullat procedurale sjellë pasoja juridike për ta. Kriteret e përcaktuara formale, siç është pagesa e taksës gjyqësore, nuk janë të dizajnuara dhe nuk duhet të kuptohen si pengesa për “qasje në drejtësi”, por si mekanizma që ligjvënësi i ka menduar për ta ndihmuar administrimin e drejtësisë (shih rastin Ki 218/23, Parashtruese e kërkesës Rifadije Berisha-Bekteshi, Aktvendim për papranueshmëri i 26 shkurtit 2024, paragrafi 32)
Duke marrë parasysh parimet themelore të së drejtës për qasje në gjykatë të elaboruara si më sipër, Gjykata konstaton se taksa e kërkuar nga parashtruesi i kërkesës ishte e bazuar në Ligjin për Procedurën Kontestimore (neni 253.3 i LPK-së , dhe në nenin 3.1 të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2017 (UA) të Këshillit Gjyqësor të Kosovës), se e njëjta ishte proporcionale në raport me vlerën e kontestit në caktuar në padi dhe se gjithashtu parashihet mundësia ligjore për lirim nga pagesa e saj me kërkesë të paditësit, se ndjek një qëllim legjitim – mbulimin e shpenzimeve procedurale, se ishte kërkuar në fazën fillestare të procedurës gjyqësore, prandaj në rrethana të tilla Gjykata nuk gjen se neni 31 i Kushtetutës [E drejta për gjykim të drejtë dhe të pa anshëm – E drejta për qasje në gjykatë] të jetë shkelur në dëm të parashtruesit të kërkesës.
Lidhur pretendimin e parashtruesit se ai nuk ishte në dijeni për kërkesën për taksë dhe se ka pësuar shkaku i mos aktivitetit të avokatit të tij, Gjykata thekson se Kolegji i Apelit të DHPGJS-së në Aktvendimin AC-1-22-0150-A0001 e 8 shkurtit 2024 kishte trajtuar këtë pretendim të ngritur në ankesë dhe kishte theksuar “Kolegji i Apelit konsideron pretendimet e ankuesit nuk janë relevante aq sa të ndikojnë në vendosjen ndryshe të kësaj ankese. Është në vullnetin e plotë të palës në procedurë që të vendos të autorizoj një avokat për përfaqësim apo jo. Raporti ndërmjet paditësit dhe përfaqësuesit të tij me autorizim është çështje e tyre personale që e rregullojnë të njëjtit mes vete”.
Gjykata Kushtetuese tashmë gjithashtu ka një praktikë të konsoliduar në raport me këtë pretendim dhe ka mbajtur qëndrimin se “veprimet e ndërmarra nga përfaqësuesi juridik i palës sipas autorizimit konsiderohen të jenë veprime të vet palës” (shih ndër të tjera rastet Ki 46, 47, 48 dhe 68/13, Parashtrues të kërkesës Naim Morina, Bukurije Drançolli, Avdi Imeri dhe Genc Shala, Aktvendim për papranueshmëri i 5 Korrikut 2013;shih gjithashtu rastin Ki 33/17, Parashtrues i kërkesës Jusuf Bleta dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 8 dhjetorit 2018, paragrafi 30).
Në lidhje me sa më sipër, Gjykata i referohet gjithashtu praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ka konstatuar që “shteti nuk mund të konsiderohet përgjegjës për gabimet e avokatit të caktuar për ndihmë juridike apo të zgjedhur nga i akuzuari” (shih Kamasinski kundër Austrisë, nr. 9783/82, GJEDNJ, Aktgjykim i 19 dhjetorit 1989, A. nr. 168). Në mënyrë analoge, Gjykata konsideron që autoritetet publike nuk mund të mbahen përgjegjëse për veprimet e avokatit, aq më tepër në rastin kur avokati është autorizuar nga vetë pala, në këtë rast parashtruesi (shih po ashtu rastin Ki 33/17 të cituar si më sipër, paragrafi 31.)
Gjykata vlerëson se raporti midis palës dhe avokatit është çështje personale e tyre. U takon atyre të komunikojnë dhe të koordinojnë veprimet dhe të përgatisin çështjen në mënyrën më të mirë të mundshme. Lëshimet që mund të bëhen nga neglizhenca apo mungesa profesionale e avokatit, ose nga mos koordinimi i palës me avokatin, nuk mund t’u ngarkohen autoriteteve shtetërore dhe as gjykatave të rregullta (shih rastin Ki 218/23, të cituar si më sipër, paragrafi 35).
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës dhe avokati i tij kanë mundur të mos konsultohen fare për këtë çështje, apo që avokati të ketë neglizhuar pagesën e taksës gjyqësore. Mirëpo, DHPGJS-ja nuk mund të bartë përgjegjësinë për mungesën e komunikimit apo lëshimeve eventuale që mund t’i ketë bërë ndonjëri nga ata. Prandaj, gjykatat e rregullta vendosën në bazë të dispozitave ligjore dhe nuk vepruan në mënyrë arbitrare (shih rastin e Gjykatës KI 218 /23, të cituar si më lart, paragrafët 35, 36 dhe 37).
Gjykata konstaton se pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me mos pagesën e taksës gjyqësore, janë pretendime me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, prandaj duhet refuzuar si të pabazuara.
Kërkesa për mos zbulim të identitetit të parashtruesit të kërkesës
67. Gjykata gjithashtu rikujton se parashtruesi i kërkesës kërkon që identiteti i tij të mos zbulohet. Lidhur me këtë kërkesë, parashtruesi nuk ka dhënë asnjë arsyetim por vetëm ka shënjuar katrorin përkatës në formularin zyrtar për paraqitjen e kërkesës.
68. Në raport me kërkesën si më sipër, Gjykata i referohet Rregullit 24 të Rregullores së punës lidhur me mos zbulimin e identitetit të palëve, i cili përcakton:
(2) Gjykata vendosë lidhur me kërkesën e palës për mos zbulim të identitetit me miratimin e shumicës së gjyqtareve.
[...]
(4) Në rast të mos zbulimit të identitetit, pala identifikohet vetëm me iniciale, shkurtesa ose një (1) shkronjë të vetme.
69. Në raport me atë që u tha më sipër, duke konstatuar faktin se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur asnjë arsyetim lidhur me këtë kërkesë dhe faktin se emri i tij i plotë figuron në të dy aktvendimet e DHPGJS-së, Gjykata nuk gjen arsye që të miratojë kërkesën për mos zbulimin e identitetit të parashtruesit të kërkesës (shih në mënyrë të ngjashme rastin e Gjykatës, KI74/17, Parashtrues Lorenc Kolgjeraj, Aktvendim për Papranueshmëri i 5 dhjetorit 2017, paragrafi 32 si dhe KI 11/20, Parashtrues Elez Elezi, Aktvendim për Papranueshmëri i 28 dhjetorit 2020, paragrafi 103 .
Përfundim
70. Gjykata pas shqyrtimit të fakteve të paraqitura në kërkesë, pretendimeve të ngritura të parashtrueses së kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 3, 24 dhe 31, të Kushtetutës, në harmoni me praktikën e saj gjyqësore dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohet e papranueshme, në pajtim me rregullin 34 paragrafi (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 47 dhe 48 të Ligjit dhe rregullat 34 (2) e 48.1(b) të Rregullores së punës, më 11 shtator 2024, njëzëri
VENDOS
TA SHPALLË kërkesën të papranueshme
II. TA REFUZOJË kërkesën e parashtruesit të kërkesës për mos zbulim të identitetit;
III. T’UA DËRGOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Xhafer Shala
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile