Prishtinë, më 4 mars 2024
Nr. Ref.:RK 2383/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI180/23
Parashtrues
Burim Vokrri
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 179/23], të 24 majit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Burim Vokrri nga Podujeva (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Ekrem Agushi, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin [Rev. nr. 179/23], të 24 majit 2023, të Gjykatës Supreme.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 30 gusht 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 1 shtator 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI180/23], caktoi gjyqtaren Remzie Istrefi–Peci gjyqtare raportuese dhe përmes Vendimit [Nr. KSH. KI180/23] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka–Nimani (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi, anëtarë.
Më 7 shtator 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës Supreme.
Më 20 shtator 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë disa dokumente shtesë.
Më 13 shkurt 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në shkresat e lëndës, më 15 dhjetor 2006, ndaj parashtruesit të kërkesës ishte iniciuar procedurë disiplinore nga ana e Njësitit Lokal Multifunksional të Shërbimit Doganor të UNMIK-ut (në tekstin e mëtejmë: SHDU), për shkak se në mënyrë të kundërligjshme kishte pranuar katër telefona mobilë nga pronari i një dyqani të telefonisë mobile në Prishtinë.
Më 6 nëntor 2007, Bordi Disiplinor i SHDU-së përmes Vendimit [nr. 08/832] mori vendim mbi përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore dhe shqiptoi masën disiplinore – përjashtim nga puna konform nenit 12.4 të Rregullores mbi Procedurat Disiplinore të SHDU-së.
Më 6 dhjetor 2007, parashtruesi i kërkesës gjatë procesit të ratifikimit të Vendimit të Bordit Disiplinor nga ana e Drejtorit Gjeneral të SHDU-së, kishte paraqitur kundërshtim duke pretenduar se Bordi Disiplinor vendimin e tij e ka marrë në mënyrë të pabazuar dhe se një vendim i tillë nuk ishte i mbështetur në prova materiale.
Më 7 dhjetor 2007, Drejtori Gjeneral i SHDU-së vendosi: I. Ratifikohet Vendimi i Bordit Disiplinor [nr. 08/832], i 6 nëntorit 2007, dhe masat e propozuara në këtë vendim mbesin në fuqi; II. Duke u bazuar në konkluzionet e Vendimit të Bordit Disiplinor mbi përcaktimin e përgjegjësisë së zyrtarit të lartcekur sipas fakteve të mbledhura dhe mbështetur në parimin e përgjegjësisë subjektive, merret vendimi mbi ratifikimin e propozim - vendimit të këtij Bordi dhe masa e propozuar disiplinore aprovohet si në vijim: Burim Vokrri: konform nenit 12.4 të Kodit të Procedurave Disiplinore të Shërbimit Doganor; përjashtim (largim) nga puna; III. Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit të tij nga Drejtori Gjeneral i SHDU-së.
Më 16 prill 2014, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) kundër SHDU-së, me propozimin që të aprovohet padia si e bazuar dhe të anulohet vendimi i SHDU-së i 7 dhjetorit 2007.
Më 6 qershor 2017, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C. nr. 1806/2014] kishte hedhur si të paafatshme padinë e parashtruesit të kërkesës.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljeve qenësore të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që aktvendimi i ankimuar të prishet dhe çështja t’i kthehet Gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.
Më 16 nëntor 2017, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 4187/17], aprovoi si të themeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe anuloi Aktvendimin [C. nr. 1806/2014], të 6 qershorit 2017, të Gjykatës Themelore, dhe çështjen i ktheu të njëjtës Gjykatë në procedim të serishëm.
Më 6 dhjetor 2018, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C. nr. 3307/17] hodhi poshtë si të paafatshme padinë e parashtruesit të kërkesës.
Më 12 janar 2019, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit [C. nr. 3307/17] të 6 dhjetorit 2018 të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që aktvendimi i ankimuar të prishet dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Më 17 nëntor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 821/19] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore.
Më 28 janar 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që Aktvendimi i Gjykatës së Apelit të ndryshohet dhe kërkesëpadia e tij të aprovohet, ose Aktvendimi i Gjykatës së Apelit të prishet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje në gjykatën e shkallës së parë.
Më 24 maj 2023, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 179/23] refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 821/19], të 17 nëntorit 2022.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin [Rev. nr. 179/23], të 24 majit 2023, të Gjykatës Supreme, me pretendimin se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës fillimisht pretendon shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore përkatësisht nenit 178 al.2 lidhur me nenin 181 al.1 të Ligjit të Punës së Bashkuar (në tekstin e mëtejmë: LPB), pasi që siç thekson: “gjykata e shkallës së parë padinë e paditësit e kanë hedhur si të paaftshme, gjegjësisht gjykata e shkallës së dytë aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë e ka vërtetuar, me arsyetim që nga viti 1990 dispozitat e cekura nuk zbatohen, andaj në bazë të provave të cilat gjenden në shkresa të lëndës, paditësi padinë e ushtruar kundër të paditurës në gjykatën e shkallës së parë e ka paraqitur brenda afatit ligjor, siç është përcaktuar me dispozitat e nenit 92 të ligjit për të drejtat themelore nga marrëdhënia e punës i cili ka qenë ligj i zbatueshëm në Kosovë në bazë të Rregullores së Unmik-ut nr.1999/24, me të cilin është përcaktuar se: “ me datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji pushojnë të vlejnë kapitulli IV dhe V i pjesës së dytë të Ligjit të Punës së Bashkuar nga neni 161 deri në nenin 226 dhe 670 dhe ky ligj ka hyrë në fuqi prej dt.15.10.1989 ”.
Tutje, parashtruesi i kërkesës thekson se e paditura nuk i ka dorëzuar atij vendimin e kontestuar brenda afatit ligjor, por kopjen e vendimit ia ka dorëzuar më 14 mars 2014, dhe se ai padinë e ka dorëzuar më 14 prill 2014, brenda afatit prej 45 ditëve, dhe se sipas tij qëndrimi i gjykatës së shkallës së parë dhe shkallës së dytë janë plotësisht të gabuara dhe si të tilla të paqëndrueshme juridikisht.
Parashtruesi i kërkesës në fund kërkon nga Gjykata që të anulojë: Aktvendimin e Gjykatës Supreme [Rev. nr. 179/23], të 24 majit 2023, Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 821/19], të 17 nëntorit 2022, dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C. nr. 3307/17], të 6 dhjetorit 2018.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
[...]
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se lidhur me këtë parashtruesi i kërkesës: është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht Aktvendimin [Rev. nr. 179/23], e 24 majit 2023, të Gjykatës Supreme; se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; se i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç parashihet me nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nën rregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcakton:
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.
Gjykata rikujton se ky rregull, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpall një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, Vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, Vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij/saj (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij/saj dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, Vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë në atë se parashtruesit të kërkesës i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës nga Bordi Disiplinor i SHDU-së, për shkak se në mënyrë të kundërligjshme kishte pranuar katër telefona mobilë nga pronari i një dyqani të telefonave mobilë në Prishtinë. Parashtruesi i kërkesës gjatë ratifikimit të Vendimit të Bordit Disiplinor nga Drejtori i SHDU-së, kishte parashtruar kundërshtim kundër Vendimit të Bordit Disiplinor, mirëpo nga Drejtori i SHDU-së ishte ratifikuar Vendimi i Bordit Disiplinor për ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore kundër SHDU-së, e cila padi nga ana e Gjykatës Themelore ishte hedhur poshtë si e paafatshme. Kundër vendimit të Themelores, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e kishte aprovuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim. Në rigjykim, Gjykata Themelore prapë e hodhi poshtë si të paafatshme padinë e parashtruesit të kërkesës. Kundër këtij vendimi parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e refuzoi si të pabazuar ankesën e tij dhe vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit paraqiti revizion në Gjykatën Supreme, të cilin revizion Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar.
Gjykata vëren se esenca e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me pretendimet për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, duke i ndërlidhur me shkelje të dispozitave ligjore, përkatësisht nenit 178 al.2 lidhur me nenin 181 al.1 të LPB-së. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrenë çështje nga neni 31 i Kushtetutës dhe nenit 6.1 i KEDNj-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
Pretendimet lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së
Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës qëndron në pretendimin se gjykatat e rregullta kanë shkelur nenin 31 të Kushtetutës, pasi që vendimet e tyre i kanë bazuar duke bërë interpretim të gabuar të dispozitave ligjore përkatësisht nenit 178 al.2 lidhur me nenin 181 al.1 të LPB-së, duke arsyetuar “... gjykata e shkallës së parë padinë e paditësit e ka hedhur si të paaftshme, gjegjësisht gjykata e shkallës së dytë aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë e ka vërtetuar, me arsyetim që nga viti 1990 dispozitat e cekura nuk zbatohen, andaj në bazë të provave të cilat gjenden në shkresa të lëndës, paditësi padinë e ushtruar kundër të paditurës në gjykatën e shkallës së parë e ka paraqitur brenda afatit ligjor, siç është përcaktuar me dispozitat e nenit 92 të ligjit për të drejtat themelore nga marrëdhënia e punës i cili ka qenë ligj i zbatueshëm në Kosovë në bazë të Rregullores së Unmik-ut nr.1999/24 me të cilin është përcaktuar se: “ me datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji pushojnë të vlejnë kapitulli IV dhe V i pjesës së dytë të Ligjit të Punës së Bashkuar nga neni 161 deri në nenin 226 dhe 670 dhe ky ligj ka hyrë në fuqi prej dt.15.10.1989”.
Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga gjykatat e rregullta.
Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNj, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNj (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).
Gjykata vëren se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.
Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C. nr. 3307/17], hodhi poshtë si të paafatshme padinë e parashtruesit të kërkesës. Në vijim të arsyetimit të këtij aktvendimi, Gjykata Themelore theksoi se: “ka kërkuar nga paditësi përmes përfaqësuesit të tij të autorizuar që të vërtetojë se kur e ka pranuar vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, mirëpo në seancën e datës 15 tetor 2018 kanë deklaruar se vendimin e ka pranuar me datë 14.03.2014, ndërsa si prova gjykatës i ka dorëzuar kërkesën e datës 16.10.2018 dhe përgjigjen e datës 01.10.2018 ku është konstatuar se nuk mund të sigurohet dëshmia e kërkuar. Gjykata e shkallës së parë, duke u kujdesur për afatshmërinë e padisë gjeti se paditësi është larguar nga puna në bazë të vendimit të datës 07.12.2007, ndërsa gjykatës i është drejtuar me padi më datë 16.04.2014, çka do të thotë ka kaluar afati i paraparë ligjor, ku ka kërkuar realizimin e të drejtave të tij”.
Në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me afatin e parashtrimit të padisë, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 821/19], të 17 nëntorit 2022, arsyetoi: “Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë si rezultat i vërtetimit të gjendjes faktike ka aplikuar në mënyrën e duhur edhe të drejtën materiale, kur e ka hedhur poshtë si të paafatshme padinë e paditësit, për arsye se i njëjti vendimin kontestues të datës 07.12.2007, në ish Gjykatën Komunale në Prishtinë e ka atakuar me datë 14.04.2014, fakt jokontestues nga palët ndërgjyqëse. Në rastin konkret, me të drejtë nga gjykata e shkallës së parë janë aplikuar dispozitat e nenit 178.2, 181.1 të Ligjit për Punën e Bashkuar dhe nenin 391 pika f) e LPK-së. Paditësi ka qenë në dijeni për ndaljen e pagave të tij nga ana e të paditurës dhe për këtë arsye ka parashtruar edhe padinë në gjykatë, pra këtë rrethanë me rëndësi paditësi e ka kuptuar së paku në fillim të vitit 2008, ndërsa padinë e ka parashtruar me datë 16.04.2014”.
Gjykata vëren se edhe Gjykata Supreme, përmes Aktvendimit [Rev.nr.179/23], refuzoi revizionin e parashtruesit të kërkesës, ku ndër të tjera në aktvendimin e saj theksoi: “... në këtë rast në kuptim të afatit që përcaktohet me dispozitat e cekura më lart, rrjedhë se padia e paditësit për anulimin të vendimit të datës 07.12.2007, është e palejuar – gjegjësisht e paaftshme, pasi që nga shkresat e lëndës konstatohet se paditësi padinë në gjykatën e shkallës së parë, nëpërmes postës e ka paraqitur me datë 14.04.2014, nga rrjedh se prej datës kur e paditura ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës paditësit, e deri në paraqitjen e padisë kanë kaluar 6 vite, 4 muaj e 7 ditë.... Përveç të cekurave duhet theksuar edhe faktin se ndaj paditësit është zhvilluar edhe procedurë penale, në të cilën procedurë edhe është shpallur fajtor, për veprën marrje e ryshfetit nga neni 343, paragrafi 1 i KPK-së, sipas aktgjykimit penal të Gjykatës Komunale në Prishtinë P.nr.289/07 të datës 10.04.2008, i cili aktgjykim është ndryshuar vetëm për vendimin lidhur me dënimin, me aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, e nga kjo rezulton se paditësi ka qenë në dijeni se ju ka ndërprerë marrëdhënia e punës, për shkak se nuk ka vijuar punën dhe nuk ka qenë i përfshirë në listën e pagave, dhe nga ajo kohë e deri në momentin e paraqitjes së padisë në gjykatë nuk ka paraqitur kërkesë te punëdhënësi për mbrojtjen e të drejtave të tij e as ka kërkuar mbrojtje gjyqësore në gjykatë. Në këtë kontekst, rrjedhë edhe përfundimi se padia është paraqitur pasi ka kaluar afati ligjor për paraqitjen e padisë, çka do të thotë se padia e paditësit në këtë rast është e palejuar”.
Lidhur me interpretimin e gabuar të dispozitave ligjore, përkatësisht nenit 178 al.2 lidhur me nenin 181 al.1 të LPB-së, Gjykata Supreme arsyetoi: “Me Qëndrimin Parimor të Gjykatës Supreme të Kosovës, me nr. të protokollit Gj.A.Su.A. 231/2022, të datës 07.11.2022 është përcaktuar se: “Në kontestet e punës, në të cilat punëtorit i është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkelje të detyrave të punës në bazë të Rregullores së UNMIK-ut, nr.2001/27 të datës 8 tetor 2001 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, përkitazi me çështjen e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të procedurës disiplinore, nuk zbatohen dispozitat e Ligjit të Punës të Jugosllavisë i vitit 1977 me amendamentet përkatëse, dispozitat e Ligjit mbi Marrëdhëniet e Punës të KSA të Kosovës (Gazeta zyrtare nr.24/22 qershor 1984), dhe Ligjit për Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës ( Gazeta Zyrtare e KSA të Kosovës nr.14/1987 datë 24 prill 1987) e as dispozitat e Ligjit të mëvonshëm për Marrëdhëniet e Punës i KSA të Kosovës – Gazeta Zyrtare nr.12/1989 datë 14 prill 1989, i cili nuk ishte në fuqi më datën 22 mars 1989, në të cilën datë referon Rregullorja e Unmik-ut, 1999/24, datë 12 dhjetor 1999 e cila në nenin 1.1 pika b, parasheh si Ligj të zbatueshëm në Kosovë legjislacionin i cili ishte në fuqi më datën 22 mars 1989. Mirëpo, në rastet e tilla të ndërprerjes së marrëdhënies së punës për shkak të shkeljes së detyrave të punës, nëse tek punëdhënësi me rregullore të brendshme parashihet zhvillimi i procedurës disiplinore, ata punëdhënës janë të obliguar që t’i respektojnë dhe zbatojnë këto rregullore përkitazi me procedurën disiplinore. Lidhur me afatshmërinë për të kërkuar mbrojtje gjyqësore e cila çështje nuk është rregulluar me dispozitat e Rregullores së Unmik-ut, nr.2001/27, të datës 8 tetor 2001 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, do duhej zbatuar neni 178, 179, dhe 181 të Ligjit mbi Punën e Bashkuar, Gazeta Zyrtare e RSFJ-së, nr.11/1988 datë 10 shkurt 1988 ku parashihet ankimimi intern brenda organeve të punëdhënësit dhe në gjykatë, si dhe afatshmëria e kërkimit të mbrojtjes së të drejtave nga marrëdhënia e punës tek punëdhënësi dhe në gjykatë”.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se çështja e konstatimit të gjendjes faktike dhe interpretimit të ligjit është çështje që përcaktohet nga gjykatat e rregullta në kuadër të detyrave dhe prerogativës së tyre për konstatim të gjendjes faktike dhe zbatim të ligjit material e procedural në rastet individuale dhe se në këtë drejtim nuk mund të thuhet se janë cenuar garancitë procedurale nga neni 31 i Kushtetutës. Veç kësaj, gjykatat e rregullta kanë shpjeguar se veprimet dhe masat e marra ndaj parashtruesit të kërkesës janë marrë duke u bazuar në dispozita ligjore në fuqi.
Gjykata nuk vëren zbatim të dukshëm arbitrar të ligjit apo të fakteve, konkluzion qartazi të paarsyeshëm të procedurave apo edhe mungesë të marrëdhënies logjike ndërmjet fakteve të konstatuara dhe zbatimit të dispozitave ligjore përkatëse ndaj atyre fakteve. Në të vërtetë, nga vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm.
Prandaj, Gjykata konstaton që parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tyre, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës, dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë (shih mutatis mutandis, Aktgjykimi i GjEDNj-së i 21 janarit 1999, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, paragrafët 29 dhe 30; shih gjithashtu rastin e Gjykatës KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata thekson që në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, si rezultat i vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimit të gabuar të ligjit, thekson se gjykatat e rregullta nuk kanë bërë interpretim të drejtë të dispozitave ligjore, megjithatë ai nuk e mbështet në asnjë mënyrë dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se si procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe kanë arsyetuar qartazi të njëjtat (shih rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI22/19, cituar më lart, paragrafi 43).
Thënë këtë, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe me këtë rast, të njëjtat ishin shpallur si të pabazuara. Sa më sipër, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që pretendimet e tij për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë t’i ngrejë në nivel kushtetutshmërie.
Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të dispozitave ligjore, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNj-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të deklarohet e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur më 13 shkurt 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzie Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Burim Vokrri
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative