Prishtinë, më 24 korrik 2024
Nr. ref.:AGJ 2494/24
AKTGJYKIM
në
rastin nr. KI04/23
Parashtrues
Avdyl Bajgora
Vlerësim i kushtetutshmërisë së
Aktvendimit, Rev. nr. 43/2022, të 10 tetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Avdyl Bajgora, të cilin në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), e përfaqëson Jeton Osmani, avokat në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [Rev. nr. 43/2022] e 10 tetorit 2022, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 13 (E drejta për Zgjidhje Efektive) të KEDNJ-së, si dhe nenet 102 [Parimet e Përgjithshme] dhe 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 25 (Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatë
Më 11 janar 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatë.
Më 18 janar 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI 04/23] dhe Vendimit [Nr. KSH. KI 04/23] caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi - gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu - Krasniqi (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 1 shkurt 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi dhe Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 30 maj 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe me dy (2) vota për dhe një (1) kundër i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës. Në të njëjtën ditë, Gjykata në përbërje të plotë pas këshillimit, vendosi: (i) të deklarojë, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë, me 8 (tetë) vota për dhe 1 (një) kundër, se Aktvendimi [Rev. nr. 43/2022] i 10 tetorit 2022, i Gjykatës Supreme nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut; (ii) të shpallë me 8 (tetë) vota për dhe 1 (një) kundër të pavlefshëm Aktvendimin [Rev. nr. 43/2022] të 10 tetorit 2022, të Gjykatës Supreme; dhe (iii) të kthejë, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, Aktvendimin [Rev. nr. 43/2022] të 10 tetorit 2022, të Gjykatës Supreme për rivendosje të revizionit në merita, në pajtim me konstatimin e dhënë në këtë Aktgjykim.
Përmbledhja e fakteve
Gjykata fillimisht vë në dukje, se parashtruesi i kërkesës më 7 gusht 2021 kishte parashtruar kërkesë në Gjykatë, të regjistruar më numër KI143/21, përmes të cilës kontestonte Aktvendimin [Rev. nr. 558/2020] të Gjykatës Supreme, të 22 shkurtit 2021, në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 5071/2019] të Gjykatës së Apelit, të 17 janarit 2020. Gjykata në vijim, dhe në mënyrë të përmbledhur do të paraqesë kronologjinë e fakteve deri në nxjerrjen e Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI143/21, për aq sa ato janë të ndërlidhura me kërkesën e tanishme.
Procedura para gjykatave të rregullta para nxjerrjes së Aktgjykimit në rastin KI143/21
Parashtruesi i kërkesës, deri në arritjen e moshës së pensionimit të tij, përkatësisht deri më 29 maj 2018 ishte i punësuar i Ndërmarrjes Publike, Korporata Energjetike e Kosovës Sh. A. (në tekstin e mëtejmë: KEK).
Më 10 dhjetor 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për dhënien e tri (3) pagave jubilare në KEK bazuar në nenin 52, paragrafin 1, pika (3) të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, e cila ishte në fuqi nga 1 janari 2015 deri më 1 janar 2018.
Më 14 dhjetor 2018, KEK, përmes shkresës nr. 1527, refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për shpërblimin e tri (3) pagave jubilare, me arsyetimin se: “E drejta në shpërblim jubilar nuk është përcaktuar me Ligj dhe se këtë të drejtë e parasheh Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive dhe Kodi ynë i Punës, por jo si të drejtë imperative”.
Më 24 dhjetor 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke kërkuar nga Gjykata që ta detyrojë KEK-un që t'ia paguajë atij një shumë të pacaktuar në emër të tri (3) pagave jubilare dhe në emër të diferencës së pagës dhe të shtesës për përvojë për tri (3) paga pensionimi, shumat që do të përcaktohen pas ekspertizës financiare, së bashku me interesin ligjor. Parashtruesi i kërkesës kërkesën e tij e bazoi në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës. Parashtruesi i kërkesës, gjatë shqyrtimit gjyqësor ka saktësuar kërkesëpadinë e tij duke u bazuar në pagën e fundit të marrë nga e paditura, përkatësisht duke kërkuar shumën prej 2,739.00 euro në emër të tri (3) pagave jubilare dhe në emër të diferencës shumën prej 547,80 euro, në vlerë të përgjithshme prej 3,286.80 euro.
Më 7 maj 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Aktgjykimit [C. nr. 3845/18]:
Aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës;
Detyroi KEK-un që t'i paguajë parashtruesit të kërkesës shumën prej 2,739.00 euro, në emër të tri pagave jubilare, me kamatë ligjore prej 8%, duke filluar nga pranimi i këtij aktgjykimi;
Refuzoi një pjesë të kërkesëpadisë lidhur me diferencën në pagë në shumën prej 547,80 euro; dhe
Obligoi KEK-un që parashtruesit të kërkesës t'ia paguajë shumën prej 260 euro, në emër të shpenzimeve gjyqësore.
Në një datë të paspecifikuar, KEK parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 7 majit 2019.
Më 26 korrik 2019, parashtruesi i kërkesës kundër ankesës së KEK-ut dorëzoi përgjigje në Gjykatën e Apelit, përmes së cilës: (i) kërkoi të refuzohej në tërësi ankesa e KEK-ut; (ii) të ndryshohej Aktgjykimi [C. nr. 3845/18] i Gjykatës Themelore, i 7 majit 2019, në pikën III të dispozitivit, ashtu që gjykata të miratojë si të bazuar kërkesëpadinë lidhur me diferencën në pagë në lartësi prej 547,80 euro. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu kërkoi që Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të ndryshohej në pjesën e IV të dispozitivit të tij lidhur me shpenzimet e procedurës, duke ia shtuar vlerës së aprovuar prej 260 euro, nga shkalla e parë edhe shpenzimet e procedurës pranë Gjykatës së Apelit, në vlerën prej 208 euro, që rezultojnë në shumën totale prej 468 euro.
Më 17 janar 2020, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 5071/2019] vendosi si në vijim:
“I. APROVOHET ankesa e të paditurës Korporata Energjetike Kosovës (KEK), në Prishtinë, NDRYSHOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm divizioni civil C.nr. 3845/18 i datës 07.05.2019, në pikën I, II dhe IV të dispozitivit ashtu që REFUZOHET kërkesëpadia e [parashtruesit të kërkesës] me të cilën ka kërkuar që të detyrohet e paditura që [parashtruesit të kërkesës] në merë të tri paga për shpërblim jubilar ti paguaj shumën prej 2,739.00 Euro dhe në emër të diferencës në shumë prej 547.80, në shumë të përgjithshme prej 3,286,80 Euro dhe shpenzimet e procedurës, në afat prej 7 ditësh, pas pranimit të aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm, SI E PABAZUAR.
II. Aktgjykimi i atakuar në pikën në pikën III mbetet i paprekur.”
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 5071/2019], të 17 janarit 2020, paraqiti kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme për shkak të (i) shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore dhe (ii) zbatimit të gabuar të ligjit material.
Më 22 shkurt 2021, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 558/2020] revizionin e parashtruesit të kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, e hodhi poshtë si të palejuar.
Gjykata Supreme bazuar në paragrafin 2 të nenit 211 të Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK) konstatoi se në mënyrë që të lejohet revizioni vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit duhet të jetë mbi shumën prej 3,000 euro.
Si rezultat i këtij konstatimi, Gjykata Supreme arsyetoi se:
“Duke marrë parasysh faktin se pala paditëse nuk ka ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, as në pjesën refuzuese të tij, si në pikën tre (III) të dispozitivit, dhe derisa ankesë ka ushtruar vetëm pala e paditur, në këtë pjesë vendimi i gjykatës së shkallës së parë ka mbetur i pa shqyrtuar, dhe paditësi derisa në këtë pjesë nuk ka ushtruar mjetin e rregullt-ankesën, nuk mund të ushtroj revizionin si mjet të jashtëzakonshëm, sa i përket kërkesës së refuzuar në emër të diferencës në shumë prej 547.80 €”.
Sipas Gjykatës Supreme: “Për këtë arsye pavarësisht faktit se Gjykata e Apelit ka vendosur si në pikën dy, të dispozitivit të aktgjykimit, që të refuzoj kërkesëpadinë në emër të kërkesës për tri paga për shpërblim jubilar në shumën prej 2,739.00 Euro, dhe në emër të diferencës në shumë prej 547.80 euro, në shumë të përgjithshme prej 3,286.00 Euro, kjo nuk e ndryshon vlerën e kontestit që mund të goditet me revizion, pasi objekti i revizionit mund të jetë vetëm kërkesa për tri paga për shpërblim jubilar në shumën prej 2,739.00 euro në të cilën pjesë revizioni është i palejuar, për shkak të vlerës së kërkesës, e cila është goditur me revizion, e cila është në shumën prej vetëm 2,739.00 €, do të thotë nuk kalon limitin prej 3,000 €, të paraparë si kusht ligjor për mundësinë e paraqitjes së revizionit, për çka revizioni i paditësi, është i pa lejuar dhe është dashur të hedhet”.
Procedura para Gjykatës Kushtetuese
Ashtu siç është specifikuar më lart, më 7 gusht 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatë, duke kontestuar kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Rev. nr. 558/2020] të Gjykatës Supreme, të 22 shkurtit 2021, përmes të cilës pretendoi se ky vendim atij i kishte shkelur të drejtat e garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të KEDNJ-së, nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], në lidhje me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
Më 25 nëntor 2021, Gjykata Kushtetuese përmes Aktgjykimit të saj KI143/21, vendosi:
(i) të deklarojë kërkesën të pranueshme;
(ii) të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së;
(iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [Rev. nr. 558/2020] të Gjykatës Supreme, të 22 shkurtit 2021 dhe të njëjtin të kthejë në rivendosje, në pajtim me konstatimet e Gjykatës në këtë Aktgjykim; dhe
(iv) të urdhërojë Gjykatën Supreme, që të njoftojë Gjykatën për masat e ndërmarra për ta zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës, jo më larg se më 25 maj 2022.
Gjykata konstatoi se është e drejtë diskrecionale e palës së dëmtuar (në këtë rast - parashtruesit të kërkesës), të vendosë nëse dëshiron ta atakojë pjesërisht apo në tërësi aktgjykimin e shkallës së dytë, nëpërmjet ushtrimit të revizionit në Gjykatën Supreme. Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës ka atakuar në tërësi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe përmes pikës I të dispozitivit të tij i është refuzuar vlera e tërësishme e objektit të kontestit, përkatësisht shumën prej 3,286.80 euro.
Gjykata i cilësoi konkluzionet për hedhjen e kërkesës për revizionit, të Gjykatës Supreme, si “qartazi të pabazuara dhe dukshëm arbitrare, të cilat kanë rezultuar në pamundësinë e parashtruesit të kërkesës për qasje në gjykatë, dhe rrjedhimisht në mohimin e së drejtës për mjet efektiv juridik dhe mbrojtje gjyqësore të të drejtave”. (paragrafi 77, i Aktgjykimit).
(ii) Procedura në Gjykatën Supreme pas nxjerrjes së Aktgjykimit KI143/21 të Gjykatës
Më 10 tetor 2022, Gjykata Supreme në procedurën e rigjykimit, përmes Aktvendimit [Rev. nr. 43/2022], vendosi që të: “Hedhet i pa lejuar revizioni i të autorizuarit të paditësit, i paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës në Prishtinë, Ac. nr. 5071/19, të datës 17.01.2020”.
Gjykata Supreme, në lidhje me përgjigjen në ankesë arsyetoi se:
“[...] në asnjë rrethanë, përgjigja në ankesë nuk mund të trajtohet si ankesë. [...] Edhe nëse pala kundërshtare në këtë rast pala paditëse në përgjigje në ankesë, ngritë çështje që mund të trajtohen si pretendime ankimore (ashtu siç në këtë rast është marrë për bazë propozimi i paraqitur në përgjigje në ankesë) kjo gjykatë vlerëson se marrë për bazë faktin që përgjigja në ankesë nuk është mjet juridik ankimor, ajo nuk mund të trajtohet si e tillë pavarësisht se çka propozon pala që e paraqet atë”;
edhe sikurse përgjigja në ankesë, të trajtohej si ankesë, duhet të shikohen afatet ligjore, ku në rastin konkret rezulton se është paraqitur jashtë afatit, duke u nisur nga data kur parashtruesi i kërkesës ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, respektivisht më 17 qershor 2019, ndërsa përgjigja në ankesë është paraqitur më 26 korrik 2019, periudhë e cila bie ndesh me kriteret e parashtruara në nenin 477 të LPK-së;
“për tu trajtuar një parashtresë si ankesë duhet që patjetër të përmbajë elementet që janë përcaktuar me nenin 178 të LPK-së, të cilat elemente nuk i përmban përgjigja në ankesë, që në këtë rast nga Gjykata Kushtetuese është trajtuar si mjet juridik”.
Në vijim, në lidhje me revizionin e parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata Supreme vlerësoi se bazuar në paragrafin 2 të nenit 211 të LPK-së, që përcakton se vlera e objektit të kontestit, duhet të jetë mbi shumën prej 3,000 euro, në mënyrë që të lejohet revizioni.
Gjykata Supreme, në vijim theksoi se qëndron pranë arsyetimit të dhënë në procedurën e parë para saj, ku thekson se “marrë parasysh faktin se pala paditëse nuk ka ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, as në pjesën refuzuese të tij, si në pikën tre (III) të dispozitivit, dhe derisa ankesë ka ushtruar vetëm pala e paditur, në këtë pjesë vendimi i gjykatës së shkallës së parë ka mbetur i pa shqyrtuar, dhe paditësi derisa në këtë pjesë nuk ka ushtruar mjetin e rregullt-ankesën, nuk mund të ushtroj revizionin si mjet të jashtëzakonshëm, sa i përket kërkesës së refuzuar në emër të diferencës në shumë prej 547.80 €”.
Sa i përket lartësisë së vlerës së revizionit, Gjykata Supreme konkludoi se objekt i revizionit mund të jetë “vetëm kërkesa për tri paga për shpërblim jubilar në shumën prej 2,739.00€, në të cilën pjesë revizioni është i palejuar, për shkak të vlerës së kërkesës, e cila është goditur me revizion, e cila është në shumën prej vetëm 2,739.00 €”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore, të garantuara me nenet të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit ] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 13 (E drejta për Zgjidhje Efektive) të KEDNJ-së, si dhe nenet 102 [Parimet e Përgjithshme] dhe 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës.
(i) Pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 dhe nenin 13 të KEDNJ-së
Fillimisht, parashtruesi i kërkesës, konstatimin e Gjykatës Supreme se revizioni është i palejuar, e konsideron si “të pabazuar, të papranueshëm dhe të kundërligjshëm, madje bie ndesh me nenin 6 të Konventës Evropiane, por edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KI143/21 të dt. 13.12.2021, [...] ku sqaron se duke iu referuar revizionit, vlera e kontestit caktohet nga paditësi në vartësi të revizionit të ushtruar ku në kuadër të vlerës së kontestit nuk hyn vetëm vlera e kërkuar por edhe vlera e objektit të kontestit që duhet marrë parasysh shkaktimin e dëmit të tërësishëm që mund t’i bëhet një parashtruesi në një proces gjyqësor dhe jo vetëm vlera e kërkesëpadisë, por në kuadër të tyre hyn edhe vlera e shpenzimeve procedurale të kërkuara, e që në rastin konkret tejkalojnë shumën prej 3,000 euro”.
Sipas parashtruesit të kërkesës, atij i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në kuptim të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, nga “mos- veprimi i Gjykatës sipas dispozitave ligjore si dhe veprimi në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KI143/21, me të cilin Aktgjykim ishte aprovuar kërkesa e paditësit dhe ishte prishë njëherë vendimi i Gjykatës Supreme për hedhje të revizionit, e që e njëjta edhe në rivendosje kishte vepruar njëjtë duke e hedhë revizionin e paditësit dhe rrjedhimisht, atij i ishte pamundësuar që të merr një përgjigje përfundimtare nga gjykatat sa i përket meritave të rastit të tij”.
Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 13 të KEDNJ-së. Sipas tij: “Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit në Prishtinë, me të cilën është aprovuar ankesa e të paditurës dhe është refuzuar kërkesëpadia e paditësit është marrë në kundërshtim me gjendjen faktike dhe me zbatim të gabuar të së drejtës materiale duke mos zbatuar fare gjatë marrjes së vendimit aktet e brendshme të të paditurës. Prandaj, është i pakontestueshëm fakti se në rastin konkret parashtruesit të kërkesës i është cenuar jo vetëm parimi i administrimit të drejtësisë por edhe barazia e armëve që konsiston në pamundësinë e shfrytëzimit të mjetit juridik në mënyrë efektive që është si pasojë e hedhjes së revizionit si në vendimin e theksuar. Me hedhjen si të palejuar të revizionit të paditësit parashtruesi i kërkesës është vënë në pozitë substancialisht të pafavorshme përballë të paditurës”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit kanë vendosur për raste në rrethana tërësisht të ngjashme faktike dhe juridike sikurse të tij, duke aprovuar kërkesëpaditë e punëtorëve të së paditurës (Ndërmarrja Publike KEK), prandaj parashtruesi i kërkesës pretendon se është vënë në pozitë të pabarabartë para ligjit në kuptim të nenit 24 të Kushtetutës. Në këtë kuptim parashtruesi i kërkesës, duke u thirrur në nenin 31 të Kushtetutës thekson se çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Në mbështetje të këtij pretendimi, parashtruesi i kërkesës ia ka bashkëngjitur kërkesës Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [Rev. nr. 90/2020] të 4 majit 2020, si dhe Aktgjykimet e Gjykatës së Apelit, [Ac. nr. 2016/2020] të 24 qershorit 2020, [Ac. nr. 4367/19] të 17 korrikut 2020, [Ac. nr. 2507/19] të 9 shtatorit 2019 dhe [Ac. nr. 6189/20] të 29 prillit 2021. Parashtruesi i kërkesës pretendon se ekzistojnë dhe qindra aktgjykime të tilla, në të cilat Gjykata e Apelit ua ka njohur këto të drejta paditësve në kushte dhe rrethana të njëjta faktike dhe juridike sikurse në ato të tij.
Për më tepër, lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës shprehet se si rezultat i mos-marrjes së një vendimin meritor nga Gjykata Supreme dhe hedhja e revizionit, “pala nuk është trajtuar si duhet dhe në mënyrë të barabartë në këtë procedurë”.
(ii) Pretendimet për shkelje të nenit 32, nenit 54 dhe nenit 102 të Kushtetutës
Përveç pretendimeve të lartcekura, parashtruesi i kërkesës pretendon edhe shkelje të së drejtës për mjete juridike në kuptim të nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] Kushtetutës, lidhur me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, “pasi që secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj pasi që edhe paditësi gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur”.
Sipas tij, si pasojë e situatës së krijuar, të njëjtit iu ka pamundësuar “shqyrtimi i mjetit të jashtëzakonshëm juridik pranë Gjykatave të rregullta, dhe me këtë i kanë pamundësuar atij mbrojtjen gjyqësore të të drejtave të garantuar me nenin 54 të Kushtetutës”. Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta “kanë vepruar në shkelje të nenit 102 të Kushtetutës, duke mos vepruar në bazë të ligjit të aplikueshëm në Kosovë”.
(iii) Pretendimet për shkelje të nenit 116 të Kushtetutës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme ka cenuar nenin 116 të Kushtetutës, duke mos vepruar sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai duke u referuar në nenin 116, thekson se “Gjykata Supreme nuk ka pasur tagër që ta HEDHË si të palejuar Revizionin e paditësit por ka pas për obligim që ta respektojë vendimin e lartcekur dhe të marrë vendim meritor për çështjen e paditësit duke e refuzuar apo aprovuar Revizionin e paditësit”.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të aprovojë kërkesën e tij dhe ta anulojë Aktvendimin e Gjykatës Supreme [Rev. nr. 43/2022] të 10 tetorit 2022, si të kundërligjshëm, dhe ndryshimin e të njëjtit me vendosjen meritore për padinë e tij apo kthimin në rigjykim dhe rivendosjen në Gjykatë Supreme.
Dispozita relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 3
[Barazia para Ligjit]
1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
Neni 102
[Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor]
Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovë ushtrohet nga gjykatat.
Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata.
Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.
Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm.
Garantohet e drejta për ankesë ndaj një vendimi gjyqësor, përveç nëse me ligj është përcaktuar ndryshe. E drejta e përdorimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike, rregullohet me ligj. Me ligj mund të lejohet e drejta për të referuar një rast në mënyrë të drejtpërdrejtë në Gjykatën Supreme, dhe për të tilla raste nuk ka të drejtë ankese.
Neni 116
[Efekti Juridik i Vendimeve]
1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
2. Përderisa procedura të mos përfundojë para Gjykatës Kushtetuese, ajo mund të suspendojë përkohësisht veprimin ose ligjin e kontestuar, derisa të merret vendimi i Gjykatës, nëse konsideron që aplikimi i veprimit a ligjit të kontestuar, mund të shkaktoj dëme të pariparueshme.
3. Përveç nëse është përcaktuar ndryshe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, shfuqizimi i ligjit, i aktit ose i veprimit hyn në fuqi në ditën e publikimit të vendimit të Gjykatës.
4. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese shpallet në Gazetën Zyrtare.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
LIGJI NR. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 30
30.1 Paditësi ka për detyrë që, në kontestet pasurore-juridike, në padi ta përcaktoj vlerën e objektit të kontestit. Si vlerë e objektit të kontestit merret parasysh vetëm vlera e kërkesës kryesore.
30.2 Kamatat, shpenzimet procedurale, penalitetet e kontraktuara dhe kërkesat tjera ankesore, nuk merren parasysh në qoftë se nuk përbejnë kërkesë kryesore.
Neni 211
211.1 Kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, palët mund të paraqesin revizion brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita në të cilën u është dorëzuar aktgjykimi.
211.2 Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia ka të bëjë me kërkesat në të holla, me dorëzimin e sendit, ose me përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit nuk i kalon 3.000 €.
211.3 Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia nuk ka të bëjë me kërkesat në para, me dorëzimin e sendit apo me përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit e treguar në padinë e paditësit nuk e kalon shumën prej 3.000 Euro.
211.4 Përjashtimisht edhe kur është fjala për kërkesëpadinë nga paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, revizioni gjithmonë është i lejuar: a) në kontestet për ushqim; b) në kontestet për shpërblimin e dëmit për ushqimin e humbur, për shkak të vdekjes së dhënësit të ushqimit; c) në kontestet nga marrëdhëniet e punës të cilat i fillon i punësuari kundër vendimit për shuarjen e marrëdhënies së punës.
Neni 214
214.1 Revizioni mund të paraqitet:
a) për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 188 i këtij ligji e cila është bërë në procedurën e gjykatës së shkallës së dytë;
b) për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale;
c) për shkak të tejkalimit të kërkesëpadisë, po që se kjo parregullsi është bërë në procedurën e zhvilluar në gjykatën e shkallës së dytë. 2
14.2 Revizioni nuk mund të paraqitet për shkak të konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike.
214.3 Kundër aktgjykimit të dhënë në procedurën e shkallës së dytë, me të cilin vërtetohet aktgjykimi ne bazë të pohimit, revizioni mund të paraqitet vetëm nga shkaqet e përmendura në paragrafin 1 pika a) dhe b) dhe paragrafin 2 të këtij neni.
214.4 Kundër aktgjykimit të shkallës së dytë me të cilin vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë, revizioni nuk lejohet për shkak të shkeljes se dispozitave të procedurës kontestimore nga paragrafi l pika a) e këtij neni, po që se ekzistimi i tyre nuk është përmendur fare në ankesë, përveç se kur është fjala për shkeljet për të cilat kujdeset sipas detyrës zyrtare vet gjykata e shkallës së dytë dhe ajo e revizionit.
Neni 215
Gjykata e revizionit e shqyrton aktgjykimin e goditur vetëm në pjesën e tij të goditur me anë të revizionit dhe vetëm brenda kufijve të shkaqeve të treguara në revizion, por duke u kujdesur sipas detyrës zyrtare për zbatimin e drejtë të së drejtës materiale dhe për shkeljet e dispozitave të procedurës kontestimore që kanë të bëjnë me zotësinë për të qenë palë dhe përfaqësimin e rregullt.
Neni 477
Afati për paraqitjen e ankesës kundër aktgjykimit apo kundër aktvendimit është shtatë (7) ditor.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4, të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht [...]”.
Përveç kësaj Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht me dispozitat (1) (d) dhe (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcaktojnë:
(1) “Gjykata mund ta konsideroj një kërkesë të pranueshme nëse:
(...)
(d) kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar; konteston Aktvendimin e Gjykatës Supreme [Rev. nr. 43/2022] të 10 tetorit 2022; ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, si dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Gjykata gjithashtu konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës i plotëson kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara përmes paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. E njëjta nuk mund të shpallet e papranueshme mbi bazën e kushteve të përcaktuara përmes paragrafit (3) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Për më tepër dhe në fund, Gjykata vlerëson se kjo kërkesë nuk është qartazi e pabazuar siç është e përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, ajo duhet deklaruar e pranueshme dhe të shqyrtohen meritat e saj.
Meritat
Fillimisht, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, të paraqitur kundër ndërmarrjes publike KEK, për kompensimin e tri (3) pagave jubilare dhe pagesën e diferencës në pagë, për tri paga përcjellëse të pensionimit, bazuar në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, e cila ishte ne fuqi nga 1 janari 2015, deri me 1 janar 2018. Gjykata Themelore në Prishtinë kishte (i) aprovuar kërkesëpadinë përkatëse për pjesën që kishte të bënte me kompensimin e tri (3) pagave jubilare në shumën prej 2,739.00 euro; ndërsa (ii) kishte refuzuar kërkesëpadinë në pjesën që kishte të bënte me pagesën e diferencës në pagë në shumën prej 547,80 euro. Gjykata e Apelit, duke vepruar sipas ankesës së KEK-ut, kishte ndryshuar Aktgjykimin e shkallës së parë dhe duke iu referuar dispozitave përkatëse që ndërlidheshin me parashkrimin, kishte refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Në shqyrtimin e kërkesës për revizion të këtij të fundit, Gjykata Supreme kishte konstatuar se revizioni në këtë rast nuk është i lejuar, sepse vlera e kontestit nuk e kalonte shumën prej 3,000.00 euro ashtu siç është përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 211 të LPK-së.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës, më 7 gusht 2021 kishte parashtruar kërkesë në Gjykatë, duke kontestuar kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Rev. nr. 558/2020] të Gjykatës Supreme, të 22 shkurtit 2021, përmes të cilës pretendoi se atij i ishin shkelur të drejtat e garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të KEDNJ-së, nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], në lidhje me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
Gjykata në vijim rikujton se kjo e fundit përmes Aktgjykimit të saj KI143/21 kishte shpallur kërkesën e parashtruesit të kërkesës të pranueshme dhe në kuptim të së drejtës së tij për qasje në gjykatë kishte konstatuar se Aktvendimi [Rev. nr. 558/2020] i 22 shkurtit 2021 i Gjykatës Supreme ishte nxjerrë në shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, duke e shpallur të njëjtin të pavlefshëm dhe duke e kthyer në rivendosje, në pajtim me konstatimet e Gjykatës në këtë aktgjykim. Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) përkitazi me parimin e “qasjes në gjykatë”; dhe (ii) më pas, i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata, ndër tjerash, rikujtoi se, në parim, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, nuk reflekton vetëm të drejtën për të filluar procedura, por edhe të drejtën për të marrë një zgjidhje të kontestit përkatës nga një gjykatë. Gjykata, pasi kishte analizuar shkresat e lëndës, konsideroi se vlera e objektit të kontestit duhet të marrë parasysh shkaktimin e dëmit të tërësishëm dhe që vlerësimi i vlerës së dëmit për qëllime të lejueshmërisë së mjetit juridik nuk mund të i nënshtrohet një qasje tejet formaliste, ndërsa në rrethanat e rastit konkret, vlera e kontestit ishte mbi vlerën në bazë të të cilës është i lejuar revizioni. Gjykata më tej dhe bazuar në sqarimet e dhënë në Aktgjykimin e publikuar, theksoi se mospranimi i shqyrtimit të kërkesës së parashtruesit përkatës në merita nga ana e Gjykatës Supreme, përbën një të metë procedurale të pakapërcyeshme e cila është në kundërshtim me të drejtën për qasje në gjykatë si pjesë përbërëse e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Si rezultat i kësaj, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit të saj [Rev. nr.43/2022] të 10 tetorit 2022, revizionin e parashtruesit të kërkesës sërish e hodhi poshtë si të palejuar për përmes të cilit sërish hodhi poshtë revizionin e parashtruesit të kërkesës si të palejuar.Gjykata Supreme, në thelb konstatoi se vlera e kontestit nuk kalonte shumën prej 3,000. 00 euro ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 211 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, kjo sepse sipas (i) saj objekt i revizionit është vetëm kërkesa për tri (3) paga jubilare në shumën prej 2,739.00 euro për shkak se kundër refuzimit të kërkesëpadisë në pjesën që kishte të bënte me pagesën e diferencës në pagë në shumën prej 547,80 euro nga ana e Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës nuk kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit dhe (ii) përgjigja në ankesë nuk mund të trajtohet si ankesë, për më tepër që e njëjta rezulton që është paraqitur jashtë afatit ligjor të përcaktuar me dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore.
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij, në thelb pretendon se përmes, Aktvendimit [Rev. nr. 43/2022] të Gjykatës Supreme, të 10 tetorit 2022 atij i është cenuar (i) e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat, ndër tjerash i mosaprovimit të kërkesës së tij për revizion bazuar në konstatimet e Gjykatës përmes Aktgjykimit në rastin KI143/21, dhe cenimit të barazisë së armëve në procedurë; (ii) e drejta për mjete juridike, e garantuar me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 13 të KEDNJ-së; dhe (iii) e drejta për barazi para ligjit, e garantuar me nenin 24 të Kushtetutës. Në vijim, ai po ashtu pretendon se Gjykata Supreme përmes Aktvendimit të saj të kontestuar, si rezultat i mos marrjes parasysh të konstatimeve të Gjykatës në rastin KI143/21 ka cenuar edhe nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, në paragrafin 1 e të cilit përcaktohet që vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
Në lidhje me këtë të fundit, përkatësisht në kuptim të zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata, vë në dukje se çështja detyrimit për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatave të Kushtetuese është trajtuar edhe nga Komisioni i Venecias, dhe në lidhje me këtë, ky i fundit, në një ndër opinionet e saja, përkatësisht përmes Opinionit CDL-AD (2017) 003 (i miratuar më 10-11 mars 2017) të saj për Ligjin për ndryshimin e Ligjit Organik Nr. 2/1979 për Gjykatën Kushtetuese të Spanjës trajton çështjen e natyrës së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe se kujt i takon obligimi për t’i ekzekutuar, nëse këto të fundit nuk respektohen nga palët të cilave i janë drejtuar. Përmes këtij opinioni, Komisioni i Venecias theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe kanë karakter detyrues (shih, paragrafin 8 të Opinionit). Sipas Komisionit të Venecias: “Ky është një rezultat i supremacisë së Kushtetutës. Shpërfillja e një gjykimi të një Gjykate Kushtetuese është mospërfillje e Kushtetutës dhe Pushtetit kushtetutbërës, i cili ia atribuoi kompetencën për të garantuar supremacinë e kësaj Kushtetute Gjykatës Kushtetuese. Kur një zyrtar publik refuzon të ekzekutojë një gjykim të Gjykatës Kushtetuese, ai ose ajo shkel Kushtetutën, duke përfshirë parimet e sundimit të ligjit, ndarjen e pushtetit dhe bashkëpunimin lojal midis organeve shtetërore [...]" (shih, paragrafin 8 të Opinionit).
Në vijim të kësaj, dhe në lidhje me ekzekutimin e Aktgjykimit në rastin KI143/21, të 25 nëntorit 2021 të Gjykatës Kushtetuese, përmes të cilit ishte konstatuar se Aktvendimi [Rev. nr. 558/2020] i 22 shkurtit 2021 i Gjykatës Supreme ishte nxjerrë në shkelje të së drejtës së tij për qasje në gjykatë dhe si rezultat i anulimit të këtij aktvendimi, i njëjti ishte kthyer në rivendosje në pajtim me konstatimet e Aktgjykimit të Gjykatës në këtë rast. Thënë këtë, Gjykata përmes Aktgjykimit të saj në rastin KI143/21 kishte konkluduar se vlera e kontestit të tij kalonte shumën prej 3,000.00 euro. Si rezultat i kthimit të çështjes në rivendosje dhe në kuadër të ekzekutimit të Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI143/21, Gjykata Supreme më 10 tetor 2022 kishte nxjerrë vendim, përkatësisht Aktvendimin [Rev. nr.43/2022]. Megjithatë përkundër konstatimit të Gjykatës Kushtetuese në këtë rast, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit të saj sërish kishte hedhur poshtë revizionin e parashtruesit të kërkesës si të palejuar, kësaj here ndër tjerash duke arsyetuar se përgjigja në ankesë ishte dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar me dispozitat e LPK-së.Gjykata vë në dukje se si rezultat i nxjerrjes së Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës përmes kërkesës së tij, të parashtruar bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës konteston konstatimin e dhënë përmes këtij aktvendimi të Gjykatës Supremes.
Megjithatë, marrë për bazë arsyetimin dhe konstatimin e Gjykatës Supreme, përmes Aktvendimit të saj të dytë e që sërish ndërlidhet me lejueshmërinë e revizionit, Gjykata vlerëson se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, hyn në kuadër të së drejtës së tij për qasje në gjykatë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe për pasojë kërkesën e tij të tanishme të parashtruar në Gjykatë do ta shqyrtojë dhe vlerësojë në kuadër të kësaj të drejte. Kjo për arsye se pretendimet thelbësore të ngritura në kërkesën e tij ndërlidhen me atë nëse Gjykata Supreme duke e hedhur revizionin e tij sërish si të palejuar për shkak të vlerës së kontestit ka ndikuar në mënyrë disproporcionale në të drejtën e tij të nxjerrjes së një vendimi meritor në lidhje me kërkesëpadinë e tij nga ana e Gjykatës Supreme.
Bazuar në këtë dhe në vlerësimin e asaj nëse e drejta e parashtruesit të kërkesës për qasje në Gjykatën Supreme është cenuar, Gjykata fillimisht do të (i) elaborojë parimet e përgjithshme të së drejtës për qasje në gjykatë, të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të afirmuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë këtu dhe parimet dhe kriteret e zhvilluara nga GJEDNJ që ndërlidhen me kufizimin ratione valoris për qasje në gjykata të shkallës më të lartë, për (ii) të vazhduar me aplikimin e këtyre parimeve dhe kritereve në rrethanat e rastit konkret.
Parimet e përgjithshme
Parimet e përgjithshme në lidhje me qasjen në Gjykatë
Përkitazi me të drejtën për “qasje në gjykatë”, e drejtë kjo e garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë gjyqësore, e cila është ndërtuar duke u bazuar në parimet e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së (përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr. 4451/70, Aktgjykim, i 21 shkurtit 1975; Běleš dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, kërkesa nr. 47273/99, Aktgjykim i 12 nëntorit 2002; Miragall Escolano dhe të Tjerët kundër Spanjës, kërkesa nr.38366/97 dhe nëntë të tjera, Aktgjykim, i 25 janarit 2000; dhe Naït-Liman kundër Zvicrës, kërkesa nr. 51537/07, Aktgjykim i 15 marsit 2018). Thënë këtë, rastet e Gjykatës përmes të cilave Gjykata ka afirmuar parimet e vendosura nga GJENDJ dhe të njëjtat i ka aplikuar edhe në rastet për shqyrtim para saj, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI62/17, me parashtruese të kërkesës Emine Simnica [Aktgjykim, i 29 majit 2018]; KI224/19 me parashtrues Islam Krasniqi [Aktgjykim, i 10 dhjetorit 2020]; KI20/21 me parashtruese Violeta Todorović [Aktgjykim, i 13 prillit 2021]; KI54/21 me parashtrues Kamber Hoxha [Aktgjykim, i Aktgjykim i 4 nëntorit 2021,], KI55/21 me parashtrues Muhamet Ademi [Aktgjykim, i 10 marsit 2021].
Gjykata në këtë kontekst thekson se e “drejta e qasjes në gjykatë”, si pjesë përbërëse e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, përcakton që palët në procedurë duhet të kenë një mjet efektiv juridik që ua mundëson mbrojtjen e të drejtave të tyre civile (shih rastet e Gjykatës K224/19, me parashtrues Islam Krasniqi, të cituar më lart, paragrafi 35; dhe KI20/21, me parashtrues Violeta Todorović, të cituar më lart, paragrafi 41; shih në këtë kontekst edhe rastet e GJEDNJ-së, Běleš dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, të cituar më lart, paragrafi 49; dhe Naït-Liman kundër Zvicrës, të cituar më lart, paragrafi 112).
Gjykata, duke u bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, në parim, ka theksuar se e drejta e qasjes në gjykatë duhet të jetë "praktike dhe efektive" dhe jo "teorike dhe iluzore" (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës, KI20/21, me parashtrues Violeta Todorović, i cituar më lart, paragrafi 43 dhe KI224/19, me parashtrues Islam Krasniqi, i cituar më larta, paragrafi 39 dhe rastin e GJEDNJ-së, Famullia Katolike Greke e Lupenit kundër Rumanisë [DHM], nr. 76943/11, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016, paragrafi 84). Sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, të afirmuar edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës kjo e drejtë nuk është absolute, por mund t'i nënshtrohet kufizimeve të cilat nuk guxojnë të zvogëlojnë qasjen në gjykatë në atë mënyrë apo deri në një masë që cenojnë vetë thelbin e së drejtës. Kufizimet e tilla nuk do të jenë të arsyetuara nëse ato nuk ndjekin një qëllim legjitim ose nëse nuk ekziston një raport i arsyeshëm i proporcionalitetit midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit që dëshirohet të arrihet (shih, rastin e Gjykatës KI96/22, me parashtrues Naser Husaj dhe Uliks Husaj, cituar më lart, paragrafi 51; KI20/21, me parashtruese Violeta Todorović, të cituar më lart, paragrafi 45; dhe KI54/21, me parashtrues Kamber Hoxha, Aktgjykim i 4 nëntorit 2021, paragrafët 63-64 dhe rastet e GJEDNJ-së: Sotiris dhe Nikos Koutras ATTEE kundër Greqisë, nr. 39442/98, Aktgjykim i 16 nëntorit 2000, paragrafi 15; Běleš dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, nr. 47273/99, Aktgjykim i 12 nëntorit 2002, paragrafi, 61; dhe Famullia Katolike Greke e Lupenit kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 89).
Në fund, Gjykata, duke u bazuar edhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së thekson se nuk është funksioni i saj që të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta (ligjshmëria), përveç dhe për aq sa ato mund te kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Ajo vetë nuk mund të vlerësojë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykate e "shkalles së katërt", që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Në të vërtetë, është roli i gjykatave të rregullta t'i interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale (shih, rastin e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës [DHM] kërkesa nr. 30544/96, Aktgjykim, i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe Perez kundër Francës [DHM] kërkesa nr. 47287/99, Aktgjykim, i 12 shkurtit 2004, paragrafi 82, dhe po ashtu shih, rastet e Gjykatës KI70/11, me parashtrues Faik Hima, Magbule Hima dhe Besart Hima, Aktvendim për papranueshmëri i 16 dhjetorit 2011; dhe KI06/17, me parashtrues L. G. dhe pesë të tjerë, Aktvendim për papranueshmëri i 25 tetorit 2016, paragrafi 37).
Parimet e përgjithshme në lidhje me qasjen në gjykatat e shkallës më të lartë dhe kufizimet ratione valoris
Gjykata fillimisht vë në dukje se GJEDNJ ka theksuar se “neni 6 i [KEDNJ-së] nuk i detyron Shtetet Kontraktuese të krijojnë gjykata të apelit ose të kasacionit. Megjithatë, aty ku ekzistojnë gjykata të tilla, garancitë e nenit 6 duhet të respektohen, për shembull në atë që palëve ndërgjyqëse iu garantohet e drejta efektive e qasjes në gjykata për përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tyre civile” (shih, rastet e GJEDNJ-së Andrejeva kundër Letonisë [DHM], kërkesa nr. 55707/00, Aktgjykim, i 18 shkurtit 2009, paragrafi 97).
Thënë këtë, Gjykata i referohet rastit të Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së në rastin Zubac kundër Kroacisë [kërkesa nr. 40160/12, Aktgjykim i 5 prillit 2018], në lidhje me kufizimin e qasjes në Gjykatën Supreme, ku kishte theksuar se: “[...] e konsideron të rëndësishme të vë në dukje se çështja në fjalë nuk ka të bëjë me pyetjen nëse sistemit vendor, në kuptim të nenit 6, paragrafit 1 të Konventës, i lejohet që të vendosë kufizime në qasje në Gjykatën Supreme dhe as nuk ka të bëjë me mënyrën e rregullimeve të mundshme që parashikojnë kufizime të tilla. Në të vërtetë, nuk ka asnjë kontest midis palëve se kufizimet ratione valoris për qasje në Gjykatën Supreme janë përgjithësisht të lejueshme dhe, për qëllim të kësaj dispozite, edhe legjitime. Për më tepër, duke pasur parasysh faktin se është e pamundur që të ketë pritshmëri për një model uniform për funksionimin e gjykatave supreme në Evropë dhe duke pasur parasysh praktikën gjyqësore të Gjykatës për këtë çështje [...], nuk ka asnjë arsye në rastin e tanishëm për të vënë në dyshim legjitimitetin dhe lejueshmërinë e kufizimeve të tilla apo margjinën e vlerësimit të autoriteteve vendore në rregullimin e modaliteteve të tyre.” Në këtë kuptim, GJEDNJ vijoi se rasti në fjalë i referohet mënyrës se si kriteret e ratione valoris kanë funksionuar në rastin e parashtruesit (shih, paragrafin 73 të Aktgjykimit). Për më tepër sipas GJEDNJ-së, pyetja në këtë rast ka të bëjë me atë nëse në rrethanat specifike të rastit në fjalë, Gjykata Supreme, duke shpallur ankesën e parashtruesit për çështje të ligjshmërisë (revizionit) si të papranueshme, ka aplikuar formalizëm të tepruar dhe në mënyrë joproporcionale ka afektuar mundësinë e saj që kontesti i saj pronësor përfundimisht të zgjidhet nga kjo gjykatë, siç garantohet ndryshe sipas legjislacionit përkatës vendor (shih, paragrafin 74 të Aktgjykimit).
Në zhvillimin e mëtejmë të parimeve që ndërlidhen me qasjen në Gjykatën Supreme, përkatësisht me lejueshmërinë e mjetit juridik në këtë gjykatë si rezultat pragut ratione valoris të përcaktuar me ligj, GJEDNJ kishte ritheksuar se “Mënyra se si zbatohet neni 6, paragrafi 1 [të KEDNJ-së] në gjykatat e apelit dhe të kasacionit varet nga veçoritë e veçanta të procedurës para atyre gjykatave. Kushtet e pranueshmërisë së revizionit mund të jenë më të rrepta se ato për një ankesë të rregullt” (shih, paragrafin 82 të Aktgjykimit dhe referencat e përdorura aty si rasti Kozlica kundër Kroacisë, nr. 29182/03, Aktgjykim i 2 nëntorit 2006, paragrafi 32). Në vijim të kësaj, GJEDNJ kishte theksuar se: “Aplikimi i pragut ligjor ratione valoris për revizionin në Gjykatën Supreme është supozim procedural legjitim dhe i arsyeshëm duke pasur parasysh se gjykata merret vetëm me çështje të rëndësisë së veçantë (shih, paragrafin 83 të Aktgjykimit në këtë rast dhe referencat e përdorura në këtë rast, ndër të tjerash rastin Jovanović kundër Serbisë, nr. 32299/08, Aktgjykim i 2 tetorit 2012, paragrafi 48; dhe shih po ashtu edhe rastin e Gjykatës KI96/22, parashtrues Naser Husaj dhe Uliks Husaj, cituar më lart, paragrafi 52). Thënë këtë, GJEDNJ, në kuptim të vlerësimit të asaj nëse kufizimi në qasjen në Gjykatën Supreme ishte proporcional përcaktoi edhe një test trehapësh, përkatësisht: (a) nëse kufizimi ishte i parashikueshëm; (b) vlerësimin nëse parashtruesi apo shteti duhet të bartin pasojat e dëmshme të lëshimeve të kryera gjatë procedurës; dhe (c) nëse zbatimi i kufizimit të qasjes në gjykatë ka rezultuar në formalizëm të tepruar.
Në lidhje me këtë, GJEDNJ theksoi se kjo e fundit bazuar në praktikën e saj gjyqësore i ka dhënë rëndësi asaj nëse procedura që do të zhvillohej e ndërlidhej me një ankesë për çështje të ligjshmërisë në gjykatat e shkallës më të lartë mund të konsiderohej si e parashikueshme nga këndvështrimi i palës ndërgjyqëse (shih, paragrafin 87 të Aktgjykimit dhe referencat e përdorura në këtë rast). Sipas GJEDNJ-së një praktikë gjyqësore koherente dhe zbatimi i vazhdueshëm i kësaj praktike si rregull do të plotësonte kriterin e parashikueshmërisë në lidhje me kufizimin e qasjes në gjykatë dhe ky vlerësim ka udhëhequr edhe qasjen e GJEDNJ-së në raste që ndërlidhen me kufizimet ratione valoris në gjykatat e shkallës më të lartë (shih, paragrafët 88-89 të Aktgjykimit dhe referencat e përdorura në këtë rast, si rasti Jovanović kundër Serbisë, i cituar më lart, paragrafi 48 dhe rasti Egić kundër Kroacisë, kërkesa nr. 32806/09, Aktgjykim, i 5 qershorit 2014, paragrafi 57).
Në lidhje me atë nëse parashtruesi apo shteti duhet të bartin pasojat e dëmshme të lëshimeve të kryera gjatë procedurës, GJEDNJ theksoi se duhet të përcaktohet nëse (i) parashtruesi ka qenë i përfaqësuar gjatë procedurave dhe se a kishte treguar zell të nevojshëm në ndërmarrjen e veprimeve përkatëse procedurale, (ii) duke vijuar me përcaktimin e asaj nëse gabimet ishin mundur të shmangeshin që në fillim dhe (iii) nëse gabimet mundeshin që kryesisht t’i atribuohen parashtruesit apo autoriteteve kompetente (shih, paragrafët 90-95 të Aktgjykimit në rastin Zubac kundër Kroacisë, dhe referencat e përdorura në këtë rast).
Në lidhje me këtë, GJEDNJ fillimisht vuri në dukje që respektimi i rregullave formale në procedurë civile, përmes të cilave palët sigurojnë zgjidhjen e një kontesti civil, është me vlerë dhe e rëndësishme për shkak se: është në gjendje të kufizojë diskrecionin; të sigurojë barazi të palëve; të parandalojë arbitraritet; sigurojë zgjidhje efektive të një kontesti dhe të gjykimit brenda një kohe të arsyeshme; dhe të garantojë siguri juridike dhe respekt për gjykatën. Megjithatë, sipas praktikës së mirë të konsoliduar gjyqësore të GJEDNJ-se “formalizmi i tepruar” mund të bjerë ndesh më kriterin e garantimit të së drejtës praktike dhe efektive të qasjes në gjykatë në kuptim të paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së. Sipas GJEDNJ-së kjo ndodh zakonisht në rastet e një interpretimi strikt apo të ngushtë të një rregulli procedural, duke rezultuar në pengimin e shqyrtimit të një parashtrese të parashtruesit që e njëjta të vlerësohet në merita, dhe me shfaqjen e rrezikut që e drejta e tij/ saj për mbrojtje efektive të gjykatës të cenohet (shih, paragrafin 97 të Aktgjykimit dhe referencat e përdorura aty si rasti Běleš dhe të Tjerët kundër Republikës së Çekisë, i cituar më lart, paragrafët 50-51).
Në vijim të kësaj, GJEDNJ ka nënvizuar se vlerësimi i ankesës për formalizëm të tepruar në vendimet e gjykatave vendore si rregull do të jetë rezultat i shqyrtimit të rastit në tërësinë e tij. Duke bërë këtë vlerësim, Gjykata ka vënë në dukje shpesh çështjet e "sigurisë juridike" dhe "administrimit të mirëfilltë të drejtësisë" si dy elemente qendrore për të bërë një dallim midis një formalizmi të tepruar dhe një zbatimi të pranueshëm të formaliteteve procedurale. Në vijim të kësaj, GJEDNJ nënvizoi se: “[...] megjithatë, e drejta për qasje në gjykatë konsiderohet se është dëmtuar në atë moment kur rregullat pushojnë të jenë në shërbim të sigurisë juridike dhe administrimit të duhur të drejtësisë dhe për pasojë krijojnë një barrierë e cila i pamundëson palëve ndërgjyqëse që rasti i tyre të gjykohet në merita nga gjykata kompetente (shih, paragrafët 98-99 dhe referencat e përdorura aty).
Rrjedhimisht, GJEDNJ në aplikimin e parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit Zubac kundër Kroacisë kishte vlerësuar nëse (i) qasja në Gjykatën Supreme si rezultat i pragut ratione valoris përbënte një kufizim; (ii) nëse ky kufizim ndjek një qëllim legjitim; dhe (iii) nëse kufizimi ishte proporcional, dhe në kuptim të kësaj të fundit GJEDNJ kishte vlerësuar: (a) parashikueshmërinë e kufizimeve; (b) çështjen nëse parashtruesi apo shteti duhet të bartin pasojat e dëmshme të lëshimeve të kryera gjatë procedurës; dhe (c) çështjen e “formalizmit të tepruar” në zbatimin e këtij kufizimi, për të përfunduar me konkluzionin e saj në lidhje me proporcionalitetin e kufizimit të qasjes në Gjykatën Supreme (shih, paragrafët 80-126 të Aktgjykimit në rastin Zubac kundër Kroacisë).
Në vijim të kësaj, GJEDNJ po në rastin Zubac kundër Kroacisë, duke zbatuar parimet dhe kriteret e zhvilluara në këtë rast kishte konstatuar se kufizimi i qasjes në Gjykatën Supreme të Republikës së Kroacisë nuk ishte rezultat i rregullave procedurale jo fleksibile, gjegjësisht, ligji dhe praktika e brendshme gjyqësore përkatëse parashikonin mundësinë e ndryshimit të vlerës së çështjes në kontest në një fazë më të hershme të procesit gjyqësor, gjë që mundëson qasje në Gjykatën Supreme në rast të ndryshimit të rrethanave të çështjes. Përveç kësaj, parashtruesja mund të kishte paraqitur një mjet tjetër të jashtëzakonshëm të përcaktuar me ligj që asaj do t'i mundësonte gjithashtu qasje në Gjykatën Supreme, gjë të cilën ajo nuk e kishte bërë. Në vijim të kësaj, GJEDNJ kishte konstatuar se: “Funksioni kryesor i Gjykatës Supreme, si gjykata më e lartë në Kroaci, është të sigurojë zbatimin uniform të ligjit dhe barazinë e të gjithëve në zbatimin e tij”. Sipas GJEDNJ-së: (i) kufizimi i qasjes në atë gjykatë duke vendosur një prag ligjor ratione valoris justifikohet nga qëllimi legjitim i Gjykatës Supreme që të merret vetëm me çështje më të rëndësishme dhe (ii) zgjidhja e parregullsive të kryera nga gjykatat më të ulëta në përcaktimin e vlerës së kontestit synonte gjithashtu një qëllim legjitim, përkatësisht respektimin e shtetit të së drejtës dhe funksionimin e duhur të sistemit gjyqësor (shih, paragrafët 101-125 të Aktgjykimit në rastin Zubac kundër Kroacisë).
Në dritën e elaborimit të lartcekur, Gjykata në rrethanat e rastit konkret në vijim do t’i aplikojë parimet dhe testin e lartcekur të zhvilluar nga GJEDNJ, përkatësisht duke vlerësuar nëse (i) në lidhje me kriterin e parashikueshmërisë së kufizimit përmes pragut ligjor, do të vlerësojë nëse praktika gjyqësore e Gjykatës Supreme është konsistente dhe e qartë në lidhje me lejueshmërinë e revizionit; (ii) nëse kufizimi i qasjes në Gjykatën Supreme mund t’i atribuohej parashtruesit të kërkesës; dhe (iii) nëse Gjykata Supreme gjatë interpretimit dhe zbatimit të dispozitave ligjore në fuqi që ndërlidheshin me pragun e lejueshmërisë së revizionit kishte përdorur formalizëm të tepruar.
Vlerësimi i Gjykatës
Fillimisht, Gjykata e konsideron të rëndësishme të theksojë se në kuptim të administrimit të mirëfilltë të drejtësisë aplikimi i rregullave formale dhe procedurale që ndërlidhen me lejueshmërinë e një mjeti juridik është i një rëndësie të tillë që i shërben sigurisë juridike gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore para gjykatave të rregullta.
Kufizimet në qasjen e parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Supreme
Gjykata vë në dukje se dispozitat e LPK-së përcaktojnë revizionin si mjet të jashtëzakonshëm të goditjes, të cilin palët mund ta parashtrojnë në Gjykatën Supreme për shkak të (a) shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore; (b) të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale; dhe (c) të tejkalimit të kërkesëpadisë (pikat a, b dhe c të paragrafit 1 të nenit 214 të LPK-së). Megjithatë bazuar në paragrafin 2 të nenit 211, të LPK-së “Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia ka të bëjë me kërkesat në të holla, me dorëzimin e sendit, ose me përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit nuk i kalon 3.000 Euro”. Thënë këtë, në momentin e arritjes së këtij pragu, Gjykata Supreme bazuar në nenin 223 të LPK-së mund të anulojë vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët dhe të kthejë çështjen në rigjykim në gjykatën e shkallës më të ulët apo edhe të anulojë vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët dhe për pasojë të refuzojë kërkesëpadinë e palëve.
Duke iu rikthyer rrethanave të rastit konkret, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit [Ac. Nr. 5071/2019] të 17 janarit 2020, të Gjykatës së Apelit kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme. Përmes Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit, të goditur nga ana e parashtruesit të kërkesës me revizion, përkatësisht në pikën I të dispozitivit të tij ishte vendosur që:
I. APROVOHET ankesa e të paditurës Korporata Energjetike Kosovës (KEK), në Prishtinë, NDRYSHOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm divizioni civil C.nr. 3845/18 i datës 07.05.2019, në pikën I, II dhe IV të dispozitivit ashtu që REFUZOHET kërkesëpadia e [parashtruesit të kërkesës] me të cilën ka kërkuar që të detyrohet e paditura që [parashtruesit të kërkesës] në merë të tri paga për shpërblim jubilar ti paguaj shumën prej 2,739.00 Euro dhe në emër të diferencës në shumë prej 547.80, në shumë të përgjithshme prej 3,286,80 Euro dhe shpenzimet e procedurës, në afat prej 7 ditësh, pas pranimit të aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm, SI E PABAZUAR.
Në vijim të kësaj, Gjykata vëren se natyra e kufizimit ratione valoris i bazuar në dispozitat e lartcekura ligjore, bazohet në paragrafin 2 të nenit 211 të LPK-së.
Marrë për bazë këtë, Gjykata do të vlerësojë nëse kufizimi ratione valoris ndjek një qëllim legjitim.
Nëse kufizimi ndjek një qëllim legjitim
Gjykata vëren se kufizimi i qasjes në Gjykatën Supreme është brenda qëllimit legjitim përgjithësisht të njohur të pragut statutor ratione valoris për parashtrimin e revizionit në Gjykatën Supreme, e që ndërlidhet me vetë thelbin e juridiksionit dhe kompetencës së saj për të gjykuar për çështje të ligjshmërisë së vendimeve të nxjerra nga gjykata e shkallës më të ulëta si autoriteti më i lartë gjyqësor, ashtu siç përcaktohet me nenin 103 [Organizimi dhe Juridiksioni i Gjykatave] të Kushtetutës. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se pragu ratione valoris i përcaktuar me ligj ndjek një qëllim legjitim, i cili i shërben respektimit të sundimit të ligjit dhe administrimit të mirëfilltë të drejtësisë.
Nëse kufizimi ishte proporcional me qëllimin legjitim
Marrë për bazë elaborimin e lartcekur, Gjykata rithekson se modalitetet e kufizimit ratione valoris janë të përcaktuar në legjislacionin e aplikueshëm në fuqi, dhe në këtë drejtim nuk e konteston kompetencën e Gjykatës Supreme për të vlerësuar lejueshmërinë e revizionit i cili i nënshtrohet këtij kufizimi. Megjithatë, Gjykata në vijim, në kontekst të vlerësimit të asaj nëse kufizimi, i konstatuar përmes Aktvendimit të kontestuar Gjykatës Supreme ishte proporcional, do të shqyrtojë: (i) nëse ky kufizim ishte i parashikueshëm; (ii) nëse pasojat e gabimeve të bëra gjatë procedurës duhet të barten nga gjykata apo nga vetë palët ndërgjyqëse, dhe (iii) nëse kishte një “formalizëm të tepruar” që kufizonte qasjen e parashtruesit në Gjykatën Supreme.
Në lidhje me parashikueshmërinë e kufizimit
Gjykata duke iu rikthyer rrethanave të rastit konkret, në lidhje me (i) çështjen e parashikueshmërisë, vlerëson se Gjykata Supreme ka një praktikë të konsoliduar gjyqësore në lidhje me pragun ligjor të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 211 të LPK-së për lejueshmërinë e revizionit. Në këtë drejtim, Gjykata merr parasysh po ashtu dispozitat relevante ligjore të cilat rregullojnë përcaktimin e vlerës së objektit të kontestit në procedurë kontestimore, përkatësisht neneve 211 dhe 218 të LPK-së, të cilët përcaktojnë lejueshmërinë e revizionit në kontekst të pragut ligjor apo vlerës minimale për parashtrimin e këtij mjeti juridik. Prandaj, Gjykata vlerëson se procedura në lidhje me shqyrtimin e lejueshmërisë së revizionit para Gjykatës Supreme e rregulluar me dispozitat e lartcekura ligjore është e parashikueshme.
Bartja e pasojave të pafavorshme të gabimeve të bëra gjatë procedurës
Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës ishte i përfaqësuar nga një përfaqësues ligjor, i cili fillimisht parashtroi (i) padi në Gjykatën Themelore, pastaj (ii) ankesë pranë Gjykatës së Apelit dhe më pas (iii) revizion në Gjykatën Supreme. Si rrjedhojë, Gjykata në pajtim me parimet dhe kriteret e lartcekura të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së vlerëson se parashtruesi i kërkesës ka ndjekur procedurën e mjeteve juridike ashtu siç përcaktohet me ligj. Në këtë kuptim, Gjykata i referohet sërish pikës së I të dispozitivit të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, i cili në këtë pjesë kishte refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës në “shumë totale prej 3,286,80 Euro”. Rrjedhimisht, në këtë kuptim, ky përcaktim i Gjykatës së Apelit përmes pikës I të dispozitivit të Aktgjykimit të saj, të 17 janarit 2020 nuk mund t’i atribuohet parashtruesit të kërkesës. Thënë këtë, mos-marrja parasysh e këtij konstatimi të Gjykatës së Apelit në pikën I të dispozitivit të Aktgjykimit të saj nga ana e Gjykatës Supreme, nuk mund të shkojë në dëm të parashtruesit të kërkesës, të cilit në këtë rast i është kufizuar e drejta e tij për shqyrtim të revizionit të tij nga Gjykata Supreme në merita.
Nëse kishte një “formalizëm të tepruar” që kufizonte qasjen e parashtruesit në Gjykatën Supreme
Në kuptim të vlerësimit se si janë zbatuar kërkesat procedurale të ligjit, respektivisht, nëse Gjykata Supreme ka përdorur apo jo formalizëm të tepruar gjatë interpretimit të dispozitave përkatëse ligjore në fuqi e që ndërlidhen me lejueshmërinë e revizionit, Gjykata, së pari, i referohet pjesëve relevante të Aktvendimit të kontestuar, dhe vëren se Gjykata Supreme konkluzionin për hedhje poshtë, si të palejuar, të kërkesës për revizion, ndër tjerash, e kishte arsyetuar se (i) qëndron pranë arsyetimit të dhënë në procedurën e parë para saj, ku thekson se “marrë parasysh faktin se pala paditëse nuk ka ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, as në pjesën refuzuese të tij, si në pikën tre (III) të dispozitivit, dhe derisa ankesë ka ushtruar vetëm pala e paditur, në këtë pjesë vendimi i gjykatës së shkallës së parë ka mbetur i pa shqyrtuar, dhe paditësi derisa në këtë pjesë nuk ka ushtruar mjetin e rregullt-ankesën, nuk mund të ushtroj revizionin si mjet të jashtëzakonshëm, sa i përket kërkesës së refuzuar në emër të diferencës në shumë prej 547.80 €”; dhe (ii) sa i përket lartësisë së vlerës së revizionit, objekt i revizionit mund të jetë “vetëm kërkesa për tri paga për shpërblim jubilar në shumën prej 2,739.00€, në të cilën pjesë revizioni është i palejuar, për shkak të vlerës së kërkesës, e cila është goditur me revizion, e cila është në shumën prej vetëm 2,739.00 €”.
Gjykata, duke marrë për bazë konstatimin e Gjykatës Supreme e që në mënyrë specifike ndërlidhet me interpretimin e paragrafit 2 të nenit 211 të LPK-së dhe të gjeturave të saj në lidhje me pragun ligjor, vëren se interpretimi i saj ka rezultuar në interpretim formalist, kjo për shkak se Aktgjykimi i goditur i Gjykatës së Apelit në pikën I të dispozitivit të saj kishte përcaktuar refuzimin e kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës “në shumë të përgjithshme prej 3,286,80 EURO”. Thënë këtë, Gjykata në parim, nuk vë në dyshim kompetencën e Gjykatës Supreme të përcaktuar me ligj, që para vlerësimit të revizionit në merita të shqyrtojë lejueshmërinë e revizionit në kuptim të pragut ratione valoris, bazuar në paragrafin 2 të nenit 211 të LPK-së. Për më tepër, Gjykata po ashtu rithekson se interpretimi i rregullave procedurale i shërben sigurisë juridike dhe administrimit të mirëfilltë të drejtësisë, si pjesë përbërëse e parimit themelor të sundimit të ligjit në një shtet demokratik (shih, rastin e Gjykatës KI54/21, me parashtrues Kamber Hoxha, të cituar më lart, paragrafi 82).
Megjithatë, parashtruesi i kërkesës nisur nga përcaktimet e Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, sipas pikës I të dispozitivit të tij ka parashtruar revizion me pritjen që i njëjti do të shqyrtohej në merita në Gjykatën Supreme. Në këtë kuptim, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës kishte pritshmëri që revizioni i tij, i cili bazohej në kërkesëpadinë e tij të parashtruar në Gjykatën Themelore, dhe të refuzuar përmes pikës I të Aktgjykimit të goditur të Gjykatës së Apelit të shqyrtohej në merita nga ana e Gjykatës Supreme.
Thënë këtë, Gjykata vëren se interpretimi strikt i Gjykatës Supreme i rregullave të pragut të vlerës së objektit në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës, e që në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërlidhen me Aktgjykimin e goditur të Gjykatës së Apelit, bie ndesh me kriterin e garantimit të së drejtës praktike dhe efektive të qasjes në gjykatë në kuptim të paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së.
Si rezultat i kësaj, Gjykata vlerëson se interpretimi formalist i rregullave procedurale krijoi një pengesë për parashtruesin e kërkesës që çështja e tij të zgjidhej në merita.
Në këtë kuptim, Gjykata vëren se Aktvendimi i kontestuar, i Gjykatës Supreme, i cili për herë të dytë hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës përbën një formalizëm të tepruar, i cili ka rezultuar në interpretim dhe zbatim strikt të rregullave procedurale, të përcaktuar me legjislacionin në fuqi dhe për pasojë në mënyrë të pajustifikuar ka cenuar qasjen e parashtruesit të kërkesës në juridiksionin e saj.
Konkluzion në lidhje me proporcionalitetin
Gjykata ka trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, dhe konstatoi se rrethanat e rastit konkret sërish ngërthejnë elemente që ndërlidhen me pretendim të shkeljes së të drejtës së tij për qasje në gjykatë, si pjesë përbërëse të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së.
Bazuar në elaborimin si më sipër, Gjykata edhe njëherë thekson se nuk e konteston apo vë në pikëpyetje përmbajtjen e paragrafit 2 të nenit 211 të LPK-së, si dhe aplikueshmërinë e kësaj dispozite në rrethanat e rastit konkret, megjithatë konkludon se interpretimi dhe zbatimi i dispozitave përkatëse të LPK-së që ndërlidhen me lejueshmërinë e revizionit nuk ishte proporcional me qëllimin e ndjekur për garantimin e sigurisë juridike dhe administrimin e mirëfilltë të drejtësisë, si një ndër parimet bazë të sundimit të ligjit në një shoqëri demokratike.
Konkluzion i përgjithshëm
Përfundimisht, Gjykata konstaton se konstatimi i Gjykatës Supreme përmes Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, të 10 tetorit 2022 për hedhje të kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës si të palejueshme për shkak se vlera e objektit nuk kalonte pragun prej 3,000. 00 eurove nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së.
Në vijim, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij kishte pretenduar edhe shkelje të neneve 3 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjet Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës. Në lidhje më këtë, ashtu siç është elaboruar edhe më lart, Gjykata konstatoi se rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës ngërthejnë elemente që ndërlidhen me të drejtën e tij për qasje në gjykatë, si pjesë përbërëse e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së dhe në vijim të konstatimit si më sipër përmes këtij Aktgjykimi, Gjykata nuk e vlerëson si të nevojshme të shqyrtojë ndaras pretendimet për shkelje të të drejtave te garantuara me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 dhe paragrafin 1 të nenit 116 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 48 (1) a) të Rregullores së punës, më 30 maj 2024
vendos
TË DEKLAROJË, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër se Aktvendimi [Rev. nr. 43/2022] i 10 tetorit 2022, i Gjykatës Supreme nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut;
TË SHPALLË, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër të pavlefshëm Aktvendimin [Rev. nr. 43/2022] të 10 tetorit 2022 të Gjykatës Supreme;
TË KTHEJË, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, Aktvendimin [Rev. nr. 43/2022] të 10 tetorit 2022 të Gjykatës Supreme për rivendosje të revizionit në merita, në pajtim me konstatimin e dhënë në këtë Aktgjykim;
TË URDHËROJË Gjykatën Supreme që ta njoftojë Gjykatën, në pajtim me paragrafin 5 të rregullit 60 (Zbatimi i vendimeve) të Rregullores së punës, deri më 2 dhjetor 2024, për masat e ndërmarra për zbatimin këtij Aktgjykimi;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Avdyl Bajgora
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Administrative