Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr.349/2023] të 13 shtatorit 2023 të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI288/23

Parashtruesit: Gjelosh Vataj

Shkarko:

Prishtinë, më​​ 8​​ korrik​​ 2024​​ 

          Nr. ref.: RK 2463/24

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

 

rastin nr.​​ KI288/23

 

Parashtrues

 

Gjelosh Vataj

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së​​ Aktvendimit​​ [Rev.nr.349/2023]​​ të 13 shtatorit 2023​​ të Gjykatës​​ Supreme

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar

Jeton Bytyqi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i​​ kërkesës

 

  • Kërkesa është dorëzuar​​ nga​​ Gjelosh Vataj​​ (në​​ tekstin e mëtejmë: parashtruesi i​​ kërkesës),​​ me vendbanim në​​ Prishtinë.

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi​​ i​​ kërkesës​​ konteston​​ Aktvendimin​​ [Rev.nr.349/2023]​​ e​​ 13 shtatorit​​ 2023​​ të​​ Gjykatës​​ Supreme​​ të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë:​​ Gjykata​​ Supreme).​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës, aktvendimin​​ e kontestuar të​​ Gjykatës Supreme e ka pranuar më 22 shtator 2023.

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Objekt i çështjes së kërkesës është​​ vlerësimi​​ i​​ kushtetutshmërisë së​​ Aktvendimit​​ të kontestuar, me të​​ cilin pretendohet se parashtruesit​​ të​​ kërkesës i janë shkelur të drejtat​​ e garantuara​​ me​​ Kushtetutën e​​ Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), por pa specifikuar ndonjë nenë konkret.

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit​​ 113​​ [Juridiksioni​​ dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës,​​ në​​ nenet​​ 20​​ [Vendimet]​​ dhe​​ 22​​ [Procedimi i kërkesës]​​ të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës,​​ nr.​​ 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si​​ dhe​​ në​​ rregullin​​ 25​​ [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve]​​ të Rregullores së​​ punës​​ së​​ Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

Procedura​​ në Gjykatën Kushtetuese​​ 

 

  • Më​​ 27 dhjetor​​ 2023, parashtruesi i​​ kërkesës​​ e​​ dorëzoi​​ kërkesën​​ në Gjykatën Kushtetuese të​​ Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • Më​​ 16 janar 2024, Kryetarja​​ e Gjykatës​​ rmes Vendimit​​ [nr.​​ GJR.​​ KI288/23]​​ caktoi gjyqtarin​​ Radomir Laban​​ gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Remzie Istrefi Peci​​ (kryesuese),​​ Nexhmi Rexhepi​​ dhe​​ Enver Peci​​ (anëtarë).

 

  • ​​ 2 shkurt 2024,​​ Gjykata​​ e​​ njoftoi parashtruesin​​ e kërkesës për regjistrimin e kërkesës​​ dhe​​ një​​ kopje​​ ​​ kërkesës​​ ia dërgoi​​ Gjykatës​​ Supreme.​​ 

 

  • Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • ​​ 25 qershor 2024,​​ Kolegji shqyrtues​​ e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues​​ dhe njëzëri​​ i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.​​ 

 

Përmbledhja e fakteve​​ 

 

  • Nga shkresat e​​ lëndës rezulton se parashtruesi i​​ kërkesës​​ që nga viti 2002​​ kishte qenë​​ i punësuar​​ në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal SH.A Prishtina​​ (në tekstin e mëtejmë:​​ Kompania e Ujësjellësit).​​ 

 

  • Më 9 mars 2016, Bordi i Drejtorëve të Kompanisë së Ujësjellësit përmes vendimit​​ [nr.2016/3-01] kishte shkarkuar nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv dhe njëkohësisht e kishte larguar nga puna parashtruesin e kërkesës.​​ 

 

  • Më 16 mars 2016, parashtruesi i kërkesës përmes kërkesës nr.730 drejtuar Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, kishte kërkuar që ta sistemojë​​ në ndonjë vend pune që i përgjigjet përgatitjes profesionale dhe aftësive të fituara në punë. Parashtruesi i kërkesës nuk kishte pranuar përgjigje lidhur me kërkesën e tij për sistemim.

 

  • Më 6 maj 2016, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) kundër Kompanisë së Ujësjellësit, duke kërkuar anulimin e vendimit​​ mbi shkarkimin e tij, kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e të ardhurave personale.

 

  • Më 5 korrik 2017, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.1028/16] aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës​​ duke anuluar si të kundërligjshëm aktvendimin e të paditurës të 9 marsit 2016 dhe detyroi të paditurën Kompaninë e Ujësjellësit që parashtruesin e kërkesës ta kthejë në vendin e tij të punës Kryeshef Ekzekutiv dhe t’i paguaj në emër të kompensimit pagat mujore duke filluar nda data 08.03.2016 e deri më datë 30.04.2017, shumën e pagave bruto 24,439.87 euro, duke përfshirë kontributin pensional në shumë prej 1,221.99 euro dhe tatimin burim në shumë prej 2,299.59 euro, rrjedh që paga neto për kompensim mbetet në shumë prej 20,918.29 euro, ndërsa për periudhën kohore nga data 19.08.2015 deri më 13.11.2015 shumën e pagave bruto 3,037.20 euro, duke përfshirë këtu kontributin pensional prej 151.86 euro, tatimin në burim prej 266.33 euro, si dhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 1,098 euro e të gjitha në afat prej 7 ditësh nga marrja e aktgjykimit nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

 

  • Në një datë të pasaktësuar, Kompania e Ujësjellësit paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimi që aktgjykimi i goditur të ndryshohet dhe të refuzohet kërkesëpadia si e pabazuar.

 

  • Më 24 shkurt 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [CA.nr.3923/2017] aprovoi si të bazuar ankesën e Kompanisë Ujësjellësi​​ ndërsa prishi aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C.nr.1028/16] të 5 korrikut 2017 dhe çështjen e ktheu në rigjykim në Gjykatën Themelore.

 

  • Më 18 nëntor 2021, Gjykata Themelore në rigjykim përmes Aktvendimit [C.​​ nr.​​ 2447/20] hodhi poshtë si të palejuar padinë e parashtruesit të kërkesës, duke dhënë këtë arsyetim:

 

“Në përputhje me këtë, paditësi e ka ushtruar padinë jashtë afatit ligjor, pasi që vendimin për shkarkimin e​​ tij nga funksioni i​​ kryeshefit​​ ekzekutiv,​​ e ka pranuar më 09.03.2016, përderisa më 16.03.2016 ka ngritur padi ndaj të paditurës, por e paditura nuk është përgjigjur ndaj kërkesës së paditësit, kështu që​​ më 06.05.2016​​ paditësi ka ushtruar padi në këtë gjykatë.​​ Gjykata gjen se paditësi ka ushtruar padi pas 50 ditësh nga dita e pranimit të vendimit me të cilin është shkarkuar nga funksioni i​​ kryeshefit​​ ekzekutiv, që është jashtë afatit të përcaktuar me Ligjin e punës, në përputhje me nenet 78.2 dhe 79.”

 

“Lidhur me pretendimet e paditësit se gjykata duhet të llogarisë afatin e ekzekutimit​​ të padisë nga dita e rekomandimit të paditëses, gjykata nuk mund ta pranojë si të rregullt një kërkesë të tillë dhe të fillojë llogaritjen e afatit të padisë nga po ajo ditë, për shkak se kërkesëpadia e paditësit përbën anulim të vendimit nr. 2016/0—1, me të cilin paditësi është shkarkuar nga funksioni i udhëheqësit dhe rekomandimi nuk është​​ goditur, për më tepër, sipas vlerësimit të gjykatës, paditësi nuk ka parashtruar ankesë në përputhje me kërkesat e gjykatës, kundër vendimit me të cilin është shkarkuar nga funksioni i drejtorit ekzekutiv, por i njëjti ka ngritur padi ndaj të paditurës, me të cilën ka kërkuar të sistemohet në një vend tjetër të punës, ndërsa​​ vendimin për shkarkim nuk e ka​​ goditur, prandaj sipas vlerësimit të gjykatës, padia është ngritur jashtë çdo afati ligjor.”

 

  • Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore [C.nr.2447/20] për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore, zbatimit të gabuar të dispozitave materiale, me propozim që aktvendimi i ankimuar të prishet dhe çështja ti kthehet gjykatës së shkallës së parë për gjykim meritor.

 

  • Më 15 nëntor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.1650/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa aktvendimin [C.nr.2447/20] të 18 nëntorit 2021 të Gjykatës Themelore e vërtetoi.​​ Gjykata e shkallës së dytë, në procedurën ankimore, në tërësi e kishte pranuar qëndrimin juridik të gjykatës së shkallës së parë si të drejtë dhe të ligjshëm.

 

  • Në një datë të pasaktësuar parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme kundër aktvendimit​​ [Ac.nr.1650/2022] të 15 nëntorit 2022​​ të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të LPK-së dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të aprovohet revizioni dhe aktvendimi i​​ goditur​​ të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

 

  • Më 13 shtator 2023, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.349/2023] refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës, duke dhënë këtë arsyetim:

 

“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, gjykatat më të ulëta kanë aplikuar drejt dispozitat e neneve 78 dhe 79 të Ligjit të punës, në të cilat, mes tjerash, në rastin konkret, bëhet fjalë për​​ afat prekluziv,​​ dhe me skadimin e këtij afati të përcaktuar me dispozitat në fjalë, pala e humb të drejtën në mbrojtje gjyqësore. Me dispozitën e nenit 78.1 përcaktohet që “I​​ punësuari i cili vlerëson se punëdhënësi ka shkelur të drejtën e marrëdhënies së punës, mund të​​ paraqesë kërkesë te punëdhënësi apo organi përkatës i punëdhënësit nëse ekziston, për realizimin e të​​ drejtave të shkelura.” Me paragrafin 2 të këtij neni përcaktohet që “Punëdhënësi është i obliguar për të vendosur sipas kërkesës së të punësuarit, në afatin brenda​​ pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga data e pranimit të kërkesës.” Megjithatë, në dispozitën e nenit 79 të Ligjit të punës shprehimisht thuhet se “Çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin me të cilin mendon se i janë shkelur të drejtat e tij,​​ ose nuk merr përgjigje brenda afatit nga neni 78 paragrafi 2. të këtij ligji, në afatin vijues prej tridhjetë (30)​​ ditësh, mund të inicioj kontest pune në Gjykatën Kompetente.” Dhe derisa jemi këtu, duhet përmendur që, siç rezulton nga interpretimi i këtyre dispozitave ligjore, dhe në praninë e faktit që paditësi, me qëllim të realizimit të mbrojtjes së të drejtave të veta nga marrëdhënia e punës, ka ngritur padi në gjykatë më 06.05.2016, përkatësisht pas kalimit të afatit të​​ paraparë me dispozitën e lartpërmendur, prej nga, kuptohet se, rezulton që paditësi, në rastin konkret, nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore të përmendura më sipër dhe kjo ka kushtëzuar që gjykata e shkallës më të ulët, duke u mbështetur në dispozitat ligjore të nenit 78, nenit 79 të Ligjit të punës dhe në nenin 391, pika f) të Ligjit të Procedurës Kontestimore, të vendosë si në dispozitivin e aktvendimit të tij.”​​ 

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon se​​ përmes​​ Aktvendimit​​ të kontestuar të Gjykatës​​ Supreme​​ janë shkelur​​ të drejtat e garantuara​​ me​​ ​​ Kushtetutë, por pa specifikuar ndonjë nenë konkret.

 

  • Parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon shkelje të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, duke aluduar në​​ zbatim të gabuar të dispozitave ligjore,​​ pasi që siç thekson, aktvendimet e gjykatave te rregullta janë​​ “​​ të kundërligjshme, për faktin se sipas dispozitave te nenit 78 paragrafi 1 pika 1, 2 dhe 3 të ligjit Nr.03/L-212 të Punës, parashihet që i punësuari i cili vlerëson se punëdhënësi ka shkelur të drejtën e marrëdhënies së punës, mund të paraqesë kërkesë te punëdhënësi apo organi përkatës i punëdhënësit nëse ekziston, për realizimin e të drejtave të shkelura. Punëdhënësi është i obliguar që të vendosë sipas kërkesës të punësuarit në afatin brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e pranimit të kërkesës. Vendimi nga paragrafi 2 i këtij neni i dorëzohet të punësuarit në formë të shkruar brenda afatit prej 8 (tetë) ditësh, nënkuptuar se kjo procedurë te punëdhënësi, duhet përfunduar brenda afatit prej 23 ditëve”.

 

  • Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon se​​ sipas nenit 79 të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës parashihet “​​ çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin me të cilin mendon se i janë shkelur të drejtat e tij, ose nuk merr përgjigje brenda afatit nga neni 78 të këtij Ligj në afatin vijues prej 30 ditësh mund të iniciojë kontest pune në Gjykatën kompetente. Nga kjo rezulton se konform normave të nenit 78 dhe 79 të Ligjit të Punës, afati i përgjithshëm për inicimin e procedurës gjyqësore në këtë çështje kontestimore, është 53 ditë e jo 50 ditë, siç pretendojnë tri instancat e sipërshënuara gjyqësore. Prandaj, nga kjo rezulton se padia e parashtruar nga paditësi, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me dt.06.05.2016, është parashtruar brenda afatit ligjor të paraparë me normat e sipërshënuara të Ligjit të Punës, për faktin se kërkesa për mbrojtjen e të drejtave nga fusha e marrëdhënies së punës, punëdhënësit i është parashtruar me dt.16.03.2016, nga i cili paditësi, nuk ka marrë kurrfarë përgjigje ndërsa padia nga paditësi në Gjykatë është parashtruar me dt.06.05.2016​​ ”.

 

  • Tutje parashtruesi i kërkesës​​ thekson se “​​ punëdhënësit i ka parashtruar kërkesë​​ për mbrojtjen e të drejtave nga fusha e marrëdhënies së punës me dt.17.03.2016, mirëpo për kundër faktit, që punëdhënësi në kuptim të normave të paragrafit 1 pika 2 ka qenë i detyruar për të vendosur sipas kërkesës brenda afatit prej 15 ditësh, përkatësisht deri më 31.03.2016 dhe t’ia dorëzojë të punësuarit vendimin, në afat prej 8 ditësh, përkatësisht deri me dt.08.04.2016, punëdhënësi nuk ka vendosur përkitazi me parashtresën e paditësit në kuptim të nenit 78 paragrafi 1 pika 3 të këtij ligji, nuk ja ka dorëzuar paditësit vendimin e marrur”. Lidhur me këtë parashtruesi i kërkesës pretendon se​​ nuk qëndron konstatimi i gjykatave të rregullta për hedhjen e padisë si të pasafatshme, për faktin se parashtruesi e ka dorëzuar me 6 maj 2016, ashtu që sipas parashtruesit të kërkesës, në kuptim të normave të sipërshënuara të Ligjit të Punës, afati për inicimin e procedurës gjyqësore nuk është 50 ditë por 53 ditë.

 

​​ Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

 

 

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”

[...]

 

 

​​ Ligji Nr. 03/L-212 i Punës

 

 

Neni 78​​ 

Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit

 

1. I punësuari i cili vlerëson se punëdhënësi ka shkelur të drejtën e marrëdhënies së punës, mund të paraqesë kërkesë te punëdhënësi apo organi përkatës i punëdhënësit nëse ekziston, për realizimin e të drejtave të shkelura.

​​ 2. Punëdhënësi është i obliguar për të vendosur sipas kërkesës së të punësuarit, në afatin brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga data e pranimit të kërkesës. ​​ 

3. Vendimi nga paragrafi 2. i këtij neni, i dorëzohet të punësuarit në formë të shkruar brenda afatit prej tetë (8) ditësh.​​ 

 

Neni 79​​ 

Mbrojtja e të punësuarit në Gjykatë

 

Çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin me të cilin mendon se i janë shkelur të drejtat e tij, ose nuk merr përgjigje brenda afatit nga neni 78 paragrafi 2. të këtij ligji, në afatin vijues prej tridhjetë (30) ditësh, mund të inicioj kontest pune në Gjykatën Kompetente .

 

Pranueshmëria e kërkesës

 

  • Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:​​ 

 

Neni 113

[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]

 

“1.​​ Gjykata​​ Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[...]

7.​​ Individët​​ janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

[...]

 

  • Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:​​ 

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

2. Individi​​ mund​​ ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht​​ se​​ cilat të drejta dhe liri​​ pretendon​​ se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.

 

Neni 49

[Afatet]

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur​​ parashtruesit​​ i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.

 

  • Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: është ​​ palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht​​ Aktvendimin​​ [Rev.nr.349/2023] e​​ 13 shtatorit 2023 të Gjykatës Supreme; se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; se i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe ​​ kërkesën e ka ​​ parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç parashihet me nenin 49 të Ligjit.​​ 

 

  • Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nën rregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcakton:

 

(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e​​ pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.

 

  • Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur,​​ bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpall një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin​​ KI04/21, parashtruese​​ Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin​​ KI175/20, parashtrues​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).​​ 

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii)​​ pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nën kriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së​​ Trofimchuk kundër Ukrainës,​​ nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu​​ Baillard kundër Francës,​​ nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës​​ KI166/20,​​ parashtrues,​​ Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe​​ në fund, (iv) pretendime​​ “konfuze dhe të paqarta”​​ (shih, rastet e GjEDNj-së,​​ Kemmache kundër Francës,​​ nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i),​​ Juta Mentzen kundër Lituanisë,​​ nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe​​ Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).

 

  • Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin​​ KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).

 

  • Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga​​ kërkesa e parashtruesit të kërkesës për sistemimin në një vend pune pasi ishte shkarkuar nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë së Ujësjellësit, ku lidhur me këtë nuk kishte marrë përgjigje.​​ Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore kundër Kompanisë së Ujësjellësit, ku përmes padisë kishte kërkuar që të shfuqizohet vendimi i Bordit drejtues përmes të cilit ai ishte shkarkuar nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv. Gjykata Themelore kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës​​ duke anuluar si të kundërligjshëm aktvendimin e të paditurës të 9 marsit 2016 dhe detyroi të paditurën Kompaninë e Ujësjellësit që parashtruesin e kërkesës ta kthejë në vendin e tij të punës Kryeshef Ekzekutiv​​ dhe t’ia kompensojë pagat. Kompania e Ujësjellësit paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e aprovoi ankesën e saj dhe e prishi vendimin e Gjykatës Themelore dhe çështjen e ktheu në rigjykim dhe rivendosje. Gjykata Themelore në rigjykim vendosi që ta hedhë poshtë si të palejuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore, e cila ankesë u refuzua nga Gjykata e Apelit. Parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit e refuzoi atë.

 

  • Gjykata vëren se​​ në esencë​​ parashtruesi i kërkesës pretendimet e tij i ndërlidh me​​ shkeljen​​ e​​ së drejtës për gjykim të drejtë,​​ përkatësisht​​ me:​​ (i)​​ interpretimin e gabuar të dispozitave ligjore. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrejnë çështje nga neni 31 i Kushtetues dhe neni 6.1 i KEDNJ-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e​​ detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.

 

  • Parashtruesi i kërkesës​​ pretendon se​​ Gjykatat​​ e​​ rregullta​​ ka​​ bërë interpretim të gabuar të​​ neneve 78 dhe 79​​ të Ligjit të Punës, ku thekson se​​ aktvendimet e gjykatave të rregullta janë​​ “​​ të kundërligjshme, për faktin se sipas dispozitave te nenit 78 paragrafi 1 pika 1, 2 dhe 3 të ligjit Nr.03/L-212 të Punës, parashihet që i punësuari i cili vlerëson se punëdhënësi ka shkelur të drejtën e marrëdhënies së punës, mund të paraqesë kërkesë te punëdhënësi apo organi përkatës i punëdhënësit nëse ekziston, për realizimin e të drejtave të shkelura. Punëdhënësi është i obliguar që të vendosë sipas kërkesës të punësuarit në afatin brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e pranimit të kërkesës. Vendimi nga paragrafi 2 i këtij neni i dorëzohet të punësuarit në formë të shkruar brenda afatit prej 8 (tetë) ditësh, nënkuptuar se kjo procedurë te punëdhënësi, duhet përfunduar brenda afatit prej 23 ditëve”.

 

  • Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga Gjykatat e rregullta, përkatësisht​​ nenit​​ 78 dhe 79​​ të Ligjit​​ Nr.03/L-212​​ të Punës.

 

  • Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës​​ KI179/18, parashtrues​​ Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68;​​ KI49/19, parashtrues​​ Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”,​​ Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47;​​ KI56/17,​​ me parashtruese​​ Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe​​ KI154/17 dhe KI05/18,​​ me parashtrues,​​ Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti​​ KI76/21, parashtrues​​ Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).​​ 

 

  • Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së​​ García Ruiz kundër Spanjës,​​ nr. 30544/96,​​ Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës,​​ KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe​​ KI154/17 dhe KI05/18,​​ cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti​​ KI76/21, parashtrues​​ Qemajl Babuni,​​ Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).​​ 

 

  • Gjykata vëren se​​ Gjykatat​​ e​​ rregullta arsyetuan​​ në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë​​ aktvendimet​​ përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.

 

  • Gjykata​​ Themelore​​ përmes​​ Aktvendimit​​ [C.nr.2447/20]:​​ hodhi poshtë si të palejuar padinë e parashtruesit të kërkesës,​​ ku ndër të tjera​​ theksoi se: “Rrjedhimisht paditësi padinë e ka ushtruar jashtë afatit ligjor, pasi që vendimin për shkarkim nga pozita e kryeshefit e ka pranuar më 09.03.2016, ndërsa më datë 16.03.2016, ka ushtruar kërkesë tek e paditura dhe e paditura nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën e paditësit dhe paditësi me datë 06.05.2016, ka ushtruar padi në këtë gjykatë. Gjykata konstaton se paditësi padinë e ka paraqit pas 50 ditësh nga dita e pranimit të vendimit me të cilin është shkarkuar nga pozita e kryeshefit, e që i bie jashtë afatit të paraparë me Ligjin e Punës konform nenit 78.2 dhe 79”.

 

  • Po ashtu edhe Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.1650/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore e vërtetoi. Gjykata e Apelit në tërësi pranoi qëndrimin juridik të gjykatës së shkallës së parë si të drejtë dhe të ligjshëm.

 

  • Gjithashtu edhe Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.349/2023] refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës, ku ndër të tjera arsyetoi “​​ ... Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, gjykatat e instancës më të ultë drejt i kanë zbatuar dispozitat e nenit 78 dhe nenit 79 të Ligjit të Punës, në të cilat, veç tjerash, në rastin konkret, bëhet fjalë për afat prekluziv dhe pas skadimit të këtij afati të përcaktuar me dispozitat e sipër cekura, pala e humb të drejtën e mbrojtjes gjyqësore. Me dispozitën e nenit 78.1 është përcaktuar se “ i punësuari i cili vlerëson se punëdhënësi ka shkelur të drejtën e marrëdhënies së punës, mund të paraqes kërkesë te punëdhënësi apo organi përkatës i punëdhënësit nëse ekziston, për realizimin e të drejtave të shkelura”. Me par.2 të këtij neni, përcaktohet se “ punëdhënësi është i obliguar për të vendosur sipas kërkesës së të punësuarit, në afat prej 15 ditëve nga data e pranimit të kërkesës”. Kurse, në dispozitën e nenit 79 të Ligjit të Punës, shprehimisht përcaktohet se “çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin me të cilin mendon se i janë shkelur të drejtat e tij, ose nuk merr përgjigje brenda afatit nga neni 78 par.2 të këtij ligji, në afatin vijues prej 30 ditësh, mund të inicioj kontest pune në Gjykatën Kompetente”. Dhe kur jemi këtu, duhet theksuar se, sikundër del edhe nga interpretimi i këtyre dispozitave ligjore, dhe në prani të faktit se paditësi për realizimin e mbrojtjes së të drejtave të tij nga marrëdhënia e punës, në gjykatë padinë e ka paraqitur më dt.6.05.2016, pra, pas kalimit të afatit të paraparë me dispozitën e sipër përmendur, gjë që u mor vesh nga kjo, rezulton se paditësi, në rastin konkret, nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat e sipër theksuara ligjore dhe kjo ka bërë që gjykata e instancës më të ulët, në mbështetje të dispozitave ligjore nga neni 78, neni 79, të Ligjit të Punës, dhe neni 391 pika f) të LPK-së, të vendos si në dispozitiv të aktvendimit të saj”.

 

  • Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se çështja e​​ llogaritjes së afatit​​ është çështje që përcaktohet nga gjykatat e rregullta në kuadër të detyrave dhe prerogativës së tyre për konstatim të gjendjes faktike dhe zbatim të ligjit material e procedural në rastet individuale dhe se në këtë drejtim nuk mund të thuhet se janë cenuar garancitë procedural nga neni 31 i Kushtetutës. Veç kësaj,​​ Gjykatat e rregullta përmes aktvendimeve të tyre kanë bërë interpretim të drejtë të dispozitave të​​ Ligjit Nr.03/L-212 të Punës, përkatësisht nenit 78 dhe 79, ku kanë shtjelluar se afati për paraqitjen e padisë​​ ​​ kontestet e​​ punës​​ në gjykatë është 30 ditë pasi që parashtruesi i kërkesës​​ ta ketë​​ pranuar​​ vendimin nga punëdhënësi, apo nuk merr përgjigje brenda afatit lidhur me kërkesën e tij.​​ 

 

  • Gjykata vëren se​​ gjykatat​​ e rregullta​​ vërtetuan, që parashtruesi i kërkesës kërkesën e tij drejtuar Kompanisë së Ujësjellësit për sistemim në një vend pune e kishte parashtruar më​​ 16​​ mars 2016, ndërsa Kompania e Ujësjellësit afatin e përgjigjes e kishte 15 ditë që i​​ bie deri më​​ 31 mars​​ 2016, që do të thotë se parashtruesi i kërkesës nga data​​ 31 mars​​ 2016 ka pasur afat 30 ditë që të parashtrojë padi në Gjykatën Themelore, mirëpo padinë e ka parashtruar me 6 maj 2016,​​ që i bie​​ jashtë afatit​​ ligjorë.​​ Lidhur me këtë Gjykata vëren se edhe pse parashtruesi i kërkesës nuk kishte pranuar ndonjë përgjigje nga punëdhënësi në afatin prej 15 ditësh, ai kishte në dispozicion edhe 30 ditë​​ që të​​ pranojë përgjigjen dhe të​​ parashtrojë padi në Gjykatën Themelore, mirëpo padinë e parashtroi pas afatit 30 ditor të përcaktuar me nenin 79 të Ligjit Nr.03/L-212 të ​​ Punës.

 

  • Gjykata nuk vëren zbatim të dukshëm arbitrar të ligjit apo të fakteve, konkluzion qartazi të paarsyeshëm të procedurave apo edhe mungesë të marrëdhënies logjike ndërmjet fakteve të konstatuara dhe zbatimit të dispozitave ligjore përkatëse ndaj atyre fakteve. Në të vërtetë, nga​​ vendimi i kontestuar, Gjykata vlerëson se​​ Gjykata​​ Supreme​​ ka​​ dhënë arsyetim të bollshëm lidhur me​​ atë se përse​​ parashtruesi i kërkesës padinë e tij e ka parashtruar jashtë afatit ligjor.​​ 

 

  • Prandaj, Gjykata konstaton që parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tyre, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës, dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë (shih​​ mutatis mutandis, Aktgjykimi i GJEDNJ-së i 21 janarit 1999,​​ García Ruiz kundër Spanjës,​​ nr. 30544/96, paragrafët 29 dhe 30; shih gjithashtu rastin e Gjykatës​​ KI22/19, parashtrues​​ Sabit Ilazi, Aktvendim për Papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).

 

  • Gjykata thekson që në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i zbatimit arbitrar të ligjit apo të fakteve, thekson se, Gjykatat e rregullta kanë interpretuar gabimisht​​ ligjin e punës, megjithatë ai nuk e mbështet në asnjë mënyrë dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim ​​ nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se si procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe kanë arsyetuar qartazi të njëjtat (Shih rastet e Gjykatës​​ KI64/20, parashtrues​​ Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe​​ KI22/19, cituar më lart, paragrafi 43).

 

  • Thënë këtë Gjykata vlerëson se Gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe me këtë rast, të njëjtat ishin shpallur si të pa bazuara. Sa më sipër, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që pretendimet e tij për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë t’i ngrejë në nivel kushtetutshmërie.

 

  • Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

 

  • Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të deklarohet e papranueshme.

 

PËR KËTO ARSYE

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur më​​ 25 qershor 2024, njëzëri

 

VENDOS​​ 

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;​​ 

 

  • T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  • Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;

 

 

 

Gjyqtari raportues  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

 

 

 

Radomir Laban ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​     ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Gresa Caka-Nimani

 

1

​​ 

Parashtruesit:

Gjelosh Vataj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative