Prishtinë, më 4 mars 2024
Nr. Ref.:RK 2389/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI48/22
Parashtrues
Amet Ajdari
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr.375/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 9 shtatorit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Amet Ajdari me vendbanim në Gornji Milanovac, Republika e Serbisë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Rev.nr. 375/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) të 9 shtatorit 2021.
Aktvendimi [Rev.nr. 375/2021] i Gjykatës Supreme i 9 shtatorit 2021, i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 28 shkurt 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr. 375/2021] të Gjykatës Supreme të 9 shtatorit 2021, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në nenin 113 (1) dhe (7) [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 13 prill 2022, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi kërkesën përmes postës në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 15 prill 2022, Gjykata e pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës.
Më 20 prill 2022, Kryetarja e Gjykatës me vendimin [Nr.GJR.KI48/22] caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi Gjyqtar raportues dhe me vendimin [Nr.KSH.KI48/22] Kolegjin Shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka Nimani (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban anëtarë.
Më 21 prill 2022, Gjykata : (i) njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës me nr.KI48/22; dhe (ii) i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme të Kosovës.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 30 janar 2023, Gjykata i dërgoi një shkresë Gjykatës Themelore në Prizren, nga e cila kërkoi informata lidhur me fletë-kthesën që dëshmon datën se kur e ka pranuar parashtruesi i kërkesës Aktvendimin [Rev.nr.375/2021] të Gjykatës Supreme të 9 shtatorit 2021.
Më 14 shkurt 2023, Gjykata pranoi fletë-kthesën nga Gjykata Themelore në Prizren që dëshmon se kur e ka pranuar Aktvendimin [Rev.nr.375/2021] të 9 shtatorit 2021, i autorizuari i parashtruesit të kërkesës avokati Sezo Veliji.
Më 29 gusht 2023, Kolegji Shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit Raportues dhe vendosi që i njëjti të kthehet në rishqyrtim tek Gjyqtari Raportues.
Më 22 janar 2024, Kolegji Shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit Raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Në një datë të pacaktuar në vitin 2008, parashtruesi i kërkesës kishte filluar me të vëllanë A.A procedurën e shqyrtimit të trashëgimisë pas vdekjes së nënës së tyre G.A në një procedurë jo-kontestimore në Gjykatën Komunale të Prizrenit, për shkak të kundërshtimit të vëllait të parashtruesit të kërkesës rreth kontratës mbi mbajtjen e përjetshme të lidhur ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe nënës së tij në Gornji Milanovac të Republikës së Serbisë më 18 shtator 2006, të vërtetuar nga ana e Gjykatës Komunale në Gornji Millanovac të Republikës së Serbisë me numër Vr.nr.4528/06. Parashtruesi i kërkesës kishte pretenduar se sipas asaj kontrate, atij i takojnë pjesa e nënës prej 1/3 të parcelës nr.2678 ZK Prizren.
Më 23 shtator 2009, Gjykata Themelore në Prizren (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) kishte nxjerrë Aktvendimin [O.nr.383/08] që të ndërpres shqyrtimin e trashëgimisë dhe të udhëzoj parashtruesin e kërkesës me vëllain e tij A.A në procedurë kontestimore.
Më 14 korrik 2014, parashtruesi i kërkesës përmes përfaqësuesit të tij kishte ushtruar padi për vërtetimin e të drejtës së pronësisë në Gjykatën Themelore, ku kërkonte që në bazë të kontratës për mbajtje të përjetshme të vërtetuar më 18 shtator 2006 nga Gjykata Komunale në Gornji Milanovac – Serbi, t’i transferohej pjesa ideale prej 1/3 të parcelës që ishte në pronësi të nënës së ndjerë. Sipas padisë, ky kontest kishte lindur për shkak për shkak se pas vdekjes së nënës, vëllai i tij A.A ishte paraqitur si trashëgimtar i vetëm duke transferuar pjesën e kontestuar të paluajtshmërisë në emër të tij pa bazë ligjore, edhe pse nëna ka jetuar gjatë tërë kohës me parashtruesin e kërkesës.
Në përgjigjen në padi, A.A kishte deklaruar se janë bashkëpronarë me nga 1/3 e të drejtave të pronësisë mbi parcelën kadastrale 2768, Zona Kadastrale në Prizren, kurse pjesa tjetër prej 1/3 e pronës ishte në pronësi të nënës, e jo sipas asaj që kishte cekur parashtruesi i kërkesës “duke shfrytëzuar mungesën e paditësit (parashtruesit të kërkesës), këtë parcelë e ka regjistruar në emër të tij” dhe kjo dëshmohet me listën poseduese të Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Prizrenit. Tutje, A.A kishte potencuar se nuk qëndron as pretendimi se e ka prezantuar veten si trashëgimtar të vetëm dhe këtë e dëshmon certifikata e vdekjes për vdekje ku janë përfshirë të dyja palët dhe kjo procedurë është iniciuar pasi që parashtruesi i kërkesës ia ka bërë të njohur vëllait të tij A.A pjesën e trashëgimisë. Sa i përket kompetencës ekskluzive, A.A kishte pretenduar se gjykatë kompetente për vërtetimin e kontratës për mbajtje të përjetshme që thirret parashtruesi i kërkesës, do të ishte dashur të ishte Gjykata Komunale e Prizrenit ku gjendet prona, e jo Gjykata Komunale në Gornji Milanovac.
Më 21 korrik 2014, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.580/14] e caktoi masën e përkohshme të sigurisë.
Më 19 korrik 2016, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [C.nr.580/14], e (i) refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës; (ii) anuloi masën e përkohshme të sigurisë që ishte caktuar me Aktvendimin [C.nr.580/16] të 21 korrikut 2014; dhe (iii) detyroi parashtruesin e kërkesës t’i paguaj të paditurit A.A shumën prej 300 € në emër të shpenzimeve procedurale.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Themelore ndër të tjerash theksoi :
[…]
“Gjykata ka konstatuar se pretendimi i paditësit për fitimin e të drejtave të pronësisë në pjesën ideale prej 1/3 të parcelës kadastrale nr.2767, Zona Kadastrale në Prizren, .... në bazë të kontratës për mbajtje të përjetshme, e cila është legalizuar në Gjykatën Komunale në Gornji Milanovac – Serbi, nën numrin Ov.nr.2452, më 18 shtator 2006, e lidhur ndërmjet këtu paditësit Amet Ajdari nga Prizreni, si ofrues i mbajtjes dhe të ndjerës G.A ( nëna e palëve kundërshtare) si pranuese e mbajtjes, është plotësisht i pabazuar dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Kjo për shkak faktit se me dispozitat ligjore të Ligjit nr.03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore (LPDTS), i cili është në fuqi, janë rregulluar kushtet e fitimit të të drejtave të pronësisë. Në këtë drejtim neni 34, paragrafi 1 i këtij ligji thotë: “Për bartjen e pronësisë në paluajtshmëri është e nevojshme një punë juridike e vlefshme ndërmjet tjetërsuesit dhe fituesit si bazë juridike dhe regjistrimi i ndryshimit të pronësisë në Regjistrin e të drejtave në paluajtshmëri”, ndërsa paragrafi 2 i këtij neni thekson: “Kontrata për bartjen e paluajtshmërisë duhet të lidhet me shkrim në prezencë të dy palëve në një zyrë kompetente”. Gjithashtu edhe neni 10 në lidhje me nenin 13 të Ligjit për Qarkullimin e Pasurive të Paluajtshme (Gazeta Zyrtare SRS 15/74, ndërsa në pajtim me nenin 64 të këtij ligji, kjo dispozitë ka qenë e aplikueshme edhe në Kosovë), përcakton se kontrata për transferimin e të drejtave mbi paluajtshmëritë duhet të lidhet me shkrim dhe që nënshkrimet e palëve kontraktuese duhet të vërtetohen nga ana e gjykatës. Edhe Ligji për Marrëdhëniet Pronësore Juridike i cili ka qenë në fuqi para Ligjit Nr.03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore, më saktësisht neni 2, përcakton që:” sipas vetë ligjit, në bazë të punës juridike apo me trashëgim. E drejta e pronësisë fitohet dhe në bazë të vendimit të autoritetit shtetëror sipas kushteve dhe në mënyrën e përcaktuar me ligj”, ndërsa neni 33 i këtij përcakton se “Në bazë të veprimit juridik e drejta e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme fitohet me regjistrimin në librin publik apo në mënyrën tjetër përkatëse të përcaktuar me ligj”.(që llogaritet të jetë ligji i aplikueshëm në rastin konkret, pasi që kontrata në fjalë është vërtetuar në vitin 2006 në shtetin e Serbisë)”.
[...]
“Gjykata është e mendimit se për legalizimin e kësaj kontrate është ekskluzivisht kompetent Gjykata Komunale në Prizren, përkatësisht gjykata në territorin e së cilës gjendet prona e paluajtshme [...]”
Në një datë të pacaktuar, parashtruesi i kërkesës përmes përfaqësuesit të autorizuar kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) me bazë ankimimi : (i) shkelje esenciale e dispozitave të procedurës kontestimore; (ii) vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; dhe (iii) aplikim të gabuar të drejtës materiale, duke propozuar që Gjykata e Apelit të anulojë Aktgjykimin e goditur me ankesë dhe të kthej në shkallën e parë për rigjykim.
Në një datë të pacaktuar, përfaqësuesi i A.A kishte ushtruar përgjigje në ankesë duke propozuar që të refuzohet ankesa e parashtruesit të kërkesës, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të konfirmohet.
Më 21 maj 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.3921/2016] e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C.nr.580/2014] të 19 korrikut 2016.
Në arsyetimin e Aktgjykimit [Ac.nr. 3921/2016] të 21 majit 2020, Gjykata e Apelit ndër të tjerash theksoi :
[...]
“Gjykata e shkallës së parë një herë e ka vërtetuar drejt gjendjen faktike, për të cilën gjë edhe kjo gjykatë pajtohet plotësisht me vlerësimin e gjykatës së shkallës së parë ndërsa në kuptim të dispozitave të theksuara nga ana e gjykatës së shkallës së parë, kontrata për mbajtje të përjetshme nuk prodhon asnjë efekt juridik. Kjo për faktin se kur përpilohen kontratat me të cilat transferohen të drejtat e pronësisë në paluajtshmëri si dhe me rastin e legalizimit të kontratës për mbajtje të përjetshme dhe të ngjashme, palët nuk kanë mundësinë dhe as nuk kanë të drejtën që të zgjedhin gjykatën ku do ta bëjnë legalizimin e kontratës së tillë, por që duhet t’i drejtohen gjykatës në territorin e së cilës gjendet prona e paluajtshme, siç edhe kërkohet me dispozitat ligjore imperative, prandaj marrë parasysh se kompetenca ekskluzive për përcaktimin e kontratës në fjalë për mbajtje të përjetshme i ka takuar Gjykatës Themelore në Prizren, të cilën gjë gjykata e shkallës së parë me aplikimin e së drejtës materiale e ka vendosur në mënyrë të drejtë kur e ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësit, dhe me të drejtë ka vendosur për anulimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe shpenzimet procedurale, e për shkak të faktit se kontrata në fjalë nuk prodhon efekt juridik.”
Në një datë të pacaktuar, në emër të parashtruesit të kërkesës ka paraqitur revizion Sezo Veliji avokat, si përfaqësues i ri në procedurën para Gjykatës Supreme, me arsyetimin së është bërë aplikimi i gabuar i të drejtës materiale, dhe kishte propozuar të anulohen aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë të gjykatës, kurse çështja të rikthehet në rigjykim
Në një datë të pacaktuar, A.A kishte paraqitur përgjigje në revizion, duke kundërshtuar shkaqet e paraqitura në revizion dhe kishte propozuar që Gjykata të refuzojë revizionin e paraqitur.
Më 9 shtator 2021, Gjykata Supreme e Kosovës nëpërmjet Aktvendimit [Rev.nr.375/2021], e hodhi poshtë revizionin e paraqitur si të palejuar dhe në arsyetimin e saj theksoi :
[...]
“Me dispozitën e nenit 218 të LPK-së dhe nenit 11 të Ligjit Nr.04/L-118 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.03/L-006 për Procedurën Kontestimore, me të cilin është riformuluar neni 218 i ligjit bazik, përcaktohet se : “1.Revizioni i paraqitur pas kohe, i palejueshëm apo jo i plotë, hidhet poshtë me aktvendim të Gjykatës së shkallës së parë pa mbajtur seancë gjyqësore; 2.Revizioni është i palejueshëm nëse: a) e ka paraqitur personi i cili nuk është i autorizuar për paraqitjen e revizionit; b)revizionin e ka paraqitur personi i cili e ka tërhequr revizionin; c)nëse personi i cili ka paraqitur revizionin nuk ka interes për paraqitjen e tij; d)është paraqitur revizioni kundër aktgjykimit kundër të cilit sipas ligjit nuk mund të paraqitet”. Nga përshkrimi i kësaj dispozite, një nga arsyet për të hedh revizionin si të palejueshëm është edhe në rast se revizioni është paraqitur nga personi i cili nuk është i autorizuar për paraqitjen e revizionit, siç është në rastin konkret, pasi bazuar në shkresat e lëndës avokati Sezo Veliji revizionit nuk i ka bashkangjitur autorizimin në formë të shkruar dhe ky fakt vërtetohet nga dokumenti mbi pranimin e revizionit në Gjykatën Themelore në Prizren të datës 25.06.2021...”
[...]
“... në rastin konkret avokati Sezo Veliji nuk ka përfaqësuar paditësin gjatë shqyrtimit në shkallën e parë dhe të dytë, por veprimin e parë e ka pasur ushtrimin e revizionit, andaj ka qenë dashtë që bashkë me revizionin të paraqesë edhe autorizimin në formë të shkruar...”
[...]
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi [Rev.nr.375/2021] i Gjykatës Supreme të 9 shtatorit 2021 dhe aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 37 [E Drejta e Martesës dhe Familjes] të Kushtetutës.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës pretendon se Rregullorja e UNMIK-ut nr.1999/24 e 12 dhjetorit 1999, parashihte se ligjet të cilat kanë qenë në fuqi në Kosovë më 22 mars 1989 janë të vlefshme edhe më tutje, andaj edhe kontrata e mbajtjes së përjetshme e parashtruesit të kërkesës dhe nënës së tij në vitin 2006 nuk konsiderohej si e pavlefshme. Sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit i shkelën të drejtat e garantuara me nenet 31 dhe 37 të Kushtetutës kur ato refuzuan kërkesën e tij për fitimin e të drejtave pronësore në bazë të trashëgimisë kundër vëllait të tij.
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës i referohet nenit 68 të Ligjit për Trashëgiminë, duke theksuar se: “(...) çështja e trashëgimisë në bazë të kontratës për mbajtje të përjetshme është rregulluar me Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve, me të cilin përcaktohet që ajo është kontratë dypalëshe obligative, e njëjta duhet të përpilohet me shkrim, dhe duhet të nënshkruhet dhe nënshkrimet duhet të certifikohen në gjykatë, e që në këtë kontest ligjor në fjalë kontrata për mbajtjen e përjetshme është në përputhje me LMD-në.”
Në fund, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk e konteston Aktvendimin e Gjykatës Supreme përmes të cilës kërkesa e tij për revizion ishte hedhur poshtë si të palejuar, por kërkon nga Gjykata që të anulojë Aktgjykimin [C.nr.580/14] të Gjykatës Themelore të Prizrenit i 19 qershorit 2016 së bashku me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [ Ac.nr. 3921/2016] i 21 majit 2022 dhe çështjen të urdhërojë shkallën e parë që në procedurën e përsëritur të pranojë të drejtën e trashëgimisë së parashtruesit në pajtim me kontratën për mbajtje të përjetshme.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
[...]
Neni 37
[E Drejta e Martesës dhe Familjes]
“Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin.
Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve.
Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj.”
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 93
93.1 I autorizuari për përfaqësim ka për detyrë që me rastin e kryerjes së veprimit të parë në procedurë ta paraqes prokurën.
LIGJI NR. 04/L-118 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT NR. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 218
“Revizioni i paraqitur pas kohe, i palejueshëm apo jo i plotë, hudhet poshtë me aktvendim të Gjykatës së shkallës së parë pa mbajtur seancë gjyqësore.
Revizioni është i palejueshëm nëse:
e ka paraqitur personi i cili nuk është i autorizuar për paraqitjen e revizionit;”
[...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Megjithatë, përtej kritereve të përcaktuara më lart, në vlerësimin nëse parashtruesi i kërkesës i plotëson kriteret për vlerësimin e kërkesës së tij, Gjykata rikujton nenin 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit dhe në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç parashihen në nenin 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcakton:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”
Sa i përket përmbushjes së kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: (i) është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; (ii) konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Rev.nr. 375/2021] të Gjykatës Supreme të 9 shtatorit 2021; (iii) i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, në kuptim të nenit 113.7 dhe nenit 47.2 të Ligjit; (iv) ka qartësuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe (v) ka dorëzuar kërkesën brenda afatit prej katër (4) muajsh, siç përcakton neni 49 i Ligjit.
Përveç këtyre kritereve të lartcekura, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka plotësuar kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullorës së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullorës së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Ky rregull specifikisht përcakton që:
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.”
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GjEDNj) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e rastit. Më konkretisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajtja e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullorës së punës (shih rastet e Gjykatës: KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 25; KI29/22, parashtrues “Kosovska Banka” DD Beograd, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 korrikut 2023, paragrafi 61; dhe KI122/22 parashtrues Ilaz Rrahmani, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 korrikut 2023, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së dhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, këtyre pretendimeve do të ju referohemi si “pretendime qartazi të pabazuar” dhe bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, të njëjtat kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”; dhe në fund pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, ndër të të tjerash rastet e GjEDNj-së Kemmachev kundër Francës, kërkesa nr.17621/91, kategoria (i); Mentzen kundër Letonisë, kërkesa nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, kërkesa nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Gjykata, gjatë vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, gjatë vlerësimit nëse kërkesa e parashtruesit është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës. Në vlerësimin e pretendimeve të tilla, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, nen, i cili e detyron Gjykatën të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të Kushtetutës në harmoni me vendimet gjyqësore të GjEDNj-së).
Gjykata vëren se thelbi i kërkesës së parashtruesit lidhet me procedurën trashëgimore për ndarjen e trashëgimisë së nënës së tij ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe vëllait të tij, të zhvilluar në gjykatat e rregullta me pretendimin e tij për fitimin e të drejtës së pronësisë të pjesës prej 1/3 të parcelës nr.2768 ZK Prizren. Gjykata Komunale në Prizren kishte vendosur për ndërprerjen e procedurës duke udhëzuar parashtruesin e kërkesës në kontest civil. Parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatë Komunale dhe kërkoi të përcaktohet e drejta në trashëgimi në bazë të kontratës për mbajtje të përjetshme. Gjykata Komunale në Prizren refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës kundër vendimit të Gjykatës Komunale parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e refuzoi ankesën e tij si të pabazuar. I pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit parashtruesi I kërkesës përmes përfaqësuesit të tij kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit e kishte hedhur poshtë si të palejuar revizionin, për shkak se përfaqësuesi i parashtruesit nuk kishte dorëzuar autorizimin për përfaqësim..
Lidhur me këtë, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës e konteston Aktvendimin [Rev.nr.375/2001] e Gjykatës Supreme, si vendim të fundit të nxjerrë në këtë procedurë, lidhur me aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit pasi që nuk i kishin njohur kontratën për mbajtje të përjetshme e cila ishte lidhur në Gjykatën Komunale në Gornji Milanovac, Republika e Serbisë.
Gjykata vëren se Gjykata Supreme, hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës për arsye procedurale, pasi që përfaqësuesi i parashtruesit nuk kishte dorëzuar autorizimin për të dëshmuar se përfaqëson parashtruesin e kërkesës në procedurën gjyqësore pranë gjykatave të rregullta.
Gjykata Supreme gjatë shqyrtimit të revizionit arsyetoi se “… meqenëse gjykata e shkallës së pare nuk e kishte hedhë poshtë revizionin ashtu siç parashihet me dispozitat e nenit 218.1 të LPK-së, atëherë Gjykata Supreme sipas dispozitës së nenit 221 të LPK-së, vendosi ta hedhë poshtë si të palejueshëm revizionin”.
Lidhur me këtë Gjykata vëren se Gjykata Supreme me të drejtë ka hedhur poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, pasi përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës nuk ka dorëzuar autorizimin për përfaqësim, ashtu siç kërkohet me ligj, përkatësisht nenin 93 paragrafi 1 i Ligjit për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK), i cili përcakton se “I autorizuari për përfaqësim ka për detyrë që në rastin e kryerjes së veprimit të parë në procedurë ta paraqes prokurën”.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendimet e tij i ndërlidh me “zbatimin e gabuar të se drejtës materiale dhe procedural”, pasi, i njëjti pretendon se kontrata për mbajtjen e përjetshme është në përputhje me Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve (në tekstin e mëtejmë: LMD) dhe se gjykatat e rregullta është dashtë ta njohin. Së pari, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr. 580/14] e refuzoi padinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se e njëjta vlerëson se lidhur me legalizimin e kontratës për mbajtje të përhershme është ekskluzivisht kompetent gjykata në territorin e së cilës gjendet prona e paluajtshme, e që në rastin konkret ishte Gjykata Komunale në Prizren. Për më tepër, edhe Gjykata e Apelit në shkallë të dytë u pajtua me konstatimin dhe arsyetimin e Gjykatës Themelore si shkallë e parë, duke konkluduar se Gjykata Themelore drejtë kishte aplikuar ligjin material.
Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).
Në këtë kuptim, Gjykata, pretendimet e parashtruesit të kërkesës e cilëson se i takojnë kategorisë së parë (i) “të shkallës së katërt”, andaj, të njëjtat, Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuar dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullorës së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese , në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 22 janar 2024 , njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka Nimani
Eset Berisha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Penale