Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PN.S.nr.41/22] të 22 gushtit 2022 të Gjykatës së Apelit

Nr. të lëndës KI48/23

Parashtruesit: Eset Berisha

Shkarko:

KI48/23, Parashtrues: Eset Berisha, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PN.S.nr.41/22] të 22 gushtit 2022 të Gjykatës së Apelit

 KI48/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 shkurtit 2024, publikuar më 5 mars 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mosshterje 

Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë në atë se ndaj parashtruesit të kërkesës ishte ngritur aktakuzë nga ana e PSRK-së për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.  Parashtruesi i kërkesës përmes mbrojtësit të tij kishte bërë kërkesë për hudhje të aktakuzës në Gjykatën Themelore, ku kjo e fundit e kishte refuzuar kërkesën e tij. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore, të cilën ankesë Gjykata e Apelit e kishte refuzuar dhe kishte vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore.

Parashtruesi i kërkesës e kontestoi Aktvendimin [PN. S. nr. 41/22] të 22 gushtit 2022 të Gjykatës së Apelit, me pretendimin se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.

Gjatë vlerësimit të rastit, Gjykata vërejti se në bazë të Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale, përkatësisht nenit 329, paragrafi 3, i cili përcakton se: “Deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, palët dhe i dëmtuari mund të propozojnë shqyrtimin e fakteve të reja, mbledhjen e provave të reja dhe të përsërisin propozimet të cilat gjyqtari i vetëm gjykues, kryetari i trupit gjykues ose trupi gjykues më herët i ka refuzuar”, parashtruesi i kërkesës ka mundësi që edhe gjatë shqyrtimit kryesor t’i ngritë pretendimet e tij. Në lidhje me këtë, Gjykata thekson faktin se të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje ligjore, mund të shqyrtoheshin gjatë procedurës së rregullt nga gjykatat e rregullta.

Prandaj, Gjykata gjeti se parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese para shterimit të të gjitha mjeteve efektive juridike, përkatësisht, në bazë të Kodit të Procedurës Penale, parashtruesit të kërkesës legjislacioni i brendshëm i mundëson mjete efektive juridike në dispozicion në gjykatat e rregullta në lidhje me shkeljen e pretenduar.

Andaj, lidhur me këtë, Gjykata bazuar në praktikën e saj gjyqësore theksoi se nëse parashtruesit e kërkesës nuk i shterin mjetet efektive juridike të parapara me ligj, atëherë kërkesat e parashtruesve në Gjykatë konsiderohen si mosshterje.

Parashtruesit:

Eset Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale