Prishtinë, më 3 korrik 2023
Nr. ref.: RK 2233/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI25/23
Parashtrues
Shpejtim Ahmeti
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Pml. nr. 326/2022 të 27 shtatorit 2022 të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka - Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Shpejtim Ahmeti, me vendbanim në Viti (në tekstin e mëtejmë: Parashtruesi i kërkesës), i cili përfaqësohet nga Hajriz Lubishtani, avokat nga Vitia.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [Pml. nr. 326/2023] e 27 shtatorit 2022 (në tekstin e mëtejmë: Aktvendimi i kontestuar) të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Aktvendimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 12 tetor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenet: 23 [Dinjiteti i Njeriut], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit Në Raste Penale], 35 [Liria e Lëvizjes], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenet: 6.1 [E drejta për një proces të rregullt], 7 [Nuk ka dënim pa ligj], 13 [E drejta për zgjidhje efektive], Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 6 shkurt 2023, kërkesa u dorëzua në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë Gjykata).
Më 9 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin GJR.KI25/23 caktoi gjyqtaren Bajram Ljatifi, gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH.KI25/23 caktoi anëtaret e Kolegjit shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 20 shkurt 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën datë, një kopje të kërkesës së parashtruesit ia dërgoi Gjykatës Supreme.
Më 20 shkurt 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore në Gjilan-Dega në Viti [në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore], që në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, t’ia dërgoj fletë-kthesën që dëshmon se kur e ka pranuar parashtruesi i kërkesës aktvendimin e kontestuar të Gjykatës Supreme.
Më 31 mars 2023, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë fletë-kthesën e kërkuar që dëshmon se parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 12 tetor 2022.
Më 25 maj 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 26 mars 2003, Gjykata e Qarkut në Gjilan [në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Qarkut], nëpërmjet Aktgjykimit [P.nr. 116/2002], shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për kryerjen e veprës penale të vrasjes sipas Ligjit Penal të Kosovës [në tekstin e mëtejmë: LPK], “sepse më 25 shkurt, rreth orës 19 “Te Vneshta” në afërsi të fshatit Smirë-Viti, me dashje direkte, për shkak të motivit të ultë, në mënyrë dinake dhe mizore, ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. J, nga fshati Smirë [...]. Gjykata e Qarkut e dënoi të njëjtin me burgim efektiv prej 13 (trembëdhjetë) vjet, në të cilin iu llogarit edhe koha e kaluar në paraburgim.
Brenda afateve ligjore, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën Supreme, kundër aktgjykimit [P.nr. 116/2002] të Gjykatës së Qarkut, të 26 marsit 2003, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Më 18 shtator 2003, Gjykata Supreme, nëpërmjet Aktgjykimit [Ap.nr. 221/2003], vërtetoi dënimin e shqiptuar nga Gjykata e Qarkut ndaj parashtruesit të kërkesës. Gjykata Supreme u shpreh që: “Gjykata Supreme vlerëson se aktgjykimi i kundërshtar, pra, edhe dispozitivi i pjesës liruese është i qartë, i kuptueshëm, kështu që përshkrimi i dhënë në dispozitiv si në pjesën gjykuese ashtu në atë liruese është konkret dhe me asgjë nuk vihet në dyshim (përveç kualifikimit juridik) përmban arsye të duhura mbi të gjitha faktet relevante të çështjes juridiko-penale në kuptim të nenit 357 al. 7 të LPP, dhe përkitazi me provat e administruara gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme të cilat i aprovon edhe kjo Gjykata si të drejta, objektive që kanë mbështetjen në shkesat e lëndës, përveç vlerësimit juridik për të cilat kjo Gjykatë do të elaborojë më poshtë në këtë aktgjykim.”
Më 23 tetor 2004, parashtruesi i kërkesës u lirua nga burgu dhe iu suspendua dënimi për shkaqe shëndetësore, sipas Urdhëresës së Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë. Parashtruesi i kërkesës shkoi për trajtim mjekësor në Gjermani ku edhe ndodhet aktualisht me vendqëndrim.
Më 16 tetor 2019, Shërbimi Korrektues i Kosovës lëshoi urdhrin [190/19] për letër reshtim ndërkombëtar ndaj parashtruesit të kërkesës, dhe kërkoi nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ekzekutimin e këtij urdhri.
Më 12 mars 2020, Gjykata Themelore lëshoi urdhër arrest ndërkombëtar ndaj parashtruesit të kërkesës, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, pasi që kjo e fundit nuk kishte mundur të ekzekutonte urdhrin e letërreshtimit ndërkombëtar për shkak se parashtruesi i kërkesës ishte në arrati.
Më 9 shkurt 2022, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë në Gjykatën Themelore, për pezullimin e dënimit për shkak të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit. Sipas parashtruesit të kërkesës, ai ka mbajtur dënim efektiv gjithsej 7 (shtatë) vjet, 7 (shtatë) muaj e 20 (njëzetë) ditë, ndërsa i kanë mbetur edhe 5 (pesë) vite, 5 (pesë) muaj, e 10 (dhjetë) ditë vuajtje të dënimit. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës pretendon që, nga 23 tetori 2004, kur është liruar nga burgu për shkaqe shëndetësore, e deri më 9 shkurt 2022, kur ka dorëzuar këtë kërkesë, kanë kaluar 17 (shtatëmbëdhjetë) vite e 3 (tre) muaj. Rrjedhimisht, pretendon ai, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës [në tekstin e mëtejmë: KPRK], është arritur parashkrimi absolut i ekzekutimit të dënimit, sepse, gjykata kompetente për ekzekutimin e dënimit nuk ka marrë asnjë veprim e as nuk ka dërguar ftesë ndaj parashtruesit të kërkesës për vuajtje të dënimit.
Më 15 qershor 2022, Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktvendimit [Ed.nr. 23/2004], refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Themelore arsyetoi si nw vijim:
“Në këtë kontekst duhet marrë parasysh faktin se, i dënuari i cili ishte duke e vuajtur dënimin me burgim në burgun e Dubravës, me datë 23.10.2004 ishte lëshuar nga ku institucion për arsye shëndetësore dhe dënimi i tij me burgim ishte suspenduar dhe gjatë kësaj kohe sa ka qenë i suspenduar dënimi nuk ka rrjedhë afati i parashkrimit. Kjo është e rregulluar me nenin 99 parag. 2 të Ligjit Penal të RSFJ-së, i datës 01.07.1977, që ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, i cili përcakton se, “afati i parashkrimit nuk kalon në kohën gjatë së cilës me ligj nuk mund të ndërmerret ekzekutimi i dënimit”. Këtë e parasheh edhe Kodi i Përkohshëm Penal, i cili ka qenë në fuqi në kohën kur të dënuarit i është suspenduar dënimi, i cili në nenin 94 pararafi 2 përcakton shprehimisht se, “afati i parashkrimit nuk rrjedh gjatë kohës kur sipas ligjit ekzekutimi i dënimit nuk mund të fillohet”. Po ashtu, një gjë të tillë e parasheh edhe neni 110 parag 2 i Kodit Penal i Kosovës, në fuqi nga data 01.01.2013. Gjykata, ka përmendur rrjedhimisht kodet penale, pasi që ka vlerësuar zbatimin e ligjit më të favorshëm për të dënuarin, por kjo çështje është e rregulluar njëjtë me të gjitha kodet penale të lartpërmendura.”
“Mbi të gjithë atë që u theksua më lartë, Gjykata vlerëson se, në çdo rrethanë ekzekutimi i dënimit nuk është parashkruar, për shkak se, parashkrimi nuk ka rrjedhë asnjëherë prej kohës kur është pamundësuar sigurimi i të dënuarit për të vuajtur dënimin e mbetur me burgim, konfrom rregullave siç kërkohet me Ligjin 04/L-149 për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, nga neni 94 parag. 1 dhe 2, të cilat i dënuari nuk i ka respektuar, andaj edhe nuk ka kaluar koha e parashkrimit relativ prej 15 vjet, për vepra penale të dënueshme me më shumë se 10 vjet, e paraparë në nenin 97 parag. 2 i Ligjit penal të RSFJ-së, si ligj i zbatueshëm në atë kohë, e as në Kodin e mëvonshëm penal.”
Më 18 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër Aktvendimit [Ed.nr. 23/2004] të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes së dispozitave ligjore dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike. Parashtruesi i kërkesës arsyetonte që pjesa e mbetur e vuajtjes së dënimit është 5 (pesë) vite e 5 (pesë) muaj, e 10 (dhjetë) ditë, prandaj, instituti i parashkrimit të ekzekutimit të dënimit llogaritet mbi bazën e kësaj periudhe, e jo në totalin e dënimit të shqiptuar prej 13 (trembëdhjetë) vitesh.
Më 27 qershor 2022, Gjykata e Apelit, nëpërmjet Aktvendimit [PN.nr. 665/2022], refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Gjykata e Apelit u shpreh:
“Kolegji penal i Gjykatë së Apelit vlerëson se nuk qëndrojnë pretendimet e mësipërme ankimore të mbrojtësit të të dënuarit se në këtë çështje penale ka arritur parashkrimi i ekzekutimit të ndjekjes penale dhe se konstatimi i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i bazuar në ligj, i njëjti nuk përmban shkelje për të cilat kjo gjykatë kujdeset detyrimisht sipas detyrës zyrtare, pra i njëjti është nxjerrë në harmoni me ligjin pozitiv, dispozitivi i aktvendimit është i kuptueshëm dhe pa kundërthënie, po ashtu përmban arsyet lidhur me faktet vendimtare të paraqitura në arsyetim, ndërkaq në anën tjetër gjykata e shkallës së parë drejt ka vepruar kur e ka refuzuar kërkesën e të dënuarit për parashkrim të ekzekutimit të dënimit, me arsyetim se nuk kemi të bëjmë me parashkrim relativ dhe as absolut të ekzekutimit të dënimit me burgim në rastin konkret”.
“Është fakt se të dënuarit i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) vite dhe në dispozitën e nenit 99 par. 2 të Ligjit Penal të RSFS-së i datës 01.07.1977 (i zbatueshëm në rastin konkret, ligji i zbatueshëm në kohën e kryerjes së veprës penale), parashihet se afati i parashkrimit nuk kalon në kohën gjatë së cilës me ligj nuk mund të ndërmerret ekzekutimi i dënimit. Në rastin konkret nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë ka ndërmarr veprime të cekura si më lartë, të cilat e ndërprejnë parashkrimin e ekzekutimit të dënimit, ashtu sikurse qe e parasheh edhe Kodi i Përkohshëm Penal, i cili ka qenë në fuqi në kohën kur të dënuarit i është suspenduar dënimi dhe atë në nenin 94 par. 2 përcakton se afati i parashkrimit nuk rrjedh gjatë kohës kur sipas ligjit ekzekutimi i dënimit nuk mund të fillohet, po ashtu e parasheh edhe nenin 110 par. 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës i datës 01.01.2013, si rezultat i kësaj del se nuk kemi parashkrim relativ të ekzekutimit të dënimit, ngase në asnjë rast nuk ka kaluar afati dy vjeçar ashtu siç përcaktohet në dispozitën e nenit të lartcekur. Ndërkaq në anën tjetër në dispozitën e nenin 108 par. 2 të KPRK-së është përcaktuar se “parashkrimi i ekzekutimit të dënimeve ndërpritet kur personi i dënuar nuk paraqitet ose nuk dorëzohet për mbajtjen e dënimit me burgim”, drejtë gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar dhe ka përmendur rrjedhimisht dispozitat ligjore të lartcekura dhe drejtë ka vlerësuar se kjo çështje saktësisht parashkrimi i ekzekutimit të dënimit sikurse në rastin konkret është i rregulluar njëjtë me të gjitha kodet penale të lartpërmendura dhe duke pasur parasysh se gjykata e shkallës së parë ka ndërmarr veprime në këtë drejtim, atëherë rezulton se nuk kemi të bëjmë me parashkrim relativ të ekzekutimit të dënimit dhe pretendimet e të dënuarit si të tilla nuk janë të bazuara.”
“Po ashtu kolegji penal i kësaj gjykate vlerëson se në rastin konkret nuk kemi as parashkrim absolut të ekzekutimit të dënimit ashtu siç pa të drejtë pretendohet në ankesën e të dënuarit, nga në dispozitën e nenit 110 par. 6 të KPRK-së është përcaktuar se “ekzekutimi i dënimit ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit”.
Më 15 gusht 2022, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kundër Aktvendimit [PN.nr. 665/2022] të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave ligjore të KPPK-së dhe KPRK-së. Sipas parashtruesit të kërkesës, “llogaritja e ekzekutimit të dënimit konkretisht parashkrimit të ekzekutimit të dënimit llogaritet nga data e ndërprerjes të ekzekutimit që është 23.10.2004, e në rastin konkret duhet të llogaritet nga momenti i ndërprerjes të ekzekutimit 23.10.2004”. Sipas tij, “në rastin konkret pa mëdyshje kemi të bëjmë me kalimin e dyfishtë të kohës së parashkrimit absolut të ekzekutimit të dënimit. Pavarësisht nga kjo shikuar nga data e ndërprerjes së vuajtjes së dënimit 23.10.2004 deri në ndërmarrjen e veprimit të parë nga Gjykata Themelore Gjilan 12.03.2020, ka kaluar periudha kohore prej ma tepër se 15 vite e që është e nevojshme për parashkrim të ekzekutimit të dënimit të mbetur prej 5 vite e 5 muaj e 10 ditë të dënuarit.”
Më 27 shtator 2022, Gjykata Supreme nëpërmjet Aktvendimit [PML.nr. 326/2022], hodhi poshtë si të papranueshme kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë. Gjykata Supreme arsyetoi si në vijim:
“Sipas dispozitës së nenit 432 të KPPK kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet vetëm kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë në rast të shkeljes së ligjit penal, në rast të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 i këtij kodi ose në rast të shkeljeve tjera të procedurës penale kur shkeljet e tilla kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor. Ndërkaq, sipas par. 4 të këtij neni kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet, gjatë procedurës penale e cila nuk ka përfunduar në formë të prerë, vetëm kundër vendimeve të formës së prerë lidhur me caktimin ose vazhdimin e paraburgimit. Procedura penale përfshin fazën e hetimit, fazën e ngritjes së aktakuzës dhe deklarimit, fazën e shqyrtimit gjyqësor dhe fazën e mjetit juridik. Në rastin konkret gjykata themelore kompetente ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të dënuarit për pezull të ekzekutimit të dënimit për shkak të parashkrimit, të cilin vendim e ka vërtetuar shkalla e dytë, pra, nuk bëhet fjalë për vendim të formës së prerë me të cilin ka përfunduar procedura penale, e nuk ka të bëjë as me caktimin apo vazhdimin e paraburgimit, por është vendim i marrë në procedurën e ekzekutimit të sanksionit penal, prandaj kjo gjykatë vlerëson se kërkesa është e papranueshme.”
Më 1 nëntor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi parashtresë në Gjykatën Themelore, nëpërmjet së cilës kërkoi që të pushohet procedura e ekzekutimit të dënimit për pjesën e mbetur të dënimit ndaj të dënuarit (Sh.A), dhe të tërhiqet fletarrestimi ndërkombëtar i datës 13 mars 2020, i lëshuar nga Policia e Kosovës.
Më 4 nëntor 2022, Gjykata Themelore, nëpërmjet Shënimit zyrtar [ED.nr. 23/2004], ia përshkroi parashtruesit të kërkesës të gjithë rrjedhën e procedurës gjyqësore në mënyrë kronologjike, nga fillimi deri në fund.
Më 7 nëntor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër shënimit zyrtar [ED.nr. 23/2004] të Gjykatës Themelore, për shkelje të dispozitave ligjore dhe vërtetimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 28 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit nxori Aktpërcjellësin [PN.nr. 1285/2022], dhe vendosi si në vijim: “Në kuptim të dispozitave ligjore të Ligjit për Gjykatat si dhe të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, po ua kthejmë shkresat e lëndës për shkak se ankesa e paraqitur nda shënimit zyrtar nuk është paraparë me dispozita ligjore si lloj vendimi ndaj të cilit lejohet mjeti juridik.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon qe Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme ka shkelur të drejtat e tij kushtetuese, të garantuara me nenet: 23 [Dinjiteti i Njeriut], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit Në Raste Penale], 35 [Liria e Lëvizjes], të Kushtetutës, në lidhje me nenet: 6.1 [E drejta për një proces të rregullt], 7 [Nuk ka dënim pa ligj], 13 [E drejta për zgjidhje efektive], të Konventës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon që: “I dënuari ka qenë në vuajtje të dënimit prej 03 mars 1997 deri 23 tetor 2004, ku i është ndërprerë ekzekutimi i dënimit për shkak të gjendjes shëndetësore të dënuarit, dhe i njëjti nga data 23 tetor 2004 gjer më tani nuk ka vazhduar me vuajtjen e dënimit sipas aktgjykimit të formës së prerë. Në rastin konkret në këtë gjendje vjen në shprehje instituti i parashkrimit të sanksionit penal-dënimit. Në këtë situatë të krijuar të dënuarit (SH.A) nga burgu i mbajtur 7 vite, 7 muaj e 20 ditë, të njëjtit i kanë mbetur për t’i vuajtur edhe 5 vite, 5 muaj e 5 ditë, e i dënuari asnjëherë nuk është ftuar me ftesë, urdhëresë, që ta vuaj dënimin, kështu ka arritur parashkrimi i ekzekutimit të dënimit me kalimin e periudhës mbi 10 vite nga data e lirimit nga burgu 23.10.2004 (shih dispozitën ligjore neni 108 parg. 1.1.4. lidhur me nenin 3 i KPRK-së, lidhur me nenin 110 parag. 6, ligjit 04/L-082). Në rastin konkret kemi Aktvendimet e Gjykatave të nxjerra në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës”.
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon që: “I autorizuari i të dënuarit ka kërkuar përsëri të Gjykata Themelore Gjilan – Dega në Viti, të konstatohet decidivisht koha e parashkrimit të dënimit për periudhën e mbetur të dënimit – burgut për ta ekzekutuar – mbajtur prej 5 vite, 5 muaj e 10 ditë. Gjykata me datën 04.11.2022 ka vendosur në kërkesën e palës me shënim zyrtar, vetëm duke përshkruar situatën. Pra shënimin zyrtar të Gjykatës që të vendos në kërkesën e palës, konsiderojmë si një rast të tillë që nuk njihet në analet e drejtësisë. Kundër shënimit zyrtar është ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit nuk ka vendosur fare, pra me aktpërcjellës është kthyer lënda në Gjykatën e shkallës së parë pa asnjë arsyetim nuk është përmend asnjë dispozitë ligjore. Pra nuk ka dispozita ligjore në këto ligje që konstaton se ankesa e palës vendoset me aktpërcjellës, që kemi të bëjmë qartazi me aplikim të gabuar të ligjit dhe shkeljen e të drejtave themelore të palës nga neni 32 i Kushtetutës së Kosovës, E Drejta për mjet juridik”.
Parashtruesi në fund kërkon nga Gjykata që të shpallë të pranueshme kërkesën e tij, të shpallë si jokushtetuese Aktvendimet e Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme, dhe të kthejë lëndën në rivendosje te Gjykata Themelore.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
Kodi Nr. 06/L-074 Penal i Republikës së Kosovës
Neni 101
(Parashkrimi i ekzekutimit të dënimeve)
1. Përveç nëse parashihet ndryshe me këtë Kod, dënimi i shqiptuar nuk mund të ekzekutohet pasi të kenë kaluar:
1.1. tridhjetë (30) vjet nga dënimi me burgim të përjetshëm;
1.2. njëzetë (20) vjet nga dënimi me mbi dhjetë (10) vjet burgim;
1.3. pesëmbëdhjetë (15) vjet nga dënimi me mbi pesë (5) vjet burgim;
1.4. dhjetë (10) vjet nga dënimi me mbi tri (3) vjet burgim;
1.5. gjashtë (6) vjet nga dënimi me mbi një (1) vit burgim; dhe
1.6. katër (4) vjet nga dënimi me burgim deri në një (1) vit apo dënimi me gjobë.
2. Parashkrimi i ekzekutimit të dënimeve ndërpritet kur personi i dënuar nuk paraqitet ose nuk dorëzohet për mbajtjen e dënimit me burgim.
Neni 103
(Fillimi dhe ndërprerja e afateve të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit)
1. Afati i parashkrimit të ekzekutimit të dënimit fillon të rrjedhë nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë, e në rast se dënimi alternativ është revokuar, parashkrimi fillon nga dita kur vendimi mbi revokimin merr formën e prerë.
2. Afati i parashkrimit nuk rrjedh gjatë kohës kur sipas ligjit ekzekutimi i dënimit nuk mund të fillohet.
3. Nëse dënimi zbutet me falje apo me vendim të gjykatës sipas mjetit të jashtëzakonshëm juridik, koha e fillimit të parashkrimit caktohet sipas dënimit të ri, derisa llogaritja e parashkrimit bëhet sipas dënimit fillestar.
4. Afati i parashkrimit ndërpritet me çdo veprim të filluar nga organi kompetent me qëllim të ekzekutimit të dënimit.
5. Pas çdo ndërprerjeje fillon të rrjedhë afati i ri i parashkrimit.
6. Ekzekutimi i dënimit ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit.
7. Dispozitat nga paragrafët 2. deri 5. të këtij neni po ashtu zbatohen për parashkrimin e ekzekutimit të dënimeve plotësuese dhe masave të trajtimit të detyrueshëm.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Neni 21
[Parimet e përgjithshme]
[...]
4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.
Gjykata ripërsërit se afati 4 (katër) mujor fillon nga “vendimi i fundit” në procesin e shterjes së mjeteve juridike me të cilin është refuzuar kërkesa e parashtruesit (rasti i GJEDNJ-së, Paul dhe Audrey Edwards kundwr Mbretwrisw sw Bashkuar, nr. 46477/99, Vendim i 14 marsit 2002).
Gjykata rithekson se parashtruesi duhet t’i shterojë të gjitha mjetet juridike të cilat pritet të jenë efektive dhe të mjaftueshme. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi nuk mund të zgjat afatet strikte të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojë mjete juridike në institucionet të cilat nuk kanë kompetencë që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës (KI120/17, parashtrues Hafiz Rizahu, Aktvendim për papranueshmëri i 7 dhjetorit 2017; KI118/20, parashtrues Selim Leka, Aktvendim për papranueshmëri i 21 tetorit 2021; KI144/22, parashtrues Sebahate Dervishi, Aktvendim për papranueshmëri i 16 nëntorit 2022; KI234/21, parashtrues N.P.N “Clirimi”, Aktvendim për papranueshmëri i 8 qershorit 2022).
Gjykata vëren se, më 9 shkurt 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë në Gjykatën Themelore për pezullimin e dënimit për shkak të parashkrimit të ekzekutimit. Sipas tij, nga 18 shtatori 2003 kur vendimi u bë i formës së prerë, deri më 9 shkurt 2022 kur u parashtrua kërkesa, kishin kaluar më shumë se 18 (tetëmbëdhjetë) vite.
Gjykata vëren se, Gjykata Themelore refuzoi kërkesën dhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me parashkrimin e ekzekutimit të dënimit, dhe arsyetoi se, që nga 23 tetori 2004, kur parashtruesi i kërkesës u lirua nga burgu dhe iu suspendua dënimi, afati për parashkrimin e ekzekutimit të dënimit nuk kishte rrjedhur. Ndërsa, më 27 qershor 2022, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktvendimit [PN.nr.665/2022] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, dhe u pajtua me vlerësimet e Gjykatës Themelore.
Gjykata vëren se, parashtruesi i kërkesës parashtroi në Gjykatën Supreme kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit. Më 27 shtator 2022, Gjykata Supreme hodhi poshtë si të papranueshme kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, me arsyetimin se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë nuk mund të paraqitet në procedurën e ekzekutimit të sanksionit penal.
Gjykata vlerëson se, “vendimi i fundit” në procesin e shterimit të mjeteve efektive juridike është Aktvendimi [PN.nr.665/2022] i Gjykatës së Apelit, i 27 qershorit 2022. Gjykata vlerëson se, kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë u hodh poshtë si e palejueshme nga Gjykata Supreme, me arsyetimin se ky mjet juridik nuk parashihej në çështjet e ekzekutimit të sanksioneve penale. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës e ka përdoruar një mjet jo efektiv juridik sipas legjislacionit në fuqi.
Gjykata vëren se, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi ankesën në Gjykatë më 6 shkurt 2023, ndërsa Aktvendimi [PN.nr.665/2022] i Gjykatës së Apelit, ishte marrë më 27 qershorit 2022. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se, kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit kohor 4 (katër) mujor.
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktvendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 dhe 47.1 të Ligjit dhe me rregullin 59 (a) të Rregullores së punës, më 25 maj 2023, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Shpejtim Ahmeti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Penale